QAZIM MULLETI DHE STEREOTIPET

[ky material është dërguar në blog nga EC; e botojmë me fare pak redaktime gjuhësore.]

 

Arti skenik paraqet prirjet dhe normat e një shoqërie në një kohë të caktuar, pasqyron shoqërinë dhe problemet e asaj shoqërie në momentin kur një produksion realizohet ndikimin që ka ideologjia, sistemi etj. përgjatë gjithë rrugës dhe etapave që ndjek një produkt që para prodhimit e deri me analizat e debatin pasi shfaqet për publikun.

Arti skenik përçon kështu informacione në një masë të caktuar dhe luan rolin e vet në shoqëri, por çfarë na intereson më shumë në këtë rast janë stereotipat që krijohen dhe nguliten në popull duke jetuar për kohë të gjatë, duke i bërë njerëzit që mendimin e tyre për një grup ose individ tjetër ta ndërtojnë në bazë të këtyre stereotipave.

Gjatë komunizmit në Shqipëri, siç dihet, arti skenik dhe në përgjithësi arti i çdo lloji përdorej nga partia në pushtet për të zhvilluar agjitpropin dhe gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar me kontributin e tij të drejtpërdrejtë dhe ekskluziv shumë stereotipa që, edhe pse ai sistem nuk ekziston më dhe produktet artistike të asaj kohe janë parë me sy kritik e analizuar në këtë kohë, vazhdojnë të mundojnë individët në shoqërinë shqiptare.

Komedia “Prefekti”, ose siç njihet dhe përmendet më shumë komedia me Qazim Mulletin, është një rast flagrant për problemin për të cilin bën fjalë ky shkrim i shkurtër. Një punë e Besim Levonjës, komedia “Prefekti” përqesh dhe tallet me prefektin e Tiranës gjatë kohës së pushtimit fashist, Qazim Mulletin dhe një vartës të tij që ishte drejtues i policisë së Tiranës po në atë kohë, Mon Kukaleshi. Kjo komedi bazohet në stereotipa dhe krijon vetëm të tilla.

Tiranasit e vjetër apo autoktonë paraqiten si injorantë, të korruptuar, fetarë (kjo në atë kohë kishte kuptim negativ duke qenë se shënjestronte reaksionarët dhe njerëz që gjithsesi ishin kundër rrymës së asaj kohe); fshatarët që banonin afër Tiranës si të trashë, fanatikë etj.

Edhe një personazh nga Luma (veriu) që arrestohet gabimisht, paraqitet në mënyrën më të keqe, si analfabet që shiste salep me ibrikë në duar dhe ishte gati të denonconte këdo para autoriteteve.

E folura në dialekt ose me fjalë të huazuara e personazheve është bërë me qëllim shumë e fortë, për të stigmatizuar grupet shoqërore nga vinin personazhet e komedisë. Këto stereotipa gjenden edhe në filmat e tjerë të prodhuar gjatë kësaj kohe.

Stereotipa të këtij lloji edhe sot mbizotërojnë në shoqërinë shqiptare dhe aty këtu përforcohen edhe në filmat që prodhohen në këtë kohë, duke u marrë me klishe dhe përgjithësime të një karakteri tek i gjithë grupi etj.

Pasojat e këtij stereotipizimi janë të pranishme dhe në ligjërimin publik, që nga nivelet më të larta dhe deri tek diskutimet në blogje e forume online, sidomos kur bëhet fjalë për gjuhën letrare të njësuar apo standardin, fenë, politikën etj. Përveç kritikës dhe analizës së produktit artistik socrealist që i bëhet sot për nga vlerat artistike etj. kritika dhe qasje më serioze duhet bëre edhe me këto stereotipa me qëllimin për t’i zhbërë.

Nuk mund të qëndrojnë më tepër si mbresa dhe bindje të njerëzve se hoxhallarët kanë qenë ballistë, priftërinjtë spiunë, feja diçka e keqe dhe e prapambetur që pengonte shoqërinë ose popullin shqiptar në rrugën e tij të lavdishme, gegët malokë që bartin në xhep kanunin etj.

Këto pamje apo bindje (negative) që kanë në kokë njerëzit për njerëz të tjerë, që janë përgjithësime dhe thjeshtëzime të gjërave duke injoruar ndryshimet ndërmjet individëve dhe dembelizmi e mungesa e dëshirës për të njohur një person apo grup më tepër, gjithsesi janë të dëmshme tek çdo individ që i ka dhe nga të cilat nuk shpëtojmë asnjëri prej nesh, por këto bëhen të rrezikshme dhe me potencial dëmi shumë të madh kur stereotipat dhe paragjykimet zënë vend në vendimmarrje dhe shndërrohen në politika nëpërmjet njerëzve që janë në ato pozicione.

Këtu është shumë e madhe mundësia që grupe të tëra të shoqërisë të margjinalizohen vetëm nga stereotipat dhe paragjykimet në kokë të atyre që përgjigjen për qeverisjen edhe të këtyre grupeve apo individëve që paragjykojnë.

Në Shqipëri, me aq sa gjykoj unë, këto stereotipa, paragjykime dhe diskriminime për interesa të politikës së ditës kanë zënë vend në krye të oxhakut, prandaj janë ose duhet te jenë shqetësim.

 

Nuk ka komente

  1. Ky shkrim me gjithe sfilitijen stilistike nuk e di se cfare eshte. Stereotipizimi mund te jete fiktiv, pra skenik nese themi keshtu, ne rastin e vleresimit politik, por jo ate social. Edhe pse na thuhet se ka nje kulture dominuese, e cila natyrshem krijon klishe dhe pergjithesime paragjykuese, serish realiteti i perditshem i pergenjeshtron ato ne rast se vijne ndesh me pervojen e pergjithshme. Aq me shume vlen kjo kur nenteksti i Diktatures dhe Agjitpropi i saj televizv e ngriti Pezen heroike ne maja te padegjuara me pare, per veshet e te gjitheve. Kur them politik e kam fjalen per ate loje qe u zhvillua gjate kunder kundershtareve te Luftes, te cilet sikurse Qazim Mulleti qe na qenkesh tallur nen okelion e nje paragjykimi per “Tironsit venalij”, ashtu edhe u tregua e pameshirshme me permetarin Mit’hat Frasheri dhe gagacerine e tij te vene ne dukje ne menyre thuasje antinjerezore ne Epopene e Shefqetit. Me shume, kinematografia e Diktatures, skaliti vetem nje Komisar Drite dhe ky edhe ne planin historik edhe ne planin aktorial eshte nga Gegeria. Dhe per te kuruar kompleksin e persekutimit te atij qe ka ne torbe xhevzene me salep, personazhet me injorance olimpike, maja e cinizmit propagandistik, mendoj se ka qene padyshim dyshja e xhandareve lushnjare – Shazivar – Vesel.
    Te gjithe keta jane tabele qitjeje permes stereotipizimit politik; perndryshe kete injorance te spikatur Komunizimi e c’rrenjosi me luften ndaj analfabetizimit dhe veprat e medha te drites. Te flasesh per nje nentekst krahinarist ne edukimin politik dhe social te Diktatures, do te thote qe thjesht te mohosh qenien e saj si e tille, te hedhesh poshte gjithepranine e saj si totalitare. Natyrisht, Diktatura i perket me shume nje grupi, qe pervec dogmes kane te perbashket edhe disa tipare antropologjike apo edhe etno-regjionale, qe krijojne ngjizje te natyrshme ne veshtrimin e gjerave. Por ne pamjen e pergjithshme politike, Totalitarizmi si i tille nuk ka periferi dhe i tipizon kategorite ne emer te nevojes per ndryshim qe perfshin perpara cdo gje. E aktualizuar ne diksutimin qe behet per gjuhen, nuk ka sesi qe grupe te tera te margjinalizohen nga stereotipe, sidomos ato qe nenkuptohen ketu. Psene na e shpjegon kreu i Qendres Studimore Albanologjike, Ardian Marashi, i cili ne dy intervista keto ditet e fundit, ka bere nje shpjegim demografik per te ligjeruar paskajoren; jane 3/4 e popullsise sipas tij qe e perdorin kete forme. Kush atehere na i margjinalizon kete shumce derrmuese, institucionet anemike dhe te shperfillura se fundmi nga konferenca qe funksionojne sikur gjuha ka nevoje per nderhyrje ad hoc?

  2. Pa dale direkt me palle te madhe, nje llaf besoj duhet te ishte thene ne lidhje me pashmangshmerine e stereotipit ne logjiken e satires politike. Vini re se kudo qe ka satire politike ka dhe stereotipizim, duke filluar qe nga mitet e lashtesise e deri ne ditet e sotme. Skecet e portokallise, bie llafi, kane nje natyre te rende satire politike, por shikoni stereotipizimin qe i behet emigrantit, (bythe e zgjut) tironsit (racist denbabaden-tifoz i interit), romit (qejfli), malokut te Sales (fanatik), analistit (pordhac), policit (gomar), etj, etj. Problemi eshte se para se te jene te demshme, keto thjeshtezime stereotipike jane njekohesisht sa akullthyese dhe kritike. Jane akullthyese sepse ne fund te fundit nuk ka njeri qe nuk mund te stereotipizohet. Funksionojne si formula apo formate komunikimi per nje ton te lehte dhe alegro. Thyejne akujt dhe krijojne lehtesi ne komunikim. Vetem nese abuzohet me kete funksion ato behen te demshme. Por gjithashtu jane edhe kritike, pasi vene ne dukje kufinjte pertej te cileve nje person behet qesharak. Nje njeri qe flet per politiken pershembull, duhet te ruaje veten e te mos bjere ne forma te shprehuri qe jane klishe dhe stereotipike. Bie llafi mund te mbrosh Salen, ne nje muhabet tavoline, apo ne nje kafene, por duke pasur kujdes qe mos shfaqesh malok i trashe e fanatik; apo ne nje tjeter lloj muhabeti politik, ne te njejtat rrethana tavoline, mund te besh nje lloj analize politike, por pa te rreshkitur ndonje pordhe prej anailisti; apo mund te jesh emigrant i kthyer me pushime, por nuk te lejohet te besh si bythe e zgjuar, etj, etj. Keto per mua jane dy funksione te vlefshme te stereotipit, te cilat funksionojne ne te gjithe rrafshet kohore, historike, ideologjike, e me the te thashe, e mund te kete edhe ndonje tjeter funksion, por nuk po me bie ndermend. Abuzime me to mund te kete, e atehere behen te demshme, por ne raste abuzimi eshte veshtire te thuash se nga vjen demi, nga abuzimi, apo nga stereotipizimi ne vetvete.

  3. Nuk do ta marresh kurre vesh se per cfare behet fjale o Theollogos se ende nuk je sqaruar se cfare jane totalitarizmi dhe stereotipet. Totalitarizmi si sistem kontrollon cdo gje, edhe skutat me te thella e te fshehta por jo se te gjithe personat e kesaj shoqerie jane totalitare. Ai eshte i “gjithepranishem” me kontroll e terror por jo si bindje e njerezve.

    Fraksioni politik apo klika e ketij sistemi ka pasur baze krahinore dhe kjo ka qene dhe eshte deri diku evidente. Te tjeret qe ishin ose supozoheshin se ishin kundershtare, qofte edhe duke pase qene disi jo fort aktive ne lufte pikturoheshin sa me keq te mundej (kjo ka qene praktike edhe e sistemeve te tjera totalitare). Per kete sherbenin stereotipet ekzistuese dhe te reja fringo qe krijoheshin nga levat e partise.

    Problemi i stereotipeve (negative) eshte se pikerisht nuk te lejojne te shohesh ate “realitetin e perditshem”. Te mjaftojne pikturat abuzive.

    Keto stereotipe mbizoterojne edhe sot, qofte me tiranasit dembele e reaksionare qe rrine ne bythe te manit e me raste pine raki me qepe, qofte me maloket e veriut te trashe e kanunore. Kete fjalor e dime te gjithe qe jetojme ne Shqiperi e njohim nj-tj, ata qe jetojne ne planet tjeter nuk kane faj. Tek e fundit edhe Jakamoni ka thane se katnaria eshte e pafajshme.

    Permendja e nje ceni fizik nuk ka te beje me stereotipizim, sic eshte rasti i M. Frasherit, vetem ne qofte se thuhet direkt apo aludohet se nje cen i tille eshte tipar i gjithe krahines nga vinte personi ne fjale.

    Sigurisht qe stereotipizimi nuk ka qene ekskluziv per kinematografine shqiptare apo sistemin komunist ne Shqiperi, edhe Hollywood-i i madh ka gjera te tilla, bie fjala me arabet te cilet ne cdo film qe di une paraqiten si bad guy.

  4. Ti teksa flet per sterotipet, shpalos qarte komplekset apo perceptimet personale. Te pakten kjo me vjen mua nga ajo qe thua. Nuk ka patur sterotipe sociale ne Shqiperi, te kultivuara nga lart. Nese luften kunder zakoneve parapanike e te tilla, qe me se shumti u perqendruan ne zonat e Veriut, ti e konsideron stereotipizim atehere kot qe flasim. Une pjesen teatrale qe permend ti e kam pare pas viteve “90, se me sa kujtoj diku mes viteve 1984-1990, nuk jepej. Gjithsesi, ne perceptimin e pergjithshem te Jugut, meqe asaj pjese i perkas, nga fillimi i viteve ’90 nuk ekzistonte percaktori “malok” ne perdorim te pergjithshem dhe te perditshem. Perdorej malesor – i lidhur perhere me nje norme zakonore te caktuar, veshje dhe burreri tjeter nga ajo poshte. Pergenjeshtrimi i ketij perfytyrimi, erdhi sikurse mund ta marresh me mend nga vete njerezit. Ose me sakte, riafirmimi i paragjykimeve te vjetra u formalizua edhe njehere ne marredheniet ndernjerezore qe pasuan kete qe e quajne demokraci.
    Kam lexuar diku se kur pergatitej revolucioni – shakatoro-muzikor i ’24, nje nga frazat mobizlizuese ishte “ta zhdukim malokun”. Nje e dhene tjeter na vjen nga teknika e eleminimit te Riza Ceroves nga Skrapari, qe organizoi levizjen e Fierit: Zogu pagoi vrases nga Malindi qe te mos thoshin se e vrau maloku. Keto perdorime poltike te paragjykimeve ekzistuese nuk me duket se kane patur vend ne kohen e Merhumit. Perkundrazi u ndaluan dhe sikurse te gjithe mund ta mbajne mend ligjerimi publik i asokohe ndalohej te fjala popull, trimeri, malesoret, flamuri, partia etj. Dhe dicka tjeter; sterotipet nuk te ndalojne te shohesh realitetin sikurse thua. Te ndihmojne te njohesh veten dhe tjetrin permes nje historie marredheniesh te trasheguara si mjet komunikimi. Nuk ka sterotipe te kthyera ne tabu ne Shqiperi, te pakten mes njerezve. Dhe nuk ka tirans reaksionare sic pretendon ti, por qejflinj dhe qoftexhinj. Dhe qe ta dish ti nje nga porosite kryesore qe jepej dhe jepet edhe sot nga Toskeria eshte: vetem camin mos me fut ne shtepi. Po degjojne keta sot?!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin