SCALFARI SOT

Sot mbahen zgjedhjet politike në Itali, dhe me këtë rast Eugenio Scalfari, një nga “dekanët” e gazetarisë italiane, ka dalë me një kryeartikull në La Repubblica, ku analizon disa çështje kyçe të votës italiane, në një moment sërish kyç për jetën e vendit dhe vetë Europën.

Më tërhoqi veçanërisht vëmendje pasazhi i mëposhtëm, ku Scalfari pyet se kush e ka fajin, që personazhe të tilla groteske, si Berlusconi ose Beppe Grillo, rrezikojnë të vijnë në pushtet dhe ta shkatërrojnë shtetin, dhe përgjigjet vetë se fajin e kanë italianët që i votojnë; dhe pastaj, pyetjes tjetër se pse ua besojnë italianët votën personazheve të tilla, i përgjigjet kështu:

Deri 150 vjet më parë, italianët s’kanë pasur kurrë shtet. Para se ta shpallnin e për shumë shekuj, u sunduan prej gotëve, longobardëve, frankëve, perandorëve gjermanë, papëve dhe pastaj edhe normanëve, svevëve, Spanjës, Francës dhe Austrisë. Më në fund, kur punët dukej sikur ishin vënë në vijë, Piemonti dërgoi ushtrinë dhe e pushtoi Jugun, që e kish çliruar Garibaldi; ose të paktën kështu e përjetoi Jugu vetë gjatë luftës së tmerrshme të kaçakëve […].

Përfundimi: italianët nuk e kanë dashur kurrë shtetin, e konsiderojnë si trup të huaj, në mos fare si armik. Prandaj nuk duan rregulla. Janë dinakë ose leshko [gonzi], aq sa edhe gjithkush tjetër, por më dinakë dhe më leshko se të tjerët. Leshkot mbeten gojëhapur me gomarin që fluturon, edhe pse nuk e kanë parë kurrë me sytë e tyre. Për dinakët, vlen para së gjithash vota me këmbim [voto di scambio], të cilën e zbatojnë në shkallë jashtëzakonisht të gjerë, dhe jo aq për pará, sesa për favore. Mafia dhe kamorra kanë jetuar dhe jetojnë duke u mbështetur në këtë votë me këmbim, por edhe klientelat, vëllazëritë, korporatat lulëzojnë e rriten mbi të. Prandaj duhet një ndryshim. Vetëm zemërimi çon pashmangshëm në diktaturë; pas sankylotëve vjen gjithnjë një Robespierre, dhe pas këtij një Napoleon.

Të them se e ka shkruar për Shqipërinë, fyej inteligjencën e lexuesit.

Nuk ka komente

  1.  Leshkot mbeten gojëhapur me gomarin që fluturon, edhe pse nuk e kanë parë kurrë me sytë e tyre.

    Këto ditë po shkoja nëpër mendje atë dokumentarin “1821”, që kishin kryer autorët revizionues grekë të historisë. Dhe po mendoja se nëse nuk do transmetohej, AiA (përfaqësuesit më të denjë të leshkove), do kishin marrë rreth 20% në zgjedhje.

  2. Aspak ,biles biles gjate ketyre ditve qarkullonte ne Itali edhe filmi i Bill Elliot.GIRLFRIEND IN COMA.po e ndiqja ne nje salle ne unive, dhe mu duk sikur ishte bere enkas per Shqiperine.

  3. Me gjithe ngjashmerite, prape ka dallime mes shqiptareve dhe italianeve.
    Vertet te dyja keto shoqeri nuk e kane sensin e shtetit, por kur vjen puna te vota, ndahen. Shqiptaret votojne me partizanllek: une votoj per PD-ne ose PS-ne, sepse, dua s’dua, i perkas atij krahu politik, rrjedh nga nje familje e caktuar, gjithe fisi im ka votuar dhe do te votoje gjithmone keshtu, pavaresisht nga programet, premtimet elektorale, gjendja ekonomike e familjes etj.

    Ndersa italianet, sikunder e deshmuan edhe keto zgjedhje te djeshme, jane edhe me leshko se shqiptaret, sepse bejne pazar vote (voto di scambio), pra ia shesin voten atij qe ia blen me shtenjte, aty per aty, para qendres se votimit, pavaresisht nga programet, premtimet elektorale, perkatesia ideologjike, ekonomiko-shoqerore etj., ashtu, ku rafsha mos u vrafsha, pa e vrare mendjen se ne ate menyre ndoshta do t’i rikthejne dyfish parate e votes.

    Mjaftoi qe Berlusconi t’u premtonte ditet e fundit te fushates se do t’u kthente parate e takses se shtepise qe i kishin paguar qeverise se Montit qe ta votonin ne mase perseri.

    Sa per krahasim, po sjell nje shembull qe vlen me teper se çdo teorizim:
    Vite me pare kam qelluar ne Suedi ne kohe zgjedhjesh dhe me ka mbetur ne mendje se fitoi partia qe kishte premtuar se po te fitonte… do t’u rriste te gjitheve taksat. – Suedezet votuan me koke dhe jo me bark.

  4. eshte teper e njeanshme, … a mund te mendohet se eshte emancipuar klasa politike nga ai mendim i kacakut? apo i popullit nga ajo mendesi kunder shtetit? … eshte si puna e vezes me pulen … si mund te respektohet shteti kur klasa politike keqperdor pushtetin? nga do te vine emancipuesit pervec se nga populli…. e nese populli nuk ka nje pervoje te mire me shtetin, ku emancipimi?

    … italia eshte gjithsesi disa hapa perpara nesh .. e nxorri nje Monti dhe pse dy karagjoza, Berlusconi dhe Grillo, me kete raport jane perparimtar (1/2, 2/3 … etj) … ne jemi ende ne stadin perrallor te mbretit dhe karagjozit (1/1) … akoma nuk kemi teknicien si Monti dhe as emancipues si e majta italiane e Bersanit

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin