MISH ME LËNG

nga Dar Dani

Seminari XXXI ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare

Edhe këtë gusht Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës dhe Fakulteti Histori-filologji i Universitetit të Tiranës organizuan Seminarin ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky i sivjetshmi ishte i tridhjetenjëti. Kështu në periudhën 13-25 gusht në mjediset e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë u zhvilluan kurset e gjuhës paradite dhe pasdite. Në mëngjes, pas kurseve, u mbajtën ligjërata dhe pas mësimeve të pasdites u mbajtën referimet. Të premten 17 gusht në mëngjes pas mësimeve ishte në program Tryeza e seminarit me temë “Njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë”. Një pjesë e rëndësishme e seminarit, si çdo vit, qe sesioni shkencor.

Në sesionin shkencor të gjuhësisë tema bosht qe “Studimet gjuhësore të shqipes (1912-2012)”. Punimet zgjatën tri seanca: dy u zhvilluan të premten 24 gusht dhe tjetra në mëngjesin e datës 25 gusht. Në të njëjtat ditë zhvilloi punimet edhe sesioni shkencor i letërsisë me temë bosht “Studimet letrare shqiptare (1912-2012)”. Në sesionin shkencor të gjuhësisë ishin në program 52 kumtesa, kurse në atë të letërsisë 49 kumtesa.

I parë në tërësi seminari është një vëllim kolosal pune dhe përfshin: lajmërime, pritje të mysafirëve, studentë, ndjekës të kurseve të gjuhës apo studiues, sistemimin e tyre (seminari nuk garanton vetëm udhëtimin për në Prishtinë), punimet e sesionit shkencor, mësimdhënie, ligjëratat, referimet dhe kumtesat etj. Të gjitha këto përbëjnë një ngarkesë sasiore dhe cilësore jo të zakonshme. Dhe ky organizim ka të bëjë jo vetëm me periudhën dyjavore të zhvillimit të seminarit në Prishtinë, por edhe më përgatitjen dhe organizimin gjatë gjithë vitit. Këtu hyn edhe botimi i materialeve të seminarit: teksteve të ligjëratave, referimeve dhe kumtesave të sesionit shkencor. Kështu që dikush që vjen në Prishtinë ka një program të ngjeshur për të ndjekur ligjëratat, referimet, kumtesat, për të marrë pjesë në ekskursione, vizita e takime.

Po, përveç këtyre gjërave, nuk mund të mos nënvizojmë disa gjëra të tjera përsa u përket kontributeve të studiuesve pjesëmarrës. Është e pamundur, dhe nuk kemi qëllim që në këtë shkrim të shkurtër të themi gjithçka për seminarin e sivjetshëm. Edhe pse nuk ka mundësi të ndjekësh e të përmbledhësh të gjitha fjalimet e dy javëve. Ndërkohë që seancat shkencore të gjuhës dhe të letërsisë i zhvillojnë punimet njëkohësisht në dy salla të ndryshme. Dhe duke lënë mënjanë 6 ligjëratat në program, 50 referimet dhe kontributet e Tryezës së Seminarit, mund të përqëndrohemi shkurt tek sesioni shkencor i seminarit.

Tema bosht e sesionit shkencor të seminarit që për këtë vit kapte përiudhën njëqindvjeçare 1912-2012, qe tepër e përgjithshme, praktikisht “lejonte” kumtesa me tema të ndryshme. Për kohën e paraparë, 8 minuta për leximin e kumtesës, mund të diskutohet. Por më shumë diskutime ngjall përvit, gjatë gjithë viteve të fundit, përmbajtja e kumtesave dhe mënyra e paraqitjes së tyre në sesionin shkencor. Mospasja e një teme të ngushtë të paracaktuar për kumtesat dhe, rrjedhimisht, për diskutimet në vijim, nuk sjell hapjen e një diskutimi të të gjithë pjesëmarrësve mbi temën e caktuar dhe mbi kontributet e kumtesave të paraqitura.

Madje mosqëndrimi i të ftuarve në sallën e konferencës gjatë gjithë sesionit shkencor, paraqitja nganjëherë e shpejtë dhe e mangët e kumtesave, edhe pse Drejtoria e Seminarit për këtë është shumë e saktë në lajmërimin për kohëzgjatjen e leximit të kumtesës dhe të faqeve që mund të botohen në aktet e seminarit, nuk u përgjigjen përkushtimit të organizuesve, angazhimit financiar, si edhe mundësisë për të cilën pjesëmarrësit duhet të jenë të vetëdijshëm, pra mundësisë për të marrë pjesë në një kuvend të tillë të kualifikuar. Dhe kjo për të mënjanuar që ndonjë ditë e punimeve të seminarit të kthehet në rutinë të padobi, gjë për të cilën letrat shqipe nuk kanë pasur dhe nuk kanë aspak nevojë.

Përvoja shumëvjeçare në organizim, numri i madh i studentëve në kurset e gjuhës shqipe nga shumë vende të botës, prania e shumë emrave të rëndësishëm të letrave shqipe në listën e pjesëmarrësve, na lënë të shpresojmë pozitivisht për këtë seminar ku në vite kanë qenë të pranishëm një pjesë e mirë e studiuesve të letrave shqipe që sot zhvillojnë veprimtarinë e tyre në të gjithë botën.