I IKURI

Duhet të ketë qenë fundi i viteve 1970, kur erdhi një kosovar, Dardan K., për të cilin thanë se ishte arratisur nëpërmjet Malit të Zi ose Malajzisë. Për një farë kohe, e njihnim nga era e pastës së rrojes ose e kolonjës që përdorte, të ndryshme nga ato të parfumerive tona shtetërore; pastaj dikur do t’i kenë mbaruar rezervat, siç iu zbërdhyl edhe xhupi prej lëkure qingji dhe iu lodhën kravatat vezulluese; prandaj e njihnim vetëm ngaqë ishte bërë yni, ose i mbuluar nga e njëjta cipë pluhuri të hollë të verdhë si edhe të gjithë ne të tjerët.

Poet nga natyra dhe libralidhës nga zanati, Dardan K. nuk përshtatej dot me mjedisin e ri, ndoshta ngaqë kishte frikë se e ndiqnin, por edhe nga një kompleks tjetër që nuk e shpjegonim as donim ta shpjegonim. Në krye e trajtonim me delikatesë të tepruar, si të ishte liruar rishtaz nga ndonjë kamp të burgosurish politikë, duke e ftuar të ulej në krye të tavolinës e duke u kujdesur të zgjidhnim për bisedë vetëm tema epike sa kohë që rrinte me ne, por kjo dukej se e irritonte pa masë, meqë ia kujtonte të djeshmen; pastaj ndërruam sjellje, dhe nuk i kushtonim shumë vëmendje, çka e fyente përsëri pak, sepse i dukej sikur po ia harronim vuajtjet e parrëfyeshme, atij vetë dhe Kosovës mbarë.

I pëlqenin shumë sardelet, vargu i matur, byreku me pazí, gratë e kolme me flokë të fryra dhe fustane shumëngjyrëshe, këngëtari i muzikës së lehtë Nikolin Gjergji, kasatat, aforizmat, estrada e Durrësit, konjaku “Ekstra”, pesëkatëshi dhe filmi “Çifti i lumtur”. Dikush i kërkoi shpenguar një natë t’ia përkthente një citat të shkurtër rusisht nga Lermontovi ose Bielinski, për çka haptazi nuk i erdhi mirë, sepse u zbeh dhe e pyeti tjetrin se çfarë e kish bërë të supozonte se ai, si kosovar, e ditkësh rusishten.

Blente vetëm gazetën “Bashkimi”, së cilës ia lexonte pastaj të katër faqet nga kreu në fund duke i nënvizuar pasazhet e rëndësishme me laps; dhe kur nuk gjente asnjë gjë të shkruar për Kosovën, tundte kokën i pakënaqur dhe shfrynte lehtë mes dhëmbëve, thuase indiferenca e këtejme nuk i vinte e papritur, edhe pse gjithnjë e zemëronte; ndërsa kur ndeshte në ndonjë artikull ose koment për atë temë, tundte kokën përsëri i pakënaqur, sepse ndeshte shpesh gabime në çfarë ishte shkruar.   

Një ditë prej ditësh nuk e pamë më; na thanë se i kishin hedhur hekurat dhe pastaj dënuar për ushtrim të bixhozit me shuma të mëdha ose falsifikim bankënotash të valutës ose biletash treni ose, edhe më keq, triskash fronti; sikurse na thanë edhe se e kishin dëbuar nga vendi, në pamundësi për të vepruar ndryshe me të, ngaqë e kishte mbajtur pasaportën jugosllave; të tjerë thanë se kishte qenë agjent i vjetër i UDB-së, ndërsa të tjerë, se paskësh qenë, përkundrazi, agjent i vjetër i kundërzbulimit tonë, çka tingëllonte pak kërcënuese për të gjithë ne që ishim ulur me të kafeneve.

Thanë, më në fund, se një komshi i tij, njeri i besuar i shtetit, kishte treguar si, kur ia hapën muaj më vonë apartamentin e vogël, i gjetën vetëm dy xhaketa verore ende varur në dollap, një kavanoz me ullinj Berati në frigorifer, të poshtmet e pizhamave, një roman të Skënder Drinit, një shtrat të ngushtë e të rrudhur në dhomë të gjumit, me një komodinë të thjeshtë, mbi rimeson e keqe të së cilës ishte ngjitur tashmë një radio “Iliria” ende e sintonizuar në programin serbisht të Radio Tiranës.

 

3 Komente

  1. Kam qeshur.Mu kujtua nje ngjarje analoge.
    Kur isha ne shkolle te mesme,ndodhi vertet nje gje e ngjashme.Kosovari ishte i moshes sone.Te gjithe perpiqeshin e kujdeseshin qe ta ndjente veten sa me mire.Kur e pyeten se çfare deshire kishte,ai kerkoi te stervitej me ekipet e futbollit te qytetit.Na tha se ishte stervitur me nje ekip te njohur ne Kosove.E si perfundim,shkoi ne stervitje me ekipin e qytetit.Diten e pare,trajneri pasi beri prezantimin e pajisi me uniformen e ekipit,çanten e sportit dhe nje pale kepuce futbolli per stervitje.Kosovari ate dite nuk beri stervitje.Diten tjeter,kosovari erdhi ne mengjes ne shkolle me kepucet e futbollit me thumba.Mezi ecte duke u lekundur majtas djathtas,duke na lene te gjitheve te habitur.Edhe sot e degjoj zhurmen e thumbave metalike te kepuceve ne korridorin e shkolles.

  2. Një xhevahir i Z. Gjerazi ky, që gjithsesi, të tërheq vëmendjen jo vetëm për temën e rëndësishme të pikë-takimeve Kosovë-Shqipëri para dhe pas ngjarjeve të vitit 1980, por edhe për stilin tërheqës dhe plot humor. Përshkrimi, sidomos në fund tek pjesa e thashethemnajës, ka një tingull të këndshëm kadarejan.
    Presim “nostalgji” të tjera nga z. Gjerazi.
    Të bën pështypje edhe ndërtimi i fjalisë së Gjerazit, parë në këndvështrimin e “shqipes së drunjëzuar” ose “të drunjtë”.
    Shkruan Gjerazi:

    “Blente vetëm gazetën “Bashkimi”, së cilës ia lexonte pastaj të katër faqet nga kreu në fund…”

    Ndërtimi “së cilës ia lexonte… faqet” mua më duket shumë modern në shqipen. Mund ta kem gabim, por nuk jam i sigurtë nëse ky është një ndërtim të themi burimor i gjuhës sonë.
    Nga ana tjetër, më duket se haset në shqipen e Kosovës, çka mund të jetë huazim strukturor nga serbishtja.
    Duke mos qenë i fushës, thjesht e ngre këtë pikë për t’u ndriçuar nga bashkë-lexuesit.
    Porse nuk mund të mos vërej se nëpermjet kosovarishtes kanë hyrë me të vërtetë në shqipen disa konstrukte të panevojshme sllave, si “të uroj çdo të mirë”, p.sh.
    Ne themi “gjithë të mirat”…
    A futen edhe këto në “shqipen e drunjtë”?
    Dhe së fundi, a mund ta quajmë të përfunduar serinë e shkrimeve me të njëjtin titull?

    1. Vlora Vlora, jashtë teme – shkrimet për shqipen e drunjtë do t’i vazhdoj patjetër. Kam pasur ca gjëra në duar këto javë, që s’më kanë lënë shumë kohë për blogun…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: