Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Sociologji

AUTOPSI E ZEMERATES

Tema e “Skënderbeut” të Schmitt-it nuk ka qenë e vetmja e diskutuar në faqet e Shekullit këto ditë, meqë çështje të ngjashme janë rrahur edhe në lidhje me artikullin e Auron Tares për pikturën shkëmbore të Trenit, të cilin e kemi analizuar edhe këtu në blog.

Çfarë i bashkon këto dy tema nuk është aq objekti i tyre historik, sesa kundërvënia midis studiuesve shqiptarë dhe studiuesve të huaj, tanëve dhe “atyre”, sipas një aksi jo vetëm heuristik, por edhe etik (e mira përballë të keqes).

Reagimet e lexuesve që marrin pjesë me komente në këto dy debate vlejnë për të ndriçuar disa anë të pakëndshme të botëkuptimit të publikut të sotëm shqiptar, i cili përgjithësisht e vuan kontradiktën midis dëshirës për të ditur, dhe pagatishmërisë për të pranuar pluralizmin e dijes.

Ja disa komente të lëna për kundërtinë rreth librit të Schmitt-it [theksimi është imi]:

Akoma ju shqetson heroi yne kombetar? Kto gjera qe behen pregatiten nga qarqe te caktuara, qe duan te rrezojne cdo gje Shqiptare. Boll me keto gjera. Gjergj Kastrioti Skenderbeu ka qene dhe dot te jete Heroi Kombetar Shqiptar, doni ose s’doni you Sllavet ose you Grekofilet e Shqiperise.

Te tjeret nese nuk i kane figura te tilla mitike i sajone, ne e kemi e ti me ate Shmidin tend kerkon t’ua faturosh serbeve!

Or c’fare njerzish jeni? C’far ju shqetson me? Per te hedhut posht Gjergj Kastrioti Skenderbeun Heroin Kombetar Shqiptar, nuk po ju ze gjumi. E keni bere historin biznes per te fituar. Duket qe eshte me qellim, ne fillim Skenderbeun, pastj keni pune me flamurin kombetar, dhe te mohoni autoktonet shqiptar qe jane ketu kur lindi vete njeri i pare. Turp!

Ketu ne Shqiperi agjenturat e huaja po i aktivizojne njerezit e tyre. mire bejne se boll i kane ushqyer pa folur. . nje dite poulli do t’i gjykoje keta.

Mire mor vllazen, keq na vjen per poziten ku e keni sjelle vehten, po c’kusur kemi ne shqiptaret e tjere qe te rrime e lexojme pallavrat tuaja. Pak telashe te tjera kemi?! Shkoni tek Schmitt-i. Atje e keni dhe ate Kapllanin. Shkoni sa nuk eshte vone.

Akoma ju mbeti Skenderbeu ne goje, nuk po ju ze gjumi. Skenderbeu ka luftuar per Shqiperin, formoi shtetin , ku te tjeret nuk e kishin. Kuptohet qe e beni me qellim, dhe keto jane qarqe te caktuar qe i bejne keto, dhe ju dilni me urdher. Ne fillim po sulmoni Skenderbeun, pastaj kundra flamurit kombetar dhe me pas kundra autoktonise se Shqiptareve. Po nuk do tja arrisni dot, Shqiptaret e vertete nuk kane vdekur.

Libri i Schmitt-it duhet gjykuar (apo injoruar) si njera nga perpjekjet mjerane per ti poshteruar shqiptaret si komb e si i tille, per ti dhene nje fare vlere, duhej te ishte shtypur ne leter higjenike. 

Ky Klosi me sa duket nuk i ka bere mire llogarite. Te perkthesh dhe te merresh me letra eshte per t’u lavderuar. ….por… me duhet te shtoj se pas mbiemrit Schmitt fshihet nje Oliver sllav!

Kuptohet qe fshihet nje dore e zeze qe do qe te c’mitizoj figuren e Heroit tone kombetar. Ata e dine shume mire qe Flamuri Kombatar ka simbolet e deres se Kastriotit, dhe duke hedhur poshte Skenderbeun, me pas e ka rrallen flamuri dhe lufta per liri e Popullit Shqiptare. Dhe mepas, autoktonia shqiptare. Kushedi sa para kane harxhuar Sllavet dhe lobi Grek. Po nuk do tja arrisni dote, gjaku i Arberit rron.

Komente të tilla shkruhen nga individë që ndoshta nuk kanë asnjë lloj kontakti mes tyre, por duket sikur dalin nga i njëjti shabllon: Schmitt-i dhe apologjetët e tij, duke hedhur poshtë Skënderbeun e duke u përpjekur t’i poshtërojnë shqiptarët si komb, bëjnë punën e serbit dhe të grekut dhe ndoshta edhe paguhen prej tyre. Meqë të njëjtin pozicion e gjen të formuluar, në mënyrë më elegante, në një artikull të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, atëherë ndoshta ka vërtet vend për t’u shqetësuar; sepse nënkuptohet që çdo përpjekje për të rishikuar teza të ndryshme të historisë shqiptare, veçanërisht kur bëhet ose sponsorizohet “prej të huajve”, qenka vetvetiu antishqiptare. Gabimi në këto “kritika” nuk është vetëm në shtjellim por edhe në premisat; madje edhe në mënyrën si pranohen këto premisa pa vërtetim – që Schmitt-i paska “hedhur poshtë” Skënderbeun; në një kohë që historiani austriak ka shkruar një vepër madhore që as e hedh poshtë as e ngre lart Skënderbeun, sepse nuk është opera as statujë, por vetëm përpiqet ta kuptojë atë vetë dhe epokën e tij, nga lartësitë e epokës së sotme. Të krijohet përshtypja sikur rrëmuja rreth librit të Schmitt-it shërben vetëm si pretekst për të shfryrë frustracione, pakënaqësi dhe komplekse inferioriteti të rënda dhe të vjetra.

Të kalojmë tani te komentet rreth shkrimit të Auron Tares, i cili përqas dy interpretime që i janë dhënë pikturës shkëmbore të Trenit – njëri nga studiuesi shqiptar Korkuti, dhe tjetri nga studiuesi britanik Hammond. Thelbi i shkrimit të Tares është se Korkuti duhej t’i ishte përgjigjur kritikës së Hammond-it, jo ta shpërfillte e të bënte, për dekada me radhë, sikur kjo kritikë nuk ekzistonte. Nga ana tjetër, është kuptimplotë fakti që Hammond, me vërejtjet e veta, ia ul vlerat pikturës së Trenit, sidomos në lidhje me përdorimin që i ka bërë Korkuti në punimet e veta.

Për fat të keq, reagimet e disa prej lexuesve të “Shekullit” ndaj shkrimit të Tares i përmbahen të njëjtit tonalitet histeriko-mistik, si edhe në rastin e polemikës për “Skënderbeun” e Schmitt-it:

Që Shmitt-i i “Skenderbeut” ka marrë direktiva dhe haraçe nga serbi kjo po bëhet evidente, po Auroni nga ti ketë marrë vallë?

Pse duhet ti besojme me shume nje studjyesi te huaj si Prf.Hamondit e jo studjuesit te nivelit botror shqiptarit M.Korkuti. Lexoni librin e M.Korkutit ne shqip dhe anglisht: Parailiret. Iliret. Arberit. Histori e shkurter. Botimet “Toena” dhe do te bindeni per nivelin cilesor te arkelogut, historianit M.Korkuti.

Une jam nje studente e historise dhe jam e befasuar me keto qe lexoj ne kete blog. Nuk e kuptoj se cfare dreq shqiptaresh jane keta qe vene ne diskutim prejardhjen ilire te shqiptareve dhe qe se kane problem te hedhin balte mbi kedo, bile edhe mbi profesor Korkutin qe une e njoh personalisht dhe e konsideroj privilegj qe njihem me te. 

Edhe këtu, njëlloj bëhet fjalë për “baltë” që u hidhet figurave dhe miteve kombëtariste, gjunjëzim ndaj të huajve, rroga të serbëve… dhe natyrisht, thuhet se nuk është shqiptar kush e vë në diskutim prejardhjen ilire të shqiptarëve; edhe pse çështja e trajtuar nga A. Tare nuk ka të bëjë me prejardhjen ilire të shqiptarëve, por me mungesën e etikës shkencore të treguar nga një studiues yni.

Të njëjtat delire i lexon edhe në forume Interneti, të njëjtat formula për t’ia ndezur zemëratën njëri-tjetrit, të njëjtat përgjigje të zjarrta dhe përbetime me flamur, të njëjtat pasione ksenofobike, komplekse të rënda inferioriteti, mendje të egra që i janë dorëzuar paranojës.

Çfarë po ndodh kështu me publikun shqiptar? T’i detyrohet kjo një refluksi ose zbythjeje mendore të përgjithshme, pas entuziazmit shpesh të pambështetur të fundit të viteve 1980 dhe fillimit të viteve 1990? Të ketë të bëjë me ndryshimet cilësore dhe sidomos demografike në masën shqiptare në Internet? Të lidhet me kolapsin e arsimit shqiptar pas vitit 1990? Apo të varet nga iluzioni demokratik që krijon Interneti si mjet komunikimi, ose lehtësia me të cilën dikush mund të shprehet, me shpresë se do të matet me “të mëdhenjtë”?

Një gjë duket qartë – një kategori njerëzish kujtojnë se kredoja kombëtariste mjafton për të përligjur kundërshtimin e tyre ndaj gjithçkaje që nuk e kuptojnë dot; duke u dhënë të drejtën morale për të folur dhe duke ua përligjur padijen.

Për fat të keq, pesëdhjetë vjet totalitarizëm dhe izolim i mjaftuan kulturës shqiptare për t’u harlisur në vakuum, ose praktikisht e çliruar nga nevoja për ballafaqim me kundërshtarin, veçanërisht të huaj. Shembulli që sjell Auron Tare me refuzimin sistematik të prof. Korkutit për të marrë në konsideratë kritikat profesionale të një kolegu britanik e ilustron mirë një praktikë të njohur të atyre viteve, kur shumë studiues e sidomos “studiues” kujtonin se izolimi dhe shurdhëria e kulturës shqiptare do të vazhdonin në amshim; dhe se askujt prej të huajve nuk do t’u dëgjohej ndonjëherë zëri në shpellat ku i kish futur shqiptarët totalitarizmi.

Për shkak të autarkisë kulturore dje, të gjitha dijet albanologjike që deri dje konsideroheshin si të kristalizuara kanë nevojë sot të rishikohen; sepse nuk i qëndrojnë dot deri edhe kritikës më elementare, ngaqë janë kristalizuar në mjedis të sterilizuar, in vitro; jo në rrethanat normale të ballafaqimit dhe të debatit profesional. Nëse një Eqrem Çabej dhe një Shaban Demiraj në gjuhësi patën aq autoritet sa të mos e linin gjuhësinë historike të degradonte në përrallë paranoide, arkeologjia dhe veçanërisht historia nuk e patën këtë fat. Për dekada me radhë, historinë e Shqipërisë e shkruan autorë dhe akademikë që nuk ishin vetëm historianë, por edhe ideologë; dhe synimi i tyre nuk ishte vetëm të analizonin, të kuptonin dhe të interpretonin të shkuarën, por edhe ta përshkruanin këtë të shkuar në një mënyrë të tillë që të konfirmonte të sotmen, ose realitetin shqiptar nën komunizëm. Jo më kot, materialet e tyre i lexonte e ndonjëherë i kritikonte vetë Enver Hoxha!

Prandaj, rishikimet ose rivlerësimet që po bëhen dhe do t’i bëhen historisë sonë të lashtësisë dhe të mesjetës, do të prekin detyrimisht nervat kombëtariste; sepse nëse ajo histori është shtrembëruar e përçudnuar nga ideologjia, kjo ka ndodhur gjithnjë në kahun kombëtarist; dhe ngjarjet ose personazhet janë paraqitur të idealizuar, ose janë retushuar në mënyrë të tillë, që të kaluarës t’i jepet një logjikë dhe një koherencë (ose një teleologji) që nuk e ka pasur.

Studiuesit e huaj që merren me çështje të historisë, të gjuhësisë historike dhe të arkeologjisë shqiptare nuk janë doemos armiq të shqiptarëve; përkundrazi, pjesa më e madhe e tyre janë dashamirës, ndërsa një pjesë tjetër indiferentë. Kultura shqiptare dhe autoritetet akademike duhet t’i nxitin këto studime dhe t’u ofrojnë kolegëve të huaj bashkëpunim maksimal; sepse përfitimet do të jenë të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne sot e kësaj dite i mbajmë në gojë Hahn-in, Meyer-in, Sufflay-n, Pedersen-in, Jirecek-un, Jokl-in, Lambertz-in dhe të tjerë albanologë të cilët, me punën e tyre, dhanë kontribut vendimtar për të kuptuar të shkuarën e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Pse duhet të tregohemi kaq dyshues e mospërfillës, atëherë, me albanologët e sotëm dhe studimet e tyre?

E përsërit – nuk janë Schmitt-i dhe të tjerët si Schmitt-i që duan të rrëzojnë monumentet; por është versioni zyrtar i historisë që ka nevojë të rivlerësohet, duke u çliruar nga paranoja dhe teprimet kombëtariste. Një pjesë e këtyre teprimeve u ndërmorën në një kohë kur kontaktet e shqiptarëve me botën ishin pezulluar; tani që kanë ardhur kohë të tjera, nuk u qëndrojnë dot më arsyes, kritikës dhe nevojës për t’iu qasur së vërtetës.

 

14 Komente

  1. ””nuk u qëndrojnë dot më arsyes, kritikës dhe nevojës për t’iu qasur së vërtetës.””’

    Nuk e di se per cilen kritike dhe te vertete e ke fjalen por nese ka te beje me menyren e te krijuarit te se vertetes qe kane autoret e permendur si Shmiti apo Hamondi, me shume i afrohemi genjeshtres sesa te vertetes.
    Tek rasti i Hamondit, interpretimi i Korkutit nuk qendron ashtu sikunder as i Hamondit, por me afer te se vertetes eshte korkuti sesa Hamondi, sepse ka arritur te pakten 2 elemente, antikitetin dhe autoktonine e atij arti.

    Nuk besoj kurrsesi se Hamondi eshte shembull si arrihet tek e verteta.

    Po ashtu Shmiti, me 2 elementet e tij, hakmarrja dhe zelli fetar, si burimet kryesore qe kane ndikuar ne jeten e vepren ka shtremberuar krejtesisht figuren historike te Skenderbeut (se asaj mitike ti vije verdalle, mengjes,dreke e darke).

    Per Skenderbeun ka aq libra e aq material, saqe leximi i Shmitit eshte anesor ne vleresimin historik te Skenderbeut e duke pare motivet e siperme qe sipas Shmitit(me c’sjellin te gjithe) kane qene motoret moralo-spirituale te Skenderbeut, ky afrim me te verteten i ngjan nje spekullimi te demshem, jo vetem ne hermeneutiken skenderbejane dhe hermeneutiken kombetariste por ne vete perqasjen shkencore drejt se vertetes.

    Historia shqiptare eshte per tu rishikuar e rishikimi te filloje me lashtesine ku kufiri verior nuk eshte absolutisht Sava por Danubi (herodoti) e alpet e genauneve(straboni) dhe ai lindor nuk eshte vardari por Malet Rodope e zona e Sofjes ku kane banuar pajonet.

    Ja kete histori duhet te rishikojme ne e ti japim shkences historike ate qe eshte e saja, jo pallavrat e Shmitit i cili nuk njeh as per se largu misteret moralo-shpirterore te ketij populli e perseri guxon te spekulloje.

    Une pres te zhvillohet nder shqiptare hermenutika kombetariste e tu hiqet nga duart zbulimi i mistereve moralo-shpirterore ne shekuj, spekulluesve te ndryshem qe megjithe gradat shkencore deshmojne varferi veprimi e mendimi ne germimin e shpirtit te popullit nder mijevjecare.

    Ka qene dikur nje Kadare qe e nisi kete hermeneutike ne librat e tij, vecse nuk e ndoqi kush e tani detyrohet tu kunderpergjigjet spekullimeve me te vetmen arme qe meritojne; me propagande, por keshtu u privuan shqiptaret edhe nga hermeneutisti i vetem kombetarist.
    Tash jemi ne duart e Lubonjave, Klosave & co, produkte te shkolles e burgjeve ateo-marksiste e nuk e shoh aspak si te pamundshme qe me symbylltesine dhe egoizmin e tyre te jene drejtuar kah ndonje humnere.

  2. Shoh shume tendencioz, dhenien e jehones nje autori vetem pse ky del kunder asaj cka eshte pranuar dhe shoh si te padrejte veshjen e menjehershme shkencore ne rastet e librave ku behet kryesisht intepretim i te dhenave te te tjereve, sidomos ne fushen historike.

    Te shkruash mbi motivet jetesore te nje figure historike , nuk eshte aspak dicka e thjeshte, per shkak ne radhe te pare te kontradiktave qe pothuajse perhere brejne shpirtin e nje figure te madhe historike, kontradikta qe brejne edhe shpirtin e te vdekshmeve e jo me te te pavdekshmeve.

    Keshtu qe detyra kryesore e nje historiani apo kujtdo qe i afrohet misterit te jetes e vepres se dikujt, eshte pikerisht zberthimi psikologjik i asaj figure, njesoj sic ben nje psikolog me pacientin.

    Biografia nuk eshte thjesht histori, por edhe paraqitje totale e individit, dmth hyrja ne mendjen e tij e ne sekretet e tij. Kjo eshte e veshtire te behet me te gjallet e lere me, me te vdekurit.

    Ketu e verteta humb kuptimin e saj shkencor e behet dicka e perjetueshme, dmth vetem nese arrin te kapesh shpirtin e njeriut, je ne gjendje ta zberthesh e te kuptosh motivacionet e tij.

    Mjaft te imagjinojme qe ne sot nuk arrijme te flasim dot me siguri shkencore per motivet e Sales dhe te Nanos e as te Enverit, njerez te cilet kane ndikuar perdrejt ne jeten tone.
    Pse, sepse siguria shkencore dhe e verteta shkencore nuk arrihet te zbulohet me letrat apo me cthote njeri per tjetrin apo me cberi ketu e aty apo ci tha Sala Bushit e pse Nanoja u martua me Xhoanen.
    E megjithate ne jetojme ne te njejten epoke.

    Tani del Shmiti nje i huaj, qe mund te dije per shqiptaret e sotem e te djeshem aq sa mund te dije nje i huaj e thote se ka arritur te zbertheje motivacionet e Skenderbeut, te cilat nuk na qenkan ato qe kane shekuj qe thuhen po ca qe vetem mendja e larte dhe e ndritur e Shmitit arrin ti perceptoje.
    Sepse Shmiti ka logjike te pathyeshme dhe sensibilitet mbinjerezor.

    Tani kjo nuk perben ne vetvete ndonje gje te vecante, sikur te mos behej e Vecante nga nje figure publike shqiptare.
    Libri i Shmitit do kalonte si nje nga qindra librat e botuar mbi Skenderbeun, per ate qe perfaqeson dmth.
    Po as kjo nuk mjafton per ta shpjeguar.
    Eshte pikerisht terreni shqiptar qe e lejon mbjelljen e Shmitave, pasi eshte bere pjellor nga ‘fushata e cmitizimeve’ e kjo gje mesa duket nevojitet nga te dyja palet, masa e madhe per te mprehur kombetarizmin qe u be fertele ne vitet 90′ dhe pjesa e vogel qe ka synime heterogjene por qe i bashkon ndjesia se kjo histori duhet rrenuar per te ngritur nje te re.

    Mjetet e perdorura jane tipike per procesin e asgjesimit, irracionalja quhet racionale, antivlera quhet vlere, e erreta quhet e shkelqyeshme, e mundshmja quhet e vertete e padiskutueshme etj, lloj-lloj elementi retorik e propagandistik, ku qellimi kryesor eshte te duket shkencore
    dicka qe me shkencen ka shume pak te beje.
    Fjalet shkence, racionalizem, e vertete dalin me nje lehtesi te mahnitshme ne keto shkrime dhe menyra e perqasjes ndaj argumentit ngjan me nje mix te urtesise se plakut te urte me racionalizmin e nje filozofi.

    Kur kjo nuk pi uje, shperthen superioriteti intelektual ndaj masave, nje lloj menyre per te imponuar mendimin duke kthyer masat ne qesharake, bajate, me komplekse e te pagdhendura.

    Mendoj se kjo nuk eshte menyre per t’ju perqasur seriozisht ndonje te vertete, por vetem llogorizim i bindjeve personale, llogore ne te cilat vendosen edhe te tjeret, cka sjell thjesht lodhje dhe ngadale humbet vete sensi i perleshjes dialektike e aty nuk ka per te fituar me e verteta, thjesht jane hedhur bazat per percarje.

  3. Xhaxha, libri i Shmidit (e sidomos prezantimet e tij prej përkthyesit dhe ndokujt tjetër) ngjalli diskutime pasionante e populiste shumë larg etikës së diskutimit… dhe shëmbujt e shumtë që keni sjellë e pasqyrojnë disi.
    Thjesht për të shuar një kureshtje (ndoshta perverse) timen, a mund të na sillni raste të komenteve të personave që kanë mbështetur ato ç’ka thuhen në librin e Shmidit? Dhe natyrisht, kur kërkoj komente të tilla, nuk e kam fjalën për komentues të Shekullit e analistë që shkruajnë për konsum të përditshëm… por komente të personave që Historinë e Njohin dhe që janë në gjëndje të analizojnë faktet e reja të zbuluara prej Shmidit.

  4. Duke ndjekur njërën prej autopsive, mendimi im:

    Gabimi logjik i tre Ardianëve

    Në panairin e librit “Tirana 2008” Ardian Klosi mori çmimin e përkthyesit më të mirë të vitit; siç thuhet rëndom, ka përkthyer “Skënderbeun” e Shmidit. Profesionalizmit ja donte puna që të kishte botuar, botonte, “Skanderbeg”-un e Schmitt-it në gjuhën e Schmitt-it, me firmën e Schmitt-it. Profesionalizmit ja do puna ta bëjë këtë, si dhe të presë sa ata që do dinë të lexojnë “Skanderbeg”-un e Schmitt-it në origjinal, të puqin fotokopje/faksimilet me origjinalet, të shohin ndonjë gabim shtypi, të interpretojnë se si do përkthehet kjo apo ajo shprehje me disa kuptime. Nëse do të kishte ndodhur kështu, pak nga sa ndodhi kishte për të ndodhur, bile, debati mbi “Gjon” apo “Ivan” do të ishte inekzistent sepse atë e solli përkthimi, përkthimi i një libri fantazmë origjinalin e të cilit e ka parë vetëm përkthyes/botuesi Ardian Klosi.
    Si e drejta për ti kërkuar pretenduesit Musa Ahmeti të tregojë “Dokumentin më të vjetër të shqipes” të Theodore Scutariotes vlen të zbatohet edhe për këtë rast. Se gjermanishtfolësit nuk kanë interes e të tjera pretekse, nuk vlejnë kur lënda është historia dhe interpretimi sa më i drejtë i saj. Të tregosh origjinalet prej pesë shekujve e të mos tregosh origjinalin e pesë muajve më parë është gabim logjik mbi autoritetin. Autoriteti është Shmidi, Ardian Klosi është përkthyesi, që si për cilindo përkthyes tjetër të kohrave mbetet në fuqi po ajo shprehje. Autoritative është sa ka shkruar Scmitt-i, për sa ka sjellë dokumenta autoritarë.
    Por ja si shprehet Ardian Klosi në 19 Nëntor 2008 tek gazeta Shekulli: “… do t’u lutesha megjithatë, përunjësisht, ta lexonin veprën para se të shpalosnin idetë e tyre në debat.” Ai nuk quan vepër origjinalin, sepse origjinali me gjeneralitete si: ISBN, O.J. Schmitt, copyrights, shtëpi botuese, datë e vend botimi, etj., nuk gjendet, por përkthimin e asaj që vetëm ai e ka parë; deri atëhere: përkthimin. Populli thotë: i zoti se jep, tellalli e shet. Mbase ai harron se djalosh me fat për të lexuar veprën është vetëm ai.
    Ardian Klosi tërhoqi lexuesin në gabimin emocional: dikush i thotë (me hallall e xhan) pse na e ke bërë Skënderbeun kështu dhe ai përgjigjet se përrallat i boton X e epikat Y botues. Gabimi emocional i një individi është minimal para gabimit emocional të një kombi e përfaqsuesve të tij. Falë këtij gabimi duket sikur atij po i bien në qafë.
    Ardian Klosi nuk do të mundtte ta shndërronte debatin e pritshëm në ndeshje të mundjes vëndçe sikur të mos ndihmohej prej atyre që ranë në gabimin llogjik të autoritetit fallco, që përkthimin e morën për origjinalin dhe shpejt e shpejt i thanë publikut peshën e rëndë të mendimve të veta nëpërmjet megamediave shqiptare.
    Kështu, bën Ardian Ndreca të cilit suplementi (shtojca) i Gazetës Shqiptare, Milosao e datës 28 Dhjetor 2008 i publikon pjesë nga “Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut” në të cilën ai shkruan: “Me të drejtë autori i veprës dhe përkthyesi i saj A. Klosi, ftuen polemistat me e lexue ma parë veprën dhe mandej me ba debat.” Prej gropës së gabimit logjik ku ka ra, Ardian Ndreca fton me një gegnishte të drunjtë (duket sikur A. Klosi është dhe përkthyes dhe autori i veprës; ndryshe: Kur Shmidi ka ftue polemistat me e lexue ma parë veprën?) të debatohet, ai i jep të drejtë të shtrembrës dhe i hyn ma s’koti analizave fije e për pe të përkthimit; për të përkthimi është origjinali. Kjo do të ishte njëlloj sikur Musa Ahmeti të kishte botuar jo trasnliterimin e një faqe të “Dokumentit më të parë të shqipes” por punimin “Mbi sintaksën e Teodor Shkodranit” e Ardian Ndreca ti hynte polemikës deri tek pikat e presjet.
    Po kështu dhe Ardian Vehbiu, i palëkundur në pozicionin e drejtë që prej pjesës mos hidhet poshtë e tëra është po i palëkundur në mospërfilljen e gabimit llogjik kur shkruan tek gazeta Shekulli e datës 23 Janar 2009: “Libri i Schmitt-it, të cilin unë ndryshe nga shumë të tjerë e kam lexuar…”
    Lexuesi i këtyre radhëve e ka të qartë se Ardian Vehbiu ka lexuar përkthimin dhe si të tjerët që nuk quhen Ardian Klosi nuk e ka lexuar librin e Schmitt-it por një përkthim prej Ardian Klosit. Ardian Klosi dëshmon se Schmitt –i ka shkruar një libër, që në gjendet vërtet, si dorëshkrim, kopje digitale, në formën e draftit, palimpsestit, i mbledhur, qepur, siguruar, në harddriva e hardisqe, mund ta quash libër i pabotuar por dhe mund të mos e quash libër fare, përderisa nuk është botuar. Çdo të ndodhë sikur autori të bëjë ndryshime, të mos e botojë kurrë apo sikur autenticiteti i një dokumenti të bjerë? Skaneri i doktor Ardian Klosi mund të thotë çupë a djalë, por kur foshnja lind thërresim çupë a djalë, pastaj i vemë emër, e shohim si rritet.
    Për të dalë nga Arena Kombëtare e Mundjes Vëndçe (peng dhe e plot gabimeve të tjera llogjike) ku stërkëmbshi dhe tuçi janë mjetet e punës dhe për të hyrë në debat shkencor duhet nisur nga hapi i parë: botimi i origjinalit të Schmitt-it në gjuhën e Schmitt-it sepse nuk është roman, por histori. Ardian Klosi e ka këtë detyrim ashtu si O.J. Schmitt-i ndjekjen e traditës me firmosjen e kopjeve të librit të tij.
    Gjendemi në situatën më të rrallë kur kemi përkthimin e librit pa pasur librin mbi të cilin debatohet. Ftohemi të veprojmë sipas argumentum ad verecundiam kur ftuesit vetë e shpërfillin këtë argument në favor të autoritetit fallco, kur për Shmidin shëndoshë e mirë shprehen: ipse dixit!
    Në gropën e gabimit logjik ku përkthimi merret për origjinal ranë shumë, por meqë ndër polemistët kryesorë ishin tre Ardianë dhe gabim i tillë s’ka emër, unë e pagëzoj në emër të Atit, Birit dhe Debatit të Shenjtë: Gabimi logjik i tre Ardianëve.

  5. MAUREEN DOWD kishte nje artikull “Disgorge, Wall Street Fat Cats” ne New York Times qe bente telef Obamen per reagimin e tij te vaket ndaj bonuseve ne Wall Street. Artikulli ishte aq popullor sa nuk behet, sepse te gjithe jemi te ngopur tashme me aventurat e Wall Street. E megjithate ky lloj artikulli mbetet populist dhe sherben vetem per te ndersyer turmat sepse i therret emocioneve dhe jo arsyeve. Bonuset ne wall Street perdoren per te paguar edhe pastruesit ne fund te vitit, dhe jo patjeter drejtuesit. Dhe sipas te gjitha gjasave shumica e bankave qe paguan keto bonuse nuk ishin marre para nga shteti.
    Dhe si perfundim mentaliteti i turmave i pushtoi edhe komenetet e New York Times-it qe mund te quhet pa frike si sinonimi i “the height of responsability” ne media.

    Kthehemi tek problemi yne. Sipas te gjitha gjasave (apo sipas asaj qe eshte rene dakort ne kete blog) ky material nuk eshte i pershtatshem per t’u pertypur nga publiku, ne sensin qe nuk eshte fjala e fundit e shkences, por eshte nje debat shkencor i hapur.

    Atehere perse nje materiali qe supozohet se duhet ta pertyp shkenca i hidh publikut ta pertyp, dhe pastaj ta ripertyp, dhe pastaj ta ri-ripertyp?

    Sigurisht une pretendoj te gjykoj me mire se ai shkruesi i Shekullit qe thote se keta qe ven ne dyshim “Skenderbeun” e bejne kete sepse jane te paguar. Une them te kunderten, megjithese e pranoj se po vjedh dicka nga idete e atij komentuesi. Problemi eshte qe ata qe e bejne kete debat jane te papaguar. Sepse po te ishin te paguar do ta benin debatin brenda mureve te Akademise se shkencave, dhe jo neper gazeta qe nxisin mentalitetin e turmes. Dhe qe mentaliteti i turmes eshte nje rreth vicioz qe ushqen vetveten kete e dine shume mire psikologet prandaj edhe keshillojne vetem nje gje: mbajeni larg debatit.

  6. Une kete zemerate nuk e shoh te vdekur xha xhai,e shoh madje shume te gjalle. e si e tille nuk mund t’i behet autopsi ,por analize.

  7. Nuk me duket se mund te jem me shume dakord se kaq. Them se nuk ka rendesi se ne cilen ane qendron e verteta, te Hamondit, apo te Korkutit, te Shmittit apo te ndonje shqiptari. E verteta nuk eshte vecse nje rastesi e cila nuk i perket askujt, e njekohesisht te gjitheve. Eshte e rendesishme qe te gjehet e verteta sidoqofte, qe te fillohet nga me elementarja, dhe kjo eshte metoda. Nje metode e gabuar mund te sjelli rezultate te sakta, mund te nxjerre te verteten ne shesh. Korkuti mund te jete shume me i sakte se sa Hammond, por fakti qe ai nuk merr ne shqyrtim argumentet kundershtuese te Hammond, e ben te verteten e tij, ne qofte se eshte e tille, intuitive, dhe jo demonstrative. Te verteten fare mire mund t’a thote edhe nje kalimtar qe nuk ia thith fare nga keto pune, por e verteta nuk do te ishte shkencore. Qe e verteta te jete e qendrueshme, duhet t’i pergjigjet ballafaqimit me argumentat kundershtues, perndryshe nuk do te ishte pervecse nje e vertete afatshkurter, rruga se si u arrit kjo e vertete do te harrohej, dhe rrjedhimisht do te harrohej edhe e verteta. Metoda e ballafaqimit mes argumenteve te ndryshme e ka provuar veten si metode e suksesshme, eshte shkence e keqe, me gjithe qellimet e mira qe kjo metode te mos ndiqet.

    Nuk ka absolutisht asnje vlere rezultati i Korkutit, edhe ne qofte i sakte, pervec vlerave rastesore te intuites. Deri sa te kuptohet kjo, shkenca shqiptare nuk ka per te pare pertej hundes se vete, dhe si e tille nuk do te ishte me shkence, edhe pse do te vazhdonte te ishte patriotikisht shqiptare.

  8. Xhaxha, doja të dija një përgjigje tuajën… ama me gjithë sinqeritetin intelektual që ju karakterizon: Si mund ta vlersoni fjalinë e parë të atij shkrimi?
    A nuk ju duket edhe juve që nisja me një fjali të tillë tregon tendencë dhe pregjykim të autorit, që në fund të fundit nuk përdor ndonjë argumentim shumë më domethënës se “turmaxhinjtë”?
    Ai dreq Kyprinodoni e ka kapur më së miri thelbin e “revoltës populiste” dhe që duhej të ishte “kapur” edhe prej dr.Putos… sepse Cyprinodon thotë:
    “Ardian Klosi … nuk quan vepër origjinalin, sepse origjinali me gjeneralitete si: ISBN, O.J. Schmitt, copyrights, shtëpi botuese, datë e vend botimi, etj., nuk gjendet, por përkthimin e asaj që vetëm ai e ka parë”

    P.s:Nga artikulli që më këshillonit të lexoja, e kam fjalën për këtë fjali:”Libri i fundit i prof. Oliver Jens Schmitt-it është një ndër librat më të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë.”

    1. I vetmi koment që mund të bëj, Edrus, është se ashtu e mendon autori i atij artikulli, i cili është munduar pastaj ta shpjegojë pse-në në vazhdim. Unë vetë mendoj se libri i Schmitt-it është shumë i mirë, por nuk e krahasoj dot mirë me vepra të tjera; ndoshta Puto e ka parë të arsyeshme ta lavdërojë pak më shumë librin, kur ka parë që kundër tij janë ngritur Presidentë e burra shteti, kandidatë për Nobelin e të tjerë baballarë.

    2. Përgjigjen pse Schmitt u botua më parë i përkthyer sesa në origjinal ua ka dhënë, në mos gabohem, GH: një vepër të atyre përmasave dhe me atë temë nuk e boton dot lehtë në botën gjermanishtfolëse – sepse kushton shumë, dhe sepse ajo është vepër që nuk shitet, prandaj nuk mund të trajtohet nga shtëpi botuese komerciale, ndërsa botimet akademike i kanë ritme më të ngadalshme.

  9. Problemi eshte qe ata qe e bejne kete debat jane te papaguar. Sepse po te ishin te paguar do ta benin debatin brenda mureve te Akademise se shkencave, dhe jo neper gazeta qe nxisin mentalitetin e turmes.

    Pikerisht ky eshte thelbi i problemit. Libri duhej te ishte pertypur njehere ne ambjentet shkencore dhe pastaj ti servirej publikut te gjere me rezervat dhe ndryshimet eventuale qe do te dilnin nga rrethet akademike. Pra nuk mund te hedhesh nje liber shkencor ne publik me sllogane si “Skenderbeun sic nuk e keni njohur ndonjehere”. Klosi e kerkonte kontroversen me zorr. Dhe mori ate qe kerkonte.

    Nga ana tjeter duhet thene qe edhe reagimi nga figura te njohura kulturore ka qene, emocional i eger e deri fyes. Gje qe le shije te keqe. Kjo ne mase te madhe sepse zeri i specialisteve te mirefillte ne gjithe diskutimin ka munguar.

  10. Pse Shmiti nuk e ka botuar origjinalin merr përgjigje të thjeshtë e të saktë; mjafton të pyetet. Pse nuk pyetet (nga gazetarët) s’çudit njeri. Ndërsa ne marrim me mend se kështu apo ashtu.
    GH është korrekt në sa thotë sepse ka përdorur fjalën ndoshta; mungesa e interesit, formati dhe tregëtimi, por ajo është përgjigje me ndoshta.
    Ndoshtat materialiste të botimit që renditen njëra mbas tjetrës kundërshtojnë njëra-tjetrën. Schmiti e ka ditur interesin dhe tregëtimin e voluminozes Das venezianische Albanien (1392-1479) ndërsa shkruante Skenderbeun. Sikur të ishte materialist “mosinteresi” për të parën duhet ta ndalonte në përfundimin e Skënderbeut. Çuditem si e mbroni historianin, shkencëtarin dhe altruistin Shmit duke e ulur në komercializëm. Ai ka kaq vite që rrëmon arkivave, shkruan libra voluminozë për Shqipërinë dhe lë origjinalin të lexohet dixhitalisht falas prej kujtdo në googlebooks.
    Sa për botimin që mund të kushtojë shumë. Nëse ai nuk do që ta botojë si e-book, që kushton sa blerja e ISBN-së a ndonjë tjetre si kjo, dikujt i takon të bëhet aq xhentelmen sa t’i dhurojë një ISBN-e dhe ti shtypë 100 kopje të origjinalit.

  11. Cd,

    Do të përdorja “rrengë llogjike” për të përkthyer “fallacy” e jo “gabim llogjik”. “Gabimi” është gjithmonë i pa-qëllimtë, “fallacy” jo.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin