PATOSI YNË NEKROLOGJIK

Në fund të korrikut, këtë verë, vdiq Ali Podrimja, poet dhe njeri i dashur për shumëkënd, anembanë botës shqiptare.

Me këtë rast ishin të shumtë ata kolegë që i kushtuan shkrime kësaj ngjarjeje të dhimbshme, duke dhënë edhe vlerësimet e njohura për të ndjerin.

Sikurse e kemi zakon ne shqiptarët, në raste të tilla e kalojmë krejt masën, duke dëshmuar edhe një mungesë ndjeshmërie ndaj kontekstit.

Këtë ma provon titulli i një shkrimi të Natasha Lakos: “Ali Podrimja, Homeri shqiptar”, ku poeti krahasohej drejtpërdrejt me Homerin – një krahasim shijekeq, i sforcuar dhe kundërprodhues.

Asgjë nuk i shton Podrimjes kjo përqasje falas me Homerin, i cili njihet, edhe për antonomazi, si babai i poezisë.

Më duhet ta pranoj se kur kam lexuar vargjet e Podrimjes kurrë nuk më ka shkuar mendja tek Homeri; dhe vetëm fakti që të dy këta janë poetë nuk mjafton për ta përligjur krahasimin.

Aq më tepër që titulli i Homerit shqiptar është përdorur, jo gjithnjë me elegancë, për shkrimtarë të tjerë të së kaluarës.

Dihet, për shembull, se albanologu gjerman Maximilian Lambertz pat quajtur “Homer shqiptar” Gjergj Fishtën; dhe jo pa të drejtë. “Lahuta” e Fishtës është e krahasueshme, në tipologji dhe në epizëm, me Iliadën e Homerit.

Me një kuptim tjetër, Homer shqiptar kanë quajtur edhe përkthyesin e Iliadës, Gjon Shllakun.

Natyrisht, gjithsekush është i lirë të quajë Homer atë që dëshiron: kështu kanë bërë për Arben Dukën, ose për Selman Vokshin (ky i fundit është edhe i verbër).

Siç mund të merret me mend, Homer shqiptar i kanë thënë edhe Ismail Kadaresë, një karakterizim që Kadareja vetë do ta ketë gjetur qesharak.

Në një intervistë që ia bëri Kadaresë, shkrimtari malazez Mirash Martinovic i thotë këtij: “Jeni pagëzuar me një epitet të veçantë, ju quajnë Homeri ballkanik.”

Mirëpo si Homer ballkanik, Kadaresë do t’i duhet të konkurrojë me Ivo Andriçin…

Shkrimtarët janë të shumtë, epitetet të pakta.

Ende nuk ishte tharë boja tipografike mbi artikullin e Lakos, kur ia behu vdekja e një tjetër shqiptari të shquar: Arbën Xhaferit, të cilin Xhenis Sulejmani, një student i universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” rendi ta quajë “Sokrati shqiptar,” me një artikull të shpejtë përkujtimor. Në trup të artikullit, Sulejmani vëren se “helenët do na kenë lakminë se neve kishim Arbër Xhaferin.”

Sulejmani është shumë i ri për të pasur zërin e vet autorial; antonomazia, në titullin e artikullit, nuk është veçse një klishe që dëshmon, sikur të ishte nevoja, prirjen e retorikës në mediat shqip, për bombastikë të hatashme, kur vjen fjala për të folur për të vdekurit.

Brenda një muaji, bota shqiptare humbi më parë Homerin, pastaj Sokratin e vet.

Si edhe për Homerin, patetikën e ndërlikon fakti që titulli i “Sokratit shqiptar” është i xanun tashmë: e kanë përdorur rëndom për Mirush Kabashin, protagonist i dramës monolog, mbështetur në “Apologjinë e vërtetë të Sokratit.”

Natyrisht, Kabashi nuk quhet kështu për virtytin e tij filozofik, por për mjeshtërinë me të cilin e ka mishëruar në skenë figurën e athinjotit të lashtësisë.

Ndërkohë, “Sokratin shqiptar” e ndesh edhe të përdorur për Ukshin Hotin, madje edhe për personalitetin e Rilindjes Shqiptare Hoxha Tahsin.

Në një kuptim, është për t’ua pasur zili grekëve: ngaqë këta i kanë të tyret Homerin dhe Sokratin, nuk kanë pse të mundohen, për të identifikuar Homerët dhe Sokratët grekë të modernitetit.

Sa për ne shqiptarët, të paktën kemi ç’të krenohemi me ambicjen tonë – për t’i ngritur të vdekurit në piedestale, për t’u ndërtuar obeliskë dhe piramida, njëlloj si në Egjiptin e lashtë. Pa çka se po këta të vdekur, sa kohë që ishin gjallë, i kishim lënë praktikisht në harresë.

Për të ndjerin Podrimja vitet e fundit nuk po kujtohej njeri, jo ta bënte Homerin shqiptar, por edhe thjesht Kavafisin shqiptar ose Elitisin shqiptar, sa për të mbetur në gjeografinë e Homerit; ndërsa Xhaferit ia shkruan nekrologjitë kilometrike, pa çka se, me ç’kam parë në shtyp, ia bënë të padenjë varrimin (kushedi nga frika se mos kthehej prapë mes të gjallëve).

Asgjë për t’u habitur as këtu: a nuk ishin athinjotët vetë që e detyruan Sokratin të pinte çikutën?

Nuk ka komente

  1. Varrimi i Arben Xhaferit eshte cilesuar, nga te gjithe ata qe kane shkruar per te, si jo i denje . Ketu e kam fjalen per shtypin tone ne rradhe te pare, por per inerci pati reagime te tilla edhe ne kosove , reagime disi te sforcuara sepse ata e njohin shume me mire realitetin e perditshem tek shqiptaret e maqedonise.
    Varrimi ,sic dihet, u be sipas zakoneve te banoreve te zones, njelloj perzierje mes tradites shqiptare dhe ritit islamik te rastit.
    Ky i fundit, mesa duket , shihet si pergjegjesi kryesor per kete padenjesi!
    Jo shume kohe me pare , Arben Xhaferi reagoi ne nje menyre shume elegante ndaj shqetesimit (snob) ne rritje , te islamizimit te theksuar te shqiptareve te maqedonise.
    Arben Xhaferi tha:- Shqiptaret e maqedonise keshtu kane qene perhere.
    Cfare elegance! Ai mund te shkruante nje artikull te gjate ne lidhje me kete , por i mjaftoi vetem nje fjali.
    Arben Xhaferi kishte familjen e tij , njerezit e tij te aferm , e padyshim kane qene ata qe kane dashur qe varrimi te behej ne nje menyre te tille.
    Duke percmuar menyren se si u varros i ndjeri, percmohet zgjedhja e familjareve te tij , e njerezve te tij te dashur, e popullit te tij qe ai e njihte shume mire.
    Prandaj, edhe vleresimi qe i behet figures se tij zbehet prej kesaj mendesie skajshmerisht provinciale , qe e gjen “madheshtine” e vet tek prapambetja kulturore dhe shpirterore e shqiptareve te maqedonise!

  2. Shkrim shumë i mirë XhaXha. Ka një përmasë groteske kjo e tëra. Kur dëgjon p.sh. se, as dy javë më vonë nga varrimi i të ndjerit, botohen dy antologji me poezi mbi të, shkruar nga 150 persona e ku me siguri gjenden thirrore më të vajtueshme se kjo e Homerit e që të dyzojnë sikurse një e qeshur në kësoll.
    Ky lloj patosi elegjiak, me sa duket, është sindromë tipike e shoqërive me trauma diktaturash: shih p.sh. vdekjen e Hoxhës, kur u shkruan vullnetarisht miliona vjersha, apo edhe së fundi të Kim Jong Il në Kore; një shenjë, më ngjan mua, se na duhet ende shumë kohë për të arritur sensin e masës; por edhe shenjë se mediat vuajnë ende patologjikisht nga kitsch-i dhe patosi maniak.

  3. Pse sindromë diktature, Mirazh?

    Nga hiperbolizimi vuajnë dhe grekët. Edhe armiqtë i perceptojnë si shumë të mëdhenj dhe të fuqishëm (lobi hebre, kapitalistët amerikanë), dhe veten e vlerësojnë lart (pasardhës “charter” të Perikleut dhe Leonidhës), karakteristike është ajo që shkruan Nikos Dimou: greku para pasqyrës dallon Aleksandrin e Madh, ose Kollokotronin, ose të paktën Onasin. Asnjëherë Karagjozin. E pastaj vazhdon… në fakt ai është karagjozi…

    Unë përkundrazi, kësaj mendësie ia shoh rrënjët tek besimi në fe. Besimi në një qënie mitike, omnipotente, që na ka krijuar të gjithëve sipas fytyrës së vet. Ky është modeli të cilit duhet t’i ngjajmë. Dhe më të mirët prej nesh të vdekshmëve, i krahasojmë me të. Duhet të shkojnë sa më afër tij. Ai është magneti që i tërheq.

    1. Më fal J., por nuk po bëj dot lidhjen midis besimit e kësaj mendësie.
      Mund të argumentoja se është pikërisht e kundërta: se implodimi i besimit në ish Bashkimin Sovjetik, Rajhun e tretë, në Kinën e Maos, etj., etj., e kulti pothuaj hyjnor i individit i “Udhëheqësit të pagabueshëm” ka si premisë kryesore ateizmin, por edhe kjo do të ishte vetëm gjysmë e vërtetë, pasi shembuj të ngjashëm gjenden edhe në struktura thellësisht religjioze.
      Kur shkrova “diktaturë” kisha ndërmend më shumë strukturat piramidale, ateiste apo fetare qofshin. Besimi i verbër dhe mosbesimi i skajshëm, mendoj se, kanë shumë të përbashkëta, pasi ekstremet takohen. Kështu p.sh. mund të heqësh shumë paralele mes nazizmit e komunizmit. Por do të zgjateshim shumë këtu e do i linim kornizat e kësaj teme, ndaj po e le këtu më mirë.
      Nga hiperbolizimi vuajnë dhe grekët, shkruan ti. Ka të ngjarë. Do pyesja këtu: “Të tërë grekët, apo duhet të përjashtojmë këtu Kollokotronin?”. Diç si: “…të tërë kretasit janë gënjeshtarë, por…” .

      1. Absolutizmi, i ka rrënjët në monoteizëm. Kam shkruar për këtë një artikull këtu në PTF (Fustanella dhe fraku II). Prej tij burojnë dhe format alternative të kultit të individit, qoftë komunist, nazist, apo fondamentalist fetar.

        Është çështje strukture, apo mendësie. Unë besoj se është kjo e dyta. Diktatura dhe për pak vjet do të shndërrohet në një fantazëm, do të bëhet edhe ajo krijesë mitike. Kurioz jam të di si do të trajtohet atëherë; do themi që ishte pjesë e jona, apo ngjante me djallin që na kishte përfshirë.

        Besoj se një dukuri për tu quajtur fenomen, nuk i përgjigjet asaj pyetjeje. Për ta përshkruar fenomenin, mjaftojnë disa ilustrime të tij. Ose fundja do të duhet të më besosh, kur të shkruaj, se po vërtet, edhe grekët vuajnë – në masë – nga hiperbolizimi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin