RRETH OBORRTARIZMIT TË MEDIAS

Më kanë bezdisur këto ditë lajmet e ekzagjeruara, për sëmundjen e mbretit Charles III, të cilat mund t’u interesojnë natyrshëm nënshtetasve të tij dhe gjenealogjistëve anembanë, por në parim jo qytetarëve amerikanë, italianë apo senegalezë; e kuptoj se monarkia është institucion i rëndësishëm për Britaninë e Madhe, por nuk besoj se në botë do të ndryshonte ndonjë gjë e madhe për ne vdekatarët që jetojmë gjetiu, sikur ai vend nesër të gdhihej republikë; dhe aq më tepër, mekanizmi i pasardhjes në atë mbretëri është i kolauduar mirë dhe nëse qëllon që një mbretëreshë a mbret të sëmuret dhe të vdesë, është gati një mbret a mbretëreshë tjetër që t’ia zërë vendin. Mbreti Charles III mund të jetë burrë i mirë, sikurse miliona të tjerë që i zënë sëmundje të mbrapshta në atë moshë; për aq sa vlen, i uroj shërim të shpejtë dhe pleqëri të mbarë; por breshërinë e lajmeve për tumorin e tij e shoh si simptomë të degradimit të mediave perëndimore sot, të cilat kujtojnë se po i shërbejnë publikut, edhe kur thjesht luajnë rolin e kronikanëve të oborrit. Mbase këto njoftime të njëpasnjëshme, për një burrë në moshë, të diagnostikuar me kancer, do të mund të shërbenin njëfarësoj për të diskutuar gjendjen e sistemit shëndetësor publik në vende të zhvilluara, si Mbretëria e Bashkuar; por jo për telenovelën e mërzitshme të princit Harry në marrëdhëniet e tij më të atin.

Nuk do të kisha shkruar për këtë mërzi, po të mos më kishin dalë përpara, dje dhe sot, lajmet në mediat e Tiranës, për ndarjen nga jeta të Fatos Haritos, mjek i moshuar, njeri i njohur në Tiranë, burrë i nderuar për ata që e kanë njohur, incidentalisht edhe mik i vjetër i familjes sime; por njëherazi edhe babai i Milena Haritos, e cila – me CV-në e vet të pasur – ka qenë për ca kohë ministre në një qeveri të Edi Ramës. Më irrituan, për këtë arsye, lajmet që shihja faqe pas faqeje, me tituj të tillë si “Zi në familjen e ish-ministres socialiste…”, produkte mjerane të një vizioni tunel të mediave, të fokusuar në bëmat e pseudo-oborrit mbretëror të Shqipërisë, ku qytetarët fillojnë të identifikohen dhe mbase edhe të vlerësohen, sipas distancës që i ndan nga qeveritarët, deputetët dhe politikanët; jo sipas meritave që kanë ata vetë. Pak ditë më parë, të njëjtën gjë kisha vënë re pas vdekjes së ish-deputetit Fatmir Kumbaro, të cilën njëlloj ia referuan një ministreje tjetër të qeverive Rama, Mirela Kumbaros, me tituj të tillë si “Mirela Kumbaro humb njeriun e dashur të familjes”, të thuash se vdekja e dikujt që i ka shërbyer edhe ai shtetit, mund të jetë e denjë për lajm vetëm në qoftë ngjarja prek ndonjë prej anëtarëve të kupolës qeveritare; aq sa në rastin konkret lexuesit i jepet jo lajmi i vdekjes së një ish deputeti dhe ambasadori, por lajmi që është hidhëruar ministrja Kumbaro.

Sa herë që hap të lexoj ndonjë gazetë online, më del përpara një diçka që më bën të them: “më poshtë se kaq nuk mund të bjerë media”; por pastaj e nesërmja më përgënjeshtron – sepse kjo rënie jo vetëm që nuk ka fund, por edhe është e tillë, që media ta hapë vetë gropën, dora-dorës, ku zhytet progresivisht. Edhe një media që këtyre banaliteteve sikur u rri larg, si “Dita”, më habiti para pak ditësh, kur botoi një kronikë – madje me fotografi prej teksti anatomik – të një problemi shëndetësor të vjetër, të kryeministrit Rama; i cili jo vetëm është i tillë që të mos komprometojë aftësitë e tij në detyrë, por edhe tashmë i arkivuar, aq sa rrezik sa edhe Rama vetë nuk e mban mend. Çfarë do të na tregojnë nesër? Për kallot sublime të ndonjë ish-presidenti të Republikës?

Njoh shumë njerëz që punojnë në media, dhe jam i sigurt që e kanë situatën në dorë, madje edhe kur zhgënjejnë pritjet e disave si unë. E vetmja arsye që mund të gjej, për përjargie të tilla, është që botuesit, drejtuesit dhe menaxherët e këtyre faqeve besojnë se lexuesit e tyre presin, me ankth e padurim, që të lexojnë se çfarë mund të ketë shqetësuar këtë apo politikan, deputet, ministër a ish-ministër; dhe si ndikojnë këto ngjarje – në vetvete private – në horoskopin e atyre që i marrin vesh nga gazetat. Mediat vihen kështu në rolin e një almanaku që, në thelb, synon të përjetësojë sundimin – me përkufizim të përkohshëm dhe shpesh banal – të një shtrese të caktuar njerëzish, të cilët veçohen jo për meritat e tyre që me siguri i kanë, por ngaqë kanë bërë emër në kronikat politike të viteve të fundit, për mirë a për keq. Dhe ndryshe nga mbreti Charles III, i cili bart me vete edhe një aura fosile të Europës feudale dhe të pushtetit të trashëguar, këta tanët as gjakun blu nuk e pretendojnë dot.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi i këtij shkrimi të mbrojtur me copyright. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Shënim: imazhinë kopertinë është krijuar me MidJourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin