GÖTTINGEN

(Pushim për një kafe)

Shpesh here u kalojmë anash dhe as që dyshojmë për ekzistencën e tyre, nuk na shkon fare mendja se ato vetëm se presin te na buzëqeshin e të na hapin një univers sublim, të cilin fatkeqësisht që jemi të prirur ta harrojmë përgjatë itinerarit banal e monoton të përditshmërisë tonë. Megjithatë ato përsëri vetëm se presin me durim që ne të kthejmë sytë e t’i shohim…

Kështu më  ndodhi qe të zbuloj një perlë të tillë të vogël nga fundi i verës  që shkoi, duke u futur në radhën e një pike….  karburanti në hyrje të Luxemburg city, në krahun që futesh nga autostrada që vjen nga Saarbruken.

Servisi për të cilin po flas përbën kureshti të veçantë për çmimin tepër të ulët të karburantit. Në këtë kohë krize kisha dëgjuar shpesh herë të thonin: të ka ndodhur të furnizohesh aty në hyrje të Luxemburgut? Megjithatë, unë pyes veten nëse ishte thjesht puna e krizës, apo përgjigja “po” pas asaj pyetjes së mësipërme. Kam përshtypjen, madje gati sigurinë se në disa punë (pse vetëm në disa?) mbetemi kalamaj gjithë jetën, ka të ngjarë.

Ata që ishin me mua në makinë nisën të ankohen nën buzë, të thonë se kisha kapur veshin e majtë me dorën e djathte, duke ndryshuar itinerarin për të dalë me çdo kusht te ajo pikë furnizimi. Mua, kjo nuk më shkurajonte fare edhe pse asnjëherë nuk kisha pasur parandjenjën se një ditë në atë qoshe të Luxemburgut do të zbuloja atë mrekullinë e vogël…

Megjithatë, si fillim, sapo u futëm në parkingun e servisit, u bëra shenjë miqve te mi  të shihnin makinat që ishin rrotull nesh: Lexus, Lamborgini, Maserati, Porsche… me pak fjalë marka që të shpeshtonin ritmin e frymëmarrjes kur i shihje. Nëse kishte një arsye për të mos u futur aty ishte pikërisht modestia e makinës ku ndodheshim, asgjë tjetër, ndjenja e vogëlsisë që të ndillnin në shpirt ato farfuri të teknologjive moderne. Por, me pak vullnet mund të gjenim edhe ndonjë arsye ngushëlluese, p.sh: kur përpiqeshin të kursenin edhe pronarët fatlumë të atyre bolideve, pse jo ne? Kjo më jepte forca të tregohesha shpërfillës ndaj hungërimave  të miqve të mi dhe insinuatave të papranueshme se çfarë kursehej aty, harxhohej nga itinerari i ndryshuar i autostradës…

E pra, duke pritur në radhë, makinën nisi ta rrahë një diell i lezecëm, siç është dielli shpesh herë me dhëmbë dhe  jo gjithnjë i pranishëm, i kësaj asaj ane të Evropës. Dhe nuk kishte gjë më të këndshme se sa të hapje xhamat e të prisje disa çaste me sy të mbyllur.

Nuk duhej të kishte kaluar shumë kohë, kur si nga askundi erdhën tingujt e një pianoje, që shumë shpejt u muar vesh se ishin pjesë e introduksionit të një kënge. Eshtë e vërtetë se për cdo gjë që në fillim ke vështirësi t’i percaktosh drejtimin, përgjithsisht je i gatshëm të besosh se vjen nga qielli, por në të vërtetë tingujt e asaj pianoje kishin dicka të tillë. Pastaj nuk duhen harruar ato rrezet e diellit që kishin përfshirë së jashtmi e përmbytur së brendshmi kokën time… Nuk i hapa fare sytë,  i bindur se gjithçka ishte pasojë e një prej atyre gjendjeve kalimtare të transit, që krijojnë rrezet e diellit, ndërkohë që symbyllur nuk e di as vetë se në çfarë niveli psikik ndodhesh.

Pra këto ishin rrethanat kur pas introduksionit të pianos, ne veshët e mi erdhi zëri i Barbaras (Monique Andrée Serf)  dhe vargjet e një kënge te panjohur për mua deri atëherë.

Ishte ttingen, kënga që ajo i kushton qytetit gjerman me të njëtin emër.

Pyeta veten se sa mijëra vjet i është dashur njerëzimit për të arritur deri te ajo këngë? Për të arritur deri aty sa një këngëtare aq e talentuar e popullore  franceze, për më tepër me origjine çifute,  t’i këndonte  me aq dashuri një qyteti gjerman, fëmijëve të tij biondë, njerëzve që buzëqeshnin kur nuk dinin ç’të thonin, dëshirës për mirëkuptim edhe  pa njohur gjuhën e njeri tjetrit, përrallave të fëminisë që gjithnjë fillonin me: na ishte një herë në Göttingen…

Dhe pastaj i erdhi radha vargut që më bëri të mbaj frymën më gjatë: Dhe nëse alarmi do të bjerë/  dhe armët do të na duhet të marrim/, zemra ime do të derdhë një pikë lot për Göttingenin.

Duhej guxim i madh për një varg të tillë ne atë kohë, diku në vitet ’60, kur flitej për revanshizëm dhe Franca kishte afruar trupat dhe blindet edhe një herë në kufirin e Alsasë Lorenës.

Se ne të gjithë e dimë se është  fjala për dy vende që vetëm në njëqind e pesëdhjetë vitet e fundit janë masakruar në mënyrën më të përbindshme që mund të imagjinohet, se i kanë shkulur e shqyer territoret njëri-tjetrit, se janë urryer, djegur e therur pa mëshirë. Se në shekuj kanë ushqyer për njëri-tjetrin një urrejtje që kalbej e bymehej si torfë kenetash, që thartohej gjatë në thellësi të zorrëve… A ka nevojë të them se është fjala për Francën dhe Gjermaninë?

Pra, nuk po flasim për kombe që u mungon krenaria kombëtare, që falin kollaj gjakun e aq më pak trojet e tyre;  të mos harrojmë se po flasim për popuj (të paktën, sot te njëri, se tjetri e ka ndryshuar)  që në himnin kombëtar, cilësojnë ende me togfjalëshin “gjak i ndyrë” fqinjët armiq!

Por mbi të gjitha është fjala për popuj që nuk e harrojnë kollaj historinë. Në Shqipëri nuk merret më njeri me ngjarjet e luftës (me të drejtë shumë vetave u  janë neveritur se gjithçka ishte thellësisht në funksion të himnizimit të personave të veçantë dhe jo të sakrificave të një kombi),  por në Francë është fare e rëndomtë për shembull, që jo vetëm atëherë kur Barbara shkroi këngën e saj, dyzet e pesë vjet më parë, por edhe sot mund të shohësh në gazeta lajme (sikundër pashë unë para pak javësh) ku thuhej se kryeministri F. Fillon  ishte në përkujtimin e masakrës qe ndodhi diku në Francën qendrore më 1944, ku një fshat i tërë u dogj krejt  dhe të gjithë banorët e tij u shfarosën nga nazistët. Fshati fantazmë ruhet i gjithi, dhe madje mirëmbahet ashtu siç u la i djegur atëherë nga nazistët. Dhe vizitohet çdo ditë nga mijëra vetë!

Hapa sytë, por nuk është se shquajta gjithçka menjëherë. Në fillim pashë vetëm disa imazhe psikedelikë, rombe me ngjyrë gushëpëllumbi dhe rrathë konikë, që dukej se merrnin vërtik mu diku para syve të mi. Pak më pas kuptova se muzika që shoqëronte imazhet në kokën time të tejnxehur vinin  nga një MG, ku qe ulur një grua e re.

Kur pak më pas ajo kaloi para meje vura se se makina saj kishte targa gjermane.

Ky doli të ishte një zbulim i veçantë, se kur të nesërmen u fola disa kolegëve të zyrës për atë këngë doli që shumë prej tyre nuk e njihnin. Mbase nga që janë të rinj në moshë, mendova. Por nuk ka arsye që të mos mendosh, po ashtu,  se  kënga tashmë ishte harruar në Francë dhe vazhdonte të dëgjohej ne Gjermani…

Me tej mora vesh se Barbara e kishte shkruar këngën ttingen pas një  vizite me miqtë e saj në atë qytet.

Pak kohe më pas ishte shpallur qytetare nderi e Göttingenit. ———————————–
Po e ndërpres këtu refleksionin tim, si një requiem i vonuar për fundverën e këtij viti, duke besuar se më mirë se gjithçka mund të flasë vetë kënga ttingen, e cila dëgjohet çdo çast te një sit me emrin Deezer, që nuk e di nëse njihet në vendet e tjera. Është  një sit, francez me duket, ku nuk mund te shkarkosh muzikë, por mund të dëgjosh falas dhe pa asnjë rrezik shkeljeje ligjore a piraterie, çdo këngë e çdo autor. Mjafton të vesh emrin e autorit apo këngës ne shfletues, sipër. Të paktën mua, muzika që gjej aty më shoqëron disa orë në ditë.

Këtë sit e  pëlqej me shume se YouTube sepse cilësia e zërit është shumë më e lartë.
Dëgjoj shpesh, ose pothuaj, edhe përshtatjen e Göttingenit  për kitarë klasike,  nga Roland Dyens.

Dëgjim te këndshëm:-))

——————
Bien sûr, ce n’est pas la Seine,
Ce n’est pas le bois de Vincennes,
Mais c’est bien joli tout de même,
A Göttingen, à Göttingen.

Pas de quais et pas de rengaines
Qui se lamentent et qui se traînent,
Mais l’amour y fleurit quand même,
A Göttingen, à Göttingen.

Ils savent mieux que nous, je pense,
L’histoire de nos rois de France,
Herman, Peter, Helga et Hans,
A Göttingen.

Et que personne ne s’offense,
Mais les contes de notre enfance,
“Il était une fois” commence
A Göttingen.

……….

Nuk ka komente

  1. Lyss, eshte e vertete se francezet e gjermanet jane therur e caperluar me njeri tjetrin gjate 150 viteve por nuk mund te thuash se e kane bere kete sepse e kane urryer njeri tjetrin.

    Perballjet e medha gjermano franceze jane bere per pushtet e zoterim kontinental por jo si pasoje e ideologjive urrejtese te drejtuara ekskluzivisht ndaj njeri tjetrit. Dhe “lufta” vazhdon per te njejtat aresye edhe sot, vecse luftetaret nuk ngordhin me nga gazi nervin ne llogoret e zymta te Verdunit, por mbyten e shumta nga kollarot e shtrenguara fort ne labirintet e papershkueshme te parlamantit europian dhe subvencioneve agrare.

    Dhe vete ne luften e dyte boterore ku ideologjia urrejtese gjeti kulmin e vet ne historine moderne te njerezimit, ajo frynte nga lindja ne drejtim te Rusise ku dhe u be lufte shume me e madhe sesa ne perendim. Planet gjermane ishin te shfarosnin gjithe popullsine sllave pas luftes ose me sakte ta linin te vdiste urie.

  2. Vleresoj sinqeritetin e te shprehurit te Enit. Megjithate ruaj te drejten te mos jem i nje mendimi me kete menyre te ekstrapolimit apo katagolizimit te disa ndjenjave si ajo urrejtjes, qe permenda ne mesazh.

    Megjithate, siguroj se me pak vemendje mund te kuptosh se kjo urrejte egziston ende ne formen e vet visherale. Njerez te nje fare moshe dhe sot nuk i quajne fqinjet me te njejtin emer sikunder ju e une, por thjesht “bosch”. E njihni kuptimin besoj?

    Ne me shume se gjysmen e vendit nuk ka familje qe te mos kete pjestare te saj te maskruar ne Luften e Pare apo ne te Dyten.

    Shume nga vajzat qe u shoqeruan me gjermanet u qethen, poshtruan e madje pushkatuan publikisht. Femijet qe linden nga keto mardhenie fatkeqe vetem tani vone kane filluar te deklarohen se jane me atesi gjermane, por ende cilesohen si “bobiçe te boscheve”.

    Ne keto kushte, a mund te pranohet je arsyetim i tille: Ti gjerman shiko, une te fal baben qe me vrave, dy tezet e perdhunuara, dajen qe vdiq duke punuar si skllav ne kampet e punes por ama… nuk ta fal ate pyllin me geshtenja atje ne lindje te Daubensandit!

    Gjithsesi, nuk eshte se bej thirrje qe ndokush te zbrese ne nivel me realist te arsyetimit, por thjesht te them se kam arsye te ruaj te miat, ashtu siç i shpreha. Me pelqen gjithmone te kuptoj cfare ndodh pas shprehjeve protokollare. Dhe me del qe gjithmone ka individe me kompleksitetin e botes se tyre shpirterore, madheshtine dhe poshtersine, dashurine, urrejtjen etj, etj. Dhe te gjitha keto te pandryshuara te pakten, ashtu siç jane dokumentuar se pari, te poemat e Homerit.

  3. Arti jo rrallehere na ka mesuar se i tejkalon problematika te kesaj natyre dhe, personalisht nuk do me dukej e drejte te shihet pikerisht nen nje kontekst prej te cilit ka arritur te shmanget.
    Filmi i sotem francez pershembull, tregun me te madh e ka pikerisht ne Gjermani.

  4. Lyss, besoj se eni e kishte fjalen se urrejtja gjermano-francese eshte produkt i lufterave per supremaci ne Europe (qe prej konfliktit, Karli 5 me Franceskun) e jo i lufterave per crrenjosjen e tjetrit, keshtu qe nuk ka ‘patologji’, sikunder kishte lufta e perhershme gjermano-sllave, ku gjermanet i kane crrenjosur sllavet historikisht, i kane kolonizuar (na kane marre ‘hakun’) deri ku kane mundur.

    Kjo e ben te pakrahasueshme jo vetem me urrejtjen gjermano-sllave, po edhe me ate shqiptaro-sllave.

    Sa per viktimat e L2B, Franca doli ‘e paprekur’ ne krahasim me Rusine,Polonine e vete Gjermanine, po si gjithmone francezet s’te falin as gramin ne kesi punesh.
    ‘La superbia’ eshte mekati te cilin Zoti urren me shume, ajo e shkaktoi L1B, ajo e shkaktoi L2B, ajo e rrezoi linjen Mazhino, ajo po e zhduk racen e bardhe ne France.

  5. Lyss, te gjitha luftrat mbjellin dhimbje, urrejtje e shume gjera te tjera. Pra ne pasojat qe shkaktojne jane te ngjashme pavaresisht nese nisen nga urrejtja dhe paragjykimet, nga kalkulime te ftohta pushteti apo nga nje perzierje e te dyjave. Ne terren, germadhat fizike e shpirterore qe lihen pas njelloj jane.

    Por ka edhe ndryshim sepse Europa ka pare luftra qe nisen per te shfarosur shprehimisht popullsi te tera te mbeshtetura bile dhe me ideologji perkatese sic ishte ishte ajo naziste per popuj te caktuar apo sic ishin me heret kryqezatat e lufterat fetare ashtu sic ka pare dhe luftera qe nisen per pushtet konvencional qe ne Europe kane qene gjithnje te shpeshta. Ajo qe desha te them eshte qe cdo lufte e madhe franko gjermane nuk ka qene e nisur apo e shoqeruar nga nje ideologji shfarosese ndaj pales tjeter. Martesa mes njeri tjetrit ka patur gjithnje, kulturat kane marre e kane dhene pashtu shpesh me njera tjetren shkembime ne njerez poashtu.
    Se ke urrejne Europianet (franceze apo gjermane qofshin) e se ku qendron irracionaliteti modern i tyre e pame se fundmi tek referendumi i para pak diteve ne Zvicer mbi ndalimin e ndertimit te minareteve.

  6. Reflektimi i pare qe sjell tek une ky meditim ka te beje me nje ndjenje te forte humane, te cilen, pa e vene re, shpesh e anashkalojme. Me pelqen ta vendos kete muzike ne sfond te nje terreni ta sapodale nga lufta, ne te cilin e vetmja ndjesi qe percillet eshte humanizmi ne zerin e nje gruaje…
    Dhe, pa dyshim, si shqiptare e mire qe jam, detyrimisht perpiqem te lidhe filozofine e cdo abstraksioni idesh me nje rruge shpetimi nga kaosi ku gjej vendon tim. Kjo me ben qe te perulem para tolerances se nje zeri francez qe i kendon tokes gjermane…ne kohen kur sapo ishte kapercyer pragu i nje lufte….Nese popujt kane vite qe kane gjetur fuqine te civilizohen pertej maktheve te vetvetes, une ftoj popullin tim, te linde nje Monique Andrée Serf, sepse eshte koha….

  7. Sinqerisht faleminderit, Natasha. Kisha nisur te deshperohesha, se po harrohej thelbi i mesazhit. Une mbase ashpersova tonet, duke pershkruar aksidentet e historise se dy paleve (qe nuk jane fare aksidente te siperfaqeshme, merr e rilexoni edhe nje here tregimet e Mopasanit per te kuptuar gjendjen psikologjike qe gjate luftes se 1870 es) , por gjithcka per te bere me te prekeshme idene se mardheniet e sotme, nuk jane ndertuar mbi ujra aq te qeta sa paraqitet ketu.

    Ne kujtimet e Gjeneral De Golit del qarte se kur hodhi idene e pajtimit me Gjermanine, atij iu kthyen kunder edhe shume nga kampi tij.

    Zaten, madheshtia e ketyre njerezve dhe e kenges ne fjale duhen pare te kete konteks te acaruar.

    Ndryshe do te qe fjala per nje nga kenget e shumta, mbase edhe te bukura, por pa asnje akt te fshehte dramatik brenda vetes, nje kenge si ajo e kooperativistve ukrahinase qe i kendonin minatorve te Donbasit, tha.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: