REALITETI BANAL

Në një shkrim të ngjashëm me serinë e shkrimeve në PTF BOTË PARALELE (I, II, III), Fatos Lubonja shkruan tek Panorama duke e parë krahasimisht gjendjen politiko-sociale në Shqipëri, me atë të vendeve fqinje Greqi dhe Itali. Në këndvështrimin e Lubonjës, del në pah mungesa e forcave të majta. Dhe këto të konfiguruara në mënyrë të tillë që t’i kundërvihen, sipas Lubonjës – sistemit.

Lubonja i bën një përkufizim atij që e quan sistem:

Më së pari le të them se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “sistem” në Shqipëri. Thjesht dhe qartë atë që kupton edhe Grillo në Itali: politika në shërbim të ekonomisë së fitimit të kastës; politika e kapur gjithnjë e më shumë nga mafia, gazetaria po në shërbim të këtij grupi/kaste, çka në Shqipëri ka marrë trajta shumë herë më të shëmtuara dhe abuzive, por edhe më falimentare. Po ç’lidhje ka e djathta me këtë sistem? Ka, sepse fasada ideologjike që e ndihmoi ngritjen e këtij sistemi ishte e djathtë në kuptimin e kultit të privatizimit si zgjidhje e çdo problemi nëpërmjet privatizimit apo nëpërmjet idesë së zhvillimit si çimentifikim që nëpërkëmbi çdo lloj kujdesi për ambientin dhe cilësinë e jetës.

Gjithashtu, Lubonja flet për realitetin shqiptar në referencë me atë italian, duke thënë, citoj: “të ngjashëm me sistemin tonë – sigurisht, në mënyrë të tillë që ne mund të quhemi kopje banale e thjeshtëzuar e tij”. Më lart në shkrim, të jepet pamja e një elite me trajta të shëmtuara dhe abuzive, akoma dhe më falimentare.

A mos janë këto më sipër arsyet për të cilat qytetarët shqiptarë, nuk po i kundërvihen dot sistemit? Kështu, nëse flasim për shembull për një kastë abuzive, do të ishte me vend të theksonim se sa e tillë është kjo kastë. Kasta e pushtetit është aq abuzive sa qytetarët e saj i vret (21 Janari), madje edhe njerëzit që shkruajnë kundër saj, i bën të kenë frikë. Dhe kasta, meqë çfarë mbjell atë do të korrë, ka edhe vetë – me raste, frikë. Mjafton të përmendim numrin e madh të bodigardëve me të cilët ajo mbrohet dhe rrethohet kudo ku shkon, për kastën e kam fjalën. Kjo kastë madje, i lë protestuesit ndaj saj të digjen dhe të vdesin, vetëm që të mos hyjë në bisedime me ta, e kam përsëri fjalën për kastën. Kasta administratën e konsideron si territor të cilin i takon që ta pushtojë me emërime nepotike militantësh, dhe nga ana tjetër, të gjithë ata njerëz që nuk i përgjigjen bindjeve politike – të kastës gjithnjë, e meritojnë të hidhen në rrugë. Kasta gjithashtu ua mohon vullnetin e shprehjes qytetarëve të saj, nëpërmjet manipulimit të votave.

Besoj se vënia në pah e banalitetit që karakterizon kastën politike shqiptare, dhe shikimi parësisht mbi ato elementë që nuk i përgjigjen atij realiteti të pretenduar dhe që po ndryshon me fqinjët, do na jepte ide dhe qëndrime më të sakta ndaj realitetit shqiptar. Kështu për shembull, e dimë rangun e votave që mund të marrë si Cinque Stelle, ashtu dhe Syriza, por “kasta” politike shqiptare, nuk lejon praktikimin e sondazheve. Sondazhet e atij realiteti jo aq banal sa yni, e shprehin qartë vullnetin e qytetarëve. Madje ajo kastë, dhe ai sistem në këtë mënyrë, shfaq bindjen se gjithsesi e çfarëdo gjëje të ndodhë, është e nënshtruar ndaj vullnetit të qytetarëve që u kërkon votën. Ndërsa tek ne ligjin e bën tyta e pushkës.

Tyta e pushkës madje, i jep përgjigje fillestare dhe pyetjes: pse nuk ka parti të majta? Parti të majta si filozofi veprimi. Syriza është e majtë vërtet, nuk e di për Cinque Stelle, shumë thonë se është lëvizje populiste; por ndërsa Syriza shfaqet e grumbullon njerëz para parlamentit grek, dhe në fund e di që indinjata e tyre do të përkthehet në vota për të, një protestues imagjinar shqiptar, nuk është i sigurt se nëse proteston para kryeministrisë, do të shkojë në shtëpi i gjallë apo jo?

Realiteti italian dhe grek, e ka mundësinë që t’i bëjë vetes një diseksion. Ka mundësinë të shfaqet përmes refleksionesh të vetes. Loja me sondazhet dhe shifrat që pretendon të marrë çdo lëvizje politike, i bëjnë një pasqyrim të saktë realitetit. Kështu për shembull, nëse themi se zonat urbane dhe të rinjtë urbanë janë ata që presupozohet të votojnë për Syriza, nuk kemi fakte të sakta, se cilët do ishin ata që do votonin për ndonjë prej partive të sistemit. Cili është arketipi i votuesit të PD-së, apo PS-së? Këto mund t’ia lëmë hamendjes dhe imagjinatës, me një kosto të lartë shumë herë paragjykimi. Kur thuhet se Agimi i Artë, ka rritje ndër votuesit analfabetë, apo ata që nuk e kanë një diplomë të shkollës së lartë (13% rritje sugjerojnë sondazhet), kjo është këmbanë që bie ndaj sistemit grek të arsimit. Zbulimi i realitetit social përmes shifrave, është temë e gjerë për t’u konsideruar në këtë shkrim, por nëse dikush kërkon një referim të shpejtë se si shifrat ndikojnë akoma në vendosjen dhe ndryshimin e objektivave të një firme biznesi, skuadre sportive, apo një formacioni politik, i sugjeroj librin “Moneyball“, apo filmin me të njëjtin titull.

Një mjet tjetër që stimulon zbulimin e abuzimit me pushtetin (të kastës gjithnjë), është interneti. Kjo temë është jashtë mase interesante për tu diskutuar, e madje do e meritonte që të bëhej veç. Gjithnjë më ka pëlqyer ideja se virtu dhe virtualitet, si fjalë kanë të njëjtën rrënjë. Çka do të presupozonte pra, se interneti do të shërbente si mjet emancipimi. Dhe vërtet, nëse dikush hedh sytë në blogjet italiane dhe ato greke, do të vërente këtë përputhje të virtytit me virtualitetin. Fatkeqësisht për Shqipërinë, nuk flasim dot për të njëjtën gjendje. Ndër sajte dhe blogje online në shqip, gëlojnë gjithfarë gjallesash, të cilat vetëm virtyt nuk mund të thuhet se shfaqin me prezencën e tyre. Me internetin duhet bërë kujdes i veçantë, sepse nëse në botën perëndimore është mjet që sugjestionon emancipim, kulturë, interaktivitet, shkëmbim dijesh, eksperiencash dhe reagim civil, në Shqipëri kjo ndërshfaqje, ky zbulim i vetes e sidomos veseve së pari, ka rrezik të sjellë kolaps social. Shembujt sesi interneti kthehet në bumerang, gjenden plot… online. Kështu Gjergj Erebara shkruante para disa kohësh për “Dizinformatorë me kohë të plotë“, një transformim i mjetit teknologjik, nga mundësia për të ofruar diçka më shumë dhe më të mirë, në një mjet shantazhi më tepër. Gjithashtu, shumë konflikte dhe zënka të vogla janë vënë re, pas shkëmbimit të mesazheve në facebook, apo media të tjera sociale. Në mediat mainstream, nuk i është dhënë rëndësia e duhur internetit dhe efekteve që ky krijon tek njerëzit. Për mua personalisht, kjo çështje është shumë e rëndësishme, dhe kam hapur një blog posaçërisht për këtë. Do të veçoja për shembull, një postim që flet për mitin e Prometeut dhe zjarrit, apo Adamit, kur ky i fundit zbuloi se ishte i zhveshur.

Diku në shkrim, Lubonja shprehet sesi të rinjtë grekë i mbyllnin prindërit në shtëpi, që këta të mos votonin për partitë e vjetra. Anekdota vazhdon më tej, dhe sugjeron se votat e marra nga Pasok dhe ND, ishin të atyre prindërve që u kishin shpëtuar duarsh, meqë nuk i kishin lidhur mirë. Sigurisht, në këtë veprim të supozuar të të rinjve, qoftë vetëm anekdotik, ka një lloj arrogance – por të justifikuar dhe tek e fundit emancipuese. A mund të imagjinojmë një skenar hipotetik dhe të ngjashëm me këtë më lart, për të rinjtë shqiptarë? Mua nuk më duket rasti. Greqia ka një sistem të konsoliduar arsimor kombëtar, që i ka dukuritë e veta negative dhe këto janë shumë, por ama ofron një cilësi shumë të vyer, atë që i bën të rinjtë të pavarur në mendime dhe ide politike. Universitetet në Greqi, janë institucione që kanë mundësi të prodhojnë zgjidhje të krizave, ashtu siç dhe po ndodh. Po nëse flasim për sistemin arsimor shqiptar, do duhet të flisnim për makineri pastrimi parash dhe prodhimi masiv diplomash. E këtyre të rinjve, dhe qytetarëve me përgjegjësi politike në të ardhmen, që kanë lejuar shkëmbimin para-diplomë, duke shmangur dijen, ka për tu ngelur veç arroganca – që është tipar global sidomos i atyre të lindur në epokën e internetit, apo siç quhen ndryshe digital natives.

Që t’i rikthehemi pyetjes fillestare të Lubonjës, se pse nuk ka lëvizje, apo parti të majta. Në realitetin tonë, shumë banal dhe kopje e keqe e atij italian (sic), e vërteta është gjithashtu banale. Divergjenca ndaj abuzimit politik të “kastës”, pritej gjithnjë të vinte nga brenda (klanit). Pritej pra, që kjo politikë e… kastës në pushtet, të krijonte pakënaqësi brenda atij grupimi njerëzish që ca kohë më parë e kishin mbështetur. Mbase sepse atë që Lubonja e konsideron sistem, këta që sot i janë shtuar opozitës, e konsiderojnë të ndryshëm nga çka ka Lubonja në mendje. E kam fjalën që opozita e re, u flet dhe i thotë me emër tjetër “kastës”, dhe ndaj kësaj bën oponencën. Ndërsa e majta alternative, periferike ndaj mainstream-it të politikës, u konsumua mjaft, ashtu si Lubonja vetë, për të barazuar si pushtetin ashtu dhe opozitën, e kështu doli jashtë orbitës për tu konsideruar alternativë e mundshme. Këta, megjithëse kundër privatizimeve, nuk e ngritën zërin një herë të vetme ndaj vjedhjes së zgjedhjeve në 2009-ën. Kështu, opozita nga ana e djathtë e politikës, u doli përpara. Edhe vetë Bamir Topi atëherë president, e likuidoi pretendimin për vjedhjen e zgjedhjeve të 2009-ës, me një grimasë. Ndërsa sot e sheh të bëjë apel ndaj ndërkombëtarëve për shpëtimin e zgjedhjeve të ardhshme, çka është vënë në axhendë dhe kusht nga ndërkombëtarët për marrjen e statusit kandidat. E vërteta pra, duket se është banale, ashtu si realiteti.

Nuk ka komente

  1. Njeriu eshte teper egoist per te qene i majte, madje behet i majte per shkak te egoizmit.
    Me shkoqur, eshte identiteti ‘i tij’ ekonomik qe e nxit te behet i majte, tek e majta ai shpreson te nxjerre perfitimin e tij personal.

    Ndersa borgjezi qe behet i majte, ka edhe ai arsye te forta personale, qe behet i tille, ne pergjithesi sepse ka me shume shanse te dale ne pah sesa punetori, per shkak te shkolles e njohjeve. Borgjezi i majte, ka shansin te kete pushtet.

    Pastaj me kalimin e kohes, rolin kyç e luan trashegimia, dmth e majta kalon nepermjet gjakut, si kalojne rendom shumica e bindjeve politike apo fetare.
    Natyrisht edhe ketu kemi interesin personal, shfrytezohen njohjet e prinderve, miqesite, por edhe krijohet menjehere tek i riu ndergjegjesimi qe jashte te majtes i ka dyert mbyllur apo do te kete kosto shume te larte qe t’i hape.

    Votuesit ne masen derrmuese nuk i njohin fare sterhollimet doktrinore te politikes, nderkaq dine fare mire se ku qendron interesi i tyre i menjehershem.

    Shteti ne krize nuk ka nge per alternativa te majta e te djathta, atij i duhet alternativa racionale, pa pare fare ne sy origjinen.
    Natyrisht shteti kapitalist nuk mund te marre si racionale per daljen nga kriza, zhdukjen e vet, dmth ndonje revolucion komunist.

    Greqia e Italia nuk kane rene pre te sistemeve te tyre politike, kjo eshte rrene, ato kane rene pre te spekullatoreve si kategori.

    Ne kohe krize perfitojne spekullatoret. Nderkaq spekullatoret kane nja 30-40 vjet qe jane ngritur ne motor te ekonomise. Ata thjesht shohin qe habitati i tyre natyror eshte kriza dhe kemi nja 5 vjet qe degjojme fjalen krize, qe jane vetem fillimi, fjala krize do jete si i thone kryeshenjuesi i nje brezi.

    Kastat politike ne Greqi e Itali, jane vete viktima te spekullatoreve nderkombetare, dmth bankiereve dhe financiereve te çdo lloji.
    Populli normal qe do piketoje kastat, politikanet ne pergjithesi, por ne fakt ata s’kane asnje faj te rendesishem, perderisa nuk komandojne.

    Kina ka nje kaste te konsoliduar mire, por s’ka pyetur per krizen, pikerisht sepse ajo kaste komandon dhe nuk i ka lene spekullatoret nderkombetare ta bejne Kinen lesh e li.

    Tek ne, ka apo s’ka te majte, s’ka pike rendesie per mbarevajtjen e puneve.

    Ceshtja eshte si te perputhet ajo shumesi interesash personale me demokracine dhe me rezistencen ndaj spekullatoreve nderkombetare.

    Problem esencial eshte rendja e shqiptareve drejt pasurimit te shpejte, e cila si dukuri lidhet me jashteligjshmerine e spekullimin dhe shume pak me punen e ndershme dhe ligjin.

    Kasta jone eshte e ndertuar mbi kete parim udherrefyes, pasurimin e shpejte, pra mbi jashteligjishmerine dhe spekullimin. Ajo ushqehet nga vete shqiptaret te cilet duan pasurim te shpejte apo te hane buke rehat pa shume mundime.

    Pra shumesia e interesave personale ne Shqiperi, nuk perputhen as me demokracine dhe as me rezistencen ndaj spekullatoreve nderkombetare, nga edhe ku do kemi nje jodemokraci dhe zhytjen e pashmangshme ne krize.

    Pastaj si e zhvillon luften e brendshme per pushtet kjo kaste, ajo eshte fare e parendesishme per fatet e vendit dhe ardhmerine e tij.

      1. Me thene te drejten i kalova vertikalisht asaj qe shkrove, po ngaqe po mendoja rreth krizes, mora shkas nga artikulli per te shkruar ate qe po mendoja.
        Po te t’kisha lexuar do isha mjaftuar me ndonje amen si koment.

        1. Meqe jemi ne teme, sot Lubonja ka bere nje shkrim qe i afrohet mjaft atyre qe kam shkruar me lart. Po shkepus kete pjese:

          – Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta?

          Ai shtron pyetjen, ndersa une kam pergjigjen; po, do te triumfojne.

          Kriza nuk eshte krize e mirefillte, perndryshe ne 5 vjet do i kishte vene poshte te gjithe ose do ishim duke e kapercyer.

          Ne me krize po quajme ne fakt nje sistem te ri, i cili bazohet tek koncepti i pasigurise.

          Deri dje, njeriu bente gjithçka per te pasur siguri, nje shtepi e nje pune te sigurte, sistemi bazohej tek tek nje grafik gjithnje ne rritje te ngadalte, me ndonje ulje 6 – 18 mujorshe, sa llogariten krizat fiziologjike.

          Tani, spekullatoret e kane kthyer grafikun e sistemit ne nje fare grafiku sinusoidal, qe i afrohet grafiqeve te burses, çdo ore ka 20-30 ulje ngritje.
          Ne fund te dites, mund te perfundoje me 1-2% renie apo ngritje, por fale ulje-ngritjeve spekullatoret kane perfituar parane e dynjase, shume me teper se 1-2 % i ngritjes.

          E njejta gje po ndodh me trimujorshet ekonomike, ndonje eshte me -0.2% ndonje me + 0.2%, ndonje me +0.5% e ndonje me – 0.5%.

          Ne kete pike, ajo qe duhet pranuar me se pari eshte se Politika si e tille, tashme ka vetem çelesat e kashtes.

          Ka nja 20 vjet, qe ekonomistet e snobojne politiken dhe kerkojne ta marrin ne dore sistemin, bankiere e financiere i kane kthyer politikanet ne buratinet e tyre.

          Berluskoni, i cili kishte votat te marra demokratikisht, e dha doreheqjen sepse nuk arriti t’i beje bankiere e financiere te paguajne ”taksen e solidaritetit” dhe nga Europa Financiare i erdhi ultimatumi.
          Jo rastesisht Mario Monti eshte njeri i mirenjohur i Europes Financiare.

          Sot per sot t’i biesh politikaneve eshte si te godasesh nje rob te shtrire perdhe.

          Para 4 vjetesh, na u be Obama njeriu me i permendur i blogut, kesaj radhe u rizgjodh dhe ne blog s’u permend 1 here te vetme kjo gje.

          Ne fakt, Obama sado qe eshte politikani me i fuqishem i botes, nuk mund te ndryshoje dot asgje thelbesore dhe kete duket se po e kuptojne gjithnje e me teper njerez.

          Me e bukura eshte se ndersa para 4-5 vjetesh te gjithe analizonin me frike nje rrjedhje te demokracise, tani qe kjo rrjedhje eshte e dukshme, te gjithe kane frike ta vene ne dukje.

          Lubonja eshte te pakten aq i guximshem sa te thote:

          – Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi.

          Pra, me e bukura eshte se njerezit e ndergjegjesuar e ndiejne veten te shantazhuar nga historia per te kerkuar alternativa ndaj rrjedhjes se demokracise.

          U pelqen te perkedhelin iluzionin se po te zgjedhin politikane te tjere, te ndryshem nga keta felliqesirat qe jane, atehere gjerat mund te ndryshojne.

          Mirepo, tashme ka ndryshuar krejt stuktura socio-ekonomike qe mbante gjalle demokracine.

          Ka ndryshuar ne radhe te pare elita ekonomiko-politike, s’kemi me sipermarresin qe vepronte ne territor, me ate industrine e tij, ku i duhej te merrej me problemet e punetoreve, e shtynte shtetin t’u jepte punetoreve
          shtepi me qera te lira apo kredi te subvencionuara, e per kete pranonte taksa mbi fitimin edhe mbi 50%.

          Ne France, Itali, Greqi etj, ish-elita industriale sado qe kishte pushtetin pranonte taksa te tipit 50%.

          Sot, shteti nuk guxon te vere nje takse mimimale mbi prodhimin financiar. Elita e re nuk do taksa mbi fitimet e veta kolosale.

          Europa e me gjere Perendimi po humbet esencen e demokracise, sepse politikane pa pushtet real mbi ekonomine do te thote qe vota popullore eshte thjesht nje formalitet.

          Shteti ka humbur te drejten per te rregulluar ekonomine, po merret me aspektet e tjera te jetes.

          Prandaj, qe ne çastin kur shteti nuk eshte me rregullator, qe ne ate çast humbet krejt kuptimin ndarja politike e bazuar tek identiteti ekonomik, pra humbet kuptimin ndarja e majte- e djathte.

          Nje shtet qe e le ekonomine te hece vete e te veterregullohet, pak a shume nje shtet smithian, nuk ka nevoje per votues te majte e te djathte.

          Ne fakt, humbja e kuptimit te ndarjes e majte-e djathte, nuk do implikonte aspak rrjedhjen e demokracise, sikur kjo humbje te mos nenkuptonte humbjen e autonomise se politikes nga ekonomia.

          Nuk eshte se ekonomia po shkeputet nga kontrolli ‘prinderor’ i shtetit, ekonomia po e kontrollon plotesisht shtetin nepermjet raportit epror- vartes, financier-politikan.
          Pra ekonomia financiare eshte bere rregullatore e shtetit, gjithe masat qe shteti merr, duhen analizuar me se pari ne funksion te Finances, madje edhe ato qe ne pamje te pare s’kane fare lidhje me Financen.

          Ashtu si virusi nderhyn ne ADN-ne e qelizes dhe e detyron kete te prodhoje proteinat qe i duhen virusi per t’u riprodhuar, ashtu edhe Financa e ka kapur shtetin dhe e detyron te prodhoje masa e ligje qe i duhen asaj.

          1. Ia lexova shkrimin Lubonjës, dhe më bëri të buzëqesh. Do kisha dëshirë t’i vija shtupë gojës, egoizmit dhe paranojës (qoftë kjo pozitive) dhe të mos e konsideroja si një lloj replike në distancë. Nuk po mundem. Hajt mo, po ia shkel një herë syrin ;), nuk u bë qameti.

            Po e rilexoja para disa ditësh në fakt, në një replikë të tijën të vjetër me Kadarenë, dhe nga ana tjetër po i kërkoj falje, meqë dikur kisha mendim të ndryshëm me të, përsa i përket revizionizmit të miteve e të tjera.

            Në shkrim ama më ka habitur, sepse nëse për çështje të tjera si këto të kombësisë, racizmit etj, është mjaft progresiv, këtu duket habitshëm konservator. Këtë çështje që shtron ai, unë e shoh parësisht ndryshe. Kjo që po ndodh me virtualizimin e të përditshmes, mjeteve të punës, mënyrës sesi i krijojmë marrëdhëniet etj, përmblidhet në atë që quhet “future shock”. Po na jepet një mjet i ri, siç është interneti, me të cilin i krijojmë marrëdhëniet me njeri tjetrin, por nga ana tjetër mund të biem pre e manipulimeve. Kush e mban mend për shembull, sa herë vizitonte dikush sajte të ndryshme, dilte një mesazh që thoshte “You are the lucky winner”! Kush i mban mend akoma, ato “chain mails” të cilat po nuk i shpërndave në 100 veta, diçka e tmerrshme do të të ndodhë etj? Ok, këto ishin forma “primitive” të manipulimit, po sa njerëz i kanë pasur nëpër inboxe të e-mailit këto broçkulla? Mos i sheh gjë vërdallë tani? Tani ka forma të tjera manipulimi, si spekulimi virtual i financave etj. Po bota e ka kaluar këtë gjendje edhe më parë. Për shembull, në vitet 40-45 me procesin e masivizimit dhe industrializimit, bota i shpalli vetes një luftë botërore.

            Lubonja, nga ana tjetër, po duket se gjen ngushëllimin e përhershëm refrenin e të gjithë shkrimeve, “të gjithë janë njësoj” dhe po përpiqet t’a internacionalizojë. Nuk bind. Ti si Akëist, ça mendimi ke për këtë të fundit?

            Mendimi im është se konformizmi, konservatorizmi, të kthyera në ndjesi të tilla si frikë, stepje për të jetuar në modernizëm, do të jenë ndjenja që do luhet me to gjatë vitit të ardhshëm zgjedhor, shumë madje.

            1. Une te shtroj pyetjen, pse demokracia nuk po çan dot ne Shqiperi apo eshte ne tkurrje ne Hungari, Poloni e Rumani ? Pse demokracia falimentoi ne vendet islamike ?
              Pse Neodemokracia dhe Pasoku e dhjene mu ne te deshiren e grekeve per te ndryshuar , duke bere aleance me njera-tjetren ?

              Pergjigja eshte se demokracia ha humbur force ne vendet nga rrezaton dhe rrezet e saj s’kapin dot as Shqiperine.

              Prandaj Sala mund te beje antidemokratikun dhe te lihet ne pushtet prej nderkombetareve, te cilet per si eshte strukturuar gjithnje pushteti ne Shqiperi, kane aq fuqi sa ta hedhin poshte Berishen.

              Ketu s’eshte aspak çeshtja tek te jetuarit ne modernizem e tekonologji, sepse edhe kinezet kane internet e po jetojne me te mirat e teknologjise, po ashtu Arabia Saudite, Emiratet e nje thes me vendje te tjera, te cilat megjithate nuk jane demokratike.

              Sociologet flasin per atomizim te marredhenieve sociale, nderkaq Lubonja veren se njerezit e shek 21 s’kane me kauza te perbashketa.

              Kjo elite e re financiare, per here te pare ne histori nuk ka marredhenie te drejtperdrejta me le te themi te shfrytezuarin.

              Ti nuk e di qe je i shfrytezuar, ose me mire s’di kujt t’i vesh gishtin, sepse ai spekullatori fale teknologjise eshte i padukshem.

              Perpara, skllavi piketonte skllavopronarin, bujkrobi feudalin e vet, punetori sipermarresin.

              Po tani ke po piketon, zotrote ?

              Tani te gjithe po piketojne politikanet, te cilet jane vetem samari.

              Hiq tek-tuk ndonje proteste keshtu te pergjithshme apo ndonje irritim te çastit ndaj bankes se vet, te gjithe i falen elites se re dhe shajne mbare e prape politikanet.

              Per here te pare ne histori, ne besojme verberisht tek shfrytezuesit tane, u besojme parate, u besojme kredive qe na japin.

              Per here te pare ne histori, as nuk mund te behemi dot bashke si trup i te shfrytezuarve, si me thene ndonje forme sindikate, sepse shfrytezuesve tane u kemi dhene parate me deshiren tone.

              Une çuditem sesi ti si komunist, nuk e ke vene re qe po i falesh shfrytezuesit tend ?

              Dhe gjithe ky perversitet, sepse eshte perversitet t’i falesh shfrytezuesit tend, eshte produkt i teknologjise, ndersa ne nuk kemi aftesi te bejme asgje per ta kthyer teknologjine ne avantazhin tone.

              Ne jetojme modernizmin, kemi edhe politikanet si koke turku per gjithe te keqijat, rol me te cilin tashme gjithe politikanet jane mesuar dhe po e luajne per bukuri.
              Vetem shfrytezuesit tane mos t’i prekim, kupton ti.

              Keta duan te bejne ligje ku nuk mund te behen blerje me me shume se 100 euro ne kesh, gjasme kunder evazionit fiskal, kur qellimi i tyre eshte te marrin ate perqindjen e tyre per blerje me karta krediti.

              A te mos duash karte krediti, je troglodit qe nuk jeton modernizmin, po ne fakt fiton ai miku qe ka karten e kreditit dhe banka jote ku kalon parate.

              Nuk eshte puna tek modernizmi, ketu eshte çeshtja se kur u beson parate e tua spekullatoreve, atehere demokracine ua ke besuar 100 here.

          2. Le ta shikojme njehere nga ana e kundert, jo si virus.

            Po te shikohet historia, sistemet ekonomike ndryshojne sepse ndryshojne elitat ekonomike.
            Skllaveria u kthye ne feudalizem sepse pasaniket pane qe koloni/bujkrobi jepte me shume fitim sesa skllavi.
            Kapitalizmi çau pasi elitat borgjeze qe kontrollonin industrine po fitonin me shume leke sesa fedualet me token.
            Kjo forme e sotme e kapitalizmit po triumfon sepse elita qe kontrollon financat po nxjerr me shume leke sesa borgjezia industriale me prodhimin, aq sa e kane vene perposhte kete te fundit.

            Ndersa kalimi nga skllaveria tek kapitalizmi prodhues, solli gradualisht liri me te madhe per njeriun e thjeshte, derisa e beri edhe votues te sistemit demokratik, kjo forme e sotme e kapitalizmit po e fillon jeten e saj duke i hequr njeriut esencen e votes.

            Nga pikepamja hegeliane, ketu do kishim nje paradoks, sepse historia nuk del si rrugetim drejt Lirise.

            Qe Hegeli te vazhdoje te kete te drejte, kjo elite e re duhet te jete me e prirur drejt lirise sesa elita industriale, dhe kete krize ta konceptojme si nje faze e domosdoshme e elites se re per te vene perfundimisht e pakthim poshte eliten e vjeter industriale, pra kriza si nje ngritje temperature e trupit njerezor, per te asgjesuar semundjen dmth eliten e vjeter industriale.

            Ne fakt, nga nje kendveshtrim njeriu i sotem eshte me pak territorial se njeriu i vjeter i lidhur me fabriken apo me vendin e sigurte te punes, pra eshte me i lire. Ne fakt, siguria dhe liria jane kontradiktore ne nje pjese te madhe te shtrirjes se tyre.

            Pameshiresia e pangopesia e elites se re, mund te lidhet me nevojen e saj per te nxjerre sa me shume fitime ne fazen fillestare, qe te arrije te mposhte eliten e vjeter, si beri elita industriale ne fazen e pare, kur i trajtonte punetoret me keq sesa feudali bujkrobin.

            Problemi me kete intepretim eshte se elita industriale erdhi bashke me demokracine, dmth e pa demokracise funksionale ne luften e vet kunder feudalizmit, e ushqeu dhe perkedheli demokracine sado qe ne formen perfaqesuese.

            Kjo elite e re, nuk ka nevoje per demokracine ne luften per pushtet ndaj elites industriale. Nuk ka nevoje as per nacionalizmin sikunder pati elita industriale kunder feudalizmit.

            Per cilin sistem politik e cilen ideologji ne themel te shtetit ka nevoje elita e re ?

            A ka ndonje sistem ku njeriu mund te jete me i lire sesa demokracia borgjeze e shteteve kombetare, keshtu qe elita e re te jete brenda llogarive te Hegelit ?

            1. Mirë, në këtë mënyrë si e shikon ti, dakord. Qoftë konservator, është evolucionar këndvështrimi. Çështja është, se kalimi nga etapa në etapë, nuk është bërë njëtrajtësisht. Dhe konvertimi nuk është kthyer plotësisht. Ne vërtet flasim për industrializëm, po sa % e popullsisë ka marrë pjesë në këtë proces? Sa % është industrializuar? Në një analizë evolucionare, prej shteteve të prapambetura atëherë, procesi i evolimit nga një etapë në tjetrën, ka qënë aq më i dhimbshëm sa i prapambetur ka qënë vendi.

              Thuhet për Kinën se është bërë superfuqi, por këta futuristët që e analizojnë situatën nga brenda, po shohin se në të ardhmen do të ketë “clash of waves”. Çdo epokë (wave) – feudale-bujkrobërie, industriale dhe post-industriale, është e përfaqësuar nga klasa të veçanta, konfliktuale midis tyre.

              Në këtë kontekst, duhet parë se sa progresive është një shoqëri e caktuar apo kulturë, sa i përshtatet të resë. Shiko  se çfarë bëhet në Estoni për shembull.

              E gënjen dot njeri estonezin si bën ajo kompania italiane me Lubonjën? Mua nuk më duket se do mundej.

              Dixhitalizimi i një vendi, për mendimin tim, duhet trajtuar me të njëjtën rëndësi që i jepej dikur alfabetizimit.

              Si do krijohen komunitetet më pas? Nëpërmjet ETIKËS, virtytit, dëshirave, qëllimeve të përbashkëta, etj… Disa thonë se nuk do jenë nacionale komunitetet e së ardhmes. Do i përgjigjen një kulture të përbashkët. Dhe e dhëna e përbashkët që kanë shqiptarët dhe që, tek e fundit do i “detyronte” të ishin përsëri komunitet, do ishte gjuha e para. Përkushtimi më i madh ndaj shqiptarisë në këtë moment, duhej të ishte krijimi i individëve të lirë dhe të aftë për të jetuar në mbarë botën, për ta kapur për frerësh këtë lloj bote të re, dhe frytet do vijnë më pas. Gjëja më e keqe e mundshme do të ishte e kundërta, lavde injorancës, konservatorizmit, konformizmit etj…

  2. Lubonja gabon rende kur e krahason sistemin te cilin pershkruar, si nje kopje e atij Italian/Grek. Ai eshte nje sistem i gatuar ne Washington DC, bash si rekomandon i ashtuquajturi “Washington consesus” parulla e te cilit eshte “stabilizo, privatizo,liberalizo”. Te tre keto terma degjohen rendom ne Shqiperi.

    Simboli i Konsesusit te Washington eshte Kili, qe ne fakt ndoqi nje variant fashist te politikave te ‘shpallura’ prej Konsesualisteve.

    Tani, une ve bast koken qe Gramoz Pashko ishte nxenes ne Washington DC, dhe ai se bashku me Fatos Nanon (te dy ekonomiste te pergatitur) jane jo vetem nxenes por BESIMTARE. Andaj nuk ka parti te majta dhe te djathta ne Shqiperi. Thjesht te dy krahet kane ngrene sapunin per djadhe.

    Ndryshe puna ne Itali dhe Greqi, ku e majta dhe e djathta jane parimore dhe prodhojne politika ne pershtatje me parimet e tyre.

    1. Besoj se ndikimi kulturor, qoftë për efekt fqinjësie, është i pamohueshëm. Po sigurisht që ka ndikuar rënia e sistemit të vjetër dhe ato veçantitë që përmend për këtë të riun. Ka dhe arsye të brendshme specifike pse tranzicioni po vazhdon kaq gjatë. Një ndër to për shembull, është vullneti i një pjese të madhe njerëzish për të mos pasur shtet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin