DËBOJINI, PARA SE T’JU DËBOJNË!

Më në fund, edhe ResPublica vendosi t’i moderojë komentet, gjë të cilën e përshëndetim! Prej kohësh besoja se ajo faqe shumë e mirë e medias shqip po e vuante plehun që i mblidhej, për shkak të anonimëve të frustruar, që nuk u linin kusur autorëve – mes të cilëve edhe mua.

Kjo formë komunikimi të nyjëtuar si një varg i pafund ndyrësish, sulmesh ad hominem, goditjesh xhamash me llastiqe, shpifjesh dhe rrugaçërish rrezikonte edhe për shkak të natyrës së saj virale, ose aftësisë për t’u klonuar nga një forum në tjetrin.

Gjithnjë prej kohësh, kam thënë edhe se përçudnimi i lirisë së shprehjes, që u jep hapësirë veprimi parazitëve të komunikimit publik, nuk është veçse forma më efikase e censurës, në një epokë si kjo e sotmja, ku liria e fjalës kultivohet me aq pompozitet dhe vetëkënaqësi, sa është shndërruar në zhguall pa përmbajtje.

Mustafa Nanoja dhe kolegët e tij kanë treguar tashmë se kanë çfarë t’i thonë lexuesit dhe çfarë vlerash t’i përcjellin kulturës publike të informacionit shqip, duke ruajtur këndvështrimin specifik dhe origjinal të një faqeje online, më e mira në blogosferën shqipe, për llojin e vet. Duke i dëbuar nga faqja lehësit dhe snajperët e shumtë, ResPublica u krijon mundësi të tjerëve, komentuesve seriozë dhe të përkushtuar, që të bëhen pjesë e komunikimit në faqe dhe gjetiu.

Lexoja në reagimet ndaj këtij lajmi edhe shqetësimin e disave se mos moderimi do t’ia prishte paanshmërinë informacionit në faqe, duke e bërë këtë të anojë edhe më majtas.

Këtu m’u kujtua një eksperiment që pat bërë Radio Radicale, në Itali, dikur në fillim të viteve 1990 (tetor 1993), kur, në shenjë proteste ndaj një ligji për informacionin, i hapi mikrofonat ndaj telefonatave të çfarëdoshme, rregullisht anonime, të dëgjuesve.

Kush sintonizohej në valët e asaj Radioje – nga më të dëgjuarat në Itali – mund të dëgjonte mesazhet që linin thirrësit, të pacensuruara dhe të paprekura.

Ndodhi ajo që pritej: dalëngadalë, por pandalshëm, mesazhet erdhën e u degraduan deri aty sa t’u ngjanin zhgarravinave në muret e nevojtoreve: vetëm sharje, breshëri fjalësh të ndyra, shkëmbime kërcënimesh mes tifozerive të ndryshme, pasthirrma të urrejtjes dhe të përçmimit.

E majtë është haleja, apo e djathtë?

Në mungesë të një moderimi çfarëdo, komunikimi i ndërmjetësuar nga elektronika erdhi e u shndërrua në një kakofoni majmunësh të mbetur pa seks; ku nuk gjeje më gjurmë të arsyes, të respektit ndaj tjetrit (Tjetrit), të mirëkuptimit.

Të gjithë ata që shpresojnë, me optimizëm të papërligjur, se komunikimi dhe debati me rrugë elektronike mund të vetë-rregullohet pa qenë nevoja për mbikëqyrje nga lart, duhet të kenë parasysh eksperimentin e Radio Radicale-s.

Eksperiment që provoi se, në kontekste elektronike anonime, ose kur folësit nuk janë në kontakt “fizik” mes tyre, nuk ka shkëmbim dhe debat që të mos i nënshtrohet entropisë dhe të rrëgjohet sakaq në ulërima.

Moderimi – qoftë si përzgjedhje, qoftë si orientim i diskutimit, qoftë si zbatim rregulli dhe mundësi “ndëshkimesh” për kë nuk i përfill rregullat, duhet menduar, në këtë rast, si një formë e injektimit të rregullsisë, ose të anti-entropisë në një sistem i cili nuk rregullohet dot vetë dhe, i lënë në mëshirë të fatit, është i dënuar me “vdekje termike.”

Drejt këtij modeli po orientohet tashmë krejt komunikimi online: i lirë në nivelin epror, sa kohë që Interneti ka vend për të gjithë; por i kufizuar me moderim, në çdo hapësirë veç e veç.

Nuk ka komente

  1. Problemi o xhaxha, eshte se kur Mustafa Nano nis te moderoj, ai e ka doren pak ters, dhe bisedes i humbet lezeti.

    1. M. Nanoja me siguri do të gjejë dikë që ta ndihmojë, se nuk besoj që të merret vetë me moderimin. Përndryshe, kam biseduar disa herë me të, për nevojën e kontrollit mbi komentet – por ai ka qenë mbështetës i sinqertë i lirisë së pakufizuar të fjalës për lexuesit e faqes; në thelb, duke i respektuar më shumë se ç’e kanë respektuar ata. Të shohim – unë besoj se niveli i komenteve atje do të përmirësohet.

  2. Jeni fyer nga ajo qe terroristet quajne “islamofobi” kurdohere qe jepen argumente te shendosha kunder Islamit? Prandaj vendoset ti çensuronit? Me mire keshtu, edhe me pak publik do keni. Publikoni vetem ato komente qe ju bine per shtat.

    Me shendet mbetçi!

    1. Ke të drejtë. Është vështirë ta gjesh sot një mysliman që nuk është iu lënduar sedra…

  3. Mhhhh, drejt e tha komentuesi i pare: CENSURA E PAKRITER VRET INTERESIN! Dhe ne fakt une nuk shkruaj me ne faqet e asaj Reviste online, qe nga momenti qe kontrollojne gjithçka. Interneti eshte i lire, çdokush shkruan ate qe deshiron. Natyrisht fyerjet dhe kercenimet duhen censuruar, por ajo censura qe ky daja ketu po trumbeton si pozitive, eshte idiotesi qe duhet evituar. E provoi edhe Shekulli Online dhe shiheni tani sesa komentues ka, eshte katandisur per t’i qare hallin!
    Personalisht preferoj te kem te bej me ate babuinin agresiv aty lart, sesa me nje xhelat te padukshem qe nuk me publikon komentet nga testosteroni i tepert apo nga stresi i larte mendor.
    21 vjet jete perendimore me thone qarte se censura eshte nje bishe e keqe; ndaj o daje, me vjen keq per ty qe u lodhe e harxhove kohe per ta shkruar, po ky artikulli nuk eshte aspak i goditur!

    1. Leo, thua që ke 21 vjet që jeton në Perëndim. Ashtu do ta kesh vënë re edhe se pothuajse të gjitha mediat elektronike në Perëndim i moderojnë komentet e lexuesve: jo vetëm The New York Times, The Guardian, El País, Washington Post e të tjera si këto, por deri edhe faqet sportive (kontrolloje vetë Corriere dello Sport/Stadio).

      Thua: ‘Personalisht preferoj të kem të bëj me atë babuinin…’ – nuk dua të të fyej, por preferenca jote personale nuk ngre kurrfarë peshe. Sa kohë që komenton me një pseudonim të rastit, ti nuk je askush, ti nuk ke as emër as identitet; dhe ashtu i mbuluar me maskë, kërkon t’i shkulësh dhëmbët dikujt tjetër – autorit – i cili të njëjtin emër dhe të njëjtën fytyrë do të ketë edhe nesër.

      Liria e fjalës nuk do të thotë liri për ty që të vish të këpusësh dokrra në shtëpinë time; por liri për mua që të flas në shtëpinë time, pa m’u cenuar fjala nga megafoni yt. Ti nëse ke gjëra për të thënë në shtëpinë time, thuaji sipas rregullave të komunikimit që kam vënë unë. Përndryshe, ngrije vetë një dhomë muhabeti!

      E drejta e fjalës është vërtet e drejtë themelore e njeriut; por ti që flet me pseudonim nuk mund ta pretendosh këtë të drejtë, pasi ti nuk prezantohesh në publik si njeri, ose me identitetin tënd; por si maskë. E drejta jote është një e drejtë minore: për të festuar karnevalet.

      1. “I moderojne komentet” nuk do te thote qe i censurojne dhe me duket se nuk u shpreha kunder moderimit, por kunder censures se pa kritere. Me duket mjaft qarte se jane dy çeshtje te ndryshme. Ne mediat e huaja qe permende dhe ne shume te tjera qe mbase nuk frekuenton, nuk censurohet mendimi ndryshe, edhe kur ka perplasje te ashpra opinionesh; mjaft te mos kalohet caku u debatit te edukuar. Por ti daje i dashur qenke shume i dashuruar pas censures se te djeg teper kur dikush e mendon ndryshe dhe kerkon vetem konsensus, levdate e jo kritike. Te kujtoj se edhe preferencat e tua personale nuk kane kurrefare peshe, qofsh ti edhe perendia e gazetarise shqiptare!
        Nuk e di ne Shqiperine e standarteve te dyshimta, por ketu ku jetoj une, kur shkruan diçka duhet te pergatitesh per opinione te ndryshme, qortime – ndonjehere edhe te ashpra dhe sidomos te ruash nje profil te ulet modestie, qe eshte me se evidente qe nuk e ke njohur ndonjehere. Kujdes daje se lafsha perpjete te demton shume dhe vetem sa e ndez debatin edhe me keq, ndaj beteja e kote qe ke nisur, eshte e destinuar te pesoje disfate.
        Edhe nje qortim te fundit: RREGULLAT E KOMUNIKIMIT NUK I VENDOS TI, POR SISTEMI NE TE CILIN TI JETON; ndryshe shko ne Korene e Veriut, ne Kine, Rusi e gjetke, ku egoja jote do te kalonte ne orgji mendore duke shkruaj lumenj me fjale pa kurrefare debati me askend!
        Ne faqet shqiptare online nuk je aspak ne shtepine tende, por ne ate te te gjitheve se mediat mund te jene private, por jane nje thesar i kolektivitetit pa te cilin do te falimentonin brenda dites!
        Sa per te drejtat e mia “minore” apo maxhore, per fat nuk i percakton nje autoritar si ti; ti nese do te emulosh car Putinin, bej gati valixhet me kreherat per t’i kruar bishtin te parit te atij vendi dhe nisu per Rusi! Natyrisht ketu ne faqet e dajes mund te besh ç’te duash – po ta liroj postin menjehere pas kesaj replikes se fundit.
        Meqe u ankove per anonimitetin tim, po e firmos repliken me identitetin e plote; shpresoj qe kjo te te qetesoje sadopak!
        Respekt,
        Leonard Sina, Itali(Emilia Romagna)

        PS. Nese deshiron, mund edhe ta fshish menjehere kete replike. Une nuk vuaj nga mania e madheshtise se e kam kohe qe e kam fituar betejen time me egon, ndaj nuk merakosem shume po s’ma pranove shkrimin.

        1. Leo, në qoftë se, siç thua, nuk po shprehesh kundër moderimit, por kundër censurës pa kriter, atëherë unë nuk po e marr vesh, sinqerisht, pse e hapëm këtë debat.

          Edhe ResPublica vendosi të fillonte moderimin e mesazheve, që deri dje i linte krejt të lira; jo censurën, dhe aq më pak censurën pa kritere.

          Ndodh që njerëzit janë kaq të krimbur në mendje (kujdes: nuk po flas për ty), sa të mendojnë se, meqë M. Nanoja është i majtë si gazetar, atëherë ai do të censurojë komentet që anojnë djathtas.

          Ndoshta ngaqë ata vetë ashtu do të vepronin.

          Por nuk më duket aspak që ResPublica dhe Nanoja vetë kanë ndërmend të krasitin komentet sipas shijeve të tyre politike; qoftë edhe vetëm nga fakti që komentet e atjeshme nuk përbëjnë ndonjë rrezik për faqen, as për autorët.

          Ditët e fundit, pak para se të merrej vendimi për moderim, dikush shkroi një koment në ResPublica se myslimanët shqiptarë (salafistët) duhen futur në dhomat e gazit (ose diçka të ngjashme). Në këtë pikë, u ngrit juristi Altin Goxhaj dhe ia kujtoi të zotit të faqes se kjo mund të përbëjë motiv për ndjekje penale jo vetëm të autorit (anonim), por edhe të faqes vetë.

          Kushedi këtu u mbush edhe kupa, dhe M. Nanoja e pa se provokime të tilla mund t’ia vinin deri edhe faqen në rrezik, nëmos financimin e saj.

          Siç të kam thënë, unë vetë kam qenë objekt sulmesh ad hominem në atë faqe. Dua të di ç’do të mendoje ti, sikur të shkruaje një ditë diçka, dhe të ngrihej një anonim dhe të thoshte se ty të paguan serbi për këtë që shkruan.

          Si do të reagoje ti ndaj kësaj? Do të thoje se ‘jo, mua s’më paguan serbi’, dhe të bëheshe gaz i botës?

          Këtu vjen në ndihmë moderimi.

          Qëllimi i moderimit mund të jetë edhe thjesht të mbajë diskutimin brenda temës. Në këtë blog, shumica e mesazheve që janë moderuar (jo më shumë se 3-4, gjatë tre muajve të fundit), kanë “mëkatuar” duke dalë nga tema, kryesisht në përpjekje për ta orientuar debatin atje ku duan ata.

          Natyrisht, Peizazhet është blog privat i hapur për publikun; i cili ka rregulla të cilat vendosen nga i zoti – për këtë ti nuk duhet të kesh as edhe dyshimin më të vogël. Sistemi nuk luan ndonjë rol në përmbajtjen dhe mënyrën e aplikimit të këtyre rregullave.

          Për shembull, një ditë unë mund të vendos që në blog të mos diskutohet më për çështje etimologjike; kjo mund të tingëllojë sot qesharake, por dikur m’u desh ta bëja këtë, sepse kish disa komentues që veç për etimologji komentonin.

          A është i drejtë ky arbitraritet? Unë këtë nuk e di; di vetëm që unë i vendos këto gjëra sipas kontekstit, momentit dhe interesit tim, pa ia marrë dorën kujt, dhe aq më pak lexuesit – për arsyen e thjeshtë se blogu është falas.

          Raporti im, si autor, me lexuesin, është ai mes njerëzve të lirë; jo ai që vendos pagesa (për fat të mirë, në rastin tim).

          Peizazhe të Fjalës është një faqe mjaft e vizituar; shkrimet e mia dhe të kolegëve përcillen gjerësisht nga mediat. E megjithatë, blogu varet krejtësisht nga preferencat personale të administratorëve: po të duam, që nesër i mbyllim komentet, ose edhe blogun vetë; ose e bëjmë vetëm me ftesë.

          Ti, që jeton në Perëndim, nuk duhet të kesh vështirësi për ta kuptuar këtë.

          Përndryshe, unë s’kam nisur asnjë betejë, me askënd. Blogu i këtushëm ka qenë i moderuar që në fillim; dhe unë s’kam ngurruar të nxjerr jashtë dhe të ndaloj përgjithnjë komentues që më kanë mërzitur për arsye të ndryshme.

          Të siguroj, i nderuar koleg, se për lirinë e fjalës së këtyre që kam dëbuar nuk më bëhet fare vonë; Interneti është pa fund, dhe ata mund ta ushtrojnë këtë liri ku të dëshirojnë.

          Thua se “të drejtat e mia […] nuk i përcakton një autoritar si ti.” E ke gabim. Unë i përcaktoj këto të drejta, sa kohë që ti kërkon t’i ushtrosh në hapësirën time private. Unë nuk vij në shtëpinë tënde, për të të imponuar se çfarë lloj shapkash të përdorësh; por kam të drejtë të kërkoj që, kur të vish për vizitë tek unë, të vishesh me kostum dhe kollare.

          Kërkesë arbitrare? Natyrisht. E vetmja mënyrë jotja për ta refuzuar, është që të mos më vish vizitë.

          Çka deshëm, e vërtetuam.

          Shkruan në fund: “nëse dëshiron, mund edhe ta fshish menjëherë këtë replikë.” Po pse ta fshija vallë? Replika jote është fare normale, dhe me të unë replikoj njëlloj normalisht. Me sa di e me sa mbaj mend, unë s’kam fshirë kurrë ndonjë replikë tënden; prandaj nuk e kuptoj se mbi ç’baza shqiptohesh për zakonet dhe rregullat e mia të fshirjes.

          Unë të ftoj që të vish në blog dhe të komentosh më shpesh, madje po të duash të dërgosh edhe shkrime të plota, të cilat unë t’i nxjerr në krye të faqes; dhe ashtu kushedi do ta shohësh se respekti i rregullave të këtushme vetëm e ndihmon debatin.

          Këto rregulla janë fare të thjeshta: jo sulme ad hominem, jo biografi dhe psikologjizim të autorëve (‘ti flet kështu ngaqë je i vetmuar’), jo profilizim (‘ti gjithnjë ke qenë kundër Nënë Terezës’), jo proces të qëllimeve (‘ti kërkon të rrënosh mitologjinë kombëtare’), jo largime nga tema, jo patetizma (‘ky shkrim është antishqiptar, fyen gjakun e të rënëve’), jo pyetje të mbarsura me akuzë (‘sa të jep greku’), jo negativizëm i përsëritur (i cili shfaqet kur dikush komenton rregullisht dhe vetëm për t’i hedhur poshtë shkrimet).

          Janë rregulla moderimi, jo censure; i shërbejnë krijimit të një klime të përshtatshme të shkëmbimit të mendimeve online.

          Si thua?

    2. 21 vjet në perëndim do të duhej të të kishin mjaftuar të kuptoje dallimin midis censurës dhe moderimit.
      E para ushtrohet kundër shprehjes së mendimit të lirë dhe mbulon gjithë hapësirën publike. E dyta pengon shprehjen e një mendimi në një ambient kundër rregullave etikë të këtij të fundit.
      Nuk kam ndonjë shpresë se mund të kuptohemi, kur vë re se të mungojnë komentet e lira të dikurshme të “Shekullit”, por mundohu të paktën të kuptosh thelbin e çështjes. Mustafa Nano ju tregoi rrugën rrugaçëve. Ku qëndron problemi këtu?

      1. Pif,
        ku shkrova se jam kunder moderimit me kriter? Kur ti nuk arrin te kuptosh edhe diçka kaq te thjeshte, me thuaj si mund te kuptohemi!
        Mustafa Nano shkoi pak me tutje… se po censuron edhe komentet me te moderuara. Nese dikush e ka bere kete gabimisht, ngaqe mekanizmi i moderimit nuk eshte ndertuar mire ende, s’ka problem. Ne te kundert ka, bile ka ca si shume!
        Respekt,
        Leonard Sina

        PS. Jo te gjithe ata qe shkruajne ashper jane rrugaçe, sidomos kur nje provokator(troller)lihet i lire te sulmoje majtas e djathtas. Pikerisht kjo ndodhi disa here ne faqet e Respublikes.al. Nje apo dy elemente nen mbulesen e gjoja te qenit intelektuale(kujtoj nje fare idioti me emrin Altin Goxhaj), perdornin fjalorin me te ulet kunder komentuesve te tjere. Mjaft te censuroje qe ne fillim kete legen rruge per te ruajtur pastertine e faqeve te ketij siti.

  4. Vehbiu! me duhet me keqardhjen me te madhe te ju bej nje kritike dhe, te mos pajtohem me cfare Ju keni shkruar. Nuk me pelqen aspak gjuha dhe epshi i urrejtjes qe shperthen ne formen me inferiore e perverse. Ju gjithmone keni shkruar shkrime qe ne vetvete i mungonte statura: eshte si te besh nje model/skulpture dhe ti mungoje skeleti ne te cilen do te mbahet masa e madhe e formes, pra e baltes. Ju gjithmone Balten e keni punuar pa skelet dhe shkrimet Tuaja dalin te deformuara gati gati te cfytyryara. Po ke pare Zotnia jote qe kete shkrim e ke me skelet metalik te nyjezuar e te salduar dhe je marre kaq shume me saktesime solide sa qe dhe forma juaj artistike qe gjithmone le per te deshiruar ketu nuk bie ne Sy. Ne Sy bie vizatim grafik i rende me te zezen e karbonit pa elegance po plot ekspresivitet i bere nga duart e pista qe lene gjurme ne krijimin tuaj. Me kuptoni drejt une vetem me kritiken e shkrimit po merrem. Per mustafa Nanon qe do te vente rregulla te reja etike ne faqen e tij: ky eshte nje fillim i mbrabshte se ky shkrim nuk eshte i denje as koment anonim.

    1. Shikoje pak si më drejtohesh që në fillim të shkrimit: Vehbiu. Ti e di, besoj, se Vehbiu është mbiemri im, ose etiketa që shoqëron gjithçka të mirë dhe të pamirë që bëj ose them unë. Është emblema e përgjegjësisë dhe e përgjegjshmërisë sime.

      Tani, unë nuk e di se cili je ti. Po të dua të ta përmend mbiemrin, nuk kam se ç’mbiemër të përmend. Që këtu fillon asimetria, që këtu bie pretendimi yt dhe i të tjerëve për liri totale.

      Në faqen e ResPublica-s dhe gjetiu janë lëshuar lloj-lloj pisllëqesh kundër meje. Edhe pse ka pasur njerëz që i kanë kundërshtuar, unë nuk besoj që këtë ta kesh bërë edhe ti. Prandaj mos prit prej meje që t’i bie fyellit të bariut, kur të tjerët më godasin me fekale, si majmuni.

      Komenti yt më sipër kaloi pa problem. Ashtu do të kalojnë edhe 99% e komenteve të tjera, tek Peizazhet, te ResPublica dhe ku të duash ti. Rregulla e moderimit ka natyrë edukative – kërkon të të tregojë, ty dhe shokëve të tu të armëve, se keni një autoritet mbi kokë; dhe ky autoritet ju lypet sepse ende nuk e keni arritur pjekurinë e duhur, prej individësh të përgjegjshëm. Ta quajmë më mirë tutor.

      Kjo është edhe çfarë ju shqetëson ju (supozoj): jo liria e fjalës, por mundësia që dikush tjetër, një person më i mirë, më i ngritur, më i meritueshëm, moralisht më i lartë, më i përgatitur, më i besueshëm, më i ndershëm, më i zoti, më i suksesshëm se ju (objekti i zilisë suaj kronike), t’jua mbyllë gojën me një të rënë të lapsit, pikërisht atje ku ju doni të flisni. Jo heqja e “lirisë së fjalës” (e cila ju mbetet e paprekur, mjaft të hapni një blog), por mundësia që dikush i ka ende mjetet për t’ju disiplinuar në logun e debatit, dhe ka vendosur t’i përdorë ato mjete; me fjalë të tjera, heqja e lirisë suaj për të qenë të papërgjegjshëm.

    2. kritiku,
      Shqipja jote është e keqe dhe gjithë gabime. Mirë fytyrës që i vë dot maskë, por gjuhës që nuk di ta shkruash çfarë do t’i vësh?!
      Diskrediton veten si i paaftë për të marrë pjesë në një diskutim parimor ndërsa personalizon vijimin e tij. Tregon se gjendesh intelektualisht në një fazë të hershme të zhvillimit dhe të emancipimit shpirtëror. Sjellje tipike orientale mesjetare.
      Sulmet personale nuk janë të pamundshme por janë shprehje e një karakteri të dobët dhe para të gjithave e mungesës së aftësisë për të diskutuar. Turp më të madh nuk ka.
      Ca gjëra duhen thënë disi më thjeshtë ndoshta. Po nuk të pëlqeu Vehbiu dhe politika e tij e moderimit të faqes së tij, “vai in quel paese” e zgjidhi atje problemet që ke. Thjeshtë hap një blog tëndin dhe analizo baltën, skeletet e të tjerëve.
      Do të konstatosh shumë shpejt dështimin tënd.
      Uroj që të kuptosh dot të paktën që ndërhyrja jote e ka gjetur dot vendin në këtë diskutim vetëm për të treguar se sa keq mund të degjenerojnë gjërat, nëse nuk respektohen në një farë mënyre rregullat e shtëpisë.

  5. Ndryshim mbresëlënës që kur kanë vendosur opsionin e moderimit administratorët e Respublica-s. Hyn në faqe dhe ke qejf të lexosh komentet. Nuk janë më shkëmbime bajate një apo dy rreshtash, komentuesit po bëjnë esse!

    Ndonjëherë mjaftojnë dy tre majmunë për të ta hedhur mundin dëm. Edhe çdokush që hyn në çfarëdolloj marrëdhënie me këta, majmunëzohet detyrimisht.

  6. Me cinizmin qe e karakterizon Vehbiu thote … me ne fund edhe Respublika vendosi te moderoj komentet … Me pas me nje gjuhe “autoritare ” qe shfaqet qe ne titull e pasuron shkrimin e tij me shume epitete ” vulgare ” qe nuk lene shije te mire , per pozicionin qe mban , jo ne krahasim me gjuhen e piste qe perdorim shume komentues. Te njejtin stil “prepotent ” ai impononte edhe ne blogjet e tij , te orientuara sipas tij per lexues te nivelit te larte . Une kam patur rastin te vizitoj nje here nje blog te tij dhe komenti im mori nje pergjigje aspak dashamirese. Sqaroj se pergjithesisht internautet qe vizitojne blogjet jane pothuaj te njejtet persona , pra te njejtet tifoze , dhe pavaresisht pseudonimeve , ne e njohim mire njeri tjetrin . Dhe une qe shkruaj me emrin tim, modestisht e fus veten tek komentuesit e ekulibruar , pra nuk perdor asnjehere fjalor te papershtatshem. .. e drejta e komentit eshte ceshtje tjeter . Por sipas leksionit prepotent te Vehbiut … ” une nuk duhej te merresha me mendjen qofte ajo edhe budallaqe, por me idete …”, apo ” …. nuk pranojme mendime nga galeria …”. Une e braktisa blogun e Vehbiut pasi i kujtova se ” …. sipas meje nuk shoh ndonje ndryshim midis mendjes dhe ideve qe ne fund te fundit jane produkte te saj ” …. ” po e braktis blogun juaj sepse qenka per njerez te platese apo per ata qe e quajne veten mendjendritur “. Sa me siper i ndjeva per t’i shprehur per te ballafaquar dy qendrime per te njejten ceshtje … M. Nano krejt ndryshe nga Vehbiu e argumenton ne menyre shume korrekte qendrimin e tij per te moderuar komentet qe perdorin gjuhe te papershtatshme.

  7. Shkruan:

    Une e braktisa blogun e Vehbiut pasi i kujtova se ” …. sipas meje nuk shoh ndonje ndryshim midis mendjes dhe ideve qe ne fund te fundit jane produkte te saj ”

    E braktise vërtet, por prapë erdhe të ligjërosh. Vras mendjen të gjej se me çfarë kuptimi e ke përdorur foljen braktis

    Meqë deklaron se nuk i ke problem gjykimet ad hominem dhe meqë beson se idetë janë produkt i mendjes, më lejo të të them se e ke shkruajtur komentin më lart sikur të kishe kthyer dy dopjo uzo (të pashuar) që në sabah.

  8. Ore pift, une jetoj me art dhe nuk jam i deshtuar. Mua nuk me pelqeu shkrimi i Vehbiut dhe kaq. Po e zeme se nuk jam i sukseshem si puna jote! e cfar pastaj? C’lidhje ka kjo me komentin? Lexo dhe degjo: Une kanavacen e blej te gatshme, une ngjyrat dhe kanavacen nuk i bej vete si Leonardo. Une bej pikturen/komentin per kornizen/shenjat e piksimit ka specialist kopetente, qe e vene dhe me pasparture.

    1. kritiku
      ty mund të të mos ketë pëlqyer shkrimi i Vehbiut por ajo që bën ti është që e ofendon atë njeri dhe ngaqë je duke e bërë pa të pasur ai tjetri asnjë borxh dhe për më tepër në një hapësirë që është e tija, pra që e e ka krijuar ai për të komunikuar në mënyrë civile për Botën dhe Perëndinë, hapësirë në të cilën endem edhe unë e shumë të tjerë me kaq ëndje, të tregova rrugën. Mbase duhet të të tregoj edhe ca më shumë.
      I Zoti i Shtëpisë nuk ta preu gjuhën gjë (se u lebetitët: “censura…, censura…!”). Kjo është diçka që e ushtrojnë kryesisht autoritete publike dhe pengon mundësinë e shprehjes objektivisht në përgjithësi. I Zoti i Shtëpisë tha vetëm që “kjo është shtëpia ime dhe unë nuk dua që njerëzit të hynë si vandalë!”. I Zoti i Shtëpisë ka thënë disa herë që vandalët janë me siguri të mirëpritur të shkojnë kudo tjetër dhe t’i shprehin mendimet e tyre, për fat hapësira virtuale nuk mund të kufizohet fizikisht.
      Ti hyn si vandal, e fyen atë personalisht, i bën (për ibret duhet thënë) një farë pseudo-psiko-analizë, i hyn në një farë mënyrë në “shtat”, kur ky të ka hapur vetëm derën për të kaluar e t’u shprehur po të të bjerë rruga këtej pari. I Zoti i shtëpisë është njeri shumë i çmuar, që harxhon shume kohë e energji (mbase edhe para nga të tijat, që nuk ka edhe shumë) që të hapë gjithnjë e përsëri diskutime për një mendim progresiv, liberal e përparimtar. I Zoti i Shtëpisë kujdeset shumë, që mendimi i artikuluar në shqip t’i përkojë shpirtit të kohës, në kohët kur realiteti shqiptar është në një gjendje tragjike për faj të banditëve që dominojnë shtresën politike drejtuese në hapësirat shqipfolëse.
      Kur ti vjen dhe e quan gjithë këtë mundim baltë, më e pakta që mund të bëj unë, i fyer thellësisht në tërësinë time intelektuale të lexoj përçmime të tilla dhe për këtë i revoltuar shumë, është të paktën të të çoj ne dreq. Dhe Dreqit në Internet i thonë: “hap ti blogun tënd po nuk të pëlqeu këtu”.
      Pastaj çdo thotë: “unë jetoj me art dhe nuk jam i dështuar”? Që kush nuk jeton me art “është i dështuar”? Pastaj lexuesit nuk më intereson fare se me çfarë jeton ti, rëndësi ka që të shkruash mirë shqip (që nuk e bën dot) dhe të mos jesh armiqësor.
      Ndoshta duhet të shkosh dhe të gjesh shokët diku tjetër se këtu duket sikur nuk ka vend për ty.
      Që të mos keqkuptohemi. Përgjigja ime dhe e kolegëve e bërë në këtë frymë është edhe një farë reaksioni, që në mënyrë të përsëritur u dashka përcjellë kohë pas kohe në blog, për të treguar që Rruga është një opsion shumë i mirë për këdo, i cili nuk di të sillet si njeri, në bazë të përkufizimit që i bejnë njerëzit e zakonshëm atij këtu. Është një lloj vaksine që ju dashka bërë blogut kohë pas kohe për të ruajtur një kulturë të shëndetshme diskutimi e komunikimi.

  9. Kryekreje i nderuar Vehbiu , gjithnje me dashamiresine tuaj te shprehur me dy dopjot e uzos , me duhet te ve ne dukje se duhet te vuash nga sindromi ” shaban qose “…Nuk ka nevoje te vrasesh mendjen per kuptimin e fjales “braktis” …ne te gjithe nuancat nuk duhet te kete kuptimin ” shkeputje perfundimtare “. Sepse edhe fryma e ostracizmit qe ti percjell me blog-un tend , nuk ka kuptimin ” debim perfundimtar “. Gjithnje me dashamiresi , zot na ruaj , mund te thuash – nuk kam nevoje per dashamiresine tuaj -, te lutem a mund te me shpjegosh : ” Shkurt , cili eshte qellimi, cfare synon te percjell blog-u juaj ? “… E fundit , kete radhe nuk kam pire asnje teke ” raki “… rakia apo uzo , sipas meje , ta ” ngushton ” disi mendjen , por te liron zemren… Nuk mjafton vetem mendja dhe idete qe ti i ke , madje te bollshme , por duhet edhe pak shpirt apo zemer . … P.S. A e mban mend , Sokratit antik kur i vinin mendimet me te mira ne mendje ?

    1. sinan hibro

      ajo që shkruan ti është pa kuptim. Shqipja jote është e pamjaftueshme për të kuptuar thelbin e mendimit tënd, të cilin e përcjell përçart dhe për fat të keq pa ndonjë vlerë artistike. Është pa kuptim ndoshta jo edhe për shkak të gjuhës së keqe, por para të gjithave “pse për hatër të Zotit u dashka që dikush të sqarojë se pse shkruan”.

      Kjo është një pyetje staliniste.

      Domethënë merr një herë frymë thellë, sqarohu dhe lexoje edhe një herë dhe kupto të lutem mjerimin intelektual në pyetjen tënde:

      ” Shkurt , cili eshte qellimi, cfare synon te percjell blog-u juaj ? “

      E kupton se çfarë gafe flagrante është ti drejtohesh dikujt që shkruan me mijëra faqe për mijëra njerëz se cili është qëllimi i tij që shkruan?

      Si thua ti, pse shkruan njeriu?

      Dhe e fundit, “dashamirësia” që gjoja ofron është hipokrizi e pastër. Si mund të jesh njëkohësisht aq armiqësor karshi Vehbiut dhe të betohesh për dashamirësi? Ti mund ta bësh por do të duhet të besosh njëkohësisht që njerëzit që të lexojnë këtu duhet të jenë lopë që të të besojnë.

      Edhe ti duket sikur nuk e ke gjetur vendin tënd këtu. Shko më mirë në rrugën tënde dhe gjej shokët e tu diku tjetër.

      1. Ky zotëria nuk ka shumë faj. Më duket nënprodukt i rëndomtë i kënetave toksike që u krijuan në disa faqe mediash elektronike, kur u hoq krejt moderimi. Tek ia lexoj ato që shkruan dhe ia ndiej arrogancën dhe titullimin kokorroç, më kujtohen disa mbledhje kooperativash, të përcjella nëpërmjet një filmi të keq të Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet 1980 (edhe ato këneta toksike të një lloji tjetër). E përfytyroj me darë të ndryshkur dentisti në dorë, duke kërkuar viktima, për t’ua shkulur dhëmbët – mishërim i vonë dhe krejtësisht i pamirëpritur i kontrollit punëtor dhe fshatar.

  10. je po i njejti pederast, i here del me Xha Xhai, i here me Pifto. O bo bobo sa ndryshk qe ke ne koke.

    [Shënim: I nderuar CD, do të luftojmë, ti dhe unë, për të drejtën e fjalës të këtij më lart? Do t’i bëjmë leksione njëri-tjetrit, për detyrat dhe përgjegjësitë e intelektualit publik?]

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: