KU TA HEDHIM KAZMËN?

Shtypi flet sot për një konflikt që paska lindur në Sarandë, midis pushtetit lokal dhe një ekipi arkeologësh vendas, izraelitë dhe francezë që punojnë për zbulimin e një sinagoge të lashtë në atë qytet.

Natyrisht, ky konflikt interpretohet në hullitë tashmë të njohura të politizimit, duke i vënë përballë pushtetit grykës dhe pronësues përbashkësinë e kulturës mesdhetare dhe natyrën në thelb globale të interesimit turistik (kitsch) për gërmadhat.

Për historinë e fesë judaike dhe të hebrenjve, kjo sinagogë mund të ketë rëndësi të madhe; çka duket edhe nga cilësia e arkeologëve izraelitë që po merren me gërmimet: Gideon Foerster dhe Ehud Netzer.

E madhe mund të jetë vlera e objektit edhe për industrinë turistike në Sarandë; edhe pse kësaj do t’i mjaftonte Butrinti, për të lulëzuar. Megjithatë, mund të përfytyrohet interesimi i turistëve nga Izraeli dhe i hebrenjve amerikanë për një objekt të tillë të rrallë.

“Shekulli” shkruan, ndërkohë, se

[N]xjerrja në dritë e këtij monumenti kaq të rëndësishëm në historinë e antikitetit dhe kthimi i tij në një prej monumenteve më të vizitueshëm të Shqipërisë është i rëndësisë së veçantë.

Si kështu?

Përgjigjen lexuesi e gjen po aty:

Sinagoga dëshmon “rolin e rëndësishëm të luajtur nga komuniteti hebraik i diasporës në jetën e portit të Sarandës dhe në marrëdhëniet midis qendrave porte të Mesdheut antik […]”

Po ashtu, ajo hedh dritë “mbi hebrenjtë e Sarandës të kryesuar nga Jishai.”

Disa shpjegime të arkeologes Etleva Nallbani për zbulimin dhe rëndësinë e sinagogës së Sarandës do t’i gjeni këtu, së bashku me deklaratën e prof. Netzer-it se:

Sinagoga e Sarandës do të përbëjë të ardhmen arkeologjike të vetë qytetit të Sarandës.

Të gjitha këto janë doemos të bukura në vetvete, prekëse, madje frymëzuese.

Është mirë që arkeologjia shqiptare, institucionet dhe mediat tregojnë interes për zbulime të lashtësisë judaike në Sarandën e lashtë, duke përfshirë edhe Jishain.

“Shekulli” harron të informojë lexuesin, ndërkohë, se ishte Instituti Arkeologjik i Akademisë së Shkencave të RSH që i ftoi profesorët e Institutit Arkeologjik të Universitetit Hebraik, për të marrë pjesë në gërmimin dhe studimin e përbashkët të objektit.

Megjithatë, nuk është ndonjë detyrë e ngutshme e arkeologjisë shqiptare të merret me sinagogat antike. Këta tempuj që i përkasin një feje dhe një populli në thelb të huaj për historinë e shqiptarëve dhe të paraardhësve të tyre në lashtësi, u duhen lënë, besoj unë, studiuesve të huaj që t’i rrëmojnë e qëmtojnë, ndoshta edhe duke u bashkëlidhur këtyre arkeologë të rinj shqiptarë e duke u kërkuar të financojnë gërmime në brendësi të vendit, të cilat mund të ndriçojnë shumëçka nga lashtësia shqiptare.

I njëjti arsyetim vlen, besoj unë, edhe për Apolloninë, Butrintin, Dyrracchium-in dhe të tjera zona arkeologjike të njohura përgjatë bregdetit aq të shkelur të Shqipërisë.

Rrënojat arkeologjike gjithnjë mund të shfrytëzohen për turizëm; sikurse një pjesë e të ardhurave nga turizmi arkeologjik mund të përdoren për të financuar kërkime të vështira në zona të thella e pa interes turistik; ose në zona nënujore, në bregdet dhe në liqenet.

Brendatoka shqiptare ruan me siguri të fshehta të vyera për lashtësinë ilire dhe mesjetën arbërore, të cilat mbeten për t’u zbuluar. Një pjesë e këtyre do të jenë dëmtuar tashmë rëndë, në mos shkatërruar krejt, nga kërkuesit e thesareve (të tillë ishin, në thelb, edhe ata që “zbuluan” varrezat e Kulturës së Komanit, ose thesarin avar të Vrapit, i cili sot ka përfunduar në Muzeun Metropolitan të NYC); por një pjesë tjetër do të ketë mbetur.

Çfarë ka rëndësi, në këtë mes, është fokusi: në bregdet janë fondacionet, fondet dhe lavdia, ndërsa në brendatokë balta, puna ingrate dhe përballja me të panjohurën.

Hebrenjtë e sotëm kujdesen për mbijetojat e kultit të tyre anembanë Mesdheut; dhe për këtë duhen admiruar. Ndoshta arkeologët tanë mund ta përdorin këtë përkushtim të kolegëve të tyre si shembull frymëzimi; dhe kjo për mua do të ishte arsyeja kryesore, për të cilën sinagoga e Sarandës do t’i vlente historisë dhe kulturës shqiptare.

Nuk ka komente

  1. Ne Butrint vijne turiste angleze qe nisen nga Korfuzi. Pra Butrinti edhe si aset turistik na ofrohet i ndermjetesuar nga bota helene. Shkojne ne Butrint, shohin dhe nuk rrine, kthehen prape ne Korfuz. Sinagoga, ne vendin ku ndodhet rrethohet nga gjithfare idiotizmash shqiptare per me shume qe me ate prirje qe shfaq siti arkeologjik i Sarandes, do te duhej te shkallmohej e gjithe “Qendra” per te krijuar me te vertete nje mjedis te denje per t’u vizituar.

    Libri nuk ishte ne panair.

    [Shënim nga 2Xh: siç më thotë botuesja, libri ishte ekspozuar në stendën e shtëpisë botuese Dukagjini, në katin e parë; meqë Çabej nuk pati stendë të vetën këtë herë. Tani libri mund të gjendet “te Libraria e Librit Universitar, si dhe tek libraria e vogël në trotuar, anash hyrjes së Bibliotekës Kombëtare (shitësja quhet Eva)”. Të gjitha këto të dhëna i kam nga botuesja, po jua përcjell siç më vijnë… Me falënderime për interesimin.]

  2. Tani sapo pashe kopertinen e librit ne facebook. Une te Dukagjini ndalova gjate, pse kishte shume botime te reja te perfshira ne nje kolane. Libri nuk ishte aq me teper qe edhe nese pranojme nje hutim timin ne leximin e titujve, ne kete rast do me zgjidhte pune ngjyra. Megjithate, ku i dihet se mos e njohim dhe aq mire veten.

    Urime per botimin, do e blej.

  3. Sinagoga hebraike eshte nje element mjaf domethenes e cila flet per te kaluaren e pasur e te vyer multikulturore te atyre viseve.
    Togefjaleshi ” mbijetoja arkeologjike” ne vend te ” mbetje arkeologjike” i cili perdoret rendom edhe ne rang studiuesish eshte mjaft i arrire.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin