KUR QAU NIÇJA

Historia në librin “Kur qau Niçja” është afërmendsh tërheqëse duke qenë se personazhet dhe situatat jetësore të tyre janë reale e të ndërtuara mirë, megjithatë, mënyra e të përqëndruarit të autorit në diagnostikimin e sëmundjeve, trajtimin e tyre dhe procesin e analizës, gati e nxjerr librin jashtë kuadrit të romanit duke e shndërruar atë në një leksion të mirëfilltë psikoterapie.

Yalom është shkrimtar kur na përshkruan peizazhin historik e kulturor të kohës gjatë së cilës zhvillohen ngjarjet (1882) dhe gjithashtu kur i rendit ato kronologjikisht. Gjatë gjithë pjesës tjetër të librit ai është mjek dhe personazhet janë pacientët hipotetikë të tij, të cilët ai i ul në poltronën klinike dhe i nxit të dialogojnë, i provokon, i trazon, i llahtaris, i qetëson dhe i shëron, duke i tërhequr fijet me mjeshtëri si në një lojë me marioneta.

Ndërkohë që romani nis të përqëndrohet në seancat mes Breuer-it dhe Nietzsche-s, ai shndërrohet në një pasqyrë për lexuesin, ku pyetjet mes filozofit dhe mjekut, nuk kufizohen më tek ata të dy por vijnë me vrull dhe pa mëshirë drejt teje duke të të bërë të reflektosh mbi veten. Për trajtimin e çështjeve të ofrohen dy perspektiva, ajo filozofike dhe ajo psikanalitike. E para, e përfaqësuar nga Nietzsche, karakterizohet nga të arsyetuarit brenda një diskursi abstrakt, të ngriturit e pyetjeve dhe të kërkuarit e zgjidhjeve vetëm në sferën racionale, duke e përjashtuar emocionalen. E dyta, e personifikuar me Breuer-in, i mëshon me zgjuarsi emocioneve, këmbëngul t’i konkretizojë ato duke i ndjekur me durim hap pas hapi, duke u ndalur në secilën prej tyre, duke u orvatur t’i kuptojë për t’u orientuar më pas drejt origjinës së problemit, për të gjetur çelësin tek e vërteta. Ky bashkëpunim midis filozofisë dhe psikanalizës rezulton të jetë i shëndetshëm; përplasjet nuk janë destruktive, përkundrazi, sa më shumë që këto dy botë kacafyten  bashkë në fushë-betejë, ato nuk e luftojnë njëra-tjetrën por e nxisin sho-shoqen. Madje, vështirë të thuhet se ato ecin të ndara.

Yalom na njeh me botën e mistershme të mendjes sonë, më saktë, me të pandërgjegjshmen. “Bëhu ai që je!”, është postulati i librit. Çfarë do të thotë të bëhesh ai që je? A janë realisht mendimet, veprimet, ndjenjat dhe marrëdhëniet tona të nxitura nga ndërgjegjja jonë apo prej impulseve të nënvetëdijshme të cilat jo vetëm që s’i kontrollojmë por as nuk i shquajmë dot? Sa nga këto veprime apo mendime janë të vetëdijshme? Në çfarë konsistojnë të vërtetat tona? A janë ato realisht të vërteta apo vetëm iluzione fort të besueshme? Deri ku mund ta njohim ne veten? Në çfarë konsiston vetja jonë? A është dëshpërimi çmimi që njeriu paguan për vetëdijen e tij? Deri ku na ndihmon psikanaliza për ta njohur veten? Po filozofia?

Përpos pyetjeve të pafundme dhe njëfarë ankthi që libri nxit, ai gjithashtu na shpalos njerëzoren e një marrëdhënieje, qoftë kjo në raportin mjek-pacient, atë midis dy miqve apo atë ndërmjet një çifti. Një marrëdhënie e fortë dhe e sinqertë, ndërtohet. Marrëdhëniet tona nuk janë rastësi, ato janë zgjedhje dhe zgjedhjet meritojnë të respektohen. Ato s’janë të mirëqena e për pasojë s’duhen trajtuar asisoj – një marrëdhënie është një përpjekje e vazhdueshme për njohjen e tjetrit dhe të vetes. Njëkohësisht, rolet në një raport s’janë përherë statike, ato ndryshojnë në varësi të rrethanave dhe situatave.

Nëpër rreshta hasa njëfarë kritike të Yalom-it ndaj Nietzsche-s, si filozof në idetë e tij për pushtetin dhe si burrë, në mizogjininë e tij. Marrë shkas nga kjo, ia vlen të thuhet se trajtimi që autori i bën figurës së gruas është i drejtë dhe i ndershëm. Ai e godet shoqërinë e kohës për shtypjen, diskriminimin dhe përjashtimin e grave. Megjithatë e dënon po aq viktimizimin, nënshtrimin dhe pranimin e një fati të tillë.

Romani është kaq i larmishëm dhe prek kaq shumë tema, sa kërkohet të ndalohet gjatë te secila. Mbi të gjitha, arsyeja kryesore pse e këshilloj këtë libër është se ai shërben si një rrugëtim drejt vetes. Personalisht, mu bë se isha nën një seancë të gjatë terapie me ndryshimin që shkarkimi vinte lehtë jo prej fjalëve të dala nga goja ime, por prej atyre të thëna nga dikush tjetër.

Së fundmi, libri shërben po ashtu si introduktë mbi disa prej figurave më të rëndësishme dhe të njohura të kohës, (përpos Joseph Breuer-it e Friedrich Nietzsche-s), si Sigmund Freud dhe idetë e tij mbi ëndrrat, Berta Papenheim të njohur si rasti i famshëm i Ana O-së për trajtimin e histerisë me metodën më avantgarde të kohës çka më vonë do të shërbente për të hedhur bazat e psikoanalizës; Lou Salome, identifikimi feminist i gruas për kohën; Richard Wagner, kompozitorin e famshëm dhe mendimet e tij mbi antisemitizmin e të tjera personazhe, dytësorë në libër. Po ashtu, është interesante të mendosh se ç’do mund të kishte sjellë, si për psikanalizën edhe për filozofinë, një takim i Breuer-it me Nietzsche-n nëse ky i fundit do të pranonte të trajtohej prej tij? Ndoshta punë të mëdha më shpejt. Ndoshta asgjë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin