RAI NUK FLET SHQIP

Që nga data 1 tetor 2007, RAI nuk po transmeton më lajmet në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për një shërbim shumëvjeçar, në valë të shkurtra, që RAI kryente për llogari të Kryeministrisë Italiane. Së bashku me shqipen, nga radiotelevizioni publik italian “fshihen” edhe gjuhë të tjera të huaja, gjithsej 26.
E kuptoj që në Shqipëri ky lajm nuk kishte si të vihej re, meqë pak vetë, në mos askush, e dëgjonte emisionin në fjalë. Kohët e arta ky emision ndoshta i ka pasur gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Natyrisht, për dëgjuesit shqiptarë të asaj kohe nuk mund të ketë të dhëna, por kurioziteti i madh që mbizotëronte gjithkund dhe dëshira për të ndjekur emisionet e RAI-it, përveçse dëshmitë njerëzore, na bën të mendojmë se midis periudhës së atëhershme dhe të tanishmes nuk mund të bëhen krahasime.
Emisioni i lajmeve në shqip të RAI-t u la të atrofizohej gradualisht. Lajmet nuk kishin asnjë lidhje me aktualitetin shqiptar, ishin autoreferenciale, ndërsa për gazetarë shqiptarë as që mund të bëhej fjalë. Në të vërtetë e tërë redaksia e shqipes përbëhej nga një përkthyes, detyra e të cilit ishte të përkthente në shqip lajmet që i vinin nga redaksia e RAI-it. Për dëgjuesin shqiptar bëhej e vështirë, në mos e mërzitshme, ndjekja e çështjeve si dydhomësia parlamentare, grevat e transportit lokal, sistemi i zgjedhjes në komuna, apo ndonjë kronikë e zezë nga ndonjë fshat i humbur i veriut.
Tjetër politikë ndoqën radiotelevizionet me emër si VOA (Voice of America), BBC, apo DW (Deutsche Welle). I fuqizuan redaksitë e shqipes, krijuan lidhje direkte nga Shqipëria, përqendruan vëmendjen në realitetin shqiptar. Kjo solli rritjen – sidomos në periudha krizash – të dëgjuesve të këtyre emisioneve. Disa prej tyre arritën ta transmetonin emisionin edhe në valë FM, pas marrëveshjeve të posaçme me radiotelevizione vendore.
Në qoftë se analizat nga pikëpamja e pasojave gjeostrategjike të Italisë nuk kanë munguar, problemi nuk është parë ende nga ana tjetër e Adriatikut. Mbyllja e emisionit në shqip e në gjuhë të tjera dëfton edhe mbylljen e politikës së jashtme italiane, e cila i ka mëshuar së fundi vokacionit të saj mesdhetar dhe synimeve për krijimin e një hapësire sigurie e paqe. Skizofrenia politike italiane dallohet edhe në fjalët e bukura që thuren për Ballkanin, si portë drejt vendeve të lindjes, pra si mundësi zhvillimi ekonomik për të gjithë.
Parë nga Shqipëria, lajmi i mbylljes së lajmeve të RAI-t në shqip nuk tingëllon kurrsesi pozitiv. Ndërkohë që pritej një ndërrim kursi, shërbimit iu dha dënimi kapital. Kjo pikërisht në vigjiljen e eventeve të rëndësishme si p.sh. statusi i Kosovës. Nga ana tjetër, vendet si Shqipëria kanë nevojë për vëmendje, sepse janë demokraci të brishta. Në këtë kuptim lajmet në shqip duhen kuptuar edhe si operacione kulturore, aq më tepër që RAI në italisht nuk është se dëgjohet apo shikohet si dikur.
Ndjenja e vetmisë vërtet nuk ndihet në Tiranën kaotike, por polemikat dhe zhurmat e brendshme gjithnjë e më shurdhuese, i ngjajnë jo pak këngës që ia merr fëmija në pyll kur është vetëm. Për të larguar frikën, kuptohet.

7 Komente

  1. Mungesa e një publiku, si pasojë e rasteve që u përmenden por dhe të ndryshimeve teknollogjike të këtyre viteve të fundit, ndoshta është një nga arsyet pse shteti italian nuk financon më këto shërbime radiofonike. Kohët kanë ndryshuar dhe njerëzit nuk kalojnë më kohën nëpër radio për të dëgjuar lajmin që mund ta marrin të freskët nga interneti. Në një kohë kur dhe televizionet e kanë të vështirë të gjejnë një publik (korrekt), si rrjedhojë dhe reklamues për të paguar shërbimet që televizioni bën, mbyllje të tilla hyjnë në metodat që ekonomia e tregut i detyron institucionet televizive të kenë ndryshime të shpeshta.

  2. Problemi qëndron pikërisht këtu. RAI nuk është se po e ndryshon tipologjinë e transmetimit në shqip. Po e mbyll dhe pikë. Nuk do të ketë më lajme në shqip, as nëpërmjet internetit, as nëpërmjet televizionit. Çdo thotë kjo për ne shqiptarët?

  3. Nuk e di se kush mund të jetë vlera e një transmetimi të tillë ku radio dhe televizioni kanë ndryshuar shumë këto vitet e fundit.Kontaktin me Shqipërinë dhe me jetën që bëhet aty,shqiptarët që jetojnë në Itali preferojnë ta kenë nëpërmjet rrjeteve që ato i besojnë dhe zgjedhin.Shoh që ky vendim ndoshta ka peshuar për qeverinë Prodi,por meqënëse ai ka vëndosur t’i “dobësojë” pak financimet publike,ka vëndosur edhe në një fund të tillë që për çudi nuk gjendet ndonjë artikull tek La Repubblica apo Corriere della sera.Sidoqoftë,shqiptarët në Itali do të kenë mundësi të ndjekin politikat e mediaset-it apo të Rait duke iu nënshtruar rregullit të publikut (audimati) që do të thotë që paraqitet një program për të sjellë përfitime dhe pak për të zhvilluar kulturën,lajmin apo dhe shkëmbimet.Ndër të tjera,nuk mendoj që televizioni ka ndonjë garant ku njerëzia të thithi kulturë,ndoshta ndryshimi është më i dukshëm tek radio.

  4. Une sot po marr vesh qe RAI paska patur emision shqip.

    A thua te kete lidhje mbyllja e transmetimit me faktin qe ne Shqiperi edhe 3-4 vjecaret dine italisht??? Apo mbase ata qe s’dine akoma italisht nuk jane as te interesuar per lajmet qe transmeton RAI ne shqip?

  5. Edhe gjate luftes se ftohte, vecanerisht viteve 70-80 sinjali i RAIt ne shqip ka qene shume i dobet. Ka patur nje program lajmesh prej 15 minutash me vale te shkurtera aty rreth ores 21. Ndonjehere programi as nuk degjohej fare. Jepeshin lajme te thjeshta, shkurt e pa komente e referenca mbi gjendjen ne Shqiperi. Me 1985 kur dola ne Itali u takova me drejtuesin dhe folesin e programit ne shqip, Albert Ashikun, i ikur prej Shqiperie menjehere pas luftes. Ai kishte nje tryeze pune ne zyren e RAIt dhe kjo tryeze ishte edhe redaksia e sherbimit shqip. Pra ai punonte i vetem. Duket se edhe gjate luftes se ftohte, Shqiperia nu zinte ndonje vend interesimi ne politiken e Jashtme italiane.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin