RRËNJËT E DRAMËS SË KORÇËS

Julius

 

Drama e shfaqur në teatrin e Korçës, me titull “Shën Maria e Beratit” dhe autor shkrimtarin dhe politikanin zotin Namik Dokle, u pasua me reagime të ndryshme nga mediat shqiptare.

Reagimet kishin të bënin kryesisht me protestën e komunitetit ortodoks të zonës ndaj shfaqjes, dhe në vijim kjo u pasua nga prononcimi zyrtar i Mitropolisë së Korçës.

Fijet dramatike – ndër të tjera, që vetë drama prodhoi mund të ndahen në dy llojesh: ato artistike, dhe ato mediatike.

Për fijet artistike të dramës, prononcimet ishin të dyanshme, si nga ana e Mitropolisë së Korçës, ashtu dhe nga vetë krijuesi i saj, zoti Dokle.

Nga ana e Mitropolisë së Korçës, gjendet një artikull tek Top Channel, ku ndodhet prononcimi i At Ilia Kotanit, i cili shprehet:

 “Denigrimi i ortodoksëve është denigrim për të gjithë komunitetin. Jemi të shqetësuar që sërish besimi ortodoks goditet. Veprime të tilla nxisin reagimin e çdo besimtari.”

Në vijim të debatit, vend në media ka gjetur dhe prononcimi i zotit Dokle, nga një pjesë e tij, do të veçoja.

Drama flet për luftën e jashtëzakonshme që është bërë kundër vlerave shqiptare dhe po aq për t’i mbrojtur këto vlera deri edhe me jetë. Nuk e kuptoj se kush i nxit këto reagime, por në thelb, nga pikëpamja fetare, kush ka dalë kundër kësaj vepre, është kundër autoqefalisë shqiptare

Tematika në të dy prononcimet, përgjithësisht, do të ishte ajo e fe-atdhe, dhe lidhjen midis tyre në një shoqëri të larmishme nga ana fetare, siç është shoqëria shqiptare. Duhet theksuar se prej autoritetit të kishës ortodokse të Korçës, kërkesa është për respektim ndjenjash që lidhen me fenë. Ndërsa nga ana e zotit Dokle – çka në vetvete më duket tepër e habitshme – është pretendimi i etalonit kombëtarist. Deklarata të këtij lloji, nuk e ndihmojnë trajtimin e duhur të çështjes.

Dokle, nga ana tjetër, citon censurën “komuniste” – thotë, si pengesë në vënien e dramës në skenë dhe në reagimet. Këtë lloj censure, pra të pretendimit se “është komuniste”, shumë kanë qënë kalorësit që e kanë shaluar, aq sa ka arritur pas 23 vjetësh post-komunizëm, të humbasë gjithë kuptimin, apo kuptimet e veta të mundshme. Le të përdorim një “fjalë të re”, për këtë lloj censure, apo konstrukti mendor, e ta quajmë në kuptimin e vet fillestar – konstrukt absolutist. Pra, e bardhë apo e zezë, me ne ose kundër nesh, shqiptarë apo antishqiptarë po të doni dhe me rradhë. Që më së fundi, të kapim Evropën aty ku e lamë, apo ndoshta aty ku na la.

Unë nuk mendoj se të jesh kundër veprës së zotit Dokle, për çfarëdo arsye të mundshme, do të thotë të jesh anti-shqiptar, apo kundër autoqefalisë shqiptare. Kjo pro apo anti autoqefalisë, nëpërmjet personit dhe krijimit të zotit Dokle, është dilemë fallco (false dilemma). I shkon një retorike stadiumesh, të llojit “chi non salta”, dhe më duket pengesë më e madhe ky pohim, për fijet dhe implikimet e veta të mundshme, sesa shfaqja e ndjesive të tepërta ndoshta, fetare, në lidhje me dramën në fjalë.

Drama, nga ana mediatike; përcjellja e lajmit nga njëri sajt mediatik në tjetrin, i ngjan atij të një “telefoni të prishur”, dhe kjo u vu re në një shkrim së fundi tek sajti i Peshkut pa Ujë. Pak rëndësi iu dha kësaj, e megjithatë, këtu ka vend për të thënë jashtë mase shumë gjëra.

Shkrimi tek Gazeta Panorama, me titull: Deklarata e plotë e komunitetit Orthodhoks, fillimisht është marrë nga një komunikatë blogu, me titull: http://www.ortodoksikoritsa.com/ dhe nuk i përgjigjet titullit që i ka vendosur Panorama. Ajo nuk është deklaratë e komunitetit ortodoks; do të ishte njësoj sikur mua për momentin, të më shkrepej të bëja një të ngjashme nga blogu PTF!

Nuk dihet se çfarë përfaqëson ai sajt, prej të cilit është marrë ajo deklaratë, as është blogu në fjalë etalon, apo shprehës me rol zyrtar të ndonjë komuniteti. Gazetat të shohin burimet nga i marrin lajmet, sepse me këtë mënyrë përcjelljeje të deklaratave të ndryshme prej blogjeve anonimë, po nxisin ekstremizmat.  Jo vetëm po i nxisin, por po shndërrohen fushat mediatike të komenteve online, në as më shumë as më pak, por në poligon të lirë qitjeje.

Së fundi, buja (apo ububuja?) që mori lajmi në media, nuk i përgjigjet aspak  ndodhisë, çka ishte ajo që realisht u krye në terren. Një dramë u shfaq në një teatër të Korçës, një komunitet fetar shprehu në mënyrë paqësore protestën e vet; drejtoresha e teatrit zonja Zamira Kita, pati një takim me Mitropolitin e Korçës, dhe vendin bosh e fjalën e fundit, le t’ia lëmë përgjegjshmërisë. 

Nuk ka komente

  1. Mustafa Nano kishte sot në gazetën Shqip një shkrim në lidhje me çështjen në fjalë, dhe më bën përshtypje frika – e paqenë, për mua – prej imponimit të autoritetit fetar në çështje të artit.

    Nuk ka gjasë të ndodhë diçka e tillë, për mendimin tim. Besimtarët ortodoksë janë pakicë fetare, nuk kanë as mjetet, as autoritetin, as mundësinë e imponimit të ideve të tyre.

    Nga ana tjetër, konteksti, forma, mënyra sesi e shohin mediat këtë çështje, besimtarët ortodoksë, i diskriminon vetvetiu. Qoftë për çështje konjukturash, qoftë për ideologjinë mbizotëruese shtetërore; dhe akoma prej historiografisë komuniste. Historiografia e trashëguar prej komunizmit duhet rishikuar!

    Dhe… një gjë për mediat: Bëjini pasqyrim realitetit si është, se shikoj që mediat e Tiranës e kanë vendosur veten në gjendje lufte – me Agimin e Artë sidomos! Ne vdesim të lozim luftash mediatikisht me këta fashistët!

    Jo për gjë, po kur i lini punët mediatike e shkoni në jug gjatë verës, bën vaki shokohen pushuesit kur realitetin e gjejnë të ndryshëm nga ç’ua përshkruani…

     

    1. Ketu nuk ka as dege pa le rrenje, me mire te them nje thes me gjethe per te shmangur thelbin. Si mund te flasesh ti per rrenje kur s’ke lexuar nje rresht nga drama? Si mund te gjykosh apriori nga cila ane eshte e drejta?

      M.Nano ka te drejte , edhe Monda tek PPU ka te drejte. Teatri nuk eshte kishe as Arti nuk eshte dogme.

      “Nuk ka gjasë të ndodhë diçka e tillë, për mendimin tim. Besimtarët ortodoksë janë pakicë fetare, nuk kanë as mjetet, as autoritetin, as mundësinë e imponimit të ideve të tyre.”

      Cfaqja u ndalua, cfare pret me ti te ndodhe, mos valle te hedhin ndonje shishe me benzine ne sallen e teatrit, apo te lincojne Doklen.?

      Ky eshte qendrim fondamentalist. Shume era temjan po bie ky blog , ka ca kohe.
      Nuk kuptoj si e toleron akoma Xhaxhai.

      1. Po unë nuk gjykoj në shkrimin tim përmbajtjen e dramës. Flas për mbulimin mediatik të saj. Ku janë rrënjët? Tek qëndrimi absolutist, bardhezi, që shfaqin të dy palët. Nuk të duket, se duhet një kovë ujë për momentin, të mos ndizen zjarre – siç kishte mundësi të ndodhte?

        Si mund të kenë të drejtë, nga ana tjetër, Nano dhe Monda, as këta nuk e kanë parë dramën në fjalë – gjykuar sipas standarteve të tua.

        Nëse unë gjykoj që për momentin, të cilin e konsideroj kritik në lidhje me komunitetin ortodoks, të quhet e tolerueshme kjo marrëveshje e përkohshme, ku është problemi këtu? Feja ka një komponent reaksionar, që njihet tashmë. Është në konstruktin mendor të besimtarit.

        Dëshironi gjë, ta nxisni reaksionin?

      2. Shkruan:

        Ky eshte qendrim fondamentalist. Shume era temjan po bie ky blog , ka ca kohe.
        Nuk kuptoj si e toleron akoma Xhaxhai.

        Po futem edhe unë në këtë shkëmbim, meqë m’u përmend emri.

        Mua s’më duket se ka gjë “fondamentaliste” në shkrimet e Juliusit.

        (Përkundrazi, ka fondamentalizëm në pretendimet e disa kokëlopëve që po e trajtojnë kombëtarizmin shqiptar si të ishte fe.)

        Nga ana tjetër, unë kam folur gjerë e gjatë për rrezikun e persekutimit të ortodoksëve shqiptarë shumë vite më parë (që në kohët e vllahofobisë).

        Juliusi e sjell temën nga këndvështrimi i vet, por dua të them se nuk është zë i shkëputur në këtë blog.

        Tani, sa për “tolerimin” që thua, Juliusi shkruan atë që dëshiron. Megjithatë, dhe koincidentalisht, për temën më sipër do të kisha shkruar edhe unë.

        Dhe ja pse.

        Ngaqë u tha se “dramën e ndaloi komuniteti ortodoks” – po sa e vërtetë është kjo? A ka këllqe komuniteti ortodoks që të ndalojë një dramë në një shtet laik si Shqipëria?

        Me sa kemi marrë vesh, ka pasur një protestë të disa ortodoksëve. Protesta të tilla ndodhin kudo, dhe po t’i masim me metrin shqiptar, ajo e Korçës ka qenë nga më të qytetëruarat – krahasoje me atë të trogloditëve që thyen manekinët, në Prishtinë.

        Drama, me sa kuptohet edhe nga ç’thotë Dokle, ka për synim të vërë në diskutim një dogmë – dhe kështu u ekspozohet vetvetiu kontestimeve. Unë besoj se kjo është gjë shumë e mirë për dramën dhe për perspektivat dramaturgjike të Dokles.

        Shkojmë më tej. Një person, që identifikohet me emër dhe mbiemër (Mihal Sanellari), dhe që në blogun e vet ka një “disclaimer” të madh, ku thotë se pikëpamjet e tij nuk janë ato të KOASH-it (etj.) shkroi kundër dramës – dhe këtë shkrim të Sanellarit e morën gazetat kombëtare, si “Panorama” dhe “Shekulli” (dhe kushedi ç’gazetë tjetër, se kush ua mbajti bishtukun), për ta nxjerrë si “deklaratë zyrtare të komunitetit ortodoks.”

        Ngaqë deklarata ishte të them pak provokative (por edhe e shkruar me një shqipe të vajtueshme), kam të drejtë të besoj se ky marifet i mediave e arriti qëllimin – sidomos po të lexosh reagimet ndaj deklaratës së Sanellarit, të thuash se atë e kish shkruar me dorën e vet Janullatosi.

        Deklarata zyrtare e KOASH-it (ose më saktë, e Mitropolisë së Korçës) është kjo këtu (http://goo.gl/nU2W9).

        Krahasojeni me gafën e Panoramës, që gjendet akoma këtu (http://goo.gl/yBgVl).

        Tani, ka apo nuk ka një problem këtu? Unë besoj se ka – keqatribuim për qëllim provokimi; apo duhet t’i konsiderojmë gazetarët si të paaftë për të dalluar shapin nga sheqeri?

        Dhe më tej – unë besoj se provokimi është i tillë, që ta përligjë një shkrim edhe në PTF. Mua personalisht nuk më shqetësojnë problemet e dogmës (nuk jam i fesë ortodokse); por më shqetësojnë të gjitha aktet që synojnë të përçajnë mirëkuptimin mes komuniteteve fetare në Shqipëri dhe të nëpërkëmbin njerëz dhe grupe, për shkak të përkatësisë së tyre fetare.

        1. Xhaxha, drejtoresha e teatrit ka deklaruar se pas komunikimit me perfaqsuesit e bashkesise ortodokse, po konsiderohet te nderpritet vazhdimi i shfaqjes. Nderkohe qe nje nga aktoret ka deklaruar, sipas shqiptarja.com se eshte kercenuar se do i vihet bombe ne shtepi. Tani, une nuk e di se c’pritet me teper.

          Sigurisht qe eshte qesharake te flitet, sic po behet ne gazeta, per nje ndeshje te lirise se artit kundra dogmes fetare dhe personalisht nuk besoj tek liria per te fyer, ashtu sic besoj se vala nacionaliste kundra kishes ortodokse eshte seriozisht e demshme. Megjithate kjo nuk do te thote se ortodokset apo ceshtjet rreth kesaj bashkesie duhet te jene jashte debatit publik.

          Shkrimi mund te adresoje pasaktesite e raportimit ne shtyp, por nuk ka te beje me “rrenjet e krizes” dhe nuk ka adresuar ate qe ka mare persiper te adresoje.

          1. Shkruan:

            Nderkohe qe nje nga aktoret ka deklaruar, sipas shqiptarja.com se eshte kercenuar se do i vihet bombe ne shtepi.

            Çdokush do ta shfrytëzonte momentin, për të turbulluar ujërat. Pyetja që duhet bërë në këtë rast: kush përfiton?

            Thua:

            Tani, une nuk e di se c’pritet me teper.

            Të veprosh tani, sidomos duke e marrë këtë telefonatë anonime si premisë, është të bësh lojën e provokatorëve. Nuk ka asnjë provë, asnjë të dhënë, se telefonata ka lidhje me protestat e komunitetit ortodoks.

            Po e them prapë – shfaqje kontroversiale, sidomos për punë të fesë, gjithnjë do të shoqërohen me protesta. Kjo është pjesë e dinamikës normale për një lloj arti, që e kërkon vetë provokimin.

            Sa për bombën – është herët të themi gjë. Më duket absurde që të kërcënohet aktori me bombë, jo autori i dramës, regjisori ose producenti. Prandaj ky më duket provokim i rëndomtë shërbimesh sekrete. Nuk ka gjë më të lehtë, se të bësh një telefonatë të tillë (le ta marrim të mirëqenë që është bërë).

          2. ashtu sic besoj se vala nacionaliste kundra kishes ortodokse eshte seriozisht e demshme.

            Po pikërisht brenda këtij konteksti trajtohet ngjarja kështu. Pikërisht për këtë.

            Nga ana tjetër, kërcënimi ndaj aktorit, ngeli pa autorësi. Sugjestionimet janë të tepërta, po këtë çështje e ka mbuluar 2XH tashmë. Provokime priten. Shiko tek PPU tek tema përkatëse një koment 24 Janar 2013 – 20:36, nga një “i njohur” imi. Sa besueshmëri ka ky?

            Për titullin mos e vrisni shumë mendjen, çdo i lëçitur pak e ka kuptuar besoj se është huazim prej Konicës.

  2. Degjo Juliusx , nuk kam ndermend te vazhdoj debate te tilla shterpe por te sqaroj edhe njehere se ti nuk mund te gjykosh asgje ne kete histori shume te papelqyeshme nese nuk nis problemin nga rrenjet dmth nga drama. Nese drama ka permbajtje ofenduese, vulgare e agresive etj nese ben thirrje kunder komunitetit ortodox atehre ky i fundit ka te drejte te indinjohet apo reagoje , por nese drama eshte ok atehere ata qe reagojne jane nje tufe ekstremistesh budallenjsh qe dikush i perdor . Kete ti s’mund ta dish pa gjykuar me pare dramen dhe kjo nuk ka nevoje fare te diskutohet, eshte evidente.

    Monda ka te drejte sepse nuk merr ane, ajo thote teatri nuk eshte kishe, rrini ne sinoret tuaja .

    Nese dikush ka ndonje problem e ka me Janullatosin jo me komunitetin ortodox shqiptar. Ndonje qe flet anapodha mund te kete , po kjo nuk do te thote se ka nje opinion qytetar kunder otodokseve shqiptare. Ti po ngre nje histori persekutimi nga hici dhe kjo askujt nuk i ben mire, as ty.
    Me vjen keq per tonin por e ke tepruar .
    ps – c’kisha per te thene e thashe , me tej nuk marr pjese .sorry.

    1. Reagimi ishte nga Mitropolia e Korçës si autoritet. Nuk ka gjasë të jenë shtytur prej ekstremistësh. Apo ndoshta duhet të besojmë se mitropolia e Korçës, ka në krye ekstremistë?

      Unë pa e parë dramën mundem, dhe e gjykoj madje, deklaratën e Dokles, si të papërshtatshme. Këtë bëj.

      Gjykoj gjithashtu, dhe homologimin mediatik të një artikulli prej një blogu anonim, dhe kësaj i vishet autorësia si e “komunitetit ortodoks”. Prapë kaq bëj unë. Jo ndonjë gjë të madhe…

      Për Janullatosin, sikur të mos krijohej kjo re aludimesh dhe përshtypjesh, dyshimesh, shumë të tepërta, të homologuara madje, prej sajtit të zotit Nano; nuk do ishte si ca më mirë për të gjithë, them? Si thua ti?

      E kam fjalën, që të them se të shfaqësh pa ndonjë titull redaksional përçartjet e dikujt që nuk njihet si prift, dhe që bën akuza shumë të rënda ndaj kreut të KOASH, nuk i bën mirë asnjërit mendoj. As mua, as ti. As Nanos. Këto janë ato që them unë. Më duken të thjeshta fare, të llogjikshme madje.

  3. problemi eshte (prape) me greket dhe me kryepeshkopin janullatos ne vecanti.

    dy gjera dalin prape ne skene:

    1. ortodokset kategorizohen si element destabilizues
    2. hipokrizia e atyre qe mbeshtesin “artin”.

    per te paren nuk kam cfare te them me shume; deri sa te vdesi kryepeshkopi janullatos (verreni sesi kombetaristet nuk e perdorin termin “kryepeshkopi” kur flasin per “janullatosin” por e permendin me mbiemrin e tij sikur t’i kishin prere kerthizen, ose e perdorin rralle, me pahir, me leshim, nga e keqja. ashtu si antikristianet perdorin per Krishtin, vetem emrin “Jezusi” se “Krisht” do te thote “i vajosur”, por kjo eshte histori tjeter), te gjithe ortodokset do kene njollen e “bashkepunimit” me grekun, ose se kane qene nen udheheqjen e nje greku ne nje fron qe ka mbajtur fanoli (apo fan noli, apo theofan s. noli, apo theofan stilian noli, apo theofanis mauromatis, ish aktori i estradave). nuk do kishte as reagimin me minimal nese kryepeshkopi ishte “me gjak” shqiptar. te gjithe do kapnin “prej zhelesh” doklen e do i thosnin, hem namik, mos nxit urrejtjen nderfetare mes shqiptareve, se do behemi liban apo bosnje. po do te provokosh dil nudo ne bulevard.

    per te dyten nuk di cfare te them me pak. isha para disa javesh ne barcelone. rastisi qe vajta ne macba, ne fondacionin antoni tapies, ne fondacionin juan miro dhe ndesha pak art modern. dhe e bera edhe une pyetjen vetes por edhe te tjereve (pamvaresisht se nuk ma vuri kush veshin) se nese eshte kjo qe shikojme art. kishte ne macba psh nje tablo te madhe jeshile me titullin “green”. pse eshte art kjo, nje tablo jeshile. diku gjetke kishte nje krevat te murosur, diku tek antoni tapies kishte nje karrige (nuk kuptova nese ishte art apo karrige per vizitoret). pra, dua te them me kete, cfare eshte arti? pse te konsiderohet art nje veper qe shan e fyen qe hedh feakale e mbeturina. shikoni keta qe dalin ne mbrojtje te dokles. sikur te dilte neser nje veper teatrale ku skenderbeu te dilte homoseksual dhe ka patur lidhje seksuale me lek dukagjinin apo se kryengritja e tij ka qene per hakmarrje ngaqe eshte perdhunuar nga sulltan murati, si do reagonin keta mbrojtesit e artit? ketu shmiti na dha nje version alternativ (te mbeshtetur ne dokumente) dhe iu hodhem ne fyt.

    apo akoma me keq, sikur te dilte ndonje veper arti qe te fliste per totemet katolike. fishten per shembull apo nene terezen. jozefina dv do kishte bere e para harakiri, jo me tanto, por me ndonje thike labeatase

    pse atehere te jete me e shenjte feja e kombetaristeve sesa e ortodokseve?

  4. Gjithshka qe po percillet ne media e nepermjet artikujve te shkruar ngjan si “llokocitje” ne te ceket.

    Me sa kuptoj une, ne diskutim nuk jane vlerat artistike te drames ne fjale, por mesazhi qe percjell drama. Nuk flitet per “fije artistike”, por per ideologjine qe percillet.

    Protesta e Metropolise te Korces nuk sqaron se cfare fyerje apo denigrimi i eshte bere ortodoksise, vecse flitet ne terma te pergjitheshme per nje denigrim te mundeshem te besimtareve dhe fese ortodokse.

    Nderkohe qe z.Dokle (per fatin e keq se njoh fare penden e tij artistike), e ben te qarte se vepra e tij nuk eshte doktrinale(duke pranuar injorancen e vet ne aspektet e doktrines ortodokse), eshte nje drame me personazhe te sajuar, por qe i perkasin besimit ortodoks dhe le te hamendsohet se zhvillohet ne nje ambjent ortodoks.

    Pozitat e tij jane laike dhe travestia fetare i sherben qe nepermjet artit te deshmoje artistikisht per aktivitetin patriotik te disa klerikeve te komunitetit ortodoks shqiptar. Njihen nga historia akte heroike te klerit dhe anetareve te komunitetit ortodoks shqiptar, per mevetesine e kishes ortodokse shqiptare.

    Nese do ta konsideronim te mireqene citimin e Dokles se ” kjo dramë nuk është traktat fetar dhe nuk mund të gjykohet si traktat fetar… qëllimi im ishte që t’i bëhej një himn Kishës Autoqefale Shqiptare, .. himn klerikëve patriotë shqiptarë që kanë luftuar kundër obskurantizmit….kumti kryesor i kësaj vepre,..tregon luftën shekullore mes të mirë dhe së keqes, mes djallëzores dhe engjëllores, shqiptarizmit dhe antishqiptarizmi(kontrapunktet jane frymezuese per cdo shpirt te lire, teper te arrira, sidomos kur vihet ne kontrast, – anti me shqiptarizmin).” eshte mire qe me pare, te njihemi me mesazhin dhe permbajtjen e drames se tij, para se te bejme gjykime “a priori”.

    Pastaj perafrimi i Dokles sadopak me “kombetaristin” i jep nje zulme te pamerituar nje proletari permanent si ai. 🙂

    Po te ishte Noli gjalle, do te kishim nje kritike te arrire te vlerave artistike te vepres se Dokles, njekohesisht edhe nje docent par excellence per te gjykuar per arsyetimet, gjykimet joortodokse te nje artisti ateist(si Dokle) qe nuk e ka haberin e doktrines ortodokse(kjo mund te merret edhe si deshmi elokuente “e pafajsise” te tij).

    Zakonisht veprat denigruese te figurave te respektuara te kishes dhe mesimeve te saj jane bere nga ateiste te deklaruar, sepse jane te vetmit qe nuk dine te mbajne rezerva(e shohin boten ndryshe).

    Cdo tallaz i ngritur nga te dyja krahet me kete rast, eshte pasoje e rrahjes se ujit ne hava(ajer).

  5. U ndalua nuk u ndalua : ‘e ka kush e ka’: loje femijesh…

    Ortodokset nuk perdoren force per te pezulluar nje ‘drame’ . Shenje kulture !

    Pakices i degjohet zeri por nuk ka shumicen per te vendosur: ” me plasi mua cfare thone, une vazhdoj te loz teater”.

    Dokla ka per te shitur ‘kopje’ e ‘bileta’ ne mos neser dhe ‘spaleta’ per ‘k.c.’ e ‘e.z’ .

    Ortodokset gjithmone ne ‘gryke’ te topit se jane ‘greke’.

    Kanali tv ‘news 24’ bene nje reklame per nje emision te ‘patriotit’ Artur Zheji per nje emision te nxjerre nga ‘koshi’ me nje interviste te nje deputeti grek te AiA-s…te perkthyer qellimish gabim…’behuni gati per t’ju pergjigjur grekut…’

    Ortodokset jane shqiptare ne territorrin shqiptar. ( Ashtu si katoliket jane shqipater ne territorin shqiptar e jo italiane, apo te tjera..)

    Respekt per njeri tjetrin e per femijet tane me fe te trazuar.

    Zoti eshte nje: As i Janullatosit, as i Rrok Mirdites e as i baba Mondit…

    Mos u merrni me varkat e vogla te cilat baticat e zbaticat i nxjerrin ne breg e i fusin serish ne det; merruni me vaporet qe po i zuri dallga e madhe ….

    1. Interesant është, përdorimi i historisë si kobure. Ca autorë aty tek Respublica e kanë bërë rrugë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: