NE RUAJMË, JU RRUANI, ATA S’E RRUAJNË

Fatmira Nikolli shkruan, te Gazeta Shqiptare, për rreziqet që i kërcënohen trashëgimisë kulturore shqiptare: zjarri, vjedhja, trafikimi, mosmirëmbajtja, shkatërrimi për qejf. Më keq e kanë pësuar ikonat, të cilat edhe kërkohen në tregun e zi dhe u sjellin të ardhura të mira grabitësve.

Çfarë duhet bërë përballë kësaj situate?

I pyetur për këtë, Apollon Baçe thotë se ikonat duhet t’i mbrojë vetë Kisha Ortodokse, sa kohë që mbrojtja e tyre nga institucionet publike, ose kujdestarët rrogëtarë të Ministrisë së Kulturës, nuk ka dhënë rezultate.

Ndërkohë, i këtyre ditëve (ose më mirë netëve) është lajmi se në Bularat të Gjirokastrës qenkan vjedhur plot 27 ikona.

Së njëjtës pyetjeje, Artan Lame i përgjigjet ndryshe; për të, e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur objektet me vlerë është t’i dërgojmë ato jashtë vendit për një kohë të pacaktuar, ose “derisa të qytetërohemi.”

Për Lamen, ideja e Baçes është kundërprodhuese, meqë objektet e kultit u janë vjedhur rregullisht institucioneve fetare. Megjithatë, ideja e tij për këtë farë outsourcing të pasurive kulturore do marrë më tepër si simptomë paradoksale e dëshpërimit, sesa zgjidhje praktike.

Përgjithësisht, kombet e vogla dhe të nëpërkëmbura kërkojnë që t’ju kthehen pasuritë kulturore prej muzeumeve të botës; meqë rreth tyre ndërtojnë edhe një identitet kulturor të mirëfilltë, që deri atëherë u ka munguar.

Madje të tilla pasuri kulturore ne shqiptarët konsiderojmë edhe eshtrat e baballarëve (dhe njerkëve) të kombit, të cilat i sjellim në Shqipëri si të mundemi, i rivarrosim në ndonjë cep, dhe pastaj i lëmë të qeta derisa të harrohen prapë.

Lame ka natyrisht të drejtë kur thotë se shteti shqiptar këto pasuri nuk po i ruan dot, sa kohë që mungon buxheti i nevojshëm.

Ai shton edhe se nuk duhet të habitemi shumë me vjedhjen e këtyre objekteve, në një kohë që vjedhja është shndërruar në mënyrën më të suksesshme për t’u pasuruar, sot në Shqipëri, në të gjitha instancat.

Prandaj, vëren Lame, t’i vëmë në tutelën e ndërkombëtarëve; ose të kaskave blu të UNESCO-s (do të shtoja unë).

Megjithatë, ndoshta është vendi për të menduar out of the box, dhe për t’i propozuar Ministrisë së Kulturës një mënyrë disi “jo-ortodokse” për t’i mbrojtur këto thesare, ortodokse dhe të mbarë kombit.

Do t’i thoja ministrit: zëvendësojini ikonat dhe ikonostaset me kopje të mira.

Kopjet nuk janë shumë të kushtueshme; madje në Kinë t’i bëjnë për hiç gjë (fundja edhe për një DVD të filmit Ngadhënjim mbi Vdekjen).

Nuk ka nevojë të jenë të përsosura; në mbarë Europën, përfshi aty edhe Rusinë, nuk do të ketë më shumë se 10-15 veta në gjendje të dallojnë një kopje profesionale nga origjinali.

Pa përmendur këtu vendet e punës që do të hapen, për virtuozët e syrit, të dorës, dhe të ngjyrës.

Nuk ka nevojë as që të publicizohet ky akt; por vetëm të përflitet, atje ku duhet.

Origjinalet mund të ruhen në arkivin e Shtetit, ose në ish-Tunelet e Thesarit, fundja edhe në ish-Depot e Armatimit, që janë të pajisura me sisteme alarmi të fjalës së fundit.

Madje, madje, meqë na lejohet të fantazojmë, nuk ka nevojë as edhe që të zëvendësohen të gjitha ikonat me kopje; mjafton të krijohet bindja në popull se ky zëvendësim është kryer tashmë.

Tregu i objekteve të vjedhura të artit funksionon në bazë të besimit; meqë jo çdo grup mafioz që merret me shitblerjen e ikonave i ka mundësitë të kërkojë, sipas rastet, opinionin e ekspertëve të artit bizantin.

Nëse përhapet fjala se ikonat dhe ikonostaset në Kishat Ortodokse të Shqipërisë janë zëvendësuar me kopje, atëherë hajdutët do të stepen, meqë nuk do të kenë kujt t’ia shesin trofetë e tyre.

Ndoshta shërbimet sekrete shqiptare duhet të kujdesen që ta hapin këtë fjalë jashtë Shqipërisë, jo brenda.

(Ja edhe një mundësi tjetër për vende pune: dizinformator ikonash.)

Sidoqoftë, sa zgjidh një problem, të del përpara një tjetër. Në pamundësi për të vjedhur ikona dhe objekte të lëvizshme, bandat e hajdutëve do të fillojnë të shkulin nga muret e kishave afresket, me gjithë pezhishkat e merimangave; dhe ndonjë ditë edhe kishat vetë, duke nisur me më të voglat, për t’ua ofruar “koleksionistëve”.

Nga një milet që rrëmben shinat e trenit për t’i shitur për skrap, gjithkush ka të drejtë të presë më shumë.

Nuk ka komente

  1. Une per vete, po te votohej per kete ide , do te isha pro. Po kam frike se ne vend qe t’i vidhnin ikonat nje nga nje neper kisha , do t’i vidhnin njehere e mire te gjitha ne Tunelet e Thesarit.
    Kjo frike me vjen nga morali i nje anekdote te vjeter :
    Ne mbledhjen e qeverise mungon ministri Thesarit. Kryeministri kerkon te dije perse dhe i thone se eshte duke mbyllur portat e Tuneleve te Thesarit nga frika se hajdutet mund te vjedhin gjate kohes qe do te jete ne mbledhje. C’hajdute more -thote kryeministri- te gjithe hajdutet jane ketu ne mbledhjen e qeverise…

    Si vajti kjo pune o Xhaxha, nuk ka hoxhe qe i ben derman !

  2. “Kopjet nuk janë shumë të kushtueshme; madje në Kinë t’i bëjnë për hiç gjë (fundja edhe për një DVD të filmit Ngadhënjim mbi Vdekjen).” …

    Oh, sa kam qeshur! Ne Kine duan shume edhe filma te Roza Anagnostit kur ishte e re… filmin “Plage te vjetra”, ma kane kerkuar nje grup kinezesh, psh.

    Nuk jam e sigurte per zgjidhjen e propozuar. Kjo zgjidhje presupozon qe hajdutet dhe ruajtesit nuk jane te njejtet persona ose se paku qe nuk jane te lidhur. Une s’jam e sigurte per kete. Por me vjen vertet keq per sa ndodh. Une shpresoj vec qe hajdutet te kene njohurite, aftesite dhe kujdesin e duhur per objektet qe vjedhin. Shpresoj t’i ruajne e te mos i keqperdorin. Hajdute me sqime e kulture na duhen sot! Perndryshe mbetem pa te shkuar.

  3. Duhet ditur se ajo ç’ka është krijuar më e mirë në territorin shqiptar në ikonografi, është mbledhur prej kohësh dhe sot ruhet në muze e laboratorë të blinduar e me vrojtim elektronik. Ato që janë fare kryevepra janë shpallur pasuri kombëtare, por në tërësi është punuar të krijohet një bazë e mirë që i gjithë korpusi ikonografik (privat e shteteror) të fotografohet dhe katagolizohet. Edhe pse del që ndonjëra t’i kete ikur iventarizimit per shqaqe mosfunksionimi institucional. Ligji eshte i qarte.
    http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-struggles-to-catalogue-its-unknown-treasures
    Kur diku nga viti ‘93 pati një vjedhje të rëndë në Muzeun Kombëtar, ku bashke me një Shpatarak u zhduk edhe Epitafi i Gllavanicës (1300). Zhurma që u bë nga autoritet e ngarkuara me mbrojtjen dhe lidhjet me Interpolin bënë që veprat e sipërshnuara të mos dalin nga territori i Shqipërisë. U gjetën disa muaj më pas. Njëra u dëmtua pak sepse në momentin e hyrjes së policisë në një apartament, vjedhësi e hodhi nga dritarja .
    Tani për problemin e Bularatit. Në të vërtetë aty ka qenë një ikonë e Onufër Qipriotit, që nuk duhet ngatërruar me Nikollën të birin e Onufrit të Neokastërs. Më tej, gjithçka po tregonte se ai nuk ishte shqiptar por grek, ishte një shkollë dhe stil tjetër ikonografie ,gjë që nuk ia ul vlerën veprës së tij, por ajo gjithsesi nuk është e nivelin e Onufrit tjetër.
    Kështu ndodhi që në fillim të viteve 90, me kërkesën e disa kishave krejt të zhveshura, që duhej të nisnin ceremonitë, na u desh të kthejmë një numër ikonash, te pronarët e vërtetë, por kurrsesi vepra përfaqësuese.
    Kur bëhet fjalë për vjedhje, duhet ditur se është fjala për këtë kontingjent tejet të stërseleksionuar ikonash. Ju siguroj se megjithëse në atë kohë nuk kishim mundësi t’i riprodhonim një numër pikturash që do t’i jepeshin kishës, ramë dakord dhe u dhamë fotografi të bukura të ikonave që kërkonin;
    Unë nuk e di çfarë kishte mbetur në Bularat, sepse vepra që përmenda më sipër ishte zhdukur me kohë (aty te 1992). Eshtë fort e mundshme të jenë vjedhur ikona më të reja, por gjithsesi jo nga ato që i përkasin katalogut kombëtar.
    Zyrtarisht Francës çdo vit i vidhen 35 mijë objekte kishtare, pa llogaritur piktura të përfaqësuesve më të mëdhenj të artit botëror, Degas, Modiliani, Rembrant etj. etj.. Eshtë vendi më i vjedhur në botë, gjë që nuk duhet të na ngushëllojë, se aty ka se çfarë të vidhet, përveç edhe faktin se edhe ato kanë vjedhur. Me nervozon manipulimi politik i këtyre rasteve. Ulërijë (shpesh nga kënaqësia) njerëz të ndryshëm, ndërkohë që të gjitha qeveritë bashkë, nuk kanë bërë aq sa ka bërë një qytetar korçar që ka harxhuar të gjithë trashëgiminë e tij për të blerë ikonat që kishin mbetur e që ka ende në shtëpinë e qytetarëve e fshatrave të ndryshëm dhe me to ka ngritur një muze në shtëpinë e tij, të cilin e ruan më së miri, edhe pse nuk është i përjashtuar nga rreziku.
    Nuk duhet harruar se ato vepra që i mbetën kishës, tani janë pasuri e saj dhe ligji i kufizon shtetit mundësinë për të futur hundët. Pastaj… ta themi midis nesh, është e vështirë të ruash një vepër kur si prifti ruante fshatin se mos e vidhte përpara tij dhe fshati ruante priftin që mos ikte me të në Greqi.
    Nuk i ruan dot inventarët arkeologjikë të varreve të pahapura kur roja për tre dollarë lë të futen në sit njerëz që as marrin mundimin t’i i fshehin detektorët metalikë, ndërkohë që nuk jam i prirur të mendoj se një qytetar i lagjes kala të Beratit e dogji kastile shtëpinë e tij para disa ditësh për të na lënë pa një monument të kategorisë së parë …

  4. Mua me duket qe sugjerimi i vertete eshte qe “ata ta rruajne”. Nje menyre do te ishte privatizimi i ikonave, ne nje fare menyre. Ta zeme, shoh ne perditmeri nje spot publicitar, ku nje riosh energjik rend me biciklete neper shtigje fshati e ku i del perpara nje bari plak me nje kope.
    Dale mo dale- i thote- nga shkon keshtu?
    Ne universitet-, i pergjigjet ky.
    E ku ka patur Universitete ne keto ane mo?
    Eee, po kane ndryshuar kohet xha xha-, ia kthen serish abecetari i etur per te kaluar kohen ne shkolle dhe e le xha xhane me krrabe ne dore.
    Dua te them, universitet ne Berat, Burrel, Peshkopi, Elbasan, Korce, Shkoder, Tirane, Durres, Vlore, Gjirokaster, Sarande, tere ky aset intelektual. Fare mire, ikonat dhe pasuri te tjera mundet tu dorezohen ketyre sipermarresve besemire, qe ti ruajne nga te paudhet, meqe zakoni e ketij vendi e do, qe sipermarresit rendom e kane nisur duke “shitur cokollata Hilal…per t’ia dale ne pak vite te takohen me Berluskonin”. Po keshtu duhet pare edhe nga tradita jone; partitura te Listit jane gjetur ne Shkoder, nje pikture e Rembrandit e dyshuar si “Cifuti shetites”, po ashtu. Nje koleksionist i Elbasanit zoteron nje origjinal te deklarates se Pavaresise se ShBA-se. Per me teper qe akademike tanet na thone se edhe Einstein erdhi ne Shqiperi ne 1937-en. Do i kete humbur ndonje shami qurresh thua dhe e ruajne si syte e ballit?!
    Ne fund nje ide e gjej te filmi i lezetshem “Me mire nje mik, sesa nje thesar”. Mundet fare mire, qe ne kontekstin e filozofise “ketu nuk behet”, te ecet me tutje dhe te perhapet ajo tjetra; po ketu keshtu ka qene. Pra ikonat nuk kane vleren e kujtuar, ato realisht me vlere kane ikur se bashku me arkivat tona shpirterore, ashtu sic thote Kadareja me emigracionin arberesh.
    PS: Po sikur te vendosen ikona me fytyren e Janullatosit, do i vidhnin thua? Ndoshta do provuar kjo gje, se keshtu do mendonin se ky eshte nje hap per helenizimin e metejshem dhe me gjase do linin ato te vjetrat.

  5. X.x. me duhet te them se jam nje nga admiruesit e shkrimeve te tua ne lemin e gjuhesise, ne problemet e ngritura mbi standartin, mbi “sulmet” e faktoreve te jashtem dhe te brendshem ndaj gjuhes shqipe, mbi drejtshkrimin, etj, etj; por sinqerisht nuk arrij te pertyp dot shkrime te tjera si vjen fjala ky mbi pasurite “kombetare”.
    Pse nje njeri duhet te flase per tema qe nuk i njeh, duke u ekspozuar keshtu keqazi, dhe duke treguar kesisoj edhe boshlleqe mjaft te medha perceptuese? Ja disa nga stonaturat e mendimeve te tua:

    1- “Megjithate, ndoshta eshte vendi per te menduar out of the box, dhe per t’i propozuar Ministrise se Kultures nje menyre disi “jo-ortodokse” per t’i mbrojtur keto thesare,
    ortodokse dhe te mbare kombit…”

    -Nuk arrij te kuptoj c’lidhje kane me kombin shqiptar keto krijime te artit bizantin & pasbizantin te ritit greko-ortodoks? Dua te te kujtoj se fshati Bulerat, pasuri qindravjecare e te cilit jane keto vepra (nese ikonat jane te vjetra sikurse thuhet), eshte nje nder fshatrat e Dropullit & te minoritetit grek. Ato ikona jane ne rastin me te mire nje trashegimi qe te paret e atyre banoreve dhe te atyre viseve, u kane lene brezave te sotem. Pse e ngaterrojme kete ngjarje ne vecanti, por dhe te tjera qe kane lidhje me vjedhjen e thesareve te trashegimise ortodokse ne Shqiperine e sotme, si nje ngjarje qe ka lidhje me kombin?! Ku shohim nuancat e ekzistences se kombit shqiptar ne artin bizantin dhe pas bizantin te Epirit te eperm? Nese ti je ne gjendje ti dallosh, eja na i trego edhe ne te tjereve.
    Per mendimin tim keto vepra nuk jane pasuri kombetare shqiptare, por pasuri menaxhimin e te ciles e ben (rastesishmi) shteti 100 vjecar shqiptar, pra pasuri institucionale/shteterore. I perkasin komunitetit ortodoks ne Shqiperi, qe s’eshte e thene te jete medoemos shqiptar).

    2- “Do t’i thoja ministrit: zevendesojini ikonat dhe ikonostaset me kopje te mira.”

    -C’lidhje ka ministri me ate se cfare ikonash do te disponoje ne ambientet e saj Kisha Ortodokse, te kujt cilesie, shkolle apo teknike duhet te jene ato?!!!

    3- “Kopjet nuk jane shume te kushtueshme; madje ne Kine t’i bejne per hic gje…”

    -Ku e ke pare dhe degjuar qe kishat e ritit greko-ortodoks, te nje shkolle te caktuar piktorale, dhe te nje specifike unike, te “vishen” me ikona “te lira” kineze? I kupton ato sa shkruan apo vetem i shkruan?

    4- “Nuk ka nevoje te jene te persosura; ne mbare Europen, perfshi aty edhe Rusine, nuk do te kete me shume se 10-15 veta ne gjendje te dallojne nje kopje profesionale nga origjinali…”

    -Pse perpiqemi qe verberine tone perceptuese, t’ia u veshim te gjithe grupimeve njerezore?! Kishat si ato ortodokse, apo ato katolike, dhe veprat e artit qe i stolisnin ato, kane luajtur historikisht nepermjet shekujve rolin e nje shkolle te vertete ne edukimin e shijeve te publikut. Te sygjerosh qe publiku duhet ushqyer me plehra konsumative, mund te jete e kaperdishme per ty personalisht, por jo ne mendesine dhe trashegimine e kishes ortodokse. Pikerisht sepse keto ambiente kulti i drejtohet zotit dhe ndjenjave me eprore te qenies njerezore (i drejtoheshin shkalles me siperore te besimit njerezor), edhe arti qe do te ilustronte keto ide, duhej medoemos te ishte i te njejtes ekuivalence vlerash artistike.

    5- “Origjinalet mund te ruhen ne arkivin e Shtetit, ose ne ish-Tunelet e Thesarit, fundja edhe ne ish-Depot e Armatimit, qe jane te pajisura me sisteme alarmi te fjales se fundit.”

    -Nuk e kupton qe nuk flasim ketu per patate apo per qepe?! Si mund te vendosen veprat e artit ne ambientet tere lageshti, mikrobe, e mikro-organizma te depove, magazinave, apo te tuneleve?! Veprat e artit jane tejet sensible ndaj kushteve atmosferike, apo mikrogjallesave te cdo tipi, pa permendur ketu minjte, qente dhe macet e tuneleve apo depove.
    Pse flisni kaq shume o njerez, per gjera qe nuk i kuptoni fare, dhe aq me teper keto mendime kaq te papjekura i ekspozoni edhe ne forume nga me te ndryshmet elektronike apo mediatike, pa kuptuar ketu demin tejet te madh qe mund te shkaktoni nga padija juaj totale?

    P.s.-Nese do te doje mendimin tim, e vetmja rruge shpetimi e ketyre thesareve njerezore (jo kombetare -sepse eshte gafe), do te ishte krijimi nga shteti shqiptar, ne bashkepunim te plote me Kishen Ortodokse, i disa muzeve bizantine te cilet te plotesojne kushtet e duhura per ruajtjen, restaurimin, mirembajtjen, arshivimin dhe ekspozimin e ikonave apo objekteve te tjera te kultit qe kemi trasheguar prej shekujve te shkuar…

    Pershendetje!

    1. Zog, më vjen keq që s’e paske vënë re se shkrimi im më lart është parodi (spoof).

      1. Me duket se ky Zog-u nuk e paska lexu ndonjehere Maks Gjerazin, alias Xhaxhai-n….

  6. Do te isha mirenjohes nese do te me jepje te kuptoja nocionin tend personal mbi parodine, sepse personalisht asgje nga sa dhe si shkruan nuk mu duk as si parodi, as si sarkazem, as si satire ndaj nje realiteti qe ka mjaft vend per diskutim…

  7. Shkrimin e kisha cilësuar, që në krye, si humorr. Megjithatë, jo të gjithë i lexojnë këto kategorizime.

    Por unë besoj se në shkrim ka tregues të mjaftueshëm, se është fjala për një spoof, duke filluar që nga titulli.

    Por edhe propozimi im që këto ikona dhe objekte të tjera të vyera të ruhen në ish depot e armatimeve të ushtrisë, ose në tunelet ku dikur ka qenë ruajtur thesari i shtetit.

    Kush i ka ndjekur aktualitetet shqiptare gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, do të ketë dëgjuar për vjedhjet masive të armatimeve në vitin 1997, së bashku me shumë histori të tjera, të pasqaruara, për grabitjen e thesarit të shtetit nga tunelet.

    Kush nuk i ka ndjekur aktualitetet shqiptare gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit, nuk do ta kuptojë shkrimin tim, por për këtë s’e kam fajin unë autori.

    Sa për kopjet e veprave origjinale të artit, në PTF kam folur herë pas here; është një temë që më ngacmon intelektualisht. (Pa folur pastaj që zëvendësimi i artit origjinal me kopje profesionale është praktikë që ndeshet ndonjëherë në Perëndim, madje edhe në muzeume dhe galeri prestigjioze.)

    Përndryshe, unë nuk jam nga ata që mendojnë se shteti shqiptar është hajduti më i madh, mes hajdutëve kombëtarë; por besoj, megjithatë, se ai shtet nuk është në gjendje t’i mbrojë pasuritë publike, përfshi këtu edhe ato të monumenteve të kulturës, prej keqbërësve, grabitësve dhe vandalëve.

  8. Mire, eshte e qarte qe kemi nocione te ndryshme per humorin ne teresi. Zakonisht une dalloj nje shkrim si humoristik, apo nje autor qe ka sensin e humorit, jo ne faktin se rendit shkrimin e tij ne kategorine “humor”, por ne aftesine per te me bere personalisht te qeshe, qofte kjo edhe permes nje satire apo sarkazme te eger aristofaniale, gje qe me vjen keq por nuk e hasa as me siper, as tek shkrimet e nofkes Gjerazi qe u permend diku nga nje njeri i mire. Ne pergjithesi jam ndjekes i rregullt prej vitesh i realitetit shqiptar, por asgje s’me beri te kuptoj se ketu kemi humor te nje shkalle te larte, dhe se duhet te ve sadopak buzen ne gaz. Jam i bindur qe faji eshte kryesisht i imi, por edhe Autori dreqi ta haje pa fare faj nuk ishte…

    Humori ne fakt eshte ceshtje e nderlikuar, shumekush prej nesh mund te thote te njejten barsalete, te pakte jane ata qe do te bejne vertet te qeshesh, por kjo eshte dicka tjeter dhe jo e momentit. Perderisa ketu kemi te bejme nje shkrim ne kategorine “humorr”, atehere le te qeshemi…
    Pershendetje!

    1. Në fakt, unë kategorinë e shkrimit e vë që ta kem si alibi, nëse do të ketë ndonjë reaksion si ky yti më pas.
      Zog, ndoshta duhet të lexosh pak më shumë – dhe nuk e kam fjalën për Maks Gjerazin (filloje me Jonathan Swift-in).

  9. Miku im kam lexuar dhe lexoj mjaft libra, aq sa per te thene qe kam nje njohje jo te keqe te letersise klasike, por edhe asaj me kontemporane. Ne nje gje me ka ndihmuar ky pasion i imi i te lexuarit, te dalloj qarte te patalentuarit, si edhe grafomanet qe me gjithe perpjekjet sfilitese, shpalosin mungese te theksuar te nje vizioni te qarte letrar, si edhe te nje fantazie krijuese qe do t’ia vlente barra qirane ti merrje seriozisht…

    1. Tani, sido që të rrotullohesh, Zog, sado të kundërpërgjigjesh me artileri, fakti mbetet që ti nuk e more vesh shakanë time. Me gjithë përpjekjet që po bën, për ta zhvendosur vëmendjen, figurën e keqe që bëre nuk e shlyen dot (ka njerëz që po qeshin me ty, në këtë moment; gabimi yt, edhe pse i sinqertë, do të tregohet në tryeza kafenesh). Për ta thënë me një shprehje lakonike të anglishtes: you f*cked up, my friend. Gjëra që u ndodhin të gjithëve, sidomos atyre që u qasen teksteve me fodullëk. Prandaj edhe e kam quajtur Humorr, rubrikën – me rr të mprehtë, si pickimi i morrit.

  10. Une ta perseris edhe tani, nuk kuptoj ku gjendet humori tek teksti i mesiperm. Asgje s’me ben te qesh. As shaka nuk shoh aty. Por fakti qe keto nuk jane mendimet e tua te verteta (sipas te thenave te tua te mepasme), me gjithe paaftesine tende per te ma transmetuar mua si lexues se kemi te bejme me nje gjini letrare qe ti e identifikon si “parodi”, mua me ben te te them se ne rastin me te mire humori yt eshte akoma me i mefshte se vete mendimet qe e sendertojne ate… Eshte shume e thjeshte qasja ime, perpiqu te me kuptosh, (sigurisht gjithnje nese mundesh)…

    1. Argumenti me i forte se kishim te benim me nje parodi (dhe te sukseshme aty) eshte pikerisht reagimi yt Zograf. Perpiqesh ta ndeshkosh autorin duke i kujtuar “demin tejet te madh qe mund te shkaktoni nga padija juaj totale”; po edhe kur ky te meshiron duke mos e vazhduar parodine, duke te treguar me gisht kameren e fshehte, ti vazhdon i patundur te parodizohesh duke kerkuar llogari pse nuk kupton; e sapo kupton, dikur, me nje tentative te re ndeshkuese, i terheq vemendjen autorit dhe lexuesit njeheresh se humorin nuk e prodhon paralajmerimi per humor, por aftesia e dikujt per te te bere “personalisht” te qeshesh!

      Keshille: Kur shkel ketej, zbrazu apo zbrit nje here nga kompetenca ndeshkimore dhe nga ndonje kompleks perzgjedhjeje dhe sidomos nga vigjilencat nderdisiplinore ne sinoret e “Epirit te Eperm”; ndryshe nuk do qeshesh dot, as personalisht, as kolektivisht, se ne sherbim nuk qeshet!

      Dizinformator ikonash!

  11. I gjithe shkembimi midis Zogut dhe Xhaxhait eshte i forte.

    “Shkelqimi dhe renia e (tashme) zotit (Z)ylo… 🙂

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin