GJENERALI I DY USHTRIVE

Ka një pasazh, te Dimri i madh i Kadaresë, ku fshesaxhiu Rremë urinon mbi pemën simbolike që kish mbjellë Hrushovi gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe, teksa e shoqërojnë në makinën e policisë, thërret: “Poshtë Hrushovi!” Meqë ishte koha kur Shqipëria po prishej përfundimisht me Bashkimin Sovjetik, kalimtarët nuk i jepnin dot dum kësaj skene – meqë, në ato rrethana, logjika e donte që dikush të shoqërohej në polici po të thërriste “Rroftë Hrushovi!”, jo “Poshtë Hrushovi!”.

Ka edhe një koleksion anekdotash, pak shumë apokrife, për momentet e fundit të “armiqve të Partisë dhe të popullit” ish-bashkëpunëtorë të Enverit të zbuluar prej këtij vetë, të cilët kur iu komunikohej dënimi me vdekje ose edhe kur e shihnin veten para skuadrës së pushkatimit, thërrisnin: “Rroftë shoku Enver!”, kushedi ngaqë ashtu dëshironin vërtet, ose ngaqë shpresonin se Enveri nuk kish gisht në intrigat kundër tyre, ose ngaqë shpresonin për ndonjë ferman të faljes në sekondën e fundit, ose ngaqë kujtonin se, po të mbanin “qëndrim të mirë” gjatë pushkatimit, familjarëve të tyre do t’ua kursenin disi mundimet dhe përndjekjet.

Duke folur për raportin e udhëheqësit me popullin, në sistemet totalitare, Slavoj Zhizhek-u vëren se

Prova e besnikërisë së vërtetë ndaj një Lideri nuk është që dikush është gati të marrë plumbin ballit për të; përtej kësaj, dikush duhet të jetë gati të marrë plumbin ballit prej tij – të pranojë që të braktiset, madje edhe të flijohet prej tij, nëse kjo u shërben qëllimeve eprore.

[Zizek, Slavoj, Welcome to the Desert of the Real, Verso 2002, f. 8-9, shënimi 5).

Hyn pastaj, në këtë mes, edhe e mirënjohura sindromë e Stokholmit, ose simpatia e viktimave për dhunuesit e tyre, të cilën urtësia popullore shqiptare e ka shprehur në mënyrën më koncize të mundshme: “q*ja nënën, që të të thërrasë baba.”

Të gjitha këto copëza faktesh dhe interpretimesh më vijnë në mend, kur u rikthehem ngjarjeve në Shqipërinë e verës dhe të vjeshtës së vitit 1990.

Ja si e përshkruan ministri i Brendshëm i asaj kohe, Hekuran Isai, në një mbledhje të Byrosë Politike, çfarë kishte ndodhur në Kavajë në mars të vitit 1990:

Kur u err, pranë Komitetit të Partisë, në mënyrë të heshtur erdhën qindra vetë. Shefi i policisë u ka thënë të shpërndaheshin se do t’i lironin dhe ata të dy që ishin arrestuar dhe se nuk kishte të vdekur. Papritur shpërthyen gurët në drejtim të policisë, thyen xhamat. Në këtë kohë hidhet parulla “Na lironi shokët”, “Liri-demokraci”, “Poshtë dinastia”, “Poshtë Nexhmija”, “Rroftë Ramiz Alia”. Policia nuk veproi fare ndaj turmës. Turma doli në qytet, filluan të hidhnin përsëri parulla. Për çdo parullë përgjigjeshin me “urra” ose e shoqëronin me duartrokitje. Thyen xhamat e dyqaneve. E gjithë kjo zgjati 20-30 minuta, sa u ndezën drita, pastaj turma u shpërnda.

Si do ta kuptojmë një protestë haptazi kundër një regjimi totalitar, ku pjesëmarrësit brohorisin emrin e kreut të këtij regjimi dhe i shprehin atij haptazi dashurinë, simpatinë dhe mbështetjen e tyre, teksa përlesheshin me policinë (në Kavajë), u vinin zjarrin makinave të Komitetit të Partisë dhe mbeteshin deri të vrarë nga plumbat e forcave speciale (sampistëve)?

Dykorriksat, ata që shpërthyen oborret e ambasadave dhe më pas u larguan drejt Perëndimit në verë të vitit 1990, për të sanksionuar dhe pastaj kremtuar zbythjen e parë madhore të regjimit Alia para popullit të vet dhe botës mbarë, thërrisnin zakonisht “Liri-Demokraci” – siç e kam dëgjuar edhe vetë, nga balloni i shtëpisë sime, relativisht afër rrugës “Skënderbej”’; por ndonjëherë thuhej se dëgjohej edhe brohorima “Ramiz Alia! Ramiz Alia!”: ishte jeta që imitonte fshesaxhiun Rrem.

Tabloja do të përsëritej, njëlloj paradoksale, me protestat historike të dhjetorit, – kur studentët e lëvizjes që do të çonte në themelimin e Partisë Demokratike si forca e parë politike opozitare në vend, thërrisnin me ngazëllim emrin e Ramiz Alisë, në atë kohë ishte ende shefi i regjimit totalitar, i zgjedhur në atë post nga vetë patriarku Enver.

“Të duam shumë!” i thanë Ramiz Alisë nga salla, gjatë takimit të tij me studentët e protestës në dhjetor 1990. “Edhe unë ju dua,” iu përgjigj ai. Revolucion më idilik nuk ka bërë vaki ndonjëherë në botë.

Në fakt, mbështetja e protestës së dhjetorit për Ramiz Alinë është e dokumentuar mirë; çfarë mungon ende, është një shpjegim i kënaqshëm i paradoksit.

Në atë kohë Alia mendohej, nga opinioni publik, si njeriu që po përpiqej të reformonte regjimin, për t’ua përshtatur rrethanave të reja. Edhe masat, dhe elita e përfytyronin atë si forcë relativisht pozitive, në kundërvënie me konservatorët enveristë, të udhëhequr nga Nexhmija.

“Juve jeni pionier i demokracisë,” i thotë Arben Imami Ramiz Alisë, në takimin e këtij me studentët, një kopje të zbardhur të të cilit, të cilën gazeta Panorama e ka nxjerrë nga libri i fundit me kujtime i ish-kryeministrit A. Meksi, mund ta lexoni këtu (kopjen e kam hartuar unë duke ngjitur së bashku copëzat e botuara nga Panorama, thjesht për referencë ndaj këtij shkrimi).

Sa i përgjigjet realitetit ky cilësim i Imamit, ende nuk e dimë. Edhe sikur Alia të jetë vënë në ballë të reformave politike brenda regjimit, nuk dimë nëse ai e bënte këtë ngase e kish kuptuar që totalitarizmit komunist në Shqipëri i kish ardhur fundi, apo për arsye taktike, ose për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej nga strukturat dhe hierarkitë ekzistuese.

Megjithatë, dhe pavarësisht nga synimet e vërteta të Ramiz Alisë, mund të supozohet se studentët e Dhjetorit i ofruan atij haptazi përkrahje, ngaqë menduan se, për atë moment, mbështetja për Alinë ishte taktika më e arsyeshme që duhej të ndiqnin.

E megjithatë, përfytyroni një lëvizje që synon të krijojë një parti të re politike, të parën pas dyzet e kusur vjetësh totalitarizëm monopartiak në Shqipëri; dhe që, megjithatë, kujdeset deri në imtësitë më të vogla, që krejt veprimi i saj politik të zhvillohet me emrin e Ramiz Alisë në gojë, që ishte kreu i krahut tjetër, atij kundërshtar.

Mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë…

[… për të vazhduar]

Dua gjithashtu dhe ju ftoj gjithashtu të brohorasim edhe njëherë për Presidentin Ramiz Alia (zëra: Rroftë Ramiz Alia, Rroftë Ramiz Alia), duke shpresuar se, duke besue se do të krijojë të gjitha kushtet e mundësitë për arritjen e plotë të demokracisë në vendin tonë.

Tha kreu i ardhshëm i PD-së, Sali Berisha, në mitingun e madh të 12 dhjetorit, që shpalli edhe themelimin e forcës së parë opozitare në Shqipërinë e Pasluftës, po ai që pak vite më pas do të ishte instrumental në dënimin e Ramiz Alisë me burg.

Një tjetër arsye, për këtë lektisje pas kreut të regjimit komunist të Tiranës, mund të ketë qenë frika; frika nga aparati represiv i pushtetit, nga repartet speciale të MPB-së, nga Sigurimi i Shtetit, nga të gjitha ato forca të errëta që ishin gati të dilnin në shesh dhe t’u këputnin studentëve kokën “si të zogut.” Ramiz Alia, për meritë të tij ose të forcave që kishin përgatitur, prej vitesh, figurën e tij për opinion, këqyrej si i distancuar nga krahu i armatosur dhe represiv i regjimit; si i butë dhe liberal nga natyra; si njeri me të cilin “mund të flitej.”

Por mund të ketë qenë edhe frika, e ngulitur thellë në pavetëdijen e çdo qytetari të shtetit totalitar, se duke u ngritur kundër rendit të sendeve, po sfidonte “perënditë” duke iu ekspozuar ashtu rrufeve. Lavdërimi i Ramiz Alisë, dalja në protestë me emrin e tij në gojë, përgjërimet për dashuri nga sallat dhe sheshet, ishin gati-gati si një lloj formule namatisëse ose vetëmashtrimi ngushëllues, për t’i siguruar pjesëmarrësit në protestë se, tek e fundit, çfarë po bënin, nuk ishte dhe aq fare “armiqësore”, sa kohë që po e bënin duke i brohoritur kreut të krahut përballë, ose të kundërshtarit.

Të thuash se përballë shtetit totalitar dhe Enver Hoxhës, si lideri i tij suprem (tashmë të rimishëruar në figurën enigmatike të Nexhmijes), Ramiz Alia udhëheqës ishte e vetmja alternativë politike e mundshme edhe për opozitën embrionale.

Nga ana tjetër, taktikisht gjesti ishte i përligjur; studentët dëshironin ta kishin Alinë deri në fund me vete, për t’u mbrojtur ndaj krahut konservator, që ndoshta do t’u kish dërguar tanket, ose forcat e rrahjes masive.

Po kush do të guxonte të arrestonte dhe të shqepte në dru njerëz që kishin marrë rrugët dhe dalë në protestë duke ulëritur “Ramiz Alia”? Fakti është që disa guxuan dhe e bënë këtë, por ata automatikisht u rreshtuan në anën humbëse të historisë – sepse u ishin kundërvënë protestuesve, por edhe sepse u ishin kundërvënë atyre që brohorisnin për Presidentin Alia.

Brenda këtij argumenti, mund të shtojmë edhe shpresën tjetër, se Alia kish nevojë për mbështetjen e studentëve dhe në përgjithësi të rinisë dhe të elitave intelektuale, që të vazhdonte me reformat që kishte nisur, duke lejuar ndër të tjera edhe pluralizmin politik.

Një faktor që duhet mbajtur parasysh, në këtë analizë “kolltuku”, është roli i Sigurimit të Shtetit gjatë ngjarjeve të korrikut dhe sidomos të dhjetorit 1990.

Përtej pakënaqësisë së madhe të masave, varfërisë ekonomike, joshjes ndaj Perëndimit dhe dëshirës për të dalë nga izolimi, tre ishin faktorët e nëndheshëm që do t’i mbështetnin, në thelb, zhvillimet e atyre muajve: antikomunizmi shqiptar i traditës (legacy), Sigurimi i Shtetit dhe agjenturat e huaja në Tiranë.

Duke e vazhduar këtë arsyetim, do të themi edhe se, në krye të lëvizjes së Dhjetorit, do të kenë dalë edhe njerëz të vënë atje nga Sigurimi, edhe agjentë që punonin për llogari të shteteve të tjera, sidomos vendeve fqinje, por edhe ShBA-ve, Francës dhe Gjermanisë.

Të gjithë këta kërkonin, natyrisht, të kontrollonin edhe procesin e tranzicionit nga një regjim në tjetrin, edhe regjimin tjetër, që do të dilte, eventualisht, nga ky proces.

Çfarë kërkonte Sigurimi i Shtetit në lëvizjen e Dhjetorit? Kohët ishin të tilla, që Sigurimi – si armë e organizuar dhe efikase e kastës komuniste për të ruajtur pushtetin – kishte për synim kryesor që të mbronte interesat e veta dhe të nomenklaturës komuniste, gjatë muajve kritikë të përmbysjes së rendit të sendeve.

Duke qenë e vetmja organizatë kompakte dhe elastike në atë kohë, me disiplinë të mirë të brendshme, Sigurimi do të jetë kujdesur që t’u sigurojë të ardhmen, para së gjithash, njerëzve të vet.

Nëse është kështu, nuk është e pamundur të mendohet se Sigurimi, me veglat dhe drejtoritë e veta të ndryshme, kish hyrë në një aleancë sado instrumentale me Ramiz Alinë, të cilin e parapëlqente, për shkak të virtyteve të tij pragmatike, ose ndoshta edhe ngaqë e kontrollonte më mirë, pse e shihte të frikësuar, apo për shkak të ndonjë shantazhi.

Në asnjë mënyrë nuk duhet të mendojmë, naivisht, se Sigurimit do t’i bëhej shumë vonë, në ato muaj, për trashëgiminë e Enverit, idealeve socialiste dhe të 28 000 dëshmorëve, sa kohë që dhjetori shënoi edhe një fazë të re në luftën e nëndheshme për të ndarë llokmat e Shqipërisë post-komuniste: në politikë, në ekonomi, në biznes dhe në prona të paluajtshme.

Sa për agjenturat e huaja, këto kishin secila planet dhe qëllimet e tyre, por ndoshta të gjitha pajtoheshin në lidhje me nevojën për të mos e lënë situatën në Shqipëri të precipitonte.

Veçanërisht italianët dhe grekët, ma do mendja, do të punonin me ngulm për të penguar një kolaps të ngjashëm me atë që ndodhi në dimër të vitit 1991, dhe që shkaktoi ekzodin e hatashëm të pranverës dhe më pas të gushtit, drejt brigjeve italiane.

Gjithsesi, agjenturat mund të kenë qenë të përfaqësuara mirë mes eksponentëve të forcave politike në Tiranë, por ato nuk ishin në gjendje të parashikonin se çfarë do të ndodhte në Shqipëri, pas vendosjes së pluralizmit; dihet, për shembull, se Italia u kap krejt e papërgatitur nga dy ekzodet detare të vitit 1991, të cilat i krijuan jo pak probleme.

Mënyra siç u zhvilluan ngjarjet, pas dhjetorit 1990, mund të ketë qenë vërtet pasojë e zhvillimeve të pakontrollueshme në bazë ose e dinamikës njëlloj të pakontrollueshme të kolapsit të sistemit ekonomik; por, nëse do të spekulonim më tej me veprimtarinë agjenturore, nuk mund të mos arrinim në përfundimin se ngjarjet e viteve të para të dhjetëvjeçarit (ekzodi, kolapsi ekonomik, paraliza sociale) u shërbyen në mënyrë të veçantë fqinjëve tanë të Veriut.

Gjithsesi, dhe pa humbur shumë kohë me teori konspirative, nuk gabojmë po të themi se të shumta ishin palët që e donin Ramiz Alinë në krye të tranzicionit, së paku në muajt e fillimit: antikomunistët e mirëfilltë shihnin tek ai një njeri që, për karakteristikat e veta psikologjike, do të ngurronte ose do të druhej të përdorte dhunën ndaj kundërshtarëve; studentët dhe protestuesit e tjerë e shihnin si më liberalin dhe intelektualin mes udhëheqjes së lartë të PPSh-së dhe të shtetit; Perëndimi dhe bota në përgjithësi si njeriun me të cilin mund të flitej; Sigurimi i Shtetit si një pragmatik të mençur, i cili e kuptonte që kryesorja, në atë periudhë, ishte që kalimi të orientohej në mënyrë të tillë, që pushteti politik dhe ekonomik të mbetej në duart e së njëjtës kastë, edhe pse me fytyra të reja.

Që këtej, edhe thirrja “Rroftë Ramiz Alia!” vjen e mbushet edhe më tej me kuptim.

Nga ana tjetër, nëse ka pasur një shtab mirëfilli subversiv, ose një qendër operacionesh që drejtonte studentët e dhjetorit, dykorriksat, të pakënaqurit e ndryshëm në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri, atëherë nuk është për t’u përjashtuar mundësia që vendimi për të mbështetur, sado paradoksalisht, kryetarin e shtetit dhe kreun e pushtetit kundër së cilit po protestohej, të jetë frymëzuar nga një plan për të përçarë thellë kampin armik.

Dihej që, përballë zhvillimeve dramatike në Europën lindore, kasta komuniste në pushtet në Tiranë po e humbiste me shpejtësi monolitizmin e vet, duke u shpërbërë në grupe dhe fraksione kryesisht sipas krahinave, por edhe moshës. Njëra palë kërkonte reforma, pala tjetër kërkonte që protestat të shtypeshin me grusht të hekurt.

Në popull, Ramiz Alia konsiderohej si i krahut liberal dhe reformist; por në të vërtetë ai e shihte veten si rojtarin e fundit të unitetit në Parti dhe në pushtet e ndoshta edhe në Shqipëri; ose si personin tek i cili të dy krahët, edhe konservatorët edhe reformistët, kishin shpresat e tyre. Tek e fundit, asnjë prej anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike ose të KQ nuk kishte karizmën dhe kapitalin politik të nevojshëm, për t’u paraqitur si alternativë e Alisë brenda hierarkive ekzistuese; çka do të thotë se edhe njëra palë, edhe tjetra, përpiqeshin t’i realizonin synimet e tyre jo duke e rrëzuar Alinë, por duke e manipuluar – sa kohë që ky, me dinakërinë e vet karakteristike, u kish lënë të kuptonin të gjithëve se ishte i manipulueshëm.

Lëvizja demokratike, në format e veta në fillim kaotike (verë 1990) e pastaj gjithnjë e më të fokusuara (dhjetor 1990), u fut edhe ajo, si një faktor i tretë, në këtë dinamikë, duke kërkuar edhe ajo që ta manipulojë Alinë, gjithnjë aq të manipulueshëm, për qëllimet e veta. Që këtej, thirrja “Rroftë Ramiz Alia!” mund të ketë qenë edhe thjesht karremi që i hidhej këtij mbijetuesi virtuoz, për ta bërë për vete.

“Veç mos më kërkoni të bëhem anëtar i Partisë së re,” u tha Alia studentëve, në takimin e dhjetorit 1990, të cituar më lart. Çfarë tingëllon sot si batutë, nuk do të ketë qenë krejtësisht e tillë, në momentet kur u shqiptua.

Nuk ka komente

  1. … por ndonjëherë thuhej se dëgjohej edhe brohorima “Ramiz Alia! Ramiz Alia!”: ishte jeta që imitonte fshesaxhiun Rrem…

    Si dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në këto demonstrata do të thoja se kjo nuk është e vërtetë.

    1. Ka shumë mundësi – këtë e kam me të thënë, vetë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Të falënderoj për korrigjimin e vyer.

  2. Xhaxha para te gjithe ketyre tezave, besoj se duhet konsideruar backgroundi nga vinin studentet e levizjes studentore, per te kuptuar akoma me mire pse studentet dhjetoriste i ofruan perkrahje (dhe kerkuan perkrahje nga) Ramiz Alise dhe veprimin e tyre politik e zhvillonin me emrin e tij ne goje.

    http://www.peshkupauje.com/2011/02/cilat-ishin-kriteret-e-se-drejtes-per-te

    Keta studente pavaresisht kahjeve te tyre liberale e reformatore, ishin te perzgjedhur imtesisht sipas ketij udhezimi te ministrise se arsimit te regjimit komunist dhe shanset qe ne mes te tyre te kishte elemente qe rridhnin nga familje realisht antikomuniste qe nuk do mbanin keto qendrime perkrahese e tejet miqesore ndaj Ramiz Alise (pasardhesit te zgjedhur te Hoxhes) ishin te paperfillshme.

    1. Vërtet. Unë kësaj do t’i shtoja edhe që elementet mirëfilli antikomuniste ende druheshin të dilnin haptazi; meqë e dinin se, në rast reagimi me dhunë nga pushteti, ata do ta pësonin më keq se të tjerët, madje duke u bërë “shembull.”

      1. Jo vetem qe druheshin te dilnin haptaz, por ne shume raste elementet e mirefillte komuniste ose te ashtequajturit klasa te permbysura, reaksionare, e kulake nga komunistet, ishin shtypur dhunshem nga regjimi ne 46 vjetet e egzistences se tij, ishin burgosur e internuar skajeve me te thella te vendit larg qendrave urbane e posacerisht larg Tiranes, per te mos perbere ndonje rrezik te theskuar ndaj regjimit.

      2. Xhaxha, jo vetem frika se mund te beheshim “shembull”, por te jetuarit nen presionin e biografise se keqe, na e kishte mprehur disi me teper aftesiste vezhguese dhe vleresuese ndaj situates dhe personazheve qe po merrnin revanshin. Jo me kot, nen shprehjen lapidare te muhabeteve te asaj kohe (“Me keta loqe do kalojme dhe 45 vjet te tjera?!”) sapo dhame provimin e fundit, te gjithe u larguam nga Shqiperia.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin