ULIKS ME DASHJE

Që udhëtimi, mundësisht i largët dhe në një vend të huaj, vjen si një nga shpërblimet më të vyera të jetës, kjo është kristalizuar tashmë klishe e bashkëkohësisë.

Nëse ne, njerëzit, dikur udhëtonim për të gjetur bukë ose strehë ose partnerë, ose ndonjëherë edhe për të bërë plaçkë, për vete ose sundimtarin përkatës, më pas do ta ndërmerrnim këtë për të fituar dije, për të kapur horizonte, për të fituar frymëzim e ndriçim të brendshëm.

Sot shumë prej nesh udhëtojnë për t’i shpëtuar rutinës; destinacionet fitojnë famë si pikëmbërritje turistësh dhe ashtu edhe zhvillohen, që të përputhen me pritjet dhe përfytyrimet e udhëtarëve.

Për çdo ekspeditë, ka nga një pelegrinazh; për çdo anabas, ka nga një arratisje.

Por të gjithë udhëtojmë, për hall e më shumë për qejf – kush me avion e kush me tren, kush me biçikletë e kush me kalë; kush me jaht e kush me elefant; derisa vjen ora t’i hipim varkës, për të kapërcyer Stiksin dhe Akheronin.

I kthyer rishtaz nga një sorollatje në Europë, m’u kujtua, ironikisht, që filozofi amerikan Ralph Waldo Emerson e pat quajtur udhëtimin “parajsën e të marrit (fool’s paradise).”

Tek e fundit, njeriu më kollaj ikën nga vetja duke tymosur bar, ose kërpudha, sesa duke djegur benzinën e avionit.

E megjithatë, moderniteti e kultivon ikjen nga përditshmëria, sa kohë që konsiderohet tabu t’i pranosh vetes se je duke jetuar si qen i Tjetrit.

Shpirti nuk është udhëtar, shkroi i njëjti Emerson; “i mençmi rri në shtëpinë e vet.”

Te çdo udhëtim, ka edhe pak nga çfarë e kanë quajtur “konsum i spikatur”; çka i shtyn, bie fjala, amerikanët, të harxhojnë mijëra dollarë për të shkuar në mjedise të kontrolluara në Karaibet, duke gënjyer veten se po vizitojnë vende ekzotike; edhe pse të njëjtat kushte mund t’i kishin gjetur në Las Vegas.

Ironikisht, Emersoni vetë shëtiti sa mundi, duke shkuar në Europë disa herë, pa llogaritur një vizitë të tijën në Egjipt.

Kush nuk udhëtoi pothuajse kurrë ishte, përkundrazi, Pablo Picasso; që vetëm sa u zhvendos nga Spanja në Francë, më parë në Paris, dhe pastaj në Francën e Jugut. Te një intervistë që Susan Sontag ia pat dhënë Jonathan Cott, të “Rolling Stones” e të rimarrë pjesërisht tani vonë në Harpers’, lexova se kur e pyetën spanjollin e madh se pse nuk kish udhëtuar kurrë, ishte përgjigjur se “udhëtonte në mendje.”

Udhëtimin modern, rimodelimin që ia bën ky mendjes së udhëtarit dhe diskursin turistik, përfshi këtu edhe fotot e tanishme në FB dhe në Instagram, e kanë lidhur me ligjërimin kolonial – duke e parë si një formë të pushtetit të vizitorit, ndaj vendit të vizituar.

Natyrisht, marrëdhënia e disave prej nesh me kolonialistin dhe mendësinë koloniale është e ngjashme, përpjesëtimisht, me marrëdhënien mes gjahtarit të elefantëve dhe koleksionistit të fluturave.

Ose mes konkuistadorit dhe filatelistit.

Një tjetër artist i madh që pothuajse nuk udhëtoi kurrë, ishte katalani Gaudí, arkitekti i njohur i Sagrada Familia në Barcelonë dhe i plot veprave të tjera mbresëlënëse në atë qytet.

Ka edhe këtu një ironi: Gaudí-ja mund të mos ketë udhëtuar shumë, por ne të tjerët, që shkojmë të vizitojmë Barcelonën si në haxhillëk urbanistik post-modern, e bëjmë këtë kryesisht të magjepsur nga veprat e tij.

Sa për Picasso-n, këtij i kanë udhëtuar veprat anembanë botës; me miliona milje.

Jetojmë në kohë të tilla që, po të jesh aq i njohur, sa të ta marrin vesh huqin e çuditshëm se nuk të pëlqen të udhëtosh, atëherë vetvetiu do të udhëtosh, si avatar drejt përfytyrimit, në mos mëshirës së publikut.

Diskursi i dikurshëm kolonial tanimë ka përfunduar në diskurs për kolonizimin e njërit prej tjetrit, siç na mësojnë edhe rrjetet sociale.

Unë vetë s’mund ta përfytyroj dot një alternativë timen, përtej thyerjeve, modelimeve dhe temperimit që më kanë bërë udhëtimet – të shkurtra dhe të gjata, për ngulim dhe turizëm.

E megjithatë, diku thellë brenda meje, do të ketë mbetur ndonjë kopje e zbehtë imja, që vajton për çfarë do të kisha qenë, po të mos kisha lëvizur kurrë nga Tirana.

Kushedi do të kisha gjetur forcë që ta ktheja, si disa prej shenjtorëve, virgjërinë në promiskuitet të hatashëm.

Përndryshe, për ta mbyllur sërish me Emersonin, udhëtimi mund të jetë parajsa e të marrit, por refuzimi i udhëtimit nuk është veçse ferri i të urtit.

© 2013 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by Henrique Ferreira on Unsplash

Nuk ka komente

  1. Interesante. Me sjell ndermend se ne pergjithesi shumica e fe-kulturave historikisht e kane inkurajuar udhetimin. Qendron disi vecmas Taoizmi i cili e diskurajonte daljen nga fshati i lindjes, duke besuar se njeriu i mencur nuk do te gjente asgje qe ne thelb do te ishte ndryshe edhe sikur boten te merrte mbare. Pra bota brenda fshatit ose tjetri brenda vetes.

    Ne anen tjeter te spektrit qendron Islami me kthimin e udhetimit (pelegrinazhit) ne shtylle kryesore besimi, apo edhe me kerkimin e dijes deri ne Kine e me pas me mitin e Sinbad Detarit dhe Ahmad bin Fadlan-it. Po ashtu, interesant eshte edhe Budizmi, sidomos sekte si Fuke-Shu ose Murgjit me Fyell qe endjen e muziken e kishin ne themel te besimit e si metafore interpretuese te vete jetes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin