Maksi përmendet për mirë

Një lajm i mirë për tifozët e Maks Gjerazit, dhe natyrisht për mua: vëllimi me tregime “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” është përfshirë në një listë të veprave më të mira të botuara gjatë tre vjetëve të fundit (2009-2011), të cilat janë quajtur “të denja për të përfaqësuar” Shqipërinë ne konkursin letrar “Balkanika” (citoj nga burimi). Rrëfimet e Maksit konkurrojnë krah për krah me vepra të Agron Tufës, Arben Dedes, Arben Shehit, Arjan Lekës, Bashkim Shehut, Bardhyl Londos, Ben Blushit, Diana Çulit, Ermir Nikës, Moikom Zeqos, Preç Zogajt dhe Ridvan Dibrës. Veçanërisht më bëhet qejfi për Arben Deden, Bashkim Shehun, Ermir Nikën dhe Moikom Zeqon, të cilët i kam miq të mirë; por edhe për kolegët e tjerë, që më bëjnë të ndihem i nderuar në shoqërinë e tyre. E vetmja notë e dhimbshme, brenda atmosferës së këtij lajmi, është që gëzimin e tanishëm nuk e ndaj dot me botuesin e librit, të ndjerin Ardian Klosi, që e deshi atë tekst aq shumë dhe e promovoi në Tiranë në një mbrëmje të paharruar – kremtimi i mbramë i miqësisë sonë të vjetër dhe i dëshirës, madje këmbënguljes për ta ruajtur njerëzillëkun në çdo rrethanë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: