HASMI S’FLE

 

Sot, më dt. 11 nëntor 1974, u paraqit në zyrën time qytetari Zamir L., 36 vjeç, i pamartuar, me arsim të mesëm, me profesion gjeometër pranë Pasurisë së Shtetit të Lagjes 3, Tiranë, i cili më kishte kërkuar takim paraprakisht, për të më deklaruar vullnetarisht sa vijon:

Qytetari Zamir L. dëshmon se në shtator të vitit në vazhdim ka blerë një radio të markës “Mimoza” për ta përdorur në shtëpinë e vet.

Dëshmitari pohon se radiot e markës “Mimoza” janë prodhuar në Çekosllovaki por me destinacion tregun shqiptar, për ç’arsye të gjitha mbishkrimet në fushën e radios, duke përfshirë edhe emrat e stacioneve, janë në gjuhën shqipe.

Sipas dëshmitarit radioja ka punuar gjithnjë mirë dhe ai është i kënaqur me cilësinë e marrjes dhe të riprodhimit të zërit.

Qytetari Zamir L. deklaron se që në fillim i ka tërhequr vëmendjen fakti që në bandën e valëve të shkurtra janë shënuar me numra pikërisht valët 16, 19, 21, 25, 31, 41 dhe 49 metra, dhe jo valë të tjera të ngjashme ose të përafërta, por nuk i ka dhënë dot shpjegim, as të tjerët që ka pyetur nuk ia kanë shpjeguar dot këtë fenomen.

Sipas dëshmitarit, një natë duke lëvizur nga stacioni në stacion në bandën e valëve të shkutra, ai ka ndeshur rastësisht në emisionin shqip të Radio Moskës, të cilin e ka ndjekur për pak minuta, pa e kuptuar se ka qenë fjala për një stacion që bën propagandë armiqësore kundër vendit tonë.

Në fund të emisionit, deklaron dëshmitari, spikeri ka theksuar se emisionet në shqip të radio Moskës mund të ndiqen çdo mbrëmje, në orën 22:00 me orën e Shqipërisë, në valët 16, 19, 21, 25, 31, 41 dhe 49 metra, me ç’rast dëshmitari është kujtuar për valët e shenjuara në fushën e radios “Mimoza”, të cilat përkojnë ekzaktësisht me valët në të cilat transmeton radio Moska.

Sipas dëshmitarit, ai ka dyshuar menjëherë se përkimi në valët mund të mos ketë qenë thjesht koincidencë, meqë vendi ku janë prodhuar radiot dihet se është vend revizionist, satelit i Bashkimit Sovjetik dhe armik i tërbuar i një vendi të vërtetë socialist si Shqipëria.

Zamir L. mendon se është plotësisht e mundur që shenjat në fushën e stacioneve të radios “Mimoza”, të jenë manipuluar nga shërbimi sekret sovjetik, sapo të jetë marrë vesh se këto radio kanë qenë destinuar për tregun shqiptar.

Dëshmitari gjithashtu deklaron se që atëherë ai është përpjekur t’u qëndrojë larg atyre valëve nga frika se mos ndesh përsëri gabimisht ndonjë emision të Radio Moskës.

Megjithatë, një natë tjetër, përsëri duke shëtitur nga stacioni në stacion në valët e shkurtra, ai ka gjetur një tjetër stacion në gjuhën shqipe, që fliste me një theks të ndryshëm nga Radio Moska, dhe të cilin e ka dëgjuar deri në fund të emisionit, ku ka marrë vesh se ishte një emision nga Radio Sofia në gjuhën shqipe, ose një tjetër stacion i një vendi revizionist të Lindjes, anëtar i Traktatit të Varshavës dhe armik i betuar i shtetit të punëtorëve dhe të fshatarëve në Shqipëri.

Në mbyllje të këtij emisioni, dëshmon Zamir L., spikerja ka thënë se emisionet në shqip të radio Sofies mund të ndiqen çdo mbrëmje, në orën 21:00 me orën e Shqipërisë, në valët 16, 19, 21, 25, 31, 41 dhe 49 metra, pra në të njëjtat valë ku transmetohen edhe emisionet e Radio Moskës, dhe që tregohen në fushën e stacioneve të radiove “Mimoza”.

Sipas dëshmitarit, një koincidencë mund edhe të pranohet, por dy të tilla jo; prandaj ai tani nuk ka as më të voglin dyshim se gjatësitë e valëve janë shenjuar atje posaçërisht për t’i nxitur dëgjuesit në Shqipëri që të sintonizohen në ato valë ku transmetohen edhe emisionet propagandistike antishqiptare të këtyre radiove revizioniste.

Dëshmitari ka sjellë me vete edhe një fotografi të thjeshtë të radios “Mimoza” të cilën e ka shkrepur dhe zhvilluar me shpenzimet e veta, ku duken qartë gjatësitë e valëve dhe emrat e stacioneve.

Zamir L. gjithashtu mendon se valët e shkurtra 16, 19, 21, 25, 31, 41 dhe 49 metra mund të përdoren edhe nga stacione të tjera, për të përhapur helm propagandistik armiqësor drejt Shqipërisë, p.sh. nga Radio Europa e Lirë ose Zëri i Amerikës, megjithëse atij vetë nuk i ka qëlluar të dëgjojë ndonjëherë emisione të këtyre radiove, as njeh ndonjë njeri që i ka dëgjuar, qoftë edhe pa dashje ose në mirëbesim.

Ky relacion i jepet tani dëshmitarit për ta nënshkruar, dhe do t’i përcillet Drejtorisë së Propagandës në Ministrinë e Brendshme, dhe një kopje Drejtorisë së Doganave në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme.

Relatori:

Ali T.

[nënshkrimi]

Dëshmitari

Zamir L.

[nënshkrimi]

Tiranë, më 11/11/1975.

2 Komente

  1. Ka vite qe e gjurmoj link me link Maks Gjerazin, dhe plasje me vjen qe nuk po del ndonje gje e ketij ne librari.

    Ne fakt keto rrefenja, si e mesipermja me shoqe, pavaresisht se i brendashkruhen letersise, jane copeza dokumentare qe na nevojiten jetikisht per te plotesuar gjithe kujtesen e disa dekadave me rradhe, uzurpuar nga pasqyrime te doktoruara te realitetit, si nga media e kohes ashtu edhe nga zgjatesat artistike te aparatit zyrtar te cenzures. Ironia me e hidhur eshte se, periudha me e miredokumentuar e historise se njerezimit, ajo e pasluftes se Dyte, tek ne rezulton po aq mjegulluar dhe e kriptuar sa mesjeta. Edhe sot, shumica e deshmitareve, kapluar nga nostalgjia e te njejtit patos, po me shpesh nga nje heroizim e viktimizim po aq ideologjik sa ai i patosit socialist, po vazhdojne ta mjegullojne edhe me tej kujtesen per kete pjese te denuar te historise. Ja pse blice te tilla kujtese, ndonese ofruar mes aparatit te letrares, perbejne pika orientimi ne ate zone erresire kolektive te mendjes shqiptare.

    PS: po trafikoj ketu per efekt perforcues konteksti, nje copez kronike retro, perkarshi dosjes Maks Gjerazi.

    1985: Historia e një”ringjalljeje”misterioze

    Nga Patosi

    KRISTAQ THANASI

    “(…) Në 25 Gusht 1985, oficeri i ushtrisë shqiptare, Besim Qosja, ka qenë me shërbim së bashku me ushtarët e tij në vijën e kufirit, konkretisht në Koliq të Krumës. Afër shërbimit, tregon kapiteni, kalonte një burim uji. Uji vinte nga ana tjetër e kufirit. Atë ditë, thotë Besimi, ne po punonim për shtrirjen e një kablli ndërlidhës. Vapa ishte e madhe. Nuk pimë ujë çezme, por unë i pari piva prej këtij burimi dhe më pas pinë edhe disa prej ushtarëve. Ishin katër ushtarë. Vdiqën të katër brenda pak orëve.
    Vetë Besimi është çuar me urgjencë me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pas ndërhyrjes së Ministrisë së Mbrojtjes. Një ditë pasi është sjellë aty i ka plasur gjaku nga goja, hunda dhe ka patur ënjtje të trupit. Kjo gjendje ka zgjatur pesë ditë. Pas pesë ditësh, trupi nuk jepte më asnjë shenjë jete dhe mjekët deklaruan se, oficeri Besim Qosja kishte vdekur. U njoftua Ministria e Mbrojtjes dhe reparti ushtarak për t’u përgatitur për t’i bërë nderet e fundit ushtarakut Qosja, i cili vdiq në krye të detyrës, duke marrë masa për përgatitjet e kapitenit për varrim. Persona të afërm ndodheshin prej ditësh në Spitalin Ushtarak. Nga këta të fundit u dërgua lajm në Gramsh te prindërit e Besimit, te babai i tij Dineja, i cili ka hapur shtëpinë për vdekjen e të birit, ndërkohë është hapur edhe varri në fshat, ku ai do të varrosej me ceremoni dhe për këtë ishte formuar një komision.
    Por kapiten Qose tronditi spitalin dhe më gjerë. Një infermiere vërtetoi fare rastësisht se ai ishte gjallë. E kishin zhveshur dhe trupi ndodhej në një dhomë së bashku me persona të tjerë të vdekur të rastësishëm. Më pas e futen në arkivol. Kapakun nuk e kishin vendosur. Në momentin që do ta largonin prej ambjenteve të spitalit, një infermiere e quajtur Afrika Celibashi ka bërë një veprim. Ndoshta për një dobësi njerëzore apo për të kryer një rit keqardhje, ajo i ka ngritur kokën dhe i ka futur në gojë pak kafe. Mjekët e kanë shpjeguar më vonë se lëngu i kafesë, i nxehtë, ka rrëshqitur dhe ka shkuar në veshka dhe aty kanë parë që “i vdekuri” ka urinuar paksa. Duke parë këtë fakt, infermierja ka bërtitur: “Ky është gjallë(…)”

    ps: ec e gjeje po deshe ne letersi infermieren Afrika Celibashi, jo vetem me emrin e pamundur, po edhe me ate devijancen profesionale te shkartisjes se amesise me kersherite nekro…logjike

  2. Ngjethëse…! Haj gjeje po deshe kufirin krijues,letrar dhe historik..!Të tilla dokumente i takojnë një kombi të perveçëm si i yni, me komleksitete dhe kriptogramë të pa zgjidhëshëm…
    Akoma më dridhet trupi….

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin