Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

PAK POR JO SAK

Do ta keni vënë re që editorialet, komentet dhe analizat në disa gazeta të Tiranës kanë ardhur duke u tkurrur. Nëse më parë një shkrim në rubrikën përkatëse, te Shekulli, luhatej midis 1000 dhe 1500 fjalëve, tani duket sikur norma ka rënë në 500-600 fjalë. Diçka e ngjashme ndodh edhe te Shqiptarja, edhe pse kjo gazetë është e re dhe e ka ndjekur këtë kriter që në krye. Te ResPublica, ndërkohë, ka një numër të madh shkrimesh të llojit lajm + koment, që ndjekin edhe ato formatin e shkurtër – edhe pse ResPublica i përket një lloji tjetër mediash, prandaj nuk lidhet me dukurinë që më intereson, përveçse tërthorazi.

Arsyet e një reforme të tillë nuk kuptohen mirë; në rastin e Shekulli-t, ato lidhen edhe me ristrukturimin e paradokohshëm të gazetës; ndërsa Shqiptarja duket se është konceptuar, që në krye, si tabloid (siç vërehet edhe nga materiali i bollshëm pornografik që në faqet “e lehta”). Ka edhe mendime se lexuesi mesatar nuk i përtyp dot më shkrimet përtej një gjatësie të caktuar; sikurse ka mendime që Interneti dhe blogjet ua kanë shkurtuar lexuesve vëmendjen. Faqet e gazetave shqip online janë ende tepër të thjeshta për nga ndërveprimi me lexuesin, me përjashtim të faqes hyrëse; por kam përshtypjen se edhe në gazetën e shtypur po i lihet gjithnjë e më shumë vend fotografisë, e cila mund të zmadhohet sipas dëshirës, duke i shndërruar faqet vetë në shkretëtira të informacionit.

Mes të gjitha këtyre hipotezave, më shqetësuesja ka të bëjë me dyshimin se brezi i ri, të cilin edhe kërkojnë ta tërheqin gazetat, nuk mund ta mbajë vëmendjen të përqendruar përtej pak rreshtave dhe, më keq akoma, nuk arrin ta nyjëtojë arsyetimin më tutje 500-600 fjalëve; hipotezë që nuk mund të maskohet, as të ngushëllohet me justifikimin se shumë prej shkrimeve të rubrikave të editorialeve, analizave dhe opinioneve kanë ujë ose llafe të tepërta ose ekzibicione verbale të autorëve; dhe se përmbajtja e tyre gjithnjë mund të shkurtohet dhe frazat të qethen e të thjeshtohen, pa e prekur idenë bazë ose problemin që kërkon të ngrejë autori.

Që një pjesë e madhe shkrimesh në shtypin shqiptar janë vërtet të tilla, kjo nuk ka lidhje me nevojën për t’i pasur editorialet, analizat dhe opinionet më të shkurtra; sepse (1) një analizë më e shkurtër, ta zëmë 500 fjalë në krahasim me 1000 që ka pasur zakonisht, nuk garanton gjë që mendimi i autorit aty është më i ngjeshur ose më lakonik; meqë ti mund të shkruash edhe 100 fjalë vetëm, dhe ato të jenë 90% klishe ose lëtyrë; (2) disa koncepte ose polemika kanë nevojë të artikulohen përtej cakut artificial (ose psikologjik) të 500-600 fjalëve, sikurse e tregon edhe përvoja shumëvjeçare e mediave perëndimore.

Në fakt, një vëzhgues tradicional i medias do të vërente se analiza e shkurtër, në vetvete, dëshmon se gazeta që e ka botuar synon t’i drejtohet një lexuesi me IQ të ulët, ose me vëmendje të shpërndarë; ose një publiku relativisht të cekët, i cili nuk është mësuar ose nuk arrin dot të ndjekë arsyetime të gjata, as të mbajë të nderë tensionin e një argumenti.

Përkundrazi, vëzhguesi i përditësuar, që do të merrte parasysh kontekstin e komunikimit masiv modern dhe nevojën e mediave të shkruara për të konkurruar me Internetin dhe rrjetet sociale, do të arrinte në përfundimin se blogjet, Facebook-u, Twitter-i dhe vetë komentet e panumërta në mediat kanë krijuar një model të tillë të pjesëmarrjes së publikut në ligjërim, të cilit tanimë duhet t’i përshtatemi të gjithë, nëse dëshirojmë që t’ua përcjellim mesazhin tonë lexuesve.

Në fakt, në një botë ideale, gjatësia e një artikulli të llojit editorial, kolonë, analizë ose opinion duhet të përcaktohet nga (1) objekti ose tema për të cilën flitet; (2) niveli i analizës vetë dhe (3) niveli i publikut të cilit i drejtohet analiza. Ndonjëherë, një aforizëm arrin ta shprehë mendimin më mirë e më efektshëm se një traktat 500-faqësh; por kjo vetëm do të thotë se zhanret, edhe në non-fiction, kanë arsyet e veta për të ekzistuar. Modeli i artikullit të shkurtër, të ngjashëm me një shkrim blogu, është problematik në atë masë që kultivon, ose rrezikon të kultivojë, një lloj të tillë lexuesi që nuk e mban dot vëmendjen të përqendruar më gjatë se 2-3 minuta; pa folur për atë lexuesin tjetër, që sapo ka gjerbur rreshtin e parë të një shkrimi nis të përsiatë me mendje se çfarë do të shkruajë ai vetë, për të komentuar.

Sa i përket ndikimit të formave të reja të komunikimit, të amplifikuara dhe të katalizuara nga rrjetet sociale, dukuria i ka prekur mediat anembanë botës; por si gjithnjë, mediave shqip u mungon imuniteti, ose aftësia për të reaguar ndaj një rreziku në mënyrë proaktive, ose të paktën elastike. Përndryshe, vetëm pak ditë më parë u njoftua se shkrimtarja Jennifer Egan do të botojë një tregim të tërë, prej 8,500 fjalësh, në Twitter, duke postuar aty çdo minutë, nga ora 8 deri në 9 e mbrëmjes, për disa ditë rresht. Egan e arsyetoi këtë vendim me një dëshirë të sajën për të eksperimentuar me rrëfimin serial; meqë, sipas saj, sot seriali televiziv e ka mësuar publikun me këtë lloj komunikimi. Editorialisti John Dvorak, i pcmag.com, e thotë haptazi (siç mund ta thotë një autor me prestigjin dhe influencën e tij) se një ndërmarrje e tillë është idioteske; dhe se janë pikërisht operacione komerciale si ky që do ta shkatërrojnë Twitter-in.

Në fakt, mediat e shëndetshme komunikojnë mes tyre – p.sh. gazetat dhe Interneti, Interneti dhe televizioni, gazetat dhe blogjet, librat dhe radioja etj.; por ky komunikim vlen sa kohë që i ndihmon zhanret për t’ia përshtatur identitetin e tyre konteksteve të reja. Për këtë arsye, faqja e editorialeve, opinioneve dhe analizave, e një gazete pak a shumë mainstream, nuk mund të shndërrohet në blog; edhe pse gjithnjë ekziston mundësia që një blog të përfshihet në hapësirën online të kësaj gazete.

Nuk dua të them me këtë se editorialet e shkurtra të Shekullit dhe të Shqiptares po e budallallepsin lexuesin (meqë kur vjen puna për budallallepsje, asgjë nuk e konkurron dot televizionin); por vetëm se po ndihmojnë për të përzgjedhur një lexues me karakteristika intelektuale modeste; dhe kjo vështirë të ketë qenë synim i redaktorëve që i kanë konceptuar në krye këto formate.

Prandaj edhe nuk më duket rastësi që zhvillime të tilla në shtypin shqiptar, veçanërisht në shtypin e majtë, përkojnë me një varfërim të frikshëm të debatit në mediat shqiptare në përgjithësi, debat i cili sa shkon dhe i ngjan muhabeteve të tifozëve në një birrari të periferisë (Sala, Edi, Bamiri, Iliri dhe da capo).

Shënim: Unë kam shkruar shpesh në Shekulli (që prej gati 10 vjetësh, ose me qindra analiza dhe opinione); por këtë format të ri të kakërdhishëm nuk besoj se do ta pranoj dot. Megjithatë, këtë periudhë nuk kam botuar gjë jo ngaqë kam refuzuar formatin e ri, por pse ende nuk e kam vendosur nëse do të bashkëpunoj me gazetën, pas largimit që andej të Adrian Thanos, me të cilin merresha vesh gjithnjë.

Pa Komente

  1. Prisja qe shekulli te ngrihej ne nivel, por mesa duket nuk i kane punet ne vije.

    Po Ardiani nga ka shkuar?

    1. Mua gazeta në formatin e ri nuk m’u duk keq – kur e pashë në Tiranë. Ishte një përpjekje profesionale, për një informacion “ndryshe”.

  2. Shekulli eshte ngritur ne nivel-i eshte afruar lexuesit dhe tregut.

  3. xhaxha i nderuar, i drejte shqetesimi, por me mire te jete keshtu. Nuk kane cfare te thone, pervec se perserisin njeri-tjetrin dhe veten ne bezidisje te pamate.

    Ky vend eshte teper provincial per te bere lajme. Me politikanet njerezit jane mesuar. Ata perpiqen te bejne lajm, edhe kur vene ne mort, edhe kur shkruajne ne twitter. Se cka qene dikur nje estrade: po vdesim per lajme, nuk ka lajme.

    Por me i tmerrshem eshte stili yne i te shprehurit: me fjale boshe, rrotullime fjalesh dhe zgjatje e tjerrje fjalish pafund. Duhet nje stil ekonomik i gjuhes. Imagjino muhabetet tona ne kafene me ate jeten e ngadalte fshatare, aspak urbane, e sikur te behej nje hart, do te dilte nje lemsh: po shkoja ne durres… takova Sokolin… Sokoli kishte qene komshiu une… eh c’kemi bere… dikur shoke te ngushte… por qe thua ti… ky sokoli ka care shume ne jete… kur e takova nuk e njoha…kishte vendosur nje mjeker…si ai i artanit.. nuk e mban mend… artanin tek puna… qe kishte moter filanken.. eh…sokoli kishte prishur makinen kur e takova…

    Ve re Lubonjen, nje sprovetar i shquar dhe i lexueshem, por jo gjithmone, sidomos me te tilla fjali terkuze dhe te pakuptimta. Sot po marr si shembull kete artikull ngase e lexova, po keshtu eshte ne cdo gazete me secilin analist. Kjo deshmon me shume paaftesine e redaktoreve, sesa te gazetareve, te cilet ne nxitim e padurim mund te shkasin.

    “Para disa ditësh, Henri Çili, i cili, me sa di unë, përveçse gazetar analist, është pronar kryesor dhe menaxher i Universitetit Europian të Tiranës, pronar i gazetës “Mapo” dhe revistës “Mapo”, i shtëpisë botuese “Mapo” (nuk marr përsipër të di të gjitha funksionet e Çilit, por thonë se ka edhe disa funksione të tjera si këshilltar në shtet dhe në shoqërinë civile), botoi në gazetën e tij “Mapo” një letër të hapur me të cilën i drejtonte publikut, por në mënyrë të veçantë disa emrave të mediave, shqetësimin për “linçimin” e padrejtë, sipas tij, të të gjitha universiteteve private, ngase i futën të gjithë në një kallëp me Kristalin e Renzo Bossi-t.”

    1. “me sa di une” – eshte teresisht e panevojshme. Sidomos kur ne te njejten fjali terkuze permendet se “gazeta e tij” Mapo. Ky informacion nuk eshte relevant per artikullin, as nje informacion shtese per audiencen, thjeshte nje distancim nga e verteta e autorit dhe subjektivizem relativizues per mesazhin.
    2. “nuk marr persiper te dije…” – edhe nuk i merr persiper, edhe flet per to. Informacione shtese qe sjellin peshtjellim dhe mungese koherence.
    3. “me te cilen i drejtonte” – mund te shkruhej = qe i drejtohej, Por nuk ka nevoje, eshte informacion i tepert, letra e hapur eshte publike, dhe per me teper e botuar ne gazetn Mapo.
    4. “sipas tij” = keto jane mbeturinat e asaj bisedes se kafenese, terkuze, e pa informacion per ngjarjen kryesore. Henri Cili flet sipas Cilit, nuk mund te flase ndryshe.
    5. “ngase i futen” = mund edhe te mos perdorej,
    6. Nje leter nuk mund t’i drejtohet “disa emrave”, por personave.

    Fjalia pra mund te shkruhej ndryshe, sidomos kur eshte ne krye te tekstit ajo duhet te jete e shkurter,

    “Para disa ditesh Henri Cili, pervecse gazetar, edhe pronar kryesor e menaxher i UET, pronar i gazetes, revistes dhe shtepise botuese Mapo, botoi ne gazeten Mapo nje leter te hapur drejtuar disa personazheve mediatike ku trajtohej shqetesimi per lincimin e padrejte te universiteteve private, te futura te gjitha ne nje kallep me kristalin e Renzo Boss-it. “

    1. Tekstet e Lubonjës mund të kenë ndonjëherë nevojë për redaktor, por kjo është çështje tjetër, edhe pse njëlloj provon se redaksitë e disa mediave nuk duan të punojnë. Shumë gazeta (nuk dua të përgjithësoj dhe të them të gjitha) redaktimin e konsiderojnë si opsional; prandaj edhe cilësia teknike e materialeve që botojnë është për të vënë duart në kokë. Problemet në tekstet e Lubonjës vihen re ndoshta edhe ngaqë njerëzit atë autor e lexojnë; dhe e lexojnë sepse e dinë që ai ka çfarë t’u thotë. E kam të qartë që nuk mund të hyj në debat duke u kapur pas një shembulli, por më duhet të them se ajo gazetë që e ka Lubonjën si autor të rregullt, duhet edhe t’ia vërë një redaktor, që t’i kujdeset për shkrimet. Kur shkrimi është pa gabime dhe rrëshqet në lexim, edhe mesazhi përçohet më mirë. Mirëpo të kuptosh nevojën për redaktim kërkon njëfarë dinjiteti kulturor, i cili nuk vjen vetvetiu. Po çfarë të thuash, kur ke gazeta si “Koha jonë” të cilat në mënyrë sistematike botojnë tekste të shkruara me alfabet të gjymtuar? Në një republikë normale, këto gazeta do të kishin falimentuar nga gjobat që do t’u vinte autoriteti mbikqyrës – ndërsa tek ne e drejta për t’i vënë kazmën gjuhës (dhe së bashku me gjuhën edhe vetë konceptit të disiplinës) vlerësohet si shprehje e lirisë së fjalës. Kur shoh si aktualizohet liria e fjalës, në mediat tona, më vjen në mendje një thënie e vjetër: kur e bënë jevgun pashë, vari të jatin. Megjithatë, një gjë janë mangësitë që vijnë ngaqë personat përgjegjës janë të mangët në përgatitje dhe vizion; dhe një gjë tjetër mangësitë që imponohen qëllimisht mbi mediat, në emër të një politike të komunikimit me publikun e cila e trajton këtë si infantil dhe mendërisht të cungët. Shkurtimi i qëllimshëm i teksteve bën pjesë në këtë kategorinë e dytë. Ironia, në këtë mes, është se nga njëra anë “Shekulli” i vë gërshërën mendimit refleksiv, për t’u lënë hapësirë “fakteve” (të thuash se këto mund të ekzistojnë, pa një aparat konceptual të tillë që ta lejojë lexuesin t’i rrokë); nga ana tjetër, “Gazeta shqiptare” boton numër pas numri kujtimet e një ish-hetuesi, ku ky mburret se si sabotatorët që ka kapur me dorën e vet në vitet 1970 janë ekzekutuar pastaj me pushkatim!

  4. Ne fakt, pothuaj te gjithe lexuesit e Lubonjes e njohin Cilin, biles shumica e shajne mbare e prape, prandaj fjalia mund te reduktohej ne pronar i UET, sa per t’i vene ne dukje ndonje syleshi se nga buronte shqetesimi i Cilit, dmth se mos e hante edhe sipermarrja e tij.

    Shkurtimi eshte i domosdoshem, ka mbi 20 analiza ditore neper gazeta, shumica per t’u hedhur ne plehra.
    O ke ndonje ide te vlefshme, o ndonje argument te ri o shqipe te rrjedhshme, shumica s’ka asnje kriter.

    Nje analize qe i ka te treja, mund te jete edhe 3000 fjaleshe e s’te lodh fare.

    Ne pergjithesi pjelloria e trurit publicistik eshte si pjelloria e tokes, nuk mund te mbjellesh gjithnje te njejten bime, se bie pjelloria, nuk mund te perdoresh shume kimikate (fjale te huaja ose te medha) se djeg bimen e vete token, nuk mund ta rimbjellesh menjehere se ka nevoje per pushim, pas nje perdorimi intensiv do ndonje vit pushim etj.

    5-600 fjale ofrojne nje jetegjatesi me te madhe, sforcim me te vogel, gjuhe me konçize dhe hapesira te bollshme per shartimet e nevojshme (qe rrallehere ndodhin tek 1-1500 fjaleshet).

    Nga ana tjeter, praktika thote qe shumica e lexuesve po s’u kenaqen tek paragrafi i pare e braktisin leximin e metejshem, se i tremb gjatesia, keshtu qe me pak paragrafe mund t’i cyse ta mbarojne.

    Shartimi i analizave, jo detyrimisht, perfaqeson nje dukuri te denueshme.

    1. Interesante redaktimet qe po propozoni per artikullin e Fatos Lubonjes. Nese hyrja do te konsiderohej thjesht si paraqitje faktesh, dakord, por ne kete rast autori jo vetem ka paraqitur faktin por edhe ka shprehur gjendjen e tij emocionale perballe ketij fakti. Si pasoje une pa e lexuar fare pjesen tjeter te artikullit e kam te qarte se çfare pikepamje do mbroje.

      Pa u zgjatur me kete me lini te propozoj nje redaktim per hyrjen e poemes “Bageti e Bujqesi” te Naim Frasherit.

      Si e ka shkruar Naimi:
      O malet e Shqipërisë! E ju o lisat e gjatë,
      Fushat e gjera me lule, q’u kam nër mënt dit’ e natë,
      Ju bregore bukuroshe e ju lumënjt’ e kulluar,
      Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pyje të gjelbëruar!

      Propozimi im modest:
      “O tipare gjeografike të Shqipërisë, që ju kam ndër mend ditë e natë!”

      Versioni im ka perparesi te ndjeshme ndaj atij te Naimit sepse eshte me i shkurter, me i qarte, perfshin edhe ato tipare gjeografike qe Naimi mund te kete harruar ti permende dhe me lejon te shpreh qe une nuk kam ndermend dite e nate vetem fushat por çdo tipar te Shqiperise gje te cilen me siguri do kishte dashur ta shprehte edhe Naimi po te kishte patur nje redaktor si puna ime. Per me teper, si bonus, me kete redaktim rregullojme edhe gjuhen e poemes se duke gjykuar nga gabimet e shumta ortografike ky Naimi duhet te kete qene gjysem alfabt.

      1. Nuk vlen krahasimi.

        Vepra e Naimit eshte artistiko-propagandistike, detyra e tij eshte te beje te gjitha zgjerimet apo shkurtimet e nevojshme per te kenaqur shijet estetike te lexuesit dhe per ta bere sa me efektive propaganden.

        Analizes nuk i kerkon kush te kete funksion artistik ( propagandistik shpesh), biles analizat s’mund te jene kurre artistike pa qene njekohesisht edhe propagandistike, e thene ndryshe artistikja kerkohet ne analize per te zbukuruar e bere me pak te dukshme apo te dhunshme propaganden.

        Do thuash ti, po ka shume qe i bejne analizat ‘me pasion’ e te tejmbushura me figura letrare, sidomos metafora. Per mua, duhet ruajtur shendeti i trurit nga analiza te tilla, se kane efekt te madh manipulativ. Estetika ka force te madhe manipulative tek njeriu, shpesh qellon qe vetem bukurshkrimi pa kurrfare ideje apo argumentimi logjik, te beje per vete shume njerez.

      2. S’e harrova

        ”’Per me teper, si bonus, me kete redaktim rregullojme edhe gjuhen e poemes se duke gjykuar nga gabimet e shumta ortografike ky Naimi duhet te kete qene gjysem alfabt.”’

        S’ka pase standart/d ne kohen e tij, biles as alfabet te njesuar, po te ishe redaktor do kishe vdek’ per buke.
        Ndoshta edhe ngaqe sot redaktori si profesion rrezikon te vdese per buke, mund te shpjegohet pse si kategori eshte ne zhdukje e siper. Sot po botohen libra pa redaktim. Kam nje neper duar, qe s’po i them titull e autor, qe para 20 vjetesh s’do ish botuar kurren e kurres.

        Te duash nje gjuhe pa gabime do te thote te duash gjuhen e shkruar, qe eshte njefare ndjenje patriotike e kultivuar qe ne vegjeli. Pertash po mbijeton si shenje epersie ne status, perzier me ndjenjen patriotike te kultivuar ne vegjeli, po nese vazhdon te edukohet keshtu si keto 20 vjet edhe nje brez tjeter, do te na duhet te veme kujen e te çjerrim faqet.

        Mendo vetem kaq, per nje alfabet te njesuar, u desh te pritej viti 1908, kur te gjithe vendim-marresit i perkisnin te njejtes ideologji nacionaliste, por rrymave te ndryshme brenda saj. Po neser kur s’do i bashkoje e njejta ideologji, si do behen bashke dynjaja per te risjelle shqipen e shkruar brenda kufijve te qyteterimit ?

        1. Kjo punë e librave të paredaktuar, është si e pallateve në kohën e Dullës, që i linin të pasuvatuar nga jashtë.

          Është shenjë e një kulture që është dorëzuar dhe që e ka humbur dëshirën, në nivelin institucional, për t’i bërë gjërat mirë.

          Çfarë vjen doemos si katastrofë, edhe pse jo të gjithë e vënë dot re.

          Kudo ku hedh sytë, gjen gjëra të bëra keq, të lëna përgjysmë, ose që fshehin një mashtrim, ose një vjedhje diku.

          Është mungesë profesionalizmi, natyrisht; por unë e shoh edhe si çështje karakteri, ose si rënie stili.

          Ai që i bën gjërat mirë ose me kujdes merr kënaqësi nga kjo punë, kënaqësi që s’ka të bëjë me fitimin material, madje as me karrierën. Është kënaqësia e atij që ka dhënë vetveten në objektin që nxjerr nga dora; kënaqësia e atij që respektin për veten e transferon në respektin për sendet të cilat të tjerët do t’i lidhin me emrin e tij.

          Mirëpo tani kanë dalë në krye njerëz që nuk kanë më respekt për veten (dhe gjithashtu nuk i respekton më njeri); dhe këtë boshllëk e kompensojnë me pushtet vetëm, pushtet i cili, sipas rastit, materializohet si pará.

          Nuk është se janë të gjithë maskarenj: ka maskarenj, ka hajvanë, ka gjysmakë, sikurse ka edhe njerëz që duan të përshtaten, ose të tjerë që janë lodhur tashmë dhe janë dorëzuar.

          E gjithë kjo të çon përsëri te mungesa e dëshirës.

          Për muratorët e vjetër ka pasur një shprehje: ia qan qoshet; sepse qoshja e murit, nga brenda, ishte e vështirë për t’u realizuar në kënd të drejtë.

          Muratori nuk ishte i detyruar ‘ta qante’ qoshen; shtëpia njëlloj do t’i duronte elementet edhe po t’i kishte qoshet pak të shtrembra. Megjithatë, ustai i mirë nuk dallohej thjesht ngaqë ndërtonte mirë, por bash nga këto gjëra të vogla, ose nga kujdesi që tregonte për aspekte jo ngushtësisht funksionale të punës së vet.

          Vetëm me njerëz të tillë mund të ndërtosh diçka – dhe këtë e them jo vetëm në lidhje me muret dhe karabinatë, por edhe me gjithçka tjetër të ndërtueshme. Njerëz që nuk nxjerrin kënaqësi nga puna që bëjnë – qoftë edhe thjesht nga një nevojtore e pastruar mirë, që llamburit dhe kundërmon livando – nuk munden veçse të mbijetojnë, duke kafshuar njëri-tjetrin në formë komunikimi (fatik).

          Nuk ka gjë që ta përdhosë njeriun më shumë se utilitarizmi. Edhe kafsha që është kafshë vjen e bëhet interesante në momentin kur i shkëput lidhjet nga nevoja e menjëhershme për ushqim ose, në përgjithësi, për të mbijetuar: shih dy ketra që ndjekin njëri-tjetrin në park, ose një mace që kërkon të zbavitet duke luajtur me një shuk letre.

          Shumë njerëz më qeshin, kur them se në gazetat shqipja duhet shkruar me alfabet të plotë. Gjysmakë nga natyra, sjellin gjithfarë argumentesh – të gjitha funksionale (medemek, thjeshtimi ekonomizon edhe kohën e përdoruesve); kur nuk më pyesin se “ti s’ke me çfarë të merresh tjetër?” Tani, jo vetëm këto argumente nuk vlejnë, por edhe një gazetë e shkruar mirë është dokument i një kulture që e respekton vetveten – meqë rrezaton displinë, në kuptimin intelektual jo moral të fjalës; disiplinë si shprehje sociale të rregullsisë, që karakterizon çdo bashkësi njerëzish.

          Kjo që po ndodh me kulturën, sidomos me mass mediat, është një lloj arti avant-gardist, që e realizon veten në shkeljen e rregullave; vetëm se askush nuk e percepton si të tillë. Gjynah, se po u ikën nga duart edhe koleksionistëve.

          1. Ja xhaxha, kjo do te ishte nje seri interesante, mbi mediokritetin e realizimit te detyrave, duke filluar edhe nga une. Ja mvesh kete natyres mesdhetare, por ne nivelin makro kjo shoqeri vuan nga ikja dhe zhvleftesimi i trurit. E mbi te gjitha nga rrahja e shpatullave te nje tufe servilesh e njerez qe nuk e hane kritiken por jetojne ne genjeshter se jane duke bere dic, e ndoshta do te ishte me mire te benin hic, sesa te krijonin te tilla referenca per te kaluarit e te ardhurit.

          2. Ruan nje kopje Biblioteka Kombetare per cdo gje qe botohet. Kjo eshte them une edhe arsyeja, se perse drejtori i saj, tekstin e Skenderbeut te tij e ka rraskaptiur me neologjizma gjithfarllojeshe. Ndoshta shkelja e disa rregullave fsheh vullnetin per disa te reja. Ndoshta gjuha shqipe, ajo e pastra, po shkon drejt transformimit ne nje privilegj elitash; te pakten le te perftojne kete cilesi nder vedi, pa ua fal popullata te tjerat.

  5. Dikur ‘Shekulli’ kishte korrektore letrare (monumentalen Kadrie K., nder te tjere), po kishte edhe nje pergjegjes per etiken ( ketij s’po ia bej emrin, per arsye te kuptueshme) po kishte edhe penalizime per shkeljet e drejtshkrimit nga gazetaret e redaktoret. Mund mos te te pelqente logoja ( nje orgji akrepesh, nostalgjia kadareane per gotikun, zhurmuar prej faktit se gotikun e perdori e para ‘Koha Jone’), mund te mos pelqeje linjen editoriale dhe animin e paster politik, por i nenshtroheshe faktit se gazeta ishte gazete prej verteti, vetmja me gjithe aparatin e duhur fiziologjik.

    Kjo qe sot shitet per ‘Shekulli’, i ngjan nga ngjyra e fytyra suplementit te plazhit te gazetes me te njejtin emer, vetem ca vite me pare. Sot opinionet, ‘esete’ e kolumnat, si rregull, ne versionin elektronik i kane komentet prej lexuesve zakonisht me voluminoze se tekstet qe po komentohen.

    Problemi eshte se mire ra ‘ Shekulli’, po nuk e ka zevendesuar dot tjeter gje se…

  6. Kapedan, shkruan: “Ve re Lubonjen, nje sprovetar i shquar dhe i lexueshem, por jo gjithmone, sidomos me te tilla fjali terkuze dhe te pakuptimta. Sot po marr si shembull kete artikull ngase e lexova, po keshtu eshte ne cdo gazete me secilin analist.”
    Nuk është kështu me secilin analist. Ka nga ata që janë tejet të saktë, të qartë e të kuptueshëm. Me Lubonjën më duket se e ke kapur kot. Shkruan mirë dhe njerëzit e pëlqejnë. (Xhaxha, redaktorin e ka, të zotin madje, por Lubonja nuk preferon, madje insiston të mos i futen duart në shkrimet e tij. Qejfi i vet! Gazetë tolerante ajo ku shkruan ai, nuk të censuron.)
    Ç’të bëjë një redaktor, për shembull, me editorialet e kryetarit të opozitës?! Një fjali i shkon edhe 30-40 rreshta. I lodhshëm, i stërzgjatur, i ngatërruar. Edhe profesionist të jesh, vështirë ta kapësh me një të lexuar, pale “populli i thjeshtë”! E pra, shkrimi i tij duhet botuar, se është lajm. Pa shkurtime, se bën zhurmë ai pastaj.
    Sa për gazetat, pronarët që i disponojnë s’e kanë shumë hallin se sa shqip e saktë nga ana drejtshkrimore shkruhet aty. Pronarë hesapi! Hallin e kanë të shesin gazetën me lajmin, edhe pse ai paçavure është. I shitet edhe me gabime. Koço-pronari i hoqi me radhë korrektoret. Ishin “shpenzim” i madh për të! Shpenzim janë edhe gazetarët, edhe redaktorët! Prandaj i “paguan aq rregullisht”! Veçse s’ka ç’të bëjë, se s’e bën dot i vetëm një gazetë.

    Mbase dikur, dikush do të kujtohet për këtë e do vihen në lëvizje për t’i ndrequr gjërat. Të fillojnë me librat një herë, që janë beter.
    Kujt t’i drejtohesh?! Me ka shkuar në mendje sa herë t’i bëj mesazh Kryeministrit, t’i bëj edhe një ministrit të Arsimit? Do më marrin për të marrë, e di. Por këtu është çdo gjë për të vënë kujën. Gazeta më duket “halli” i fundit. Më vjen t’i përplas pas murit tekstet e shkollave të fëmijëve nga gabimet (përveç “Gjuhës shqipe”). Ato miratohen nga një komision i Ministrisë së Arsimit! Po njoftimet dhe shkresat e administratës shtetërore i keni parë ndonjëherë? Ku “ë”-ja, ku “ç”-ja?! Luks i madh t’i shoshësh në ndonjë shkresë zyrtare!

  7. Shqetesimi eshte shume i drejte. Une vete jam “djegur” ne gazeten “Shekulli”, kur te nesermen pashe gjysemshkrimin tim te botuar. Ishin hequr rradhe te tera, shembuj, ilustrimet me pikantet e shkrimit. Per me teper, pergjysmimi i artikullit u be pa djenine time. Te nesermen, kur lexova shkrimin, vura duart ne koke. Kisha punuar nje jave per te, per detajin (qe i mungon gazetarise se sotme). Aresyeja: I eshte lene vendi i redaktorit te komenteve te gazetes shekulli nje amatori. Fatkeqesisht, e kam patur edhe ne shkolle. Kocoooo… thirri mendjessss…

  8. Une e quaj veten ” internaut ” te zellshem, sic thote M. Nano. Ka disa muaj qe jam shkeputur nga SHEKULLI , pasi neper te mora vesh se ishte larguar A.Thano ; me pas mesova se ai kishte mbetur te SHEKULLI , mbase me detyre tjeter… Dy apo tri here kisha vizituar Peisazhe te Fjales ; sot isha me i ngeshem dhe pas nje ” lundrimi ” te gjate ve re se ka material te vlefshem … Per diskutimin ne fjale, mendoj se SHEKULLI sot vuan nga mungesa e analisteve apo opinionisteve me ” class “. Per etike nuk po i permend, por te SHEKULLI kane mbetur te botojne firma te tilla qe shkruajne ne stilin e Artan Fuges , qe sipas meje eshte modeli i te shkruarit qe ” te lodh me shume “…Kjo sa i perket stilit , gjithnje ne kuadrin e Peisazheve te Fjales , sepse sa i perket permbajtjes apo thelbit te shkrimeve , ehu jemi ne terren tjeter :

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin