LLOGORET E KRITIKËS

Shkrimin “Restaurimi i Kështjellës” të Xhaxhait e pata printuar për arsye se studime të tilla parapëlqej t’i lexoj në letër. Ka një sërë karakteristikash të tekstit si citimet, bibliografia, fjalët kursive, shënimet, shenjat e pikësimit, nënvizimet, e të tjera marifete filologjike, që praktikisht të detyrojnë ta kesh tekstin përballë në tërësinë e vet, për ta zotëruar e kuptuar më mirë. Pasi e mbarova, shkrimin ia dhashë një mikut tim për ta lexuar *.

Komenti që i bëri shkrimit ishte ky: “E paska masakruar I.K.-në”. Nënteksti i komentit ishte tejet pozitiv, në kuptimin që e vlerësonte studimin si serioz dhe të argumentuar. Aty për aty nuk i dhashë rëndësi komentit, pikërisht sepse i lexova nënkuptimin, pra gjykimin pozitiv për përpjekjen studimore. Më mjaftonte ai si informacion. Mirëpo më vonë, fraza më bëri të mendoj për konceptin që kemi zakonisht për kritikën e tekstit.

Kam bindjen që shkrime të tilla lexohen nga një lloj publiku sikur të ishin kundër dikujt ose diçkaje. Siç mora vesh më vonë, nuk ishte rasti i cituar prej meje, megjithatë shprehja e përdorur (E kishte masakruar I.K.-në) tradhton thelbin e kulturës në të cilën lundrojmë të gjithë. Diskutimet e debatet arrijmë t’i shikojmë si dyluftime në ring, si beteja mes gladiatorësh, si sfida për jetë a vdekje, si ballafaqime fizike. Ndërsa veten e vendosim në shkallët e amfiteatrit, të stadiumit, duke brohoritur për njërën palë në rastin më të mirë, dhe drejt e në arenë ose në ring, duke u bërë pjesë e përplasjes, në rastin më të keq.

Përse ndodh kjo? Ka shumë arsye, por po dua të nënvizoj shkurtimisht disa prej tyre. Së pari, ekziston një keqkuptim lidhur me kritikën letrare, me qasjen studimore ndaj letërsisë. Koncepti i kritikës letrare është jo vetëm i gjerë, por edhe kompleks për t’u rrokur. Natyrisht nuk është vendi për ta nyjëtuar këtu. Problemi është se në Shqipëri kritika perceptohet jo rrallë si kundërshtim, si thënie kundër, ndërkohë që kritika është shumë më tepër se kaq, madje do të thosha që nuk është aspak të flasësh keq për diçka. Pa humbur në teoritë e ndërlikuara të kritikës letrare, mund të themi se qëllimi kryesor është njohja më e mirë e veprës dhe vlerësimi i saj.

Në këtë këndvështrim, një studim për romanin Kështjella veçse tregon respekt ndaj romanit dhe autorit, sepse rreket t’ia njohë më mirë mekanizmat që veprojnë brenda e jashtë tekstit. Kritika letrare, në kuptimin më të gjerë të degës, nuk është ajo që jep vendime të formës së prerë, apo ajo që shpërndan receta e stroncatura, por ajo që ndihmon në kuptimin e veprës; është si të thuash në shërbim të saj dhe të publikut, pavarësisht se mund ta shprehë mospëlqimin e vet për aspekte të ndryshme. Nuk do ta tepronim sikur t’i konsideronim studimet letrare, me mundin, seriozitetin e përkushtimin që kanë brenda, një akt dashurie ndaj veprës që marrin në shqyrtim.

Arsyeja e dytë lidhet me konceptimin e veprës letrare dhe autorit të saj. Në kulturën shqiptare jo rrallë vepra është autori (si person e individ). Madje është përftuar edhe e kundërta: autori është vepra e tij. Tjetër paradoks. Tani, për ata që janë të fushës, ndarja e autorit nga vepra është e lehtë për t’u kuptuar, pak më e vështirë më duket për ata që i shohin shkrimtarët si personazhe, idhuj ose mite, pavarësisht nga faqet e shkruara prej tij. Po ta huazojmë vështrimin e kritikës moderne, do të vinim re se vepra është një gjë, autori i tekstit diçka tjetër dhe autori si person një entitet tjetër. Umberto Eco i ka shpjeguar me konceptet e Lexuesit Model dhe Autorit Model. Nuk po zgjatemi në teoritë e analizës së tekstit, por mund të kujtojmë se qëllimi i autorit si person (autori empirik me biografinë dhe jetën e përditshme), jo gjithnjë përputhet me qëllimin e veprës e me atë të autorit që përftohet prej saj, pa llogaritur këtu rolin aktiv të lexuesit. Teksti, pra, ka autonominë e vet. Për ta thënë më konkretisht, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, është ai që rezulton nga vepra e tij, p.sh. nga teksti i romanit Kështjella, kurse I.K.-ja që pi kafe ose kapuçino tek aksh lokal, ose që ka veshur kostumin ngjyrë gri, është diçka tjetër që ka të bëjë pak ose aspak me autorin tonë.

E kuptoj që është pak e vështirë për t’u rrokur, por autori që del nga teksti dhe i shfaqet lexuesit me radhët e tij, pra autori me të cilin ka të bëjë kritika letrare, është entitet i veçantë. Jeta private e shkrimtarit (autori empirik), madje edhe ajo që ai deklaron vetë, është diçka tjetër. Nuk do të habitesha sikur dikush të më thoshte se dua më shumë I.K.-në e “Kronikës në gur”, se sa atë të “Mosmarrëveshjes”, pëlqej më shumë “Kështjellën”, se sa “Rrethimin”. Shprehjen “Kadareja im”, që e përdor edhe unë me vlerësim të lartë e me dashuri, i referohet natyrisht shkrimtarit e veprës së tij, e cila jo vetëm ka ndikuar në formimin tonë, por është përbrendësuar e interpretuar nga lexuesi. Paradoksalisht Kadareja dora vetë nuk ka ç’më thotë për Kadarenë tim. Ky i fundit ka të drejtën e pavarësisë. Mirëpo ka raste që në ligjërimin publik shqiptar gjërat personalizohen e ngatërrohen.

Vepra letrare, siç dihet, merr jetë vetëm në sytë e lexuesit, pikërisht kur i del nga duart autorit dhe shikon dritën e botimit. Prandaj edhe kur flasim për një vepër letrare flasim pak edhe për vete, jo vetëm për tekstin dhe autorin e tekstit. Këtu mund të shtonim edhe një aspekt tjetër lidhur me interpretimin që i bëhet veprës letrare, e cila trajtohet shpesh si manifest politik e ideologjik dhe jo si narrativë ose poezi, pra si tekst me vlera artistike dhe estetike. Lexuesi i vëmendshëm i njeh instinktivisht këto hollësi teorike e as ëndërron të themelojë kryqëzata e të bëjë anatema kur diskutohet diçka për një vepër letrare. Kush i bën këto e ka lënë mënjanë prej kohësh rolin e nderuar të lexuesit, për të humbur në turmën e idhujtarëve. Por siç mund të merret me mend, për të ekzistuar si të tillë, shkrimtarët kanë nevojë për lexuesit – me shijet e mendimet e tyre – të cilët janë gjithsesi të vetmit që u japin jetë veprave.

Së treti, ata që e keqkuptojnë ose e paragjykojnë kritikën letrare në përgjithësi, e studime si “Restaurimi i Kështjellës” në veçanti, janë gjithashtu viktima (të pavetëdijshme?) të polarizimit politiko-kulturor që ekziston në Shqipëri. Dikush nga ne mund t’ia faturojë periudhës totalitare, të tjerë mund t’ia shohin rrënjët më thellë në histori. Fakti është se kultura në të cilën jetojmë shikon vetëm bardhë e zi, arsyeton vetëm me motot “o me ne, o kundër nesh”, “o me ata, o me ne”. Kjo kulturë e varfër kromatike, na bën që të mos i shohim mirë jo vetëm ngjyrat, por as nuancat e grisë.

Shqisat tona kulturore duket sikur janë mpirë nga qëndrimi i gjatë në llogore, në pritje të dikujt nga shkretëtira, ose nga deti. Kjo është arsyeja përse studimet kritike lexohen jo si mjete njohëse, por për të parë me kë është autori i studimit, rreshtat e të cilit skanohen imtësisht për të gjetur “akuzën”, ose “lavdërimin”, për ta vendosur autorin në këtë apo atë pjesë të fushës. Nuk mund t’ia vëmë fajin gjithnjë publikut, për sa kohë ka plot kritikë që më shumë temjanisin se sa shpjegojnë, më shumë shpërndajnë dekorata se sa diskutojnë për veprën, më shumë deklamojnë se sa dëshmojnë. Nuk është mister që kritika letrare në Shqipëri vuan nga një krizë e vjetër, që vjen midis të tjerash edhe nga një mungesë debati mes saj për veprat e ndryshme letrare, çka na çon drejt e në temën e pluralizmit në mendimin kulturor shqiptar.

Debatet e ndryshme për veprat letrare, madje edhe ato për botimin ose jo të një sprove, krijojnë efekte halucinogjene për faj të premisave të gabuara për të cilat folëm më sipër. Fluturojmë nga tema në temë, nga dega në degë, nga toka në qiell, pa pasur pika referimi të qarta, pa koordinata të sakta gjeografike, pa busull e radar; çka krijon një efekt të fortë përhumbjeje. Hartat që kemi përdorur deri dje nuk janë të përditësuara. Por nuk do të orientohemi kurrë mirë pa ditur se, edhe kur kemi pikëpamje të ndryshme, i përkasim të njëjtit univers kulturor.

————————————————-

* “Restaurimi i Kështjellës” nuk është i lehtë për t’u lexuar. Me fjalë të tjera, nuk është artikull blogu ose gazete. Kërkon para së gjithash një parapërgatitje në fushën e studimeve, qoftë edhe në fusha të tjera. Lexuesi që nuk është mësuar me rregullat dhe metodologjinë e studimeve shkencore rrezikon të mërzitet, sepse mjaftojnë citimet e fjalëve, faqe më faqe, për t’ia lodhur shikimin. Megjithatë nuk ishte rasti i mikut tim, i cili e ka stërvitjen e duhur për t’i përballuar ngjitjet në malet e studimeve.

4 Komente

  1. Nuk e kuptoj dot Pishakun, kujt i drejtohet me kete shkrim. Me sakte, nuk kuptoj perse jane te nevojshme keto fluturime teorike neper re, perse nuk hyn pra ne debat konkret me ata qe shfaqin keto moskuptime e pozicione, qe ai kritikon ne kete shkrim te vetin.

    Kujt i adresohet, dikujt atje ne Shqiperine e larget anonime apo dikujt/disave ketu prane ne shkembimet e perditshme te blogut.

    Nese ka per synim anonimatin e Shqiperise duhet rishkruar , duhen specifikuar shtresat shoqerore te cilave u drejtohet dhe duhet botuar edhe ne shtypin e atjeshem.

    Nese synon mjedisin e blogut , duhet rishkruar e konkretizuar.

    Se keshtu nuk eshte as mish as peshk. Edhe atyre , edhe ketyre eshte as atyre, as ketyre.

    Se keshtu ,mos qofsha gabim, gjithe kjo tirade eshte vetem per te thene se autori i studimit ‘Restaurimi Keshtjelles’ nuk ka “ndonje gje” me autorin e ‘Keshtjelles’.

    Kete nuk e kuptoj fare, hic fare. Se po te kete ‘ndonje gje’ cfare pastaj ? Dhe qe ka kjo dihet boterisht , nuk e mbeshtet pozicionin ‘kombetarist’ te Kadarese, e ka kritikuar dhe publikisht. Nderkaq studimi ‘Restaurimi keshtjelles’ gjykohet ne vetvete sa i plote, i argumentuar, c’ perfundime, etj ka dhe jo nga niveli i simpatise per autorin e ‘Keshtjelles’. Mund te mos kete fare simpati e prape studimi te qendroje ose anasjelltas.

    Psh nuk e gjej te arsyetuar thenien se « Në këtë këndvështrim, një studim për romanin Kështjella veçse tregon respekt ndaj romanit dhe autorit ».
    Respekti ne pergjithesi per cilesine dhe vlerat e vepres se IK nuk ka lidhje me studimin. Une nuk shoh ndonje respekt brenda caqeve te studimit. Perkundrazi ka kritike te ashper, IK ka gabuar keqas, jepen edhe shtysat ideoklogjike. Ky eshte qendrimi i autorit te studimit dhe eshte fare i qarte. Ketu nuk ka fare rendesi nese biem dakord me te apo jo, ai kete qendrim ka dhe eshte e drejta e tij te kete cfaredo qendrimi. Po dashuria e respekti s’kane pune fare ketu sepse tingellon si nje perpjekje per te justifikuar autorin e studimit qe guxoi e kritikoi IK. Kjo kritike ka vetem vleren e vetvetes.

    Te me ndjeje Pishaku po ky debat o behet deri ne fund, o nuk hapet fare ketu.

    1. Se si më erdhi ideja për shënimet që botova në blog, e shpjegoja që në fillim. Nga një shprehje e mikut tim, që më bëri të reflektoj për disa pika që i shtjellova shkurtimisht në shkrim; tema që mendoj se i përkasin kulturës shqiptare në përgjithësi. Nuk janë “fluturime teorike”, në kuptimin që janë aspekte teorike të dobishme për ta kuptuar perceptimin e debatit kulturor në Shqipëri. Edhe vetë sprova “Restaurimi i Kështjellës” mund të merret si shkas e shembull, por tema është më e gjerë kur flasim për konceptimin e kritikës letrare, raportin autor/vepër/lexues, polarizimin politiko-kulturor.

      Flisja edhe për personalizimin e debatit, për konceptimin e tij si duel e ring njëkohësisht. Nuk është mirë që pas këtij pohimi të më kërkohet se me kë e kam e kujt i adresohem. Nuk kam ndërmend t’i shpall luftë kurrkujt. Mund të përgjigjesha duke thënë se nuk jemi në gjyq, ku kërkohen dëshmi, emra, prova. Pastaj ka raste kur flitet për mëkatin e jo mëkatarët, pra për dukurinë e jo për aktorët, që mund të jenë të panumërt, si rrjedhim fizikisht të pacitueshëm. Por mund të saktësoja, gjithashtu, se flisja për veten time. Edhe unë i përkas asaj kulture, edhe mua më shpëtojnë ndonjëherë hollësitë për të cilat fola. Por një gjë është e sigurtë: nuk jam i vetëm.

      Më duket tepër reduktues për shkrimin vlerësimi se ka qenë “tirade per te thene se autori i studimit ‘Restaurimi Keshtjelles’ nuk ka “ndonje gje” me autorin e ‘Keshtjelles’”. Megjithatë, nëse do të vija re që një kritik letrar shkruan për inat të shkrimtarit si person e jo për qëllimet e vërteta të studimit, duke pasur në qendër veprën dhe autorin e tekstit, pra në qoftë se një kritik letrar do të fliste për aspekte jashtëletrare e i shtyrë prej tyre, unë do t’ia hiqja nderin të quhej i tillë, jo sepse është e dënueshme nga ana morale, por sepse nuk ia lejon metodologjia e profesioni.

      Për t’iu kthyer studimit e respektit ndaj veprës së studiuar, vë re një keqkuptim tjetër tek komenti i mësipërm. Ta kritikosh një qëndrim, zgjedhje, apo tendencë, nuk do të thotë të mos kesh respekt. Njerëzit kanë respekt edhe për kundërshtarët, madje edhe për armiqtë, e jo më për një vepër që e studiojnë prej vitesh. Në rastin konkret, si lexues, gjithnjë nga një këndvështrim i caktuar e brenda kritereve të studimit, unë perceptoj respekt e dashuri për romanin “Kështjella” nga ana e autorit të studimit. Nuk mund ta përfytyroj studiuesin që i futet me zell një pune të përkushtuar thjesht nga inati ose për kunj. Qëllimet e kritikës janë të tjera (lexo shkrimin). Një vepër që përpiqesh t’ia shpjegosh publikut, me mund, kohë e seriozitet, minimumi gëzon respektin tënd si studiues. Aq më tepër që në rastin e cituar merreshin në shqyrtim dy versione të romanit.

      Në përgjithësi, pra përtej botës shqiptare, – e nuk e kam me asnjë në veçanti, por thjesht se ra fjala – njerëzit harrojnë se karburanti kryesor i shoqërisë mund të jetë dashuria e respekti dhe jo urrejtja e smira, sa për të përmendur disa ndjenja të përhapura. Më vjen ndër mend filmi Monsters & Co, ku energjia merrej fillimisht nga frika e fëmijëve, për të zbuluar në fund se e qeshura dhe gëzimi kishin rendiment më të lartë…

    2. Pa dashur të ndërhyj në debatin që po zhvillohet këtu, desha vetëm të vërej me kënaqësi (në frymën edhe të disa diskutimeve të mëhershme në këtë blog mbi barbarizmat, huazimet dhe neologjizmat në gjuhë) krijimin e një fjale të re në shqipe: ideoklogjike. Është fjalë shumë e bukur, kuptimplotë, dhe autorja duhet falenderuar. -:) Nga rrënja ide/ideja (idea në anglishten e vjetër, nga latinishtja, nga greqishtja e vjetër idein – me pa, siç shpjegojnë fjalorët ndërkombëtarë) dhe rrënja tjetër kllukë-klloçë-klloçkë-klloçit (etimologjinë e së cilës nuk e njoh, pasi shqipes i mungojnë fjalorë të tillë), na vjen ky neologjizëm i bukur ideoklloçit-ideoklloçitje-ideokllogjizëm-ideokl(l)ogjike. Dhe që e shpreh më së miri konceptin e ngrohjes për çelje të ideve kombëtariste, për të cilin edhe është diskutuar më parë.

  2. Falenderimet i mirepres,bile me ngazellim, kur tejkundroj se si nga nje gabim ortografik mund te arrihet ne konkluzione kaq te hatashme. Vetem Zoti krijon nga hiçi , thoshte Fjodor D.,po ia paska futur kot.

    Nejse, si humor kipci nuk eshte keq.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin