PËRTEJ BATUTËS

Takimi i fundit midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Italisë, jemi të bindur të gjithë, do të kishte kaluar pa u vënë re sikur Berluskoni të mos e kishte bërë batutën, tashmë mjerisht të famshme, për femrat shqiptare.

Për ata që nuk e dinë, po kujtojmë se gjatë konferencës për shtyp pas takimit dypalësh, Berluskoni bëri disa batuta tejet të diskutueshme, midis të cilave la shenjë të veçantë ajo për femrat e bukura shqiptare, që u tha në çastin kur Berisha po fliste për ndalimin e trafikut njerëzor midis dy brigjeve të Adriatikut. Sipas batutës së Berluskonit mund të bëhej përjashtim për vajzat e bukura. Gjithsesi, për shkak vështirësish objektive në përdorimin e thonjëzave, por edhe për amatorët e citimit të drejtpërdrejtë, ju sugjerojmë imazhet televizive qarkulluese në internet.

Shënimet e mëposhtme nuk mëtojnë të jenë shteruese, por thjesht një orvatje për të bërë bilancin e parë të një “incidenti” që shkon përtej fushës diplomatike apo mediatike.

Lajmi i kësaj batute u dha menjëherë nga pothuajse të gjitha mediat kryesore italiane. Pjesa më e madhe e tyre përqendroheshin, pak a shumë, tek batuta tipike berluskoniane. Përse vallë? Në përgjithësi mund të rreshtohen katër arsye kryesore madhore:

  1. Berluskoni ka një galeri të pasur me batuta të cilat, sipas pikëvështrimit, mund të konsiderohen pavend ose të goditura, me shije të hidhur ose të këndshme, në caqet e simpatisë ose të shëmtisë. Mediat janë të prirura t’i rendisin në kohë këto batuta edhe për të nënvizuar një farë koherence të profilit berluskonian;
  2. Mediat italiane, si shumë të tjera në botë, janë të marrosura pas fishekzjarrëve rreth lajmit dhe jo lajmit vetë. Kjo për të rritur numrin e lexuesve, por edhe për shkak të procesit të ndërlikuar, deri diku të induktuar qëllimisht, të tabloidizimit të informacionit;
  3. Korniza e madhe ku mund të futet lajmi, nga pikëvështrimi i mediave aktuale, përbëhet nga raporti i Berluskonit me femrat. Ky raport është shndërruar edhe në skandal pas ndarjes me gruan dhe disa marrëdhënie të përfolura jashtëmartesore të manjatit italian.
  4. Korniza më e ngushtë ka të bëjë, së fundi, me hetimin e prokurorisë italiane që prek – gjithnjë sipas mediave – edhe disa skandale të autoriteteve të mbrojtjes civile (që varet nga Kryeministria) me prostituta dhe ryshfete.

Vëmendja e mediave shqiptare është më e lehtë për t’u shpjeguar, sepse duhet parë kryesisht si reagim ndaj batutës në vetvete e më pas si vijim-shtojcë e mediave italiane. Konteksti, për të cilin fola më lart, nuk kishte se si të ndikonte mediat shqiptare. Nuk duhet harruar se elementi politiko-editorial ekziston edhe tek masmediat italiane, ku më shumë e ku më pak, çka i kushtëzon detyrimisht në dhënien e lajmit. Mirëpo, pati qëndrime në hapësirën mediatike shqiptare, që i kaluan kufijtë e normales, sepse për batutën e Berluskonit i kërkuan llogari Berishës, që në rastin konkret mund të konsiderohet deri palë e lënduar, gjithsesi jo bashkëfajtor. Teorikisht, Berisha do të kishte shumë të drejtë të nxehej me batutën e mësipërme, sepse si kryeministër përfaqëson jashtë shtetit edhe femrat shqiptare, sepse po fliste seriozisht kur homologu ia ktheu me shaka (d.m.th. ia prishi muhabetin), sepse do të kishte me siguri preferuar që mediat të flisnin për marrëdhëniet midis dy vendeve se sa për batutën.

Gazetat shqiptare informuan gjithashtu për deklaratat e mëpasshme të Berishës lidhur me batutën e Berluskonit. Fjalët e kryeministrit shqiptar, ashtu siç mund të parashikohej fare mirë dhe siç është logjike në marrëdhëniet ndërkombëtare, i bënin bisht problemit kryesor dhe ishin në thelb justifikuese. Çdo reagim tjetër i Berishës, përveç heshtjes, nuk do të kishte pasur kuptim.

Reagimi i një grupi intelektualësh shqiptarë, protagonistë në jetën shoqërore italiane e më gjerë, m’u duk dinjitoz e i goditur. Edhe pse këto mjete nuk janë gjithnjë të efektshme, duhet pranuar se letra e hapur e ka domethënien dhe legjitimitetin e vet, sidomos kur heshtja bëhet mbizotëruese e zhurmuese. Zërat në shkretëtirë mund të duken absurde, por bëhen të domosdoshme kur shkretëtira është prej indiference ose e ndërtuar artificialisht.

Megjithatë, reagimet ndaj batutës së Berluskonit, ose me mirë ndaj batutave të tij, e kanë përherë një kleçkë, sepse ecin në terren të llumtë plot gropa thithëse. E  jo gjithnjë, jehona e merituar mediatike përkthehet në arritje objektivi. Gjithsesi, rreziku i parë ka të bëjë me perceptimin politik. Berluskoni është një nga ato personazhe që kanë funksionin e ujëndarëses në politikë e shoqëri, sipas motos “ose me mua, ose kundër meje”. Vetë pozicionimi ndaj Berluskonit, madje ndaj një fjalie të tij, perceptohet si pozicionim politik. Kuptohet që ky lloj perceptimi është i shtrembëruar, sepse qytetari mund edhe ta votojë sipas programit, por pastaj të revoltohet për ndonjë batutë të tij. Berluskoni, si të thuash, i skajëzon shqisat dhe ndjenjat e opinionit publik, duke e zbrazur hapësirën e qendrës dhe duke e mpirë ndjenjën e masës. Pra çdo reagim ndaj Berluskonit, përfshirë letra e hapur e intelektualëve shqiptarë, mund të shikohet nga këndvështrimi politik, madje si paragjykim politik ndaj tij. E nuk është se qëndrime të tilla nuk ka pasur ndonjëherë.

Për shkak të klimës kulturore që është krijuar këto vite në Itali, batutat e tij të diskutueshme relativizohen deri në atë pikë saqë reagimet mund të dalin huq, në mos blof. Ndikon, pa dyshim, edhe trajta prej shakaje që marrin batutat e mësipërme. A mund t’i përgjigjesh seriozisht diçkaje që është thënë me shaka? Edhe mundet, por rrezikon të të thonë që s’kupton shakanë. Rasti më flagrant ka qenë cilësori “abbronzato” me të cilin Berluskoni e quajti Obamën, Presidentin e porsazgjedhur të SHBA-së. Polemika pati sa të duash, por shpjegimi i Berluskonit, sipas të cilit termi i fajësuar ishte në thelb kompliment, duket se i “bindi” autoritetet amerikane, sikundër opozitën dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të cilat u akuzuan për antiberluskonizëm dykacidhesh.

Shembuj batutash e xhestesh mund të jepen edhe më. Problemi është se të gjitha janë në cak, në kufi të bonsensit, çka i bën të diskutueshme, por të rrezikshme në kundërveprim, sepse të çekuilibrojnë e të ekspozojnë më shumë seç duhet. Është e vërtetë se batuta të tilla e bëjnë të detyrueshme përgjigjen, po aq sa është e vërtetë se përgjigjet tingëllojnë shpeshherë të tepërta, retorike, madje pa vend. Ka raste që reagimet duken fillimisht të drejta, për të marrë më pas pamjen e topit që zbrazet për të vrarë një mizë.

Përse vallë ndodh ky fenomen? Për karakterin e batutës, së pari. Duke qenë në borderline, ajo është gati e pakapshme, e pafokusueshme, me fjalë popullore të rrëshqet nga duart si ngjalë kënete. Vetë shakaja nuk e pranon reagimin serioz. Shumë shumë, shokut mund t’i thuhet të mos bëjë shaka pa vend, ose pa kripë, por jo gjithnjë mundësohet ky reagim. Përndryshe, ka rrezik të të marrin për leshko. Por a mund të rrihet pa reaguar ndaj batutave të tilla si ajo e mësipërme për femrat shqiptare? Jo, nuk rrihet, sepse shkon e prek jo vetëm nerva të zbuluara personale, por edhe ndjeshmëri kolektive. Madje, nuk rrihet pa folur sepse detyrimisht përshoqërimet të çojnë tek imazhi që ka perëndimi në përgjithësi, e italianët në veçanti, për shqiptarët e shqiptaret. Mirëpo, nuk mund të mohojmë faktin se Berluskoni e tha me shaka, duke qeshur. Pamjet flasin qartë. Madje unë jam i sigurtë që e tha me shaka, sepse nuk ka ndërmend ta bëjë realisht seleksionimin estetik të femrave shqiptare që hyjnë në Itali.

Ka një farë rasenjimi që ka kllapuar opinionin publik italian me barsoletat e batutat e Berluskonit, ndoshta me vetë berluskonizmin. Kjo përbën temë më vete, por lidhur me batutën mund të kishin reaguar edhe femrat italiane, ndoshta të të gjithë botës, meqë në themel të saj mund të fshihet fare mirë një koncept maskilist, seksist, maçist e utilitarist i femrës, që e shikon femrën thjesht si objekt dëfrimi. Ka mundësi të jetë kështu, por mund të më thonë, në fund të fundit, se ishte thjesht shaka e dështuar, pa vendin e pa kohën e duhur. Si të thuash, një nga ato shakatë që themi mes shokësh në bar e që nuk bëjnë për të qeshur. Ndoshta s’bëjnë për të qeshur, por as në bankën e të akuzuarve nuk të çojnë dot. Tek e fundit, mund të shtojnë akoma, nuk është hera e parë që bën batuta të tilla, as mahitet vetëm me shqiptarët. Personazhi është i tillë: miqësor, shakatar, i përzemërt, informal. Ndoshta jemi ne shqiptarët pak të sertë, pasi trashëgojmë nga e kaluara ngurtësi e komplekse. Me siguri kështu thonë. Gabojnë ndoshta?

Është afërmendsh, madje të vjen natyrshëm ta prekësh plagën sociale të prostitucionit, sepse batuta e mësipërme atje të çon, hallkë pas hallke, përshoqërim pas përshoqërimi. Mirëpo, ne shqiptarët kemi vuajtur shumë nga kjo plagë, ndaj edhe na dhemb kur bëhet mahi me këto gjëra, ndaj edhe jemi dakord me reagimin e intelektualëve shqiptarë në Itali. Megjithatë, nuk di ç’t’i thuash atij që të kujton se Berluskoni nuk është për trafikimin e njerëzve dhe se i ka luftuar skafistët. Faktet flasin qartë, trafikimi është luftuar, përndryshe kanali i Otrantos nuk do të ishte kaq i zbrazët si tani.

Situata paraqitet disi e ndërlikuar e viskoze, ndoshta pa zgjidhje imediate. Edhe në këtë pikë nuk mungojnë analogjitë me realitetin shqiptar, sikurse nuk mungojnë shenjat e qarta të berluskonizmit në Shqipëri. Gjithsesi, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë është rikthimi i diskursit publik në qerthullin e duhur socio-semantik. Tërheqja e lumenjve kuptimorë në shtretërit e tyre të natyrshëm…, kjo do ta shpëtonte ligjëratën publike nga përmbytjet e kodeve subversive dhe stileve të harbuara. Përndryshe, tabutë janë joshëse për transgresivët, madje mahnitëse për turmat kur rrëzohen me rrapëllimë, ndoshta gajasëse e zbavitëse kur ngacmohen me art, aq më tepër nga lart, nga ku tabutë ruhen zakonisht me fanatizëm e nuk goditen kurrë; por rregullat bashkërisht të njohura i përkasin një universi tjetër, respektimi i të cilave duhet të jetë i natyrshëm, edhe pse i paimponueshëm me forcë. Vetëm në një hapësirë kulturore të patjetërsuar e të pandotur, vetëm në një mjedis ekologjik komunikimi, si batutat ashtu edhe reagimet do të merrnin ato ngjyra që kanë; si rrjedhim, do të mjaftonte vetëm një fëmijë për ta parë mbretin lakuriq, ose të vërtetën.

Nuk ka komente

  1. Ke te drejte Pishak.

    E ne fund te fundit perse duhet te meret kaq seriozisht? Kur nuk e mori seriozisht Angela Merkel qe e priti disa minuta nderkohe qe Berlusconi po bisedonte ne celular me kryeministrin turk per ceshtjen e sekretarit te NATO-s? Me keq akoma Obama. E di qe gjithsekush qan hallin e tij po nuk ke se c’te besh.

    Kjo e Berlusconi-t eshte gajasje dhe zbavitje e vertete sepse eshte e shtyre ne kufijte e artit qe e ka pelqyer vete sovrani italian. Te gjithe te tjeret qe e kuptojne ndryshe shakane e tij jane imbecilet qe vijne verdalle duke filluar nga gazetari qe i beri pyetjen per Obama-n. E kur sovrani te pelqen, c’te beje Berisha qe nuk i perket sovranit te tij lere pastaj sovranit italian.

    Po ti shume mire e ke thene.

  2. Berluskoni e ka ndërtuar qytet shtetin e tij në mes të perandorisë perëndimore dhe tani tall menderet me kukullat. Na pëlqen apo jo, i ra në kokë dhe me një humor të pa pamë. Me atë batutë i përfshiu të gjitha, që nga varfëria, lypsëria, hipokrizija, fodullëku deri tek naiviteti që rrezatojmë. Të gjitha kanë qënë të forta, por kjo e jona ishte e pa pame.

  3. Ne 2003, Berlusconi mbajti nje fjalim shume te rendesishem ne New York Stock Exchange. I ftoi biznesmenet amerikane te shkojne te investojne ne Itali, sepse pervec te tjerave…..”kemi sekretare shume te bukura.”

    Robert Maggiori, ne nje shkrim ne Libération para ca ditesh, e mbyllte pershkrimin e Italise “provinciale, ksenofobe” etj. etj. me “nuk e marrim fort seriozisht as per mire, as per keq.”

    Berlusconi eshte bere si Ali Aga. Po ja qe e do dhe e voton populli i vet.

  4. Te pakten kjo vizite do mbahet mend per kete batute. Di njeri t’me thoje se ç’u tha seriozisht, ndonje impenjim ,date ,skadence??
    Ne fund te fund eshte ne DNA e imperatoreve antike…Orgje,luks,femra. Pur nel vizio Berlusconi eshte Grazioli, gra te mahniteshme, drita, shampagne. Jo si ai vulhumburi Marrazzo, trans, ca apartamente nen toke zhulsa qe kuterbonin edhe nga ekrani, kokaine…

    1. …”Ne fund te fund eshte ne DNA e imperatoreve antike…Orgje,luks,femra. Pur nel vizio Berlusconi eshte Grazioli”…

      Po ti besosh Suetonit, vesi i perandoreve ishte l’innominabile vizio dei greci…

      Me teper se sa perandor, Berluskoni me batutat e tij ngjan me ate personazhin e filmave te Tomas Milian-it, “er monnezza”. Buono, un po furbo, un po paraculo, un po ladroncinno che vive nei limitti della legalita, donnaiolo e felice di esistere sotto il sole, senza fregarsene un figo del mondo che scorre intorno a lui.

      Filmat e “er monnezzes”, kane edhe nje element shqiptare ne to, ne ate me titull “La banda del gobbo”, nje film i Umberto Lenzit, ne 1977, kur gobbo-s i duhesh te sekuestronte nje “albanese vero”, del Albania, dhe shorti i bie burrit te ambasadores se Republikes se Shqiperise per tu grabitur.

  5. Thote pishaku:
    Tërheqja e lumenjve kuptimorë në shtretërit e tyre të natyrshëm…, kjo do ta shpëtonte ligjëratën publike nga përmbytjet e kodeve subversive dhe stileve të harbuara.

    Nuk besoj, Pishak, qe kjo ka gjasa te realizohet. Me duket se te gjitha prirjet shkojne ne te kundert. Jam me ty, qe mendjet e arsyeshme e te pergjegjshme duhet te shtyjne sa munden ne kete drejtim; Por modelet e “shtreterve kuptimore te nartyrshem te LP” shterojne cdo vit e me shume, dhe perkufizimi i ketyre shtreterve behet gjithnje e me i turbullt e joefektiv. LP qe aktivizohet e vjen ne drite per hir te problemit e jo te sensacionit apo leverdive te caktuara, eshte i destinuar te mbetet ne ishuj minimale te ligjerimit publik, ishuj te harruar e shpesh te konsideruar “prapa bote” apo “antimoderne”. se paku, ky dhjetevjecar i pare i shekullit te ri (njelloj si ai i Migjenit), nuk duket se premton me shume.

  6. Batuta e Belusconit tregoi me 3 – 4 fjalë thelbin e marredhënieve shqiptaro – italiane në mënyrën më direkte dhe të sinqertë. Partneriteti strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë në të vertetë konsiston në nevojën e kësaj të fundit për fuqi punëtore të lirë për ta shfrytëzuar përtej kufijve të moralit dhe etikës, ndër të tjera edhe për prostituta nga Shqipëria dhe nga ana tjetër në gadishmërinë e Shqipërisë për ta furnizuar Italinë me kushtet që i përcakton kjo e fundit.

    Batuta e Berlusconit në thelb është një shuplakë për shoqërinë italiane vete, që nuk është e zonja më të zgjedhë një klasë politike normale në pushtet, por televizisht trushpëlarë është intelktualisht aq e limituar, a mund të delegojë vullnetin politik vetëm tëk një kategori rrugaçës populistë të formatit të Berlusconit apo Bossit.

    Unë nga Berisha nuk mund të prisja dot më shumë se vetëm atë që ai bëri, pra që të heshte, pasi edhe protokolli midis burrave të shtetit nuk është gjë shumë më i ndryshëm nga ai midis njerëzve të zakonshëm, të cilët në momentin që dikush i papërgjegjshëm mëndërisht shprehet publikisht duke bërë një gafë, thjeshtë kjo kalohet duke bërë sikur nuk është dëgjuar.

    Sigurisht që nuk ishte e nevojshme, që Berluskoni të merrej në mbrojtje nga Berisha më vonë, pasi ky kishte vajtur në Itali për të tjera punë, pra për të vendosur marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj Italine në një kuadër politik strategjik më të priviligjuar dhe jo për të justifikuar marritë e Berluskonit. Por pikërisht reagimi i tij më pas tregoi edhe se Beriha nuk është i interesuar në një lloj marrëdhënie midis dy vendeve, por vetëm në marrëdhëniet e Burrit Berisha me Burrin Berluskoni dhe kjo thjeshtë për t’i garantuar vetes mbijetesën politike. Në këtë mënyrë as shqiptarëve nuk mund t’ju krijohej gjë kompleksi se pse vetëm Italianët kanë një „coglione“ për kryeministër, pasi edhe ata një legen kanë për të tillë.

    Unë gjithçka do ta shikoja si një takim maskarenjsh ndërmjet tyre.

  7. Pishak, nuk e fsheh se kur të lexova për herë të parë te ky shkrim, u revoltova. Nga mënyra shumë light sesi e trajton batutën, apo shakanë në fjalë të Berlusconit. Megjithatë, përsëri më duhet të pranoj se videon në fjalë nuk e kisha parë. Pasi e pashë e kapa nëntekstin në të cilin po shtron problemin, dhe të jap të drejtë.

    Berlusconi atë shprehje e tha vërtet me shaka, me gjysëm zëri, si zakonisht ndodh me disa personazhe në filma ku interpretojnë bashkëfolësin duke shfaqur mendime që normalisht i mbajnë për vete, po vetëm për efekte emocionale, shfaqen hapur. Është ai rasti tipik në kinematografi ku njëri personazh hedh një batutë shpotitëse dhe bashkëbiseduesi nuk i kushton vëmendje, për të mos i prishur rrjedhën filmit a teatrit në fjalë.

    Reagimi i Berlusconit është i tillë, teatral. Aspak keqdashës, jam i bindur për këtë. Aspak i thellë, dhe, gjithë kjo zhurmë për batutën, i takon asaj shprehjes: t’i futesh thellë sipërfaqësores.

    Megjithatë, në batutën e Berlusconit ka tipare të tjera për të cilat ia vlen të qëndrojmë pak, për tu thelluar. Kështu një tipar, është mungesa e ndjeshmërisë. “Në shtëpinë e të varurit, nuk flitet për litar” etj. Nëse heqim mënjanë batutën, përgjithësisht, në sjelljen e Berlusconit ka mungesë respekti përballë “amico-s Sali”. Nuk është vetëm batuta, është mënyra sesi i sillet, sesi e quan, sesi e shpotit etj. Problemi ndërlikohet, sepse ky ishte takim zyrtar dhe kryeministri ynë, duam apo jo, na përfaqëson shtetin si fytyrë zyrtare.

    Atëherë një problem i madh që ngrihet, të paktën për mua është problem: si na shikojnë ne dhe përfaqësuesit tanë të huajt?

    Ka një tregues të lartë arrogance të të huajve ndaj nesh. Mund të numërohen me qindra raste, në të gjitha nivelet e mundshme. Dhe përfaqësuesit tanë, këtë sjellje në shumë forma e kanë merituar. Megjithëse tentova të mos përgjithësoj me përemrat pronorë, kur them “ne”, e ndjej se kjo mungesë respekti dhe kjo arrogancë, më prek e më prek jashtë mase. Nuk e di nëse ka këtu komentues, që ndihen njësoj?

    Për të folur dhe pak për problemin tjetër, atë të prostitucionit të supozuar. Problemi ekziston. Në çfarë përmasash akoma nuk di të them, po ekziston pavarësisht nëse e përmend Berlusconi në formë shakaje apo jo. Madje mendoj se të merresh shumë me Berlusconin është shfaqje e impotencës shoqërore për ta përballuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin