KTHIMI I NJE VIZITE

Rreth katër vjet të shkuara gazetari francez A. de Maximy vizitoi Shqipërinë. Qe një vizitë për të cilën folëm edhe në mediet shqiptare (PTF). Emisioni i tij ngrihet mbi një koncept mjaft të thjeshtë por që jep rezultate krejt të papritura. Sapo zbarkon në një vend ai nis e u afrohet njerëzve të panjohur dhe fill pas disa shkëmbimeve të para i pyet nëse mund të shkojë të flejë te ata. Që nga ai çast është e pamundur të mos e ndjekësh atë emision me kureshtje deri në fund.

Papritur e sheh veten duke eksploruar vlerat dhe natyrën e vërtetë të një kombi, pa kaluar nëpër filtrat mediatikë dhe historikë. Edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë. Pati njerëz që refuzuan prerazi ta pranonin (ndonjë u tall me kërkesën e tij), pati që refuzuan por duke u përpjekur të përligjeshin, sikundër pati edhe të tjerë që e pranuan. Dhe A. de Maximi shkoi të bujë një natë në shtëpinë e tyre. Një prej tyre ishte edhe Kujtim N.

Disa kohë më pas Kujtimi ngrihet me të gjithë familjen e tij dhe si të thuash niset të kthejë vizitën. Nuk e di nëse e ka takuar atë vetë, madje as nuk e di nëse më parë kishin këmbyer adresat, si e do zakoni, por duket se përfundimisht atij i pëlqen vendi i mikut dhe vendos të qëndrojë aty me të gjithë familjen e tij. Këtë informacion e gjej në shtypin francez dhe ishte po ky shtyp që vinte në dukje se ai ka qenë një nga “personazhet” e emisionit të De Maximy-t për Shqipërinë.

Veçse duhet thënë se një gjë e tillë nuk u muar vesh kur miku nga Shqipëria mbërriti në ndonjë nga aeroportet franceze. Prania e tij në Francë u bë e njohur nja dyqind demarshe më vonë, kur kërkesa e Kujtimit është hedhur poshtë nga të gjitha instancat administrative dhe gjyqësore. Dhe meqë nga ky çast përgjithësisht përfundon edhe marrja në ngarkim nga ana e shtetit, Kujtimi prej kohësh ndodhet në rrugë bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tij të vegjël. Unë nuk e di ku është A. de Maximy, por ma merr mendja se diku andej nga Indokina, nga ku dha shenja jete ndonjë javë më parë. Por megjithatë nuk jam fort i sigurt nëse do të bënte gjësendi për Kujtimin edhe po të ishte në Francë. Vështirë që veç presidentit të gjendet dikush tjetër që të ndryshojë vendimet e gjyqësorit në një vend ku pavarësia e tij shihet si trashëgimi e shenjtë. Por edhe presidentit do t’i ketë ardhur në majë të hundës, siç u muar vesh nga rasti i Leonarda Dibranit. Nuk ishte parë ndonjëherë që presidenti i Republikës të miratonte përzënien e një adoleshenteje.

Familja e Kujtimit tani përjeton një gjendje të jashtëzakonshme ankthi (që me siguri kurrë nuk e kishin parashikuar kur u nisën), por edhe të një poshtërimi të pashprehur. I përfytyroj ata prindër që u kanë premtuar një jetë tjetër fëmijëve të tyre dhe befas përfundojnë poshtë urave. Por nuk është ajo e vetmja familje që ka përfunduar aty. Në mjaft qytete të mëdha të vendit janë me qindra e qindra familje shqiptare e kosovare që ngrysen e gdhihen poshtë urave, në shoqëri të shumë familjeve afrikane, rome etj.. Edhe ata i kanë shkuar deri në fund demarsheve administrative e rekurseve juridike dhe një ditë në adresën e tyre ka mbërritur një letër, e cila sipas një formule zyrtare tepër të njohur i “ fton të lënë territorin francez brenda tridhjetë ditëve”. Disa shoqata vullnetmirë përpiqen t’u vijnë në ndihmë. Por ato janë gjithnjë e më të pakta. Zakonisht në ditët tona kanë mbetur më aktive grupimet e rastit të prindërve të klasës ku mësojnë fëmijët e azilkërkuesve të refuzuar. Mbase të prekur nga traumatizmi i fëmijëve të tyre për fatin e shokëve të rinj të klasës.

Nuk është e vështirë për këdo të kuptojë se kohët kanë ndryshuar së tepërmi. Entuziazmi i pritësve, nëse ka patur ndonjëherë, është ftohur prej kohësh. Kapacitetet strehuese janë tejmbushur, aftësitë integruese janë vënë në dyshim para përvojës zhgënjyese të komunitarizmit. Të gjitha këto kanë tronditur edhe vetë peizazhin politik të disa vendeve evropiane e më tej. Ka zhvendosje të forta politike. E djathta ekstreme në Francë (por jo vetëm aty) e përdor si kalë beteje fluksin e pakontrolluar të të huajve. Njerëzit më të thjeshtë, ata që dikur mbushnin radhët e partive komuniste, sot votojnë për parti me prirje fashiste. Për herë të parë para pak kohësh dëgjova edhe raportin e një grupi deputetësh për shumat kolosale që i merren buxhetit të vendit për të pritjen e të huajve. (Edhe avokatët që mbrojnë kërkesën e një azilkërkuesi të refuzuar edhe ata paguhen nga vetë shtetit që të gjejnë argumente kundër vendimit të po këtij shteti). Ai raport ishte me të vërtetë i pazakonshëm. Është krejt e papërfytyrueshme që një gjë e tillë të ndodhte edhe dhjetë vjet më parë. Pritja e të huajve ka qenë gjësendi e shenjtë dhe të botosh shifra të tilla është njësoj sikur t’u përmendesh bukën. Por punët ashtu kanë ardhur. Ky veprim shpreh një simptomë që nuk artikulohet drejtpërdrejtë: tejngopjen e gjithë vendit me problemet e të huajve. Sidomos të atyre nga vende të tilla si Shqipëria, që udhëtojnë në hapësirën e Shengenit me të drejtën e akorduar nga BE. Hesape të tilla nuk duhen parë pa lidhje edhe me deficitin e jashtëm dhe borxhin e brendshëm të vendit që rrezikon kolapsin e shumë arritjeve sociale, pa folur për papunësinë në rritje që ka ulur në mënyrë katastrofike besueshmërinë e shumicës në pushtet.

Ndërsa Shqipëria prej vitesh i afrohet instancave evropiane, ardhja e pandërprerë e azilkërkuesve nga ai vend mbetet diçka e pakuptueshme për shumë vete. Duke besuar se i njoh në një fare mase problemet e të dy vendeve, unë i kuptoj fare mirë dëshirat e mjaft njerëzve për ta ndërtuar të ardhmen e familjes së tyre diku tjetër, në një vend më të zhvilluar. Gjithnjë shpresohet për më mirë. Por rrethanat e azilkërkuesve të sotëm paraqiten disi më të ndryshme nga të atyre që mbyllën sytë e u hodhën në greminë, këtu e njëzet vjet më parë. Duhet kuptuar se nëse sot kushdo mund të marrë avionin dhe mund të zbresë brenda pak orëve në çdo pikë të globit, kjo ndodh sepse është kthyer përfundimisht një faqe e historisë. Shqipëria nuk është më ai vendi i dikurshëm enigmatik, madje, nuk e di për çfarë arsye, edhe pak ekzotik.

Nëse dikur kundër fluksit të emigrantëve ngriheshin hapur kryesisht njerëzit e afërt me ekstremin e djathtë (të cilët në atë kohë ishin krejt margjinalë), tani vërej se moskuptim ndaj tyre gjen edhe në shtresat më të gjëra të popullit, përfshi edhe intelektualë që i njoh për të majtë. U habita këto ditë, që me rastin e Kujtimit tregohen të nervozuar edhe një grup miqsh që e kanë mësuar gjuhën shqipe nga pasioni për vendin ku flitet , të cilin e njohin mjaft mirë sa pothuaj çdo ditë më dërgojnë edhe mua lajme se çfarë po ndodh në të. (Edhe për këtë rast ata më njoftuan). Natyrisht problemin e emigrantëve nuk është se e lehtësojnë edhe lajmet e përditshme të shtypit vendas për arrestimin e proksenetëve, të trafikantëve të drogës,apo për ndonjë bandë grabitësish shqiptarë që po tmerron dynjanë duke plaçkitur vilat në periferi të Parisit.

Të flasësh për praninë e shqiptarëve në një vagon treni, vendasit kanë për tendencë të shohin nëse çantat janë ende aty ku i kanë lënë, pa u ndalur këtu të gjykojmë nëse frika është e përligjur apo jo.

Sot, kërkesa për azil që mbështet në shkaqe folklorikë, si ajo e rrezikut të hakmarrjes (me të gjitha variantet e saj) apo të martesave të detyruara është kompromentuar rëndë. Para disa kohësh u njoha me rastin e dikujt që kërkonte strehim politik sepse kishte vrarë qenin e komshiut dhe meqë “qeni për shqiptarin ka vlerën e një personi të familjes” etj., etj, të bëhej se një farë dekori i kohës së Lekë Dukagjinit po rikonstruktohej para dyerve të Operas komike të Parisit…

Eshtë edhe një grup tjetër shqiptarësh fytyrëngrysur që vazhdon të evokojë komunizmin dhe derivatet e tij. Dikush, që i dukej se ishte i pari që zbriste aty, tregonte se kishte mbledhur plot prova që tregonin se e kishte jetën të rrezikuar nga regjimi i “bijtë e komunistëve në pushtet”. I shpjegova se ndërsa Shqipëria është e gjitha nën projektorët e organizmave ndërkombëtare, administratës franceze nuk do t’i ngriheshin qimet nga kënaqësia duke i thënë se është gabuar që e cilëson atë si vend me garanci politike. Me pa gjatë dhe më pyeti se me kë isha.

Natyrisht nuk jemi të vetmit që paraqesim çudira mistike me komunistë. Para disa kohësh kam njohur një polak që më thoshte se kishte bërë analizat e gjakut dhe mjekët i kishin gjetur mungesë magneziumi, gjë që për të ishte argument i fortë i pasojave që kishte lënë te ai regjimi komunist. Me një letër të tillë analizash në dorë ai shkoi e u paraqit në Zyrën e të huajve… As i shkonte mendja se në të dalë të dimrit më shumë se gjysma e francezëve gjenden me mungesë magneziumi.

Kujtim N. për të përligjur kërkesën e tij për azil në Francë nuk flet për kërcënimin jete nga komunistët, as për rrezikun e ndonjë gjakmarrjeje. Atij i dukej se kishte në dorë argumente të tjera, beton të forta. Ai, siç thonë gazetat, kërkonte strehim në Francë sepse “Shqipëria po gërryhet nga korrupsioni”. Dhe ironitë e komentuesve francezë ndaj kërkesash të tilla nuk mungojnë në sitet e gazetave. Pas atyre që thonë “çfarë farse!”, dikush shkruan se Franca vetë është në vendin e 22-të listës së korrupsionit, ndërsa ndonjë nga vendet fqinje të saj është në të 33-tin. Si i bëhet hallit po qe se edhe ata do të ngrihen e kërkojnë strehim në Francë?

Në një shkrim në blogun e tij, pak kohë më parë, A. Vehbiu foli për numrin e madh të atyre që ai i quan free riders shqiptarë të cilët peshojnë rëndë në sistemin social europian-perëndimor, i cili nuk është në gjendje t’i bëjë ballë një trysnie të tillë. Në të vërtetë, për një çast m’u duk sikur analiza bëhej nga një lloj pikëvështrimi i OKB-së. Por e vërteta është se në një çast të caktuar të gjithë duhet të zgjerojmë këndin tonë në gjykimit. Për të qenë i sinqertë, unë sot kam ndjeshmëri mjaft më të madhe ndaj atyre familjeve siriane që i ikin luftës dhe sillen rrugëve të Evropës, pa gjetur strehim, se sa për atë shqiptarin që ka vrarë qentë e lagjes apo atë polakun që konstatuar mungesën e magneziumit në gjak.

Megjithatë kjo në asnjë rast nuk më pengon që të mos ndjehem në empati të thellë me ata që në çaste dëshpërimi të thonë se kanë marrë rrugët e botës për t’i dhënë mundësi shkollimi më të mirë fëmijëve të tyre. Kjo është një çështje që e përkrah plotësisht. Tamam-tamam, ky është një shërbim i madh kombëtar që ata bëjnë. Niveli i ulët i universiteteve shqiptare nuk është fenomen i ditëve tona. Historikisht ata kurrë nuk kanë përgatitur studentë në nivel të dijeve bashkëkohore. Por meqë edhe shteti ka prirje të jetë në shërbim të funksionarëve të tij dhe të familjeve të tyre, për njerëzit e thjeshtë gjithnjë ngrihet problemi i çmimit që paguhet për arsimimin e fëmijëve të tyre. Të flesh poshtë urave me gjithë familjen, nuk më duket zgjidhja më e mirë. Kjo do të thotë që para se para së gjithash t’u shkaktosh fëmijëve të tu një traumatizëm të tillë, i cili do t’i ndjekë gjithë jetën.

Por nga ana tjetër sot mundësitë e një arsimimi jashtë vendit janë mjaft më të mëdha se dikur. Pak kohë më parë, gjatë vizitës në Kinë ministri i jashtëm francez u ankua se në vendin e tij nuk vijnë aq shumë studentë kinezë sa do të dëshironte Franca, ndërkohë që mua kur shkoj në punë më duket se kam hipur në metronë e re të Pekinit. Kjo do të thotë se dyert e universiteteve janë mjaft më të hapura e mikpritëse se ato të zyrave të emigrantëve. Me pak ambicie e vullnet kushdo mund të arrijë një nivel të mjaftueshëm të gjuhës së vendit që zgjedh. Rrugët institucionale pastaj janë krejt të njohura. Gazetat japin sistematikisht detaje të procedurave që duhen ndjekur.

Natyrisht, nuk është aspak e lehtë. Nëse nuk je deputet në Shqipëri, unë nuk di si mund të arrish lehtësisht gjësendi në jetë. (Madje fakti që shumë milionerë e kriminelë i hyjnë politikës, kjo tregon se ajo është mjaft më fitimprurëse se edhe bizneset e trafiqet më të pista).

Gjithsesi, në këtë rast sakrificat me të cilat do të përballohen njerëzit e thjeshtë (se në fund të fundit janë ata që më interesojnë), mbeten disi në kufij më të pranueshëm.

Këtë kisha parasysh kur thashë se kohët kanë ndryshuar dhe një faqe e historisë është kthyer edhe në këto punë.

Por jo domosdoshmërisht për të keq.