INDIVIDUALIST – TOTAL – SOCIAL

industriaShpesh zgjidhjet e problemeve të shoqërisë sonë post-totalitare, të shpërfytyruar dhe kaotike, shumëkush i kërkon me të drejtë në proceset modernizuese, standartizuese dhe unifikuese, qofshin këto të karakterit ekonomik, politik, urban, gjuhësor, apo kulturor. E megjithatë duhet thënë se këto lloj procesesh nuk është se janë një risi për këtë shoqëri –  përveç faktit se i ka përjetuar ato në rrethana krejt të tjera historike dhe politike.

Nëse dikujt do i duhej t’i emëronte, apo t’u vishte një imazh proçeseve modernizuese të periudhës së Shqipërisë totalitare komuniste: ndërtimet standart të fabrikave, të banesave dhe sigurisht parafabrikatet do t’u vinin në mëndje – simbole të efektshmërisë, të mungesës së individualitetit apo edhe të varfërisë . Në arsim dhe kulturë: shkollimi masiv, standartizimi i gjuhës, masivizimi i arteve për hir të propagandës sigurisht që mund të renditeshin si arritjet më kryesore.

objekt 2 (Dritan Hyska)

Përkundër tyre, proceseve të sotme unë, padyshim, do u vishja imazhin e kaosit urban – simbol i individualizmit ekstrem dhe rendjes së shfrenuar pas pasurisë dhe mirëqënies vetjake (figurativisht më vjen në mëndje vepra e artistit Dritan Hyska,  i cili paraqet objekte në ndërtim e sipër si për të bërë një lloj skaneri, apo një shfaqje në gjëndje të vdekur të këtyre ndërtimeve, viktima të një epidemie të shkaktuar pikërisht nga ajo se çfarë ato përfaqësojnë: një mutacion midis tradicionales dhe modernes, pa arritur të krijojnë një identitet apo një arketip shoqëror). Kurse në rrafshin arsimor dhe kulturor një lloj kalbjeje e vazhdueshme të vjen në mëndje, viktima të çorientimit dhe shpërbërjes së shoqërisë, të kohës së integrimeve false dhe të lulëzimit të ndasive, lokalizmave, krahinizmave dhe krizës së identitetit.

Kuptohet se ka një diferencë cilësore në mënyrën se si e arrinte të njëjtin qëllim një sistem totalitar dhe se si mund ta arrijë atë një jototalitar. E megjithatë, pas pothuajse njëzet vjetësh post-totalitarizmi të krijohet përshtypja se angazhimi total i pushtetit të atëhershëm dhe, ndonjëherë, mo angazhimi total i pushtetit të tanishëm janë, po njësoj, të dëmshëm për pasojat afatgjatë që lënë në shoqërinë shqiptare.

Por a mund të hiqet ndonjë lloj paraleleje midis dy periudhave për të kuptuar se çfarë është e mundur në proceset modernizuese, standartizuese dhe unifikuese në kohën e sotme –  sigurisht duke lënë mënjanë dhunën e ushtruar në disporporcion të plotë me qëllimin për të modernizuar shoqërinë, apo të ushtruar për qëllime të tjera që nuk kishin aspak të bënin me modernizimin, ndonëse kryheshin në emër të tij? Personalisht them se modeli i modernizimit totalitar ia vlen për t’u arsyetuar, sado i përimtuar këtu në izolim nga të vërteta të tjera historike po aq të rëndësishme, me kusht që një arsyetim apo qasje e tillë do dallonte pozitiven nga negativja në të kaluarën dhe në të tashmen, por do kërkonte gjithashtu edhe izolimin e së keqes, të çdo periudhe qoftë.

1 maji burra me lule

Proceset e modernizimit në totalitarizëm, pavarësisht lehtësisë në vendimarrje dhe vullnetit të përqëndruar të pushtetit, në thelb nuk ishin as të thjeshta dhe as mund të ishin tërësisht produkt i dhunës dhe vullnetit të përqëndruar, të cilat jo vetëm se nuk mund të të justifikohen, porse do ishte absurde të mëndoje se ishin të lidhura apo kishin për qëllim procesin e modernizimit. Pra pavarësisht nga dhuna duhet thënë se: përpjekjet modernizuese përgjatë totalitarizmit ishin dhe mbeten përpjekje shoqërore.

Po ashtu, për sa i përket të tashmes, do duhej të kuptohej se asnjë përqasje individuale e sotme nuk mund të jetë e mjaftueshme për t’u klasifikuar si përpjekje modernizuese  ndërkohë që në të vërtetë: ndarja e sinoreve, vendosja e gardheve, ngritja dhe forcimi i pushtetit individual janë ligji i shoqërisë që po ndërtojmë. Shoqëria e sotme shqiptare është në thelb një shoqëri që përkufizohet nga diferencat dhe jo nga të përbashkëtat. Ajo është tashmë e ndarë në “elitarë” dhe në të “pagdhendur”; në “terribly modern people” (nëse do përdorja një shprehje të Kurt Vonnegut), dhe në “flamurtarë” të krahinizmave (të lokalizuara në mes apo anash byrekut etnik); në “patriotë” dhe “fetarë”; në “kombëtaristë” dhe “minoritarë”; pothuajse të gjithë të detyruar, ose jo, të bëjnë zgjedhjen më racionale duke vrapuar pas parasë dhe pushtetit, apo thjeshtë duke u shërbyer egove dhe superegove personale si të mundin.

Ajo që përjeton shoqëria shqiptare është në fakt një krizë identiteti, një shumatore identitetesh të ngjashme me objektet e riprodhuara nga Dritan Hyska, pasqyrim i superegove dhe individualizmit, të vdekura përpara se të lindin për arsyen e vetme sepse kanë harruar përkatësinë e tyre shoqërore.

Në ndryshim nga periudha totalitare, ku individi kishte një rol të përcaktuar shoqëror – që për mendimin tim ishte kyçi i suksesit në proçesin e modernizimit – në shoqërinë e sotme shqiptare, përkundrazi, ai është i zhveshur nga çdo lloj roli. Dhe nëse individi dështon të krijojë një rol vetëpërmbushës, duke mos qenë në gjëndje t’i drejtohet shoqërisë, si mbetet gjë tjetër veçse t’i nënshtrohet parasë dhe pushtetit individual të dikujt tjetër, qoftë ky edhe i maskuar si rol shoqëror. Por kurrsesi një roli që nënkupton sado pak zhvillime që shkojnë përtej  individualizmit.

Duhet thënë pra se: diferenca midis totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të shoqërisë shqiptare në aspektin e modernizimit ishte pikërisht roli i ndryshëm që ajo i caktoi individit. Mund të thuhet me siguri se ndërsa totalitarizmi e zhveshi individin nga çdo rol privat, post-totalitarizmi e zhveshi atë nga çdo rol shoqëror.

Personalisht mendoj se hapi i parë vërtet modernizues i shoqërisë shqiptare është rishikimi i rolit të individit. Së pari: aktivizimin dhe integrimin si pjesë e pashmangshme shoqërore e individit të lënë, ashtu, në harresë dhe “të bëjë ç’të dojë”, pa asnjë lloj roli shoqëror gjatë këtyre viteve. Së dyti: kalimin e pushtetit nga individi i gjithëpushtetshëm tek shoqëria,kryesisht nëpërmjet kufizimit të këtij pushteti. Këto duhet të bëhen duke e rikonsideruar, nëse do perifrazoja Carl Jung, rolin e personalitetit të individit në shoqëri si gjysëm shoqëror, dhe jo si privat, sikurse është në të vërtet (privat) statusi i individit në shoqërinë e sotme shqiptare.

Ndryshe nga reformat e deritanishme – të cilat ose e kanë lënë individin në mëshirë të fatit, ose në mënyrë progresive ia kanë kaluar pushtetin individit dhe ashtu të gjithëpushtetshëm, fillimisht duke përcaktuar që kryetarët e partive fituese duhet të ishin edhe në rolin e kryeministrit, dhe më pas në zgjedhjet e fundit të luante edhe rolin kryesor në përzgjedhjen e listave të kandidatëvë për përfaqësues ligjor në parlament, duke personalizuar dhe privatizuar sistemin – duhet të synohen urgjent një sërë reformash në drejtim të kundërt.

Ja disa reforma, subjekt kritike dhe sugjerimesh nga kolegët, që personalisht i konsideroj të domosdoshme:

Kryetari i partisë fituese të mos jetë kryeministër i ardhshëm; kryetarët e partive të mos kenë të drejtë të miratojnë listat e përfaqësuesve ligjorë por kjo t’u lihet si detyrë kuvendeve përkatëse; një kryeministër të mos ketë të drejtë të kryesojë më shumë se një ose dy mandate, sikurse edhe presidenti; të kufizohet, po ashtu, numri i mandateve për kryetarët e bashkive edhe komunave; në të gjitha nivelet e administratës të vendoset sistemi i karrierës me pikë dhe me kritere të mirëpërcaktuara se si përftohen ato, po ashtu pozicionet përkatëse në administrate të jepen vetëm në sajë të pikëve (shembull i mirë mund të jetë sistemi amerikan i administratës); të bëhet i detyrueshëm dhe transparent procesi i vlerësimit të detyrave vjetore për çdo punonjës; shteti të marrë përsipër krijimin dhe administrimin e urdhrave profesionale që përcaktojnë kritere teknike dhe etike në ushtrimin e profesioneve, lëshojnë licenca dhe sigurojnë mbarëvajtjen e profesionit, mbrojtjen në punë dhe trajnimin e vazhdueshëm të profesionistëvë; urdhërat profesional të shndërrohen në ura lidhëse midis profesionit dhe arsimit nëpërmjet akreditimit të arsimit profesional përkatës; stimulimi i aktiviteteve shoqërore dhe sidomos atyre kulturore me karakter shoqëror në të gjitha nivelet arsimore; nxitja dhe aktivizimi i administratës shtetërore në aktivitete kulturore: opera, teatër, balet, ekspozita, nëpërmjet biletave falas apo me ulje çmimi të rimbursuara nga shteti, duke mundësuar rigjallërimin e jetës kulturore në qëndrat urbane; ringritja e qëndrave kulturore; rikonceptimi i njësive urbane për të mundësuar vendimarrjen dhe administrimin kolektiv të blloqeve të banimit, dhe bërjen të pa mundur të marrjes individuale të vendimeve të cilat ndikojnë sadopak në komunitet.

12 Komente

  1. Shkruan Ujku i Zi:

    Në ndryshim nga periudha totalitare, ku individi kishte një rol të përcaktuar shoqëror – që për mendimin tim ishte kyçi i suksesit në proçesin e modernizimit – në shoqërinë e sotme shqiptare, përkundrazi, ai është i zhveshur nga çdo lloj roli.

    Duhet thënë pra se: diferenca midis totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të shoqërisë shqiptare në aspektin e modernizimit ishte pikërisht roli i ndryshëm që ajo i caktoi individit […] ndërsa totalitarizmi e zhveshi individin nga çdo rol privat, post-totalitarizmi e zhveshi atë nga çdo rol shoqëror.

    Ky është pasazhi kyç i esesë, më duket mua. Në terma të thjeshta freudiane, do të shtoja se, ndërsa individi totalitar sundohej në mënyrë autoritariste nga super-egoja, ky i sotmi, post-totalitar, e ka humbur super-egon që me fundin e totalitarizmit, dhe së bashku me të edhe bazën psikologjike të etikës.

  2. E drejtë Xha Xha,

    Gjithashtu, ajo që jam përpjekur të thosha është se: në një lloj mënyre ka ardhur koha për të riparuar jo vetëm plagët e totalitarizmit por edhe plagët e post-totalitarizmit, periudhë kjo e cila ndoshta nuk ka ndonjë mëkat të vetëm madhor, si ajo e të qënit totalitar, por që gjithësesi karakterizohet nga një mungesë e “vullnetit” shoqëror, për t’ia lënë individit në prëhër të gjitha; ç’ka e bën edhe më të vështirë analizën, ndonëse duket sikur poi a bëjmë për ditë edhe pafundësisht.

    Meqënëse përmënde Freudin, më vjen në mëndje një anektodë sipas të cilës një vajzë nga veriu fejohet me një oficer nga Vlora, dhe ky i fundit përgjatë një shëtitjeje në bulevard i tregonte për qytetin dhe për objekte të veçanta duke i thënë “këtë shëtitoren e ka bërë Partia”, “edhe këtë Pallatin e Sportiti e ka bërë Parita”. Pas një farë kohe kur kishin arritur pranë Skelës, vajza e pyet “Po detin?” dhe ai i përgjigjet “Ah, deti ka aty që në kohë të Zogut”.

    E kam fjalën që nëse do flasim për një analizë të psiqikës sociale na duhet të marrim parasysh jo vetëm “objektet e Partisë” por edhe “detin e periudhës së Zogut”, si dhe periudhat e ndërmjetme kur jemi përpjekrur ta fshijmë më dhunë memorien.

    Gjithësesi jam i mendimit se Shqiptarët nuk kanë takat për një shoqëri “individualistësh” sepse janë praktikisht shumë të vegjël. Thuprat një nga një thyhen më kollaj sesa kur janë të bashkuara – gjithmonë sipas metaforës që tregojnë se e ka thënë Skëndërbeu.

  3. Citoj Ujkun e Zi : “…gjithmonë sipas metaforës që tregojnë se e ka thënë Skëndërbeu. ”

    Nuk me pelqen fare ky lloj cinizmi. Edhe nese nuk e paska thene vertet Skenderbeu, pse dreqin duhet futur patjeter edhe ketu ku nuk e ka vendin.
    Gjella me kripe e kripa me karar ta haje dreqi.

    1. Ton Skendaj,

      Cinicizmi dhe parja e gjërave me sy kritik nuk janë shumë larg njëra tjetrës dhe mund të ngatërrohen fare kollaj, ndaj për këtë arsye, them unë, është më mire t’i përqasesh cinizmit me arsyetim dhe jo me emocione.

      Unë as që kisha ndërmend të isha cinik (sepse vërtet besoj në ato që thash), por më është bërë zakon që t’ua atribuoj burimeve gjëra që nuk i kam thënë vetë. Ndaj edhe e përmenda faktin se “tregojnë se e ka thënë Skëndërbeu” si burimi i asaj që thashë. Sepse faktikish ne nuk kemi asnjë dëshmi të drejtëpërdrejt.

      Shpresoj që ky shpjegim të jetë i kënaqshëm. Mund ta ketë fajin edhe përqasja ime për emocionet e tua, por në fund të fundit kush jam unë që të mas me maja emocionet e të tjerëve.

      1. Mos bej lojera fjalesh me mua se nuk mallengjehem thjesht. Te fola shume qarte duke menduar se do kuptoheshim, ndersa ti me tregon perqasje emocionesh e gjithfare budallalleqesh.
        Justifikimi me burimin eshte qesharak, por nuk e di nese fyen inteligjencen time apo tenden ne kete rast.
        Gjithe te mirat !

        1. Ton Skënderaj,

          Siç e thua edhe ti, unë shumë mirë mund të jem duke fyer edhe inteligjencën time, ndërsa jemi duke diskutuar kodra pas bregut.

          1. Pike se pari mbiemri im eshte Skendaj. Ndryshe nga te tjere qe perdorin pseudonime, une kam zgjedhur te postoj me emrin tim te vertete, ndaj te kerkoj ta respektosh ashtu sic eshte.

            Dhe jo, verejtja ime nuk eshte kodra pas bregut. Menyra se si ti e trajtove po, ishte femijenore.
            Gjithe cfare u perpoqa te them ishte se duhet te jesh me i permbajtur me te tilla ceshtje delikate dhe neqoftese ke byth, ti fusesh me takt aty ku e kane vendin, por jo me hedhje guri adoleshenteske. Nqs ke dyshime mbi burimet qe hedhin drite rreth Skenderbeut, Xha Xhai ta ka dhene mundesine ne shume tema te blogut, ose hap nje teme me vete dhe trajtoje gjate e gjere.

            Replika ime me ty mbyllet ketu, duke qene se nuk kam asgje per te shtuar.

            1. Ton Skendaj

              Nuk e di se ku i pe “dyshimet e mia mbi burimet që hedhin dritë rreth Skëndërbeut”. Ndoshta në ëndërr? Ç’ka e bën gjith këtë diskutim të jëtë kodra pas bregut.

  4. Nje pyetje qe ndoshta nuk ka shume lidhje me artikullin por qe leximi i tij ma rikujtoi;

    Njihet pasioni i diktatoreve dhe tiraneve per arkitekturen. Si shpjegohet mungesa e ketij pasioni tek Enver Hoxha? Shume pak vepra grandioze gjate sundimit te tij. Kam parasysh ketu faktin se edhe nje pjese e mire e objekteve simbol te diktatures si Piramida, Pallati i Kongreseve apo edhe bustet e Enver Hoxhes ne Tirane apo Gjirokaster, u ndertuan nga te tjere pas vdekjes se tij.

    1. Ar-kaos-ture,

      Një shpjegim i vërëjtjes tënde mund të jetë që Enver Hoxha ushtroi një diktaturë të tipit stalinist. Dihet shumë mirë kthesa që mori arkitektura, por edhe artet e tjera në BS me ardhjen e Stalinit. Pra duhet të ketë qënë çështje stili.

      Megjithatë më duket se disa fakte nuk i ke të sakta. Pallati i Kongreseve është ndërtuar në kohën kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Po ashtu një nga ndërhyrjet më “madhështore” në Tiranë, sheshi Skëndërbej mban firmën e padiskutueshme të Enver Hoxhës. Spastrimi i sheshit, prishja e Bashkisë së vjetër dhe Muzeumi Kombëtar, sipas dëshmive, janë udhëhequr drejtëpërdrejtë nga Enveri. Por ajo që është më e rëndësishme, monumenti Nënë Shqipëri ka qënë i planifikuar për t’u vendosur në qëndër të Tiranës, dhe fakti që nuk gjeti kurrë vend aty tregon se dikush kishte plane të tjera për vendin që i përkiste këtij monumenti në shesh. Pjesa me sa duket e donte që Enveri të mbetej në sytë e shqiptarëve ajo figura modeste, gjuhë më gjuhë me popullin që arnonte çorapet dhe kthente jakat e këmishave mbrapsht, dhe jo si dikush që mendonte dhe planifikonte t’i ngrinte monumente vetes. Pra të dukej sikur ishin të tjerët që ia ngrinin Enverit monumentet: populli, Partia, shokët. Pak a shumë një lloj dhiate e re. Dhe kam frikë se ia arriti disi qëllimit po të konsiderosh se si vazhdon të portretizohet në mitologjinë populloro-mediatike figura e tij.

      1. “ndërsa totalitarizmi e zhveshi individin nga çdo rol privat, post-totalitarizmi e zhveshi atë nga çdo rol shoqëror” Ujku i zi

        E lexova që dje artikullin, përtej frazës së cituar që pasqyron më së miri gjithçka ka ndodhur me ne në shekullin e fundit, gjithçka më tej më duke një stërzgjatje pa mundur që të sintetizonte, me po të njëjtën forcë të asaj fraze, edhe ndonjë mundësi të mundshme për zgjidhje.

        Nëse me arkitekturë nënkuptojmë aftësinë për të ndërtuar diçka në mënyrë funksionale, duke patur parasysh dhe prioritetet që koha shtron në periudha të caktuara, atëhere mund të gjykojmë apo dënojmë për varfëri fantazie arkitekturën e Enverit (!!!), por nuk mund të themi që qytezat e reja të krijuara nga hiçi ishin më të këqija se qytezat e reja (Bathore?!) të krijuara sot…. nuk mund të themi se investimet në arkitektimin e një ekonomie funksionale (hidroçentrale, metalurgji etj etj) ishin më pak patriotike se “Udha e Kombit”… mund të qeshim me stilin e varfër të ndërtimeve të asaj periudhe… me pallatet dykatshe të rrjeshtuara me një simetri ushtarake… ndoshta, por po të bësh një xhiro nëpër Bruklin, të njëjtat pallate koperative të së njëjtës periudhë do t’i shikosh edhe sot.

        Ndoshta tallemi, por nuk dimë se pse dhe me kë po tallemi… ndoshta e vetmja kategori që do të mund të talleshim pa frikë, do të ishte ajo e arkitektëve shqiptarë që nuk kanë ditur të japin kontributin e tyre(nëse kanë) për t’i dhënë një fizionomi arkitetkurës shqiptare.

      2. Ju falenderoj!
        Ne fakt une kisha parasysh vitin e mbarimit te Pallatit te Kongreseve qe eshte 1986 dhe prandaj u gabova. Sidoqofte nuk eshte se ai regjim i udhehequr nuk ndertoi vepra “grandioze” per vendin por qofte si numer qofte si imazh qe keto vepra te jepnin, ato ishin shume modeste.
        Pyetja qe ngrihet ne kete rast eshte si ka mundesi nje diktature aq e forte e udhehequr nga nje njeri qe kultin e individit e ngriti mbi gjithcka dhe ne nje vend me nje shtrat shume te pershtatshem per kete, nuk la pas kushedi se cfare ne aspektin arkitektonik?

        Shpjegimi juaj besoj se qendron. Por ndoshta mos valle Enver Hoxha kishte arritur te pushtonte cdo qelize sociale te atij populli dhe nuk e pa te nevojshme transmetimin e idese se pushtetit nepermjet arkitektures?
        Apo mos ndoshta diktatori thjesht nuk ishte i apasionuar pas arkitektures gjithashtu? Dicka e cuditshmje kjo, nje perjashtim nga rregulli do te thoja por qe gjithsesi ka ndodhur.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: