REALITET I KRIJUAR

Supozoj se lexuesi e ka mësuar tashmë se çfarë ndodhi me ministrin shqiptar të Kulturës Ylli Pango.

Emisioni televiziv “Fiks fare” i dërgoi në shtëpi ministrit të qeverisë Berisha gazetaren e vet të maskuar si punëkërkuese; kjo e regjistroi bisedën, duke përfshirë edhe pjesën me protagonist testosteronin (transkriptimin do ta gjeni këtu); më pas e gjithë kjo u bë publike dhe brenda ditës Pangos iu dha urdhri të lirojë sirtaret e tryezës së vet në ministri.

Natyrisht, shumëkush e ka duartrokitur këtë fund komik të një ministri të përfolur dhe të përçmuar për arsye të ndryshme; dhe veçanërisht pas artikullit të neveritshëm që vetë Dr. Pango shkroi kundër një intelektuali dhe përfaqësuesi të shoqërisë civile (A. Klosit) para pak ditësh, duke e sulmuar me libër shtëpie. Vështirë të mos mendohet, në këto rrethana, se ministri i Kulturës gjeti një fund që e meritonte.

Megjithatë, unë besoj se pikërisht këto arsyetime dhe reagime melodramatike, në mos prej operetash, duhen shmangur, nëse duam të kuptojmë se çfarë ka ndodhur pikërisht.

Një kanal i madh televiziv dhe një emision nga më të ndjekurit (“Fiks fare”) dërgojnë një gazetare përgjuese të takojë Pangon, me shpresë se ky do t’i qëndrojë besnik reputacionit të vet në këtë fushë, dhe do t’i qaset gazetares seksualisht.

Në shkëmbimet midis gazetares dhe ministrit, në mjediset e vilës, Pango kujton se është në hapësirën e vet private dhe ashtu sillet; meqë nuk mund ta dijë që gjithçka po i regjistrohet.

coquetteGazetarja e maskuar si koketë jo vetëm po e regjistron sjelljen e ministrit të Kulturës, por edhe po e shkakton atë, me ndërhyrjet e veta të studiuara, ndoshta edhe të përgatitura nga regjisorët e emisionit.

Kësisoj, incidenti i regjistruar nga “Fiks fare” është pjesërisht produkt i vetë emisionit; ngjarje artificiale, që nuk mund të trajtohet, madje as nga pikëpamja juridike, si ngjarje e mirëfilltë.

Premisa kryesore e këtij inskenimi ka të bëjë me supozimin se ministri Pango i ka qejf vajzat dhe kërkon t’i shtjerë në dorë duke shfrytëzuar pushtetin e vet; pra një defekt, ose ves karakterial i ministrit.

Duke e lejuar koketën të futet në mjediset private të vilës ku banon ministri Pango, për ta joshur këtë të fundit (baiting), “Fiks fare” e tejkalon rolin që u besohet mediave në një shoqëri të hapur dhe demokratike; meqë mediat tani nuk po mjaftohen ta përcjellin realitetin, por po duan ta krijojnë atë.

E kotë të shtoj se kjo nuk ka shumë të bëjë me gazetarinë hetimore (investigative). Po të dëshironin mediat, ose palët e dëmtuara nga sjelljet e ministrit Pango në të kaluarën, mund të kishin përgatitur një dosje me incidente dhe dëshmitarë, dhe ta kishin bërë atë publike.

Përkundrazi, provokimi banal që iu bë Pangos dhe shkarkimi i rrufeshëm i këtij zyrtari të lartë më pas, u themeluan mbi një realitet të krijuar artificialisht, ose një skenë teatri, në të cilën vetëm njëra palë ishte e vetëdijshme për rolin e saj prej aktoreje; pa përmendur pastaj shkeljen e ligjit, në atë masë që një qytetari (aq më tepër i mbrojtur me imunitet), iu regjistruan fjalët pa qenë ky në dijeni të këtij fakti.

Nëse ligjet kanë vlerë pikërisht në ato situata kur ndihemi më tepër të tunduar për t’i shkelur, atëherë nuk mund të mos përfundohet se krejt incidenti, i inskenuar nga “Fiks fare”, është shtjelluar në një hapësirë të jashtëligjshme. Që edhe vetë ministri Pango ka ndërmarrë shpesh ekskursione në hapësira të tilla dhe e ka shkelur ligjin me të dy këmbët, siç përsiatet, nuk e përligj aspak inskenimin e “Fiks fare”; por vetëm konfirmon se shpërfillja e ligjeve e sjell gjithnjë me vete rrezikun e rrethit vicioz.

Më duket e tepërt të shtoj këtu se ligji, paprekshmëria e hapësirës private dhe respekti për personin kanë për mua shumë më tepër rëndësi sesa fakti banal nëse Ylli Pango është apo jo ministër Kulture në Shqipëri.

A është ky roli që duam t’u besojmë mass mediave në Shqipërinë e shek. XXI? A mundet një shoqëri pluraliste dhe demokratike, siç dëshiron të jetë ajo shqiptare, të tolerojë kaq haptazi shkeljen e hapësirave private të individit, qoftë ky edhe ministër ose deputet i kritikuar nga shumë anë për sjelljet e veta në të kaluarën?

Këtyre pyetjeve them se u duhet kërkuar përgjigjja. Çfarë sapo ndodhi me ministrin e Kulturës më tregon më tepër sa e papjekur ka mbetur shoqëria shqiptare, sa të brishta dhe manipuluese institucionet dhe veçanërisht sa i obsesionuar publiku me personazhet e soap operas politike, në dëm të ideve, programeve, strategjive, taktikave dhe vizioneve të kësaj klase.

30 Komente

  1. Citim : “Duke dërguar koketën në mjediset private të vilës ku banon ministri Pango, për ta joshur këtë të fundit (baiting), “Fiks fare” e tejkalon rolin që u besohet mediave në një shoqëri të hapur dhe demokratike; meqë mediat tani nuk po mjaftohen ta përcjellin realitetin, por po duan ta krijojnë atë.”

    Xha Xha, mund te me shpjegosh se ku e mbeshtet kete ?
    Pra :
    1) faktin qe ishte fiksi qe e dergoi ne vile dhe jo qe ishte pango qe ja kerkoi aty takimin
    ( perkundrazi, vajza disa here insiston qe takimi te behet ne ministri )
    2) Thua se vete gazetarja shkakton reagimin e tij dhe e josh ate

    1. Ton, e paskam keqkuptuar. Me lejo ta korrigjoj ne shkrim; edhe pse nuk me duket se thelbi i shkrimit cenohet.

  2. Bota nuk eshte perfekte Xhaxha i dashur. Ne nje te tille, nuk do te kish nevoje per “kurthe” te ngjashem, si per faktin se vajzat qe nder vite kane rene pre e urise seksuale te Profesorit (…) do te denonconin vete te parat (ne vend qe te vijonin me perkthimin e librave nga anglishtja ne menyre qe ai me pas ti botonte si studime te vetat), ashtu edhe per ate tjetrin qe, qenie te ngjashme nuk do te gjendeshin ne pozicione ministrore apo te tjera si keto.
    Nganjehere, qellimi e justifikon mjetin.
    Sidoqofte, ne parim jam me ty.

  3. Nuk besoj se mund të shkojmë aq thellë sa të themi se realiteti është krijuar, të paktën në këtë rast. Realiteti ka qënë aty dhe është provokuar reagimi. Megjithatë, nëse keni ndjekur emisionin të Fiks Fare që mund ta gjeni online, moderatorët e tij mbështesin idenë se incidenti nuk është provokuar, të paktën jo në masë sa të formonte një tjetër realitet.

    Në realitetin e Pangos, thjesht është shtuar një femër e paraqitshme dhe kaq! Gjithë vallen më pas ka qënë Pango që e ka hedhur.

    Një problem tjetër del në pah te mosfunksionimi i duhur jo i gazetarisë investigative por i sistemit ligjor. Sepse, duam apo jo, nuk është e mundur të barazohet një dosje me dëshmi me kapjen flagrante TË FILMUAR apo me “presh në dorë”.

    Në lidhje me mediat, problemin kryesor unë e shikoj te selektimi i informacioneve dhe skenave të tilla. Nga një qind raste dhe personazhe, gazetarët zgjedhin të paraqesin një apo disa të tillë, gjë që kompromenton asnjëanësinë e tyre, por edhe u jep në të ardhmen forcë për të shantazhuar.

  4. Po nje keqberes mund te pretendoje per realitet te krijuar kur policia i ngre nje kurth per ta kapur?

    1. Tannhauser:

      Po nje keqberes mund te pretendoje per realitet te krijuar kur policia i ngre nje kurth per ta kapur?

      Patjetër që mundet, siç e vërtetojnë mijëra procese gjyqësore të paktën në SHBA.
      Megjithatë, në rastin tonë, ka dy pika që duhen pasur parasysh: (1) që hapësira private e Pangos u dhunua nga një televizion, ndërsa gjetiu, kur ndërmerren operacione të tilla, është e nevojshme të merret miratimi i një institucioni gjyqësor, i cili është e vetmja instancë që mund të lejojë, për arsye të forta, këtë shkelje të të drejtave të qytetarit; (2) nëse flasim për krim, në kuptim të kulluar, këtë në rastin konkret e ka kryer “Fiks fare”, jo Pango.
      Kushërira më thotë:

      Per ne qe jetojme ne kete realitet eshte e veshtire te perceptohesh drejt dhe kam pershtypjen qe kush te lexon thjesht thote: Por mor mik po ku jeton ti?

      Kushërirë e dashur, mirë se vjen në blog. Unë nuk jetoj në Shqipëri, por ju që jetoni aty, i keni zgjedhur disa parime, kritere, ligje dhe institucione me dëshirën tuaj; prandaj unë jetoj në atë botë së cilës i përket virtualisht edhe Shqipëria. Nëse ju që jetoni atje besoni se e gjithë kjo është e parakohshme, dhe se çështjet e ndryshme madhore ose delikate ose kritike duhen zgjidhur fshatçe, ose duke u lëshuar fajtorëve qentë e televizioneve komerciale, atëherë gjeni aq kurajë sa t’ua thoni këtë hapur kandidatëve që do të votoni në zgjedhjet e ardhshme, kur këta të fillojnë të pëllasin për Europën, lirinë, demokracinë, institucionet, qytetërimin dhe idealet perëndimore.

  5. Shqtsim krijon fakti qe realiteti, ne fjale, i sajuar, nuk krahasohet me ate real: Shfrytzim makut/lubi, jashte cdo etike/morali tjeter nga ai i ministrit me gazetaren fiks eshte cektesia e reagimit te politikes ne ceshtjet politike, ku vetem infeksioni moral nxit debat te vetin per te lene nen hije nje realitet administrativ te degjeneruar – te faktuar pafundsisht edhe ti heqesh seksin politikes.
    Aq i avancuar eshte degjenerimi, sa ky minister pa integritet ne detyren e tij duket si viktime e nje mungese me eprore integriteti duke filluar nga reagimi i Kryeministrit te informuar nga gazetare fiks.

    S’kam c’them. Vemendje.

  6. I dashur kusheri,

    Kam patur rastin te lexoj shpesh shkrimet e tua dhe si gjithmone me pelqen kend veshtrimi (approach) yt. Shumekush sot ne rrethin “relativisht intelektual” te Tiranes u mjaftua me nje e-mail te ceket te tipit Pango Party qe per mua nuk thote asgje me shume se emisioni i djeshem.
    Ti shkruan- “Kësisoj, incidenti i regjistruar nga “Fiks fare” është pjesërisht produkt i vetë emisionit; ngjarje artificiale, që nuk mund të trajtohet, madje as nga pikëpamja juridike, si ngjarje e mirëfilltë”. Te kuptoj drejt kur thua qe eshte produkt artificial i “Fiks fare” dhe e kuptoj qe per dike qe ka vite qe jeton ne demokraci te paster dhe ne shoqeri me rregulla mediatike te percaktuara qarte, kjo nuk eshte cfare duhet te ndodhe, por nje ballafaqim publik i asaj qe ti quan dosje me ballafaqime e deshmitare.

    Per ne qe jetojme ne kete realitet eshte e veshtire te perceptohesh drejt dhe kam pershtypjen qe kush te lexon thjesht thote: Por mor mik po ku jeton ti?

    Prandaj dhe pavaresisht se te mbeshtes plotesisht, dua qe t’i them nje bravo emisionit (pavaresisht dyshimeve te mia personale qe inskenimi behet ne nje kohe dhe konjukture te paracaktuar qarte) qe te pakten ben dicka. A mos valle i duhej kjo doktorit qe te kuptonte se sa jashte standartit e kishte Ministrin e Kultures? Mjafton te shikosh strategjine e turizmit qe nuk i ka levizur asnje presje qe nga qeverisja e Nanos dhe as qe pritet t’i levize sepse prandaj eshte strategji, por qe nuk ka asnje rresht te marre ne konsiderate e te thuhet e implementuar.

    Na shkruaj, te lexojme me kenaqesi.

    P.S Libri yt nuk gjendet ne asnje librari ne Durres. Pyeta edhe Adrion-in por duket qe nuk kane levizur nga Durresi.

  7. Kusherire une mendoj se Xha xhai ka te drejte. Ne cilin realitet jetojme ne ??? Pergjigja ime eshte se jetojme ne ate realitet ku askush nuk mund te pretendoje shenjtorin. Ministri profesor rastisi te kete vetem cilesine e pare, por gazetarja qe inskenon me kaq sukses mos valle po na u beka Profesore?
    Dhe per t’i thene gjerat ashtu si jane sepse personalisht kam pak informacion. Ky emisioni Fiks Fare valle e ka moralin e denoncimit sepse dikush duhet te monitoroje edhe hartimin e skenarit (skenareve) pas kuintave gjithe drita. Ministri doli per zverku nga zyra pas vendimit te Kryeministrit dhe pamjeve qe mundi i gazetares i kishte mbledhur me aq kujdes. Por me shume me cudit vrapi i nje shoqerie ne tezgat e gazetave per te shuar kuriozitetin (te jete ky perversitet apo deshire per informacion!!!) e detajeve te bisedes, amplifikimi i trafikut te bluetooth dhe mundesisht nese neser Prof. i diskretituar kalon perpara ne rruge… disa kapardisje gjithe ironi te atyre qe notojne ne virtyt. Po kuptoj se ketu ne Tirane nuk ka nevoje te shkosh me ne teater; ate e kemi falas perdite.

  8. “Më duket e tepërt të shtoj këtu se ligji, paprekshmëria e hapësirës private dhe respekti për personin kanë për mua shumë më tepër rëndësi sesa fakti banal nëse Ylli Pango është apo jo ministër Kulture në Shqipëri.”

    Vetem se ne Res Publica te Shqiperise, politikanet nuk jane persona private por publike. Keshtu qe qenia e Ylli Pangos Minister Kulture ne Shqiperi, nuk eshte fakt banal, por fakt qe mohon paprekshmerine e hapesires private te Ministrit.

    Sa per realitetin e krijuar, mjafton qe te jemi ne vezhgim, dhe realitetin e kemi ndryshuar. Per mua kjo ka vlere, pavaresisht faktit se duhet te ruhemi nga pushteti arbitrar i syrit.

  9. Ky episod tregon dhe njehere tjeter se sa te dobeta jane institucionet ligjvenese dhe ekzekutuese ne Shqiperi.

    Perse psh. nuk e kane mbytur me padi Pangon viktimat e tij te verteta, dmth. punekerkueset e verteta te cilat mund ti kene shkuar deri ne fund lojes se tij te pushtetit. Sic duket viktima te tilla nuk do te kete patur me pakice.

    Kjo vjen sepse njerezit me te drejte nuk kane besim tek institucionet shqiptare, tek drejtesia e policia. Media mbush me kenaqesi boshllekun e merr rolin e paditesit dhe gjyqtarit njekohesisht. Dhe natyrisht keto role nuk i takojne fare. Pasi nese nuk ke besim tek institucione qe ti i zgjedh me vote te lire si duhet te kesh besim tek organizma me qellim perfitimi. Kush na siguron se media nuk ka paraqitur vetem pjesen qe i intereson pra ka lene pa publikuar detaje te vogla qe mund ta kthejne permbys te gjithe perceptimin mbi ngjarjen. Media nuk eshte e detyruar te jete transparente mbi menyren se si e ka ngritur e zhvilluar filmimin. Kishte ndonje avokat mbrojtes Pango ne momentet qe po pyetej nga paditesit ( dmth. gazetarja e fiks fare)? Kur policia ben veprime te ngjashme (pergjime etj.) veprohet sipas rregullave te percaktuara mire ne ligj. Pra gjykimi i mevonshem mbi ngjarjet behet shume me i lehte.

    Ky lloj gjykimi nga mediat nuk eshte ne thelb shume me i ndryshem nga ato vrasjet qe i ben turma me gur grave te denuara ne Iran e gjetke. Kjo menyre eshte padi e gjykim i painstitucionalizuar e si i tille gjykim joligjor, kunder principeve te shteti te se drejtes. Duhen forcuar institucionet publike e jo duartrokitur media qe askush nuk e di se si dhe pse financohen.

  10. …ngjarjes po i shtoj edhe thashethemnajen (nga burime jo edhe aq te painformuara:) ):

    – ngjarja u lajmerua ne emisionin Fiks Fare te nje dite me pare.

    – thuhet:) se paraditen e mbremjes se shumepritur:), shtate (7) ministra e telefonuan Filipin (Çakuli – drejtues i FF) “dashamiresisht”, me deshiren e mire per ta pyetur “Ore, kush eshte ai qerata minister more Filip?”. Filipi dyshon se qe te shate (7) dyshonin se ishin ata vete:)…

    – Profesori u lajmerua pothuajse zyrtarisht (nga TCH) se behej fjale per te ne ora 16.00.

    – ne te njejten kohe u mundesua edhe njoftimi (po aq gjysem zyrtar) edhe per KM.

    – asgje per tu shenuar nuk ndodhi deri ne transmetimin e videos (fjala vjen ndonje doreheqje apo shkarkim qe te mundesonte mostransmetimin e videos…).

  11. Unë mendoj se:

    1. Nuk mund të jesh fajtor nëse bie në një grackë të përgatitur mirë.
    2. Nëse bie në grackën e përgatitur mirë, je një viktimë, kurrësesi autor.
    3. Kushdo mund të bjerë në një grackë të përgatitur mirë, pasi askush nuk është shenjt dhe kushdo ka pika të dobta.
    4. Viktima (Y.Pango) është beqar/i divorcuar që do të thotë një pikë e dobët e mjaftushme për të organizuar grackën e përgatitur mirë.
    5. Gracka të tilla do ti kishe zili dhe Sigurimi famkeq i Shtetit, për të mos thënë se….
    6. Autorët e grackës nuk janë gazetarë të mirfilltë por njerëz të lidhur me politikën. Regjizori (F.Çakulli), kandidat për deputet i PD dhe i pakënar me këtë të fundit dhe një gazetar (Saimiri), kandidat për deputet i PS.

    Komentet e metejshme janë të tepërta. Ndryshe për këtë histori mund të thuhet “bir selman i nënës kë të qaj më parë”.

  12. Po të zëvëndësojmë togfjalëshin “Fiks fare” me atë “Top Channel” ngjarja merr një dimension tjetër.

  13. Po te beheshin gjerat me ligj ne kushtet e Shqiperise, ashtu sikurse ndodh zakonisht ne boten Perendimore, me shume siguri vete i akuzuari do te ishte nder te paret qe do ta dinte se c’po kurdisej. Nuk mund te flasim dot per rigorozitet ne zbatimin e ligjjit per te tilla gjera. Efekti pozitiv i moszbatimit te ligjit ne kete rast eshte shume here me i madh se ai i zbatimit te tij. Pra fshatarce, ne nje vend ku gjerat tradicionalisht ne keto 20 vjet jane bere fshatarce, e shoh perkohesisht si zgjidhjen me te mire. Shikoni c’po heq Drejtesia aty me nje minister mbrojtjeje e zyrtare te tjere te larte qe mbartin kaq shume pergjegjesi mbi supe per Gerdecin. Vriten kaq haptazi njerez, me nje mal me prova per krimin dhe s’mban njeri pergjegjesi, jo me te kerkosh menyra ligjore sesi te fusesh ne pranga nje minister pa karakter e moral. I mire apo i keq “Fiks Fare”, jam i sigurte se shume shqiptare te thjeshte kane nevoje te shohin te poshteruara para ekranit shume figura politike te atij vendi qe e kane katandisur Shqiperine ne gjendjen qe eshte sot.

  14. Ne se dikush njeh qofte dhe nje shembull te tille (pra, kur nje medium inskenon ne hapsiren private te nje politikani te larte, per te zbuluar imoralitetin e tij) nga vende te tjera te konsideruara si demokratike (Europe, Usa, Kanada, Australi…), le te na e sjelle.
    Do isha i interesuar.

    Faleminderit.

  15. Nuk mund te gjesh Stalker,sepse keto shtete kane prokurorira,hetusire,Fbira.Ne Shqiperi keto mungojne,ose me sakte jane vetem formale,jo puneberese.Televizioni ka bere nje pune qe duhet ta benin te siperpermendurat,dhe ka bere shume mire.Biles TV-ja duhet ti kerkoj Shtetit Shqiptar haken per punen e kryer.

  16. Albi, problemi eshte qe nese punet zgjidhen gjithnje fshatarce dmth. mediat behen polic e gjykates njekohesisht pavaresisht rezultateve fillimisht me te mira zgjidhja ligjore (dmth ajo me e mira afatgjate) e humb shume atraktivitetin e lincimi nga mediat institucionalizohet. Por ndersa njerezit i kontrollojne indirekt institucionet publike te tyre nepermjet votes, mediat private nuk i kontrollon askush pervec pronareve e aksionereve.

  17. Orakull,

    NUK kerkova te di nese në vende te tjera, normalisht demokratike, funksionon prokuroria, hetuesia apo FBI-ja. Une kete e di, sikunder di qe keto insitucione qe ti permend, NUK bejne inskenime dhe mizaskena melodramatike qe vlejne dy grosh, por investigime dhe hetime profesionale.

    Pyetja ime ishte : inskenime dhe mizaskena te tilla qe vlejne dy grosh, a ka pasur raste te jene bere NGA MEDIAT e ketyre vendeve, drejt modelit demokratik te te cilave Shqiperia perpiqet te shkoje ?

    post scriptum 1 : pyetja ime ishte qellimisht “naive”, sepse pergjigja ishte brenda pyetjes : SIGURISHT QE JO !

    post scriptum 2 : Zuzi,
    Malajzia nuk eshte shembull per t’u ndjekur.

  18. Per fat te keq nuk e kam pare regjistrimin (sepse nuk kam mundesine) e kesaj ngjarjeje qe provokoi shkarkim te ketij ministri, por me ate c’lexoj ketu dhe nga komentet e bera do te reagoja per disa opinione qe lidhen me ligjeshmerine e ‘aktit’ apo ‘vepres’ se emisionit FF.
    E para, nje minister perben figure publike ne kuptimin qe ai perfaqeson voten e publikut qe e ka zgjedhur(pa hyre ne hollesira per kete). Si i tille veprimi i tij lidhur me aktivitetin si minister nuk mund te perbeje aktivitetet privat apo personal kundrejt publikut, per me teper ai vete veprimtarine publike te tij (si punedhenes potencial) e ka kryer ne ambjent privat, duke e bere te ligjshem veprimin e gazetares brenda mureve te viles apo apartamentit te tij. Me kete mbaron debati lidhur me legjitimitetin e videos.
    E dyta, arrij ne konkluzionin se ky veprim ka qene rezultat i “veprave” apo “bemave” te mepareshme te tij e ne njefare menyre supozoj se ne kete pune kane gisht viktimat e mepareshme te tij(me te ashtuquajturin institucion te hakmarrjes), pasi suksesi i regjistrimit eshte i paimagjinueshem pa kontributin dhe pervojen e viktimave(ose te ndonjeres), te cilat nuk kane pare shanse ne rrugen ligjore te denoncimit per shfrytezimin qe ju eshte bere, e kjo eshte mëse e kuptueshme perse.
    E treta, nqs dikush ankohet se jane perdorur mjete joligjore, do te permendja ketu se te gjitha ngjarjet qe ne tekstet e historise quhen revolucione, te gjitha pa perjashtim jane kryer me mjete dhe menyra te paligjshme, e prapeseprape publiku i gjere dhe historia boterore i konsideron gjarje te ligjshme (sikurse edhe rrezimi i komunizmit), per me teper ne kalendare zytare jane caktuar me ligj dite feste te tilla.
    Si konkluzion them se punet e zyres ministri duhet ti kishte lene atje dhe jo ti transferonte ne shtepi se e gjen sic e gjeti, e sidoqofte regjistrimi beri zbulimin e nje abuzimi zyrtar per te cilin cdokush shtetas, me te pare filmin mund te beje denoncim.
    Duhet te shtoj se ne vendet me demokraci, transmetimi i nje videoje te tille konsiderohet si denoncim zyrtar, dhe prokuroria automatikisht hap hetim dhe ben denoncim nqs sheh se konsumohen normat e vepres penale apo shkeljeve. Me kete do te thoja se i pare ne kete prizem emisioni FF e ka kryer aktin e denoncimit.

  19. Xha Xhai me shrkuan: “Nëse ju që jetoni atje besoni se e gjithë kjo është e parakohshme, dhe se çështjet e ndryshme madhore ose delikate ose kritike duhen zgjidhur fshatçe, ose duke u lëshuar fajtorëve qentë e televizioneve komerciale, atëherë gjeni aq kurajë sa t’ua thoni këtë hapur kandidatëve që do të votoni në zgjedhjet e ardhshme, kur këta të fillojnë të pëllasin për Europën, lirinë, demokracinë, institucionet, qytetërimin dhe idealet perëndimore”.

    A e di i dashur kusheri qe nuk di kujt kandidati t’ia thuash hapur kete? Jane te gjithe njesoj. Ne 18 vjet demokraci kane bere kaq rotacione fytyrat e njejta, sa qe nuk te ngelet me asnje fije shprese qe dicka mund te ndryshoje.
    Dhe e di se cfare kemi zgjedhur te bejme ne qe jetojme ketu (shpesh pa e kuptuar as vete se si ngelem ketu)?. Punojme ne realitet te ngjashem me tuajin, ne firma internacionale, kemi krijuar mikro-boten/klimen/rrethin shoqeror/makinen/shtepine. Te gjitha i kemi me mikro dhe i jemi larguar reliteteit te pershtirshem te politikaneve po kaq te tille dhe u kemi lene rruge te lire ujqerve te na keqqeverisin. Dhe e di cfare eshte me e tmerrshmja, na eshte larguar deshira per te klithur MJAFT.
    Dhe kemi kthyer paturpesisht dhe ngulmesisht koken nga femijet tane dhe po presim qe te rriten dhe t’i nisim larg qe ketu…..a nuk eshte e trishtueshme…???

  20. Kurthi per Pangon besoj se eshte rezultat i “veprimtarise” se tij ne kete fushe, ”urrejtjes” ndaj personit vete dhe sjelljes se tij nga shume persona dhe grupe te ndryshme. Persa i perket jetes private te Ministrit per mua nje person publik e ka te ngushtuar shume “oborrin” e privacise.
    Ajo qe mua me shqeteson dhe jam dakord me xha xha-in eshte menyra dhe qellimi qe media (FF) ka patur ne kete rast dhe sidomos ne raste te tjera te ngjashme. Une thellesisht dyshoj tek sinqeriteti dhe misioni qe ata pretendojne. Jane te shumta rastet e mos publikimit te videove te tjera dhe kjo me ben te ngre shume pikepyetje pse. Mbreme zoti Pango ka dale ne nje interviste ne TV Klan dhe tha qe regjistrimi eshte me i gjate se aq dhe eshte transmetuar vetem pjesa qe tashme dihet. Ai pretendon se transmetimi i gjithe regjistrimit (me sakte pjesa e pare) do te ndryshoje perceptimin e ngjarjes nga publiku.
    Selektimi i videove ose regjistrimeve ne transmetim, transmetimi i fragmenteve qe FF do te transmetoje dhe montimet e regjistrimeve qe mund te realizohen duken te frikshme dhe qellime te tjera nga gazetaria investigative.

  21. s’kam shume qe ndjek shkrimet tuaja xha xha. si gjithmone i afte te hapesh debate, edhe atje ku shumica eshte ne nje mendje tashme ose e ka veshtire te gjeje rrugedalje alternative, te zgjedhe ndermjet te keqiave, me pak te keqen. kjo eshte edhe interesantja e shkrimeve.

    per mua, problemi kryesor eshte: si ka mundesi qe ne shqiperi mund te ecesh, te besh karriere, te realizosh vetveten vetem… duke shitur vetveten? si justifikohen ata qe e cuan atje lart pangon? s’mund te thone se nuk e dinin kush ishte. dhe nuk eshte fjala veten per kete person, por per te gjithe ose gati te gjithe. eshte ligj tashme: sa me lart te duash te ngjitesh, aq me e ndyre behet loja, aq me i tjetersuar duhet te jesh. Pra “te jesh”, te jesh bere tashme, pas shume perlyerjeve e kompromiseve te meparshme (prandaj nuk justifikohet dot Berisha, me shkarkimin pas 4 minutave – eshte thjesht vazhdim i lojes). po te ishte i sinqerte, duhet te pranonte se kishte vetem dy rruge: ose te jepte vete doreheqjen, ose te shkarkonte pangon. kaq e rende dhe flagrante ishte ajo qe u be publike.
    mendoj se edhe kjo nuk e ka shpetuar. nuk e merrni me mend, ju qe jetoni larg, se sa gallate ka bere mileti me kete rast. pse? jo thjesht sepse askush nuk dyshon ne vertetesine, por sepse askush nuk ka pasur rast tjeter te shlyeje nje pjese te dhimbjeve, poshterimeve dhe fatkeqesive qe kane u shkaktuar politikanet dhe pushtetaret njerezve ne keta 18 vjet. ç’mund t’i mallkosh tjeter, thone njerezit, vetem i marrte Fiksi! (se te thuash i marrte lumi, nxin shpirtin tend me mallkimin e vdekjes).
    kjo eshte vdekja me e sigurt e se keqes: kur e ben objekt humori.

  22. STALKER!
    Ne thelb,c’ka ka bere TV TopCH,eshte antiligjore.Nese kaseta e TV do paraqitej si prove ne nje gjykate amerikane,gjykatesi 100% nuk do ta pranonte.Por,dhe ka gjithmone nje por,ne kushtet e shtetit formal shqiptar,cili organ duhet te beje punen.Edhe pse eshte antligjor ne thelb veprimi,ai eshte nje mesim i mire per funksionimin real te shtetit.
    Shembuj ne boten demokratike?Duhet te them se shume zbulime skandalesh te ekzekutivit jane bere nga mediat.Ndryshimi qendron se ato nuk kane bere inskenim por vetem hetim dhe zbulim.
    Gjithashtu,persa veprimi i TopCh nuk eshte ligjor,por ka vlere morale.Ashtu dhe vendimi kunder Y.P eshte me teper politik dhe moral,i rjedhur nga presioni dhe jo nga vete deshira ose dashja e kryeministrit.
    Veprimi do te kishte karakter Ligjor nese Y.P te kalonte ne gjykate me ane te nje padie te dikujt.ne kete rast nuk kemi padi,nuk kemi gjykate dhe si rjedhim diskutimi i fokusuar ne “ligjemerine” e veprimit eshte i lekundshem.

  23. STALKER!
    Ne thelb,ç’ka ka bere TopCH,eshte antiligjore.Nese kaseta e TV do t’paraqitej si prove ne nji gjykate amerikane,gjykatesi 100% nuk do ta pranonte.Por,dhe ka gjithmone nje por,nen rethanat e shtetit mosveprues shqiptar,cili organ duhet te beje punen?.Edhe pse eshte antligjor ne thelb veprimi,ai eshte nje mesim i mire moral per funksionimin real te shtetit dhe te zbatimin te regullave sjellore te nenpunesve.
    Nese mban ment reth nji senatori amerikan,te cilin e akuzuan ligjerisht;per “kryerje veprimesh te turpsheme” ne nje banjo ajerporti.Kush e survejoj,Kush e kishte dhene leje per hetimin.Por,a mund te ndodhte kjo ne Shqiperi.Une them jo.Ne Shqiperi pushtetet praktikisht jane te pandara.Ka ndodhi shume me te renda korrupsion me fakte “male” dhe ne fund politikanet dalin palagur.Merite kjo e prokurorise se “pamvarur” dhe “profesionale”.Ndodhi gjithe ai Gerdec dhe perfundimin ligjor besoj se e ju dini mire.Mos te vazhdoje dhe me tej,ku ka vrases qe bredhin te lire rrugeve,merite kjo e “gjykatesve’ te drejte.
    Shembuj ne boten demokratike?
    Duhet te them se shume zbulime skandalesh te ekzekutivit jane bere nga mediat.Ndryshimi qendron;se ato nuk kane bere inskenim por vetem hetim dhe zbulim.
    Gjithashtu,persa veprimi i TopCh nuk eshte ligjor,por ka vlere morale.,ashtu dhe vendimi kunder Y.P eshte me teper politik dhe moral,i rjedhur nga presioni dhe jo nga vete deshira ose dashja e kryeministrit.
    Veprimi I TopCH do te kishte karakter ligjor,nese Y.P te kalonte ne gjykate me ane te nje padie te TV ose individit pjesmarres ne ndodhi.Ne kete rast nuk kemi padi,nuk kemi gjykate dhe si rjedhim diskutimi i fokusuar ne “ligjshmerine” e veprimit eshte i lekundshem.

  24. Fiksi i beri nje nder shoqerise shqiptare keshtu qe ne menyre te ligjshme apo jo, pak rendesi ka.
    Shoqeria e miratoi thuajse njezeri denimin e ministrit e nese ligji del kunder miratimit thuajse njezeri, atehere eshte ligji qe do ndryshuar. Nuk mund te mbash nje ligj te cilin 90% e pjesetareve te shoqerise ku ky ligj ka fuqi, jo vetem nuk e pranojne por jane edhe kunder ketij ligji. Ky eshte nje nga absurditetet e shumta te koheve te sotme.
    Ne demokraci 90% ben padyshim ligjin, po te llogaritim se i kemi dhene mundesi te beje ligje edhe 50%+1.

    Persa i perket televizionit e prodhimit te realitetit, ketu kemi vec venien ne skene te nje realiteti aktual, mes nje mashkulli me pushtet dhe nje femre moderne qe kerkon pune dmth ne shume raste ndodh keshtu.
    Sigurisht qe asnjeri nuk do donte te vihej ne vendin e Pangos.

  25. Hyllin, si gjithnjë, ndërsa ndjek instinktin, nuk vë re se je duke thënë marrëzira shumë të mëdha.

    Si ka mundësi të shkruash:

    “Fiksi i beri një nder shoqerise shqiptare keshtu qe ne menyre te ligjshme apo jo, pak rendesi ka.”

    Ku e çove republikën dhe gjithë rendin juridik? I hodhe dot përsëri në plehra, pikërisht për hir të një ideje populiste? Po ç’do të ndodhë me historinë e shqiptarëve pas 3.000 vitesh për shembull? Do të të pëlqente ty Hyllin, që kur atë ta lëvronin të thuhej, se shqiptarët e shekullit XXI ishin një popull primitiv, të cilët konform me bindjet e njërit prej priftërinjve më të fantaksur të tyre, i shkruanin ligjet sa për të reshtur komplekset e tyre te inferioritetit lidhur me mungesën e aftësive të tyre shtetformuese, ndërsa në të vërtete i rregullonin marrëdhëniet ndërmjet tyre në bazë të instinkteve primitive të trashëguara; ose në pjesën më të madhe vetëm të huazuara, nga kultura primitive parademokratike mesjetare; në ndryshim të madh nga kulturat e tjera evropiane bashkëkohore, të cilat marrëdhëniet shoqërore – duke përfshirë këtu edhe ato të karakterit juridiko-adminsitrativ – i rregullonin duke ju referuar normave legjislative të sanksionuara me konsensus politik apo edhe thjeshte më shumicë votash në organet ligjvënëse.

    Pastaj o Hyllin – ngaqë po bën edhe një si analizë juridike-filozofike të mënyrës se si u dashka përpiluar legjislacioni me atë entuziazmin tënd të zakonshëm të një amatori dashamirës – ku e gjete atë relacionin e 90 % të shoqërisë – e cila qenka dakord për shkarkimin e Pangos – i cili në vetvete u përplaska me frymën e ligjit? Në anketimet e gazetave në internet?

    Po a i pyeti njeri këto ditë shqiptarët publikisht se – vërtetë që Pango ishte maskara – po a do të ishit dakord ju, që për të ruajtur një farë morali të pastër për mënyrën se si funksion shoqëria, do të ishte e nevojshme, që e gjithë jeta juaj private të mbikëqyrej nga shteti apo tele-shteti dhe për secilin prej jush të ketë një dosje të hapur diku, në mënyrë që në momentin e parë, që ndonjërit prej jush t’i shkojë ndër mënd të mbyllë një shkollë kinematografie, strukturat – pra shteti – t’ju nxjerrë në televizor diku me pantallona zbërthyer duke bërë turpe?

    Në këtë botë do të jetosh ti Hyllin?

    Dhe e fundit, se vërtetë e kam merak edhe atë pjesën kur fillon dhe dredh burrërisht mustaqet në bllog, pash Zotin ma shpjego një çikë më mirë atë punën e “femrës moderne”, se vdes kur fillon e flet si burrë zamani.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin