T’I FRYJMË FLAMURIT

Një vështrim i shpejtë në faqen e parë të Shekullit sot, më la përshtypje, të them pak, të keqe.

Mes lajmeve kryesore, lexoj menjëherë një njoftim për Mrkiçin që i paska thënë Panaritit se “Numri i serbëve në Shqipëri është i pasaktë, duhet të rinumërohen”.

Më tej, një lajm tjetër i thotë lexuesit se, sipas ambasadorit të Serbisë në Francë, “Projekti shqiptar kërcënon interesat jetike të Serbisë.”

Ka pastaj një lajm për në Maqedoni, ku “nuk deklarohet numri i nxënësve shqiptarë.”

Në mes të faqes, majtas, na thuhet se, sipas Rohanit, “Plani i Ahtisaarit përmban autonominë substanciale për serbët”, se sipas Daçiçit “Serbia do ta humbasë Kosovën”, dhe se “Daçiç dhe Nikoliç po përgatisin platformën mbi Kosovën.”

Pak më poshtë, në të njëjtën zonë të faqes, rimerret lajmi nga kolona lart djathtas, me një titull të ri: Ambasadori serb: “Shqipëria e madhe cenon stabilitetin në Ballkan.”

Më tej, jepet një intervistë me kryetarin e QKK-së Artan Minarolli, me titullin bombastik “Skandali me Taken 2, qeveria toleron provokacionin antishqiptar,” edhe pse nga intervista kuptohet se Minarolli nuk i jep ndonjë rëndësi filmit të shfaqur; dhe se, gjithsesi, provokacioni i këtij filmi është po aq antishqiptar, sa edhe vetë fakti që në Europë veprojnë banda kriminale shqiptarësh – mjaft të kujtoj një operacion policie para pak ditësh, ku u arrestuan rreth 42 bij të shqipes, për trafik të heroinës (jo të heroinave, këtë radhë).

Si për ta zbutur “skandalin” kinematografik, i rrëfehet pastaj lexuesit për një “nuse italiane veshur me kostum mirditoreje” dhe, më poshtë, për shpikjen e një shqiptari “që po pushton tregun amerikan.”

Pas kësaj paranteze, titujve u rikthehet serioziteti: Maqedonasit sulmojnë ushtrinë shqiptare; por ata lexues që shqetësohen (ose, përkundrazi, entuziazmohen) se mos ka shpërthyer Lufta Ballkanike, mësojnë aty për aty se bëhet fjalë për një sulm hakerësh.

Në të njëjtën faqe kryesore, këtë herë djathtas në krye, lexon edhe për një “Meshë për shqiptarë, grekë dhe rumunë në gjuhën e mallkuar shqipe,” shkrim i cilësuar, kushedi pse, si “opinion.”

Këtë festival patriotik e mbyllin lajmet për futbollistin Kabashi, i cili thotë se “ka gjak kuqezi dhe nuk luan për kombëtaren italiane”, dhe për futbollistin Elis Bakaj, i cili paska bërë një gol të bukur në kampionatin ukrainas; ndërkohë që, pak më poshtë, një shkrim tjetër ia zbardh lexuesit “tradhtarët e Shqipërisë kuqezi.”

Pyetja që më vjen natyrshëm: si përfunduam në këtë ligatinë kombëtarizmi, njëlloj si bretkosa proverbiale që e lejon veten të ziejë në epruvetë, edhe pse mund të kërcente që andej kur të donte?

Nuk jam në gjendje të them nëse publiku i “Shekullit” është vërtet i etur për të konsumuar këtë farë diskursi kombëtarist të shfrenuar, apo nëse është vetë gazeta e cila synon të krijojë dhe të përpunojë një lexues të tillë, prototip të elementit të turmës fashiste, brenda një vizioni të polarizuar dhe etnocentrik të botës, të ndarë midis “tanëve” dhe “atyre të tjerëve.”

Logjika ma thotë që problematika kombëtariste, në Shqipëri, duhej shtruar krejt ndryshe: nevoja për shërbim publik, për qytetari, për mbrojtje të mjedisit, për zhvillim të arsimit dhe të kulturës kombëtare.

Kjo problematikë do të duhej integruar në problematikat sociale, me të cilat përballet pjesa më e madhe e shqiptarëve.

Nëse nuk ndodh kështu, atëherë mediat bëhen pjesë e manipulimit të publikut; meqë nuk informojnë, por shmangin vëmendjen nga informacioni i nevojshëm.

Zhurma emo për serbët, futbollistët e kombëtares, filmin “Taken” dhe hakerat maqedonas është e tillë, që më shumë se informacion, kërkon të ngrejë turmën në valle, me ritmin e një daulleje të çpuar.

Dukuria nuk kufizohet vetëm te “Shekulli”, por i ka infektuar të gjitha mediat – duket sikur lexuesi shqiptar i ditës ka veç dëshirë të konsumojë lajme për kërthizën e vet.

Me fjalë të tjera, sa kohë që shi nuk po bie dhe shqiptarët nuk janë gjë në rrezik të qullen, strehët po i bëjmë vetë gati për maskarenjtë.

Nuk ka komente

  1. Per fat te keq shtypi, pertej funksioneve thelbesore qe kryen ne nje shoqeri normale dhe ne nje sistem demokratik, eshte prodhim dhe si i tille i nenshtrohet ligjeve te tregut. Gazetat botohen per t’u shitur. Dhe shitjen e percakton kerkese-oferta. Pra zanafilla e problemit eshte niveli, kerkesa dhe pritshmeria qe ka shoqeria ndaj shtypit. Ta themi shkurt, çdo popull meriton shtypin qe ka!

    1. Por, dhe kjo është një por e madhe, le të mos harrojmë edhe që mediat nuk e gjejnë të gatshëm këtë publik, por e krijojnë vetë, me materialet që i ofrojnë lexuesit. Ndoshta çfarë kanë gjetur mediat të gatshëm, pas 1990-ës, ka qenë publiku i etur për t’u disiplinuar ideologjikisht me imazhe paranoide.

        1. Pjesërisht autorët, pjesërisht angazhimi i lexuesve në komentet, pjesërisht polenizimi i kryqëzuar me mediat e Tiranës, pjesërisht librat dhe, më në fund, një nënshtrat i përbashkët botëkuptimor, mes autorëve dhe lexuesve, që ripërtërihet nëpërmjet kontaktit të vijueshëm. Duke u mjaftuar të flas për veten, shumë shumë gjëra kanë ndryshuar tek unë, si publicist, që prej vitit 2007 kur u themelua blogu; dhe mua më pëlqen të mendoj se shumë prej këtyre ndryshimeve janë kushtëzuar nga prania ime në blog – si autor, si komentues dhe si moderator.

        2. shume interesante kjo pyetja theologos, kush e krijoi publikun ne PTF? do kerkonte nje teme me vete te pergjigjeshim te gjithe ne lexuesit se si erdhem tek blogu e pse e lexojme. kjo natyrisht nese e lejon modestia e blogut te flasi per veten 🙂

      1. Kjo eshte si ajo puna e “pula vezen apo veza pulen” dhe vlen jo vetem per shtypin, por edhe per politiken, per shoqerine civile, per gjithçka. E kane fajin politikanet tane apo ne qe i votojme dhe nuk u veme drune? E ka fajin bashkia qe nuk i pastron rruget e qytetit apo qytetaret qe nuk protestojne sepse e ndiejne veten si veshka ne mes te dhjamit atyre rrugeve dhe bejne çmos qe te jene sa me te ndotura… e keshtu me radhe.

  2. Te me falni qe ngul kembe po aty, por une jam i bindur se shkaku dhe zanafilla eshte shoqeria ne teresine e saj, ndersa institucionet s’jane veçse gjymtyre te saj. Eshte shoqeria qe duhet t’i imponohet dhe te kerkoje prej shtypit, politikes, institucioneve dhe jo e kunderta. Keto te fundit gjejne e bejne.
    Diku nga fillimi i viteve ’90 jetova per pak kohe ne Gjermani. Nje here ne rruge, si shqiptar i vertete, per te kursyer kohe dhe per t’i rene shkurt, pasi hodha syte perreth dhe u sigurova se nuk kishte kembe polici, bera nje shqiptarllek. Sa hap e mbyll syte m’u versul nje plake e kerrusur qe me bertiste dhe me tundte bastunin para fytyres sa me beri t’ia mbathja me te katra. Sot e kesaj dite me vjen turp! E pra sikur te kishte qene nje polic ne vend te plakes do te kisha paguar gjoben dhe do ta kisha harruar ate episod. Te ajo plake e ze fillin bindja ime qe me pas eshte forcuar çdo dite e me shume.

    Tani me lejoni nje “verejtje” per Xha Xhain:

    Se pari, Xha Xhai eshte per t’u pergezuar per kete artikull tejet te guximshem qe besoj se do te gjeje jehone edhe jashte PTF-se.

    Se dyti, dua t’i them Xha Xhait se pasi e “kruan vete” me artikuj te tille, te mos na kerceje perpjete pastaj kur Kokedhima t’i nderseje Matrapapupin e radhes qe t’ia numeroje te gjitha, te paqena e te paqena, sikunder ndodhi me ata te MAPO-s 🙂 🙂

    – Ç’ka per te qeshur – do te thoni ju. Asgje. Qesh per te mos qare.

  3. XhaXhai,

    keni shume te drejte. E ta mendosh se kjo gazete ka qene dhe eshte tradicionalisht e majte, kjo eshte coroditese !Koco eshte nje biznesmen qe njihet si i afert me te majten, por ca me shume, njihet si nje atdhetar i madh!

    C’eshte e verteta te gjithe ata te llojit te Kocos jane kombetariste-kur veprimtaria e tyre eshte pak a shume e perputhshme ne aspektin gjeografik- por , edhe mund t’i zgjerojne sentimentet e tyre, dmth qe ndjenjen e tyre per kombin ta kalojne nje nje stad te ri dashurie: per rajonin apo per boten!

    Ne e kemi tashme nje superKoco, i cili, i ka kapercyer te gjitha keto stade, dhe tani te gjithe popujt e botes i do njesoj, sikur te ishin tribuja e tij!

    Doja te thosha edhe dicka tjeter, krejtesisht miratuese, dhe ne te njejten linje me shkrimin e mesiperm , por sapo lexova edhe shkrimin tuaj te ri dhe m’u shua entuziasmi …

    1. Do të më kërkosh edhe ti studime statistikore të randomizuara të medias, si ai miku prej Kosove?

      1. Nuk e kuptova pyetjen.

        Ti ke kapur nje dite kur beri vizite ministri i jashtem serb, sapo ka dale ne kinema Taken (qe s’mu duk aq skandal) dhe sporti eshte kapur prej kohesh prej çeshtjes se shqipove qe luajne jashte, por jo per kombetaren, e me keto ben karakterizimin e Shekullit.

        Nga ana tjeter, meqe jemi ne vitin e100 vjetorit, s’do ishte keq qe çdo gazete te kishte nje rubrike historike, me shkrime e bema te figurave te rendesishme te kombit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: