SHKREPTIMA KAMERASH

Kohë të vrullshme për fotografinë në Shqipëri.

Teksa kryeministri i ri Rama viziton kryeqendrën e perandorisë dhe nuk e humbet rastin për foto të rëndësishme, mes të cilave edhe ajo me Bonon e U2 (që s’e kisha përfytyruar dot kurrë kaq të shkurtër sa këtë herë), mediat elektronike të Tiranës botojnë foto pas fotosh të ndërtesave institucionale, dikur të banuara nga administrata Berisha.

Ndërkohë, një ministër – Erion Veliaj – thërret fotografët për t’ia dokumentuar publikisht një gjest të vetin të paktën sentimental: shoqërimin në spital të një fëmije rom të lënduar.

E gjithë kjo, ende pa u shpërndarë tymnaja e shkëmbimeve të fundit simbologjike, për ikonën që do të hijeshojë tash e tutje zyrat e administratës: Presidentin e tanishëm të Republikës Nishani, apo Kryeministrin e parë të Republikës Ismail Qemali?

Nëse ka ndonjë lidhje mes kësaj foto-stuhie, dhe marrëdhënies së mirënjohur të kryeministrit Rama me artet pamore, këtë ende nuk e themi dot; sikurse nuk themi dot nëse në kontekstin e tanishëm një foto vërtet vlen 1,000 fjalë.

E përdorur mirë, fotografia mund të funksionojë si mesazh i fuqishëm dhe kanalizues drejt së vërtetës; edhe pse teknika dhe medium-i, në vetvete, nuk garantojnë gjë vërtetësi.

Publiku në Shqipëri ende nuk është mësuar t’i lexojë fotot me sy kritik; madje ne shpesh ende u qasemi fotove të botuara sikur t’i kishim nxjerrë ne vetë. Nocioni se fotoja, para se të çojë te realiteti, na çon te syri i fotografit dhe mendja që drejton objektivin e kamerës mbetet i huaj, i tepërt dhe i panevojshëm.

Këtë e konfirmon edhe trajtimi masiv i fotografisë – si teknikë, si mjet shprehjeje dhe si mjet komunikimi në Internet; pa çka se përhapja e kamerave dixhitale dhe telefonave inteligjentë, të pajisur me kamera, na ka shndërruar të gjithëve në fotografë.

Po aq sa ç’na ka shndërruar tastiera e kompjuterit në shkrimtarë!

Prandaj, problematike nuk është aq fotografia, si protagoniste në mediat, veçanërisht ato elektronike; por mungesa e komunikimit të tejdukshëm mes publikut dhe fotografuesit.

Sado transparente të jetë, sado e vetvetishme, sado e paskriptuar, fotoja gjithnjë ngrihet si perde, midis dy palë syve: atyre që e kanë parë (dhe nxjerrë) dhe atyre që e shohin. Përndryshe, dëshmia e kujt ka qenë atje është aq e vërtetë, sa edhe profili etik i dëshmitarit.

Kjo do të thotë edhe se jo të gjitha fotot janë bërë me candid camera dhe se disa foto janë edhe poza; sikurse do të thotë se, kush gënjehet nga një foto, nuk ka pse të akuzojë pastaj për manipulim fotografin.

Nëse fotografia vjen e imponohet tani si armë e vijës së parë në betejat politike, atëherë publiku bën mirë të jetë gati, për t’i përdorur dhe konsumuar imazhet fotografike në bazë të kodeve me të cilat kryhet komunikimi në mediat.

Çka do të thotë edhe se foto të tilla do të funksionojnë më shumë në rrafshin simbolik sesa atë real; dhe se një foto e një ministri me një fëmijë të lënduar në krahë i afrohet tipologjikisht portretit të z. Bujar Nishanit në murin e zyrës shtetërore shumë më tepër se ç’mund të kujtojmë në vështrim të parë.

Nuk ka komente

  1. Shume dakort. Fotografia ne kete kontekst nuk eshte aq deshmi e atij qe ka qene, sesa simbolike e asaj c’ka duhet te jete. Me konkretisht, fotografia e nje ministri me femijen rom ne krahe, nuk duhet pare si deshmi e asaj c’ka beri ministri, por si nje simbolike se cila eshte qasja qe duhet patur ndaj ketij komuniteti. Psh Nene Tereza si nje shembull par exellance, vec te tjerash ishte dhe shume fotografi/imazhe te tilla.

    1. Patjetër. Unë i pari do të përshëndetja qasjen katolike ndaj problemeve, përkundrejt asaj mongole të administratës së shkuar. Dhembshuria e mishngrënësit është më etike se shkrofëtima e barngrënësit.

      1. Në fakt një nga interpretimet e kanibalizmit (simbolik), mes të cilëve thuhet se futet edhe pirja e verës në vend të gjakut, si pjesë e simbolikës së fesë së krishterë, është edhe ai që thotë se ngrënia nga kanibali është një akt nderimi për gjahun/prenë.
        Kështu nga mëson, ndër të tjera edhe Hannibali i Th. Harrisit.

        Sa për temën, përtej këtyre që thoni ju xhaxhai, do të thoja se fotografia është shumë iluzive, pra krijon iluzionin se jep shumë kur në fakt ka një efekt tërësisht të kundërt me atë të tekstit psh.
        Ndërsa teksti të lë vend për reflektim dhe analizë, fotografia, dhe mënyra të tjera komunikimi afine me të janë më të drejtëpërdrejta. Ta japin jo vetëm të mirëqenë gjënë e transmetuar por edhe nuk lënë shumë vend për interpretim.
        Jo më kot, fëmijët e kanë më të thjeshtë të “përqëndrohen” pas të ashtuquajturave kukulla, filma vizatimorë, sikundër, kujtoj, edhe njeriu primitiv, i cili sipas aftësive, mundi të komunikojë (vetëm?) me anë të ngjyerjes së dorës me baltë dhe shenjimit të mureve të shpellës së vetë.

        Ku i dihet Edi Rama, mund të jetë aq i lexuar, saqë t’i japi vlerë interpretimit tim të mësipërm, duke nënvlerësuar, njëkohësisht, pashmangshmërisht, turmën e quajtur popull, nga e cila unë distancohem dhe shpreh revoltën time për mënyrën prevalente me të cilën po komunikon tani për tani Kryeministri i ri, ose njëshi i ri.

    1. lufta e fotove paska filluar … por fotot e bodrumeve te ministrive te lena pas dore per mungese fondesh apo te vjedhura nga ndertuesit e kontraktuar nuk besoj se perbejne nje simbolike a ilustrim te punes shkel e shko, apo te tokes se djegur te administrates Berisha, qe do te bind per vertetesine e ketij mesazhi fotografik

      eshte pikerisht kjo historia qe synojne te rrefejne keto foto: toke e djegur, dhe ne po e fillojme nga e para..

      do te filloj serish Rama te rregulloje pamjen, te dukshmen? te lyej me te kuq ministrite si dikur ministrine e cultures? nuk eshte keq ta beje, por cilat jane prioritetet e kesaj qeverie?.. keto foto ilustrojne te tashmen, por rrefejne edhe mbi synimet, perspektiven dhe fokusin e kesaj qeverie .. tek bodrumet e banjot (qe ne fakt tregojne ne menyre simptomatike ne c’gjendje edukate dhe estetike funksionon sherbimi yne civil, por edhe ne c’varferi eshte qeveria)?

  2. Po bëj edhe unë një koment populist, për këtë luftë mediatike me mjete populiste.
    Ju janë futur, që ju janë futur bodrumeve, pse nuk e bëjnë këtë për gjëra diçka më esenciale? Për shembull për të gjetur atje dosjet e Sigurimit të Shtetit apo ato të shërbimeve të tjera sekrete shqiptare të pas 1990, të cilat në mënyrë të kundërligjshme kanë dhunuar të drejtat e individit dhe të nxjerrin përpara përgjegjësisë ato plehra burracakë shteti, të cilët t’i çojnë edhe në rresht për dore në burg, prej nga ku të dalin pasi të kenë vuajtur edhe ditën e fundit të dënimit?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin