ESHTRA PA GJENERALË

Teksa lexoja lajmet për zbulimin e varrezës së viktimave të regjimit komunist në Qerret afër Tiranës dhe mësoja hollësi makabre për mënyrat e njohjes dhe të identifikimit të eshtrave, nëpërmjet difekteve në nofulla, dhëmbëve të shkulur, frakturave të vjetra, kopsave, orët e dorës të markave antedeluviane dhe mënyrave të tjera pothuajse arkeologjike, nuk munda të mos risillja në mendje Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, të Ismail Kadaresë.

Dukej sikur autorët e lajmeve të tanishme e kishin huazuar imazherinë prej faqeve të romanit; por jo tonin epik dhe krenarinë për armikun e mposhtur e të kallur në dhé; as jehonën e klishesë patriotike për këtë tokë ku “kanë lënë kockat” të gjithë ata që…; sepse varreza në Qerret na kujtoi të gjithëve viktimat e luftës më të hidhur ndër luftërat, ose asaj që ndezën shqiptarët mes tyre; e që sot e kësaj dite ia ndiejmë dhimbjet dhe padrejtësitë.

Gazetat nxituan të recitojnë listat e të vrarëve të mundshëm; për një moment u duk sikur çdo familjeje shqiptare së cilës i ka humbur një pjesëtar në katakombet e terrorit të kuq po i ringjallej shpresa për të gjetur nëmos njeriun e tyre, së paku provën materiale të zhdukjes së tij, vdekjen si realitet jo si ankth të zbrazëtisë. Të tjera shkrime në mediat u humbën në hollësi arkivale-burokratike, procedura të mjekësisë ligjore, ose të antropologjisë fizike e të antropometrisë; madje duke thirrur në ndihmë degë të respektuara të dijes që zakonisht merren me ilirët e lashtë dhe arbërit, tumat dhe viaticum-in e kohëve të tjera, përndryshe të perënduara.

U përsiat prova e radiokarbonit dhe teknika e identifikimit të 19 viktimave nëpërmjet veshjeve, ose origjinës së fibrave tekstile; u fol për analiza të kushtueshme të ADN-së; u përshkruan mënyra ekzekutimi me togë ushtarësh dhe me një të shtënë të vetme pistolete në oksipital, nga një oficer i besuar i regjimit, hero i heshtur.

Dhe sikur të mos mjaftonte ky fokusim i pazakonshëm në varret dhe varrezat, ia behu edhe një lajm tjetër, për eshtra të tjera, këtë herë të 21 dëshmorëve të Luftës Na-Çl, të cilat qenkëshin zhdukur pa lënë gjurmë nga një magazinë në Lushnje; një nga ato lajme që edhe të duash nuk i sajon dot, sepse të thonë që edhe fantazia ka një kufi përtej të cilit kthehet në absurditet.

Përfytyroni: eshtra dëshmorësh, të zhgroposura nga nuk di ç’periferi myzeqare quasi anonime, për t’u rivarrosur së bashku në një qimiter ndoshta më dinjitoz, ose së paku më afër selive të politikës – për ato raste festash gjatë vitit, kur homazhet i kërkon protokolli, në mos oportuniteti politik. Përfytyroni: eshtra të dëshmorëve të mbyllura në një magazinë çfarëdo, në thasë plastikë ose në arka domatesh, me nga një etiketë identifikuese përsipër, me numrin serial të zhgarravitur me laps kopjativ; si të ishin objekte të fondit të ndonjë muzeu të plogët, eksponate në pritje të ditës së bardhë kur do t’u vijë radha të ekspozohen, relike pa interes për arkeologun, antropologun, ideologun, historianin militant të së nesërmes. Përfytyroni: eshtra të dëshmorëve rrëmbyer nga magazina; ndoshta vjedhur për t’i shitur gjetiu si relike shenjtësh ose për t’i rivarrosur dhe pastaj zbuluar si eshtra ushtarësh nga Lufta legjendare Italo-Greke, në mos nga ndonjë luftë tjetër, edhe më fitimprurëse për gjetësit; ndoshta gabimisht, nga keqbërës që pastaj, për të mbuluar fajin, i kanë hedhur në lumë natën, si eshtrat e kolonelit Z., ose të At Gjergj Fishtës.

Ironi e fatit – më një anë skeletet e Qerretit, të rrethuara nga vëmendja e mediave, e specialistëve, e politikës; më anë tjetër skeletet e Lushnjës, të harruara raftesh të pluhurosura. Të vrarë nga plumbi edhe ata edhe këta; homines sapientes edhe njëra palë edhe tjetra; shqiptarë bij shqiptarësh; relike njëlloj potencialisht të afta për të katalizuar proceset politike dhe ideologjike, nëpërmjet mistikës së varrit e të dheut, mishit që tretet dhe kockës që mbetet, përkujtimit të përlotur, sakrificës sublime, tokës së larë me gjak, kurorave me lule të freskëta, lokeve shamizeza; por prapëseprapë aq të ndryshëm për nga fati, sa të bëhet të besosh se të zhvarrosurit e humbur të Lushnjes erdhën e u materializuan në nëntokën e Qerretit.

Gjithsesi, ky ishte nga ato raste të rralla kur mediat folën për të vdekur të kallur e të shpërkallur pa i rënë gjoksit e pa vënë vajza gjimnaziste të recitojnë poemat me varg të bardhë, amanetet e të rënëve dhe epikat e therorive; ndryshe nga vetëm pak muaj më parë, kur titujt anembanë mediave premtonin rikthime eshtrash të tjera, të çmuara, nga përtej detit; nga Nënë Tereza e Kalkutës tek Ismail Qemali, edhe pse këtij të fundit eshtrat po i rikalben në Vlorë prej gati gjysmë shekulli; por le t’ia kthenim edhe një herë tjetër, për hir të ceremonisë, flamurit të Marigosë dhe deklaratës së shfalsifikuar të Pavarësisë; ose për të dëshmuar (edhe një herë) sa fort po i don kjo tokë e kjo qeveri të vdekurit e vet!

Nuk ka komente

  1. Vdekja eshte e pashmangshme, e megjitheqe une i kuptoj synimet e mira te autorit, kurrsesi nuk mund te ve ne balance vdekjen e te pushkatuareve, me te “deshmoreve qe cliruan Shqiperine”, sado qe jane shqipetare e na dhimben. Te paret nuk donin te vdisnin, thjesht u pushkatuan…, te dytet luftuan per te vrare te paret. Sepse vdekja, ashtu si dhe jeta, ka vleren e vet. Te vdekurit nuk nderohen dot te gjithe njesoj sado qe vdekja eshte e dhimbshme. Eshte njesoj sikur te veme ne te njejtin piedestal cifutet e djegur dhe nazistet qe i dogjen.Te paret nuk paten alternative, te dytet po.

  2. Pse, shkruan “L_” keshtu?:

    ” kurrsesi nuk mund te ve ne balance vdekjen e te pushkatuareve, me te “deshmoreve qe cliruan Shqiperine”, sado qe jane shqipetare e na dhimben. Te paret nuk donin te vdisnin, thjesht u pushkatuan…, te dytet luftuan per te vrare te paret.”

    Plaga, dhimbja, ndonjihere s’le gjurme gjykimi me vend, por… ne ajer, nuk e di se ne c’ajer.

    Le te mendosh se “Deshmoret qe cliruan Shqiperine, vrane, pushkatuan?” Ke?

    vazhdon, e shkruan “L_”:

    “Eshte njesoj sikur te veme ne te njejtin piedestal cifutet e djegur dhe nazistet qe i dogjen.Te paret nuk paten alternative, te dytet po.”

    Nuk eshte njesoj. Alternativat qene aty: te ndryshme; si palet, me vete.

    Per dike qe sheh ne distance ate pamje, viktimat e cdo pale jane njelloj, ne se nuk ushqen viktimezimin per kohen qe jeton dikush-i sot.

    Mendoj se ne shkrim, Xha, mendimi justifikon shkrimin per lexim, qe une kuptoj se, po spekulohet per vdekje me vdekjen.

  3. Për të kuptuar gjithë spektrin e shkatërrimit të unitetit shoqëror që shkakoi diktatura në Shqipëri, është e domosdoshme të kuptohet qartë komenti i trishtë i personit që fshihet pas pseudonimit L_.

    Komenti i mësipërm nuk pasqyron thjesht padijen e skajshme në të cilën diktatura i la shtresat e përmbysura të shoqërisë shqiptare.

    Përtej krimit të padijes, nëna e gjithë krimeve, fshihet sidomos frustrimi për drejtësinë sociale krejtësisht të munguar gjatë viteve të tranzicionit.

    Edhe pse personazhi i mësipërm mund ta ketë dëgjuar si informacion faktin që shqiptarët që lanë kockat gjatë luftës kundër regjimeve pushtuese nazi-fashiste, nuk kanë qenë të gjithë kriminelë të regjur, komunistë apo simpatizantë, sërish e ka të pamundur ta filtrojë me koherencë këtë informacion, në perspektivë me eksperiencën e vuajtjes personale.

    Lufta nacional-çlirimtare, e stërpërdorur politikisht, për një pjesë të caktuar të popullit shqiptar mbetet një legjendë me të cilën justifikohen gjithë krimet kundër shqiptarëve gjatë dhe pas saj.

    Ky konflikt kaq i ashpër që mbahet ndezur me të gjitha mundësitë po e rrënon pakthyeshëm shoqërinë shqiptare.

  4. “Po rrenon pakthyeshem shoqerine shqiptare”. Po ky a nuk eshte nje koment edhe me i trishte se ai i L_ ?
    Padyshim; duke pranuar se autori i tij eshte nje njeri i informuar mire, me aq sa mund te gjykojne te gjithe lexuesit e blogut.
    Me nje gjuhe te tille, por sipas nje optike edhe historikisht skualifikuese dhe politikisht denigruese eshte shprehur paradokohe Fatos Lubonja – nje njeri i dale nga e majta dhe i goditur si pasoje e luftes brenda llojit.

    Pyetjes se “cfare eshte 29 nentori ?”, ai iu pergjigj : “Eshte festa e nje komuniteti politik”.

    Ky perkufizim qe ka brenda nje drejtesi relative gjykimi mund te paralelizohet per keq me nje date te re qe po mundohet te gjeje te drejten e qytetarise: sot Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi si dite perkujtimi per viktimat e Diktatures 20 shkurtin, date kur edhe u rrezua busti i Enver Hoxhes ne Tirane.

    Nese fitorja mbi Fashizmin eshte nje date e shenuar per mbare Evropen demokratike, atehere mendoj se keshtu duhet te jete edhe rrezimi i Komunizmit, i cili duhet kujtuar mire se MUNDI VETEN. E theksoj kete gje, pse nje nga shkaqet e zbehjes se modelit te antikomunistit, e per pasoje vleresimit si duhet te Diktatures, eshte pamundesia historike e Deklamimit te herozimit te ketij lloj individi, prej nga ku shoqeria do te mund te lexonte me mire mundesite e ndergjegjes se saj te paster, por edhe te mund ta lidhte veten me nje projekt qe teksa sugjeron te ardhme te ndryshme, ofron mundesi per korrektim. Perndryshe edhe per qendresen antikomuniste mund te themi se po i afrohet kufijve te legjendes, e cila mund te zberthehet me qarte nese ato te shkreta dosje do te hapen ndonjehere.

    Por cfare mund te pritet kur edhe 20 shkurti te perkufizohet si nje feste komuniteti politik, prej nga ku dikush thjesht frymezon ideologjite efemere qe ashtu si disa individe katapultohen me fushata?
    Natyrisht qe asgje e mire. Si mund te skalisesh histori ne memorien e nje populli qe konsumon vetem te ardhmen dhe nuk merret seriozisht me te shkuaren? 20 vjet tranzicion na mesojne mjaft mire se antikomunisti merr votat e nje komunisti qe i vendos vetes parashtesen “ISH” per te bere lustracionin e momentit. Ashtu si femijet e Bllokut votohen masivisht sepse sipas logjikes nuk mund te pergjigjen per krimet e baballareve.

    “Ketij poplli i duhet me ndrru trunin”, do te shprehej ne nje interviste te fundit At Zef Pllumi, nje emer te cilin e djathta zyrtare e ka glorifikuar me ceremoni shteterore, duke arritur edhe njehere ta bej pis dhe ta erresoje sakrificen e tij.

    Ky eshte nje perkufizim do te thosha une me shume se i trishte, gati fatalist. Ndoshta me me shume rendesi eshte qe te dokumentohet mire sakrifica e ketij skalioni anti-komunist, ne menyre qe ky brez njerezish te fitojne Historine e vet dhe jo sic kerkohet te behet sot, nje thele nga Pushteti.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin