OMËLETË APO SYZE?

Për lajmin e vezës, që u përhap me shpejtësinë e vetëtimës, shkrova praktikisht në kohë reale (PTF, 21 shtator 2012). Ditën kur delegacioni i kryesuar nga kryeministri Berisha, shkoi në drekën e shtruar nga homologu italian Monti, gazetat në linjë njoftuan me të madhe se makina e kryeministrit Berisha ishte qëlluar me vezë. Sipas këtij lajmi, kishte qenë dikush nga aktivistët e Aleancës Kuqezi, që protestonin me pankarta në duar, që e qëlloi shefin e qeverisë shqiptare me vezë.

Mua më bëri përshtypje fakti se si lajmi jepej kaq ndryshe në media. Disa e vunë lajmin e vezës për orë të tëra në faqe të parë, të tjera as e përmendën fare vezën, por u përqendruan kryesisht tek protesta. Dy nga mediat (Top Channel dhe Shqiptari i Italisë), të paktat media shqiptare, ndoshta të vetmet, që kishin gazetarë në vendin e “ngjarjes”, u kufizuan me njoftimin e vizitës dhe të protestës. E dyta, në faqen e vet online, pasi u pyet nga një lexues, saktësoi se makina e kryeministrit nuk ishte qëlluar me vezë.

Vëmendja ime përqendrohej vetëm tek mediat, tek pasqyrimi i realitetit dhe qëndrimi ndaj fakteve. Nuk merresha aspak me aktin në vetvete, d.m.th. nëse ishte apo jo e drejtë goditja me vezë. Në fakt, gjërat duhet të kenë një rend logjik. Fillimisht duhet të ndodhë diçka e pastaj të flitet ngjarjen, qoftë duke i interpretuar ose gjykuar faktet. Por a mund të flitet për diçka që nuk ka ndodhur? Patjetër, veçse duhet deklaruar se po supozojmë, po flasim për ide të mundshme ose hipoteza. Mirëpo, këto shkrime nuk mund të hyjnë kurrsesi në rubrikën e lajmeve. Çfarë lajmi përbën diçka që s’ka ndodhur në realitet? Monopolin e këtyre lajmeve e kishte dikur agjensia e famshme “Obobonews”, që e ka ndërprerë përkohësisht aktivitetin për “mungesë fondesh”.

Që t’i kthehemi seriozisht çështjes sonë, duhet të themi se historia e vezës nuk mbaroi me shkrimin tim, që kishte synimin modest t’u tërhiqte vëmendjen mediave se ngjarjet janë ngjarje, se faktet janë fakte, se duhen pasqyruar si të tilla, duke iu përmbajtur realitetit, mundësisht nëpërmjet etikës profesionale. Përfitova gjithashtu nga rasti t’i ftoja mediat shqiptare që të mos sillen më si shtojca të zyrave partiake të shtypit. Ka televizione që transmetojnë pa kufizim kohor deklarata të mërzitshme zëdhënësish, që për nga egërsia ngjasojnë me shpalljet e luftës, pa asnjë lloj filtri për publikun, madje pa i ulur as volumin e zërit të çjerrë. Ka gazeta që përdorin vetëm aplikacionin kopjo/ngjit me deklaratat e partive. I japin siç janë, pa hequr pika, pa vënë thonjëza. Të kuptohemi, nuk ka asgjë penale në këtë mes, por ky qëndrim pritet zakonisht prej mediave partiake, jo nga të tjerat, që pavarësisht nga orientimi politik, duhet t’i përmbahen deontologjisë profesionale.

Historia e vezës, pra, vijoi me editorialin e gazetarit Mero Baze, i cili shkruante në “Tema” (22 shtator 2012):

Në disa komente online, por dhe mesazhe të miqve të mi prej ditës së djeshme, është shtuar shumë pyetja “a e zuri veza e atij aktivistit të AK Berishën në Romë? Gazeta Tema botoi një foto të momentit kur ai po gjuante makinën, por nuk kemi një foto të makinë së bërë me vezë. Me gjasa mund dhe të mos e ketë zënë, ose nuk është fotografuar nga shpejtësia e madhe me të cilën është larguar.

Jam i sigurtë se nuk i referohej shkrimit tim, sepse unë nuk pyesja nëse e zuri apo jo veza Berishën, pyesja përse pasqyrohej ndryshe i njëjti fakt. Më pas Baze shtonte:

Problemi nuk është të hetojmë deri në detaje skenën e gjuajtjes me vezë apo me miell. […] Edhe në rastin e vezës së hedhur ndaj tij në Romë, nuk ka shumë rëndësi fakti se deri ku arriti veza, a e preku makinën dhe a mbrojti policia italiane, por ka rëndësi fakti që atij i është prerë oreksi tek dreka e kryeministrave që e priste pas portës së hekurt, ku u qëllua me vezë.

Për mendimin tim modest detajet e skenës janë shumë të rëndësishme. P.sh. në rast se kamerierit në drekën e Montit i bie padashur omëleta ose veza syze në prehër të Berishës, nuk mund të shkruajmë se kryeministri shqiptar u godit me vezë të rrahur. Në rast se protestuesit e AKZ-së kanë vezë në xhep nuk mund të themi se qëlluan makinën e Berishës, por mund të pohojmë se protestuesit kishin marrë vezë me vete për ta goditur kryeministrin, çka nuk ndodhi, ta zëmë, për aksh arsye. Pastaj, sinqerisht, oreksi i Berishës nuk i intereson kujt, përveç dietologut të vet; publikut i interesojnë aktet e tij si politikan, pra me rëndësi e pasoja për qytetarët shqiptarë.

Pak ditë më vonë, gazeta “Shqip” (26 shtator 2012), botoi artikullin me titull “Veza e padukshme” të Irida Camit. Korrespondentja e “Top Channel”-it, që dikur ka punuar për BBC-në në shqip, shkruan në cilësinë e gazetares dëshmitare, në kuptimin që ka qenë personalisht atje ku u pretendua se u godit me vezë. Ja çfarë dëshmon me detaje të dobishme, pa harruar të na kujtojë se vizita e Berishës do të kishte kaluar në heshtje sikur të mos kishte qenë protesta e aktivistëve të Aleancës Kuqezi:

Një grup të rinjsh me flamuj dhe banderola u vendosën pranë kavaletave, objektivave, lap-topëve të ne gazetarëve, që sipas rutinës kishim zënë “pritë” në hyrje të Villa Pamphili. Hyrja kryesore ndodhet në një rrugë të ngushtë me qarkullim shumë të ngjeshur. Aq sa kur një kameraman apo fotograf ka nevojë të kapërcejë rrugën për të kapur një pamje më të zgjeruar, dy policë bashkiakë ndalojnë makinat. Atë ditë, prania e pesë kryeministrave në drekën e shtruar nga shefi i qeverisë italiane, Mario Monti, kishte tërhequr një grup gazetarësh italianë, spanjollë, gjermanë dhe shqiptarë.

Më pas vijon:

Kur sirenat e fuqishme të motoçikletave të policisë paralajmëruan afrimin e delegacioneve, parullat dhe banderolat e djemve dhe vajzave të Aleancës Kuq e Zi, ishin gati. Ishin gati edhe ata, të veshur me bluzat e tyre të bardha me logon e partisë dhe me flamurin kombëtar të shpalosur, siç ua do riti. Flamuri i vogël kuqezi që, sipas protokollit, valëvitej në shtizën e vogël në të djathtë të makinës qeveritare, ishte shenja e mbërritjes së Kryeministrit Sali Berisha. Nga automjeti, në kalim e sipër, ai përshëndeti grupin e vogël të aktivistëve dhe pas një kthese në të majtë, makina u fut në vilë.

Gazetarja Irida Cami dëshmon me përgjegjësi:

Këto janë sekondat që na shtyjnë ne gazetarëve të presim jashtë, pasi kemi bërë një stand-up, janë çastet për të cilat bëhet udhëtimi, shkëmbehen dhjetëra e-mail e telefonata, pritet në diell apo në të ftohtë, janë pikërisht këto momentet që duhen xhiruar për të montuar një kronikë, aq më shumë kur mungon konferenca për shtyp si këtë herë. E pra në këto çaste që unë xhirova, nuk fluturoi as vezë e asnjë tjetër send drejt makinës së Kryeministrit. Këtë mund ta them me siguri dhe pamjet, të transmetuara po atë ditë në edicionin e lajmeve në “Top Channel”, flasin vetë.

Më pas, me ndershmëri intelektuale, duke e paraprirë kundërshtimin, e pranon se edhe mund të ketë gabuar e ndoshta nuk e ka parë vezën.

Dikush mund të pyesë: ndoshta nuk e ke parë vezën? Them se kur nga një grup prej më pak se dhjetë vetash dikush hedh një vezë a diçka tjetër, nuk mund të mos dallohet. Në mos unë, do e kishin dalluar të parët, dhe natyrisht që do të kishin ndërhyrë, agjentët e sigurisë së Kryeministrisë, të cilët disa herë ftuan të rinjtë kuqezi të mos rrinin fare ngjitur me hyrjen e vilës, sepse ishte e rrezikshme për shkak të qarkullimit të makinave. Po nëse agjentët atë ditë paskan qenë tepër të fjetur e zemërgjerë, çasti do ishte kapur nga kolegët e televizioneve të tjera që ndodheshin aty dhe që u interesuan edhe më parë, madje xhiruan pamjet të këtij grupi të rinjsh që po priste Kryeministrin shqiptar.

Bashkohem me shqetësimin e Camit se në media nuk u vu në dyshim ngjarja në vetvete, edhe pse in loco kishte disa gazetarë që mund të dëshmonin pa vështirësi.

Pyetja e kishte kapërcyer pragun e dyshimit, tani duhej marrë vesh “a goditi apo jo veza Kryeministrin, u bë pis xhaketa apo xhami i makinës?”. Paçka se në vend kishte një grup gazetarësh, që mund të dëshmonin të kundërtën. Paçka se një orë pas episodit të shumëfolur faqja në internet shqiptariiitalisë.com kishte botuar lajmin e saktë dhe fotot e protestës dinjitoze të aktivistëve kuqezi.

Nuk e kam idenë nëse mund të nxjerrim ndonjë mësim nga historia e çuditshme e vezës. Por diçka të përgjithshme, pa kërkuar fajtorë medoemos, edhe mund ta themi. Ushtrimi i profesionit të gazetarisë lyp para së gjithash përgjegjësi. Çdo gazetar ka lirinë, të drejtat dhe detyrat e veta, por pa etikën e përgjegjësisë gazetari nuk e bën mirë zanatin. Çdo gazetar e ka të qartë se dallimi i parë është ai midis lajmit e opinionit. I pari rrjedh nga realiteti, i dyti nga koka e gazetarit. Janë të dyja të vlefshme, por thelbësisht të ndryshme; e si të tilla duhen paraqitur në media. Lajmet duhet të jenë të vërteta e duhen pasqyruar me paanshmëri. Opinionet janë tërësisht subjektive, por duhen shprehur pa cenuar dinjitetin e të tjerëve. Janë rregulla elementare që duhen respektuar nga të gjitha mediat. Madje janë këto që duhet të jenë xheloze për përputhjen midis realitetit e pasqyrimit të tyre, përndryshe fatalisht u bie autoriteti, në themelet e të cilit mbështetet e tërë gazetaria.

Me fjalë më të thjeshta? Në rastin më të mirë, kur të lexoj sërish se kryeministri (cilido qoftë) është qëlluar me vezë, do të më vijë ndërmend se në frigorifer kam ca vezë në skadim e sipër, që duhen gatuar omëletë ose syze. Në rastin më të keq, nuk do t’i hap më faqet e gazetave, do t’i përdor për të mbështjellë vezët ose bukën, siç bënim dikur kur shkonim në punë.

Nuk ka komente

  1. Irida as nuk e pa Berishen kur pershendeti aktivistet, duke pandehur se ishin mbeshtetes, por e dha si lajm se ia thane. Ne fakt ishte nga ana tjeter e rruges dhe krahut te Berishes por edhe makina kaloi me shume shpejtesi si kthese qe ishte.

    Ajo e shqiptarit te italise, ha buke me PD-ne, hyn e del ne ambasade.

    Sa i merakosur paske qene ti Pishak per kete punen e vezes. Baze e tha shume mire, ketu s’ka rendesi e goditi ndonje nga 6 vezet e konfeksionit Berishen, por efekti tek Berisha dhe heqja e frikes qe ka kapluar shqiptaret pas 21 Janarit.

    Imazhi i te fortit te lagjes qe ka Berisha u godit, aty fillon humbja e pushtetit te gangos tek humbja e prestigjit te paprekshmerise.

    Gazetaria ka rol kyç ne ngjarjet jo sepse tregon realitetin fije e per pe, por sepse tregon ate qe eshte e dobishme. Po te mos ekzistonte dobishmeria do e kishte vleren zero.

    1. Nuk jam i merakosur për vezën, por se çfarë mund të lindë prej vezës. Pavarësisht nga flamuri partiak që valëvitim me verbëri, duhet t’u kërkojmë mediave që ta paraqesin realitetin me objektivitet. Mediat duhet të pasqyrojnë çka shohin, të vërtetën, çfarë është e dobishme për informimin e publikut, jo çfarë është e dobishme për këtë apo atë grupim politik. Sot është Berisha, nesër dikush tjetër, sot është AKZ, pasnesër dikush tjetër, lajmet duhet të përkojnë gjithnjë me realitetin.

      Për manipulimin e realitetit ne shqiptarët i kemi dhuruar historisë botërore faqe të tëra. Gjatë totalitarizmit telekamera bënte akrobacira edhe kur merrte tribunën, për të mos folur për lajmet e realizimit të planeve pesëvjeçare dhe goditjeve vdekjeprurëse kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm. Nuk po e zgjas se tema është e njohur nga të gjithë. Fakti është që gazetarët pasqyronin çka thoshte partia, jo çfarë thoshte realiteti.

      Gazetarët që ishin të pranishëm në Romë m’u dukën shumë korrektë. Raportuan për protestën e AKZ-së në Romë, për pankartat, parullat, madje duke botuar shumë fotografi, por jo për goditje vezësh apo tjetër. Në qoftë se mund t’i qortonim për diçka, duhet t’u thoshim përse i dhanë kaq hapësirë asaj proteste modeste. Por e pranoj, ishte lajm e duhej dhënë. Tani, unë citoj dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje, që e mohojnë gjuajtjen me objekte kundrejt Berishës, të tjerë më teorizojnë përse veza nuk e goditi Kryeministrin (mungesë nishani, era e kundërt, dridhje e dorës, makinë e shpejtë?) dhe pse veza është e dobishme (oreksi i humbur i kryeministrit, pas miellit hidhet vezë sipas recetës, etj.).

      Nuk jam dakord me “gjyqin” që u bëhet gazetarëve kur nuk e filmojnë partinë nga profili i bukur. AKZ-ja, për mendimin tim, duhet të ishte mirënjohëse për faktin që u dha lajmi i protestës. Por si lexues unë jam më i prirur t’i besoj gazetarit të pranishëm në ngjarje se sa komunikatës për shtyp të partisë çfarëdo. Aq më tepër që po flasim për dy gazetare që e zhvillojnë veprimtarinë e vet me përgjegjësi e profesionalizëm. Me “biografinë” e gazetareve nuk merrem, se më kthehet ora 25 vjet prapa.

      E di që jam jashtë teme, por po e them shkarazi: jam gjithnjë e më i bindur se AKZ-ja është aleatja më e çmuar e Berishës. Po e lë me kaq, është temë që mund ta zhvillojmë herë tjetër.

  2. Me deshmitare okulare jane çuar te pafajshem para skuadres se pushkatimit.
    Edhe te komentet e Temes dolen ca deshmitare okulare qe mohuan ngjarjen, qe nje Zot e merr vesh se kush mund te ishin, veç ne paçin qene gazetaret e huaj se s’kish rob tjeter per kilometra.
    Mos u merr me biografine po me ke hane buke, se ajo i thote te gjitha.

    Protesta ishte pa leje, se s’ta jep kush lejen atje rreze murit e rreze rruges, ku mezi rrine 30 veta dhe sipas ligjeve italiane grupet me me shume se 12 persona, policia ka te drejte t’i shperndaje. Po te mos ish modeste nuk do ekzistonte dot fare.

    Mua, me thene te drejten me habit gjithe ky aktivitet i zellshem yti, per te karakterizuar median shqiptare me ane te kesaj ngjarjeje, kur çdo dite mediat e Berishes e bejne te bardhen te zeze. Kjo habi me nxiti te shkruaj me thene te drejten, pa si, qysh e tek rrodhen ngjarjet e di shume mire.

    1. Komentet? Biografia? Protesta? Zelli? Janë të gjitha jashtë teme. Përderisa nuk ke argumente për problemin që ngrita, fare të qartë e të saktë, ta lëmë fare këtë diskutim.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: