DE RADA I PAFAN

 

Kritiku Behar Gjoka diskuton sot në “Gazetën Shqiptare” programet e reja orientuese të Letërsisë të Maturës Shtetërore, dhe veçanërisht në gjimnazin e profilit të përgjithshëm.

Gjoka vëren, ndër të tjera, se letërsia e vjetër, e autorëve si Buzuku, Matrënga, Budi, Bogdani ende nuk po trajtohet si pjesë e vlerave shpirtërore, dhe shton:

Kjo nuk ndodh rastësisht, sepse edhe Instituti i Gjuhës e Letërsisë si dhe profesoratura e fakultetit këtë moment më së shumti e kundron si fakt gjuhësor dhe historik, dhe jo si periudhë që ka vlera letrare.

Unë nuk e kuptoj mirë nëse për Gjokën vlerat letrare dhe vlerat shpirtërore janë e njëjta gjë; por problemi gjithsesi është i një natyre tjetër: a mund t’ia lejojmë vetes luksin e përjashtimit të këtyre autorëve nga programi i letërsisë për shkollën e mesme të përgjithshme? Besoj se jo.

Debati për vendin e veprave të letërsisë së vjetër dhe vendin e tyre në programet e letërsisë është i vjetër, dhe kryesisht i përqendruar në natyrën fetare të këtyre veprave.

Megjithatë, ligjërimi fetar kurrë nuk mund të ndahet nga retorika dhe ligjërimi letrar, prandaj edhe në vepra fund e krye fetare, si ato të Buzukut dhe të Budit, gjenden shumë pasazhe të shkruara bukur, me vlerë mirëfilli estetike. Këto mund dhe duhet t’u jepen nxënësve të shkollave të mesme, sepse është e domosdoshme që këta të krijojnë një ide për evoluimin e formës letrare të shqipes; dhe të kuptojnë si estetika letrare është funksion i organizimit të tekstit, jo i kodeve sunduese bashkëkohore.

Aq më e vërtetë është kjo për Bogdanin, i cili e ka gjuhën edhe më të përpunuar se paraardhësit e tij; madje deri atje sa ndonjë studiues ta quajë Çetën e Profetënve si “romanin e parë shqip” (Engjëll Sedaj, në mos gabohem); Budi, nga ana e vet, ka shkruar shumë vjersha, përgjithësisht të dobëta nga ana letrare, por gjithsesi në nivelin e krijimeve të bejtexhinjve…

Çka të habit këtu, është mospërputhja midis hapësirës që i jepet studimit të Skënderbeut në historinë e Shqipërisë, dhe përjashtimit të këtyre autorëve të vjetër nga programet e Maturës Shtetërore; këtu ka një kontradiktë, e cila duhet ftilluar; dhe mua më duket se burimi i kësaj kontradikte do kërkuar në vizionin e shtrembër që ende kemi për raportin e të sotmes me historinë, por edhe të penës me shpatën, dhe të mishit me shpirtin. Në mungesë të përmasës kulturore dhe të mbijetesës së saj në diakroni, Skënderbeu vetvetiu do të reduktohet në një hero me pallën fallike, që “vriste turq”; përndryshe, thellimi në përpjekjet e autorëve të vjetër do të ndihmonte për ta vënë në perspektivë edhe Skënderbeun vetë, meqë ata, njëfarësoj, ia vazhduan përpjekjet, por në një lëmë tjetër. 

Por ka edhe një arsye tjetër, për t’i studiuar këta autorë të vjetër: kontakti me një formë Tjetër, cilësisht të ndryshme, të kulturës shqiptare; me një produkt kulturor që edhe është edhe nuk është yni; sepse na duhet një përpjekje shpesh e konsiderueshme për t’i rrokur, meqë forma e ligjërimit të tyre është larg nga e sotmja. Ashtu nxënësit mësohen edhe me konceptin e ndryshimit ose të të bërit (“becoming” ose “divenire”), dhe më pas ndoshta nuk do të gabojnë, si shumë nga të sotmit, duke projektuar në të shkuarën koncepte të së sotmes; meqë do ta kuptojnë se e shkuara nuk është aspak një version i keq ose i papërsosur i bashkëkohores, por diçka tjetër, e mirëfilltë dhe e plotë në llojin e vet, tjetërlloj nga e sotmja, por e pabashkëmatshme e ndoshta e pakrahasueshme me të.

Atëherë pse të jenë përjashtuar këta autorë? Ngaqë janë të vështirë? Mundet, por edhe matematika është e vështirë; madje edhe biologjia e fizika. Letërsia u jep nxënësve jo vetëm shprehi të foluri e të shkruari mirë e ndonjëherë edhe bukur, por edhe vetëdijen e përmasës shpirtërore ose kulturore shqiptare në kohë; ose një pamje të historisë që palla dhe betejat nuk ta japin dot.

Vazhdon Behar Gjoka:

[…] gjithmonë jemi te letërsia shqipe, ku vihet re tek drejtimi i përgjithshëm, mungesa e Jeronim de Radës, si autor i dimensioneve më të gjëra letrare, e cila gati e vë në dyshim ekzistencën e letërsisë arbëreshe si nivel letrar, po të marrësh në konsideratë poemat e tij, trajtimet për letërsinë dhe artin, trajtimet për fatin e shqiptarëve dhe të kombit shqiptar. Mungon edhe Zef Skiroi, por është një mungesë shekullore e tij, e cila, sipas verifikimit sociologjik ka ardhur prej faktit se ishte anëtar i partisë fashiste. Po me De Radën ç’patën? 

Nëse i heq De Radën letërsisë shqipe, ia ke hequr ndoshta autorin më të madh të traditës. Ndoshta kjo ka ndodhur edhe ngaqë De Rada, në origjinal, është praktikisht i pakuptueshëm; dhe publiku shqiptar praktikisht ka mundur ta njohë vetëm në versionet e përshtatura prej filologëve. Por ç’të keqe e ka gjetur kulturën shqiptare bashkëkohore nga kjo mungesë autenticiteti? “Milosao”, që kemi studiuar në shkollë, e përshtatur nga Shuteriqi, tingëllon e mrekullueshme dhe e freskët; dhe ashtu ka magjepsur e ndikuar breza të tërë poetësh bashkëkohorë.

E vërteta është se nëpërmjet letërsisë arbëreshe, nxënësit e sotëm kanë shansin të krijojnë një ide për Arbërinë e dikurshme, para sundimit osman dhe katastrofës totale të shekullit XV; një Arbëri e cila ka mbijetuar, edhe ajo, pikërisht te kjo letërsi dhe në ndjeshmëritë e autorëve të saj: De Radës, por edhe Darës, Serembes e më në fund Skiroit. Si edhe në shembullin e autorëve të vjetër katolikë të Veriut, përsëri prej programit të veprave bazë lihet jashtë ndryshmësia, Tjetërsia letrare, ose ai version dhe formë kulturore që nuk mund të trupëzohet automatikisht në të sotmen, por do trajtuar më vete, ose më mirë duhet mësuar si gjuhë e huaj, ose sonatë për piano nga partitura. Qasja ndaj De Radës do të jetë natyrisht e ndryshme nga qasja ndaj Migjenit ose Koliqit ose Poradecit; por gjithsesi jo më e ndryshme sa dallimi, bie fjala, mes stereometrisë dhe teorisë së probabilitetit.

Për nga niveli artistik, De Radës nuk i afrohej kush në letërsinë shqipe, së paku deri kur u shfaq Lasgush Poradeci; por edhe Serembe e Dara kanë poezi të të holla, krejtësisht të pamundura për t’u krijuar në trojet shqiptare në Ballkan. Përjashtimin e tyre nga programet nuk mund ta shoh veçse si varfërim të programeve dhe të konceptit që nxënësit do të krijojnë për historinë e letërsisë shqipe.

Do të ishte e pafalshme sikur, sot e kësaj dite, historinë e letërsisë shqipe ta shihnim, njëfarësoj, si histori të propagandës kombëtariste nëpërmjet letërsisë – vjershave për atdheun (mëmëdheun), për flamurin, për gjuhën shqipe, për shqiptarin, për zhgabën, për lirinë, për trojet e lara me gjak etj.; ose nga një këndvështrimi sipas të cilit jo vetëm e sotmja ishte pikësynimi i së djeshmes edhe në kulturë, por edhe që e djeshmja merr njëfarësoj vlerë vetëm në atë masë që pasqyrohet në të sotmen. Ky koncept vështirë se i qëndron dot kritikës.

Më në fund, Behar Gjoka ndalet në çështje të veprave bashkëkohore të cilat do të përfshihen në kurrikulum:

Problemi vjen e bëhet më i mprehtë tek letërsia bashkëkohore shqipe. Dhe me sa duket për programistët, tekstebërësit, testimhartuesit, kjo periudhë fillon dhe mbaron me Dritëro Agollin dhe Kadarenë. Dy korifenj të realizmit socialist, të cilët kanë hartuar edhe libra cilësorë. Por, nëse do të lexohej dhe shqyrtohej si vlera letrare që e kanë shpërfillur modelin e realizmit socialist, nuk ka kuptim më të flitet për letërsinë bashkëkohore dhe të mos përfshihet Martin Camaj, poeti, prozatori, dramaturgu dhe studiuesi i gjuhës e letërsisë shqipe. Nuk ka kuptim të mos jetë pjesë e shqyrtimeve letrare Anton Pashku, tregimtari, romancieri dhe dramaturgu më modern i letërsisë shqipe (mos vallë funksionon ende koncepti i letërsisë jashtë kufijve që mungon Anton Pashku, Ali Podrimja, Azem Shkreli, etj). Nuk ka kuptim të flitet për letërsi bashkëkohore dhe të vijojë të përjashtohet krijimtaria e Kasëm Trebeshinës, prozator, dramaturg, poet, eseist, jo fort i shpeshtë në letrat shqipe. Po ashtu, sa e mjerë dhe e mangët duket tabloja e vlerave që ofron lista e programit orientues kur mungon Arshi Pipa, poeti, kritiku dhe studiuesi më i dalluar i viteve ’44 e këtej në letrat shqipe. Me sa duket hartuesit, përpunuesit dhe “shkoqitësit” e programeve të letërsisë janë peng i modelit, qoftë shkrimor, qoftë verifikues të realizmit socialist, që një pjesë shumë të madhe të autorëve i përjashtonte për arsye të kleçkave biografike dhe pjesën tjetër, që i shërbenin ideologjisë së kohës dhe modelit të realizmit socialist, i emëronin si shkrimtarë “gjeni dhe të jashtëzakonshëm”. 

Mua më duket se ky përjashtim nuk ka të bëjë me modelin e “realizmit socialist”; por vetëm me pamundësinë për t’i trajtuar këta autorë, meqë mungojnë studimet e mirëfillta kritike.

Fakti është që Camajn, Pipën dhe Trebeshinën shumë pak vetë i kanë lexuar; këta autorë, sado të shkëlqyer të kenë qenë në vetvete, nuk janë integruar dot mirë në kulturën shqiptare, kanë mbetur në skajet, janë zbuluar më vonë dhe në mënyra të tilla që statusi i tyre prej të persekutuarish ose të lënësh në heshtje e ka deformuar edhe vetë leximin e veprave të tyre. Autorët dhe publiku i sotëm i letërsisë shqipe sapo kanë filluar të ndriçohen nga këto vepra; njëlloj sikurse De Rada i ndriçoi letrat shqipe vonë, madje shumë vonë, gati një shekull më pas.

Behar Gjoka ka të drejtë të shqetësohet; por mangësitë e programit të letërsisë shqipe për shkollat e mesme të përgjithshme vetëm sa pasqyrojnë mangësitë e përgjithshme të kulturës shqiptare bashkëkohore, e cila po merr gjithnjë e më tepër trajtat e një flluske sapuni: vezulluese e shumëngjyrëshe nga jashtë, por të zbrazët së brendshmi dhe gati për t’u zhdukur në mosgjë.

Megjithatë, studimi i letërsisë në shkolla nuk mund të anashkalohet, as të shpërfillet si çështje e dorës së dytë, meqë nuk u jepka nxënësve mjeshtëri për të vazhduar “biznesin” ose për t’u bërë shoqërisht “produktivë”; sikurse duhet mbajtur parasysh se është gjithnjë pjesë e edukimit kombëtar, jo kombëtarist. Këtu nuk është fjala as për t’u mësuar nxënësve si të shprehen, as për t’i njohur me vlerat jashtëletrare të letërsisë; por për t’i bërë pjesë të asaj ndjeshmërie të përgjithshme, e të përcjellë brez pas brezi e vepër pas vepre, e cila përbën, në thelb, kulturën shqiptare si të dallueshme nga ajo mongole ose lituane. Të kërkosh të gjesh dobi “praktike” të studimit të De Radës, është njëlloj si ta dënosh me vdekje vetë konceptin e kulturës, dhe t’i shndërrosh njerëzit në sekserë të parasë.

12 Komente

  1. Xhaxha, kam nje shqetesim tjeter. Puna eshte qe une De Raden e kam bere ne gjimnaz, dhe pothuajse te gjithe te tjeret i kam degjuar po ne gjimnaz, por me pyet, a kam mesuar gje? Problemi, mendoj une, qe me duket se nuk po e ve re njeri akoma, nuk eshte programi i gjimnazit, por programi i universitetit. Arsimi universitar ne Shqiperi eshte profesional, nderkohe qe nga gjimnazi nuk mbahet mend asgje, qofte edhe nga fusha qe mund t’a kesh pasur pasion. Qe te marr shembull Ameriken, ketu studimet universitare nuk te lejojne nje specializim robotik, por duhet te marresh nje arsim te pergjithshem, dhe pervec “major” apo deges, te duhet te deklarosh edhe nje “minor”. Problemi behet edhe me shqetesues po te kesh parasysh programin e ri te gjimnazeve i cili i ndan gjimnazistet ne “ata te shkencave ekzakte” dhe “ata te shkencave shoqerore”. Po te kesh parasysh keto hulli, nuk eshte cudi qe kultura e debatit publik ne Shqiperi te vazhdoje te behet ne retoriken e llogoreve edhe per nje kohe shume te gjate.

  2. Nderkohe qe, se harrova, Mjekesia, kur kam qene une, ka pasur vetem nje klase ne Filozofi, nderkohe qe per Sociologji, apo per Shqip (Letersi) as qe te mos te shkonte nder mend.

  3. Artikulli goxha me vlere dhe sensibilues.
    Eshte e drejte kur thuhet se shkollave shqiptare po i hiqet “historia”.
    Ne fakt problemi kryesor i shume shqiptarve ne linja te pergjithshme eshte dine vetem qe jane te tille pa kuptuar arsyjen.
    Identiteti i shume personave lind dhe vdes me qenien shqiptar. Cfare cilesish apo karakteristikash ka Shqiperia, s’dihet!
    Kjo eshte pasoje e mungeses se botekuptimit personal elementar dhe atij te pergjithshem. Nga vjen gjithe kjo mangesi, une mund ta deduktoj fare mire. Po ja qe e kemi dhe duhet ta lakojme.
    Po ta marresh holle, shqiptaret kane karakter shume primitiv. Mundohen ti bien gjerave shkurt e shqeto pa i vene shume rendesi “formes” se si i bejne gjerat. Kjo mangesi shfaqet edhe ne nivelin arsimor.

    Por po le menjane filozofine e jetes shqiptare per te kthyer mendimin tim tek sistemi arsimor: problemi i kryesor i gjithe ketyre telasheve qendron tek mungesa e motivacjonit.
    Nxenesit shkojne ne shkolle pa e ditur perse jane aty. Thjesht vjen nje kohe, qe prinderit i thone: “U bere per shkolle” pa i treguar perse sherben shkolla. Duke mos qene i motivuar per kete zgjedhje femija mund te kete 2 lloj reaksionesh (te gabuara):

    1) Studjon nga frika e prinderve
    2) As i prek librat me dore

    dhe nje reaksion “te drejte”:

    1) Studjon sepse ka qejf te mesoje

    Kete konkluzjon e kam nxjerre si eksperience personale ne familjen time.
    Une si femije i pare, kam qene gjithmone ne qender te vemendjes jo vetem nga prinderit, por edhe nga dajat e xhaxhallaret, te cilet, duke qene te pamartuar, eglendiseshin duke me mesuar gjerat ose duke provokuar gjithmone trurin tim per ta vene ne levizje. Ne fakt, ky lloj trajnimi gjeti frytet e veta menjehere: qe ne moshen 5 vjecare kerkova vete te lija kopshtin per te shkuar ne shkolle dhe arrita pa pike problemi te qendroja ne hapin e nxenesve me te medhenj 2 vjet. Mbaj mend qe kur ulesha per te studjuar per mua ishte loje cdo gje, me pelqente te dija e te tregoja ate qe kisha mesuar, me pelqente ta vija ne prove veten per cdo gje. ( ky infeksjon me ka ngelur pak edhe tani)

    Ndryshe nga mua, vellai im, i cli u rrit midis meje dhe edukatoreve (per shkak se prinderit punonin, xhaxhallaret e dajat kishin familjet e tyre per te pare, nuk kishin me kohe) dhe qe nga momenti i pare pati nje si lloj “dhimbje stomaku” ne drejtim te shkolles, e per fat te keq kjo semundje zgjati per 9 vjet me rradhe…… derisa, para nje viti i erdhen mend per te hapur librat e per te kuptuar perse po i lexon. Motivacjoni per te ditur me shume i erdhi si pasoje i nje “ballafaqimi teorik” me disa persona, qe ne praktike i sollen shume e shume probleme.
    Per te evituar problemet praktike, mendoi te zgjeronte teorine. E ne fakt me te drejte, me besoni, arriti te fitonte gjithe kohen e humbur ne 1 vit.

    Gjithe keto lloj sjelljesh negative vijne si pasoje e mungeses se reflektimit.
    Detyra e mesueses eshte t’i mesoje nxenesve dhe jo te jete mikja e tyre. Maksimumi mund ti lejoj luksin e te qenit “psikologe” mesuesve, sepse ne nje fare menyre duhet te dine te trajtojne nxenesit si qenie humane, e jo si kafshe…por vetem kaq!
    Raportet brenda klases duhet te jene: mesues-nxenes-mesues ose nxenes-mesues-nxenes. ( si t’iu pelqeje me shume juve)

    Nxenesi ka detyre (brenda klases) te degjoje ate qe thote mesuesi dhe mesuesi eshte i detyruar ti pergjigjet pyetjeve te nxenesve e ti shpjegoje gjerat deri ne detaje.
    Sic e thashe tek tema e Skenderbeut, detyra e atyre qe shkruajne dicka eshte te ndricoje mendjet, pra te ktheje teorine ne dicka praktike.
    Ajo qe ju ngaterroni Xha Xha ne fjaline e meposhtme:

    “””””””Të kërkosh të gjesh dobi “praktike” të studimit të De Radës, është njëlloj si ta dënosh me vdekje vetë konceptin e kulturës, dhe t’i shndërrosh njerëzit në sekserë të parasë.””””””

    eshte kerkimi i “materializmit” qe con ne vdekje konceptin kultures, jo kerkimi praktik i saj.

    Praktikisht mua nje veper artistike letrare, muzikore apo figurative mund te me japi shume kenaqesi shpirterore. Materialisht arti nuk jep asgje!
    Praktikisht nje veper artistike mund ta perdoresh per te krijuar nje film etj etj etj e keshtu me rradhe.

    E njejta gje ndodh dhe me poetet tane te vyer. Lihen menjane sepse nuk arrihet te kuptohet dobia e tyre ne konteksin historik apo praktik te sotshem.
    Historia (e shkuara) eshte e vyer jo si veper e bukur ne vetvete, por sepse na ben te kuptojme te sotmen dhe te permiresojme te ardhmen.

  4. Diçka për De Radën.
    Kritikët tanë janë aq injorantë, sa vargun e Milosaos, “po lumbardh’ e Anakreontit, ronej Temp’ e moçëme” e kanë përshtatur e kuptuar si “po pulëbardha e Anakreontit, rronte në Kohë e moçme” pa e ditur se Tempi është një luginë klasike në Greqinë e lashtë. Me Bearë kritika shqiptare është e mbushur plot! Ai nuk ka as shijen, as inteligjencën per t’u-marrë me kritikë. Njerëz si Beari dinë vetëm të futen nëpër komisione ministrish, dhe të imponojnë në këtë mënyrë nivelin e tyre, që në këtë rast është shumë i ulët…

  5. Xha xha, perse nuk perdor si theme: The Journalist by Lucian Marin, per blogun tend, se eshte goxha i kendshem… keto nuancat jeshile të Mistylook by Sadish, te sjellin ndermend nje apartament… Provoje njehere, pastaj mund ta nderrosh serish nese s’te pelqen…

  6. Nga do ta marrim vesh ne se teksthartuesit (lexojeni si tu pelqeje) e letersive jane njerezit e sakte dhe te duhur? Se vula e komisioneve miratuese eshte vule?

    Deri me sot si kriter kane qene titujt e gradat shkencore te hartuesve. Per mua, kur flitet per letersine, keto jane te pamjaftueshme. Nga puna eshte perjashtuar lexuesi i mire. Njelloj sikur rrethet e matematikaneve te perjashtonin ate qe i zgjidh ekuacionet me mend. Neper tekste kane kaluar gafa, nuk jane perfshire supertekste, dhe jane ofruar per studim vepra aspak origjinale te me origjinaleve.

    Politika e mbas ’90, me deshiren per te ndrequr ka bere, si te thuash, prerjen e manshetave socialiste dhe ijlisjen shkel e shko te nje letersie jo fort te admirueshme burrash te adhurueshem. Kjo (prerja) me sa duket ka per tu ribere, per te lene pantallona trecerekshe, jo drejt me te dy kembet.

    Ti lesh te molloisin c’dine, e c’duan? Tu thuash kush shkon e kush s’shkon? A te tentosh tekste letersie alternative?
    Rruge ka plot,
    kepuce ka pak.

    Kerkova dhe e gjeta diskutimin e Behar Gjokes dhe G.SH. Me beri pershtypje te vecante qe ai kishte botuar nje liber per prozen e Mitrush Kutelit.

    A e di zoti Gjoka cili tregim i Kutelit ngjan si dy pika uji me kapitullin e librit te nje nobelisti te cilit (ketij te fundit) kandidati yne per Nobel shprehet se ja ka harruar dhe emrin? Ne e di ku ka shkruar per kete? Nese e ka marre vesh vone pse nuk kerkon qe prej tregimit qe ka mesuar nje nobelist te mos mesojne nxenesit shqiptare?
    E meqe kesaj pyetjeje kush do ja gjen pergjigjen ne kete blog, po bej dhe nje pyetje tjeter qe (nuku bre, nuku)
    pres ta dijne ata qe e kane bere, po e bejne, e kane miratuar dhe do ta miratojne letersine e shkollave te pergjithshme:
    Cfare ka pasur para syve Lasgush Poradeci kur ka shkruar Nositin?

    p.s. ndjehem keq Xha Xhai qe s’i shkrojta me kohe nja dy rreshta per Fishten ne nje shkrimin tend ketu.

  7. Tregimi i Mitrush Kutelit titullohet “Parevere ne Transilvani” ndersa romani i nobelistit Gao Xingjian, Chevalier de l’Ordre des Arts et des Lettres 1992, titullohet La Montagne de l’Âme ose Soul Mountain.
    Ndersa ne rastin klasik kemi Kiplingun qe tek “If” koncentron t’ane e Laertit nga Shekspiri, ne kete rast kemi Xingjianin qe zgjeron nje tregim te Kutelit ne nje veper nobeli. A eshte ndikim? A eshte plagjiature? A eshte rastesi? A e ka lexuar dhe a ka degjuar Xingjiani per Pareveren? Te gjitha keto nuk kane rendesi para asaj se kush ka lexuar Kutelin, nuk ka humbur kohe kot. Ngjashmerite jane aq te medha sa mund te thuash se ai tregim eshte i rangut te Nobelit, ndersa Kuteli … i pafan.

    Nje shkrim nga shefja e Departamentit te Letersise ne UT, Dhurata Shehri:
    http://www.panorama.com.al/index.php?id=24903

    Nje emer midis atyre qe ajo kerkon te perfshihen tek perkthyesit eshte Skender Luarasi.
    Njoh nje fakt a nje sekret (tekstual, tekstual) qe te detyron ta konsiderosh S. Luarasin per perfshirje ne letersi.
    Nese me ndihmoni me historikun (kur e si e gjysh e tek) e botimit te pare dhe ribotimit te “Vargjeve te Lira”, do ta nxjerr edhe kete sekret.

    Letersia shqipe duket e vogel, por sekretet i ka te medha.

    C’ke lexuar ti Ba Bai kur Xha Xhai lexonte Skenderbeun?
    Une lexova antalogjine e poezise shqipe te R. Elsiese. Kishte goditur ne shenje dy perkthime, njera, nje bejte e mrekullueshme qe se kisha lexuar shqip, ndersa tjetra nje poezi e vockel e Trebeshines, me e mira nga gjithe c’kam lexuar prej Trebeshines ne vargje.

  8. Paskam shkruar gabim:

    Duhet “Fije bari” te Uitmanit dhe jo “Vargjeve te lira”.

    Te me falni; korrigjojeni ne mundeni.

  9. E kam fjalën për Vjeshtën e patriarkut të Garcia Marquez-it, që ngjan si dy pika uji me Vjeshtën e Xheladin beut…

  10. Na dhe një bejte. E plotë….

    Hasan Zyko Kamberi

    «Gjerdeku»
    Dëgjoni takdir ull-llah,
    Kur vë djal’e çupë niqah,
    S’ëmësë, t’et u ryn tamah,
    Të martonjë evlanë!

    Djali e çupa rri e dëgjon,
    Atë, ëmën kur kuvëndon,
    Vallë, ndë ç’zaman na marton,
    Ndë siqnë e shkonë sevdanë.

    Djali herë flet, herë qesh,
    Herë syqyt rri e merr vesh;
    Ndë thënçinë atë që desh,
    Del e luan më një anë.

    Çupatë po rrinë syqyt,
    S’vështojnë asnjeri ndë syt,
    Po thonë: «Vallë ku na mbyt,
    Vallë, ku kemi meqanë?»

    Kollauz kur të dërgojnë,
    Për nuse, që të kërkojnë,
    E djemtë se ç’i gëzojnë,
    Thonë: «Kur bëjmë sefanë?»

    Çupatë po bëjnë fiqir:
    «Vallë ku e kemi takdir?»
    I martojnë me të pahir,
    Se umur ndë dorë s’kanë.

    Djalit kur t’i vinjë nishan,
    E merr e nxjerr ndë mejdan,
    Zë valle, këngë, bën xhevelan,
    Zë jongarë, tamburanë.

    Çupësë kur të dërgojnë,
    Me dyzen s’e turpërojnë,
    Zë burrinë ja lëvdojnë,
    Gjerë ta marrë mananë.

    Si të zihetë i ziu djalë,
    Ndë kurbet po rre të dalë,
    Haj me këmbë haj me kalë,
    Rre të fitonjë paranë!

    Çupa vë gjergjefn’e qindis,
    Kryetë hiç nuk lëvis,
    Po me vetëhe po murmuris:
    «S’duhetë as të rri pranë.»

    Djali vjen e vë terzitë,
    E dërgon e sjell evgjitë,
    E bën ahenk nat’e ditë,
    Gjersa të sosnë vadanë.

    Çupa pajnë e bitis,
    Thotë e ëma se do ta nis,
    T’i shtie mazi, ta stolis,
    T’i marr faqenë, surranë!

    Djali përpara një ditë,
    Bën hesap e lan terzitë,
    E nis dërgon sinitë,
    Me disa pemë, të hanë.

    Nusesë i shtienë telë,
    Me bres t’ërgjënt ngjesh belë,
    S’i apnë lugë as thelë,
    Mer gidan’e bën meqanë.

    Djali dhëndërë nisetë,
    Vesh rrobatë, stolisetë,
    Posi mashkulli ndizetë,
    Me kurshq e me dabullhanë.

    Çupa nuse rri më jastëk,
    Me turli lule me rastëk,
    E darovinë me fëndëk,
    Gjer t’i sjellënë pecanë.

    Del dhëndërri që të shkojnë,
    Nukë ikin që ta largojnë,
    Afërë nusesë i qëndrojnë
    Dy veta që e mbanë.

    Nusenë e ngrejnë: «Mos u trëmp,
    «Ç’do plagë të març, s’të dhëmp,
    «Po sikur çpone me gjëmp!»
    Ato që dinë, i thanë.

    Dhëndëri është shoq’i kalit,
    Posi ky shahin’i malit,
    Sikur pret kryet’e kralit,
    Vete të gëzonjë t’anë.

    Nusëja sallëndisurë,
    Me turli takëm nisurë,
    La t’ëmënë sëndisurë,
    Hipën e shkon mënjanë!
    [Hipën e shkon me qahjanë.]

    Përpara duall’e prinë,
    Porsi vezirrë e cbritnë,
    Në krahë muarrë e ngjitnë,
    Zunë këmbëtë ja lanë.

    Gjersa erth koh’e gjerdekut,
    U shtrua fare dyshekut,
    Ti ipesh zjarrë dyfekut,
    Imami sosi duanë.

    Nusëja po zu e dridhej,
    E më s’gjen vërrë të hidhej,
    Herë shtrihej, herë mblidhej,
    Si lopa kur sheh arsllanë.

    Dhëndëri është shoq’i kalit,
    Posi ky shahin’i malit,
    A i qëndronetë djalit,
    Desh i këputi gjerdanë!

    Kur e shtriti ndër dyshekë,
    E zveshi e la pa brekë,
    Kur i rrëfeu tre jedekë,
    U çudit: «Ç’janë këtanë?»

    Kur zu këmbëtë ja ngriti,
    E shtrëngoj deli jeziti,
    Nusëja zu e bërtiti:
    «Pse më prishi suparanë?»

    Ndë mëngjes bullatë i thanë:
    «Shyqyr prishe suparanë,
    «Se burrinë andaj ta dhanë,
    «Paskëtaj ta bësh sefanë!»

    Djali i mbyturë ndë tamah,
    Gjithë natënë i dha perdah,
    Që mbë aksham gjer sabah,
    Nuk’e la të çlodhej canë!

    Bullatë i dhanë selam:
    «Ku je o çupë, ku të kam?»
    «Po mos qofsha unë si jam,
    Gjithë natënë më çanë!

    Moj dado ç’është ky hiqmet?
    Ç’i bëra sim’ëme, tim et,
    Që më dhanë kaqë siklet,
    Më dhanë burrë xhelanë!»

    «Se ti je çup’e miturë,
    Këmbë kurrë pa ngriturë,
    Këtë zanat pa diturë,
    Pa të vjen sikur të vranë!

    Shumë shumë për njëzet dit,
    Pa lodhetë, gjuhënë e qit,
    Këtë punë çpejt e mërzit,
    Lodhetë, harron zananë!

    Njëmënt qan e s’do të zbutesh,
    Po kërkon vërrë të futesh,
    Për ca dit pa do të lutesh:
    «Aman të më qasesh pranë!»

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin