VLERA E NUANCËS

Njërit prej komentuesve (ehe…) nuk ia mbush mendjen fjala përfaqësimtare, që unë e kisha përdorur në togfjalëshin demokraci përfaqësimtare. Shkruan:

pashe ketu me lart nje fjale : “perfaqesimtare”. M’u duk si e terhequr per flokesh. Ma merr mendja, kjo fjale ka perkthyer termin “représentative” (te pakten ne frengjisht). Shqipja mund te shkruhej shume qarte : demokraci perfaqesuese. Dhe ne rastin e “démocratie participative” – demokraci pjesemarrese. Eshte ftillimi pastaj qe do t’i ndriçoje keto terma.

Këtij komentuesi demokraci përfaqësimtare i duket e errët ose artificiale, ndërsa demokraci përfaqësuese shumë e qartë.

Tani, gjuha nuk është matematikë, por disa rregulla edhe i ndjek, sepse edhe logjika nëpërmjet gjuhës realizohet. Pa i njohur këto rregulla, vështirë se mund të kontribuosh ndonjë gjë, në komentet për tema gjuhësore.

A ka ndonjë dallim kuptimor midis mbiemrave përfaqësues dhe përfaqësimtar? Apo vallë dallimi është vetëm i natyrës stilistike, duke qenë mbiemri i dytë më i përshtatshëm për stilin e lartë, ose tepër formal?

Unë mendoj se dallim ka, madje të rëndësishëm.

Ta nisim me analizën e fjalës përfaqësues, e cila në shqipe funksionon njëlloj, si emër dhe si mbiemër. Tema e kësaj fjale është folja përfaqësoj (e cila vetë është formuar nga faqe, por kjo çështje nuk na intereson këtu).

Gramatika e shqipes na mëson se prapashtesa –s (-ues, -yes) përdoret me tema foljore për të shprehur personin ose sendin që kryen veprimin e shënjuar nga folja. Për shembull: shërbyes – ai që shërben, zhurmues – (aparat) që zhurmon, (makinë) larëse – që lan, sulmues – ai që sulmon, mbrojtës – ai që mbron etj. Praktikisht çdo folje mund të krijojë një emër/mbiemër të tillë.

Në gramatikat klasike, fjalë të tipit larës, mbrojtës, mësues, sulmues quhen nomina agentis, meqë tregojnë vepruesin nëpërmjet veprimit.

Format e shqipes i kanë krahasuar ndonjëherë edhe me pjesoren e tashme të latinishtes (ose të frëngjishtes), të tipit amans, ridens, etj. Megjithatë, në shqipe prapashtesa –s trajtohet si fjalëformuese, jo si prapashtesë gramatikore; dhe formon emra nga tema foljore, jo forma gramatikore të foljeve temë.

Tani, për t’u kthyer te folja përfaqësoj, kuptohet se përfaqësues është ai që përfaqëson; p.sh. përfaqësuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara; dhe, sipas kësaj rregulle, demokraci përfaqësuese duhej të ishte një demokraci që përfaqëson. Po kë apo çfarë përfaqëson demokracia përfaqësuese? Natyrisht, nuk përfaqëson asgjë dhe askënd.

Me përkufizim, demokracia “representative” është një formë demokracie e mbështetur në mekanizmin e përfaqësimit – ose ku interesat e publikut përfaqësohen nga individë të zgjedhur me vota të lira.

Në këtë rast, lidhja e kësaj karakteristike me foljen përfaqësoj është e ndërmjetësuar; dhe është e ndërmjetësuar pikërisht nëpërmjet konceptit të përfaqësimit. Prandaj demokracia është përfaqësimtare, jo përfaqësuese.

Shqipja na e ofron këtë mundësi – për ta shprehur raportin e një nomen agentis me foljen përkatëse në mënyra të ndryshme, sipas distancës kuptimore nga folja.

Për shembull, për të cilësuar një sëmundje që përparon pa u ndalur, shqipja përdor mbiemrin përparuese; por për të cilësuar një person ose ide që i shërben përparimit, përdor mbiemrin tjetër përparimtare.

Po ashtu, ka një dallim kuptimor midis çlirues (latinisht: liberans) dhe çlirimtar (latinisht: liberator); ndriçues (që ndriçon) dhe ndriçimtar (iluminist), shkrues (scriba) dhe shkrimtar; veprues (aktiv) dhe veprimtar (aktivist). Të tilla dallime i gjen edhe në çifte të tjera: dëshmues dhe dëshmitar, rrëfyes dhe rrëfimtar, shpëtues dhe shpëtimtar, fitues dhe fitimtar, kërkues dhe kërkimtar, kalues dhe kalimtar, lakmues dhe lakmitar, mendues dhe mendimtar, pajtues dhe pajtimtar etj.

Megjithatë,dallimi nuk është gramatikalizuar; meqë nuk krijojmë dot një emër të tipit shpëtimtar nga çdo folje; kufizimet janë të natyrës thjesht morfologjike (meqë ndërtime të tilla, me prapashtesën –tar nga tema prejfoljore me bashkëtingëllore, janë të pamundshme; kemi marrës, mbledhës, shplodhës, por jo *marrjetar,* mbledhjetar,* shplodhjetar, etj.); dhe kuptimore (p.sh. nga folja lëshoj mund të formohet normalisht lëshues, por jo lëshimtar, sa kohë që për këtë formim të dytin ende nuk ka ndonjë nevojë).

Këtu nuk po zgjatem me analizën e rasteve të tjera, si ngadhënjyes dhe ngadhënjimtar, përdëllyes dhe përdëllimtar, pikëllues dhe pikëllimtar, ku dallimi mes formave është i natyrës stilistike, ose ka të bëjë me kontekstin e përdorimit.

Çfarë dua të theksoj, përkundrazi, është se në shembullin e demokracisë përfaqësimtare, mbiemri është i nevojshëm dhe i përligjur; përkundrazi, demokraci përfaqësuese do të sillte një varfërim të panevojshëm të shqipes (khs. me italishten rappresentante dhe rappresentativo).

Shqipja madje na ofron edhe një mundësi të tretë brenda së njëjtës tipologji fjalëformimi: formimet mbiemërore, me prapashtesën –or, nga tema prejfoljore emrash veprimi: p.sh. kuptimor, këshillimor, kërkimor, qëllimor, mësimor, ankimor, vendimor, etj. Këto formime ekzistojnë, madje me shumicë; por i ndesh më shumë në ligjërimin libror dhe zyrtar. Prapashtesa –or, edhe pse e vjetër në shqipe, ka kohë që është specializuar në formimin e mbiemrave të ashtuquajtur relativë, që cilësojnë duke shprehur një lidhje abstrakte me temën emërore (khs. mbiemrat me –ale, -ico në italishte). Të thuash demokraci përfaqësimore nuk është se gabon, vetëm se lidhjet me përfaqësimin tani dalin edhe më të ndërmjetësuara.

Shqipja e shkruar vërtet mbetet e varfër, në krahasim me gjuhë të mëdha, si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, rusishtja, spanjishtja e italishtja; por një gjë është varfëria, dhe një gjë tjetër varfërimi. Këtë të fundit nuk e shkakton gjuha, por mendjet e varfra, të cilat duan të standardizojnë me çdo kusht, madje të rrafshojnë me bulldozer edhe ato dallime e nuanca të cilat janë kripa, lezeti i ligjërimit, në emër të një parimi të dyshimtë, siç është thjeshtësia.

E përsëris, këtu asgjë nuk është e shkruar në gur; ndryshe nga gramatika, leksiku gjithnjë të jep mundësinë të zgjedhësh, sipas dëshirës, humorit dhe kontekstit. Por është në interesin tonë, si lëvrues të shqipes, që tepëritë (redondancat) në mjetet fjalëformuese t’i përdorim për ta pasuruar gjuhën; jo me pedantizëm ose mekanikisht, por me shije dhe intuitë, duke u kujdesur që të ruajmë harmoninë midis larmisë kuptimore dhe larmisë formale. Tek e fundit, gjuha mund të pasurohet vetëm në ligjërim, jo në fjalorët.

Nuk ka komente

  1. Dakort, xhaxhai. Falemnderit per shpjegimin. Megjithate, i qendroj mendimit se “perfaqesimtare” eshte goxha e rende. “Demokraci perfaqesimtare”, perseri eshte e turbullt.

    Ne lidhje me ngaterrimin ndermjet “perfaqesues” si emer dhe “perfaqesues” si mbiemer, mendoj se eshte e qarte VETVETIU se ato nuk sillen njelloj dhe pra nuk krijojne asnje nderhyrje tek njera-tjetra.

    Demokraci perfaqesuese nuk mund te sillet njelloj si “skuader perfaqesuese” apo “shkolle perfaqesuese”.

    Ja ç’thote shpjegimi i “démocratie représentative” :

    “La démocratie représentative ou régime représentatif ou gouvernement représentatif est un régime politique dans lequel on reconnaît à un organisme le droit de représenter une nation ou une communauté.”

    “Demokracia (???) apo regjimi (???) apo qeveria (???) eshte nje regjim politik ne te cilin nje organizmi i njihet e drejta per te perfaqesuar nje komb apo bashkesi.”

    Nese do te shohim tani kontekstin e kesaj shprehjeje me lart, eshte e qarte se shenjat e pikepyetjes do te marrin vleren e “perfaqesuese”.

    Le te vijme tek problemi tjeter i cili, per hir te ngjashmerise, do te na nxirrte ca kokeçarje te tjera :

    démokratie participative.

    Siç e sheh, kemi te njejtin fjale-formim : représentative dhe participative.

    Nese kjo ngjashmeri do te zhvendosej ne shqip, do te kishim fjalen perbindshe : pjesemarrimtare.

    Mirepo ti e sheh vete se kjo nuk shkon.

    Xhaxhai,
    Mendoj se duhet punuar me shume me kuptimin qe fshihet pas fjaleve, para se te shkojme tek zgjedhja e termit.

    Arsyetimi im eshte ky :

    Nese lexojme diku “demokraci perfaqesuese”, vetem ndonje i trashe e merr ne kuptimin e nje demokracie e cila do te perfaqesonte pese apo gjashte demokraci te tjera. Ne fakt, nese do te ishim duke studiuar mbi llojet e demokracise, dhe fjala bie jemi duke pare llojet e demokracise liberale, atehere kur te kemi per te dhene nje shembull te ketij lloji, ne nuk duhet te themi : si demokraci perfaqesuese te ketij lloji kemi demokracine amerikane (mora shembull kot).

    Por do te duhet te kishim nje fjali te tille : Si shembull i kesaj lloj demokracie kemi demokracine amerikane.

    Fjala perfaqesim nuk ka asnje kuptim garimi ne rastin e demokracise. Ne kete rast kemi vetem shembuj, dhe jo garime apo perfaqesime.

    E njejta gje dhe me demokracine pjesemarrese. Vetem nje i keputur nga trute kupton ketu ndonje spartakiade demokracish. Por nje qe eshte i kenduar ca, kupton menjehere ate lloj demokracie ku pushteti ushtrohet me nje pjesemarrje te gjere nga ana e votueseve (shembull : Zvicra).

    Vrapimi pas fjaleve te reja, xhaxhai, nuk duhet bere ne çdo rast, sepse duhet, mendoj une, shikuar dhe vete aftesia e gjuhes (me kuptimet dhe ngjyresat e fshehura ne te) per t’i mbuluar keto “mangesi”.

    Gjithsesi, bere mire qe e ngrite si problem, mbase do te kemi rast te shohim dhe shembuj te tjere. Me sa kam mundur te kuptoj une, gjuha vepron si nje organ i gjalle, le te themi nje kermill apo breshke, qe kur e prek me nje krande, tkurret dhe hyn nen kapacke. Dhe e nxjerrin koken vetem kur ta ndjejne veten ne siguri. Per ngjashmeri, ne fjalorin e gjuhes frenge, per çdo vit hyjne fjale te reja, por ama ne numer te kufizuar dhe pas nje vertetimi te plote qe i ka bere terreni, dmth kur shihen dy gjera : ajo ka vertet nje kuptim te ri, sjell diçka te re, dhe se dyti, eshte e perhapur ne terren dhe pret vetem miratimin zyrtar.

    Por edhe ketu, une te kuptoj shume mire qe akademiket tane (hiomologet e akademikeve franceze) nuk e bejne me kete pune dhe e gjithe barra iu bie studiuesve, perkthyesve, njerezve te letrave. Nga ku vjen dhe kjo “boulimie” per fjale te reja, ose shqip : oreks i madh. Nese do te arrinim te gjejme nje ritem te kenaqshem, te tipit “as te mos shpejtohemi, as te mos ngadalesohemi” (se ç’me kujton nje parulle komuniste kjo, per here te pare jam dakort me ta), atehere besoj se shqipja do te pasurohej vertet.

    Dhe e fundit, ideja qe ke hedhur ti, pavaresisht kritikave te mia, meriton te diskutohet dhe pse jo, te hyje ne shqip. Thjesht, kerkesa ime e vetme eshte qe te shoshitet mire e mire.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin