MISTIFIKIME DHE FIASKO

Poet amerikan, përkthyes dhe kryeredaktor i New Poetry in Translation, Brian Sneeden nga Universiteti i Connecticut-it ishte ftuar në Festivalin e Letërsisë në Orllan të Kosovës, për çka edhe shkroi përshtypjet dhe përsiatjet në World Literature Today.

Gjatë tri ditëve të Festivalit, ai pati mundësi të bisedonte gjërë e gjatë me mikpritësit e vet dhe me poetë e kolegë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria. Disa nga të dhënat që mblodhi kësisoj, Sneeden i ka përcjellë edhe në esenë e vet; dhe pasaktësitë tij të habitshme më bënë që të ulem e t’i shkruaj këto dy rreshta.

Autori e pranon vetë se, para se të shkonte në Kosovë, nuk dinte pothuajse asgjë për shqiptarët e Ballkanit, përveç ca platitudave që kish dëgjuar në mediat amerikane. Prandaj disa pohime të tij në ese ose pasqyrojnë informacionet që ia kanë blatuar miqtë e vet, ose janë thjesht keqkuptime, për shkak edhe të vështirësive gjuhësore.

Se ç’mendon Sneeden-i për çështje të ndryshme të kulturës shqiptare, kjo nuk ngre peshë; por se çfarë po u themi të huajve, ndonjëherë edhe shumë dashamirës, për t’i bërë pjesë të cic-miceve tona, kjo meriton të vihet në dukje.

Në ese flitet, mes të tjerash, për poezinë epike shqip, dhe këtu autori kujdeset të vërejë se

Dialekti geg, me fonologjinë e vet morfike dhe mbylltoret e shumta palatale, ishte përcjellësi ideal për poemat e gjata, në vargje formulaike, të tilla si e padatuara “Balladë e Konstandinit dhe Doruntinës.”

(The Gheg dialect, with its morphic phonology and abundant palatal stops, was an ideal conduit for the long, formulaic verse poems such as the undated “The Ballad of Constantin and Doruntine.”)

Nuk po e kuptoj mirë se çfarë kërkon të thotë Sneeden-i për fonologjinë dhe fonetikën e gegërishtes; sikurse nuk kuptoj ç’lidhje kanë karakteristikat fonetike të këtij dialekti me përhapjen e eposit në Veri (troç – ato që thotë ai po më duken budallallëqe); por kam frikë se balada e Konstandinit dhe Doruntinës, që ky e sjell si shembull “poemash me vargje formulaike”, nuk është tipike për eposin dhe sidomos nuk u përket gegëve (siç e gjej te Çabej[1], Konstantini dhe Doruntina janë personazhet e versionit arbëresh; ku emri i vajzës del më shpesh si GarentinaDoruntina e ka Skiroi; gjetiu në Toskëri, vajza del me emrin Dhoqina; në gegërishte ndeshet të paktën një simotër e baladës, e përshtatur për mjedisin e Eposit të Kreshnikëve[2]).

Sneeden-i nuk ndalet me kaq. Në vitet 1950, thotë ai, përdorimi i gegërishtes në të folur ose në të shkruar u kriminalizua nga diktatori komunist Enver Hoxha, me pretekstin e nevojës për të zgjidhur ndarjen gjuhësore mes dialektit toskë të jugut dhe dialektit gegë të veriut.

(In the 1950s, the use of Gheg in speech or in writing was made a criminal offense by Albanian Communist dictator Enver Hoxha, under the guise of resolving the lingual divide between the southern Tosk dialect and the northern Gheg dialect.)

Gjithnjë sipas tij, poeti Primo Shllaku i paska thënë se “Gegërishtja u ndalua në atë mënyrë siç u ndalua fjala e lirë.” (“Gheg was banned the way free speech was banned.”)

Prekëse, por edhe e gjitha e gabuar; madje aq e gabuar, sa të krijojë një imazh të shtrembër dhe mashtrues, për çfarë ndodhi me gegërishten gjatë viteve të regjimit totalitar.

Pikë së pari, autori – dhe ndoshta informatorët e tij – nuk kujdesen të bëjnë dallim midis dialektit gegë dhe variantit letrar gegë; ishte i dyti që u luftua derisa u hesht, jo dialekti vetë. Dialekti nuk ka nevojë të shkruhet, që të mbetet gjallë – dhe në vetvete nuk ka qenë kurrë i rrezikuar nga standardizimi, as mund të kish qenë, gjatë viteve të imponimit të shqipes së njësuar me bazë toskërishten.

Edhe më i pagjasë është pohimi se përdorimi i gegërishtes, “në të folur dhe në të shkruar”, u shpall si krim (was made into a criminal offense) nga diktatori komunist Enver Hoxha: kjo nuk është dokumentuar gjëkundi dhe nuk i përgjigjet historisë.

Dhe aq më pak mund të ketë ndodhur kështu në vitet 1950. Kujtoj këtu se në vitin 1952, në dy konferencat shkencore të mirënjohura, që u mbajtën për shqipen letrare[3], kur u pranua madje u sanksionua përdorimi i toskërishtes letrare në shtet, në administratë, në shtyp dhe në tekstet shkollore; kishte autoritete si A. Xhuvani dhe E. Çabej që deklaronin haptazi se “Gjuha letrare e vetme është e mundur vetëm si gjuhë zyrtare” dhe se “shkrimtarët mund të vazhdojnë të shkruajnë në dialektin e tyre.” Madje Çabej nuk e gjente fatkeqe që “shqiptarët nuk e shkruanin të gjithë gjuhën e tyre në një trajtë, por me dy forma dialektore të ndryshme”; ndërsa Xhuvani propozonte që të mos futej toskërishtja në shkollat fillore të zonave mbi Shkumbin, duke vazhduar (gegërisht) se “jam i mendimit se brezi i sotëm intelektual duhet të shkruejë në dialektin e vet, që të mund të nxjerrë ndonjë prodhim me vlerë, e të mos i vihet ndalesë përdorimit të gegënishtes në shtyp e në prodhime letrare.”

Edhe Rregullat e drejtshkrimit të shqipes të botuara në vitin 1956 bazoheshin vërtet në toskërishten letrare, por ofronin të dhëna – në formë shënimesh në fund të faqes – edhe për drejtshkrimin e gegërishtes, çfarë provon se gegërishtja në atë kohë jo vetëm shkruhej, por edhe kishte interesim institucional që të shkruhej mirë.[4]

Në fakt, kushdo mund të verifikojë se, në veprat letrare të botuara rishtas në Shqipëri pas vitit 1952 (d.m.th. jo në ribotime të letërsisë së traditës), gegërishtja u shkrua pak a shumë lirisht deri në fund të viteve 1960 – mjaft të përmend këtu autorë të mirënjohur si Kolë Jakova dhe Llazar Siliqi ose përkthyes si Gjon Shllaku (“Iliada”) dhe Pashko Gjeçi; pa përmendur pastaj përdorimin e saj në teatër, në estradë dhe në tekstet e këngëve.[5]

Te “Politika e gjuhës në Shqipninë socialiste”, edhe Arshi Pipa, duke iu referuar periudhës para Kongresit të Drejtshkrimit në 1972, shkruan se:

Qysh herët, kah 1952, Lidhja e Shkrimtarëve vendosi që botimet të delnin vetëm në tosknisht. Gegnishtja letrare u ngushtue vetëm në sferën e letërsisë artistike, e cila vazhdoi të lejohej, nësa vazhdonte me humbë terren.[6]

Pipa ka të drejtë kur shton se “Revolucioni kultural shqiptar (1966-1969) i zhduku edhe gjurmët e fundit të gegnishtes”[7]; por gabon në pohimin se deri atëherë “gegnishtja letrare” lejohej vetëm në sferën e letërsisë artistike; ose me dashje, ose ngaqë nuk e njeh literaturën. Në fakt, Rexhep Ismajli, në veprën e cituar, citon dy autorë të njohur tekstesh jo me natyrë letrare-artistike, Qemal Haxhihasanin dhe Jup Kastratin, të cilët botonin artikuj studimorë në gegërisht, në vitet 1955, përkatësisht 1956. Kushdo që ka interes, mund të gjejë edhe shembuj të tjerë botimesh shkencore në variantin letrar geg, në revistat e asaj kohe.

Atëherë si duhet ta kuptojmë këtë që i paska thënë Primo Shllaku Sneeden-it, dhe pikërisht që “Gegërishtja u ndalua në atë mënyrë siç u ndalua fjala e lirë”? Një interpretim është që Sneeden-i autor i ka dhënë vetes ca liri të tepërt, ngaqë nuk e ka marrë vesh çfarë i ka thënë Shllaku, për shkak të padijes së vet bazë të kompensuar nga entuziazmi, ose ngaqë Shllaku nuk ia ka thënë mirë në anglishte; një interpretim tjetër është që Shllaku mund t’i ketë zbukuruar dhe dramatizuar pak gjërat, ose edhe thjeshtuar, aq sa të mund t’i kuptonte edhe edhe një profan si Sneeden-i; një interpretim i tretë, është që Shllaku ashtu kujton vërtet.

Mirëpo pohimi vetë është i pambrojtshëm. Sepse flet për “gegërishten”, term që përfshin edhe dialektin edhe variantin letrar; dhe i pari nuk u ndalua kurrë – edhe pse përdorimi i tij në kontekste formale erdhi duke u kufizuar dhe stigmatizuar, sa kohë që në shkolla mësohej vetëm toskërishtja letrare dhe sa kohë që standardi filloi të shënjonte edhe seriozitet dhe kompetencë; sepse lë të kuptohet sikur përdorimi i gegërishtes u kriminalizua, gjë që e formuluar kështu nuk është e vërtetë, sikurse mund të provohet lehtë; meqë me qindra (në mos mijëra) vetë janë dënuar, në Shqipëri, “për një fjalë goje”, por nuk më rezulton të jetë dënuar kush, dhe aq më pak me gjyq, ngaqë ka folur ose ka shkruar gegërisht.

Gegërishtja letrare, ose variantet letrare të gegërishtes (shkodranishtja, elbasanishtja, deri diku edhe kosovarishtja) u mënjanuan nga përdorimi, por me metoda të tërthorta: duke dekurajuar shkrimin rishtas të gegërishtes letrare, duke ndaluar për arsye politike dhe ideologjike veprat themelore të kulturës së bashkëlidhur me gegërishten e shkruar – si ato të Fishtës; duke nxjerrë jashtë ligjit Kishën Katolike dhe krejt sistemin e produksionit kulturor që orbitonte rreth Kishës; duke mos u dhënë bartësve të dialektit gegë mundësi për të mësuar si të shkruanin gegërishten në shkollë, etj. Brezi i atyre që ishin mësuar të shkruanin gegërishten ose u la të plakej natyrshëm, ose u pengua politikisht, ose iu përshtat situatës së re gjuhësore të imponuar politikisht; në një kohë që brezi i ri, i edukuar në shkollat e regjimit, nuk shkruante dot gegërishte edhe të donte, sepse nuk dinte si. Ndryshe nga e folmja amtare, që nuk ka nevojë të mësohet në shkollë, varianti letrar i shkruar duhet mësuar, si çdo teknikë tjetër. Me fjalë të tjera, varianteve letrare të gegërishtes iu prenë rrënjët kulturore, më parë në Shqipëri, më pas edhe në Kosovë.

Çfarë ka ndodhur me Sneeden-in në Kosovë është një kombinim total i injorancës me keqkuptimin dhe dizinformimin; për fat të keq, shumë prej nesh ndihen gati “të detyruar” t’u thonë të huajve budallallëqe, sa herë që këta tregojnë interes për punët tona. Dhe kjo po ndodh aq sistematikisht, sa është vështirë që mistifikime të tilla t’ia faturosh vetëm kontekstit të komunikimit dhe mungesës së një gjuhe të përbashkët “kulturore.”

(c) Peizazhe të fjalës


[1] Te “Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare,” botuar për herë të parë në vitin 1934.

[2] Vetë Çabej, në artikullin e lartcituar, ka mbledhur një version të kënduar nga bariu Vad Marashi prej Berishe në Pukë, ku personazhi kryesor del me emrin Halil. Nuk jam në gjendje të them nëse ka variante të tjera të kësaj balade në zonat e gegërishtes; por gjithsesi nuk besoj që ato të përdorin emrat Konstantini dhe Doruntina.

[3] Pati dy sesione të tilla, të cilat u mbajtën në vazhdën e botimit të artikujve të Stalinit për çështjet e gjuhësisë. I pari, në janar të vitit 1952, u kushtohej ideve të Stalinit; i dyti, në shtator të vitit 1952, u kushtohej çështjeve të gjuhës letrare kombëtare. Një përmbledhje të gjerë të këtyre sesioneve, së cilës i referohem edhe gjetiu në këtë material, e kam gjetur te Rexhep Ismajli, Gjuhë standarde dhe histori identitetesh, ASHH, Tiranë 2005, f. 108-142.

[4] Te Historia e standardizimit të shqipes, SHBLSH e re, 2010, Bahri Beci shkruan se konferencat e vitit 1952 nuk arritën të përligjin zyrtarisht sanksionimin administrativ të toskërishtes letrare, për shkak edhe të kundërshtimeve të Xhuvanit dhe të Çabejt, por edhe të një hezitimi të shprehur nga përfaqësuesi i shkencës gjuhësore sovjetike në Konferencë, V.P. Suhatin, i cili theksoi se “pa materiale linguistike të përpunuara mirë, zgjidhja përfundimtare e çështjes së dialektit bazë të gjuhës letrare nuk do të ishte bindëse dhe prandaj do të ishte e parakohshme” (f. 162-163).

[5] Natyrisht, gegërishtja letrare në Kosovë ka ndjekur një rrugë tjetër zhvillimi, që do të mbetet jashtë këtyre përsiatjeve.

[6] Botimet Princi, Tiranë 2010, f. 34. Përkthimi nga origjinali në anglisht është i Primo Shllakut.

[7] Po aty, f. 35.

16 Komente

  1. Emrat ndryshojne rendesi ka historia e legjendes. Mjaftoi nje efekt i anglishtes dhe Kostandini u be Konstandin. Ne qitapet turke emri gjendet si Kondi, si i tille edhe si mbiemer, dmth Kondi Kondi. Ka ngelur gjeresisht ne mbiemrat e krishtere ne kete forme, por ka edhe plot myslimane me mbiemrin Kondi (çka deshmon vjetersine e familjes). Mandej efekt i greqizimit te shek 19, u be Kostandin, e me tej Kosta/Kostaq, Koçi/Koço e me rralle Ndini/Ndino. Ne shek 18 do kete qene Kondi dhe Dhoqina. Nuk do i merrja shume parasysh emrat ne legjenda, aq me teper per te percaktuar perhapjen e legjendave.

    Per gegerishten te huajin e paskan manipuluar keqazi. Kam pershtypjen se elbasanllishtja do te kish qene zgjedhja me e mire, megjithese hamendesoj se as elbasanllishtja s’do kishte frenuar vrullin e ca e cave, do quhej si gegerishte e shartuar qe nuk shpreh mire muzikalitetin e gegerishtes safi.
    Gjithsesi ti xha xha je irrituar çik si shume per kaq pako gje.

    1. Janë gjëra që i ndesh herë pas here dhe që kanë marrë hov kohët e fundit – ky amerikani thjesht u bë sebep. Dikush duhet të ndërhyjë për të sqaruar, sepse pastaj budallallëqet e gjejnë rrugën drejt premisave dhe hajde t’i shkulësh. Ndonjë ditë do të na dëgjojnë veshët se edhe ilirët kanë qenë gegë.

      Sa për emrat në baladat, ndoshta duhet pasur parasysh se ndonjë prej tyre, p.sh. Ko(n)standinin, mund ta ruajtur në qarkullim edhe ndikimi kulturor i Kishës. Pa folur pastaj që konteksti i një balade është vetvetiu arkaicizues, sepse edhe emrat do të priren të shënjojnë një tjetërsi – ose një botë që nuk është ajo reale.

        1. Faleminderit Bashkim për vendosjen e fjalës vegëz në vend të link (unë kam eksperimentuar duke e zëvendësuar me fjalën syth në ndonjë rast, por më duket se vegëz qëndron më mirë dhe nuk lë shteg për devijime kuptimore).

          Ky shkrim më solli ndërmend një të huaj i cili kishte pak kohë që kishte mbërritur për të punuar në Shqipëri dhe shqipen e kishte mësuar në katedrën përkatëse, në universitetin e vendit të tij. E dëgjoja tek fliste me një shqipe të sigurt por që “rËnkonte” megjithatë nga ë-të e vendosura pikë për pikë sipas rregullave të standardit. Janë ato ë-të që latohen e shuhen në të folurën tonë (gjithmonë sipas standardit dhe jo në dialekt), por që ja behin edhe aty ku ndoshta s’duhet në shkrim. Them ndoshta, sepse me siguri mund të thuhet nga ata që merren me gjuhësi, por e sigurt është ndjesia e artificialitetit që të vret veshin kur i dëgjon nga një i huaj, madje edhe nga fëmijët kur mësojnë të lexojnë fjalët e fjalitë në klasën e parë.

          E ka ndihmuar apo mëkequr standardi shqipen?
          Është përdorur ai si shtëpi apo burg gjatë diktaturës?

          Autori, me të drejtë thotë: “Brezi i atyre që ishin mësuar të shkruanin gegërishten ose u la të plakej natyrshëm, ose u pengua politikisht, ose iu përshtat situatës së re gjuhësore të imponuar politikisht; në një kohë që brezi i ri, i edukuar në shkollat e regjimit, nuk shkruante dot gegërishte edhe të donte, sepse nuk dinte si.”

          Duket se nuk është thjesht standardi per se që e ka fajin, por mënyra sesi u instrumentalizua politikisht ai duke e “mbyllur” njëfarësoj gjuhën dhe bllokuar prurjet leksikore nga gegërishtja që mund të vijnë natyrshëm në ndihmë për fjalëformime të reja, aq të domosdoshme për kohën që jetojmë.

          A mund të themi Europë dhe ta shkruajmë këtë fjalë si e themi pa u penalizuar nga standardi apo do vazhdojmë të shkruajmë gjysmë me pahir Evropë “se kështu e ka fjalori”? Pasi kthehesh nga Greqia e ke përdorur ca “Evro” për të blerë, të duhet ta heshtësh arsyen për të mos e parë si krahinorizëm këtë fjalë të shkruar që ndryshe e shqiptojmë.

          A do të kujtohet ndokush (e kam fjalën për institucione dhe jo ndonjë gjuhëtar të pasionuar) të mbledh fjalët e reja të krijuara nga shkrimtarë apo përkthyes të talentuar për të zëvendësuar fjalët e reja që kanë mësyrë nga gjuhët e huaja?

          A mund të rishikohet standardi dhe çështja e gegërishtes sot? Duket mision i vështirë (edhe pse kemi një KM që qorton me durim gabimet e komentuesve në Facebook) duke mos ditur si do i vejë filli Akademisë dhe ndonjë institucioni tjetër që dremit mbi fjalorë e studime të zverdhura nga koha.

          Nëse duam, ka shumë për të bërë dhe kam vërejtur se në Kosovë ka përpjekje në nivel institucional shumë më tepër se në Shqipëri për këtë qëllim (programi kompjuterik “Kulla e Shqipes” është një prej tyre, përveç seminareve dhe aktiviteteve të tjera). Koha është në anën tonë, sepse teknologjia e bën të arritshme shqipen për këdo, nëpërmjet përdorimit të fjalorëve online, titrave në rastin e këngëve apo filmave ku përdoren dialekte (mësimi i të cilave mund të futet në shkolla në mënyrë fakultative), madje mund të përdoren edhe gjoba gjuhësore për gabimet që hedhin valle gjithandej në ekrane e gazeta (eh, sikur të kishte një njësi mbikqyrëse të ngjashme me ato që vjelin taksat e bizneseve!)

          1. Një shembull: kjo kënga sikur të kishte edhe titra poshtë me siguri që do kuptohej më lehtë.

  2. Ky monolog i nisur keto dekada te fundit nga gjithfare njerezish me komplekse mbi menjanimin e gegerishtes, me jep mua ndjesine sikur nuk jam i lindur dhe rritur ne Shqiperi, por se duhet te vij nga ndonje planet tjeter. Eshte e vertete se une ne shkolle, ne dokumenta, ne letersi gjeja gjuhen letrare, e perngjashme mw shume me ate tosk se me ate geg. Por kjo gjuhe letrare nuk perngjante me as edhe njeren nga dialektet e jugut, por ishte nje evolim i tyre. Pervec kesaj, deri ne vitet ’80 une e gjeja gjuhen gege edhe ne letersi, ne proze me pak e ne poezi me shume, (gazeta Drita, rev. Nentori), neper filma po e po, pa permendur pastaj komunikimin real me gjithfare njerezish qe perdornin gegerishten, apo perafer saj, dhe ne qe perdornim tironcen, gjuhe kjo ne ndryshim te pareshtur drejt asaj letrare. Kjo teori viktizimi qe perhapin disa te paafte me komplekse inferioriteti, thjesht justifikon paaftesine e tyre ne krijime, si dhe nxit percarjet veri-jug. Por ndonje gje ne lemin e gjuhes nuk rregullon, pasi kjo gjuhe letrare si evolim i atyre toske (kryesisht) i shpreh mjaft mire dhe bukur ndjesite, fjalet vete, shumicen e formave te te folurit, (ape pa dush me t’than n’kat rast: mnyrave tat folmit?!, apo: xhi do me t’than: ma… ma.. xhi dash kjo? manir me t’fol? a s’po e mirr vesh!.. ). E ne kombinim me gjuhen gege, sipas rastit, si ne tregimin me lart ketu tek PTF, standarti i gjuhes tone eshte nje vlere e pacmuar.

  3. Po noshta jan ken (kan qenë) pak n’qef me pije atje ne Festivalin e Letersis n’Kosov, se edhe rakia e vena (vera) nuk u paska mugua besa. Noshta edhe nuk e kan dit se po u dalin fjalt n’interrnet se mund ti kishin kreh menimet ma lezetshem, e noshta jan gatrrua (ngaterruar) me anglishten ka pak (lost in translation).

    Ardian djali (z.Vehbiu), vije (duhet) me na lejua me dal jasht standartit n’ikyt (në këtë) tem për me mujt me e ilustrua ma mir nji nënvariant t’gegnishtes edhe per lexusit e shumt, por ishte me ken fort interresante me shkrua gjin’ja (njerëzia) jon n’toskërisht, e muncisht n’dialekte t’thella se dikur ta po merrna vesht besoj, se edhe fort serjozish vedin (veten) nuk duhet me e marr përher.

    Jam dakort se nuk e kena has kun (gjëkundi) se perdorimi gegnishtes t’jet shpallun veper penale. Duhet me e pranua se shqipja e njehsume (standarte) ka marr sot prej te dy dialekteve dhe asht formzu n’nji perzimje komtare qi i avitet (afrohet) ka pak tan (gjithë) dialekteve.
    Thon se 1952 a ken taman vit i fort, dhe do (disa) kan shkrua se ite (ishte) direkt pasoj e rreformave te thella sovjetike e marksiste me urdhën prej nalt, venim (vendim) politik, e sidomos personifikim i kultit te udhheqsit t’ri qi po modelohej si Stalini, nji diktator qi u nerua n’Shqipni ma shum se askun tjeter n’bot. Ma von i erdh rralla rreformimit t’emnave t’njerzve, si dhe besimit ose fes s’robve, veshjeve, muziks etj etj. E Kosova s’ka pas fol tosknisht, por ama e pranune qysh ather shqypen zyrtare te 1972it. N’Shqipni, mas (pas) 1972 nuk u botua ma asnji libër n’gegnisht.
    Noshta ka met e pasqarume se si silleshin msusit ne klas e ne shkoll me nxansit qi flitshin gegnisht.
    Pytje. A a ken kush thmi (fëmi) apo rini n’vitet ’50 mare? A dihet gja se a ka pas persekutim apo vrejtje per shkollart qi nigjoheshin tu fol dialektorshe n’mjedise t’shkollave?

    1. Ti shkruaje shqipen si të duash, se nuk po të pengon kush. Unë të marr vesh, se jam i trajnuar që të të marr vesh. Kam frikë se të tjerët nuk do ta kenë kollaj. Qëllimi i një gjuhe të njësuar nuk është t’u krehë bishtin identiteteve lokale, as të shërbejë si parlament i dialekteve, por t’i ndihmojë folësit të merren vesh me njëri-tjetrin sa më mirë edhe kur vijnë nga gjeografi të ndryshme. Edhe kosovarët, sa më shumë që të bien në kontakt me dialektet e tjera të shqipes – sidomos me ato të Jugut – do të binden se dialekti i tyre mund t’u kthehet edhe në kafaz.

  4. Zjarrmi, vendosa disa ë qe kane qene dikur dhe disa te tjera qe zevendesohen me ‘,disa grupe bashketingelloresh dhe zanoresh qe kane qene, rregullova nje gjinore te humbur (perdorimi gegnishtes), nja dy rregulla moderne qe i ka vetem zyrtarja rr me r ( internet) dhe j me i (seriozisht) dhe rezultati del diçka mese e kuptueshme, duke fshire keshtu disa shpjegime te panevojshme.

    – Po ndoshta jane kene (kan qenë) pak ne qef me pije atje ne Festivalin e Letersise ne Kosove, se edhe rakia e vena (vera) nuk u paska mungue besa. Ndoshta edhe nuk e kane dite se po u dalin fjalet ne internet se mund t’i kishin krehe mendimet ma lezetshem, e ndoshta jane ngaterrue me anglishten nga pak (lost in translation).

    Ardian djali (z.Vehbiu), vije (duhet) me na lejue me dale jashte standartit n’i kyt (në këtë) teme për me mujt me e ilustrue ma mire nji nënvariant te gegnishtes edhe per lexuesit e shumte, por ishte me kene fort interesante me shkrue gjindja jone ne toskërisht, e mundsisht ne dialekte te thella se dikur ta po merrna vesht besoj, se edhe fort seriozisht vedin (veten) nuk duhet me e marre përhere.

    Jam dakort se nuk e kena hase kund se perdorimi i gegnishtes te jete shpallun veper penale. Duhet me e pranue se shqipja e njehsueme (standarte) ka marre sot prej te dy dialekteve dhe ashte formesue ne nji perzimje kombetare qi i avitet nga pak tane (tere) dialekteve.

    Si e sheh Zjarrmi me pak ”fare kosi” te marre nga gegerishtja e vjeter, rezultati duket me premtues per gjithe lexuesit, keshtu qe pyetja ime eshte, pse nuk sforcohet kush te marre pak ”fare kosi”, nga kosi i vjeter, ose te trokase dek dera e fqinjit/toskerishtes per pak fare kosi.

  5. O Hyllin (Ylli) ty tu rrit’t nera (nderi), ke nimua (ndihmuar),
    se je loll (lodhur) me m’korrigjua 🙂
    duket leht g’juh me godit (rregulluar)
    po mali malit nuk i g’jet (ngjason), si shpitë.

    Je munua me histori,
    prej katuni n’qytet me m’shti
    gramatik me ë-ha, rr-ëha
    e prej rruget don me m’vu n’vi (vijë).

    Hajda pra, shtroje ma bukur,
    se po kuptohna si bleta me flutur
    sillna ktu tosknishte t’shtir (vështirë)
    se dhe interrneti e rreforma po dalin n’pah ma mir.

    Rruga asht me dy drejtime,
    po, duhet me ju dhan udhzime:
    Kosovart me ra (zbrit) ma poshtë
    me plazhitë n’Sarand e n‘Vlonë!
    Po për vjesht’ a pranver duhet me j’ua kthye,
    ban (bën mirë) me i vizitua ka pak e ka ifie (pakëz),
    e me e msua nai (ndonjë) “gjuh t’huj”
    se s’jan kojshi, shqyp perdorin për buk e uj.

    Qyr (shiko) t’kallzoj primen (vërtet) për fjalt e huja
    e po t’shkruj but’ e krejt (hiç) pa kuja (thumba):

    Ah moj fjalkëzë E Huaj
    Rri dëgjoi vargjet e tua.
    Të heqin j-në, të marrin Hua,
    më pastaj të zbresin a-në
    dhe në tokë mbetesh Hu,
    po s’të lënë të mërzitesh,
    ke shokë të tjerë aty-këtu.
    Me ca thupra shpejt ju lidhin
    dhe ju vënë ca baltë vendi
    formë ju japin, mur ju bëjnë
    ca të shtrembër ca të ngrënë,
    por ama të fortë shumë.
    Për respekt, për t’ju mbuluar
    qeleshen ju hedhin, dhe je gardh i mbaruar.
    Hëh! H! Hëëëë………

    1. Nuk di fare as ta flas te foluren e zones time jo me ta shkruaj. Po mund t’i them dajes tim te madh, ca plak, te cilit kur flet shpejt s’i marr vesh vesh gjysmat e fjaleve, Koken ia tund ne forme pohuese, duke perfituar nga fakti qe njerezit pas njefare moshe duan thjesht veshe. Besoj se ai mund te kenaqe kuriozitetin tend.

      Ti tani mos pretendo llafi qe bie qe nje tosk te kuptoje formen ”msus” persa kohe qe ne toskerisht eshte ”mësonjës”, se ti vete korrupton formen gege ”mësues”.
      Gjuhet ne fund te fundit krijohen nga distancat qe marrin ne kohe dialektet e se njejtes gjuhe, prandaj meqe jemi te ndergjegjeshem se keshtu funksionojne gjerat, kemi perpara dy zgjedhje, duam t’i meshojme diferencave e te vazhdojme rrugen e cila pas disa shekujve ose 1000 a 2000 vjetesh ( se saktesisht nuk dihet sa kohe do diferencimi,) do te çoje pashmangshem ne krijimin e dy gjuheve motra neoshqipe, apo do te perpiqemi te frenojme rrugen e diferencimit, qe dialektet te ngelen te tilla.

      Ky ne fund te fundit eshte vullnet politik, cilado zgjedhje ne kushtet e sotme te njohjes se proçesit diferencues eshte produkt i nje vullneti politik, ndryshe nga e kaluara kur diferencimi ishte fakt evolutiv. Paradoksalisht huazimet e barbarizmat po i trajtojme ne menyre unitare, dmth po na bashkon pa asnje ferkim domethenes rrjedhja e identitetit gjuhesor.

      Ka dy teza per shqiptaret, teza e tkurrjes dhe teza e ekspansionit. Ne jemi per tezes e tkurrjes, greke e sllave (shkije ose shqè do te ishte me mire qe te diferencojme mes sllaveve kufitare dhe sllaveve te Vladivostokut) jane per tezen e ekspansionit. Teza jone e tkurrjes apo rrudhosjes se entitetit shqiptar, supozon nje frenim te diferencimit, qe te mos perfundoje si proçes ne zhdukje ose shperberje. Teza greko-sllave e ekspansionit shqiptar na ve ne pozita relaksi, sepse heq ankthin e nje proçesi historik i cili priret kah shperberja.

      Keto gjera qe ti ngre, mund te jene fare mire politikisht naive, por qe prej kohes se Kulles se Babelit, gjuha eshte nje element shume i forte identifikimi, per t’u trajtuar me naivitet politik.

    2. Folklor. Vetë ideja e një gjuhe të njësuar, i shërben edhe ruajtjes së të folmeve – qytetar i mirë nuk është ai që flet dhe shkruan standardin, por ai që di se kur duhet përdorur standardi dhe kur dialekti.

  6. Bej habi qe nje studiues i vemendshem si ti nuk e di qe ka shume toske Toskerie te cilet nuk jane ne gjendje te flasin te folurat e krahinave te tyre, kane ndonje nuance fare te paperfillshme, ose shprehje apo fjale krahinore, po jane te paafte te flasin ne te foluren e krahines. Logjikisht kjo vlen ne te shkruar. Standardi nuk eshte rrezik per gegerishten, por per te folurat toske. Une njoh nje thes, po besoj se ti njeh shume thase.
    Nqs vlen gjykimi vetjak, kam pare qe me te prirur per te folur ne te folurat e zonave, ose qe dallohen me lehte nga sasia e krahinizmave jane pjesa e jugut, Vlore (zonat e laberishtes dhe te folurave te peraferta me te) e poshte dhe juglindja Korçe e Pogradec, me te veshtire jane blloku qendror e verior i Toskerise, aty kam verejtur perqindjen me te larte te atyre qe dallohen me veshtiresi
    Kjo, si e shoh une, nuk eshte çeshtje qytetarie te mire apo te keqe, por eshte çeshtje konteksti. Ndoshta xhanem edhe qytetarie mund te jete, se kjo zone nga Kolonja ne Cerrik e nga malesite e Korçes ne bregdet, ka vetem nje qytet me peshe historike e kulturore, Beratin. Duke qene qytete te reja ose relativisht te reja e pa ndonje kulture specifike qytetare mund te identifikohen me lehte tek standarti.

    Zjarrmi na hodhi te gjitheve edhe nje sfide konkrete, shkruaj ne toskerishten e krahines tende, po ka shume perfshire edhe mua, qe e kane sfiden te humbur. Une vete nuk ia kam ngene te mesoj te foluren e krahines time, per te qene qytetar i mire, po ta zeme as tironçes nuk ia kam ngene, apo nqs do transferohesha ne Durres, Shkoder, Korçe apo Elbasan, as te folurave respektive. Preferoj te them te drejten te jem qytetar i keq apo edhe fshatar apo katundar safi. Gegu eshte i favorizuar ne pasjen e regjistrave qe kerkon qytetaria jote. Kujdes se do akuzojne per gegofil 😀

    1. Është standardi që e kërkon edhe regjistrin bisedor, dhe regjistri bisedor do të ngrihet mbi të folmen lokale. Për shkak të zhvendosjeve të mëdha të popullsisë, dialektet gjeografike sot po zëvendësohen nga dialektet sociale – të paktën në qytetet. Nga ana tjetër, në zona të thella, me siguri ka një regres drejt të folmeve gjeografike, për ata pak banorë që nuk kanë lëvizur. Para 1990-ës, kishte edhe rrugë të tjera për ta zbutur ndarjen gjeografike të shqipes – për shembull shërbimi i detyruar ushtarak për djemtë, ose mësuesit e shkollës që shpesh vinin nga një vend tjetër. Ndërsa tani, për zonat e largëta, kontaktin gjuhësor me “tjetrin” e ndërmjetësojnë gratë, të paktën në nivelin kapilar (atje ku praktikohet ekzogamia) dhe televizioni kombëtar; por televizioni nuk ndikon shumë në regjistrin bisedor.

      1. Te them te drejten ne Tiranen e zgjeruar, perfshire bashkine e Kamzes, mua me ngjan se e folura e Tiranes eshte ne minorance dhe shanset qe ajo te marre ndonje pocizion jashte unazes (se vjeter), ne zonat e populluara pas vitit 1990, me duken shume te vakta, sepse femijet e atyre zonave s’do kene ku ta mesojne, ne shkolle jo, ne shtepi jo, ne lagje e shkolle lagjeje jo. Nuk e di nese eshte bere ndonje studim ne lidhje me perhapjen e tironces ne zonat e populluara keto 25 vjetet e fundit – tek femijet e kam llafin, se te rriturit s’e ndryshojne te foluren- po kam pershtypjen se situata para e pas vitit 1990 ka dallim te qarte.
        Ka te pakten dy zona me homogjenitet shume te larte toske e gege, Komune e Parisit e Selite duke perfshire pjesen me te madhe te jugut te Lanes, ku jane tosket dhe nga Don Bosko ne Kamez e Bathore, ku jane geget.
        Se si do te çaje tironcja ne keto blloqe gjuhesore, ngelet per t’u pare. Une besoj se pjesa toske do shkoje drejt standartit, maksimumi me ndonje element te tironces, te tipit ”ça bone”, ”me fol” etj, edhe me soft se standarti i tironcizuar (standart me ereza) qe perdor ne ndonje kenge Elvana Gjata.
        Ndersa pjesa gege do te jete shume interesante, sepse mund edhe te jape nje dialekt social me baze gegerishten, ndoshta nje antistandart interesant. Eshte ende shpejt per te spekulluar, po ne mungese te depertimit te tironces, diçka do te krijohet sepse jane disa te folme gege qe jane ne kontakt, e ndersa tosket ne kontakt i drejtohen standartit, geget ne kontakt nuk kane kujt t’i drejtohen.

        Duhet pare edhe ç’po ndodh ne Durres, meqe rastet ngjajne.

        p.s Dikur me vinte ne krize pershendetja ”Ckemi, ça bere”. I mesuar me te tashmen ”ç’kemi, ça ben -mire-”, te ciles i pergjigjesh lirisht me formulen, ”hiç, mire”, forma e shkuar ”ça bere”, implikonte qe duhet t’i pergjigjesha, duke rrefyer ndonje gje ose me pyetje, ”ça bera, kur ?” ose perderisa s’njihemi c’te hyn ne xhep se çfare bera – per me teper qe s’di se kur e ne lidhje me çfare-.
        Shpejt kuptova (supozoj se e kam kuptuar) qe ishte forma ”ça bone” e toskerizuar ne ”ça bere”, keshtu qe pergjigja ”hiç mire” kishte te njejten vlere .
        Keshtu brenda 3 sekondash, mund te dallohet nje tosk’ i rritur ne Tirane nga nje tosk’ i ardhur.

  7. U vume te tere ne mendime o Hyllin (falemnderit edhe z. Vehbiu per shpjegimet e nevojshme), se jane gjuhetaret e specialistet e fushes (un jam i malit haha) ata qe do bejne neser Kongreset kombetare te rradhes per te pasuruar standartin. Fakti qe standarti bazohet kryesisht ne variantin letrar te jugut (toskerishtja letrare) ta veshtireson ca punen 😉 po mos u dorezo kaq shpejt se i kane mbledhur blete te tjera te folmet krahinore, dhe neve degjonjesve vecse na mbetet ti shijojme e te trokasin tek pikat duke i falenderuar per koleksionin http://dialects.albanianlanguage.net/AL/ (si dhe nga shtetet fqinje do gjeni aty)

    Ca nga ato krahinarizmat qe kam perdorur me siper jane paksa shkurtesa qe perdorin za zona ne veriperendim te Shqiperise e me gjere, por nuk jane dhe aq te cuditshme. Per shembull, g’jet = ngjet=ngjason; ifie=nje fije=nje çikëz; qyr=kqyr; primen=përimen, për nji mend (vërtet) etj. Pikerisht keto fjale dialektore nga gjithe krahinat shqipfolese mund te ndihmojne shqipen e sotme, “moda e vjeter”, qe te mos huazohen fjale te huaja pa masë, ashtu sic edhe duhet nje kriter e perzgjedhje se cilat dialektizma duhet të pranohen. Larmia e dialektizmave te gegerishtes, duke perfshire ato te pertej kufijve, dhe perfshirja e perzgjedhur e tyre ne standart me siguri do i afronte dy deget e shqipes dhe do krijonte nje ndjesi me gjitheperfshirese, me bashkuese e plotesuese.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin