LOOT – HELMI I NJË FJALE

Fjalë që po i dëgjojmë më shpesh se ç’do të donim, në lajmet për trazirat në SHBA: emrin loot, foljen to loot, dhe dy emrat e prejardhur, looting (aktiviteti) dhe looters (ata që e kryejnë). Në shqipe e kanë përkthyer plaçkë, plaçkit, plaçkitje, plaçkitës­ – duke e lidhur me idenë e plaçkës, me kuptimin “Çdo send që i rrëmbehet a i merret me dhunë dikujt; armë e sende të tjera që i kapen armikut në luftë; pre.” Edhe në anglishte, loot (emër) ka kuptimin e sendit, mallit me vlerë, që i merret Tjetrit (armikut), ose gjithsesi që përvetësohet në mënyrë të paligjshme, shpesh me forcë ose përdhunë; looting veçanërisht është përvetësimi i mallit të Tjetrit (armikut) gjatë një lufte ose një trazire tjetër publike, përfshi edhe pas një fatkeqësie natyrore. Edhe në anglisht, loot ankorohet në këto kuptime: (1) bëhet fjalë për sende a mallra me një farë vlere; (2) që përvetësohen (vidhen) nga dikush tjetër; (4) shpesh me dhunë ose në vazhdë të dhunës ose të falimentimit të rendit publik; (5) që viktima (pronari i ligjshëm) është armiku yt, ose që ti po e trajton si ta kishe armik ose (6) kur prona nuk po ruhet prej pronarit ose nga agjencitë e ruajtjes së rendit, për shkak të shthurjes së përgjithshme që pason një fatkeqësi natyrore (përmbytje, tërmet, etj.). Megjithatë, në anglishten e sotme të publicistikës, loot dhe fjalët e prejardhura duket sikur janë specializuar për një lloj specifik vjedhjeje, që kryhet gjatë një trazire sociale (riot), dhe si rregull pas shkallmimit të dyerve të mbyllura të dyqaneve ose hapësirave të tjera normalisht të mbrojtura.

Historikisht, fjala loot ka hyrë në anglishte relativisht vonë, gjithnjë me kuptimin “plaçkit”, por e huazuar nga gjuhët e nënkontinentit indian, hindi lūṭ dhe sanskrit luṇṭh ‘vjedh, grabit’; dhe është përdorur rëndom për të përshkruar plaçkitjen në kontekste koloniale – gjatë luftës së Kinës në 1841, luftës së Krimesë (1854-1855) dhe të kryengritjeve në Indi; përndryshe, anglishtja i ka pasur një numër të madh fjalësh që e jepnin konceptin e “plaçkës” dhe të “plaçkitjes”, të tilla si plunder, pillage, ransack, sack; është spekuluar se loot ka hyrë, më parë si fjalë e slang-ut politik dhe ushtarak, për të shënjuar plaçkitjen prej Tjetrit – kinezit, indianit dhe më pas të ziut, “të huajit”, i cili u tërhiqka pas pasurisë materiale, por nuk mundka ta sigurojë atë me mjete legjitime, sepse nuk arritka dot të përfshihet në marrëdhëniet “normale” të prodhimit dhe të tregut; aq më tepër, ndryshe nga hajduti thief ose grabitësi (kusari) burglar, të cilët e përvetësojnë pronën e tjetrit duke rrezikuar personalisht, looter-i qenka oportunist, meqë veproka në një kontekst ku ligji (që gjithsesi nuk është ligji “i tij”) përkohësisht nuk vepron më dhe nuk ka as kush ta imponojë, pra përveçse vjedhës, qenka edhe frikacak, duke vepruar njëlloj si ata që shkojnë dhe u vjedhin sende të vrarëve a të vdekurve pas një beteje ose një fatkeqësie natyrore; në zoologjinë e përgjithshme të shoqërive njerëzore, looter-ët qenkan ata që ushqehen me kërma.

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përjetuar të plotë eksperiencën koloniale, por fjalën loot dhe derivatet e saj e kanë përshtatur në kontekstin e konfliktit racial – duke quajtur kështu përvetësimin e paligjshëm (vjedhjen) e pronës nga popullsia me ngjyrë (zezakët, afrikano-amerikanët) pas një revolte kundër të bardhëve, ose fatkeqësie natyrore; madje aq është përsëritur kjo, sa vetë termi, looting, sot ka marrë ngjyra historike dhe i referohet trazirave të mëdha raciale në SHBA-të gjatë shekullit të fundit – ku protestat e komuniteteve dhe përplasjet me policinë shoqërohen me plaçkitje të dyqaneve; dhe që këtej, looting është përdorur edhe për të përshkruar situatat e anomisë, që pason katastrofat natyrore, si një përmbytje të madhe, paralizën pas një uragani ose edhe një katastrofë teknologjike, si blackout-i – ndërprerja e energjisë elektrike në blloqe të mëdha të një metropoli. Sipas këtij interpretimi, looting nuk është revolta, as synimi i revoltës, por një aktivitet që e shoqëron – sa kohë që revolta i pezullon marrëdhëniet e qytetarëve dhe të qytetit me ligjin. Për racistin amerikan, the looter është i vetmi rol që mund të luajë, që është në gjendje të luajë, afrikano-amerikani në revoltë, madje edhe kur niset të arrijë një synim tjetër, fisnik; si të thuash, rebelët me ngjyrë nisen të bëjnë revolucion, por pastaj u hutokan pas plaçkës dhe u mjaftokan me përvetësimin e saj. Këtë narrativë e kanë përforcuar në vite mediat, të cilat gjithnjë e kanë vënë theksin te plaçkitjet e mëdha që kanë pasur trazirat (riots) ose katastrofat natyrore (uragani Katrina, në Louisiana), duke ndihmuar të krijohet bindja, folklorike, se afrikano-amerikani i varfër, shpesh i papunë, që jeton në geto dhe që është rregullisht në fërkim me ligjin, e gjen identitetin e vet pikërisht në momentet kur shthuret rendi publik. Çfarë edhe do të thotë që konotacioni “kolonialist” i fjalës loot, i trashëguar prej slangut ushtarak dhe policor të britanikëve në Indi dhe gjetiu në Azi, vijon të jetojë në anglishten amerikane të sotme – duke u kthyer përdorimi i fjalës loot në përforcues të një vizioni specifik të shoqërisë amerikane, ku zezaku është gjithnjë “Tjetri”, në analizë të fundit, i kolonizuari. Tek e fundit, edhe përdorimi emëror i fjalës loot, me kuptimin “plaçkë lufte”, i shërben riprodhimit të marrëdhënies ndërraciale si mes armiqve, ose palëve në një konflikt antagonist; nëse rebeli, kryengritësi dhe “kokëpalari” zezak e ka problemin me ligjin, i cili sipas tij konsakron një marrëdhënie sociale në thelb të padrejtë, metafora e luftës mes të zinjve dhe të bardhëve (“të tjerëve”) e kalon ligjin në anën e të bardhëve, duke ia lënë paligjshmërinë krahut tjetër. Krimi i vjedhjes (plaçkitjes) si akt individual transformohet në një status kolektiv kriminal – dhe looters shërben si një emër i ri për komunitetin e Tjetrit, në rrethana konflikti social.

Çfarë ka ndryshuar sot, është ndjeshmëria më e madhe e kolektivitetit, herë për mirë dhe herë për keq, ndaj leksikut që përdoret në komunikimin publik; deri në atë shkallë sa ndërhyrja në ligjërim përfytyrohet si surrogat i ndërhyrjes sociale. Prandaj nuk habit edhe një direktivë e fundit, me gjasë e lëshuar nga Associated Press (nuk po arrij ta gjej origjinalin), që u kërkon reporterëve ta kufizojnë përdorimin e fjalës “looting”, për shkak të konotacioneve raciste, “veçanërisht në vazhdë të fatkeqësive natyrore”; dhe aq më tepër kur tweet-i i Presidentit Donald Trump për looting dhe shooting (“When the looting starts, the shooting starts”) u kujtoi shumëve frazeologjinë e periudhës së konfliktit për të drejtat civile në SHBA. Në vend të kësaj fjale, është më mirë – sugjeron direktiva – që të shmanget etiketimi dhe të përshkruhet ajo çfarë ka ndodhur, p.sh. disa protestues hynë me forcë në dyqan dhe vodhën gjithçka gjetën në raftet. Që plaçkitja e dyqaneve, veçanërisht e dyqaneve të luksit, në metropolet është aq karakteristike, si aksion kolektiv, sa të meritojë një emër të vetin, kjo nuk e çliron dot looting nga konotacionet raciste; sepse për më të shumtën e amerikanëve, looting është diçka që e bëjnë “të zinjtë”, është forma si protestojnë të zinjtë, si e shprehin pakënaqësinë e tyre dhe si përfitojnë në momentet e krizës së rendit publik; sikurse u jep edhe alibinë të tjerëve, pronarëve, vigilantes-ve, milicive e kështu me radhë, që ta marrin ruajtjen e rendit në duart e tyre dhe të ushtrojnë edhe ata dhunën përkatëse. Aq më tepër që – nuk po e them me ironi – pamjet filmike të këtyre ditëve tregojnë se në plaçkitjet e dyqaneve po marrin pjesë edhe të bardhë edhe të zinj, pa folur për një farë organizimi dhe bashkërendimi të thyerjes së dyerve dhe të vitrinave, që të bën të mendosh jo vetëm për planifikim, por edhe për provokim. Palë të caktuara, në konfliktin e tanishëm, kanë interes që t’i ruajnë stereotipitë, përfshi edhe klishenë e zezakut si looter; sikurse kanë interes, palë të tjera që e ndjekin konfliktin nga salla, që ta paraqitin looting si akt me domethënie më shumë politike, të çliruar nga tundimet ekonomike të vjedhjes dhe të rehabilituar pikërisht nga fakti që të tjerët, ata që plaçkiten dhe, në përgjithësi, Amerika e bardhë, ia detyron pasurinë e vet, forcën e vet dhe prestigjin, looting-ut që ia ka bërë botës mbarë dhe pakicave të veta, që nga indiano-amerikanët, te ish-skllevërit dhe pasardhësit e tyre; në kuptimin që, nga pikëpamja mirëfilli ekonomike, edhe vetë akti i arritjes së lirisë, për skllavin amerikan me ngjyrë, ishte edhe looting-u i parë i një plaçke që deri atëherë i përkiste latifondistit të bardhë.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

22 Komente

  1. Prandaj nuk habit edhe një direktivë e fundit,…

    Kane pas treguar ne kohe te komunizmit nje histori per nje shites diku ne Tirane, i prekur ne biografi dhe pak i trembur si natyre.
    Kur e pyesnin kete te varfrin “a keni psh kadife blu” ky nuk guxonte te thonte jo nuk kemi por thonte gjithmone “do vije me vone “!!

      1. Sipas merriam webster kjo fjale nuk ka ngjyrim racist .
        goods usually of considerable value taken in war : SPOILS
        The soldiers helped themselves to any loot that they could find.
        2 : something held to resemble goods of value seized in war: such as
        a : something appropriated illegally often by force or violence
        the thieves’ loot
        b : illicit gains by public officials
        c : MONEY
        would not … spend all that loot on her
        — Langston Hughes
        3 : the action of looting
        general loot of church land
        — Hilaire Belloc
        verb
        loot​ed; loot​ing; loots
        Collegiate Definition (Entry 2 of 2)
        transitive ​verb
        1a : to plunder or sack in war
        b : to rob especially on a large scale and usually by violence or corruption
        2 : to seize and carry away by force especially in war
        intransitive ​verb
        : to engage in robbing or plundering especially in war

  2. Edhe mua më duket i sforcuar ky shtjellim. Nuk e gjej askund si referencë që fjala vetë të ketë konotacion racist. Madje e shoh të përdoret rëndom edhe në media me prirje të majta. Madje madje, edhe vetë shprehja e cituar prej Trump, e ka mjaft ambig konotacionin racist. Bëhet fjalë për nje deklaratë të vetme të një shefi policie dikur, dhe që edhe ai vetë e ka shpjeguar se nuk ka lidhje me racizmin. Twitter gjithashtu, nuk e ka etiketuar si raciste, por violent.

    1. Në fakt, konotacionet raciste (racist overtones) i përmend direktiva e AP-së, që e kam sjellë të cituar; dhe besoj se tek ajo organizatë ka njerëz që janë në gjendje t’i përcaktojnë mirë këto gjëra, brenda specifikës të anglishtes që përdoret në publicistikë. Unë vetë, ngaqë jetoj prej kohësh në SHBA dhe e ndjek me vëmendje median (sidomos të shkruar dhe Internetin) e kisha vënë re se fjala looting përdorej rregullisht për të përshkruar çfarë ndodhte ose çfarë pritej të ndodhte, në rast revoltash dhe trazirash me pjesëmarrjen masive të së zinjve. Madje gjuha e përdorur për të përshkruar revolta të tilla, që nga koha e Katrinës, më familjarizoi me këtë fjalë. Por ishte historia e fjalës loot dhe e familjes së saj, në vazhdë edhe të konstatimit të tanishëm të AP-së, që më shtyu të shkruaj – sepse m’u duk me interes si një fjalë mund t’i trashëgojë konotacionet falë historisë dhe prejardhjes së saj. Natyrisht, nuk më takon mua dhe as pretendoj që të jap rekomandime se ç’fjalë duhet përdorur, as në shqip dhe as në anglisht dhe vetë direktivën e AP-së po e përdor për të ilustruar tezën time. Duke parë nga sa shkruhet shqip për revoltat dhe trazirat e tanishme në SHBA, e kam parë se ne e kemi shumë të vështirë (dhe disa nga ne të pamundur) të kuptojmë nuancat e racizmit amerikan, pjesërisht edhe ngaqë nuk e njohim historinë e marrëdhënieve racore këtu. Për këtë arsye, edhe m’u duk të paktën ironike që një fjalë, e hyrë në anglishte në kontekste të ligjërimit racist (ne dhe ata, në Indinë koloniale) të mbizotërojë tani, për të përshkruar incidentet dhe aksidentet gjatë trazirave anti-raciste të momentit.

      1. Dakord Ardian, po problemi është që as këtë referencë për AP nuk e gjej kurrkund. Kërkoj me tekst, kërkoj me imazh, hiç.

        Tani, ti atë direktivë e merr të mirëqenë që ekziston, dhe që është e AP.
        Ose ti ke ndonjë info që unë nuk e di, ose e bën sepse të ‘kënaq’ pritshmëritë e tua. Po kjo flet më shumë për ty sesa për argumentin në vetvete.

        Po dhe sikur të jetë e vërtetë xhanëm, AP nuk është se ka ndonjë autoritet përfundimtar që ti japë dum kësaj pune.
        Në fund të fundit media e OJF majtiste apo politically correct ke sa të duash sot.

        Tani ta shpjegoj pse insistoj unë këtu.

        Kam përshtypjen se me gjithë problemet dhe budallallëqet që mund të ketë Trump, dhe që padyshim ka plot të tilla, kjo e racizmit është një kartë jo vetëm cheap, po dhe boshe. Ose të paktën jo me këto argumenta kaq të dobët. Dhe këtu natyrisht nuk flas për ty tani, e kam në përgjithësi me diskursin e mediave të majta, por edhe një pjesë të mirë të demokratëve.

        E mira e USA është që gjithsesi ka intelektualë dhe media, jo detyrimisht konservatore, që i demaskojnë këto si BS.

        Kurse këtu te katundi ynë s’po hyj fare me mirë, se laj thaj nuk shkojmë dot përtej retorikës se varfër të Ernestit.

        1. “Kam përshtypjen se me gjithë problemet dhe budallallëqet që mund të ketë Trump, dhe që padyshim ka plot të tilla, kjo e racizmit është një kartë jo vetëm cheap, po dhe boshe. Ose të paktën jo me këto argumenta kaq të dobët.”

          E kam te qarte qe per shume kafshe politike (corporate democrats) kjo situate paraqet nje mundesi per te sulmuar Trump. Por Trump nuk na e solli dhunen policore ndaj te zinjve. E gjeti mes nesh. Trump thjesht ka thelluar dhe me tej nje problem te trasheguar, duke i dhene edhe me shume perforcim idese se white supremacy, sidomos ne forcat mbrojtese. Kesi protestash ka patur sa here ka patur ekzekutime te ngjashme. Kjo e fundit ndoshta po merr permasa me te medha per shume arsye: kriza ekonomike post-Covid eshte kryesore, dhe kjo po qe vjen si rezultat i keqmanaxhimit qe i beri Trump kesaj krize. Protestat deri me sot jane kunder dhunes policore. Po vazhduan do te jene zemrim i popullit ndaj austeritetit ekonomik dhe shkeljeve te parimeve demokratike si e drejta e protestes dhe curfews. Eshte vertete shqetesuese ne shume nivele militarizimi qe po vjen si pasoje e “law and order”, sidomos nese keto forca nuk jane formalisht te ushtrise por te kompanive private.

    2. Fjala ka konotacion racist/kolonial ne kete rast dhe per kete nuk duhet shume perpjekje per ta kuptuar. Ne imagjinaten amerikane dhe sidomos ne pasqyrimin qe i ben media kesaj imagjinate, te zinjte nuk mund te MOS bejne “looting“. E kane kete ne DNA e tyre, si original sin. Vete prezenca e tyre ne kete vend, dhe liria e tyre me pas, erdhi nga nje “looting”. U plackiten nga Afrika nga tregtare portugeze per tu shitur si mall. Liria qe fituan ishte nje “looting” qe iu be skllavopronareve. Ne imagjinaten amerikane te zinjte do te jete gjithnje “looters”. Dhe meqe pritet qe te “degradojne” ne looting, eshte po aq afermendsh qe te kete agjente te trete qe ta instigojne kete akt per t’i dhene publikut teatrin e dhunes, ne diskreditim total te perpjekjeve per drejtesi.

      Po ashtu, dhe me rendesi ne vetvete, per vete afro-amerikanet, looting ishte menyra e vetme per te fituar lirine e mohuar. Edhe sot, ky akt eshte menyra e vetme per tu degjuar. Ne fjalet e MLK “a riot is the language of the unheard”. Them se kjo vlen dhe per looting. Nuk mund ta kuptojme dot kete qe ndodh sot pa e vene ne kontekstin historik dhe social.

      1. Problemi nuk shtrohet se fjala “looters” ka ngjyrime raciste, apo se perdoret vetem per te pershkruar zezaket por nese ata qe vandalizojne, djegin,plackitin jane ‘looters” apo luftetare te lirise?Per mua djegia e e vjedhja e pasurise se tjetrit qe s’te ka bere asnje te keqe eshte krim i plackitjes .

        Nonviolence is a powerful and just weapon, which cuts without wounding and ennobles the man who wields it. It is a sword that heals.

        Martin Luther King, Jr.

  3. Looting ka nje kuptim te caktuar qe, megjithese te ngjashem me sinonimet e mesiperme, ka gjithesesi, te pakten ne ligjin statutor amerikan, nje kerkese tjeter per tu quajtur veper penale – te kryerit te atij akti (vjedhje, grabitje) gjate nje gjendjeje emergjence natyrore apo te shkaktuar nga njeriu.
    Pardon per tekstin anglisht:

    The crime of Looting is the commission of petty theft, burglary or grand theft during a state of emergency.

    Kur AP leshon direktiven “politically correct”, ajo ben nje sherbim te keq publikut dhe largohet nga misioni i informimit.
    Jo korrekte por e pritshme nga establishmenti liberal, demokrat, dhe pergjithesisht elitist i ShBA-ve.

    1. Këtë direktivë AP e lëshon jo për publikun, por për hartuesit e teksteve të shpërndara nga ajo vetë (bëhet fjalë për internal policy). Çdo organizatë mediash, përfshi edhe shtëpitë botuese, kanë politika të tilla ligjërimore, që i përshtaten misionit dhe vizionit dhe stilit me të cilën ajo organizatë dëshiron të komunikojë me publikun.

      Sa për citimin më sipër, njëlloj si ai i Albës më lart, i referohet një gjendjeje ligjërimore të së shkuarës; në një kohë që këtu po flitet për prirje në përdorimin e fjalëve. Para 50 vjetësh, ka pasur shumë fjalë të anglishtes në përdorim të gjerë, që sot mund t’i kushtonin dikujt vendin e punës. Pavarësisht nga si na duken këto politika, duhet të paktën t’i njohim – sepse askujt nuk i falet që të përdorë sot në publik një fjalë tabu, pa e ditur që është tabu.

      Natyrisht, nga këndvështrimi im personal, kushdo ka të drejtë të përdorë atë fjalë që i bën punë, por me kusht që ta njohë përgjegjësinë që po i jep vetes. Mua më ngrihen qimet përpjetë, kur lexoj për akrobacitë leksikore të establishmentit sidomos akademik – dhe kam shkruar edhe këtu për teprimet; por edhe jam i vetëdijshëm që, si mysafir që jam në anglishte, më takon mua që të jem dyfish i vëmendshëm për nuancat e vetvetishme të ca fjalëve.

      Jashtë teme, por jo dhe aq jashtë teme: mbrëmë po shihnim një film të viteve 1980; dhe gati-gati nuk po arrinim ta ndiqnim, ngaqë personazhet pinin duhan non-stop. Tabuja e tanishme, kundër cigares në vende publike, interferonte rëndshëm me shijimin e filmit; deri në atë shkallë sa të na dukej se duhani, në film, luante ndonjë rol simbolik që duhej interpretuar.

      1. Ndalimi i fjalës zor se ka për ta ndaluar gjë aktin.

        Por nëse ka vërtet një lidhje të fjalës me “mëkatin fillestar” atëherë ndalimi i fjalës ka veçse dy rezultate, për të mos thënë qëllime, harresën dhe ripërdorimin, ngase mëkati ikën bashkë me fjalën, por akti përsëritet si i rëndomt.

        Ndërkohë, ripërtypja që po i bëhet historisë së rracizmit në amerikë, dhe me projekte të financuara edhe nga NYT, për qëllime fund e krye politike, në sytë e mi përshkruhet vetëm me një fjal: “disgusting”.

        Rracizmi ka qënë dhe është i pranishëm në amerikë, dhe nuk ka për të ikur. Por ky lloj përdorimi, që e keni prekur edhe ju paksa në shkrim, nuk I ndihmon gjë komunitetin me ngjyrë, sidomos afro-amerikan. Përkundrazi, varësia ndaj një partie politike vetëm se po i shkatërron, varfëron dhe plaçkit (shall I call it looting).

        Por me sa duket edhe “looting”, në sytë e medias, është kthyer në versionin gjuhësor të “hydroxychloroquine”.
        Jetojmë vërtet në kohë të çuditshme.

  4. Pjesmarrja juaj ne kete forum, Alba, eshte vertete mbreslenes. Kjo mua me sjell ndermend ate vajzen e vogel 4-5 vjecare, e cila nga oborri i pallatit ku kishte shtepine, pasi rrethon gojen me te dyja dockat, e saj te vogla, filloi ti therras te jemes ne katin e katert ku e kishte shtepine:
    – O mami! O mami!
    Del e ema ne dritare dhe I thote:
    – C’fare ke, shpirt i mamit, qe therret kaq fort, se mblodhe lagjen me te bertiturat e tua!
    – Mami! Me thuaj, a behen me barre vajzat e vogla?
    – Jooo shpirt, nuk behen. Per kete po therret kaq fort?
    – Nuk behen?
    – Po te thash pra, nuk behen.
    Pas pergjigjes mjaft domethenese qe mori, vogelushja, thellesisht e lumturuar, turret me vrap ne drejtim te shokeve dhe shoqeveve dhe tere ngazellim therret:
    – Ej, kalamoja, hajde vazhdojme lojen….

    Sa per ju, zoti Vehbiu, nuk mund te mos ve ne dukje zakonin tuaj “te keq” qe shfaqni ne shkrimet tuaja: jeni aq skrupuloz ne trajtimin e cdo problem qe trajtoni, kuroni deri ne imtesi cdo detaj qe ka te beje me temen, sa i hiqni pothuaj cdo mundesi lexuesit per te vene ne dukje ndonje mungese. Ve re se zonja apo zonjusha Alma, e cila duket e ka te vetmin argetim pjesmarrjen ne diskutim, as qe reagon ndaj bezdise tuaj, per nderhyrjet qe ajo bene. Ndaj them, jeni me i meshirshem me te, mos e largoni duke I shfaqur pa doreza bezdine tuaj, duke e privuar me kete rast nga i vetmi ngushellim qe mund te kete. Per te pjesmarrja ne forum eshte thjesht loje, asgje tjeter. Me ato qe shkruan, ajo thjesht do te tregoje se eshte e denje si pjesmarrse.

      1. Me ka ndodhur dhe mua nje situate e tille-por te pakten Alba nuk akuzoi njeri. Duke diskutuar me mendje te ftohte mu sulen shqiptaret e mij duke me akuzuar se po mbroja looters, se nuk eshte mire te vjedhesh, po sikur te te vidhnin ty, dhe moralizime te tjera- o Zot c’me gjeti. E shpjegova perseri situaten duke u thene qe po diskutojme cfare ndodhi dhe rrjedhen e ngjarjes. Ncuk ncuk s’merrnin vesh.

  5. Faleminderit për referencën Ardian!

    Ajo direktivë vetëm sa konfirmon edhe një herë, sikur te ishe e nevojshme, se sa qesharake janë bërë këto media/ojf.

    Po nuk më besove mua, hap një artikull të rastësishëm aktual nga vetë faqja e AP dhe shih a përdoret dhe sa herë përdoret loot/looting.

  6. Tashti sapo degjova ne TV Whoopi Goldberg (meqe ra llafi dukej goxha e zeze) te thote: “You looters you have to stop”. Si duket nuk ka lidhje me AP.

  7. Pa dashur ta kanalizoj diskutimin në një drejtim tjetër, është interesante se termi “looting” del edhe në të drejtën ndërkombëtare në lidhje me pasuritë arkeologjike.

    Ja një shembulli: “vjedhja apo plaçkitja (looting) e (1) siteve dhe monumenteve të Indianëve të Amerikës, nga tre arkeologë (2) e siteve në in Arkansas, nga një tjetër arkeolog; (3) i siteve Maya në Belize, nga dy arkeologë të tjerë; dhe (4) e objektive antike në Nepal, nga një “fotograf, shkrimtar dhe hulumtues”. Për lehtësi po e jap edhe në anglisht:

    “…looting of (1) American Indian sites and monuments, by three archaeologists; (2) sites in Arkansas, by another archaeologist; (3) Mayan sites in Belize, by two more archaeologists; and (4) antiquities in Nepal, by a “photographer, writer and researcher.”

    Pra, “looting” është edhe akti i vjedhjes, përvetësimit, apo plaçkitjes së trashëgimisë kulturore, arkeologjike, etj. të një populli tjetër.

    Pyetja që vjen ndërmend është JO nëse akte të tilla janë hasur edhe në Shqipëri? Por kur, si, pse, dhe kryesorja, ç’është bërë për të kthyer objektet e vjedhura dhe për të parandaluar akte të tilla në të ardhmen.

    Referenca e frazës është: The Ethics of Collecting Cultural Property: Whose Culture? Whose Property? Edited by Phyllis Mauch Messenger. Albuquerque: University of New Mexico Press, 1989. Pp. xxviii, 266. $32.50, analizuar nga John Henry Merriman, Stanford Law School, tek American Journal of International Law: Vol.i85/191, f 738.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: