SAKRIFICA DHE HERONJ (II)

Po i kthehem çështjes së homogjenizimit, ose të homologimit të heronjve, martirëve dhe disidentëve, të cilën e preku Hyllini në një koment të paradokohshëm.

Sipas Hyllinit,

[K]onceptet e heroit, martirit e disidentit […] jane 3 kategori te ndryshme, 2 te parat jane modele te qarta moralo-spirituale (heroi edhe fizik) qe i dhurohen brezave, kurse i treti eshte me shume nje model i thurur ‘intelektualisht’ i cili supozon edhe vlera te larta morale te disidentit, te cilat burojne thjesht nga veprimi i disidences, pa te cilin ky supozim nuk ka perse te qendroje ne kembe. Ndryshimi eshte i qarte, heroi dhe martiri njihen si te tille nga brezat , ndersa disidenti politik (shtesa eshte e nevojshme) nga intelektualet e ne fakt fryhet nga ta.

Që heronjtë, martirët dhe disidentët, si kategori, ndryshojnë mes tyre, kjo nuk ka arsye të vihet në dyshim dhe në fakt nuk e ka vënë kush. Çështja është nëse këta kanë aq tipare të përbashkëta mes tyre, sa të përfshihen në një kategori të vetme, semantikisht eprore (hiperonim).

Nga ana tjetër, të pranosh që këto tri kategori ndryshojnë mes tyre, nuk do të thotë t’i japësh të drejtë Hyllinit e të pranosh përcaktimet e tij, të cilat për mendimin tim nuk qëndrojnë. Për mua, heroi nuk mund të ndahet dot nga narrativa si veprimtari njerëzore thelbësore (elementare), së cilës i shërben si subjekt (kryefjalë); martiri i qaset më shumë një koncepti të historisë dhe të shoqërisë si të dominuara nga feja; disidenti ka të bëjë me epokën moderne, ku fetë janë zëvendësuar nga ideologjitë, dhe mund të merret si vijim i heretikut në mesjetë.

Mua më duket gjithashtu e gabuar të thuash se “heroi dhe martiri njihen si të tillë nga brezat, ndërsa disidenti politik nga intelektualët,”, meqë brezat dhe intelektualët nuk mund të kundërvihen logjikisht, sa kohë që brezat janë koncept diakronik (historik), ndërsa intelektualët sinkronik; dhe sidomos në qoftë se Hyllini, me këtë pohim, ka parasysh folklorin – sepse folklori, veçanërisht në epokën e sotme të mass mediave, nuk ka kurrfarë epërsie, as funksionale as morale, në raport me mendimin intelektual dhe përpunuesit e këtij mendimi.

Tani, se çfarë mendon Hyllini për këtë temë, kjo ka rëndësi relative; por tema në vetvete meriton të diskutohet, prandaj edhe e kam nxjerrë më vete. Të gjithë më duket se jemi të një mendjeje që në modernitet heronjtë dhe martirët po vijnë duke u pakësuar, dhe vendin po ua zënë disidentët, kur nuk ua zënë celebrities; për mua kjo ka të bëjë, kryesisht, me disa shndërrime rrënjësore që kanë pësuar narrativat globale dhe lokale nën ndikimin e mass mediave, të ideologjive dhe të regjimeve politike. Sado të shkumohen kombëtaristët dhe shqiptaristët, Lahuta e Malsisë nuk ka asnjë shans përballë Big Brother.

Don KishotiDukuria nuk është dhe aq moderne. Heronjtë, martirët dhe disidentët janë kategori historike, të cilat përcaktohen nga konteksti bashkëkohor; është qesharake të shpresosh për heronj homerikë, ose edhe për Mic Sokolë, në një epokë të dominuar nga publiku i Arian Çanit, ose i Portokallisë. Një heroinë si Jeanne D’Arc sot do ta kishin kuruar me Zyprexa. Nuk është rastësi edhe që KGB-ja e Juri Andropovit i kuronte disidentët sovjetikë në spitale psikiatrike, duke i “qetësuar”.

Por ka edhe më – sepse historike janë edhe disa tipare psikologjike njerëzore, përndryshe të nevojshme për të përftuar heronj, martirë ose edhe disidentë. Disa sjellje dikur të rëndomta, nuk mund të shpresosh t’i ndeshësh sot, në një epokë të sunduar nga narcisizmi. Një vajzë e rritur në një mjedis të saturuar me mesazhe mediatike që pompojnë epërsinë e trupit ndaj shpirtit, duke ia konstruktuar personalitetin femrës si koleksion buzëqeshjesh, dhëmbësh, tundjesh, veshjesh, krehjesh dhe mbathjesh, vështirë se mund të vendosë një ditë të mbyllet në kuvend, për të ndjekur shembullin e Nënë Terezës.

Përballë ndryshimesh të tilla kontekstuale, orvatjet për të imponuar kategori morale absolute duken donkishoteske.

Ndryshimet në psikologjinë e individëve ose të komuniteteve duket se i përgjigjen, në vija të trasha, kontekstit social, madje edhe teknologjik. Për t’u bindur për këtë, mjaft të shohim evolucionin e çrregullimeve psikiatrike gjatë dy shekujve të fundit, në shoqëritë perëndimore. Deri edhe në fund të viteve 1950, mes neurozave ishte histeria ajo që ndeshej më shpesh, veçanërisht ndër femrat, ndërsa sot, në vendet perëndimore, format klasike të histerisë po vijnë duke u rralluar në mënyrë dramatike (konvulsionet histerike, shtatzënia imagjinare, paralizat histerike, histeria kolektive); përkundrazi, neurozat e ankthit dhe të panikut vijnë duke u shtuar, shpesh me ngjyrime hipokondrike; sikurse edhe çrregullimet e të ngrënit (anoreksia, bulimia). Mes psikozave, edhe skizofrenia duket se ka “evoluar”, meqë format e dikurshme, të karakterizuara nga halucinacionet vizuale, po humbin truall përballë formave paranoide dhe manisë së persekutimit; dhe mes këtyre të fundit, deluzionet me përmbajtje të fortë fetare kanë ardhur duke u zbehur, veçanërisht përballë deluzioneve me natyrë teknologjike (atomi, valët e radios, lazeri, rrezatimet, etj.).

Siç mund të pritej, ndryshime të tilla në tablonë klinike të neurozave dhe të skizofrenisë nuk i ndesh në shoqëri të ashtuquajtura të pazhvilluara ose primitive, p.sh. në Afrikë, ku histeria kolektive ende ndeshet rëndom – siç e dëshmojnë lajmet e shpeshta për fshatra dhe qytete të prekura nga magjitë, mallkimet ose helmimet imagjinare.

E bëra këtë parantezë për të mbështetur idenë se, në epokën e sotme, është e kotë të shpresojmë për heronj ose martirë të kulluar, si ata që na dëshmon historia, tradita ose kujtesa kolektive (duke përfshirë këtu edhe narrativat fetare); madje edhe Nënë Tereza vinte nga një shoqëri ballkanike kuazi mesjetare dhe virtytin e vet pati fatin ta kultivonte në një vend të botës së tretë si India; edhe pse famën ia detyron, njëlloj si Paris Hilton-i, mass mediave, të cilat e shndërruan në ikonë naive, duke përfituar nga origjinaliteti i figurës së saj, qoftë edhe vizuale.

Përsëri nuk është e rastit që diskursi për heronj dhe martirë ndeshet gjithnjë e më shpesh në kontekstin e terrorizmit si dukuri globale; meqë për një segment të Islamit fondamentalist, palestinezët që shkojnë e hedhin veten në erë në diskoteka ose në agjenci autobuzësh në Tel-Aviv, ose irakenët që u lëshohen me kamion postëblloqeve të ushtrisë amerikane në Bagdad, janë martirë të Islamit dhe ndoshta heronj për t’u adhuruar prej masave liridashëse. Pas 11 shtatorit 2001, mbaj mend që pati disa diskutime në shtypin perëndimor, pasi presidenti i atëhershëm amerikan George W. Bush i quajti “frikacakë” (“cowards”) terroristët vetëvrasës që i komanduan avionët drejt kullave binjake; disa komentuesve nuk u shpëtoi absurditeti i këtij karakterizimi.

Tek e fundit, edhe në Serbi do të gjesh plot njerëz që deri edhe Milosheviçin, Karagjiçin dhe Mlladiçin i mbajnë për heronj kombëtarë; çka mund t’i bëjë të tjerë të mendojnë se kategoria e heroit në Perëndim, sot, është në vetvete anti-moderne; meqë i bashkëlidhet marrëzisë, edhe kur nuk i bashkëlidhet së keqes absolute. Në këto rrethana, figura e disidentit rivlerësohet, veçanërisht në qoftë se jemi gati të quajmë ashtu këdo që është gati të burgoset, për të mbrojtur pikëpamjet e veta, të cilat i bien ndesh dijes zyrtare. Hyllini më lart quajti disidentë të gjithë komunistët në SHBA; edhe pse së shpejti shumica e popullsisë amerikane nuk do t’ia dijë kuptimin fjalës “commie” – sikurse edhe shumë fjalëve të tjera shumërrokëshe; unë do të përmendja edhe rastin delikat të të ashtuquajturve historianë revizionistë, të cilët vënë në dyshim versionin zyrtar të Holokaustit e që, në disa vende të Europës, janë dënuar me burg pikërisht për gjeste të tilla intelektuale të kulluara; ndërsa në SHBA, ku liria e fjalës është ende e shenjtë, janë stigmatizuar nga akademia dhe mediat. Edhe këta historianë adhurohen si heronj nga përkrahësit e tyre, e djathta antisemite dhe liberalët ithtarë fanatikë të lirisë së fjalës; bash për këtë arsye, nuk kanë munguar as zëratqë kanë kërkuar që këta revizionistë të mos persekutohen më ligjërisht, meqë persekutimi në raste të tilla vetvetiu përfton “heronj”.

8 Komente

  1. Nuk e di por sapo lexova titullin mu kujtua nje urdher i fese Cifute”Mos besoni ne heronj,sepse per sa kohe do te besoni dhe nderoni ata do te jeni skllever”.Nuk e di nese e ka ndryshuar mendja ime kuptimin dhe duhej te behet fjala per mite.Pertoj ta gjej frazen e sakte ne internet.Sa te ngjashem jane format e tyre?Ose ku ata ndryshojne ne lidhje me kohen?Une them qe nuk ndryshojne.Ne thelb qendron kuptimi”bejne ate qe ata duan te bejne”.Pra jane njerez te lire ne lidhje me vetveten,por qe nuk marrin parasysh kushtet kufizuese fatale te nje shoqerie(shteti,feje) caktuar,ose kundershtarin e tyre ushtarak ose pushtues( sa i fuqishem eshte).Dhe per mua perjashohen vetem ata qe jane te detyruar te mbrojne familjen e tyre,si ate vogel personale,ashtu edhe ate te madhe te grupit nga nje rrezik ekzistence personale ose kolektive(ne kushtet e vetmbrojtes fizike per jeten).Cdo dallim tjeter i gjetuar,kur nuk kemi te bejeme me rrezikun e ekzistences jetesore,perben kenveshtrime te mometit ndonjehere edhe pa shume elemente te rendesishem.Per mua ndryshimin duhet ta beje grupi ne nje moment te ndergjesimit te tij kunder keqesise vepruese.Ti kerkosh demokracine Cezarit duhet ta paramendosh qe jeten e ke te shkurter.Cezarit mund tja kerkoje vetem pasi ta kishe vrare.Atehere ai mund te lejonte lirine e shprehjes se medimit te kundert me te.Te thoshje qe toka rotullohej kur gjyqet e Kishes benin kerdine,ishte njesoj sikur te shkoje me kembet e tua ne turren e druve.Dhe duhet te prisje ne jeten tjeter(thuhet qe ekziston)te kalonin 5 shekuj qe mbase ndonje kre i mire i Kishes ti kerkont falje pasardhsve te shtambedhjete te tu.Heronjte,martiret jane shkendija qe tregojne se ferkimi po ritet por nuk jane ata qe sjellin renien e te keqes.Ata vetem reagojne instiktivisht,emocionalisht dhe jo se jane te detyruar ose te miremenduar.Po keshtu dhe nje disident.Njeshi eshte vetem nji ndonjere edhe i semure mendor i pakontrolluar rastesisht tek mjeku.Ne kemi nevoje nga instikti per heronj,martire ose disidente.Ne duam gjithmone qe dikush te ngreje doren per te riparuar nje difekt,veprim i cili ka si pasoje vdekjen e sigurte.Vetegenjehemi se do te shpejtoje zhjidhjen e problemi.Ne duam Rambo,prandaj ka rambo.Ne jemi njesoj si femije te vegjel qe duan figura te cilet t’na udheqenin shpirterisht.Ne duam pikerisht ate qe skemi dhe nuk kenaqemi asnjehere me ate qe kemi.Problemi eshte kush vendos te mos kete dhe ate qe ka me te shtrenjten,jeten e tij.Une mendoj se ai eshte budalla.Dhe budalla kur shpeton si disidenti,kerkon llogari te tjereve pse nuk ishin edhe ata budalle.Kur vjen e keqja hapi deren,thote nje proverb i gjuhes Shqipe.Se sa ka shume te keqia qe svaren nga ne apo ti i vetem sadoqe te kundershtosh,nuk ndryshon gje por fiton ne rastin me te mire me vone vetem nje monument,ndonjehere edhe prej allcije.Dhe humori firak nuk fal”Loni(heori) prej betoni,Peti(jo heroi) pe verteti”.Une kete gjetje folklori,nuk e kam kuptuar deri ne fund.Emri Loni eshte rastesisht per rime,apo kupton edhe nje nen si “i loni”.I loni nga mend( e ka lene mendja te shkretin).Na kane ushqyer me akila dikur,pastaj me shenjtore qe burgosen nga perandore ose pushtues,pastaj me shkencetare qe digjeshin ne turren e druve nga perkrahesit e mevonshem te shenjtoreve,pastaj me partizane te rene ne luften per te kuqeruar atdheun e skllaveruar banusit e tij,pastaj me disidente..qe flasin per te kaluaren duke mos kuptuar te tashmen.Shkelim ne te njeten rruge ku duam qe ti kemi H-M-D,por me nje kusht personalisht te mos jemi,ku paraidete shpresedhenese vetegenjyese zevendesojne njera tjetren ashtu si H-M-D.Cuditerisht ngrihemi,por aspak nga heronjte ose disidentet.

  2. Ndërsa lexoja më kalonte ndërmend një skenar i tillë:
    Edi, një nga ata që hyn në ktë blog (Edi në ktë rast “elementi”, ndërsa blogu, “Shoqëria”).
    Ky Edi, sa herë që i jepet mundësia, brënda dhe jashtë kontekstit të temave në diskutim, nuk ngurron që të shkruajë “fiksimet” e tija (P.sh: “Para Laçi!”, “Laçi kampion!”, “Laçit ja vodhën kupën!”).

    Kuptohet dhe është e natyrshme që prej të gjithëve, ky personazh, megjithëse nuk i bën keq komentuesve të tjerë direkt (ose edhe nëse të tjerët i pranojnë si të vërteta “parullat” e tija), konsiderohet si troll dhe, herët a vonë, ndokush prej moderatorëve, me kërkesë të ndonjë komentuesi, Luljani p.sh, do ta “burgosë” Edin me ndonjë ban (dhe për më tepër, Edi hëngri dhe nja dy shpulla prej Luljanit kur u takuan në “reale”.

    Skenari vazhdon:
    Pas një viti, Laçi luan në Finale me një tjetër skuadër… edhe pse nuk është në lartësinë e skuadrës tjetër, ka fatin që të gjëndet në avantazh me tre gola (për absurditet shtoj që golat ishin në fakt autogola të vetë skuadrës tjetër).
    Me gjithë superioritetin e skuadrës kundërshtare, ajo nuk mundte të shënonte… dhe ju deshën tre penallti (të dyshimta, të dhëna nga arbitri) që të arrinte të barazonte… koha shtesë sërish barazim dhe … në shortin e penalltive Laçi humb kupën.

    Pas kësaj ngjarjeje… shumëkush u kujtua për ato që thoshte dikur Edi dhe kërkonte që të rivlerësohej pozicioni i tij në këtë blog.

    Disa pyetje:
    – A është Edi disident, martir apo hero?
    – A është Luljani spiun?
    – A është moderatori diktator?
    – A është Luljani kriminel (pas dhunës)
    dhe së fundi: ata (intelektualë) që ngrihen të mbrojnë figurën e “disidentit”, vërtet mund të konsiderohen të denjë? (duke patur parasysh “historinë”… sepse dikur Edi konsiderohej,me të drejtë troll prej të gjithëve, apo jo? )
    … dhe një pyetje tjetër, sipas jush, pas kaq kohësh që Edi vuajti “burgosjen”, me se do të ishte më i kënaqur; sikur Laçit t’i jepnin një kupë ad honorem apo sikur Luljani t’i jepte nja dy birra?

    P.s: E bëra hartim më duket… për ktë është “faji” i Pishakut që i ka harruar “nostalgjitë” 🙂

    p.s2: Për autorin: “vinte nga një shoqëri ballkanike kuazi(??? pothuajse?) mesjetare”

  3. Ne temen e pare, problemi qe mu paraqit ishte barazvlefshmeria e tre koncepteve, qe verehej nga shkembyeshmeria e lehte e tyre, vecse dallimet jane aq thelbesore saqe une per vete u gjenda e gjendem ne veshtiresi .

    Perseris se permasat e djeshme e te sotme te disidentit politik jane krijuar prej intelektualeve, per intelektualet e ky eshte dallim shume i rendesishem.

    Roli real i disidenteve ka qene pothuaj zero, u perdoren politikisht prej perendimoreve e u ngiten ne ikona, por aty
    kemi edhe perendimin e disidentit.
    Pyetjes se cbene intelektualet gjate diktaturave komuniste, iu gjend nje pergjigje: disidence politike.
    Me kujton nje skene tek nje film:
    -Ka senatore qe i kane kushtuar jeten Romes e qe i kundervihen Komodos.
    – I kundervihen, pa bere asgje!

    Kjo mosberja e ndonje gjeje me rendesi publike ka shkaqe nga me te ndryshmet e sdoja te flisja per to, por vete mosberja e ndonje gjeje qe ngre masat , qe shpeton masat apo qe perthithet nga masat si model per mua i heq cdo lloj pretendimi per lidhje me heroin apo heroizmin.

    Detyrimisht, disidenti nuk ka vend ne rrefenjat apo gojedhenat , dmth nuk perben as model edukativ e aq me pak nje ‘modus vivendi’ nderkaq mban fort vendin ne libra te pafund qe intelektualet shkruajne per veten e tyre.

    Ne shoqerine e sotme eshte e vertete qe Vipat e disidentet
    gjithnje e me te teper perpiqen te perbejne modelin e po aq e vertete eshte qe Lahuta ska shanse para Big Bradherit, vecse keto jane fenomene te perkohshme, kurrsesi nuk mund te mposhtin dot , ne planin afatgjate Lahuten apo heronjte.

    Civilizimi perendimor, meqe jemi tek donkishoterite, i ka themelet e veta tek modeli heroik i Greqise se lashte dhe i martirit kristian.
    Eshte paqja, qe ska nevoje per heronj apo martire, nuk eshte civilizimi perendimor apo shoqeria perendimore qe si duhen me modelet edukative te nje kohe qe s’kthehet me.
    Vendi perendimor ne lufte te perhershme(gjithmone gjendet nje cep planeti ku mund te beje lufte) , dmth Amerika, ka shkaktuar inflacion heronjsh te cdo lloji.

    Nje dallim i fundit, por jo per kete me pak i rendesishem, eshte padyshim lidhja e disidentit me probleme pastertisht te brendshme te nje shoqerie, nderkaq heroi lidhet kryesisht ne problemet e jashtme te nje shoqerie, dmth heroi vepron ne nje fushe ku supozohet bashkimi i te gjithe anetareve te shoqerise, pra eshte bashkues, homogjenizues, ndersa disidenti politik do jete perhere flamurtari i nje ideologjie politike te caktuar.

    Vete fakti qe heroi mund te zevendesohet nga disidenti politik, deshmon se shoqerite po ngrene modele percarjesh e jo bashkimi. Jo vetem komunistet ne SHBA, por gjithe fashistet e nazistet kudo jane, futen tek disidentet politike.

    Persa i perket psikozave kolektive qe prodhojne heronj apo
    vete fete, ky eshte nje interpretim historik i psikologeve, qe bie ndesh me perfundime te shkencave te tjera .

  4. Edrus,un kam frike se shume prej disidenteve ne Shqiperi u krijuan nga larte per te bere shembullin per te tjeret,per te treguarin mire rulin shtypes se diktatures ndaj atyre qe e kundershtonin ate.Nje prej deshmerove,ose me fjale te tjera nje prej heronjve,te cilit historine e vertete ja di mire.Kur kapitulloi italiani heroi shkoi per te vjedhur kuaj tek kazermat e tyre.I kishin thene qe italianet ishin larguar.Por e verteta ishte se ata nuk ishin larguar dhe roja e kazermes kur dalloi sliueten e hajdutit,beri detyren.
    Per 40 vjet familja e tij mori pensionin e Heroit.Shoqeria paguante gabimisht per hajdute kuajsh.Diktatura donte numra si nga njera ane per heronjte pozitive ashtu edhe nga ana tjeter.
    Diktatura nuk rronte dot pa koncptin e armikut te brendshem.Kur ata ishin aq te zgjuar sa ta mbanin brenda mllefin e nuk shfaqeshin ajo i krijonte.
    Mbaj ment Enrik Veizin pas daljes nga burgu me 1990.Ai nuk kishte qene kurre disident.Ate e kishin futur ne liste sepse ashtu donte byroja.Byroja donte armiq,sabotatore nga radha e inteletualeve.Nje armik intelktual kishte me shume peshe,friksonte me shume masat.
    Ata ndahen ne tre grupe,te krijuar per te bere dordolecin,te shtuar per te rritur numrin si dhe budallenjte.
    Nje fill te pershket kane ataqe kuptojme ne per vertet heronjte,martiret ose disidentet.Ata jane vrases,te te tjereve ose te vetevetes ose vetvrases i ngelur ne tentative si rasti i disidentit,kjo nuk ka rendesi.
    Jo,endrus zhvillim e bejne ata qe nuk jane heronj.Dhe per kete ke faktin e te shkuares dhe te tanishmes.
    Dhe shkrimin nuk e ben fustani,apo kostumi por mendimi qe synon qendren e problemit.
    Ti mendon te besh shkrim hero,por ulu pak e shkrihu ne bashkesine,per te kuptuar me shume konceptet filozifike qe kane ardhur si rezultat i domosdoshmerise dhe jo i kotesise se rrahjes se ujit ne havan,ose te kerkimit te berjes se vrimes ne uje.

    1. Diktatura nuk rronte dot pa konceptin e armikut te brendshem.

      Orakull, shëmbulli im, për sa absurd që ishte, paraqiste një mundësi që mund ta ndeshnim realisht… më duket se vërtet bëra një vrimë në ujë, sepse ato të mijat ishin disa pyetje që kishin të bënin me shembullin që sillja dhe jo me historinë që e njoh po aq mirë sa ti.

      Nëse filozofia është e pazgjidhshme nga historia(e Shqipërisë), atëhere do të vazhdojmë gjithmonë që, në vënd të trolleve dhe miteve të rremë, të kërkojmë e gjejmë vetëm armiqtë e brëndshëm…

  5. ””’Nje fill te pershket kane ataqe kuptojme ne per vertet heronjte,martiret ose disidentet.Ata jane vrases,te te tjereve ose te vetevetes ose vetvrases i ngelur ne tentative si rasti i disidentit,kjo nuk ka rendesi.””’

    Orakull, kqyri pak keto stilizime e thuaje prape fjalen, vrases.

    http://321ignition.free.fr/img/art/pag_008/Shijaku.jpg

    http://users.skynet.be/fa021227/bashwebsite/histori/19-M-Sokoli_fichiers/19-M-Sokoli.jpg

    Nese filli i perbashket apo kategorizues eshte akti i vrasjes, kategoria perfshin edhe Hitlerin edhe serial-killerin.

    Gjithsesi keto 2 foto i solla edhe sepse jane domethenese ne shume aspekte sidomos persa i perket lidhjes se heroit me politiken e disidentit politik si hero.

    Vojo Kushi, qe beri nje gjest te ngjashem me Mic Sokolin, po del ngadale si nga imagjinata ashtu edhe nga kujtesa kolektive, ndersa Mici ruan ‘magjine’ e sic eshte zakoni, perdoret edhe kafeneve ashtu si Nene Tereza, dmth ne menyre mohuese qe pahnxjerr, se une filani sjam hero apo shenjtor, keshtu qe mos me kerko x a y gje apo veprim dmth statusi percillet edhe pse ne formen e mohimit.
    Pastaj po i njejti person mund edhe ta shohesh te mburret me Micin apo Nene Terezen sidomos kur ka perballe nje te huaj; Sheh ca nxjerr ky popull apo jo ?!!

    Tek kafenete ke edhe rrefenjen, e cila mungon per Vojo Kushin . Pse ? Sepse hyn faktori ‘politike’, Vojo Kushi hero komunist.
    Po i njejti faktor e heq edhe disidentin nga kafenete, dmth eshte e veshtire qe nga librat ky te kaloje ne kafenete e lagjeve apo fshatrave.

    Nderkaq per heroin nevojitet edhe nje imazh, qofte fotografi , qofte pershkrim i tipareve fizike, se heroi ka te domosdoshem edhe nivelin estetik per te hyre ne imagjinaten popullore.
    Disidentet skane imazh ose jane aq larg asaj qe pranohet, si per tiparet fizike ashtu edhe per veshjen, keshtu qe imagjinata kolektive e refuzon. Nderkaq ata vazhdojne te ngelen neper libra, disa edhe ne librin e historise.

    Shiko Vojo Kushin, eshte stilizuar ashtu si duhet te jete nje hero proletar, akti heroik dihet qe eshte ne qytet,fytyra e rruar mire, basetat deri tek kocka e Partise, floket e shkurtera, me nje fjale, djalosh revolucionar, modeli per njeriun e se ardhmes, fizikisht te merr me qafe ashtu si cdo hero i vertete, por jo i beshem apo thuaj gjigant si heronjte e vjeter.

    Politika, me nje fjale po zhduk ngadale Vojo Kushin nga kujtesa kolektive e po i njejti faktor largon disidentin nga kafenete.

    Nderkaq Mici, mbeshtetet fuqimisht ne imagjinaten tradicionale te Trimit, qe krijohet gjate moshes se njome duke lexuar, pare e degjuar.
    I gjate e i beshem, aq sa topi duket si loder, floket e gjata, mustaqet vesh me vesh, vetulltrashe, fytyrengrysur, i veshur me kostumin popullor, qeleshja/plisi ne koke me nje fjale ai qe ne imagjinaten kolektive te djeshme e te sotme perben jo vetem malsorin por edhe shqiptarin ‘safi’,burrin trim, ate qe ndiqet edhe nga nje thes me vlera moralo-spirituale, qe i japin edhe ate qe sot mund te quhet njefare terheqje ekzotike.
    Nderkaq terheqja ekzotike gjithmone shoqerohet heshtur apo haptazi me fjalen injorance e kjo gje ne ‘kohen e dijes’ quhet e pafalshme dhe normalisht harrohet se Trimi me dijen nuk kane asnje arsye perputhjeje, ate fushe ne imagjinaten kolektive shqiptare e ze plaku i urte.

    Ky Hero tipik i mbiquajtur Trimi, per mua nuk mund te zhduket nga imagjinata kolektive apo te zevendesohet nga disidenti.
    Per te arritur kete, duhet qe disidenti te behet protagonist i perrallave, miteve, kafeneve e historise shqiptare.
    Mirepo kam pershtypjen, se nese disidenti do behej i tille nuk do zhvleresonte Trimin po Qerosin, ai hero i lodhur fizikisht, i shtyre ne skajet e shoqerise, i ngjashem me ‘antiheroin’ Dolon , inteligjent dhe dinak.

    Keshtu qe, sado te luhet me disidentin e sado te ndryshoje struktura sociale, disidenti apo heronjte moderne te cfare natyre , qofte edhe herojte e mjeljes , do jene perhere fenomene te perkohshme qe pergjate kohes o do humbasin ose do u pershtaten modeleve te mitizuara qe ndodhen ne ndergjegjen apo te pangjergjeshmen e te rriturve, moderne apo jo qofshin keta te rritur.

    Perndryshe, do marrin modelin e heroit apo superheroit te Hollivudit, Bredoku, Rambo , Spider Man, Hulk etj.

    Nuk e shoh ne pikepyetje figuren e Heroit aq sa shoh te disidentit, nese nisem nga poshte-lart, nderkaq shoh ne pikepyetje modelin e heroit qe po u paraqitet femijeve shqiptare, Mic Sokoli apo Ramboja ?

  6. Xha Xhai thotë:

    Përballë ndryshimesh të tilla kontekstuale, orvatjet për të imponuar kategori morale absolute duken donkishoteske.

    Përderisa jetojmë në një epokë që edhe kulturën që nuk i shërben drejtpërdrejt progresit e konsideron si “sëmundje” që duhet kuruar dhe vaksinuar , çdo orvatje për të mbajtur anën e kësaj kulture – të memories njerzore; thjeshtësisë së komunikimit pa ndihmën e atomeve – sigurisht që nuk mund të konsiderohet ndryshe veç se si sindrom e një sëmundjeje psiqike. Shumë shpejt po ia shohim hajrin atomit.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: