YLBERI ËSHTË MË I BUKUR

Lajmi për baristin shqiptar, që nuk punëson kamerieren afrikane, sepse ka shumë racistë në Torino, është nga ato lajme që nuk të lënë indiferent.

Sipas gazetës La Repubblica (23 korrik 2016), një vajzë 27 vjeçare me origjinë nga Ruanda pyet për punë në një bar të një lagje të Torinos që kërkonte personel. Pronari i aktivitetit është shqiptar. Nuk e merr në punë për arsye se është “e zezë”. Shpreh keqardhjen dhe shpjegon: “Nuk jam unë racisti, merre me mend, edhe unë jam i huaj. Është lagjja që është raciste”.

Vajza ruandeze nuk e beson këtë fakt, sepse jeton në të njëjtën lagje. Për të, kohërat kanë ndryshuar, tani njerëzit as që e vënë re se kush punon në bar. Megjithatë, nuk është e zemëruar, madje gjen qetësinë të saktësojë se racizmi jo gjithnjë shprehet me rrahje e dhunë. Ndonjëherë është më i hollë, si në rastin kur punonte në kuzhinën e një strukture të një qyteti tjetër, ku i thoshin që të mos dilte, përndryshe e shikonin klientët.

Pronari shqiptar, gjithnjë sipas artikullit të gazetës, përpiqet të shpjegohet më tej, duke thënë se njerëzit janë racistë e po të punësonim personel me ngjyrë, punët do të shkonin shumë më keq se ç’po shkojnë aktualisht. Problemi është lagjja. “U pendova që erdha këtu, sepse kur e zbulojnë që jam shqiptar më shikojnë keq edhe mua”. Ngjyra e lëkurës, shkruan gazetarja italiane, luan në favor të tij, sikurse të punonjëseve të tjera të barit, të cilat janë të gjitha të bardha përveç një mulateje braziliane.

Ka të tjerë që e konfirmojnë versionin e pronarit shqiptar. Kjo lagje banohej dikur nga ata që nuk donin t’i jepnin shtëpi me qira imigrantëve nga jugu i Italisë, 60 vjet më parë. “Njerëzit nuk kanë frikë nga ngjyra e lëkurës, por nga gjithçka që mban erë varfëri e degradim. Kanë frikë se mos bëhen periferi”. Bari përballë menaxhohet nga kinezët, të cilët kanë vuajtur fillimisht nga paragjykimet, por pastaj punët kanë shkuar mbarë.

Historia që rrëfen gazeta italiane, nëse nuk është e vërtetë, gjithsesi është e afërmendshme, e nëse nuk ka ndodhur, mund të ndodhë nesër. Prandaj po bëjmë disa përsiatje, që shkojnë përtej këtij rasti, e nuk lidhen me të.

Problemi është se viktimat e racizmit janë të shumta dhe jo gjithnjë të drejtpërdrejta. Nga viktimat e racizmit ose të diskriminimeve të ndryshme pritet mospajtim total me ato sjellje që e kanë dëmtuar edhe atë. Por ka raste që kjo nuk ndodh, ose ndodh e kundërta. Në pusi qëndron gjithnjë konformizmi, trysnia sociale, diktatura e shumicës, që e kushtëzojnë individin dhe e detyrojnë të marrë qëndrime, që në kushte të tjera nuk do t’i bënte.

Ndërkohë, nuk duhet harruar se nuk ekziston vetëm racisti tradicional. Madje, po të përdornim kategorinë e shkrimtares Fiamma Nirenstein, tani kemi edhe racistin demokratik. Pastaj është ai që i fillon fjalitë me “unë nuk jam racist, por…”. Grup social gjithnjë e në rritje.

Vetë imigrantët që vijnë nga larg, mund të jenë vërtet viktima paragjykimesh e diskriminimesh, por nuk janë aspak imunë ndaj paragjykimeve racore, ose të ndonjë lloji tjetër. Pasaporta e viktimës nuk të jep automatikisht autorizimin për të qenë i pastër nga paragjykimet çfarëdo. Migrantët janë si gjithë të tjerët, pra ndonjëherë edhe bartës paragjykimesh e qëndrimesh raciste kundrejt atyre që në vendlindje i kanë parë si të ndryshëm.

Por nuk mund të përjashtohet rasti që migranti i sistemuar “për së mbari” t’i shikojë me përçmim të ardhurit e rinj, ngaqë këta i kujtojnë kohët e këqija dhe i kallin frikën e kthimit prapa, të varfërisë e skamjes.

Megjithatë, pritshmëria është që viktima të mos jetë xhelat, edhe pse historia dhe psikologjia na kanë thënë gjithnjë të kundërtën. Sindroma e Stokholmit ka variante edhe më pak dramatike. Të gjithë presin që midis viktimave të lindë shkëndija e solidaritetit kundër xhelatit, por ky i fundit mund të jetë edhe mendimi mbizotërues e totalitar.

Në rastin e migrantit, edhe pse mund të kenë shkuar në një vend shumë kohë më parë, pritet me të drejtë që në sytë e një migranti tjetër, të ri apo të vjetër, të shikojë vuajtjet e veta, rastet e refuzimit, luftën për t’u pranuar nga të tjerët, lodhjen e madhe për t’u integruar, rrugën e gjatë të stabilizimit.

Prandaj edhe veprimi kulturor i integrimit nuk mund të jetë i njëdrejtimshëm, duhet të veprojë si te shoqëria e re pritëse, përfshirë migrantët e vjetër, ashtu edhe te migrantët e porsaardhur, duke vënë në plan të parë vlerat e solidaritetit e të bashkëjetesës, mbi të gjitha dinjitetin e njeriut, përtej dallimeve racore, ideore, gjinore, fetare.

Ndoshta u larguam shumë nga rasti i mësipërm, por nëse është siç thuhet në shkrimin e gazetës, pronari shqiptar, pasi t’i bënte një ekzaminim ndërgjegjes, eventualisht të shoqëruar me “mea culpa”, do të bënte mirë ta punësonte vajzën nga Ruanda, duke u bazuar tek aftësitë e saj profesionale. Në këtë mënyrë, përveçse do t’ia shtonte ngjyrat lokalit, do të jepte edhe ndihmesën konkrete për ta ndryshuar për mirë lagjen “e tij”. Fundja ylberi është shprehja më e bukur e dritës.

2 Komente

  1. E ke kapur shume bukur. Interesant qe ne te huajt ndihemi te perligjur per te shprehur me ze te larte apo percjellur paragjykimet ne menyre “neutrale” tek te ngjashmit tone. Duket sikur e bejme kete pune me takt dhe bute. Por ne fakt vetem sa perserisim e forcojme strukturat e kesaj dhune, nderkohe qe sherbejme per te kunguar dike ne kulturen e racizmit te shoqerise. Me ka ndodhur dic e ngjashme e tani mendoj se sa gabim kam qene.

    1. Unë bëra një lidhje të menjëhershme me çka më kishte treguar ai shoferi shqiptar, që kishte emigruar për ca kohë në Kurdistan (e kam shkruar tek Trajektore alternative). Ai thoshte se banorët e qytetit ku jetonte kishin mendim të mirë për shqiptarët, pra nuk kishin paragjykime. Mirëpo ndryshonte puna për ata që jetonin në vendet perëndimore. Emigrantët, kur ktheheshin në vendlindje, së bashku me paratë e plaçkat, sillnin nga vendet e mërgimit edhe paragjykimet. Ata kishin mendim të keq për shqiptarët, më rrëfeu shqiptari. E këtu kemi ndërlikime të reja, sepse të ardhurit nga jashtë, përveçse përçues të shkëlqyer paragjykimesh, mund të kenë një farë peshe në opinionin familjar, si “të dalë” e “të bredhur” që janë. Mendoj se është një fije e kuqe që duhet ndjekur me vëmendje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin