MISTIKA E SHKRONJËS FILLESTARE

Vite më parë, kur punoja si bashkëpunëtor tekniko-shkencor në sektorin e leksikologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë, mbaj mend shefin e atij sektori dhe kreun e leksikografisë shqipe Androkli Kostallarin të më ketë thënë, nuk di se në ç’kontekst, se brenda një fjalori, fjalët që fillojnë me një shkronjë të caktuar kanë gjithnjë diçka të përbashkët mes tyre, një karakteristikë dalluese, një shenjë që i veçon prej të tjerave.

Në atë kohë sektori po i jepte dorën e fundit Fjalorit të Shqipes së Sotme, që u botua pastaj në vitin 1984; një vepër e mbështetur në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, të katër vjetëve më parë, por më e shkurtër dhe më e përdorshme. Sikurse ishte praktikë e konsoliduar, fjalët e një shkronje të caktuar u jepeshin punonjësve të caktuar për të punuar me to; çka nuk lidhej vetëm me lehtësitë praktike të punës me materialet e kartotekës së leksikut, të cilat ishin gjithashtu të organizuara alfabetikisht; por edhe, po t’i besoje Kostallarit, përligjej edhe nga kjo mistikë përbashkuese e fjalëve që nisnin me të njëjtën shkronjë.

E pata kaluar me të lehtë vërejtjen e bosit leksikografik të shqipes aso kohe, duke e konsideruar më tepër si një boutade, ose të paktën orvatje për të impresionuar nëpërmjet intrigës; por më pas, duke punuar vetë shpesh me terma, glosarë dhe fjalorë, i jam kthyer, për ta ri-interpretuar sipas rrethanave.

Më është kujtuar veçanërisht kur kam lexuar veprën e mirënjohur të Arshi Pipës, për Politikën e gjuhës në Shqipërinë Socialiste, ku autori merr në analizë zgjedhjet në fjalësin e Fjalorit të vitit 1980, duke analizuar me metoda statistike krejt rudimentare disa prej shkronjave.

Duke dashur të bindë lexuesin se Kostallari ia kish hapur dyert e shqipes fjalëve të huaja, sidomos ndërkombëtarizmave, Pipa përmend në libër numrin e madh të fjalëve të tilla në disa shkronja të fjalorit, si p.sh. në shkronjën A dhe në shkronjën I. Ia besoja Pipës shifrat, por gjithnjë më dukej se kish diçka që nuk shkonte, në teknikën e tij të kampionimit; meqë ai kampionim gjithnjë mbështetej në ndarjen paraprake të fjalëve të shqipes, sipas kriterit alfabetik.

Këtu duhet t’i kthehemi batutës së Kostallarit, për të pyetur sa kemi vërtet të drejtë ta konsiderojmë bashkësinë e fjalëve të grupuara në një shkronjë të fjalorit si si kampion të fjalorit vetë. Pipa as që e merr mundimin ta përligjë teknikën e vet; ai e hap fjalorin kuturu, në një faqe të caktuar; ose, më keq akoma, nis të analizojë fjalësin që nga faqja 1.

Megjithatë, edhe vetëm me intuitë, kuptohet se fjalët në fjalor nuk mund të merren si të organizuara rastësishëm (nëse mund të shprehem kështu); ato renditen sipas një kriteri rigoroz, që ka të bëjë me fonetikën e tyre. Duke parapëlqyer ta shpërfillë këtë kriter, Pipa ka mistifikuar dhe ka arritur në përfundime të shtrembëra…

Natyrisht, nuk kam ndërmend këtu të hedh poshtë përfundimet e autorit, çka do të kërkonte impenjim të një lloji tjetër; por po dua vetëm të vërej se, ndryshe nga çfarë Pipa ka zgjedhur të injorojë, shkronjat fillestare vërtet u japin një ngjyrë fjalëve përkatëse, dhe kjo mund të shpjegohet me argumente krejtësisht praktike.

Kështu, shkronja P përmban një numër të madh fjalësh shqipe të formuara me parashtesat për- dhe pa-, të cilat janë treguar jashtëzakonisht prodhimtare; sikurse shkronja N, që ka një numër të madh fjalësh shqipe të formuara me parashtesat ndër- dhe nën-.

Përkundrazi, shkronjat A dhe I kanë një numër të madh fjalësh të huaja, sepse shqipja nuk i pëlqen, si rregull, fjalët që nisin me zanore.

Në të njëjtën mënyrë, shkronja si Q ose TH përmbajnë fare pak fjalë të huaja dhe pothuajse asnjë ndërkombëtarizëm; sepse këto dy fonema nuk i ndesh, zakonisht, në gjuhët perëndimore, dhe veçanërisht në gjuhët neolatine, nga ku i ka marrë shqipja ndërkombëtarizmat e veta.

Kështu, po të kish analizuar Arshi Pipa shkronjën TH, kushedi do të kish nxjerrë përfundimin se shqipja kostallariane i kish hequr qafe fjalët e huaja krejt; ndërsa po të kish analizuar, përkundrazi, shkronjën XH, do të kish konstatuar, jo pa dhimbje, se shqipja e viteve të socializmit mbetej ende nën thonjtë e orientalizmave: xhaba, xhade, xhadi, xhagajdur, xhahil, xham, xhamadan, xhambaz, xhami, xhamllëk, xhanan, xhanavar, xhanëm, xhanfes, xhehenem, xhelat, xhelep, xhenaze, xhenet, xhep, xhephane, xherah, xhevahir, xhevap, xheverdare, xheza, xhezve, xhiblik, xhikë, xhind, xhindos, xhins, xhybe, xhymert

Po ashtu, shkronja Y, përveç fjalëve të grupuara rreth katër temave shqipe yll, ylber, yndyrë dhe ysht, si dhe përemrave pronorë ynë dhe yt, përmban gjithashtu orientalizma me bollëk: yç, ylefe, ymër, yrnek, yrysh, yshmer, yshyr, yvell, yzengji.

Fjalët e një shkronje, në fjalor, kanë shumëçka të përbashkët – që lidhet me mveshjen fonetike të fjalës, meqë jo të gjitha gjuhët përdorin të njëjtat fonema; sikurse lidhet edhe me parashtesat e shumta që përdor shqipja, ose gjuhët burimore.

Kështu, shkronja K përmban një numër të madh fjalësh të huaja dhe ndërkombëtarizmash që fillojnë me kon- ose kom- (parashtesa con-/com- në gjuhët neolatine), ndërsa shkronja I një numër të madh fjalësh të huaja dhe ndërkombëtarizmash që fillojnë me parashtesën in-/im-.

Në fakt, fjalorët ofrojnë kampionë tepër selektivë të fjalëve të një gjuhe, për shkak të kriterit të renditjes alfabetike, i domosdoshëm për t’ia ruajtur fjalorit përdorshmërinë. Dhe, më tej akoma, është tepër e vështirë, për gjuhëtarin, që të sigurojë një kampion vërtet të randomizuar (randomized) të fjalëve të një gjuhe, qoftë edhe vetëm për një rrafsh sinkronik të caktuar; dhe kjo sepse zgjedhja e fjalëve, në tekste të ndryshme, përfshi këtu edhe ligjërimin e folur, kushtëzohet gjithnjë nga konteksti.

Nëse i vjelim materialet vetëm nga mediat, do të kemi një tablo të leksikut të mediave për periudhën në fjalë; nëse kufizohemi me regjistrime bisedash telefonike, do të kemi një tablo të leksikut bisedor-telefonik; nëse mjaftohemi me vjelje nga tekstet shkollore, do të kemi një tablo të leksikut të teksteve shkollore. Fjalorët, nga ana e tyre, gjithnjë kushtëzohen sa nga kriteret për futjen e fjalëve, ashtu edhe nga fjalët që kanë lënë jashtë. Edhe i mirënjohuri Google Ngram Viewer mbështetet në korpusin prej 500 miliard fjalësh të nxjerrë prej librave (pra, teksteve të shkruara) të dixhitalizuara nga Google.

Ashtu duket edhe sikur gjuha, në abstraksionin e vet pothuajse matematik, gjithnjë i vidhet syrit të kërkuesit voyeur, që kërkon ta shohë lakuriq.

Nuk ka komente

    1. Ndonjë intuicion se çfarë mund të kenë përbashkët ato fjalë që citoj unë, veç k-së nistore dhe krahinizmit të skajshëm? Mendon se ndonjë faqe tjetër e fjalorit që citoj do të kish lënë përshtypje të ndryshme? Le ta ngremë këtë diskutim mbi nivelin e fendëve të ftohta.

      1. Te dy, Pipa e ti, jepni jo me shume sesa pershtypje vetjake mbi lenden e fjaloreve qe keni pasur neper duar, duke u bazuar ne disa kampione te kufizuar kerkimi. I yti, nje kolone e vetme ne nje faqe te nje germe, eshte qesharakisht me i dobet. Kuptohet, e vetmja metode krejtesisht shkencore do te ishte sikur e gjithe lenda e njerit e tjetrit te shihej nga veshtimi i klasifikimit te fjaleve sipas filleses se tyre, duke dhene sakte se c’perqindje eshte me zera krahinore, arkaike, nderkombetare, orientale, pse jo baritore, pra sido qe te vendosnim t’i kategorizonim zerat perkates per qellime kuantifikimi. Keshtu s’marrim vecse nga nje shije personale te njerit e te tjetrit lidhur me lenden e te fjaloreve te trajtuar.

        1. Po, idealisht ashtu duhej bërë.

          Vetëm se kjo është një punë që kërkon shumë kohë, përkushtim dhe para, të cilat unë nuk i kam.

          Njeriu bën aq sa mundet, çfarë vlen edhe për Pipën edhe për mua.

          Sikurse vlen edhe për ty, që shfaqesh si rrufeja ndër të kthjellët, për të gjetur gabimet tek unë.

          Megjithatë, sikurse të thashë, unë përpiqem t’i kompensoj mangësitë objektive, duke arsyetuar – brenda kufijve që lejon dhe që parakupton një blog.

          Unë nuk shkruaj monografi për fjalorin e Elezit, por kam një opinion për të, i cili është opinion i kualifikuar, sepse kam punuar edhe vetë mu në zemër të leksikografisë shqipe.

          Të ftova të më thuash çfarë të përbashkëte të fshehtë kanë fjalët e kampionit tim, të tillë që ta shfuqizojë hipotezën time, ose qoftë edhe përshtypjen time. Një përshtypje mund të jetë e pambështetur sa duhet, por kjo nuk e bën vetvetiu të gabuar.

          Nuk m’u përgjigje.

          Përkundrazi, unë arsyetova, në shkrimin më lart, se pse shkronjat e zgjedhura nga Pipa për të ilustruar hipotezën e tij janë të tilla që ia rrëzojnë atij hipotezën vetvetiu.

          Kampionimi është i pashmangshëm. Edhe sikur të shkruaja një monografi për fjalorin e Elezit, prapë nëpërmjet kampionimit do ta bëja.

          Dhe kampionimi i leksikut është gjithnjë i dyshimtë, i mangët. Zgjidhja këtu nuk vjen duke e shmangur kampionimin krejt, por duke u vetëdijësuar për mangësitë e tij.

          Në rastin e Pipës, ai mund të kish zgjedhur një shkronjë më të ekuilibruar, nga pikëpamja e prejardhjes së fjalëve – p.sh. shkronjën M ose B.

          Në rastin tim, që megjithatë është i pakrahasueshëm me atë të Pipës, ti megjithatë – për hir të ndershmërisë në debat – duhet të më thuash se çfarë problemi specifik ka kampionimi nga shkronja K e atij fjalori. Të më thuash, jo të dredhosh, duke më shpjeguar se një faqe e vetme nuk mjafton për kampionimin – se ky është problem krejt tjetër.

          Përndryshe, siç të thashë, je thjesht duke më provuar se, në përpjekjet e tua për t’u futur në këtë debat, të motivon mllefi, jo interesi intelektual.

          1. Xha Xha,

            me kujtohet qe kur isha i ri, shume vite me pare, kam lexuar nje shprehje te Vedat Kokones ne parathenien e fjalorit te tij te mirenjohur frengjisht-shqip, qe, po t’i besoj kujteses, pak a shume tingellonte keshtu:
            “Fjaloret jane si sahatet, me i miri nuk eshte kurre i persosur, ndersa me i keqi nuk eshte kurre krejt pa vlere”.

            Pra ndonje vlere thelle-thelle do ta kete edhe fjalori i Elezit, edhe pse ne veshtrim te pare nuk bie ne sy. Pastaj Elezi, sikunder dihet, nuk kishte as formim dhe as pervoje leksikografi. Aq diti, aq beri.

            1. Elezi ka bërë një punë të jashtëzakonshme me atë fjalor – por e ka prezantuar keq, si alternativë ose plotësim të fjalorëve të viteve 1980.

              Nuk mund të shërbejë si kriter i shëndoshë leksikografik fakti që kjo apo ajo fjalë nuk janë përfshirë në Fjalorin e vitit 1980 – aq më tepër që, nëse nuk janë përfshirë, kjo ka ndodhur për një arsye të caktuar.

              Materiali që sjell Elezi ka vlerë të padiskutueshme për shqipen dhe për kulturën shqiptare – por sales pitch i atij autori nuk mund të pranohet, sepse është i pambështetur dhe ideologjik.

    2. Maks,
      Po ia fut kot fare. Dy shkrimet s’kane te bejne fare me njeri-tjetrin. “Fjalori” i Elezit nuk eshte fjalor ne kuptimin leksikografik te fjales. Ai eshte nje lloj thesaurus, nje thes i madh ku fjalet jane mbledhur pa kriter e sistem. Eshte si te marresh gjithe kartoteken e leksikut qe permendte Xha Xhai e ta botosh te renditur alfabetikisht, pa kritere kohore, dialektore etj. Madje nuk krahasohet as me “korpuset” qe mblidhen sot me mjete elektronike se edhe ato i kane kriteret.
      Ti nje fjalor zakonisht e perdor per te pare se ç’kuptim ka nje fjale qe nuk njeh ose per te verifikuar drejtshkrimin, por nuk besoj se kur shkon ne shtrat merr te lexosh nje fjalor sikur te ishte roman.
      Tani me thuaj, cilet jane lexuesit potenciale te fjalorit te Elezit?
      Me thuaj edhe diçka: sa fjale ka perdorur realisht Elezi ne shkrimet e veta nga fjalori i tij?

      1. Po ta them unë. Puna e Mehmet Elezit me fjalorin ka qenë e shkëlqyer. Me sa kam dëgjuar kur u prezantua fjalori, ka punuar rreth shtatë vjet, pothuajse çdo ditë. Pa asnjë lloj ndihme nga institucionet, përfshirë ato me karakter studimor. Pavarësisht se cila shtysë ideologjike qëndron pas këtij Fjalori, rafti i bibliotekës sime është absolutisht pasuruar me praninë e tij.
        Personalisht më ka qëlluar ta përdor Fjalorin e Elezit. Provoje edhe vetë të lexosh, ta zëmë, letërsi shkruar në gegërisht, dhe ke për ta parë sa të nevojitet. Por edhe materiale të tjera. Sa herë nuk gjej fjalë në fjalorët “zyrtarë”, e mbaj frymën tek Fjalori i mësipërm e tek të tjerë që kam.
        Në shkrimet e në romanet e veta, Elezi ka gjuhë shumë të pasur. Nuk di ta them me numër, se nuk i kam llogaritur ndonjëherë, por kur i kam lexuar disa vepra të tij Fjalori më është dashur.
        Së fundi, le t’i lëmë mënjanë antipatitë e paragjykimet personale. Sidomos kur flasim për këto tema.

    3. Edhe diçka qe ka te beje me kritikat qe botoi Elezi per fjalorin e Institutit. Kujtdo mund t’i falen ato qe shkruan ai, por nje ish-gazetari te “Zerit te Popullit”. Ai s’ka goje te flase per te tjeret!

      1. Nuk më duket aspak bindëse kritika që i bëhet Mehmet Elezit duke i bërë biografinë. Nuk ka lidhje fare me Fjalorin e tij. Gazetarë ose artikujshkrues tek “Zëri i Popullit” kanë qenë të gjithë shkrimtarët e asaj kohe. Siç dihet, gazetat ku mund të shprehej publikisht diçka ishin të pakta asokohe.
        Sa për të drejtën e fjalës, përkundrazi. Pikërisht se ka punuar tek “Zëri i Popullit” ka të drejtë të flasë në demokraci, si shumë të tjerë që bëjnë pjesë sot në elitën e Tiranës.

        1. .. e megjithate eshte nga ata qe “ngrysen piperke e gdhihen patllixhane” ,i pabesueshem pra, dje levdonte sot shan, kritike e paprincipte .. ketu e ka fjalen besoj Relapso

        2. Me sa duket o Pishak, ti qenke fort i ri dhe nuk ke pasur rastin te lexosh shkrimet politike te Mehmet Elezit ne faqen e pare te “Zerit te Popullit” ku zberthente nje per nje mesimet qe rridhnin nga vendimet e mbledhjeve te Byrose dhe fjalimeve te Enverit. Por te paskan shpetuar edhe ca shkrime te koheve te fundit ku Elezi mburret se vete Enveri udhezonte qe shkrimet e Elezit te punoheshin ne organizatat-baze se i paskesh zberthyer aq mire direktivat sa edhe Enveri kishte ç’te mesonte prej tyre. Sikur te mos mjaftonte kjo, te paska shpetuar edhe nje artikull kritik per fjalorin e ’80 qe Elezi botoi ne shtator te 1998, pra shume vite para se te botonte fjalorin e tij, ku kritikonte gjuhetaret e institutit per frymen e terpruar ideologjike qe i kishin dhene atij fjalori.
          Une nuk po i bej biografine Elezit, por bibliografine, dhe fjalori eshte pjese e saj.
          Une ia njoh te drejten gjithkujt per te ndryshuar mendim, por nese ka nje gje qe nuk e pranoj ne kete jete, kjo eshte hipokrizia intelektuale.

          1. Nuk më ka shpëtuar asnjë nga citimet që bëje, madje edhe mund t’i korrigjoj, p.sh. kur thua se Elezi mburrej që Enveri… (është e pasaktë). E përsëris, nuk mund të thuash se ai që ka shkruar tek “Zëri i Popullit” nuk mund ta kritikojë Fjalorin. Nuk ka kuptim. Ka më kuptim të shpjegosh përse kritikat e gjithkujt nuk qëndrojnë për një argument të caktuar.
            Sa për rininë, ke të drejtë. Jam shumë i ri. 🙂

            1. Po ta them prape, se ndoshta nuk e more vesh:
              ai qe dikur ishte personifikim i ideologjise se terrorit, s’ka goje te kritikoje sot gjuhetaret per zell ideologjik.
              “Zeri i Popullit” nuk ishte thjesht nje gazete si ato qe lexon ti ne mengjes. Ishte arme vdekjeprurese dhe Elezi ishte nga ata qe terhiqnin kembezen.
              E tani akuzon te tjeret pse ulnin koken kur ai shkrehte me bresheri.
              Per kete arsye nuk qendrojne kritikat e tij.
              Po ti, nese je vertet i ri, s’ke faj. Dil nje here andej nga biblioteka kombetare dhe hidhi nje sy koleksionit te “Zerit te Popullit” te asaj kohe. Madje je qe je, hidhi edhe nje sy “Zerit te Rinise”. Lexoje Elezin e asaj kohe dhe pastaj ec e na shpjego se si mund te jete njeriu kaq i pacipe.

            2. Nuk jemi aspak dakord. Edhe pse nuk është vendi i duhur për ta diskutuar, po të kujtoj se Elezi e ka kritikuar regjimin kur ishte ende në fuqi. Më pas është distancuar me të gjitha format e mënyrat. Bibliografinë e njeh vetë. Nuk mund ta bëj me faj pse nuk e bëri kur shkruante në kolonat e Zërit të Popullit. Nga ai megafon dilnin vetëm fjalë të mira për Partinë e shokun Enver. Nuk kishte alternativë. Po të mos kishte qenë Mehmet Elezi në gazetë, do të kishte qenë dikush tjetër që do të shkruante për Plenumet e udhëzimet e Partisë. Sikur sot t’ia mbyllnim gojën, nuk do të përfitonim asgjë të mirë si qytetarë që jetojmë në demokraci.
              Pas rënies së totalitarizmit, kushdo që e ka kritikuar publikisht atë regjim, mund të kritikojë zgjedhje të caktuara në lëmin e gjuhësisë ose, ta zëmë, të bujqësisë. Unë jam dakord me pohimin e Elezit e të tjerëve, se gegënishtes i është rënë në qafë. Për zgjidhjet se si mund të lëvrohet sot standardi duhet diskutuar në mënyrë profesionale, pa u ndikuar nga ideologjitë e reja, që mund të jenë po aq të dëmshme sa ato të djeshmet. Në mos më shumë.
              Tani ka ardhur koha ta mbyllim këtë debat se dolëm nga shinat e diskutimit.

  1. Interesante! S’me kish shkuar mendja kurre ta shihja leksikun me kete sy. Gjithsesi me kujton nje liber te çuditshem qe kam lexuar dikur nga i ndjeri Petro Zheji ku kishte ca analiza te ngjashme fjalesh kryesisht njerrokshe.

    Xha Xha, meqe ra fjala te Kostallari kam nje pyetje per kuriozitet. Ti natyrisht ke te drejte te mos pergjigjesh, sepse je ne nje pozite te ndryshme nga une qe fshihem pas llagapit.

    Ca goje te keqija duan e thone se dy fjaloret qe permend ti ishin pune kryesisht e sektorit te leksikografise (pa permendur emra) dhe se Kostallari vete (perjashto hyrjen) nuk ka shkruar as edhe nje ze te atyre fjaloreve, nderkohe qe ka vene emrin i pari. Ti qe paske qene aty, mund te me thuash cili eshte kontributi real i Kostallarit ne ata fjalore?

    1. Kostallari ishte mendja krijuese dhe organizuese e Fjalorëve – ose dora që ia dha njësinë veprës. Çdo rresht i fjalorit ka kaluar në duart e Kostallarit dhe unë i kam parë vetë shënimet e tij të shumta, sugjerimet dhe vërejtjet për fjalët.

      Leksikografët kanë meritat e veta, që s’ua heq kush; sidomos dashuria për fjalën – që më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme atëherë; por edhe kompetenca teknike e punës me skedat e kartotekës; dhe më në fund, aftësia për të punuar së bashku, në ekip.

      Meritonin shumë më tepër mirënjohje për punën që bënë; me sa mbaj mend, çmimi i Republikës për Fjalorin e 1980-ës iu dha vetëm Kostallarit dhe redaktorëve të fjalorit, por jo hartuesve – për mendimin tim një padrejtësi e madhe.

      Mbaj mend që, në një mbledhje të sektorit, Palok Daka, që ishte anëtar i grupit hartues, tha se po të ish dënuar fjalori për ndonjë gabim ideologjik, nuk kish gjasa që burgun ta hanin vetëm kryeredaktori dhe redaktorët…

      Përndryshe, Kostallari pat hartuar vetëm një shkronjë të Fjalorit – puna e tij ish më tepër demonstrative, ose për t’u treguar të tjerëve si duhej punuar. Në mos gabohem, pat bërë vetëm shkronjën Ç dhe një pjesë të B-së; por përndryshe roli i tij ishte absolutisht thelbësor, në çdo etapë të procesit.

      Ka qenë një nga njerëzit më të zot që kam njohur; edhe pse, për fat të keq, stalinist i bindur dhe i molepsur deri në palcë nga intrigat e vogla komuniste, dyshimet dhe paranoja.

      1. “Ka qenë një nga njerëzit më të zot që kam njohur; edhe pse, për fat të keq…”

        Une nuk e kam njohur personalisht Kostallarin, por me ben pershtypje diçka. Te gjithe bashkepunetoret e tij te ngushte thone pak a shume te njejten gje qe thua ti, pra pasi vene ne dukje te metat e karakterit, nuk harrojne te theksojne edhe kompetencen gjuhesore.
        Perveç njerit, Xhevatit, qe nuk le rast pa perdorur per t’ia mohuar vlerat profesionale e, sipas meje, per ta denigruar publikisht. Ne nje liber qe botoi kohet e fundit per historine e alfabetit, pasi nuk i linte gje pa thene Kostallarit, sulmonte madje edhe profesoret arbereshe te cilet i paskeshin shkuar pas bishtit duke u imponuar studenteve shqipen letrare kostallariane ne vend qe t’u mesojne arberishten e katundeve te tyre. Me beri pershtypje. A thua se Xhevo nuk ishte aty kur u be shqipja “kostallariane”.
        Ti Xha Xha qe ke pervoje me arbereshet, vertet e kane perjetuar si imponim mesimin e shqipes letrare?

        1. Arbëreshët s’janë marrë vesh ndonjëherë mes tyre, që të merren vesh për shqipen që do të përdorin.

          Edhe pse në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 u përfaqësuan nga një prift, në përgjithësi ka qenë krahu laik ai që e ka mbështetur përdorimin e standardit në shtyp dhe në librat (idealisht, edhe në shkolla).

          Megjithatë, arbëreshët si komunitet(e) nuk kanë ndonjë interes të veçantë për shqipen që flitet në Ballkan. Interesi i tyre për Shqipërinë është kryesisht simbolik; kur nuk është i bashkëlidhur me interesa materialë.

          Në katedrat universitare ku mësohet shqipja, në Itali, dhe që kontrollohen prej arbëreshëve, mësimi zhvillohet në standard dhe tekstet që përdoren janë ato të Tiranës. Por kjo nuk ka lidhje me formën e shqipes që përdorin arbëreshët për të komunikuar mes tyre, në nivelin publik.

          Përndryshe, ka një konvergjencë, shumë të lirshme, në shqipen që shkruajnë arbëreshët në gazetat dhe në veprat letrare.

          Në vitet e regjimit komunist, interesi i Tiranës për arbëreshët ushqehej edhe nga dëshira e specialistëve – gjuhëtarë, folkloristë, historianë të letërsisë, etj. – për të shkuar jashtë shtetit.

          Sot ky interes më duket se është zbehur krejt, duke u shndërruar edhe ai në diçka simbolike. Kështu edhe rrethi mbyllet dhe të dy palët mund ta injorojnë lirisht njëra-tjetrën në realitet, teksa i referohen zellshëm në tekstet dhe sermonet ideologjike-kombëtariste përkatëse.

  2. “Në të njëjtën mënyrë, shkronja si Q ose TH përmbajnë fare pak fjalë të huaja dhe pothuajse asnjë ndërkombëtarizëm”.
    qebap, qeder, qefil, qefin, qehaja, qejf, qejfli, qel, qelepir, qelepirxhi, qelibar, qemane, qemer, qenar, qepaze, qepen, qeramidhe, qereç, qereste, qerpiç, qerrata, qerratallëk, qesat, qese, qesemer, qesim, qesqin, qete, qibar, qibër, qilim, qitap, qivur, qofte, qole, qorr, qose, qostek, qoshe, qosheli, qyfyr, qyl, qylah, qylaxhi, qylyk, qylyke, qymez, qymyr, qymyrxhi, qyp, qyrk, qyrlek, qysqi, qytyk

    1. Bravo, e kape edhe një gabim tjetër. Edhe pak dhe mund të konsideroj të t’i lyp shërbimet me pagesë.

      Në fakt, kur thoja që Q dhe TH përmbajnë fare pak fjalë të huaja, kisha parasysh huazimet librore nga gjuhët neolatine (me të cilat merrej edhe Pipa në pasazhin që i referohesha), jo orientalizmat. Por, natyrisht, mund ta kisha shprehur këtë më mirë.

  3. Ka diçka jo fort te ndershme ne këto lloj replikash, diçka që vjen nga poshtë, si goditje e ulët.
    Me serinë e tij të shkrimeve për gjuhësinë, si kurrë ndonjëherë 2xh i ka paraqitur në mënyrën më të kuptueshme problemet e mprehta të gjuhësisë, duke afruar masa te medha njerëzish me to, duke i dhënë akses një numri mjaft të madhe lexuesish. Si asnjëherë më parë mjaft individë horizontesh të ndryshëm e shohin veten në zemër të problemeve që vetëm pak kohë më parë u dukej se i përkisnin një bote tjetër të largët, plot terma barbarë.
    Këtu qëndron edhe problemi tyre, më saktë i disave prej tyre. Duke menduar se nuk u ka mbetur asnjë tjetër për të përvetësuar, ata ndihen të aftë të replikojnë dhe kjo lë për të dëshiruar.
    Nuk shtrohet problemi të jesh në një mendje me autorin. Larg, fort larg kësaj, më mirë pranohet prej të gjithëve një kundërshtim i paargumentuar se sa një insinuatë dëshpëruese, nderhyrja qe i ngjan nje dore te piset qe te terheq nga pas prej xhakete, fryma e keqe që të heq çdo kënaqësi të ndjekësh debatin!

    1. “Duke menduar se nuk u ka mbetur asnjë tjetër për të përvetësuar, ata ndihen të aftë …”

      Ky eshte probem me vete i “intelektualeve” tane, sidomos i atyre te gazetave.
      Keta “Adhamudhe” te kohes sone pa lexuar asnje liber gjuhesie, historie a sociologjie, meditojne nja gjysme ore dhe pastaj hedhin ne karte nje goxha artikull me keshilla e direktiva gjuhesore, historike a sociologjike.

  4. Sa per fjalorin e ’80-es, koha e ka treguar se e ka kryer me se miri punen.

    Une i njoh vetem tri te meta:

    E para eshte ideologjizimi, pra edhe shtremberimi, i kuptimit te shume fjaleve, si “fe”, “borgjezi”, “komunizem” etj., por kjo nuk varej nga autoret. Ashtu ishte koha.

    E dyta eshte nje lloj purizmi i tepruar. Mjafton te kujtoj se mungojne fjale te zakonshme te jetes se perditshme, si p.sh. “rubinet” (nderkohe qe ka fjalen “lëfyt” qe zor se e perdor njeri per “rubinet”).

    E treta dhe me e renda eshte mungesa totale e fjaleve vulgare, atyre te turpshme, folje dhe emra te tipit “shkerdhate” etj.

    Sikur te mos kishte keto te meta, mund te ribotohej me sukses edhe per 100 vjet te tjera.

  5. Te falenderoj per artikullin, excellent. Une nuk jam gjuhetar por si po lexoj se fundi ka nje tendence, sigurisht politike, qe te hedhin balte ne gjithshka qe u be perpara viteve 90te. Gjithshka ishte e politizuar dhe a pa vlere. Koha ka vertetuar dhe po verteton te kunderten. Historia po ashtu. Nese ka nevoje per studime te mirfillta te tilla, dhe ka nevoje per para, ky eshte nje projekt qe mund te investohet. C’ben sot instituti i gjuhesise ne kete drejtim ne Shqiperi. Cilat jane projektet e ketij instituti nese existon? Xha Xha parate mund te gjehene ka shume njerez qe mendojne si une, rrjedhimisht po ashtu shume mundesira

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin