FIJE QË LIDHEN

Kërkesat, mendimet, por edhe pritshmëria për bashkëpunimin midis shtetit shqiptar dhe diasporës së re, kanë kohë që enden tejembanë botës, kudo që jetojnë shqiptarët, por deri më sot nuk ka pasur ndonjë rast ku të ballafaqohen në mënyrë shteruese.

Edhe pse pa mëtime gjithëpërfshirëse, konferenca e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e zhvilluar më 6 dhjetor 2010 në Tiranë, me titull “Bashkëpunimi mes Qeverisë dhe komuniteteve shqiptare / Diasporës së re për nismat e zhvillimit mes vendeve”, ishte tejet kuptimplotë dhe e dobishme. Merrnin pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të shtetit shqiptar, të diasporës së re, diplomatë, ekspertë, studiues, etj. Çka e karakterizonte këtë nismë inteligjente ishte qasja objektive e konstruktive ndaj temës së zgjedhur, e shoqëruar me një vemendje të posaçme për burimet njerëzore, të lëna prej kohësh në harresë. Guri i parë i një themeli është gjithnjë pak, por i domosdoshëm për ndërtesën e ardhshme.

Para se të flitet për bashkëpunim midis shtetit shqiptar dhe emigrantëve jashtë shtetit, të quajtur konvencionalisht diasporë e re, lind pyetja nëse ata duhet të bashkëpunojnë dhe përse. Shpeshherë e marrim si të mirëqenë bashkëpunimin midis shqiptarëve në Shqipëri dhe atyre me banim jashtë shtetit, duke u nisur nga lidhja e natyrshme e tyre, por pa ia zbërthyer arsyet deri në fund. Tek e fundit në këtë botë ka diell për të gjithë dhe një copë qiell do të gjendet si për emigrantët ashtu edhe për institucionet shqiptare, pa i shtrënguar të bashkëpunojnë me forcë. Më harbutërisht mund të thuhet se emigrantët mund të bëjnë pa shtetin shqiptar, sikurse ky mund të bëjë pa qytetarët e vet nëpër botë. Si të thuash, mund të (mbi)jetojnë me ndonjë kokëçarje, por pa e çarë shumë kokën ndërsjelltazi. Por kjo indiferencë ia vlen vallë? Ua leverdis emigrantëve, shtetit, e shqiptarisë në përgjithësi, t’i qëndrojnë ftohtë njëri tjetrit?

Teorikisht është e mundur që shqiptarët të jetojnë për hesap të vet, diaspora në një anë dhe shteti nga ana tjetër. Në praktikë, duket ca më e vështirë. Në pamje të parë duket sikur kjo ka ndodhur gjatë viteve të regjimit totalitar, kur kufiri me diasporën ishte përnjimend i hekurt, dhe ndarja fizike përputhej me atë ideologjike, meqë mërgimtarët e dikurshëm, me disa përjashtime, shiheshin si armiq të betuar të diktaturës. Këta konsideroheshin përgjithësisht si të arratisur, bij kolaboracionistësh, diversantë potencialë, aleatë të armiqve të jashtëm. Megjithatë, edhe pse në trajtë negative, ekzistonte një lidhje mes shtetit shqiptar dhe diasporës së vjetër. Totalitarizmi rikarikohej vazhdimisht me polet e armiqve të jashtëm e të brendshëm, ku mërgimtarët e vjetër kishin një rol të posaçëm, ngaqë tiparet mimetizuese e aftësitë njohëse ua rrisnin rrezikshmërinë.

Filmi “Fije që priten” (1976), i realizuar në kohën e diktaturës, është emblematik për të shpjeguar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me mërgimtarët e vjetër. Na ndihmon madje edhe vetë titulli që flet për fije që priten, pra për lidhje që shkëputen, edhe pse këtu kemi të bëjmë me ndërthurje të shërbimeve sekrete me të ikurit për arsye politike.  Në film, personazhi negativ është një shqiptar, ish kolaboracionist dhe i larguar jashtë shtetit, që shtiret si i huaj e kinse nuk e njeh shqipen. Agjenti i huaj, Sami Ameni (Reshat Arbana), zbret në aeroportin e Rinasit me një mision të caktuar: të hedhë në erë e një uzinë të madhe strategjike. Për këtë qëllim i duhet ndërlidhë agjentët e fjetur dhe të rekrutojë të rinj. Falë veprimtarisë kundërzbuluese të sigurimit të shtetit, plani i tyre dështon; Sami Amenit i “çirret maska” (pothuajse ad litteram, meqë pas syzeve të trasha fshihte një vrajë të së kaluarës) duke ia zbuluar identitetin. Shumë interesant kundërvënia e kësaj figure me të huajin, në shoqërinë e të cilit rrinte që në çastin e mbërritjes në Shqipëri. Ky i fundit, me dashurinë për popullin shqiptar, adhurimin për regjimin, naivitetin prej turisti fillestar, vihet në antitezë me djallëzinë e shqiptarit të rikthyer për qëllime të mbrapshta, çka krijon një nënndarje tjetër midis atyre që jetojnë përtej kufijve të Shqipërisë totalitare.

Sot, ndarja me thikë e shqiptarëve sipas kufijve nuk është e mundur. Aq më pak kjo mund të bëhet ideologjikisht, meqë Shqipëria po integrohet gjithnjë e më shumë në strukturat e vendeve demokratike. Megjithatë, shqiptarët mund të jetojnë jashtë vendit pa praninë e shtetit të vet. Përjashto disa nevoja elementare për dokumente të ndryshme, kjo ka ndodhur që në fillim të emigracionit. Shteti shqiptar, ja për pamundësi për t’i mbrojtur qytetarët e vet, ja për mungesë përvoje, ja për vështirësi objektive, i ka qëndruar larg qytetarëve të vet me banim jashtë, ose për të mos mohuar përpjekjet e bëra, prania e tij nuk është ndjerë sa duhet pranë tyre. Vullneti i mirë i institucioneve shqiptare për të bashkëpunuar me diasporën e re kërkon një shtysë e rimotivim të mëtejshëm. Gjithsesi, për hir të së vërtetës, duhet thënë se shteti shqiptar gjithashtu mund të ecë fare mirë pa praninë e emigracionit. Problemi është i kostos që duhet të paguajë tërësia shqiptare për bashkëpunimin e munguar.

Çdo emigrant është një dritare mbi botën. Kjo dritare mund të hapet nga të dyja anët: nga vendet pritëse, ku emigranti ka mërguar dhe nga vendlindja, nga ku emigranti është nisur. Të dyja palët veçse përfitojnë po ta çelin këtë dritare komunikimi. Nëpërmjet saj do të njohin realitete të reja, do të krijojnë lidhje të reja, do të ballafaqohen me ide të reja. Fakti që një e treta e popullsisë shqiptare gjendet jashtë shtetit tregon se Shqipëria, nëpërmjet qytetarëve të saj, ka kohë që është integruar në Europë e në strukturat perëndimore. Shumë shtete do ta kishin zili Shqipërinë që disponon një rrjet kaq të madh “aktivistësh të natyrshëm”, me fjalë të tjera përçues të (pa)vetëdijshëm të interesave shqiptare, ose kanale të përkryera komunikimi me botën. Potenciali i komunikimit që ofrojnë emigrantët, këto dritare nga ku shihet ose hyn drita e botës së zhvilluar, është i jashtëzakonshëm.

Nëse shteti shqiptar bashkëpunon me emigrantët, në rast se i ndihmon në rrugën e integrimit, pa harruar aspektin identitar, shteti ndihmon veten. Me terma ekonomike do të thuhej se bën investim afatgjatë por me përfitime të mëdha. Shqiptarët jashtë shtetit përbëjnë tashmë realitete të pamohueshme ekonomike dhe kulturore. Reduktimi i forcës së tyre vetëm në flukset e dërgesave në para përbën dritëshkurtësi. “Sharmi” i dërgesave varet si nga interesi i një sërë aktorësh ekonomikë, ashtu edhe nga mundësia për t’i vlerësuar kollaj prurjet në para nga pikëpamja sasiore. Natyrisht, nuk mund të lihet mënjanë efekti “cash” i dërgesave, ose tingulli i tyre simbolik prej monedhash në dorë, që ua tërheq detyrimisht vëmendjen operatorëve të interesuar, por edhe studiuesve të dukurisë së migracionit.

Jo të gjithë emigrantët janë sipërmarrës, por ekonomikisht të gjithë emigrantët, në një mënyrë ose një tjetër,  e mbajnë kokën mbrapa. Dikush ndihmon familjen, dikush ble shtëpi, dikush investon, dikush kalon pushimet. Edhe punëtori më i thjeshtë emigrant e ka tundimin për ta ftuar “pronarin” e vet për të investuar në Shqipëri. Kjo nuk do të thotë që të gjithë emigrantët do të kthehen, por shumica e tyre doemos e mendon kthimin. Nga pikëpamja kulturore mund të thuhet e njëjta gjë, për më tepër emigracioni shqiptar ka hyrë në rrugën e stabilizimit, çka shprehet edhe në disa aspekte të organizimit të tij. Urat e krijuara nga emigrantët janë shpeshherë të padukshme, sepse kanë këmbë e shtrat kulturor, por kjo s’do të thotë se nuk lidhin vende e kultura të ndryshme. Aktualisht, një pjesë e madhe e veprimtarive ekonomike e kulturore jashtë Shqipërisë, e kanë zanafillën tek emigracioni. Janë emigrantët ata që i promovojnë, në mënyrë direkte ose indirekte, edhe pse skenën mund ta marrë i ftuari nga Tirana.

Nga ana tjetër, emigrantëve u leverdis një shtet partner në strategjinë e përbashkët të zhvillimit të vendit. Prania e institucioneve shqiptare në mërgim i ndihmon emigrantët të integrohen e ta realizojnë më lehtë ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë. Gjithashtu politikisht, legjitimiteti i institucioneve shqiptare vetëm se përforcohet nga bashkëpunimi me emigrantët, kurse këtyre u rritet autoriteti e prestigji kur në krah kanë një shtet që funksionon e që sheh larg. Dikush mund të pohojë se nga pikëpamja e drejtpërdrejtë politike emigrantët nuk kanë ndonjë peshë të madhe në vendet ku jetojnë; kjo vlen në të vërtetë vetëm nga ana numerike, në kuptimin që janë ende pak emigrantët që votojnë në vendet e huaja. Së pari, duhet thënë se ky numër votuesish nuk është aq i vogël, anipse nuk ka krijuar ende masë kritike për të kushtëzuar politikat e vendeve perëndimore. Së dyti, duhet nënvizuar se emigrantët po e ushtrojnë një farë roli politik, madje duke nxitur edhe takime me përfaqësues të vendlindjes.

Ka diçka fiziologjike, pra të pashmangshme, në lidhjet mes emigrantëve dhe vendlindjes së tyre. Ky predispozicion duhet inkurajuar, sepse është në të mirë të të gjithëve. Në këtë kuptim shteti shqiptar dhe diaspora e re “janë të dënuar” të kooperojnë mes tyre. Hendeku që krijohet nga largësia gjeografike me emigrantët nuk duhet shndërruar në largësi kulturore. Në qoftë se të interesuarit ndërgjegjësohen se nga bashkëpunimi vjen bashkëzhvillimi, atëherë hendeku vjen e ngushtësohet në mënyrë të natyrshme. E kur nuk është e mundur mbushja e tij, duhen hedhur themelet e urave. Atëhere edhe filmi hipotetik “Fije që lidhen”, do ta gjejë në realitet si regjizurën, ashtu edhe skenarin. Për një shqiptarì të hapur, pluraliste, moderne, përtej sindromës së rrethimit e rrezikut të shpërbërjes.

Nuk ka komente

  1. “Gjithsesi, për hir të së vërtetës, duhet thënë se shteti shqiptar gjithashtu mund të ecë fare mirë pa praninë e emigracionit”.

    Sipas të dhënave që botohen çdo vit rezulton, në fakt, se, të paktën deri më sot, shteti shqiptar nuk mund të ecë hiç pa praninë dhe prurjet ekonomike të emigrantëve.

    Gjithnjë sipas të dhënave, të cilat mund të konsultohen lirisht qoftë edhe në media, janë pikërisht remitancat e emigrantëve kanali më i fuqishëm që furnizon me jetë ekonominë shqiptare.

    Problemi pra, në këto kushte kaq flagrante varësie jetike për ekonominë kombëtare prej shqiptarësh, që në këmbim shpërfillen deri në dhimbje nga shteti amë, druaj se nuk mund të shtrohet kaq shpërfillshëm.

    Prej disa vitesh tashmë shteti shqiptar ka vënë alarmin për faktin se burimi më jetik i ekonomisë shqiptare, remitancat pra, ka nisur të shfaqë shenja të dukshme lodhjeje, më saktë, shterimi.

    Konferenca Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, nismë sigurisht e mirë në vetvete, kam frikë se i përgjigjet pikërisht perspektivës së frikshme me të cilën rrezikon të përballet ekonomia kombëtare së shpejti.

    Me fjalë të tjera, shteti shqiptar, i gjendur përballë një vështirësie kaq jetike në perpektivë, po shfaq shenjat e para të përfilljes për një të tretën e popullësisë së tij me banim jashtë kufijve shtetërorë.

    Sakaq, kjo masë e madhe e popullësisë shqiptare, e që mban në këmbë prej më se dy dekadash ekomominë kombëtare, nuk i ka kushtuar pothuaj asgjë shtetit shqiptar.

    Për më tepër, gjatë këtyre dy dekadave, shteti shqiptar është treguar jo thjesht i pakujdeshëm kundrejt këtyre shtetësave, por kategorikisht shpërfillës, duke u kthyer sakaq shumë herë në burim problemesh për këta qytetarë.

    Mjafton shembulli domethënës i konsullatave dhe ambasadave qesharake shqiptare, të cilat jo vetëm nuk dinë apo mundin të mbrojnë shtetasit shqiptarë në mërgim nga problemet më banale burokratike në vendet ku ata jetojnë, por janë ende të paafta, sot e gjithë ditën, t’u ofrojnë shqiptarëve shërbimet më minimale konsullore të tilla si, pajisje me pasaporta apo letërnjoftime.

    Pa përmendur këtu mungesën e shkollave shqipe, apo paaftësinë legjendare të diplomacisë sonë për ta përfaqësuar shqiptarinë me dinjitet, të paktën në vendet ku prezanca e elementit shqiptar është e përfillshme.

    Nuk janë, mjerisht, legjenda rrëfimet e shqiptarëve me banim jashtë vendit për përfaqësitë tona në vende me prezencë shqiptare.

    Një konsulle shqiptare që pret në zyrën e saj, në një kryeqendër evropiane, me rroba shtëpie, me fëmijë në gji që ulërin nga të qarët, pa harruar filxhanin e kafesë të kthyer në tavolinë, apo një tjeter konsull në një tjetër qendër të rëndësishme evropiane që pret e përcjell me pantoflla llastiku, sigurisht pa mundur të ofrojnë kurrfarë ndihme konkrete, janë mjerisht skena të jetuara, që flasin për një mungesë më të thellë përgjegjësie shtetërore.

    Në analizën e priftërinjve të ekonomisë shqiptare, zotërinjtë A. Fullani dhe R. Bode, mbrojnë idenë se, remitancat e vyera të emigrantëve, që mbajnë pra me bukë e me gjellë shtetin dhe mijra shqiptarë të tjerë në vend, po pakësohen për faj të krizës ekonomike dhe të rritjes në nivelit të integrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet pritëse.

    E cekët analizë; fatale bile për ekonominë shqiptare.

    Evropa të paktën, dhe fill pas saj edhe SHBA-të, jeton në një krizë permanente ekonomike që prej Luftës së Parë të Gjirit, krizë e cila zuri vend mirë pas shpërthimit të tullumbaces së ekonomisë së internetit, jetëshkurtër në vetvete.

    Kalimi nga monedhat kombëtare në atë evropiane pothuaj një dekadë më parë i dërrmoi edhe më keq standardet e jetesës në Evropë.

    Është dritëshkurtësi të pretendosh se shpërthimi i tullumbaces së pasurive të patundshme e pas saj të sistemit bankar është arsyeja kryesore e pakësimit të remitancave të emigrantëve në këto kushte. Arsyeja qëndron deri diku, por nuk është kurrsesi kryesore.

    Në vijim, koha po tregon se, edhe pse emigrantët janë krejtësisht të integruar në shoqëritë dhe vendet pritëse, gjithnjë e në rritje një pjesë e mirë e tyre e kthejnë kokën më shpesh nga vendi i origjinës.

    Mosha e tashmë e thyer e një pjese të mirë midis tyre thërret për bilance. Ndërkaq pra, që emigrantët shqiptarë i kanë zgjidhur përgjithsisht problemet e mbijetesës, bilanci i detyruar i jetës i thërret të jenë më të vëmendëshëm ndaj dukurive imateriale të tilla si, rrënjët, origjina, identiteti, atdheu.

    Pa harruar faktin se shumë prej tyre po i afrohen vrullshëm moshës së pensioneve, një pjesë kjo e jetës e cila zakonisht, dhe sidomos duke u bazuar edhe në eksperiencën e emigracionit grek dhe italian, thërret për aromat, ngjyrat dhe zërat e vendlindjes.

    Për më tepër, në Perëndim kjo moshë përjetohet si fatalitet; përtej përkujdesit mjeksor, vëmendja njerëzore dhe shoqërore për moshat e treta në këto vende nuk është hiç për t’u marrë shembull.

    Arsyet e thella të uljes së ndjeshme të remitancave duhen kërkuar gjetiu. Dukuria problematike më parësore është shpërfillja e pashoq shtetit shqiptar ndaj një të tretës së popullatës shqiptare jashtë kufijve.

    Mungesa e shërbimeve më minimale konsullore, përkujdesi më minimal shtetëror dhe mungesa e dinjitetit të shtetit shqiptar në botë, ka detyruar shumë emigrantë të natyralizohen si shtetas të vendeve pritëse dhe të kërkojnë mbrojtjen e një shteti më të fuqishëm, i cili nuk i braktis qytetarët e tij.

    Është përballja me këtë shpërfillje dhe braktisje të turpshme që i ka detyruar dhe vazhdon t’i detyrojë shqiptarët të fillojnë të stepen ndaj investimeve në atdheun e tyre.

    Pa harruar korrupsionin me të cilin përballen kur dëshirojnë të investojnë qoftë edhe në sipërmarrje të vogla në vend, sipërmarrje këto të cilat, ndryshe nga ç’mendohet, mbajnë gjallë ekonomitë e çdo vendi dhe sidomos të atyre të zhvilluar.

    Në këto kushte, urojmë sinqerisht që problemet e shtetit shqiptar me emigrantët e tij të jenë izoluar saktë në këtë konferencë.

    Tashmë nuk bëhet më fjalë për nevojat e emigrantëve, por për mbijetesën ekonomike të një shteti që nuk prodhon pothuaj asgjë dhe ka nevojë urgjente të mobilizojë gjithë forcat e gjalla të tij dhe posaçërisht ato jashtë vendit.

  2. Pishak, ne menyre te sintetizuar keni thene nje te vertete qe te gjitheve na mundon , BRAVO !
    Shpresoj dhe besoj se te gjithe bashke do bejme qe kjo pune e nisur te shkoje me tej
    se diaspora eshte si gjymtyre e nje trupi (Atdheut )
    qe perjeton dhimbjen , gezimin ,fatkeqesine , lumturine
    e tij .Idete tona si pjesmarres te konferences se I.O.M-it me duket se bazohen tek thenja : ‘eshte mire te ndertosh keshtjella ne ajer , se ,pastaj vetem bazamenti te mungon.”
    Mendoj qe idete tona jane keshtjella , bazamentin e seciles do e ndertoje shteti Shqiptar .

  3. E gjithe kjo ide e ndikimit te diaspores ne jeten politiko-ekonomike te vendit besoj se duhet formalizuar, qofte nepermjet nje organi shtypi te financuar dhe kontrolluar nga diaspora dhe (me e deshirueshme) nepermjet nje organi perfaqesimi (jo te kufizuar tek vota elektorale) por qe ka fuqi ligjore/keshillimore/vendimmarrese prane parlamentit dhe te gjitha ministrive.

    Kjo nisme e formalizimit te ndikimit te diaspores nuk eshte e re ne kontintentin e afrikes, ku po behen perpjekje si per qarkullimin e trurit (brain circulation). Rrjedhja e trurit eshte e pashmangashme, por ndikimi i te ikurve mund te realizohet ne menyra te ndryshme.

    Ka njerez se mendojne se po te vine do t’i sherbejne ketij vendi me mire, e ne fakt kur perballen me dallavaret dhe ngecin ne rrjetat/kurthet e dallavarexhinjeve largohen per te mos kthyer më as koken. Nuk do te ishte keq sikur psh. diaspora, sidomos ajo akademike dhe e ndricuar te perkrahte (endorsed) nje institucion a parti ose te themelonte nje te veten per te nxitur interesat/synimet/ideologjine e saj, qofshin keta edhe pluralist ne mendime/synime/qendrime.

    Une jam me shume partizan i mendimit te nje organi prane parlamentit, i perbere nga akademike, ish-politikane (apo politikane te huaj me origjine shqiptare) e biznesmene me prejardhje shqiptare qe do te sherbeje si organ keshillimor dhe kritik.

  4. Mergimtari, thone, eshte guri i lehte, se guri i rende ne vend te vet, biles Cajupi (si puna e priftit, bej si them une) thosh se mergimtar behet ai qe s’di te punoje ne vend te vet e qe s’di ç’eshte dashuria.

    Pertej ketij gjykimi te vjeter, duke pare sa te shkalafitur jane shqiptaret e sotem ne krahasim me mergimtaret e nje shekulli me pare, sa te paafte jane ne organizimin e bashkesive atje ku ndodhen, mund te thuhet pa problem se fjala diaspore e re eshte shume e guximshme.

    Me ke mund te bashkeveproje shteti me individet apo me 4-5 emigrante qe formojne nje shoqate ? Teorikisht keto shoqata perfaqesojne edhe qindra mergimtare, po praktikisht 4-5 hec mo 10, ja 20, fusim edhe kalamajte tu bejme qejfin.

    Paaftesia ka qene e ndersjellte, edhe sepse duhet hedhur nje fjale ne mbrojtje te mergimtareve, se shumica derrmuese vjen me mendje te rrije ca vjet e te ike, prandaj s’ka ndonje interes te madh te sakrifikoje kohe per shoqatat, nderkaq ata qe kane ikur qe ne fillim me mendje njehere e pergjithmone, s’kane dashur tu shihnin bojen shqiptareve e Shqiperise (pavaresisht se shpesh s’ja kane dale dot se si i thone gjaku s’behet uje).

    Nje dallim tjeter mes te shumteve, por mjaft domethenes perbehet nga fakti qe ata qe qene e kishin dykrenoren pas shpirtit, kurse keta qe jane kryesisht tallin leshte. Po dykrenorja eshte bashkesiformuese shume me teper sesa interesat e perbashketa racionale qe mund te kene njerez te 75 kategorive e mendesive te ndryshme.

    Persa i perket ndikimit ekonomik, ai eshte kryesisht financiar. Te ardhurat jane ne valute, pa to shtetit shqiptar i duhet te bleje bono thesari ne valute me perqindje shume te larte, perndryshe nuk ja del dot ne radhe te pare me defiçitin tregtar.
    Praktikisht si eshte strukuturuar financiarisht ekonomia shqiptare pa valuten e mergimit,shteti do falimentonte financiarisht brenda 2-3 vjetesh, sado masa te merrte; pa marre masa brenda 1 viti. Inflacioni do korrte ç’fare kishin mbledhe shqiptaret e pavemendshmen ne leke, do pasuroheshin me tej ata qe do i mbanin te ardhurat ne valute.

    Pasi te shkaktohej tragjedia e falimentimit financiar te shtetit, vendi do rifillonte nga e para si kane bere te tjeret, duke u perpjekur ne radhe te pare te balanconte eksport-importin, si bejne gjithe vendet qe punojne me mend e jo me bythe.

    Mosvaresia nga dergesat e mergimit, duhet te jete perparesi e qeverive ne 20 vjetet ne vijim, shteti shqiptar financiarisht duhet te shkepute kerthizen nga mergimi. Dergesat duhet te shkojne te gjitha ne fushen e investimit dhe jo ne konsum, keshtu nese ndodh ndonje gje, i ndodh investimeve private dhe jo financave publike.

    Me nje fjale duhet te vije sa me shpejt koha qe financiarisht Shqiperia te mbahet me kellqet e shqiptareve ne Shqiperi.

  5. Sepse me tingelluan te ekzagjeruar disa pohime te Epiriot mbi dergesat, kur kisha lexuar se fundi se ato u ulen me rreth 50 milion, sot paradite harxhova disa ore ne kerkime shifrash. Per fat te mire gjeta disa, por per fat te keq meqe ne aq pak kohe nuk mund ti permblidhja, ti sillja ketu, e te analizoja, i prisha po aq lehte sa edhe i gjeta. Me duhet te them se as nuk di si te sjell ketu ne komentet e blogut nje pasqyre a nje grafik.
    Tani ju riktheva diagonal edhe “Ekonomia e te ikurve”, e postimit te Hyllinit; e duke i bashkuar gjithe fijet, shkurt po them se, nga sa pashe ne internet, me kenaqen tendencat.
    Psh, me kenaqi fakti qe megjithe krizen e perboteshme ulja ndaj vitit me te larte te dergesave eshte nga pese e nga pese per cdo vit pasues; por kjo nuk do te ishte gje sikur te mos shihja (kjo dihet por harrohet) te perpjeten e investimeve ne keto vite. Gjithashtu, ndonese te dhenat ishin me te hershme, me kenaqi fakti se dergesat ne rruget formale benin po ashtu perpjete.
    Zakonisht, dergesat llogariten me veprim arithmetik, e kjo ska ndonje te keqe kur flitet per shifra. Kur flitet per diasporen e kontributin e saj, them se duhet nisur qe nga kuleta e saj, me sakte me sa ka dale nga xhepi i saj. Po te kerkojme kete shifer, qe mund te llogaritim me perafersi si shume te dergesave + shpenzimeve per keto dergesa + shpenzimet e transportit/udhetimit e te krahasojme grafikun e daljeve nga xhepat e emigranteve me mbritjet ne xhepat e vendallinjve, une nuk mund tju siguroj gje, por mendoj se tendenca e mbeshtetjes te shqiptareve prej shqiptareve nuk njeh ulje. Nga Italia, Britania, prej nga dhe gjeta te dhena, per dergesa 200-500 usd, duhet te paguash 20-30 usd. Sa mijra dergesa ka? Po keshtu duhet pare dhe transporti, ata milionat qe fluturojne nga Rinasi, apo mbarkojne nga Durresi, i kane ngrene dergesave nje pjese qe ndryshe mund te kishte shkuar per qepe e domate.

    ***
    Njelloj si sot, mu duke e paplote R. Seseri, per sa shkruante per euroborxhin me te ri te Shqiperise, e njelloj si sot gjeta gjera nga me interesantet, nga ato qe rrezojne opinione te mirembeshtetura te publikut shqiptar. Me te nuk debatoi kush; e as qe ka. Kjo gje eshte keq. Por me qe flasim per fije qe lidhen, apo qe te duam ti lidhim, eurobondi shqiptar ka kushtezime te tilla qe e ndalojne cdo shqiptar te USA-ve apo edhe Italise (me sa e mbaj mend kete te fundit) qe ta zoteroje, bleje, shese apo marre perqindjen vjetore.
    Nese me kete shteti shqiptar ngriti nivelin e tij nje grade me lart, ai duhet ta beje kete edhe ne raportet e mardheniet qe krijon, me diasporen ne kete rast. Dua te them se, ndrimi i marsheve, nga dergesa ne hua, nga nje forme zemergjeresi ne nje forme partneriteti, duket se ka trokitur ne dere; dhe kete i takon shtetit qe ta hape.

  6. Në vështrimin ajror të situatës nuk i kam ndarë prurjet e të ardhurave të emigrantëve në ekonominë kombëtare.

    Për më tepër, referencat janë marrë kryesisht nga pasqyrimet e qeverisë shqiptare dhe raportet ekonomike të organizmave ndërkombëtarë.

    Nëse referencat në fjalë janë të ekzagjeruara – gjë që do të habiste shumë sepse paraja nuk gënjen – përgjegjësia i takon atyre që i pasqyrojnë dhe i raportojnë publikisht.

    Investimet janë rritur. Qoftë! Por cilat investime? Të të huajve, të emigrantëve apo të të dyja palëve së bashku?

    Vetëm në rrethin tim të ngushtë të njohjeve, këto 4-5 vitet e fundit kam dijeni për një numër të caktuar shqiptarësh me banim jashtë vendit që kanë investuar seriozisht në ekonominë kombëtare.

    Shumë kanë blerë apartamente ose shtëpi, me vlerë mesatare $100-150 000US. Dikush ka investuar në sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Njëri syresh, sipas dijenisë sime, ka investuar të paktën rreth 500-700 000€ në një të tillë.

    Në kënvështrimin tim të jashtëm, këto janë investime pa të cilat ekonomia shqiptare nuk do të mund të mbahej dot lehtë.

    Kjo para që hyn kaq shpërfillshëm në ekonominë kombëtare, pa asnjë meritë të shtetit, i cili në këmbim shpesh nuk është në gjendje të garantojë as titujt e pronësisë, është për më tepër edhe një likuiditet valutor i vyer për ekonominë.

    Nëse këto të dhëna duken të ekzagjeruara për disa shqiptarë si ne që banojmë jashtë vendit, ndoshta do të ishte me vlerë t’u referoheshim shqiptarëve të tjeshtë që jetojnë brenda tij.

    Sipas këtyre të fundit, janë paratë e emigrantëve që u kanë mundësuar shqiptarëve vendali fillimisht të bëjnë banjat e të mobilojnë shtëpitë, më vonë të të dalin nga parafabrikatet kancerogjene të diktaturës, e përfundimisht të blejnë edhe ndonjë shtëpi pranë zonave bregdetare apo malore për verim.

    Ndryshe nga ç’pandehet, ekonomia informale e trafiqeve të shumëllojta që kalojnë nëpër Shqipëri, e ka shkatërruar ekonominë shqiptare.

    Kjo analizë bëhet nga gjithë ekonomistët në të gjitha cepat e botës. Sidomos në vendet ku ekonomia informale ka zënë vend të rëndësishëm. Shembulli më i afërt flagrant për ne është Italia e Jugut.

    Në kushte kur në Shqipëri investimete e huaja janë ende realitivisht modeste dhe kryesisht të përqendruara në sektorë të caktuar, dikush kontribuon ta mbajë këtë ekonomi kombëtare në këmbë.

    Për më tepër, shteti shqiptar bëri ç’mos të shkatërronte edhe atë pak prodhim kryesisht agrar që mund luante njëfarë roli në ekonomi.

    Me fjalë më të varfra pra, situata në Shqipëri është vetvetiu elokuente.

  7. Epirot, unë u shpreha për pika të zeza në pasqyrën tënde, e nuk të thashë se e krejt zi. Psh, ky paragrafi yt i më poshtëm:
    “Prej disa vitesh tashmë shteti shqiptar ka vënë alarmin për faktin se burimi më jetik i ekonomisë shqiptare, remitancat pra, ka nisur të shfaqë shenja të dukshme lodhjeje, më saktë, shterimi.” mua më duket ekzagjerim. Shteti as ka vënë alarm, remitancat nuk janë burimi më jetik (pare si të tjerat janë dreqi e mori), e as që duken të jenë lodhur, le më të shterojnë. Unë ca shifra i mora nga BSH, ca nga BB, ca nga banka qëndrore e Italisë, për të qënë më afër dijeve të Pishakut. Po i rimarr përsëri (pa e ditur si do dalin):

    Dërgesat dhe investimet e huaja direkte prej 2004 deri më 2009, sipas BSH (milionë euro)
    1420 Transferta nga emigrantët 774_ 802_ 937_ 952_ 833_ 781
    2211 Investimet e huaja direkte brenda vendit 278_ 213_ 259_ 481_ 675_ 706

    Dërgesat dhe investimet e huaja direkte prej 2005 deri më 2009 sipas BB (usd)

    1,289,704,000_ 1,359,467,000_ 1,468,020,000_ 1,495,152,000_ 1,317,469,000

    262,479,013 _ 325,258,317 _ 662,280,000 _ 972,705,203 _ 977,974,280

    Edhe për dërgesat, si për çdo gjë, duhet parë ana tjetër e medaljes. Unë e kam të lehtë të të them se rritja stratosferike dhe e pajustifikuar e çmimeve të apartamenteve, është pasojë e asaj mbingopjeje të tregut të ndërtimit nga paraja e emigrantëve. Të mirat mund ti rreshtojmë: 1) rritje të dërgesave e ç’vijne me to, 2) bum të sektorit të ndërtimit, 3) etj që mos zgjatem – por gjithkush i lirë të shtojë. Të ligat: 1) rritje spekullative e çmimeve, me risk – si bota po e tregon, 2) ndërtime në më të keqen e mundëshme, arkitektonike – siç e tregoi M.Velo, urbanistike – siç e provojnë të gjithë, 3) ekonomike, shqiptarëve, shtetit, ekonomisë do ti kushtojë më shumë të ndreqë në vazhdimësi dëmin e shkaktuar sesa pati momentalisht përfitim prej kësaj.

    Kam thënë edhe njëherë tjetër se duhet të postoj diçka për altruizmin e jam tërhequr. Kam një pyetje interesante për atë të njohurin tënd biznesmen: Po i riinveston fitimet? – që po ta them sipas një mendimtareje del: mos më thuaj sa ke investuar në vendin tënd por sa ke riinvestuar në të.

  8. ”’Dua te them se, ndrimi i marsheve, nga dergesa ne hua, nga nje forme zemergjeresi ne nje forme partneriteti, duket se ka trokitur ne dere; dhe kete i takon shtetit qe ta hape.””

    Shteti ta mbaje deren mbyllur sa te munde… si mendon ti se eshte ne gjendje shteti shqiptar te marre persiper pothuaj krejt barren e rregullimit financiar te ekonomise ?
    Bankat jane te huaja, gjenetikisht spekullatore, sa me pak pushtet ne tregun valutor, aq me mire eshte. Une biles do thoja me mire koha e kambisteve, rregullohej vete gjendja e hanin buke shume njerez.

    Ideale do ishte nje ekonomi sa me formale, me shtet te pergjegjshem dhe banka ne duart e shqiptareve te pergjegjshem, po meqe 2 premisat, shteti i pergjegjshem dhe banka shqiptaresh te pergjegjshem, bien poshte, logjika ta do qe ekonomia formale eshte barre per shqiptaret e thjeshte, sidomos te varferit e te papunet, pa llogaritur sipermarrjet e vogla, qe formaliteti dhe mosevazioni fiskal i derrmon fare.

    Dua te them qe o beji punet me themeli o leri te hecin vete, se me as mish as peshk, me shume demton se rregullon. Me as mish as peshk ndihmon vetem zengjinet, te cilet edhe keshtu si eshte nuk perfitojne pak.

    Shteti kete vit, thone se eshte bere kerkues, po i kerkon nje me nje detyrimet financiare dhe viti qe po vjen nuk do jete ndryshe, po dihet se nga cili i kerkon nje me nje dhe nga cili nuk i kerkon.

    Ne teresi ka kohe qe po behet nje pisllek i madh mbi shqiptaret e varfer dhe sipermarrjet e vogla (deri dje te favorizuara); me uljen e doganave per shume mallra te BE-se, u ulen gradualisht edhe fitimet e shtetit , i cili me shtimin e importit pak a shume i rimerr ne vlere nominale, po me koston qe nxjerr me shume valute jashte.

    Shpenzimet shteterore shtohen, fitimet nga doganat pak a shume rrine ne vend, domosdo do ulesh evazionin fiskal, qe te thithesh taksa dhe kjo ulje jo vetem eshte e pilotuar, po rendon mbi ata poshte, se ata lart jane te lidhur me fije me pushtetin. Po ashtu do rritesh eshte borxhin e brendshem, mundesisht ne valute.
    Kjo rritje i rendon te gjithe shqiptarve taksapagues, por jo atyre atje lart qe kane fije me pushtetin dhe vazhdojne evazionin galopant.

    Me pak fjale si kudo edhe ne Shqiperi kur ka luhatje financiare e ndryshime ne ekonomi e hane te varferit.
    Keto ndryshime ne Shqiperi dhe ulja e rritjes ekonomike s’kane te bejne dhe aq me krizen nderkombetare sesa me keqstrukturimin e brendshem, manovrat demprurese ne marredheniet me BE-ne dhe rritjen e shpenzimeve qeveritare.

    Une s’jam socialist dhe as me prirje te majta, perkundrazi,
    biles pranoj si te vertete te paluajtshme qe te varferit do e hane ne luhatjet fiziologjike te kapitalizmit , por ama po aq e paluajtshme duhet te behet edhe e verteta tjeter, se sakrificat e sotme te prinderve duhet tu sherbejne femijeve, perndryshe sakrificat jane thjesht vuajtje ne vetvete e kaq.

    Nderkaq dergesat e mergimit, kryesisht kthehen pas nepermjet blerjes se mallrave te huaja, si t’ia behet qe te ngelin ne vend, mos valle duke blere mallra shqiptare dhe investuar ne prodhim ? Nuk duket e veshtire, po hajde mbushja mendjen mergimtarit, Sali Edwin Rame Berishes dhe votuesve te ketij individualiteti, dmth 99% te shqiptareve.

    1. Hyllin,
      me citon një paragraf të cilin nuk dua të anashkalohet e jo më të keqkuptohet. Ndaj po e nis sërish.
      Eurobondi shqiptar është një instrument financiar të cilin nuk mund ta blene dot shqiptarët e amerikës (as amerikanët e as ndërmarrjet në territorin e USA-ve) e më ngjan as ata të Italisë. Kjo është dera që unë kërkoj të hapet e jo ndonjë derë metaforike. Ajo që kërkoj është që në të ardhmen, në eurobondin tjetër, të parshikohet, e nëse ka pengesa të kapërcehen, që bondet shqiptare të jenë lirisht të tregëtueshme. Bile do pranoja edhe reklamim të shtetit shqiptar për ti blerë ato. Ka plot shqiptarë që duan ta ndihmojnë Shqipërinë në termat e tyre (klishe kjo), apo duke investuar nga shtëpia në të tillë instrumenta financiare, ashtu si askush nuk e vë në dyshim që ka plot shqiptarë që duan ta ndihmojnë vendin në vend. Vetëm teorikisht, mundet që të gjithë shqiptarët e përtejmë të blejnë shtëpi, të ngrejnë biznese në Shqipëri.
      Duke parë koalicionin e fuqishëm (njëherë tjetër për këtë) që mbështeti eurobondin “e parë” shqiptar, unë them se shteti shqiptar i ka të gjitha mundësitë, mund dhe duhet të bëjë këtë hapje.
      Mendoj se janë këto instrumenta dhe jo më dërgesat ato që do të marrin prioritet; pika kur të parat të thyejnë të dytat (jo vetëm si shifra por edhe si mendësi) mund të jetë një tregues i rëndësishëm i kalimit nga një vend i varfër në një vend…

  9. ”’Shteti as ka vënë alarm, remitancat nuk janë burimi më jetik (pare si të tjerat janë dreqi e mori), e as që duken të jenë lodhur, le më të shterojnë.””

    Ti harron nje gje CD, investimet e huaja sjellin valute po marrin pronesi dhe zene pika kyçe ekonomike si psh bankat qe jane te gjitha ne duart e huaja, kane mbire bankat e huaja si kerpudhat pas shiut.

    Nje vend qe ne nivelin bankar zoterohet krejtesisht prej te huajve, ç’fare kujton ti se po perfiton apo po humbet ?
    Kjo levizja e famshme e qeverise qe hoqi nga rruget kambistet, kujt kujton se i leverdis ?
    Keto 1,317,469,000 USD dergesa, ku do kalojne tani, fitimi ne xhepat e kujt do shkoje ?

    Banka te fuqishme europiane mund te bejne faktike falimentimin e shume shteteve te vogla, qofte edhe per spekullim financiar ku behen miliarda euro.
    Loja e bankave te medha tanime drejtohet ndaj shteteve, miliona njerezve, prandaj nuk shoh asnje te mire ne keto investime te huaja qe kane zaptuar sistemin bankar shqiptar dhe deget me te mira ne prodhim.

    Te mburremi me pushtimin bankar, ku di gje une, qofshim ne qe jemi… Rrofshin pushtuesit qe na japin buke, se ne s’dikemi te nxjerrim qimen nga qulli … eh ç’vete, tha.

    1. Sa për bankat Hyllin, më vjen vërtet keq si ka ndodhur, por ka ndodhur sepse shqiptarët nuk besonin në njerëzit e vet të bankave, e janë skeptikë për çdo gjë e ndaj kujtdo. Kjo është si puna e atyre që çlirojnë vendin me ushtri të huaja. Dhe nuk është se bankat e huaja kanë sjellë kapitale, ato na e dinë ne atë shprehjen e famshme.
      Shteti nuk i hoqi kambistët nga rruga, shteti i futi kambistët në dyqane – bëri shumë mirë, u dha fytyrë qytetarie e ju kërkoi të parqitnin pranë B.SH. vetëm një formular të thjeshtë për çfarë këmbyen dhe me sa.
      Është një lojë pafund, Hyllin, në të cilën mund të rihysh kur të duash, apo …kur të ndihesh i fortë e i sigurtë.

  10. CB,

    http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/211273/titulli/OSBE-Ulja-e-remitancave-me-pasoja-per-ekonomine-shqiptare

    1. Si lajmi i cilituar më sipër mund të gjenden me dhjetra në Internet. Të gjithë lajmet vënë në pah alarmin për uljen e remitancave dhe investimeve të emigrantëve.

    2. Për boom-in e ndërtimeve nuk kanë asnjë faj emigrantët shqiptarë, bile as shqiptarët vendali. Boom-i i ndërtimeve është profili i dukshëm i ekonomisë informale kombëtare, me gjithë komponentin e tij estetik.

    Si provë e fortë për këtë shërben informacioni tashmë i mirëkonfirmuar se më shumë se 50% e ndërtimeve janë bosh prej vitesh.

    Ndërtimet e shfrenuara pra, nuk i përgjigjen hiç realitetit ekonomik formal, por lajnë e shpërlajnë paranë e turli trafiqeve që kalon nga territori shqiptar.

    Për shëmtinë pra, gjithë sikundër edhe për shkatërrimin, fajin s’na e kanë emigrantët, por kriminelët.

    3. I njohuri im që mori kurajon t’i futet detit në këmbë në mëmëdhé e të investojë në një sektor shumë specifik dhe me rreziqe nga më të paparashikushmet, vitin e fundit po hap aktivitetin e tij të dytë me fitimet e të parit.

    Cinizmi është vërtet në modë ndër shqiptarë, por kjo nuk i pengon disa njerëz të njerëzishëm të martojnë dozat njerëzore të altruizmit, pasionit për një sektor të caktuar dhe nevojës për të jetuar mirë dhe pastër.

    Kërkoj ndjesë paraprakisht, por nuk besoj se kam më për të shtuar rreth kësaj teme.

  11. ”’Mendoj se janë këto instrumenta dhe jo më dërgesat ato që do të marrin prioritet; pika kur të parat të thyejnë të dytat (jo vetëm si shifra por edhe si mendësi) mund të jetë një tregues i rëndësishëm i kalimit nga një vend i varfër në një vend…””

    Mendoj se çdo njeri midis pareve qyl dhe pareve borxh, zgjedh paret qyl. Po edhe shteti s’ka pse te ndryshoje shijet.

    Perfytyro bashke me mua, sikur dergesat te mos jene, po sikur Shqiperia te prodhoje çdo vit ar me kosto zero e me vlere 1,3 mld dollare. Do hidheshim perpjete nga gezimi edhe sikur te mos fusnim asnje kacidhe personalisht, se 1,3 miliard dollare qyl indirekt do permiresonin edhe jeten tone.
    Befas miniera e arit shteron, do vinim duart ne koke apo jo, nuk ma ha mendja se do gezonim qe tani Shqiperia mund te marre 1,3 mld dollare borxhe, nga kushdoqofte.
    Po ashtu fakti qe shteti ngopet ne borxhe e paguan interesat me pare nga xhepi yne, nuk eshte se na gezon shume. Mbase mund te jemi me ne linje me Greqine e Italine, duke pasur me shume borxhe, po kesaj i thone moderne me xhepat e shpuar.

    Mendoj se ne akoma s’kemi kuptuar mire lidhjen e shtetit me xhepin tone. E hame llokum qe Tiranen e beri Edi Rama ,rrugen e kombit Berisha dhe hidrocentralet Enveri. Kemi qene aq budallenj sa prishem edhe fabrikat e uzinat qe ‘kish bere Enveri’. Si i thote italiani: stendiamo un velo pietoso e andiamo avanti….

    Tani kemi investimet e huaja, shume bukur, por ama s’jane pare qyl (si dergesat), se keto propaganda e ata qe e hane llokum, na i bejne sikur jane para qyl.
    Ato i sjell John Mayaselli, se e ka zene kapslleku ne Amerike, e vjen te fitoje para ne Shqiperi, perndryshe pa kapsllekun do i kish investuar ne Amerike.
    Jo se ndonjehere duket sikur po na behet ndonje nder i madh; eshte leverdi per Mayasellin e leverdi per ne, meqe s’nxjerrim dot qimen nga qulli. Shqiperia me 1 euro, ngjan me nje oferte ku kam blere nje kompjuter :
    – Un cappuccino per un PC !

    Tani po te shikojme prodhimin bujqesor, qe nga traktoret e deri tek serat e vreshtat, jane te gjitha fale dergesave.
    Po te shikojme punishtet e qumeshtit, kosit, sallamit etj jane po ashtu fale dergesave.
    Po te shikojme baret, restorantet, hotelet, dyqanet e rrobave etj i kemi po ashtu kryesisht fale dergesave.
    Industria e ndertimit ka zhvillim fale dergesave.

    Duket qarte qe po te ‘shikojme’, dergesat dalin jetike edhe ne ç’eshte investuar ne Shqiperi keto 20 vjetet e fundit, e ne hapjen e vendeve te punes, qe te mos rrije dynjaja me syte nga qielli dhe John Mayaselli.
    Megjithate investimet jane vetem maja e ajzbergut, 6/7 e dergesave i ke ne konsum qe nga domatja e birra e deri tek mobiljerite e makinat lluksoze.

    Pra paraja qyl, kesh, euro-dollar, mire se te vije sa te jete jeta, ajo qe ka rendesi eshte qe 6/7 te shkojne ne investim,mundesisht prodhim, te hapen punishte, fabrika, nderrmarje bujqesore dhe 1/7 ne konsum. Miniera e arit nuk hidhet poshte per minieren e borxhit, se hajer nga borxhi s’ka pare kush, te marresh borxh ne valute eshte si te lidhesh me qejf nje litar ne fyt, kriza nderkombetare e deshmon qarte.
    Le pastaj sistemi bankar ne duart e huaja, hajde ti shkulesh me shushunjat po zune vend.
    Troç muhabeti si ne shume fusha te tjera edhe ketu kemi te bejme me prostituim, kesaj radhe mund te flitet lirshem per prostitucion financiar.
    Ja te na rroje Berisha dhe kokat e financave shqiptare.

  12. Tu them, të mos u them? Po ju a them se, duket sikur keni pasur të drejtë; paçka se jemi krejt jashtë teme.
    Epiriot, te argumetojë alarmin (e shtetit), sjell fjalët e Kreut të Prezencës, z. Bosh, më 17 Mars të 2009. Z. Bosh nuk përfaqson shtetin, në sa lexova ai nuk ngre alarm, por nisur nga ulja e një viti më parë thotë, citoj “…mund të ketë pasoja negative”. Tani jemi në dhjetor të 2010, ulje minimale vërtet ka, por mbase aq sa do të mund ti quajmë të tolerushme (për këtë do duhet të presim dhe vitet në vazhdim), – njëlloj si konsiderojme normale rrahje të ndryshme të pulsit. Sa për pasojat negative, këto të paktën mund ti shohim e ti themi. A ka?
    Hyllin, me përjashtim të dum-dumëve, për-përkave, dhe të tjera mjete të ngjashme për nga minifuqia si këto, pothuaj e gjithë mekanika bujqësore e Shqipërisë, kombajna, traktorë të rëndë me xhon dira e bjellorusë, janë marrë prej mekanizatorëve me kredi të huaja afatgjata mijëvjeçarin që iku e me kredi nga bankat që veprojnë në vend këtë mijëvjeçar. E nuk pi ujë fakti se mund të kesh ti a kushdo tjetër ndonjë të njohur i njohuri i të cilit e ka blerë me paret e kurbetit.

    ***
    Fije që lidhen. Epiriot thotë shtëpi, biznese; Hyllin thotë qyl e nënkupton (apo jo!) ndihma e dhurata; unë them edhe instrumenta financiarë. Në doni ta bëni litar e të tërhiqni peshë, nuk e di pse më viheni kundër e ma këputni fijen.
    Se them se fijet janë të dob(ë)ta? Se janë zvjerdhur e ju ka dalë boja? Për çfarë?

  13. Po ç’kredi o CD, nuk kam ndonje te njojtur po krejt zona nga jam me prejardhje, (hiq autokombajnat qe s’ja kam idene) krejt makineria, qe nga traktoret e zetoret e rende e tek furgonet e katraulet jane me pare mergimi(ose pare te fituara nga investimi fillestar me pare mergimi).

    Nuk e di si jane futur ne Shqiperi, di me ç’para i ka blere fshatari, ku i ka gjetur ato milionat.
    Po edhe ta zeme se nuk jane blere kesh po me kredi, ku i ka gjetur fshatari ato parate per kredine apo kredi e barazon me dhurate ?

    Kembengulja jote per te barazuar fjalen borxh me fjalen qyl, nepermjet gjetjeve gjuhesore nuk e ndryshon thelbin, dmth qe dergesat jane para qe hyjne qyl, flori qe i hyn Shqiperise me kosto zero, kurse kredite, borxhet, eurobondet, investimet e huaja, instrumentat financiare, bankat e ti quajme si te duam, jane para per te cilat Shqiperia dhe shqiptaret paguajne interesa edhe te kripura.

    Nje shoku im, punon tek nje banke e njohur italiane ne Tirane (merret me kredidhenie e kredigjetje), kur me thoshte perqindjet e interesave, sa s’me binte pika kur i krahasoja me ato qe jepte e njejta banke e madhe ne Itali.
    Jo grabitje, po behesh komunist me zor, ore kredite ishin rrjepje per se gjalli, çfare çifuterie, çifutet kane qene lule ne krahasim me bankat e huaja ne Shqiperi.
    Kunder tyre mua do me kishe krah per krah me Lulianin duke hedhur molotov (e zeme se Luliani s’ka vetem llafe).

    1. Hyllin,
      as që e ke idenë, as që ke dashur ta kesh e as që do që ta kesh, për sa flasim.
      1000 copë zetorë i dha … më duket se Greqia, 1000 mini Kina, të tjerat Gjermania, e të tjerat të tjerat që mund ti kesh parë në udhëkryqe nacionale të mbuluar nga pluhuri i sollën privatët e mezi i shitën në s’i rikthyen në vendin e origjinës.
      Marrësve në dorëzim ju kërkohej Dëshmia e Aftësisë për drejtimin, e në bazë të një marrveshjeje me një bankë a agjensi, marrësi i zetorit do kthente me këste kredinë dhe interesat. Kështu që fshatari nuk kishte pse ti gjente ato paratë, se e dinin që s’kishte e nuk i kërkuan (apo i kërkuan e 1000 veta thonë “s’kemi” në korr). Mirë, mirë, – do të thuash ti,- por kur fshatari i kthente këto këste? Që të të mbush mendjen se nuk janë kthyer me para mërgimi mund të të sjell shembuj e përvoja, por meqë të jam mosbesues, të lutem të kërkosh, në kujtesë a internet se mbase gjen se si këto kredi NUK janë kthyer, gjë që automatikisht rrëzon gjithë sa ti ngre.
      Pra, as ka investim të parë, e as të prapmë PIKË
      Shokut të bankës, por dhe vetë mund ta bësh kaq gjë, mos i kërko vetëm përqindjet me sa jepen kreditë, por edhe përqindjet me sa pranohen depozitat, e në do të krahasosh, minimalisht, krahaso diferencat mes atyre dhe këtyre.

  14. Pyetje: Sa e do atdheun ti?
    Pergjigje: Aq sa me do atdheu mua.
    —————————————————————————
    Fijet do mbeten te prera pergjithmone, te pakten per mua(dhe si une e mendojne shume)
    Pishak, vertet mendon se mund te lidhen fije me ate atdhe(klase politikanesh, qeverira te ndryshme te majta e te djathta) te shpifur qe kemi atje?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin