NGA TË PANGRËNËT

Për herë të parë grevën e urisë si instrument të veprimit politik e kam njohur nëpërmjet lajmeve të RAI-t në vitet 1970, të cilat njoftonin rregullisht për bëmat e radikalit Marco Pannella, gandist i vendosur dhe luftëtar i zhurmshëm për të drejtat civile.

Më pas Pannella do të më bënte përshtypje jo vetëm për grevat e shumta të urisë (ndonjëherë të shoqëruara edhe me greva të etjes), por edhe për qetësinë me të cilën hynte dhe dilte në këto mini-drama. Mbaj mend ta kem dëgjuar dikur, në një intervistë, të shpjegonte se çfarë pranonte në trup gjatë kohës që ishte në grevë – dy ose tre capuccini, përveç cigareve të panumërta. Uritë e Pannella-s ishin më shumë simbolike sesa të mirëfillta; grevat zgjatnin pak, por çështjet përkatëse popullarizoheshin.

Për mua, që mësoja në shkollë për revolucionet, luftën e klasave dhe dhunën si mamí të historisë, grevat e urisë nuk kishin shumë kuptim; aq më tepër në rrethanat kur tema e urisë së të varfërve, në botë dhe dikur edhe në Shqipëri, ishte nga kryesoret në letërsi, në filma dhe në propagandën e kohës. Kishte një kontradiktë midis një ore letërsie paradite për skicën Bukuria që vret të Migjenit ose një dialog takikardik të Nonda Bulka-s (Mëmë e bir, nëse e mbaj mend mirë) – dhe lajmet e RAI-t pasdite për Pannella-n në grevë urie.

Konfuzionin e shtonte edhe parulla e njohur politike e atyre viteve: ne shqiptarët hamë edhe bar, por parimet nuk i shkelim.

Tek-tuk në Tiranën e atyre viteve do të ndeshje në ndonjë grua të rëndë, që agjëronte. Për arsye politike, agjërimi nuk shihej me sy të mirë madje edhe kur maskohej si dietë për të humbur peshë; por fjala dilte. Përsëri për arsye politike, kuptimin e vërtetë të agjërimit e kam rrokur shumë vite më vonë, kur deri edhe ime më u tundua ta provonte, më shumë për solidaritet me gratë e tjera të mëhallës.

Përndryshe, edhe agjërimi, njëlloj si greva e urisë, është në thelb refuzim vullnetar i ushqimit; por ndryshe nga greva e urisë, e cila është shenjë që u dërgohet të tjerëve, ose publikut, agjërimi është shenjë që i dërgohet vetes; nuk ka për synim të bëjë kënd fajtor, por të purifikojë agjëruesin nga fajet që mund të ketë bërë.

Nëse greva e urisë ndëshkon simbolikisht tjetrin, agjërimi ndëshkon simbolikisht veten.

Në Perëndim kufijtë midis agjërimit si praktikë shpirtërore dhe dietës për të përmirësuar imazhin trupor kanë ardhur duke u zbehur, për shkak të objektifikimit të trupit në përgjithësi dhe të trupit femëror veçanërisht.

Jam rritur në një botë ku shëndeti dhe shëndoshja konsideroheshin ende sinonime; ndoshta edhe ngaqë obeziteti praktikisht nuk ekzistonte. Megjithatë, dikur në mes të viteve 1970, një vajzë e klasës sime u sëmur nga anoreksia nervore.

Deri atëherë, për anoreksinë pothuajse nuk kisha dëgjuar kurrë; edhe pse dëgjoja shpesh për uri, jo vetëm në libra dhe në filma. Një nga shenjat e para të mirëqenies, ishte kur uria zëvendësohej nga oreksi; që këtej, anoreksia, që e përmbante rrënjën oreks në trup të fjalës, ishte njëfarë kthimi simbolik në gjendjen e padëshiruar të urisë.

Shoqja ime e klasës ndenji në spital për shumë kohë; ndërsa ne kujtonim se thjesht refuzonte të hante, ajo në të vërtetë nuk mundej të hante. Anoreksia e saj ishte e kundërta e agjërimit; sepse vërtet ishte ndëshkim i vetes, por jo i vullnetshëm.

Kur e pamë sërish, pas disa muajsh, nuk u besonim dot syve – shoqes sonë ia kish zënë vendin një zombie, ose vdekja me maskën e të gjallit.

Thonë se anoreksia nervore, simbolikisht, përfaqëson ndëshkimin që mendja ia bën trupit, duke e privuar nga ushqimi, për një arsye çfarëdo, por gjithnjë tepër serioze. Qëllimi këtu nuk është purifikimi, si në rastin e agjërimit, as larja e mëkateve, ose afrimi me Perëndinë, nëpërmjet dobësimit të ngashënjimeve fizike; por shkatërrimi i mirëfilltë.

Grevës së urisë, agjërimit dhe anoreksisë, si surrogato të skamjes ose të privimit, i duhet shtuar edhe tortura në burgjet, me anë të urisë. Nuk është rastësi, megjithatë, që shpesh janë të burgosurit ata që hyjnë në grevë urie, në mënyrë pothuajse homeopatike, për ta kundërshtuar privimin e lirisë me një privim tjetër; por në thelb duke afirmuar lirinë e tyre për të vuajtur edhe nga uria.

Në fakt, te greva e urisë ka gjithnjë një element torture; sepse ndryshe nga greva e etjes, uria kërkon kohë për ta vrarë viktimën e vet; javë, ndonjëherë muaj. Përkundrazi, mungesa e lëngjeve mund të vrasë brenda pak ditëve; e ajrit për pak minuta; një politikan që do të futej në grevë të frymëmarrjes, do të largohej nga skena tepër herët.

Uria i lejon kohë publikut të ngjizë mitin e shenjtërimit, nëpërmjet mekanizmit të martirizimit; shto këtu edhe sentimentalizmin, që ndër shqiptarët ka rrënjë të thella. Në nivelin mitologjik, refuzimi i vullnetshëm për t’u ushqyer identifikohet me lënien e fëmijës pa ngrënë, ose vrasjen e tjetrit nëpërmjet urisë – ky është edhe mekanizmi në bazë të fajësimit.

Nga ana tjetër, si gjest politik ekstrem, greva e urisë synon vërtet vdekjen, por të kundërshtarit; i cili do të fundoset në faj, derisa të zhduket nga skena. Meqë skenarë të tillë nuk realizohen kurrë, në rrethana normale grevistët gjithnjë duhet të kenë një plan kontingjent, për ta zbatuar pasi ta kenë ndërprerë grevën.

Përndryshe, kundërshtari mund të citojë motive humanitare dhe të ndërhyjë me ambulanca, mjekë, ndihmë të shpejtë dhe serume; për të shpëtuar jetë njerëzish, duke ua shpërfillur këtyre të fundit identitetin politik dhe vullnetin për të dëmtuar fizikisht veten në publik.

Kështu, greva e urisë vërtet është gjest para së gjithash politik, por që e ka potencialin për ta shkelur kufirin midis politikanit si aktor të teatrit politik dhe politikanit njeri, meqë e ndihmon politikanin ta vërë edhe trupin e vet në punë. Nuk është rastësi që kreu i opozitës Rama deklaroi, besoj dje, se trupi i tij ishte në dispozicion të kauzës; duke lënë të kuptohet se, sa i përket politikës socialiste në këtë moment kritik, vuajtja fizike, publike dhe e padhunshme, nëpërmjet privimit të ushqimit, nuk është veçse mishërim taktik i vullnetit politik për drejtësi.

Në një kuptim, mund të thuhet edhe se dyqind socialistët grevistë po vuajnë për mëkatet e regjimit Berisha.

Ashtu, atmosfera në Tiranë merr ngjyra mesjetare, irracionale; ku vendimet merren sipas logjikës së jetës dhe të vdekjes, të trupit dhe të shpirtit; dhe ku palët i mbajnë sytë, gjithnjë e më seriozisht, nga gjyqi i fundit.

Këtu mua nuk mund të mos më vijë në sy, edhe një herë, pamja e asaj shoqes së vjetër anoreksike; që askush nuk e mori vesh kurrë pse e kishte prerë të ngrënët, çfarë alarmi kërkonte të lëshonte në botë, çfarë e kishte shtyrë të shkatërronte veten, me vendosmërinë prej filozofi stoik të lashtësisë. Ndoshta në teatrin e mendjes së saj një palë aktorësh, nga ata të pavetëdijes, kishin hyrë në grevë urie, por pa u kuptuar së jashtmi; ndoshta edhe një autoritet, gjithnjë i maskuar por i plotfuqishëm, kishte urdhëruar agjërimin.

Na vinte keq për të, por nuk e ndihmonim dot. Pak na shkonte në mendje, atë kohë dhe më vonë, ta shihnim sëmundjen e saj si metaforë të marrëdhënieve midis histerisë kolektive dhe politikës.

Nuk ka komente

  1. Ashtu, atmosfera në Tiranë merr ngjyra mesjetare, irracionale; ku vendimet merren sipas logjikës së jetës dhe të vdekjes, të trupit dhe të shpirtit; dhe ku palët i mbajnë sytë, gjithnjë e më seriozisht, nga gjyqi i fundit.

    Sipas nje artikulli te disa oreve me pare nga Reuters, sapo morri vesh per ngjarjet e fundit ne Tirane, greva e urise tentoi te vetevritet me bar miu. Gjithashtu ishte degjuar dhe nje zhurme e cuditshme mbi varin e Gandit.

    një politikan që do të futej në grevë të frymëmarrjes, do të largohej nga skena tepër herët

    Kjo eshte ide gjeniale per politikanet tane! Do te beheshin dhe te famshem.

  2. Per greven e socialisteve shqiptare xha xhai thote se nuk është veçse mishërim taktik i vullnetit politik për drejtësi.

    Mundet, por une nuk e shoh qarte nje gje te tille, te pakten nuk shoh ne kete rast pajtushmerine e plote me shembujt e tjere qe ai sjell ne shkrim.

    Jemi para nje “lufte” e cila qe ne fillim u misherua te personi i kryetarit Rama, por ne greve u futen te tjere. Pra mbrohet nje kauze me vuajtjet e te tjereve, gje qe ve ne dyshim vete bazat e kauzes. Shembulli i Paneles, eshte shembull i integritetit moral e fizik, gje qe ne rastin tone do te kishte te njejten vlere po qe se ne greve do te futej vete kryesocialisti, si misherues i luftes kunder Berishes se keq.

    Pra, pame qe ne greve u futen te tjere, madje u fut edhe Malaj qe foli aq shume per demet e bojkotit. Si zhvillim i vetem a si faze e dyte, Rama inkurajon trupat te vazhdojne greven, duke thene se ai ve “trupin” e vet ne dispozicion.

    Pse permend ‘trupin’? A lidhet kjo qofte edhe se largu (ne menyre inkoshiente:-)), me faktin se midis krejt rraces se politikaneve, shqiptaret kane pare lakuriq vetem trupin e tij?

    Duke premtuar te vere trupin tashme te njohur publikisht ne mbrojtje te kauzes se te gjitheve, a mos eshte nje menyre jo fort e holle per te luajtur me nenshtresa me te thelle ne ndergjegjers kolektive, per t’i bere te gjithe te besojne se ai trup u perket te gjitheve, gje qe rrit ndjeshmerine ndaj aktit te premtuar. Jemi pra, perpara nje akti verbal, nje fjale me peshe te rende per te trazuar diçka qe rrit deri ne sakrifice sublime ndjeshmerine e te gjitheve, jemi perpara nje transfigurimi te Corpus Domine?

    Me kete duket sikur ai e di qe tashme ka nje kapital te fshehte dhe sikunder ne betejat vendimtare fusim ne loje trupat elite ai si fillim nis e premton nje gje te tille, pra, se do te sakrifikoje ‘trupin’ e tij. Por nuk e ben. Pse? Nuk e di as une. Mbase kerkon te emocionoje turmat, te rrise vendosmerine e trupave (jo, te lutem kryetar, kush do ta udheheqe popullin ne shkretetrire po te vdesesh ti?), por mbase ai vete e ndjen se duhet te kaperceje nje cak qe t’a detyroje trupin (e tij kombetar), te beje diçka qe nuk ia thote mendja.

    A duhet besuar se e gjithe kjo eshte nje strategji komunikimi me imazhin kolektiv? Trupi tij, ne perfytyrimin e turmave (detyrimisht, u shumfishua me tirazhe astronomike) i mbivihet imazhit te nje trupi edhe me te lashte se Krishti, trupit ideal te Akilit, qe prijsit greke u tregonin ushtarve te tyre per t’i nxitur kunder trojanve te pandershem qe kishin rrembyer… votat!

    Ka nje mosperputhje, ka diçka qe e dallon kete greve nga shembujt e tjere qe sillen.

    1. Jemi para nje “lufte” e cila qe ne fillim u misherua te personi i kryetarit Rama, por ne greve u futen te tjere. Pra mbrohet nje kauze me vuajtjet e te tjereve, gje qe ve ne dyshim vete bazat e kauzes.

      Per faktorin “te tjeret” ne fakt vlen te diskutohet me shume ne kete rast.

      E para, a valle kishin opsion keta te tjeret per te mos u futur ne greve, realisht e konkretisht flas, jo moralisht, duke ditur se si jane konjukturat ne hierarkite e seciles nga partite kryesore shqiptare? Te vjen fjala vjen Rama/Berisha e te thote “do futemi ne greve, duhet te jesh edhe ti”. Mundet ti thuash jo pa rrezikuar punen/karrieren? Njesoj dhe per protestat e shumta te te dy paleve dhe lajmet qe thone se te punesuarit detyrohen te dalen ne to, edhe sot, tashme nje vit pas zgjedhjeve.

      Nuk flas ketu per komponentin moral/etik te ketyre te tjereve, nese duhet apo jo te benin kete gje moralisht, pasi perderisa jane bere pjese e atyre strumbullareve (deputetet p.sh., po jo vetem) do te thote qe per nje arsye ose tjeter i kane bere tashme keto kompromisa, i kane pranuar keto rregulla loje, sic permende dhe ti Arben Malaj-n, deri dje nje nga drejtuesit e nje fraksioni qe ishte per muaj me rradhe publikisht kunder “kauzes” se Rames, e sot eshte ne greve (Ben Blushi, Islami etj nderkohe as qe degjohen fare).

      E dyta, qe ne fakt mesa kam ndjekur nuk eshte elaboruar shume ne media (por eshte permendur disa here tek-tuk) eshte qe afermendsh mjeti jo vetem qe nuk prodhon dot qellime e kauza, po as nuk i shenjteron dot ato, edhe kur ky mjet eshte nje institucion demokracie (qe ne keto raste shperdorohen) si bojkoti, demonstrata, apo qofte dhe greva e urise, si mjet/institucion ekstrem i demokracise qe ndermerret kur ke ezauruar te gjitha mundesite e tjera.

      E njejta gje vlen dhe per numrin e pjesmarresve, atyre qe i bashkangjiten keture kauzave, apo ne kete rast “kauze”, si element (numri i tyre) i ketyre mjeteve.

      Zogaj e te tjere qe i kane shitur shpirtin politikes (ne kuptimin e keq te fjales) nuk ngurrojne te bejne “analiza” tip “s’mund te injorohen 200 mije vete”, duke ju referuar numrave fiktive te pjesmarresve ne protestat e opozites. Te njejtin argument te paqene bejne dhe analistet e krahur tjeter per gjoja 500 mijet e (anti)protestes se Berishes. Po ashtu dhe tani per greven.

      Dmth sipas kesaj llogjike te paqene (qe ne fakt dhe nje nxenes i klasit te peste e kupton qe eshte i paqene si argument) nuk ka rendesi qellimi, afermendsh jo as konteksti apo kostoja, po numri i turmave dhe natyrisht dhe mjeti qe perdoren ato (mjete demokratike = ke te drejte).

      Pra perderisa 200 vete bejne greve urie i bie qe jo vetem s’mund te mosperfillen, po kane te drejte ne kauzen e tyre, bile kane te drejte dhe te zene bulevardin me force e ta bejne greven aty e jo gjetke, te bllokojne dhe rruget e tjera, dhe normal neve te tjereve duhet jo vetem te na vije keq (per ta, jo per shperdorimin qe ata i bejne ketyre institucioneve te demokracise), por dhe te simpatizohemi (greve urie = kauze e shenjte). Ndryshe, nese, falna o zot, bejme ndonje shaka per absurditetin e kesaj situate, duhet te na vije turp. Si mund te qeshem kur te tjeret jane ne greve urie!

      Cuditerisht per te njejtet faktore te politikes dhe medias, kjo llogjike nuk funksionoi njesoj kur Meta i para koalicionit qeveritar bente me te vetet greve urie per kodin zgjedhor (u injorua nga te dy palet), e aq me pak kur te perndjekurit benin greve urie per demshperblimet.

      Kurse sa per prononcimin e Rames qe paska thene se do vere trupin ne dispozicion, them se e ke marre pak si shume seriozisht psikoanalizen ne cka thua. 🙂

      Ma ha mendja eshte me e thjeshte, dhe njeheresh e pritshme ajo qe tha (do habitesha nese ai s’do e kishte thene): Kur gjenerali qe duhet te ishte ne krye te luftes preferon ta drejtoje ate nga rehatia e viles se tij (ose kullave binjake fjala vjen), aq me teper kur kjo lufte eshte nje stisje e tij, e nxitur nga ai per interesat kryesisht te tij, me te pakten gje qe mund (mbase duhet) te beje ai ne kete situate eshte qe ti thote ushtareve te vet se, ashtu si ata po konsumojne trupin ne lufte (greve ne kete rast) edhe ai do te vere ne dispozicion trupin e vet per kete kauze. Se si do e beje kete ne kete rast pa u futur ne greve, kjo eshte tjeter ceshtje. Mbase me ndonje udhetim 24 oresh ne France (kur je ne avjon trupi humbet me shume lengje) apo cfaredo tjeter qe ben Rama keto dite. Po te pakten duhej teorikisht te vinte dhe ai trupin ne dispozicion, duke shpresuar qe atyre s’do i mbetej dhe aq shume qefi qe ndersa ai ha e pi ata bejne greve urie me cadra e batanije.

  3. “Nuk është rastësi, megjithatë, që shpesh janë të burgosurit ata që hyjnë në grevë urie, në mënyrë pothuajse homeopatike, për ta kundërshtuar privimin e lirisë me një privim tjetër; por në thelb duke afirmuar lirinë e tyre për të vuajtur edhe nga uria.”

    Pervec Marco Pannella-s, mua nuk me hiqet nga mendja edhe grevisti i urise, vullnetari i IRA-s Bobby Sands, per te cilin nguleshim para telegiornaleve te RAI-it; te cilat ja numeruan cdo darke ditet e tija te mundimshme deri sa ne te 66-shten ai vdiq.

    E vertete qe keto, grevat e urise, jane mundime vetjake per perfundime politike por ate te Bobby Sands-it une nuk e kuptova asnjehere ne ate kohe. Ose ne rastin me te mire e mora sikur Bobby po bente me shume nje vetvrasje te ngadalte se sa donte te arinte nje qellim politik.

  4. …duke lënë të kuptohet se, sa i përket politikës socialiste në këtë moment kritik, vuajtja fizike, publike dhe e padhunshme, nëpërmjet privimit të ushqimit, nuk është veçse mishërim taktik i vullnetit politik për drejtësi”.

    Do te doja shume ta besoja se eshte keshtu, do shpresoja qe shume te tjere ta shihnin keshtu, sepse dicka do vihej ne levizje. Por besimi eshte vrare dhe greva per ata qe jane ketu eshte me shume si nje mundesi per te shtuar barsaletat politike. Deklaraten e z.Rama une e klasifikoj vetem ne nje koordinate; Demagogji dhe e trashe fare madje. Greva e urise se 200 njerezve, me skenografi bulevardeske, rendom vezhgohet nga kalimtare mes te cileve rastis te jete edhe ndonje minister aktual. Menaxhimi i saj politik ne terren, behet nga kati i katert i kullave, qe jane vetem 20 m larg dhe nga ku nen hijen e verandave luksoze apo edhe freskise se ajrit te kondicionuar, kupola socialiste diskuton se si do ia beje me Sali Kafshen. Nuk jane thashetheme keto – kam qene vete aty. Rastisa pardje ne nje mjet televizioni ku po lexoja titrat me dy deputete te PS. Po flisnin ne telefon me nje deputet grevist, te cilit i thoshin: “Mbahu, mos e leshoni veten, jemi me ju, nuk ka cfare te beje ai, do leshoje. Mbahuni se do fitojme”. Cadra e greves ishte vetem 2 m me tutje. U habita shume edhe pse me duhet ta them se ajo qe fliste keshtu eshte njeri shume pozitiv dhe larg te qenit politikane.

    Kronika e ketyre diteve ka rendesi te pershkruhet, sepse ndryshe mund te bejme gabimin dhe te mendojme se vendimet ne Tirane merren me logjiken e jetes dhe te vdekjes. Edhe simbolikisht kjo permbajtje nuk perceptohet gjekundi; greva e urise pa dashur te fyej askend, eshte vetem nje aspekt teatral i importuar nga Poitika e Re per te masivizuar idene e nje krize qe po demton me shume opoziten. Pse opoziten ? Sepse ajo nuk priret nga vullneti per Drejtesi, por nga instikti aventuresk i kapjes se brishtesise se momentit dhe e theksoj – jo Qeverise. Nuk ka sesi te mendohet ndryshe fakti qe 200 greviste te urise, po shihen si investim per te terhequr ndermjetesimin e nderkombetareve dhe jo si njerez te nje kauze perkushtyimi ndaj se ciles nuk negociohet me asgje. Ndoshta eshte shperfillja e nje kryeqyteti ajo qe po braktis kete aksion te opozites, e cila eshte e tille vetem per shkak te numrave, por jo pse eshte jashte Pushtetit.

    Thote xha xhai :

    “Në një kuptim, mund të thuhet edhe se dyqind socialistët grevistë po vuajnë për mëkatet e regjimit Berisha”

    Xha xha mund te kesh te drejte, por mendoj se ka nevoje per nje shtjellim kur themi Regjimi. Mekatet e kryeministrit jane te tilla vetem fale tolerances dhe marreveshjeve te nje nate dhe aspak si afishim i nje fuqie qe dikton cdo gje. Ne fund te fundit, ne Shqiperi ka rreth 10 vjet qe 500 000 shqiptare nuk marrin pjese ne votime, pra heshtin. Nje analize e faktit politik, te jep te kuptosh se keta njerez jane kryesisht qytetare qe nuk e shohin si aleternative Berishen, por nuk mund ta delegojne besimin e tyre te nje opozite qe i ka zhgenjyer kaq e kaq kohe. Pra eshte PS ajo qe ka humbur dhe qe refuzon te beje analizen.

    Na vjen keq për të, por nuk e ndihmojme dot. Si mund te ndihmosh ate qe improvizimin e histerisë kolektive e sheh si atu force ne veprimin politik ? Sepse kjo greve keshtu si nisi a nuk ka sadopak nje element histerie edhe pse patologjia kerkohet te ai qe po fle i qete ?

  5. Kjo është dRamë!
    Tragjedia në të cilën mund të përfundojë një mënyrë e tillë proteste si greva e urisë, përfundon në komedi (barcaletë).

    Fakti që Greva e Urisë bëhet dhe merret me aq lehtësi në Shqipëri, tregon se ajo formë proteste nuk është e përshtatshme në një vënd ku jeta nuk ka vlerën që duhet të ketë.
    Që jeta (e tjetrit) të ketë vlerë, duhet të kishim dhe mundësitë ambientale të tilla që të konsiderohej e tillë; një vend të zhvilluar ekonomikisht ku jeta gëzohet, një vend ku ligjet vënë qytetarin dhe shtetin në plan të parë e duhet të mbrojnë jetën e qytetarëve të saj, një vend ku FEJA duhet t’u thoshte (të paktën) besimtarëve që jeta është e shtrenjtë, por në Shqipëri nuk egziston praktikisht asnjë nga këto premisa që të mund të ketë Greva e Urisë një efekt të dëshiruar. Shkurt, në Shqipëri, kjo grevë bëhet më tepër për të huajtë (për t’ju treguar atyre sakrificat/përpjekjet paqësore) se për shqiptarët… të cilët, edhe pa cituar Maon, Engelsin apo Marksin, e dinë (bile janë të bindur) që vetëm revolucioni/armët mund të ndryshojnë situatën.

  6. ””’Shkurt, në Shqipëri, kjo grevë bëhet më tepër për të huajtë (për t’ju treguar atyre sakrificat/përpjekjet paqësore) se për shqiptarët… të cilët, edhe pa cituar Maon, Engelsin apo Marksin, e dinë (bile janë të bindur) që vetëm revolucioni/armët mund të ndryshojnë situatën.””

    Tek pohimi i pare jam dakort, tek i dyti kam dyshime. Pervoja e 1997 u tregoi atyre qe e vuajten se ne demokraci ( qe shpresohet ta ndertohet) me arme nuk ndryshohet situata, iku morri erdhi pleshti … tani do e kete radhen shushunja.

    Cfare vertet do ndryshonte ndonje gje do te ishte nje tangjentopol si ne Itali, te pakten do ndryshonte fytyrat dhe do krijonte hapesira te reja.

    Ndersa persa i perket greves se urise per mua ne politiken e nje vendi demokratik eshte metode e pastert shantazhi, cka nuk me pelqen. Duhen lene sa te ikin ne spital 1 nga 1, keshtu mbyllet ceshtja.

  7. Une mendoj se jeta ka vlere edhe ketu, perndryshe nuk do ishim popull kaq materialist. Puna eshte se askush nuk beson se kjo eshte nje greve urie e vertete, e disa njerezve qe besojne dhe qe realisht sakrifikojne. Paralel me bulevardin eshte brezi i pare i lokaleve te Bllokut; mbushur me njerez, qe kur u kujton greven ankohen per Trafikun. Pra kjo eshte me shume nje Greve Kohe dhe jo urie, ne kuptimin qe ata aty po shpenzojne kohe dhe asgje me shume.
    Nga ana tjeter nuk mund te besohet se na qenkan 200 petrita qe e marrkan vdekjen me sy dhe i thone vaktit mirupafshim. Greva e urise eshte simbolike; sikur ajo me te vertete te jete e tille do te mjaftonte edhe nje njeri i vetem per te terhequr vemendjen. Prandaj grevat e verteta te urise ne Shqiperi jane bere vetem ne Burg, ku nuk te le njeri qe te grevosh duke ngrene.

    Po, kjo eshte Drame. Ja nje ndodhi qe zbulohet nga greva ne menyre lakuriqe. Pyet gazetari i Vizion+ gruan prane cadrave:
    G:Ke keni ne greve?
    Zj: Kam burrin.
    G: Pse ka hyre?
    Zj: Per buken e gojes se jemi te gjithe pa pune, jetojme me pensionin e vjerres qe eshte invalide (e intervistuara ishte nga Patosi).

    Pra greve urie per buken e gojes. Greve urie si mundesi punesimi. Njerezit po qahen se u konsumuan te gjitha mjetet e reagimit; nuk dihet me se cfare te besh po te zuri ndonje hall, se greves i doli boja, kercenimit me jeten e femijeve i doli boja para nje muaji ne Durres. Po grabitje apo rrembim personi nuk bejne dot te gjithe – “edhe keto jane arsye per te protestuar ne 30 prill”,- do thoshte ne menyre te shpelare ndonje konferencier i opozites.
    Ne kete veshtrim une mund te them se per here te pare qe prej shume vitesh Partia Socialiste sillet me te vertet si e majte; a nuk po hap ajo vende pune, a nuk po qendron ajo ne krah te te varferve ? Me optiken e punesimit, nderkombetaret nese e duan me te vertete Shqiperine, nuk duhet te reagojne per nja 2 muaj akoma edhe me shpresen se Berisha mund te shikoje ndonje enderr te keqe qe do i nderroje mendjen dhe do e beje konstruktiv.

  8. Mund të më shpjegojë njeri si verifikohet që të gjithë këta njerëz po rrinë vërtet pa ngrënë?

    Ka ndonjë ambasador të huaj që rri në çadër me ta, apo ndonjë përfaqësues të shoqërisë civile apo të mediave të pavarura?

    Ndonjë webcam të menaxhuar nga një palë e tretë?

    Në qoftë se mileti tash është mësuar të besojë se politikanët gënjejnë, atëherë si i bëhet që t’i bindësh se këtë herë greva e urisë nuk është vetëm teatër?

    A mjafton që disa grevistë kanë përfunduar në spital për të provuar se edhe të tjerët nuk kanë vënë gjë në gojë?

    A mjafton që mediat e afërta me PD-në nuk kanë zbuluar dot raste kur grevistët ta kenë prishur agjërimin?

  9. Artan Fuga ka nje artikull “Kalendari politik” qe ve ne dukje absurdin e ketyre cicmiceve politike ketu e nje vit, duke folur per axhenden qe duhet te kishte (sipas tij) politika shqiptare, per prioritetet e vendit gjate kesaj kohe.

    http://www.standard.al/index.php/debat/5963.html

    Do isha kurioz te lexoja dicka te ngjashme (qofte dhe si reflektim ndaj ketij artikulli, nese) nga nje prej autoreve te PTF. 🙂

  10. Ndersa per nje shembull te mirfillte tragjikomik te medias shqiptare, ju sugjeroj te lexoni artikullin e drejtoreshes & kryeredaktores se Gazetes Shqiptare Anila Basha, “24 orë në grevë, aty ku mendohet për kuti dhe bukë”

    http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=78122

    Eshte vertet gallate e mirfillte, dhe e kam fjalen per permbajtjen e artikullit, s’e kam fjalen per faktin qe kjo drejtuese e nje prej mediave me te medha shqiptare, kur eshte perpjekur te perktheje shprehjen gazetareske “embedded journalism” ne shqip, duket se ka kujtuar qe don me thene se gazetari qe p.sh. mbulon terrorizmin duhet te hedhe veten ne ere me bomba nje dite (ose te pakten te perpiqet per 24 ore) ne menyre qe ta kete mundesi t’a percjelle sa me mire lajmin tek masat.

    Meriton diskutim me vete kjo ceshtje mendoj, e kam fjalen mbulimi i mediave, i cili eshte akoma me patetik sesa teatrot absurde te politikaneve tane, dhe ky artikull them se eshte shembull mjaft i mire per te ilustruar kete fenomen.

    Nese do pertoni te klikoni mbi link per ta lexuar, ja ca citate nga reportazhi i Bashes:

    E papritur, pasdite, një gardelinë hyn në çadra nga një e çarë, e duke fluturuar mbetet te lulet. Vëmendja e gjithë grevistëve fiksohet te ai zog. “Haber, është haber”, – thonë moment pas momenti, duke shpresuar për një zgjidhje. Eltari i Vlorës porosit me shpejtësi një kafaz. “Mos, – thotë një tjetër, – jemi këtu për të hapur kutitë e ju doni të mbyllni zogun në kafaz”.

    […]

    Shega kthehet gjithë kompetencë: “Unë ta lë veten pas dore?! Mirë do më shohin deri ditën e fundit. Të plasin nga inati, deri ditën e fundit që do jem këtu, kështu do më kenë, në formë”.

    […]

    Kur ikin Gramozi dhe Sabiti, Blendi [Klosi] tregon: “Isha keq dje në darkë, nuk e di. Mora dy serume, tani jam më mirë”. Po dil, i them në konfidencë. Dil. “Jo mi, as bëhet fjalë, unë dal i fundit që këtu”. Blendi është i parruar. Do shifemi gjatë ditës, eee, se po pres që të më thërrasë punonjësja për t’u larë”. Në orën 17:00 u ula dhe njëherë me Blendin, i cili ndërkaq të thotë se pas serumeve është më mirë. “U përkeqësova se dje bëra dhe grevën e ujit. Pra nuk po pija ujë dhe ndaj u përkeqësova. Po erdhi Rama pastaj dhe më tha që duhet ta lija. Dhe kjo është pa kuptim, Berisha do të japë zgjidhje, po pse vonohet për ta bërë?” – thotë Klosi.

    […]

    Ledi Shamku bën një parashikim: “Vajza, e keni parë Zotin? Jo, e doni nga brenda zemrës. Ndërkohë, kështu është edhe ushqimi: ja nuk e keni përpara, por ju ngop me mendimin”….Vazhdon e vazhdon me minutazh të zgjatur muhabeti i të ngrënit, ndërkohë që të gjithë mbajnë në dorë nga një shishe ujë…

    […]

    E para enigmë e kësaj greve është kohëzgjatja. Nuk duan të nxjerrin emrat e grevistëve. Një pjesë e mirë e tyre, ose kanë familjarët nëpër punëra, apo njerëzit e afërt. Madje, madje, as fotografi. Ndërsa kaloja me kameran e “News” për të vënë vetë grevistët të flisnin, kishte edhe nga ata që kthenin shpinën. Frika, apo kauza? Kjo ishte dilema më e madhe.

    […]

    Isha e autorizuar që për çdo lloj dyshimi të hapja çdo çantë. Nga pasditja, kur vinin familjarët e grevistëve dhe u sillnin atyre tesha të lara, çdo gjë kontrollohej me imtësi. As çamçakizat nuk lejoheshin në këtë kamp. Ky ishte urdhër.

    […]

    Dje, për herë të parë u emocionuan me protestën sepse turma e njerëzve ndryshoi itinerar. Nuk kaluan mes përmes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, por kaluan mes përmes bllokut, duke bllokuar edhe qarkullimin e makinave dhe kaluan më pas prapa hekurave në sheshpushimin e kampit të grevistëve. Aty dolën edhe grevistët e urisë dhe mallëngjimin, lotët, emocionet nuk i mbanin dot. Protestuesit i mbështesnin dhe bërtisnin para tyre, ndërkohë që këta nga brenda hekurave përloteshin. Një urdhër nga shtabi i kampit vjen për të futur grevistët brenda çadrave.

    […]

    Nuk u hyj fare arsyeve për çështjen e hapjes apo jo të kutive. Por me aq sa pashë brenda gjatë gjithë orëve derisa mbylla sytë, kjo ishte një grevë e vërtetë. Dhe të gjithë grevistët vinin në pikëpyetje pikërisht këtë fakt: Pse bëheshin pyetje dhe pse vihej në dyshim greva e tyre e urisë? Sot në mëngjes do dal nga greva ime e urisë 24-orëshe dhe nga greva e urisë e socialistëve. Por, me përshtypjen se aty pashë grevistë me shpirt të madh dhe të bindur në një ideal: Nuk dalim pa hapur kutitë!

  11. “”””Eshte vertet gallate e mirfillte, dhe e kam fjalen per permbajtjen e artikullit, s’e kam fjalen per faktin qe kjo drejtuese e nje prej mediave me te medha shqiptare, kur eshte perpjekur te perktheje shprehjen gazetareske “embedded journalism” ne shqip, duket se ka kujtuar qe don me thene se gazetari qe p.sh. mbulon terrorizmin duhet te hedhe veten ne ere me bomba nje dite (ose te pakten te perpiqet per 24 ore) ne menyre qe ta kete mundesi t’a percjelle sa me mire lajmin tek masat.”””””

    Ore, dua një përgjigje të sinqertë, je i ndërgjegjshëm “s’e” po thua budalliqe? Sinqerisht e kam.

    PTF-ja më dukej ambjenti i fundit që mund të përfshihej nga xhibizmi. Xhaxha, disa standarte duhen ruajtur, ndryshe (të paktën për veten po flas), pjesëmarrja në blog bëhet repulsive.

    1. Ore, dua një përgjigje të sinqertë

      Une ty te kam dhene disa pergjigje te sinqerta, te cilat ti i injoron.

      Ja dhe nje here:

      Me vjen ndot te komunikoj me ty, sic ti e di mire. Keshtu qe mos mu drejto ose refero.

      Sa here duhet te ta them kete qe ta vesh ne zbatim, se dhe ketu tek PTF me duket ta kam thene nja dy here?

      Ketu, ndryshe nga Peshku apo ambiente te tjera ku bajgat tolerohen me shume, zakonisht ka argumenta, jo bajga. Keshtu qe nese do ta pegeresh ambientin, beje kete pa lidhje me mua.

      Have a nice life, or anykind, for that matter.

  12. greva e urisë vërtet është gjest para së gjithash politik, por që e ka potencialin për ta shkelur kufirin midis politikanit si aktor të teatrit politik dhe politikanit njeri, meqë e ndihmon politikanin ta vërë edhe trupin e vet në punë. Nuk është rastësi që kreu i opozitës Rama deklaroi, besoj dje, se trupi i tij ishte në dispozicion të kauzës

    Taktika vetemohuese per nje perfaqsues te nje populli materialist tingellon shume qesharake.

  13. Tamam ashtu Qafir Arnaut. Qe mendja e politikaneve nuk prodhoi asgje te mençur kete e kemi pare deri tani te gjithe.

    Ishte trupi qe nuk kishte folur. Se fundi edhe ai foli, por nuk tha asgje me shume.
    Tani te presim trupin e kryetarit çfare çudie do te beje.

  14. Elsa Lila eshte ne te drejten e saj te futet ne greve urie, por futja midis ovacioneve, kamerave britmave te turmes se vogel etj., m’u duk nje turp i vertete.

    Nuk kisha para shenje me te qarte te kalbezimit dhe degjenerimit qe pesojne ne Shqiperi te mjeteve te luftes politike.

    Greva e urise, eshte nje akt deshperimi qe perdoret atehere kur nuk ka mjete te tjera apo eshte nje mjet si gjithe te tjeret per te treguar natyren prej karagjozesh te politikaneve shqiptare?

    Per kete kishim mjaft prova, nuk ishte e nevojeshme
    qe pjese e kesaj suite te behej edhe akti i teatrit naiv te Elsa Liles.

    1. “Sot më lejoni motra dhe vëllezër të jem një shpirt më shumë më shumë në barrikadën njerëzore përballë shurdhërisë. Sot dua të jem një zë më shumë në korrin e madh të lirisë që nuk ka veshë të mos e dëgjojë, që nuk ka sy që të mos e shikojë, që nuk ka trup, mendje dhe shpirt të mos e ndjejë. Se sot ka ardhur ora e qytetarit”

      Kjo eshte nje pjese nga fjala e Elsa Liles para cadres se greves se urise. Kur ajo do te thoshte se ndihej si Shega, si Ledi, si Elisa…Per ata qe nuk e ndjekin politiken ne Shqiperi, fjala e Elses mund te konsiderohet edhe si zbulim i nje talenti te pashprehur me pare ne artikulime publike. Ndersa per ata qe e ndjekin ne perditshmeri politiken ne atdheun tone rrezellites, kuptohet shume mire se origjinale ne kete fjale ishte vetem sfondi i krijuar nga syte e melankolizuar te kengetares. Fjalia e parafundit zbulon nje ritem fraze te preferuar ne monologjet e pafundme qe zeri i se “Rese” po i reciton si ushtrim politik perballe rrangalles se salduar mire me historine e ketyre 20 viteve. Fjale te porositura per nje akt teatral qe si duartrokitje ka cinizmin e pales tjeter qe shprehet njesoj si ne stadium:

      “Edi Rama trim me flete
      nxirri nenat
      futu vete”.

      Deklarates per dorezim te trupit te kryetarit nuk i mungoi edhe sot etiketa e asaj qe quhet telenovela e protestave;

      “Edin nuk e le mami te hyje ne greve”, – ishte titulli i gazetes Koha Jone.

      Nese e shohim holle – holle, propaganda vulgare, por jo e trashe e shumices ne pushtet imiton stilin e dikurshem te Diktatures, qe e skualifikoi sterilizoi memorien kolektive per nacionalistet , vetem me ngulitjen e idese se pulengrenies ne mase. Por ajo qe ben dallimin eshte fakti se pulengrenesit u vizatuan te tille si personazhe dhe qe ne jeten e perditshme vetem heshtnin te detyruar. Atyre iu dha nje rol, i cili luhej per ta nga te tjere. Ndersa sot kjo parodi qe po lind te subjekti pasiv, pra vezhguesi i greves, me ndihmen e fantazisteve te njohur te djathte, ka si element domethenes protagonistin qe flet, komunikon, deklaron, merr vendime dhe apelon publikisht. Kjo duhet te beje te kuptoje mire se greva e urise qe nxit satiren si kundershtim, ka humbur perspektiven politike. Ajo eshte vetem nje proteste e enklavizuar qe edhe fizikisht edhe simbolikisht ka si qender dhe periferi vetem veten. Me sa duket indiferenca absorbon me mire se cdo gje tjeter, sidomos kur media nuk shteron se dheni arsye per te vene buzen ne gaz.

      1. greva e urise qe nxit satiren si kundershtim, ka humbur perspektiven politike

        Ose populli ka humbur komplet perspektiven. Duket sikur edhe Harvardisti Arben Malaj eshte futur ne tende, packa se dikur ishte kunder zgjidhjes te problemit ‘jashte institucioneve’. This just doesnt make sense at ALL.

        1. Nuk e ka humbur populli jo perspektiven, por sepse kembengulim ne qe fjalen e urte: “mos i bjer asnjehere shkurt”, e perkthejme praktikisht ne: “bjeri sa me gjate te kesh mundesi”.

  15. Qerthulli mbyllet. Mbrëmë në Radio Radicale Marco Panella (javën që shkoi mbushi 80 vjeç) deklaroi se ka ndërmend të fluturojë në Tiranë në përkrahje të grevës së urisë së socialistëve. Kërkon të takohet edhe me Ilir Metën (“për t’i tërhequr veshin” – tha). Eshtë e qartë që e kanë blerë – shtoi – janë vetëm 4 deputetë…dhe 3 ministra. Intervistë e gjatë, 360°, ku Shqipëria u cek si njëri nga argumentet.

    1. Interesante, Flm per informacionin.

      Po derisa te vije ne Tirane nuk presem dot. Te lutem na thuaj, per kutite, a tha gje per kutite cfare duhet te bejme me to?!

      _____

      Tufa ka nje shkrim bejtist antiRevolucionar: http://www.gazetastart.com/analiza/analist/Agron_TUFA/1009/

      Gjithashtu, kisha vene re keto dite qe Deutsche Welle s’kishte asnje artikull per greven, sikur te mos egzistonte. Sot eshte dita e pare qe kane disa artikuj online per te.

      Mendova ose kane marre nje vendim redaksional qe s’do ta mbulojne sepse x apo y arsye (po kjo me dukej prap e cuditdshme) ose, me shkoi mendja, ngaqe Rama dhe te vetet, ashtu si neper mitingjet e zgjedhjeve vjet, kane qene teper selektive se sa dhe ke lene te mbuloje greven (kam parasysh nje video nga Zeri i amerikes i ketyre diteve qe thoshte gazetari “s’eshte e lehte te mbulosh greven”, dicka e tille) mbase kane pasur ndonje incident me keta dhe keta ne proteste s’e kane mbuluar.

      Ose mbase kishte dhe arsye te tjera. Di gje njeri? 🙂

  16. S`di njeriu shkrete te qeshe apo te qaje me c`fare ndodh ne Shqiperi
    Shteti yne eshte si ai budallai i fshatit, qe te gjithe e njohin, por askush s`ia ve veshin, kur ai flet apo kur e takojne rruges
    E pranojne, ashtu sic eshte, se gjindje edhe ai. Se ku ha ai njeri, ku jeton, si jeton, cfare e gezon apo e hidheron, a vuan apo eshte ne rregull, eshte i piset sepse aq di edhe do, apo s`ka mundesi me shume, a ka te haje tre vaktet, apo e mbyll me dy here ne dite, ku njera prej tyre merr formen e nje zarzavateje te pa gatuar, perseri muhabeti nuk shkon pertej kuriozitetit apo thashethemnajes kur bie fjala rreth filxhanit te kafes
    Dhe kur fshati fillon e zihet ngusht here nga bora, here nga shiu, here nga uji apo dielli, budallain e fshatit, qe aq di e aq ben, fillojne dhe e marrin me fishkellima e me te bertitura qe te levize me shpejt e madje t`ia marre me vrap, sepse i duhet qe te shkoje ne cdo qoshe te fshatit ne te njejten kohe, pavaresisht se aq jane mundesite e te shkretit. Pastaj ka edhe nga ata “te fortet” e ketij fshati, qe s`dihet sepse perendia e krijoi aty maje gureve, te cilet per te treguar se jane zot te vendit, e kapin kete mjeran per veshi, ose me shpulla kokes e shkelma bytheve, duke i bertitur qe te mos rrije e te mendohet si dudum, kur fshati po digjet, por te levize. Se s`eshte as kurve, qe mund ti falet nje gje e tille, e as i huaj qe s`i hyn gje ne xhep se u dogj apo u poq, sepse eshte pikerisht ai fshat qe e mban ate me buke.

    Edi Rama eshte i gatshem t`ia fale trupin kauzes? E ciles kauze, del pyetja? To atract a mate? Or to enhance his position in the social hierarchy te fshatit shqiptar? Sepse mundesi tjeter nuk ka.
    Pastaj bashke me te jane edhe te gjithe ata nga skajet e diskursit politik e social te fshatit qe perpiqen “ to fit in group”, te jene pjese e grupit, dores. Proza e te gjithe ketyre trup falesve karakterizohet nga nje perdorim promiskual ( ose kurveror) i fjale-shenuesve qe perpiqen ta legjitimizojne perpjekjen e tyre per fisnikerim apo shenjterim e diskursit te tyre mbi budallain e fshatit.

  17. Kuba,me ligjine e saj “ligji 88”,dënon me burg gjithë ata që “mbështesin politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duan të shkatërrojnë Shtetin Socialist të Pamvarur të Kubës”.
    Orlando Zapata vdiq në grevën e tij të urisë në nje burg në Kubë.Media Kubane Granma,gazeta zyrtare e Partisë,e quante kriminel ordiner.Pas tij,pesë të dënuar të tjerë filluan grevën e urisë.Të gjithë të dënuar me “ligjin 88”.
    Gazetari Guillermo Farinas,i liruar nga burgu për arsye shendetësore,në shenjë mbështetje menjëhere njoftoi prej shtëpisë së tij fillimin e greves së urisë .

    Fjalët e shkrimtarit Armando Valladares,i cili ka kaluar 22 vjet në burgun e ishullit De Pinos nën akuzen e tradhëtisë:”Kam marrë pjesë në shumë greva urie.Nje veprim i dëshpëruar,i vetmi mjet që ka një i burgosur për t’ju dëgjuar zëri”.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin