“MILOSAO” – SI NA DUKET?

Ben Andoni më dërgon këtë lidhje të suplementit MilosaoGazetës Shqiptare, nga ku mund të shkarkohet numri i fundit në PDF.

Ma dërgon posaçërisht për lexuesit dhe autorët e blogut tonë, të cilëve nuk u ka munguar interesi për çështje dhe tema kulturore, si ato që trajton kjo revistë.

Milosao BenJetojmë të rrethuar nga media që ose janë në shërbim të politikës, ose duan ta vënë politikën në shërbim të tyre; por që, pavarësisht se kush shërben e kush shërbehet, gjithnjë ia ngushtojnë horizontin publikut.

E megjithatë, jeta kulturore mes shqiptarëve nuk kufizohet veç me televizionin, debatet në studio, kacafytjet e VIP-ave, kronikën e zezë, çengijet dhe telenovelat.

Ka përpjekje, qoftë edhe vetëm sporadike; orvatje për ta mbajtur flakën të ndezur – këtu me një ekspozitë, aty me një film të shkurtër, diku tjetër me një koncert jazz-i a muzikë dhome, ose edhe me një mbrëmje të poezisë.

Suplementet kulturore të gazetave, si Milosaoja që kemi këtu, dua t’i shoh si pjesë të këtyre mundimeve – sa kohë që rreken ta nxjerrin e ta mbajnë veç kulturën nga palimpsesti, tashmë i bërë shoshë, i të përditshmeve të Tiranës – ku politika bëhet spektakël, spektakli ritual i kishave ideologjike dhe dija akademike pjesë e fushatave elektorale.

Ben Andoni do të dëshironte të njihej me mendimin e lexuesve të PTF për revistën; e kotë të shtoj që edhe unë do t’ju ftoja të komentonit, edhe pse përvoja më ka treguar sa e pashpresë është të parashikosh si do të shkojë vala e komenteve këtu. Por këtë herë, them, le ta mendojmë edhe si një kontribut tonin për gazetarinë kulturore në Tiranë.

Nuk ka komente

  1. Teknikisht, dobët, shumë dobët: Ë-jat mungojnë, faqosja është shumë e papërshtatshme për lexim në ekran, ngjyra e fonteve në faqen e parë përzihet keq me prapavinë, “vijon në faqen…” krijon një labirint të panevojshëm (plus kësaj, do vijime janë gabimisht apo të cunguara, psh në vend të “vijon në” duhet “vijon nga”, si dhe faqja 28 mungon), letrinat (t’i quaj ashtu ato germat e kuqe të mëdha që shënojnë rubrikën) zënë tepër vend (psh, R-ja te rrymat ma tërheq vëmendjen më tepër se vet piktura e Kandinskit, i cili nuk nderohet aspak duke ja prezentuar një punim të vetëm vetëm sa për të mbushur këndin, por, ky është tjetër problem), fontet e titujve janë disproporcionalisht më të mëdha se teksti (kjo bën punë për lajme, ku njeriu mjaftohet duke e lexuar titullin, por jo në një shtojcë kulture), headings është shumë i ngarkuar dhe e tërheq vëmendjen me fonte laramane e të mëdha, etj etj…

    Gjykuar sipas gunës, duket si punë maturantësh. Për t’a vlerësuar punën, më duhet t’ja bëj export to txt gjithë revistën, e pastaj e lexoj me nge.

  2. Ka vërtet disa probleme teknike, por kushedi janë të PDF-it vetëm – kështu, tekstet me alfabetin grek dalin të gjitha me pikëpyetje; ndërsa ato me alfabetin e turqishtes të shformuara.

    Nga ana e konceptit, duket sikur ka një përqendrim në personazhet e kulturës: Sami Frashëri, Ukshin Hoti, Schmitti. Megjithatë, dy nga shkrimet janë analiza librash – ai për librat e Sefer Pashës kushtuar Ukshin Hotit dhe ai tjetri, i Salih Mehmetit, për monografinë e historianit zviceran për Kosovën.

    Ukshin Hoti është figurë relativisht enigmatike për lexuesin nga Shqipëria, unë do të kisha dashur të lexoja shumë më tepër për të dhe drejtpërdrejt, në vend të një analize të një libri për Ukshinin. Kushedi edhe një pjesë të shkëputur nga vepra e tij filozofike.

    Tregimi i Moikom Zeqos lexohet me ëndje, por mbetet kaotik, në konceptim dhe në realizim. Nuk e kuptova ndërthurjen e fabulës (kontrapunktin) me peripecitë e Jan Husit, sikurse nuk e kuptova pranëvënien e imazhit ilustrues të Jupiterit me tekstin ku flitet për një ikonë të Davidit.

    Kur lexon Moikomin, të duket sikur të japin për të ngrënë qingj të pjekur, salmon të tymosur, foie gras, aragostë, oktapodh dhe qofte me tru kau. Të gjitha të mrekullueshme veç e veç, por të mbledhura bashkë i bëjnë hije njëra-tjetrës.

    Ose të varësh Da Vincin, Michelangelon dhe Botticellin në të njëjtën sallë të vogël galerie.

    Shkrimi i Josif Papagjonit për dramën greke në skenat teatrale shqiptare është korrekt, por disi i mekur, pa ftesa për ta filluar ndonjë debat. Ka diçka shkollareske aty, që nuk i përshtatet revistës.

    Rubrika për artin abstrakt më duket e pamjaftueshme.

    Përkundrazi, më pëlqen shumë ideja e rubrikës Mea Culpa.

    Më në fund, artikulli i Niazi Sulçegllut për Sami Frashërin ka material me interes të jashtëzakonshëm. Çuditërisht, është i shkruar me një shqipe të keqe, që më duket e ndikuar nga sintaksa e turqishtes, deri në përçudnim. Vëreni foljet që rregullisht shtegtojnë në fund të fjalive:

    Samiu, në kohët e fundit të jetës së vet, për të holla shumë shtrëngesa të mëdha ka hekë.

  3. Ky numër e ka zgjedhur lëndën në vazhdën e traditës së njohur që synon që një botim të tërheqë sa më shumë lexues në faqet e tij. Dhe që të kryejë këtë mision një fletore e përjavshme kulturore artistike synon të paraqitet si një antologji e përgjithshme ku të vërehen interesat dhe prirjet e kohës kur del. Pra në të gjen pak histori, pak kulturë e art, krijimtari artistike. Mjaft mirë, por ndonjëherë duhet synuar edhe për zgjidhje disi “më revolucionare”…
    Problemi është se ka një lloj distorcioni në kohë, por është i kuptueshëm. Të flasësh sot për jetën private të Samiut apo të paraqesësh Kandinskin në mënyrë shkollore, pra si shpjegim elementar, kjo vetëm se flet se sa e vështirë është të rregullosh hapin e të mbushësh gropën e të pathënave për një kohë aq të gjatë.
    Te shkrimi i Samiut, meqë nuk gjeja gjë tjetër, më tërhoqi ajo që në dukje është dobësia e tij më e madhe. Gjuha. Nuk është fare shqip. Por kishte shije të çuditshme. Vendosja e foljes dhe e veprimit të frazës në fund, qe gjësendi mjaft e lezetshme. Eshtë kollaj të shtrembërosh buzët e të kritikosh, por mua kjo më pëlqeu. Qe vula e tij e veçantë.

    Moikomi është një shkrimtar mjaft i mirë dhe shumë i njohur, tregimi është në stilin dhe natyrën e tij, Moikomin e boton kushdo, por nga një botim i tillë i përjavshëm, unë pres të më zbulojnë edhe prirjet e sotme të prozës shqiptare. Natyrisht kjo është me risk, por ky risk i sotëm është lavdia e nesërme e Milosaos.
    Moikomi është ai që është, o e pranon, o nuk e pranon. Personalisht i pëlqej më fort poezinë se sa prozën. Madje kam frikë që hallakatjen e « programuar » të poezisë ai e sjell në mënyrë jo fort të « programuar » në prozë, gjë që e ka shtyrë ndonjë koleg të mëparshëm komentues, ta shohë tregimin disi të copëzuar në vijimësi.
    Natyrisht mund të ketë vend edhe për ndonjë redaktim . Diku thuhet : …Mes kofshëve organi
    gjenital, simboli fallik i AND-ve të krejt njerëzve dhe popujve. Ripërtëritës. Seksualiteti madhështor i moszhdukjes. I pllenimit universal. …
    Dikur, një profesori im i marksizmit thoshte se të bësh dashuri me një grua jashtë synimit të riprodhimit është shenjë imoraliteti… Kjo na tmerronte në atë kohë, sepse thonim po ” jashtë kohës së kalamajve” si i bëhet hallit? Me një fjalë jashtë “pllenimit universal…”, pa folur për AND që duhet të jetë ADN, më duket, apo për faktin se organi gjenital nuk mund të jetë simbol i organit gjenital (fallus-it) të AND-së… Por këtu (korigjoj) nuk është problem redaktimi. Siç thashë Moikomin o e pranon o nuk e pranon! Kur e pranon duhet të marrësh me gjithë iluzionet dhe universin e tij të fantazmuar, me stilin e tij shrapnel. Kush më pranon mua, pranon edhe qenin tim, thoshte gjyshi im.

    Së fundi revista duhej të bashkëpunonte me autorin për të siguruar një ilustrim adekuat. Konkretisht, autori përshkruan një ikonë të « stilit » bizantin që gjendet në Ufizzi ndërkohë që ilustrimi më duket se është gjë krejtësisht tjetër. Në të vërtetë në qendër duhej të ishte ikona në fjalë.
    Meqë erdhi fjala te ilustrimi, edhe fotografia e faqes së parë mund të qe më pak hermetike se sa një dritare me hekura, që nuk të tërheq shumë, nuk të fton të hapësh faqen….

    Nevoja për redaktim del edhe kur bëhet paraqitje e kritikës së Shmitt-it. Ajo fillon kështu : Oliver Jens Schmitt është sërish në syrin e ciklopit. Në kohën tonë flitej për syrin e ciklonit…

    Ndërkohë shkrimi vetë nuk më la ndonjë shije të përkryer. Shmitt është bërë si tabelë qitjeje për të përgatitur pushkatarët e ardhshëm të USHA (Ushtria e shkencës së atdhetarisë).

    Cikli i përkthimeve më pëlqeu. Me këtë rast Milosao i paraqet lexuesit një përkthyes pak të ndrojtur, por me të ardhme..

    Për tërësinë e numrit kam mendim pozitiv, per sa mund te jete i vlefshëm..

    1. si ore nuk lexon nje recension te hajrit ne mediat tona.. ky tipi qe kish shkruar dicka mbi librin e Shmitt fillon nje trajtim terkuze te post-modernizimit dhe kritikat ndaj kesaj qasje qe nuk jane relevante me qendrimin e pergjithshem te autorit ndaj “gabimeve trashanike” te Shmitt (a shprehet Shmitt gjekundi se perdor kete qasje?)
      … pastaj ndarja ne kapituj teresisht rremuje (nuk i grumbullonte te gjithe kapitujt mbi gabimet ne nje te vetem?)
      … mos flasesh per te gjitha atributet negative ndaj shtepise botuese (agjende te caktuar), personit (cilesia e botimeve ne perpjestim te zhdrejte me namin), qasjes (arrogant), apo tezave te tij (skandaloz, gabime trashanike, pershtypje te genjeshtert etj.) … sa na pelqen te shajme..

  4. Me pelqen concepti i gazetes dhe duhet pergezuar ideja — cilesia eshte dicka qe do te vije me kohe, me praktike, me debate dhe ‘feedback’.

  5. Unë do t’i sugjeroja “Milosao”-s më shumë guxim në trajtimin e temave kulturore. Disa vjet më parë, suplementi në fjalë më ofroi mundësinë të botoja diçka eksperimentale. Lyp ndjesë për vetëcitimin, por titulli i shkrimit ishte ky: “KRYPA, ose loja me thesarin. Përvijime të karikaturës moderne shqiptare“, që mund ta shkarkoni këtu.
    Siç më thanë, shkrimi pati jehonë pozitive, çka i detyrohet tërësisht objektit të artikullit, pra veprës së Krypës, anipse tema shfaqej disi e pazakontë në panoramën kulturore shqiptare të asaj kohe.

    1. Urime! Edhe nga pikepamja gjuhesore eshte me lart se gjithcka ke sjelle ne Peizazhet.

  6. Përgëzime për suplementin, së pari fare fare, dhe suksese. Është e para gjë që duhet të thotë dikush, për t’ia përkrahur veç ekzistencën. Pastaj kritika, sugjerime për përmirësim etj.

    Duket se koncepti i përgjigjet një formati “klasik” tashmë të suplementeve kulturore, disi aristokratik në sugjestionim. Mua do më pëlqente të ishte disi më modernist, po se si tamam, nuk di të them. Nuk e di nëse rubrikat e ndarjeve janë standard të tilla, apo të ndryshueshme? Mbase gjithashtu do ishte mirë, që suplementi të shprehte një lloj fryme, apo vizioni, të konturohej disi.

  7. Unë do të shtoja një rubrikë të përjavshme – faqe ditari – ku do të ftoja shkrimtarë shqiptarë të shkruanin çfarë të donin, ese letrare ose përshtypje ose diçka tjetër, për një numër të caktuar fjalësh (p.sh. 800).

    Ose edhe kjo tjetra: një rubrikë horoskopi të sajuar, ku do të ftoja eseistë, shkrimtarë, poetë të hartonin horoskope për javën, jo doemos satirike, por gjithnjë të mençura.

    Më tej, do të botoja një gjysmë faqe krijimtari nga poetë pak të njohur, tanët, të viteve 1920-1930. Gjen plot të tillë, në gazetat dhe revistat e kohës.

    Po ashtu – më shumë foto të vjetra. Njerëzve u pëlqejnë shumë.

    Një rubrikë e nevojshme: libra të rinj. Në fillim le t’i përgatitin vetë shtëpitë botuese – meqë jo rrallë njerëzve u mungon informacioni, s’e dinë se ç’libra kanë dalë.

    1. Tani që i bie në të se si mund të përmirësohej, është pikërisht kjo, ideja e përfshirjes së sa më shumë autorëve. Më mirë të kishte më shumë shkrime, dhe më shumë autorë suplementi, sesa një përzgjedhje apo konstrukt të mbyllur. Larmishmëria i siguron koherencën.

  8. dobesia e kesaj perpjekjeje qendron ne faktin se do te thote dicka te re duke perdorur “materiale” te vjetra. retorika e M.Zeqos psh eshte dicka qe i ka dale boja me kohe. nese nje nderrmarrje intelektuale/kulturore/artistike qe perpiqet te sjelle nje fryme te re, nuk permbledh brenda saj mendesi te reja perceptimi, te fresketa pse jo edhe alternative, veshtire qe te kemi risi, apo te shenojme nje progres per te cilin ia vlen te flitet…

  9. Meqenese eshte suplement edhe pretendimet jane te kufizuara.
    Faqosja t’a lodh syrin. Mbase do lozur dhe me llojet e shkrimeve.
    Rubrikat te jene te paracaktuara e definitive per thithjen e lexuesit.
    Materialet si tregime,studime, esse, kritika te mos jene shume te gjata per te krijuar dhe hapesira per larmi, sic propozonte dhe Xha Xhai.
    Ka nevoje per korrektor.
    Mbaresi !

  10. Iniciativa duhet përshëndetur dhe “Milosaos” i duhet uruar sukses. Kur jam në Shqipëri dhe zgjas dorën diku të marr një gazetë për ta lexuar, pendohem pas disa çasteve menjëherë. Në këto rrethana, çdo përpjekje për të hedhur në qarkullim një revistë kulturore, është për t’u përshëndetur. Këtu ku jetoj unë revista të tilla janë shumë në modë. Disa prej tyre si për shembull e “Süddeutsche Zeitung” apo “Neue Zürcher Zeitung” nxjerrin fletë shumë të mira, që janë mëvetësuar pothuajse fare. Siç e tha edhe një koleg, Milosa duhet të gjejë rrugën e vetë.

    Ja edhe disa vërejtje:

    Shkrimet e Ben Andonit janë diçka e veçantë, janë joshëse, zbavitëse dhe “esëll”. Gazeta nuk është në të njëjtin nivel. Një shtojcë javore nuk mund të botojë shkrime kritike nacionaliste aq të pozicionuara djathtas, pa u diskualifikuar si “edhe një gazetë tjetër e zakonshme”. Obsesioni me Schmitt-in pak a shumë e ka kaluar kufirin e normales e është shndërruar në një sindromë. Është vërtetë e lodhshme të lexosh edhe një herë qesënditë e dikujt kundër atij studiuesi dhe edhe kësaj here lexova një shkrim diletant të një njeriu të vogël pa vizion e fuqi për të abstraguar. Akuza nga llogoret…, po për hatër të Zotit…!

    Pikërisht. Revista mund të suportojë pak më shumë ironi (vetëironi edhe më mirë akoma), mund të bëhet diçka më artistike për sa i përket paraqitjes grafike dhe ka nevojë për një format. Madje po e shkruaj me të madhe: FORMAT. Logoja e kopertinës është shumë e dobët, topografia e faqes është produkt i një pune diletante të dikujt, që ka kursyer paratë për disenjatorin grafik. Ashtu siç është e shtypur, ajo revistë nuk të krijon asnjë përshtypje të veçantë. Po të mos i shohësh kopertinën, nuk e kupton se me kë ke të bësh. Po të shikosh edhe një çerek faqeje të grisur të “Der Spiegel”, ose “Bild”, e njeh menjëherë.

    Unë nuk jam disenjator, por kam lexuar diku, që një faqe nuk përballon dot më shumë se tre lloje shkrimesh.

    Shumë histori burrash, shkruar prej burrash. Jo për gjë, por fletushkat, shtojcat e të tjera të ngjashme i drejtohen kryesisht një lexuesi më të shpenguar, të ngeshëm, jo domosdoshmërisht kaq burrëror. Shumë Ilirë, dardanë, heronj, arberorë, shqiptarë e jo edhe aq sa duhet njerëz të zakonshëm.

  11. Urime Milosaos se ri.
    Jam i nje mendje me Pifton: shume histori burrash, shkruar perj burrash. Shume Ilire, dardane dhe heronj qe kane vuajtur apo vuajne ne heshtje apo ne diten per diell.

    Nje koleg tjeter permendi qe revista te shohe me shume nga e ardhmja se sa nga e kaluara, dhe per mua kjo do te kishte qene nje nga objektivet kryesore, nese do me duhej te sipermerrja nje ndermarrje te tille.

    Me praktikisht, mendoj se revistes mund ti shtohet nje seksion me “reviews” ne fushen e artit dhe kultures, per eventet e javes apo te nje kornize kohore me te gjate, per evente qe kane kaluar, jane duke u zhvilluar apo do te zhvillohen ne ardhmen e afterme ( 5-7 dite me vone).
    Mund te perdoret nje sistem me yllezim, nga 1 deri 5 yje:
    -Film
    -teater
    -balet/ vallezim/koncert
    -Program televiziv ( i natyrave te ndryshme)
    -art ( ekspozita, arkitetkture, etj te kesaj natyre)

    Nese Milosao do te arrije te jete i sinqerte dhe i paanshem ne punen e vet, do te ndihmonte shume si ne krijuesit (pruresit ) e artit ashtu edhe ne konsumuesit e artit.

    Nje nga gjerat qe verej se mungon ne shtypin shqiptar, eshte aftesia, mundesia apo edhe deshira per te njohur Tjetrin. Dhe ketu e kam fjalen per fqinjet tane.
    Me nje periodicitet te rregullt, mund t’i kushtohet ose nje pjese e faqeve ose nje numer i plote cdo gjeje qe ka te beje me Greqine/ Maqedonine/ Serbine/ Kroacine/Turqine/ Bosnjen etj,: art, esse, trende, kulture,letersi, sociologji etj, etj. Besoj se ideja del.

  12. Media gjitmonë është e kufizuar, në çdo drejtim, ku ndërmjet të tjerave më kresorja në dhënien e informacioneve të duhur. Media e një vëndi është e kushtëzuar nga Elitat e shtresëzuara historike në atë vënd të cilat kanë drejtuar gjitmonë shoqëritë në çdo system dhe kanë lënë pas njerëz të neuro-programuar mëndërisht në atë qe ne i quajme sot mentalitet.
    Sot, ata që kanë mediat janë pjesë e atyre që drejtojnë shoqërinë njerëzore, e atyre që pronësojnë sot këto vënde, ose kanë me qitap në kadastër atdherat e kombeve të shumëndryshëm, njësoj si ish të vjetrit, asgjë nuk ka ndryshuar. Kuptohet, kush pronëson një vënd, po ata vendosin ligjet, po ata vendosin të mbrojnë me ligj interesat e tyre, po ata kanë ngritur të gjithë ne valle, ku bën pjesë edhe vallja e medias, ku muzika luhet sipas muzikës së tyre. Muzika e tyre ka përcaktuar edhe madhësinë e zhurmës, cilësinë e lëkurëve të daulleve të medias, thellësinë e medias , të cila nga an tjetër kanë oër detyrë edhe të fshehin dhe ndalojnë atë që nuk duhet bëre e njohur, dhe … Ç’do gjë, ç’do qelizë e jetës të papronëve është profitizuar.
    Kjo, supozohet të ishte e thjeshtë për tu kuptuar duke u nisur nga niveli i lartë e edukimit masiv i kohëve moderne, por në fakt nuk po ndodh sepse ajo rrugë te menduari është bllokuar për dekada të tëra.
    Në këtë media të gërgitur, e cila nuk është vetëm në Shqipëri, ose Shqipëria është e fundit në radhë, autorët kerkojnë profitin dhe jo informimin, kërkojnë korporatizimin e mendimit të njerzëve te thjesht, dhe aspak llogjikën dhe nivelin e lartë të artikullit. Dhe, ne atë media gjen lehte amatorizmin grafiko-gazetaresk, i cili kërkon marrjen profite të njekohshëm të dy krahë. Kërkohet branda një kornize-datë me futjet e dypolëshe antishqiptare dhe proshqiptarë, fshatarë dhe intelktualë, inetrnacionalistë dhe nacionalistë, qejflinjtë e “grek” diku thellë mbrapa në kohë, shtuar me qejflinjtë e Mikelanxhelo&Davidi duke ardhur më vonë në mesjetë, për me kap gjithë brezin e paragjykimuesve. Artikuj që thërasin “idiotin narcist të brendshëm” ndër grupe të ndryshëm.

    Aty, ndër të tjera gjen lehtë edhe nënparimin e mutit, të zbatuar për grupe të ndryshme që kërkojnë të sfidojnë atë që është pranuar si e vertetë prej grupit tjetër me anë të provikmit të thënies së kundërtës, nuk ka aspak rëndësi nëse e kundërta është e vërtetë. E vërteta dhe llogjika janë gjithmonë elementë shumë të parëndësishëm brënda sistemve te drejtuara nga fitimi dhe paraja. Ç’do artikull udhëhiqet nga fitimi.
    Media shqiptare po kalon në rrugën që kanë kaluar mediat diku tjetër. Media është duke injektuar shiringën e idiotësisë.
    Sa herë lexoj diçka për një farë Shmitt në mediat shqiptare, një autor krejt i panjohur dhe i parëndësishëm në vënd të vet, nuk e di pse menjëherë më kujtohet fjalia: ‘Ai është një idiot’. Jo, ai nuk është’, e një leksioni për Semantikën, por të më falni që nuk mund t’ju jap emrin e autorit sepse fatëkeqësisht nuk e mbaj mënd.
    Dhe në atë media, për mbyllje, natyrisht që e ardhmja mungon sepse duhet të mungojë.

    1. I lutem Ben Andonit që të mos e vrasë shumë mendjen për komentin më sipër – i cili nuk e ka vendin këtu. Nuk shkon, është joetike dhe jashtëzakonisht kaba, që të përdoret shembulli i një suplementi kulturor si “Milosao” për t’u bërë gjyqin mediave si të tilla, dhe aq më keq me argumente të shekullit XIX.

      “Milosao” është një orvatje për të mbajtur diçka gjallë në kulturë, në një kohë kur diskursi publik sa vjen e tkurret në banalitet. Mund të përmirësohet; dhe fakti që e sollëm këtu, tregon se ata që e bëjnë kanë dëshirë ta përmirësojnë. Unë që e ndjek prej vitesh, që para se ta merrte në dorë Ben Andoni, e gjej unike, për llojin e vet – si botim me natyrë kulturore, që kërkon t’i shpëtojë statusit të një produkti për pak miq e të njohur.

      Flet për “autorë që kërkojnë profitin” – kushedi gjen mundësi dhe na thotë, Beni, se sa i ka paguar autorët e këtij numri!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin