SINDROMA “DO TË”

njoftimeBallafaqimet e zhurmshme për realizimet e suksesshme ose për dështimet e bujshme mund t’ia lëmë politikës shqiptare, e cila i numëron periodikisht, sa herë që mbushen 100-ditët, 300 ditët, ose vitet në pushtet. Aty do të gjejmë pohimin, mohimin, akuzën, mbrojtjen, të kundërtën e të kundërtës, ose anasjelltas, përplasje që nuk na ndihmojnë shumë në krijimin e një mendimi për përmbushjet e premtimeve politike. Me disa përjashtime, kjo vihet re edhe në media e në gjykimet e analistëve, që jo rrallë ndahen në dy kampe përkatëse, sipas modelit politik.

Ajo çka bën përshtypje është se politika shqiptare ka kohë që vuan nga sëmundja e njoftimeve, ose e anunçimeve sipas shqipes moderne televizive. Nëse patologjia është importuar nga jashtë, apo është trashëguar nga e kaluara mbetet për t’u diskutuar. Fakti është që politika shqiptare, gjithnjë e më shumë, po komunikon me publikun nëpërmjet publicitetit dhe marketingut, duke njoftuar ndryshime rrënjësore, në të gjitha fushat, duke derdhur premtime lumë nëpërmjet mediave, që në rastin më të mirë realizohen me shumë vonesë nga çasti i komunikimit.

Ka diçka të logjikshme në këtë strategji, sidomos në realitetin shqiptar e kryesisht nga pikëpamja e pragmatizmit politik. Politikanët e dinë mirë se mediat jo vetëm e përcjellin, por edhe e krijojnë në një farë mënyre realitetin, ose atë që serviret si i tillë. Ndoshta efekti është afatshkurtër, por në periudhën e supozuar premtimet për përmirësim të sektorëve të ndryshëm të jetës përftohen si të vërteta. Kjo mund të thuhet edhe pa cituar Jean Badrillard dhe teoritë e tij për ngadhënjimin e realitetit virtual. Në këtë mënyrë, premtimi se do të bëhet diçka “tregon” se vërtet do të bëhet diçka, duke rritur besueshmërinë dhe pritshmërinë njëkohësisht. Po të marrësh në shqyrtim një sërë njoftimesh publike të politikës shqiptare, dje dhe sot, duket se jeta do të ndryshojë rrënjësisht, ndërkohë që gjërat shpeshherë ndryshojmë me shpejtësinë e ujërave të moçalit.

Strategjia e njoftimit, ose e anunçimit (nuk tingëllon mirë, por këtë kemi), ka për qëllim edhe krijimin e profilit politik të subjektit që e bën. Qeveria rreket të përçojë imazhin e konkretësisë, e marrjes në dorë të situatës, të lëvizjes në përgjithësi; politikani përvijon profilin e vet si njeri aktiv, duke e përdorur njoftimin si trampolinë për poste të tjera. Realiteti kaotik shqiptar e ndihmon realizimin e kësaj strategjie, sepse si mediat ashtu edhe opozita nuk e kryejnë siç duhet rolin e kontrollit të veprimtarisë së mazhorancës. Me fjalë të tjera, verifikimi i diçkaje në Shqipëri nuk është i lehtë, sepse për çdo gjë mund të thuhet e kundërta. Inflacionimi i fjalës ka ndikuar edhe në politikë. Shembuj ka plot. I fundit në rend kronologjik është mbushja e 300 ditëve të qeverisë Rama, që nga mazhoranca u lavdërua pa masë, ndërsa nga opozita u likuidua tërësisht.

Për sa i përket jetës së përditshme të qytetarëve politika flet më shumë në të ardhmen, duke i zgjedhuar foljet me pjesëzat “do të”. Për fat të keq kjo metodë është vënë re tek të gjitha forcat. Por vjen një moment kur nuk mund të justifikohet më me mungesën e kohës. Strategjia e anunçimit i ka rrënjët pjesërisht tek fushata elektorale, e cila vijon për inerci edhe pas formimit të qeverisë. Kjo vazhdon të përdorë të njëjtën gjuhë premtuese, duke harruar se koha ikën për të gjithë dhe rezultatet herët a vonë duhet të preken me dorë.

Ka dy mënyra për ta parë strategjinë e premtimeve. Mund ta shohim si patologji të politikës, por edhe si pjesë të saj. Në rastin e parë rezulton i tillë nëse e konsiderojmë politikën si artin e mbajtjes së fjalës, çka do të thotë se premtimet elektorale, programet që i paraqiten publikut në fushatë, duhet të vihen në jetë pasi krijohet qeveria, meqë zgjedhësit kanë votuar për atë program politik dhe jo për tjetrin. Në mungesë koherence, vihen re vetëm njoftime, duke e pezmatuar politikën nga “publicititi akut”. Po të kalkonim thënien e famshme për efektin e shpifjes, tani do të kishim këtë shprehje: “Premto, premto, se diçka mbetet”.

Në rastin e dytë, strategjia e anunçimeve ka synime “dinjitoze”, gjithsesi të dobishme, siç është ngritja e moralit të qytetarëve, kryesisht kur drita në fund të tunelit nuk shihet prej vitesh dhe kur pesimizmi u ka errësuar sytë e mendjen. Thonë se Blair e ka përdorur këtë strategji në Angli, gjatë mandatit të parë të qeverisë së tij, për të dalë nga periudha e zymtë post-thaçeriane. Mirëpo në Itali ndodhi e kundërta. Berluskoni premtoi shumë, edhe kur ishte në qeveri, por mbajti pak premtime. Madje ishte ai vetë që e pranoi mosmbajtjen e fjalës, duke u ankuar për mekanizmat bllokuese konstitucionale.

Në qoftë se e marrim si të vërtetë strategjinë e njoftimeve atëherë duhet të besojmë në rastin pozitiv, pra që bëhet për qëllime të mira. Mirëpo në vendet perëndimore kjo zbatohet kur ekonomia është e deprimuar, për rritjen e konsumit, në mënyrë që të rriten kërkesat në treg, si rrjedhim prodhimi e punësimi. A mund t’ia aplikojmë realitetit shqiptar këtë model veprimi politik? Vështirë, sepse ekonomia shqiptare, e bazuar në parametra parakapitaliste, funksionon me të tjera mekanizma. Mbetet të supozojmë se njoftizmi i politikës shqiptare bazohet mbi nevojat komunikative për t’i përçuar publikut një imazh të caktuar.

Nuk është e rastit, gjithsesi për t’u vlerësuar, nxitimi i qeverisë shqiptare për të nënvizuar publikisht se marrja e statusit si vend kandidat për në BE, do të përkonte me një fillim të ri, me angazhime të reja për kryerjen e reformave. Ky akt dëfton se ka një farë ndërgjegjësimi se anunçimet nuk mund të jenë ilaçi i politikës. Pavarësisht nga dasitë festive, sensi i realizmit u tregua jo vetëm nga tonet e përmbajtura, jashtë triumfalizmit tradicional shqiptar, por edhe nga vetëdija e procesit të vështirë që na pret si bashkësi në rrugëtimin drejt Europës.

Për t’iu kthyer sërish aktualitetit shqiptar, mund të themi se strategjia e njoftimeve mund të justifikohet me kohën e pamjaftueshme të qeverisë së re në pushtet, për t’u ofruar qytetarëve rezultate të prekshme, edhe nga ana sasiore. Nga ana tjetër, njoftimet me “do të”, shërbejnë për të fituar kohë tjetër, d.m.th. për ta shtyrë pak më tutje afatin e “kërkesës së llogarisë”. Kjo e fundit mund edhe të mos ndodhë për sa kohë kujtesa kolektive nuk funksionon siç duhet në kohët moderne. Bashkësia moderne e ka kujtesën e shkurtër, harron shpejt, e ricilëson kujtesën periodikisht – natyrisht kemi të bëjmë me një tjetër patologji -, por që mund të shkojë edhe në dobi të opozitës.

Si mund të dilet nga kjo vorbull kaotike? Së pari duke e ulur në gradë strategjinë e njoftimeve, duke e shndërruar në taktikë të thjeshtë, që vlen për një afat të caktuar, e me objektiva të qarta e të ndershme komunikuese, të cilat duhet të ndiqen më pas nga rezultate konkrete. Kjo do të thotë që patologjinë ta kthejmë në pjesë të fiziologjisë politike. Përndryshe, së shpejti nuk do të jetë aksh parti që do ta humbasë besueshmërinë tek qytetarët, por politika in toto. E ta flijosh politikën e vërtetë, fisnike në origjinë, për dy reklama më shumë, është dritëshkurtësi kolektive.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: