TEKNIKA TË IDIOTIZIMIT

Një artikull i para disa ditëve i The New York Times (We have Met the Enemy and He Is PowerPoint) i kthehej një teme të trajtuar edhe më parë nga kjo gazetë dhe të tjera zëra të shqetësuara në mediat: idiotizimit që sjell me vete programi i kudogjendur PowerPoint.

Ky program, pjesë e suitës Microsoft Office, përdoret gjerësisht për “prezantime”, ose komunikime të mërzitshme të dhënash, në formë pseudo-statistikore, të shoqëruara nga gjithfarë strategjish, pikash kyçe, fazash dhe etapash dhe të tjera gjepura të huazuara nga bota e marketing-ut dhe e business-it.

Artikulli i përmendur më lart trajton irritimin e ushtarakëve të NATO-s në Afganistan me metodën e prezantimit të induktuar nga përdorimi i këtij programi. Ideja e përgjithshme është se PowerPoint po i budallalleps përdoruesit e vet dhe të gjithë ata të tjerët që dashur pa dashur i ekspozohen.

Gjenerali amerikan i brigadës H.R. McMaster njihet, ndër të tjera, si ushtaraku që i ndaloi prezantimet PowerPoint gjatë fushatës që udhëhoqi, në 2005, për të vendosur sigurinë dhe qetësinë në një qytet në veri të Irakut; sipas tij, PowerPoint duhej konsideruar si “kërcënim i brendshëm”.

Rreziku i këtij programi, shpjegon gjenerali, ka të bëjë me faktin se ai krijon iluzionin e të kuptuarit dhe të kontrollit. Sipas tij, kjo i detyrohet konceptit dhe teknikës parashtruese me anë të bullet points, të cilat nuk marrin parasysh ndërvartësitë.

Shtatë vjet më parë, përsëri The New York Times, e kritikoi ashpër programin PowerPoint (PowerPoint Makes You Dumb), duke vënë në dukje, ndër të tjera, se përdorimin e slideware, ose programeve për prezantim nëpërmjet diapozitivash (slides), e kishin identifikuar si një nga shkaqet që çuan në aksidentin e shuttle-it Columbia në 2003.

Teoricieni i informacionit Edward Tufte ka arsyetuar, me një pamflet të vetin të mirënjohur, se stili kognitiv i imponuar nga PowerPoint i shtrëngon përdoruesit që t’i përçudnojnë të dhënat; dhe t’i organizojnë artificialisht mendimet në lista të bulletizuara, të cilat e çlirojnë folësin nga përgjegjësia për t’ia ruajtur informacionit dhe mendimit unitetin.

Shkruan autori Clive Thompson:

Ndoshta PowerPoint i përshtatet mirë epokës sonë moderne të errësimit (obfuscation), ku manipulimi i fakteve është po aq i rëndësishëm sa edhe paraqitja e tyre qartë. Nëse ti nuk ke asgjë për të thënë, ndoshta të duhet pikërisht ajo vegël prezantimi të që të ndihmon për të mos e thënë.

Tufte, nga ana e vet (PowerPoint Is Evil), kritikon jo aq programin PowerPoint në vetvete, të cilin e konsideron si të përshtatshëm për prezantime dhe projektime diapozitivash; por përdorimin që po i bëhet sot, nga teknokracitë anembanë.

Veçanërisht shqetësuese është, sipas autorit Tufte, prirja që modeli i bulletizuar të adoptohet nga shkollat; kur fëmijët gjithnjë e më tepër po stërviten jo aq të hedhin mendimet në letër nëpërmjet fjalish të plota, sesa të shkruajnë prezantime shitjesh (client pitches) dhe tekste infomerciale.

Një pjesë të pamfletit të Tufte-s, ku analizohen të metat strukturore të PowerPoint si vegël për organizimin e informacionit mund të lexohet këtu.

Natyrisht, bulletizimi në tekstet shkollore dhe praktikën didaktike nuk ka lidhje vetëm me PowerPoint; por i përket një paradigme e cila përfshin edhe testet multiple-choice, përdorimin masiv të formularëve si ndërfaqe e komunikimit të institucioneve me publikun, sistemet e automatizuara të shërbimit telefonik të klientëve, shabllonet e resumé-ve, sondazhet e opinionit dhe programet interaktive për ndreqjen e defekteve dhe shmangien e problemeve (troubleshooting).

Breza të tërë, në vendet teknologjikisht të përparuara, po rriten dhe edukohen me një stil të bulletizuar të menduari, i cili ndoshta i ndihmon për të bërë përpara në karrierë dhe për të gjetur punë në shumëkombëshet ose në burokracitë e hatashme ndërkombëtare, por që në thelb funksionon si kafaz, ose më mirë supresant i mendimit të lirë. Bulletizimi jo vetëm lë jashtë komunikimit, në mënyrë flagrante, gjithçka që shtrihet në hapësirën midis paragrafëve të bulletizuar; por edhe, çka është edhe më alarmante, shpërfill njësinë e konceptit, ose ndërvartësinë e çështjeve të trajtuara.

Pozicioni i Tufte-s është kritikuar nga të tjerë studiues të teknikave të komunikimit (një parashtrim të këtyre kritikave mund ta lexoni këtu). Megjithatë, atij i mbetet merita e padiskutueshme që ka qenë ndër të parët që ka denoncuar, me forcë dhe autoritet, ndotjen madje molepsjen e komunikimit publik nga diskursi tregtar ose i marketing-ut. Rreziku më i madh i këtij infektimi, besoj unë, ka të bëjë me atë që diskursi tregtar (komercial) nuk synon të vërtetën, por bindjen nëpërmjet manipulimit; meqë qëllimi përfundimtar i folësit është të bindë dëgjuesit që ta blejnë mallin.

Tek e fundit, jo më kot teknikat e komunikimit komercial dhe promocional janë adoptuar prej kohësh me sukses nga propagandistët politikë në demokraci, të cilët duan t’ua shesin produktin e tyre politik zgjedhësve, përkundrejt votës…

Nuk ka komente

  1. XhaXha,

    Kjo menyre te komunikuari eshte pjese e natyrshme e te njejtes kulture qe provimet shkollore i ka thjeshtezuar (por edhe idiotezuar) ne lista pyetjesh per te zgjedhur mes pergjigjeve te dhena apo qe mendon se gjuhet e huaja mund te mesohen duke pervetesuar nje numer fjalish te shkeputura te perdorshme ne rrethana te ndryshme.

    Qe kjo forme komunikimi sjell disa perparesi e perfitime, kjo nuk diskutohet. Po prodhimet e ketij lloj edukimi jane shpesh njerez qe kane konceptet dhe situatat e aplikimit te tyre, por qe po ashtu si ne letrat e provimeve te tyre kane pak cfare te gjesh ndermjet koncepteve.

    Fitorja e fjalise kunder paragrafit, e citatit kunder kontekstit etj historikisht kane idiotezuar shoqerite duke dekurajuar aftesite interpretuese, improvizuese e si rrjedhim edhe rebelimin e mendimit.

    Tani nuk e di nese “komunikimi komercial e promocional” eshte burim i kesaj kulture apo kjo kulture ka pjelle formen e suksesshme por edhe abuzive te ketij komunikimi. Por gjithesesi duket qarte qe te dyja frymezojne dhe ushqejne sot njera-tjetren.

  2. artikull shume i mire, teme tronditese. Kam nje rast personal ne caqet e barsaletes. Kam pas punuar ne nje ojf dhe 1 here ne vit isha i detyruar qe te prezantoja ne anglisht (njohuri minimale) ecurine e vitit te shkuar dhe planet e se ardhmes. Po te mos kish shpikur p.point ai burri me mend dhe me pare, do kisha ngrene dynjane. Mendoj se nje shkrim mbi gjuhen e prezantimeve duhet tek Gjuha totalitare. Tung xhaje

  3. Cila gjuhe totalitare, t? Ajo e kapitalizmit? Shabllonet jane kafaze qe e vrasin mendimin kudo e kurdo qofte… nese ka mendim per te vrare.

    Por ka njerez qe e perdorin PP me shume efikasitet. Ata qe shkruajne jo me pak sesa 6-7 fjale per slide, qe ta mbajne te informuar e ta ndihmojne degjuesin qe ne ato caste te konferences mendon se cfare rezultati ka ndeshja qe po kryhet ne te njejten kohe me konferencen apo se cilen ngjyre te kuqi te perdore te nesermen me fustanin bezhe.

    E lexova ate shkrim ne NYT dhe pata nje reagim te ngjashem me kete qe keni ju te tre. As une nuk e praktikoj fort PP, por edhe hallakatem kur flas pa nje guide dhe me duket se le pa thene gjera qe kisha ne plan t’i thoshja. Kam pare raste te perdorimit perfekt te PP, dhe jo per te kornizuar ne menyre perfekte hicin, por gjera te mencura.

    Si cdo mjet teknologjik qe ndihmon shprehjen e ideve, perdorimi i PP nuk duhet ekzagjeruar. Ka raste kur nje slide eshte totalisht e mbushur me tekst, kur bullets kundershtojne idene themelore qe kerkohet te shprehet. Por ka edhe raste kur vlen. Fotot ne PP jane shume efikase, them une.

  4. and also… why is Power Point a “he”, njelloj si edhe “armiku”? NYT ndoshta nuk guxon e nuk do te beje armike nje grua:)

    1. Besoj se titulli i artikullit të NYT parodizon një shprehje të njohur të ‘amerikanishtes’: we have met the enemy and he is us. Google më thotë se kjo shprehje është përdorur për herë të parë në një strip vizatimor: POGO.

      Autori i stripit Walt Kelly e shpjegon kështu.

  5. Pervec shqetesimeve qe deri diku qendrojne ne kontektsin e kultures perendimore besoj se ne kontekstin e kultures shqiptare perdorimi i Power Point eshte me i domosdosshem se kurre. Kultura e ligjerimit ne shqiperi eshte e mbufatur pa koke e pa fund dhe shpesh here edhe pa qellim.

  6. ED, shume bukur e ke kapur perdorimin e gjinise mashkullore ne titullin e NYT. (Ata e dine mire qe “vajzat po na ndjekin” dhe sigurisht nuk do te guxonin te perdornin “she” ne nje kontekts negativ.)

    Po mua kjo puna e korrekteses politike ne vend qe te me nervozoje me defren. Eshte gje simpatike.

    Me vjen per shembull t’i shkruaj per humor nje ankese NYT ku t’i pyes nese e kane konsideruar PP si mashkull ngaqe mendojne se femrat flasin me tepri dhe ne menyre te corganizuar.

    Kjo do t’i vinte ne poziten qe amerikanet e quajne “damned if you do, damned if you don’t”.

  7. Jam dakord me dy komentuesit e fundit lidhur me perparesite e programit per njerezit qe kane veshtiresi t’u japin strukture prezantimeve, argumenteve apo formave te ndryshme te retorikes se tyre si edhe per njerezit qe e kane te veshtire te ndjekin folesin nese nuk u ofrohet nje lloj strukture e vizatuar e asaj qe po degjojne.

    Sot “shkenca” e komunikimit niset nga emeruesi me i vogel i perbashket, lexuesi pertac dhe degjuesi i pavemendshem. Ideja eshte qe nese arrin edhe tek ata, ke arritur te te gjithe.

    Kjo ne fakt te kthen te debati i komercializmit. Ai qe shet dicka eshte i interesuar ne kete lloj suksesi, se kerkon qe te blehet nga te gjithe.

    Eshte ikja perfundimtare prej prirjeve elitare, qe tashme i perkasin historise. Ne kuadrin e atyre prirjeve nje paraqite te cilen vetem pak vete mund ta ndiqnin e kuptonin konsiderohej sukses.

  8. Mos ma merr per kapital,

    mbase duhet parë edhe opsioni, që njërëzit, të cilët kanë vështirësi t’i japin një strukturë mendimit të tyre, edhe mund të heshtin deri sa të mësojnë ta bëjnë këtë gjë.

    Ajo që më ra mua në sy në artikujt që shoqëronin shkrimin e autorit ishte shqetësimi që prezantimet në power point në vetvete nuk kanë substancë informative por në thelb shkaktojnë një efekt vetëm optik. Dikush në to kish shkruar akoma: “nuk ke për të thënë asgjë, atëherë bëj një prezantim me power point”.

    Informacioni i reduktuar në prezantim nuk është më informacion dhe shumëkush që bie viktimë e iluzionit të të qenit i informuar është po aq i paditur sa më herët, madje edhe më shumë akoma, ngaqë më herët e dinte se ishte i paditur e tani beson gabimisht diçka tjetër.

    Kur ti thua që, kur me power point ke arritur dëgjuesin e pavëmendshëm, ke arritur edhe atë të vëmendshëm, kam frikë se nuk ke vëne re, ë midis tyre ka një dallim substancial. Dëgjuesi i vëmendshëm dhe ai i pavëmendshëm nuk ndryshojnë nga njëri – tjetri në kuptimin kuantitativ të fjalës por në atë kualitativ. Në momentin që një tabelë power point ka arritur të tërheqë vëmendjen e dëgjuesit të pavëmendshëm, ligjëruesi e ka humbur dëgjuesin e vëmendshëm, pasi predispozicionet e këtij të fundit për të dëgjuar kanë shterur ose ai tashmë e ka përqendruar vëmendjen diku tjetër.

    Gjetja e një emëruesi të përbashkët të masës dëgjuese, me power point duket pak si një veprim stalinist dhe në fakt nuk është më tepër se ajo gjendja, që një masë e caktuar njerëzish gjendet vetëm fizikisht përpara një informacioni apo prezantimi, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë se vetëm që ata njerëz janë vënë në rresht.

    Duket sikur problemi primar i power point është keqkuptimi në perceptimin e funksionit të kësaj vegle pune, kur prezantimi dëbon informacionin nga komunikimi duke i zënë vendin.

  9. Pifto,

    Me pelqen kapja jote. Nje ide tjeter do te ishte qe ata qe nuk kane strukture mendimi nuk i shpeton edhe power point sepse programi nuk te jep strukturen qe te mungon por “veglat” qe te vizatosh strukturen qe tashme e ke ne koke.

    Ndersa lidhur me konfliktin ne kerkimin emeruesit te perbashket, jam dakord ne parim po e kam te veshtire te shpjegoj suksesin e metodes.

    Lexuesi i vemendshem, per nje arsye apo nje tjeter, ka mbetur ne thes. Ndryshe nuk do te flisnim sot per pp si nje problem kulturor.

    Une vete ne fakt kam lexuar per rebelimin kunder programit perpara se te mesoja apo te me kerkohej qe te perdorja vete programin.

    Kam pare te perdoret me pasion nga njerez qe jane shume me lart se inteligjenca mesatare e njerezve qe na rrethojne. Njerez erudite madje me pikepamje revolucionalizuese ne shume fusha te jetes.

    Ndoshta keta besojne se pp i kufizon ata por u nevojitet degjuesve te tyre qe jane me te sfiduar ne aftesine per te perpire informacionin e dhene. Gjithmone ideja e ndihmes per ate qe nuk mundet se i zoti na kupton gjithesesi.

    Shiko ne fund, do te doja te hidhja edhe nje hipoteze. Ne nuk kemi si ta dime, por ndoshta nje debat i ngjashem mund te kete lindur me prezantimin e shkumesit dhe derrases se zeze ne klase.

    Dikush mund te kete protestuar se derrasa e zeze terheq vemendjen nga fjalet e mesuesit dhe i ben nxenesit e studentet te varur nga elementi grafik e permbledhjet thjeshtezuese.

    Sigurisht, formula te veshtira nuk mund te thuhen thjesht me goje se humbasin ne eter, po kjo nuk ka ndonje ndryshim nga arsyet per te perdorur pp. Nga ana tjeter, ne oret e letersise, historise etj perdorimi i derrases se zeze mund te kete pasur te njejtin efekt si ai i pp, sot.

    Po pertoj tani te google punen e historise se derrases se zeze dhe nuk e di sesa qendron vertet si krahasim, por ne parim, cdo forme lehtesuese e thjeshtezuese ne komunikim ka gjithnje gjasa te hase ne debate. Une kam deshire te besoj se eshte menyra e perdorimit qe eshte problem sesa vete mjeti i perdorur. (Tjeter muhabet nga kjo teme: shkopin me te cilin tregoheshin vendet ne harte, nje mesues ne shkollen time e perdorte per te na kopanisur. Tani vite me vone kam edhe nje ide shtese se si mund ta kishim perdorur shkopin e mesuesit – po nejse puna eshte gjithmone pra jo te mjeti po te menyra e perdorimit.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin