EPOSI I RREZIKUAR?

Prej muajsh po vazhdon një përpjekje institucionale, në Shqipëri dhe në Kosovë, për ta futur Eposin tonë të Kreshnikëve në listën e trashëgimive kulturore të UNESCO-s.

Gazeta Shqiptare njofton sot se grupi i punës i Ministrisë së Kulturës, i ngritur për këtë qëllim, ka miratuar më në fund strategjinë që do të ndiqet për aktivitetet dhe plotësimin e dokumentacionit përkatës të dosjes së Eposit.

Ideja në vetvete është e mirë, por unë kam disa rezerva për strategjinë vetë, të paktën ashtu siç është prezantuar ajo në mediat.

Me sa kuptoj unë, ideja është që, me ndihmën e UNESCO-s, të ruhet jo vetëm Eposi, por edhe tradita specifike e riprodhimit të tij – rapsodët, lahutat dhe kontekstet sociale të këngëve epike; pra jo vetëm materja e eposit, por edhe transmetimi i tij i natyrshëm, me rrugë folklorike.

A mund të realizohet kjo vallë?

Mua më duket se nuk mund të realizohet. Si praktikë etnokulturore, konsumi tradicional i eposit nuk mund të ndahet prej një konteksti social specifik, i cili nuk ekziston më, sepse është kapërcyer.

Një gjë është të flitet për ruajtjen e Eposit vetë, një gjë tjetër për ruajtjen e kontekstit që e bën të mundur riprodhimin dhe transmetimin e Eposit.

Si dukuri mirëfilli kulturore, Eposi sot mund të ruhet, realisht, veç në formën e vet letrare; ose i shkëputur nga përmasa muzikore dhe konteksti social specifik që e kanë shoqëruar në të shkuarën.

Përndryshe, përpjekjet për ta nxitur riprodhimin e eposit nëpërmjet, bie fjala, mbështetjes materiale dhe morale të prodhimit të lahutës dhe të kurseve për lahutarë më duken pak utopike.

“Në Shqipëri kanë ngelur gjithsej dhjetë lahutarë dhe do të bëjmë gjithçka që ta regjistrojmë këtë dukuri në listën e atyre që kanë nevojë urgjente për përkujdesje,” ka deklaruar një prej ekspertëve të kësaj çështjeje, Vasil Tole; edhe pse vetë fakti që në Shqipëri paskan mbetur gjithsej dhjetë lahutarë do të mjaftonte, për ta problematizuar nevojën e ringjalljes së Eposit, në praktikën e vet tradicionale; meqë nuk është se lahutarët i lufton kush, as i ka privatizuar kush.

Vetë ndërhyrja e UNESCO-s, ose e çfarëdo organizmi tjetër jolokal, për të mbështetur një praktikë kulturore aq lokale dhe kontekstuale, sa riprodhimi i Eposit në kontekstet e veta origjinale, do ta denatyronte praktikën vetë, duke e butaforizuar.

Vlerat e vërteta të Eposit – artistike, estetike, kulturore, historike – do të mbijetojnë në ato elemente të cilat janë në gjendje t’i kapërcejnë kufizimet e natyrshme të konteksteve origjinale ku riprodhohej dhe ndoshta ende riprodhohet tradicionalisht Eposi.

Ideale do të ishte që Eposi të trupëzohej në kulturën shqiptare i çliruar nga vjegat kontekstuale dhe instrumentale.

Përndryshe, sa më shumë që urbanizohet dhe modernizohet kultura shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, aq më shumë riprodhimi i eposit do të shndërrohet, nga një veprimtari foklorike dhe rurale në kontekste ceremoniale të spikatura, në një veprimtari elitare, vetvetiu të kufizuar brenda një grupi të vogël ekspertësh dhe connoisseurs-ish.

Riprodhimi dhe konsumi elitar që i bëhet sot muzikës mesjetare euro-perëndimore mund të sillej këtu si krahasim.

I ruajtur nëpërmjet riprodhimit në autenticitetin e vet, përfshi këtu edhe riprodhimin muzikor të shoqëruar me lahutë, Eposi ose do të mbyllet në një “kamare” (niche) kulturore dhe do t’i jetërsohet publikut; ose do të degradojë në një atraksion turistik ose pseudo-folklorik.

Nga ana tjetër, i përfshirë në programet arsimore dhe në veprimtaritë kulturore për hir të vlerave të tij “kombëtare” ose të gegërishtes ose të virtyteve morale që promovon, Eposi do të përfundojë, natyrisht, i përdorur për qëllime që nuk kanë të bëjnë me natyrën e vet intime.

Asnjë nga alternativat nuk entuziazmon. Ndërhyrja e dëshiruar e UNESCO-s mund të sjellë një gjallërim të vëmendjes për këtë pasuri kulturore kombëtare, sikurse mund të sjellë fonde aq të dëshiruara; por rreziku është që këto fonde të keqpërdoren, dhe këtu s’kam parasysh abuzimin, por vetë mangësitë në strategjitë përkatëse.

E vetmja mënyrë për ta ruajtur Eposin është nëpërmjet përshtatjes së tij ndaj kontekstit social urban dhe gjithsesi të ndryshuar në mënyrë dramatike, krahasimisht me rrethanat kur ai Epos u krijua dhe u përcoll brez më brez.

Me këtë dua të them se çdo orvatje për të ruajtur praktika sociale në rrethanat kur konteksti i këtyre praktikave ka ndryshuar ose po ndryshon në mënyrë të pakthyeshme është vetvetiu kundërprodhuese dhe anakronike; meqë çfarë ruhet, në këtë mënyrë, nuk është praktika, por simulimi ose reprezantimi i saj, dyfish i vetëdijshëm dhe, bash për këtë arsye, kitsch.

Prandaj Eposi mund të ruhet duke u letrarizuar – dhe me këtë kam parasysh një varg operacionesh kulturore, që nga përshtatja si ajo që pat bërë dikur aq bukur Mitrush Kuteli, dhe deri te botimet kritike, dramatizimet, filmat vizatimorë dhe filmat artistikë, dhe në përgjithësi integrimi i materialit epik në kulturën reflekse të shqiptarëve sot. Bash në këto fusha, dhe jo në prodhimin artizanal të lahutave dhe trajnimin e rapsodëve, do të ishte mirë të përqendrohej vëmendja e institucioneve.

Nuk ka komente

  1. “Prandaj Eposi mund të ruhet duke u letrarizuar – dhe me këtë kam parasysh një varg operacionesh kulturore, që nga përshtatja si ajo që pat bërë dikur aq bukur Mitrush Kuteli, dhe deri te botimet kritike, dramatizimet, filmat vizatimorë dhe filmat artistikë, dhe në përgjithësi integrimi i materialit epik në kulturën reflekse të shqiptarëve sot”.

    Eppur… vetëm pak kohë më parë, po në ktë blog, lexohej: “Përshtatja, në një farë kuptimi, e trajton gjithnjë lexuesin si fëmijë…. (http://xhaxhai.wordpress.com/2011/09/02/femije-dhe-te-rritur/)

    1. Përshtatja e trajton lexuesin si fëmijë – prandaj është mjeti më i mirë për t’i afruar fëmijët me eposin.

      Materiali i përshtatur do të shërbejë kështu si hyrje në Epos, për fëmijën. Shumë prej nesh janë njohur me Eposin nëpërmjet Kutelit, kur kanë qenë të vegjël. Edhe unë interesin për Eposin Kutelit ia detyroj.

    2. Bravo edrus!

      E dekonspirove më fund Xhaxhain në funksionin e tij natyrisht vetëm se dashakeqës anti-epos. Super. Te lumtë.

      Po ky njeriu ulet e shkruan gjithë ato gjera, me aq pasion, rrëmon, kërkon, mbledh, analizon, sintetizon, dedukton, konkludon dhe ti ç’bëre?

      Përgjove pas një ferre për ta kapur në gabim e demaskuar.

      Po pse ore, të gjithë komisarë paskeni qenë ju?

      1. Dëgjo, unë s’bëra asgjë… ç’kisha për ta thënë e thashë duke komentuar shkrimin e shkuar (që në thelb është e njëjta gjë që thotë Xhaxhai këtu).

        Unë nuk e konsiderova si gabim të Xhaxhait… sepse nëse Xhaxhai KA TË DREJTË kur thoshte që HISTORIANËT nuk duhet ta përshtasin historinë, unë thoja që historia(në atë rast,cikli) ka nevojë dhe për përshtatjet që të njihet prej popullit që s’di gjermanisht.

        Tani, në mos e paç marrë vesh… shko e lexo “historinë e Skënderbeut”

        1. edrus,

          ti nuk komentove por vetëm krahasova dy thënie të autorit të bëra në distancë të shkurtër për të nxjerrë diçka kontradiktore në thelb.

          Krahasimi yt pikërisht sepse vijoi i pakomentuar përshtypja e vetme që mund të krijohej dot ishte se qëllimi yt ishte denigrues; të paktën për sa i përket atij fragmenti i cili ty të kishte shkaktuar kokëçarje.

          Se ç’hyn gjermanishtja këtu nuk e kuptoj, por nëse ke qenë esëll kur e ke shkruar, po besoj se do të thuash se Populli duhet t’u kuptojë gjithçka; edhe Eposin e Kreshnikëve dhe kur është i paaftë për këtë, duhet që ky (Eposi) t’i përtypet paraprakisht nga Mitrush Kuteli. Bukuri. Mendim i yti dhe i Xhaxhait.

          Unë personalisht do të thosha, që Populli nuk ka nevojë t’i kuptojë të gjitha gjërat që thuhen për të, mjafton të kuptojë ato më të zakonshmet, si të drejtat e qytetarit, politikat e qeverisjes së mirë, zakonet e mira, nevoja e ruajtjes së mjedisit, e drejta e të ushqyerit mirë, tabelën e shumëzimit, e të tjera aspekte të tjera të përditshmërisë banale.

          Po të pretendojmë t’i shpjegojmë popullit edhe Eposin e Kreshnikëve, pse jo edhe operacionet e veshit të brendshëm një ditë?

          Megjithatë pavarësisht se çfarë është në gjendje të kuptojë populli, ajo që nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë, është ajo që ndodh rëndom aktualisht tek ballkanas, që fragmente të folklorit rajonal të mbijetuara, shpërdorohen për të ndërmjetësuar një bindje historike popullore, që sipas të gjitha gjasave nuk i përkon historisë shkencore.

          Historia e Skënderbeut, që të jem i sinqertë, nuk më intereson gjë veçanërisht, pasi prej saj nuk jam në gjendje të nxjerr asnjë konkluzion të vlefshëm për shqiptarët e sotëm dhe veten time. Se si kjo histori e manipuluar me qëllim herë të mirë (Rilindja) e herë të keq (E. Hoxha) ka hyrë në ndërgjegjen kombëtare të sotme shqiptare natyrisht që më intereson shumë, dhe për këtë natyrisht duhet të të jap të drejtë, që ajo duhet lexuar.

  2. Mesa kuptoj une behet fjale per listen e trashegimise boterore jomateriale dhe jo perpjekje per futjen ne listen e trashegimise kutturore te zakonshme! Po ketu, tek lista jomateriale e Unescos ka hyre edhe kuzhina e Mesdheut psh, edhe izopolifonia shqiptare.
    Eshte nje perpjekje e perfaqesuesve te vendeve afrikane prane Unescos ne fund te viteve ’80 qe solli ndarjan ne dy tipe listash pasi trashegimia e tyre eshte kryesisht e tipit jomaterial, menyra e teknika ndertimi etj etj. Keshtuqe mbase eposi edhe mund te listohet si e tille!
    .

  3. “Vetë ndërhyrja e UNESCO-s, ose e çfarëdo organizmi tjetër jolokal, për të mbështetur një praktikë kulturore aq lokale dhe kontekstuale, sa riprodhimi i Eposit në kontekstet e veta origjinale, do ta denatyronte praktikën vetë, duke e butaforizuar.”

    Nuk me duket se kjo perben argument patjeter, megjithese shqetesim per shqyrtim. Butaforia – dhe eshte argument i veshtire per t’u sjelle i plote pervecse ne trajte ideje: do kerkonte shembuj shume – mund te konsiderohet element pasurues i Eposit, dhe jo denatyrizues.

    Eshte e vertete qe transmetimi i Eposit nga nje brez ne tjetrin eshte shkolle e vecante metodat e se ciles UNESCO mund te mos i njohe, e rrjedhimisht te krijohen keqkuptime. Gjithsesi, verejtja eshte e drejte edhe pse ndoshta e harxhuar kot. UNESCO nuk operon strategjikisht. Shume dakord qe cdo strategji do ishte e gabuar, por ideja eshte qe UNESCO operon taktikisht. Meson ne terren po aq sa edhe jep mend. Dallimi mes strategjive dhe taktikave eshte thelbesor dhe perben celsin e argumentit kam pershtypjen. Nuk besoj as UNESCO do ishte aq naive sa te inskenoje, as praktikantet e Eposit do ishin aq te gatshem te hynin ne nje skene te parapergatitur, gje qe edhe do arrinte te sillte deme katastrofike.

    Per mendimin tim interesimi eshte i mirepritur. Nese vullneti ekziston, me e mira qe mund te ndodh eshte qe te krijohet nje regjister praktikantesh te eposit, me fonde te UNESCO-s, te administruar ne menyre krejt te pavarur nga vete praktikuesit. Tip pensioni pikerisht per ata qe jane te dhene pas disiplines. Ne fund te fundit, jeta ne kontekstin social rural vazhdon sa do qe eshte e shkrete nga depopullimi i njerezise ne drejtim te zonave urbane, dhe aty ku eshte ka edhe nevojat e veta.

    Nuk e di, si thua?

    1. Nuk besoj se Eposi mund të ruhet, ashtu siç shpresojnë ta ruajnë organizatorët e kësaj nisme.

      Eposi është produkt i kushteve të caktuara sociale dhe kulturore; që ta ruash, do të thotë të ruash edhe ato kushte – p.sh. izolimin nga bota, analfabetizmin, mënyrën si e kalojnë kohën e lirë njerëzit, teknologjitë e dëfrimit.

      Studiuesit e Eposit, mes të cilëve edhe Stavro Skendi, thonë se edhe në fillim të shekullit XX, kur filloi të regjistrohej, Eposi u konsiderua si anakronizëm; provë e ekzistencës së diçkaje që nuk duhej të ekzistonte.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin