RRËNJËT E MISRIT

Prej vitesh Këshilli i Shtetit kishte marrë, me dyer të mbyllura, vendimin që në arkivat e redaksisë së gazetës qendrore “Zëri i Masës” të ruheshin nekrologjitë paraprake të disa prej shokëve kryesorë të Partisë dhe të Shtetit, në mënyrë që, sikur larg qoftë të godiste e keqja, popullit të mos i vonohej informacioni i duhur.

Megjithatë, vetëm shumë vonë u lejuan, me urdhër të vetë Diktatorit, dinjitarët e lartë të njiheshin me përmbajtjen e nekrologjive të tyre, si dhe të bënin ndreqjet dhe redaktimet përkatëse në këto tekste ende të hapura për nga subjekti, në mënyrë që portretet e tyre, në rast nevoje, t’i jepeshin lexuesit revolucionar të plota, dinamike dhe koherente në detajet.

Ndër ata që trokitën simbolikisht në derën e kryeredaktorit të “Zërit të Masës” Vandush Xh., për t’u njohur me koncentratin e kontributit të tyre për çështjen, ishte edhe ministri i Drithit shoku Buçpapë S., bashkëpunëtor i afërt i Kryeparlamentarit Muharrem D., dhe një nga promotorët më të zjarrtë të përdorimit të misrit kubik në bujqësinë malore. Teksa kolegët e tij të rastit, drejtori i Drejtorisë së Mbarëvajtjes Nasho Sh., ministri i Qarkullimit dhe Sistemimit Qirjako Q. dhe ministrja e Ndërzimit Artificial Nebahet B. ishin zhytur tashmë në leximin e dokumenteve përkatëse, shokut Buçpapë iu tha, nga punëtorja e sallës, njëfarë Zyliha M., se nekrologjia e tij nuk gjendej, meqë ende nuk do të ishte përgatitur nga grupi i punës.

I vetëdijshëm për gravitetin e situatës, me t’u larguar nga selia e gazetës “Zëri i Masës” Shoku Buçpapë, i trokiti në derë mikut të tij Kryeparlamentarit Muharrem, i cili nga ana e vet e priti me dashuri dhe u mundua ta qetësojë me argumentin se disa shokëve të rinj në moshë Partia ende nuk ua kishte përgatitur nekrologjitë.

Po si shpjegohej atëherë, kishte kundërshtuar Buçpapa, që nekrologji të vetën kishte deri edhe ministri i Paraburgimeve, shoku Vlash E., më i riu ndër anëtarët korrespondentë të Këshillit të Shtetit?

Kjo shpjegohej, i shpjegoi Muharrem D. me durim, me natyrën e disa profesioneve të caktuara; meqë ministri i Paraburgimeve, për shkak të specifikës së detyrës së vet, ishte gjykuar si më i ekspozuar ndaj një aksidenti fatal sesa, bie fjala, ministri i Manifestimeve Sportive dhe i Dekorit, komisari i jashtëzakonshëm për Organikat ose edhe drejtori i Drejtorisë së Thjeshtimeve.

Unë nuk do të habitesha, kishte vazhduar Kryeparlamentari, sikur edhe vetë nekrologjia ime të mungonte në arkivat e “Zërit të Masës”; meqë janë të shumtë ata shokë dhe shoqe, në poste të larta të Partisë dhe të Shtetit, që vënë kokën në rrezik ditë e natë, në mënyrë që ne të tjerët t’i kryejmë të qetë detyrat tona. Si mund të pretendoja unë, kishte vazhduar Kryeparlamentari, që nekrologjia ime të mbahej gati e të azhurnohej, fjala vjen, para asaj të ministrit të Kufirit Shtetëror, shokut Bektesh F., të cilin hasmi nuk e heq kurrë nga shënjestra e karabinës?

Pa llogaritur këtu të gjithë ato kuadro të larta ende ushtarë të Partisë e që nuk i kanë braktisur pozicionet e tyre në llogore, me gjithë sëmundjet e rënda që po i gërryejnë nga brenda e nga jashtë, kishte përfunduar Kryeparlamentari, i ndërprerë nga një kollë e keqe si e çjerrë teli, e cila ia ngau mendimin për një copë herë.

Shoku Buçpapë u kthye atë natë në shtëpi natën vonë, por ende në kohë për t’i lënë së shoqes Sabahet dhe bijve disa porosi të fundit. Duajeni atdheun, u tha; duajeni popullin tuaj dhe Partinë. Ne jemi njerëz të thjeshtë, njerëz të baltës dhe të bajgës, të bagëtisë e të ugarit; aq sa kur vdesim dheu na pranon pa shumë bujë, sikur të na kishte pritur me jatakun gati.

Ndaj të gdhirë i erdhën për ta marrë. Agjentët e policisë sekrete u treguan aq të njerëzishëm, sa të mos trokisnin fort në portën kryesore të vilës, për të i mos zgjuar fëmijët e bezdisur më kot fqinjët. I bindur se kubikët e misrit përfaqësonin të nesërmen e bujqësisë revolucionare, Buçpapa nuk tregoi kujdes kur u fut në Gaz, dhe përplasi ballin në hekurin e kabinës.

Sabotim sistematik i prodhimit të bukës për popullin, në bashkëpunim me grupin armiqësor të ish-ministrit të Mbarështimit, Elez Z. – ky ishte motivacioni i gjykimit dhe i dënimit të tij nga Plenumi e më pas nga Pleqësia e Lartë, e cila ia dha dënimin maksimal me unanimitet: vdekje me varje, të konvertuar menjëherë në pushkatim për arsye humanitare.

Vendimi i formës së prerë u ekzekutua në të njëjtën ditë kur ndërroi jetë, papritur e pakujtuar, edhe vetë Kryeparlamentari Muharrem D.; familja e Buçpapës, e internuar tashmë në katundin malor të Zvarrishtës, mësoi për lajmin e hidhur të vdekjes së ish-mikut të tyre nga nekrologjia e botuar te “Zëri i Masës”, të cilën ua lexuan kooperativistëve gjatë orës së informacionit politik, buzë arës me misër.