QELLIME TE MIRA

Vasillaq K., sekretar i organizatës bazë të Partisë në shkollën 8-vjeçare “Fitorja e Kongresit”, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të organizatës për të diskutuar situatën që ishte krijuar papritur me fëmijët e klasës së parë. Erion M., shtatë vjeç, kishte vizatuar Diktatorin, të hipur në kalë si Skënderbeu, me shpatën zhveshur dhe mjekrën e zezë të dendur që i derdhej në gjoks. Ia kishte shkruar Diktatorit edhe emrin në anë të fletës, me shkronja të mëdha shtypi; dhe pak më poshtë kishte shtuar emrin e vet, së bashku me datën e vizatimit, siç kishte parë të bënin piktorët.

Në mbledhje kishin ftuar edhe mësuesen e vizatimit, Vera H., e cila qau për një copë herë, pa e ditur as vetë psenë. Mbledhja vendosi që vizatimi të mbyllej në një zarf të dyllosur dhe t’i dërgohej me korrier Komitetit të Partisë së Rajonit, meqë askush nuk dinte si duhej proceduar në rrethana të tilla.

Të nesërmen u shfaq në shkollë një instruktor nga Komiteti i Partisë, i cili i shpjegoi Vasillaqit K. se zhgarravina si ajo e Erionit nuk mund të toleroheshin ideo-politikisht, dhe se duhej mbajtur qëndrim i prerë me prindët e djalit.

I jati i Erionit, Gavrosh M. punonte në Drejtorinë e Kulturës në Ministrinë e Jashtme; pa u mbyllur dita, e thirri në zyrë zëvendësministri, për të biseduar në lidhje me ngjarjen e rëndë. Biseda u zhvillua e qetë, por në një sfond të tendosur tej mase. Në mbrëmje, Erionit i thanë se Diktatorin nuk duhej ta vizatonte më; por pa ia arsyetuar pse; sidoqë e jëma, Natasha M., gjithnjë mburrej me shoqet për parimet e pedagogjisë progresive që zbatonte në edukimin e të birit. Erion M. u vrenjt në fytyrë, dhe e quajti të jatin “armik”; pastaj tha se në shkollë i kishin mësuar se Diktatori i donte shumë fëmijët. Seanca edukative vazhdoi për një copë herë, por pa ndonjë rezultat të dukshëm.

Të nesërmen Erioni e vizatoi Diktatorin si futbollist, duke ngritur lart Kupën e Kampioneve; emrin këtë herë ia kishte shkruar në bluzë, me shkronja të zjarrta. Në shkollë gjendeshin tani dy instruktorë të Komitetit, të instaluar në Dhomën e Partisë; ndërsa në Ministrinë e Jashtme po gatitej të fillonte mbledhja me pjesëmarrjen e një të dërguari nga Drejtoria e Propagandës në KQ.

Gavrosh M., që priste dita ditës ta emëronin ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Rumanisë, e parandjeu se perspektivat për karrierë diplomatike po i rrezikoheshin seriozisht, nga ato që i dërguari i Drejtorisë së Propagandës nuk ngurroi t’i quajtë haptazi “karikatura” të Diktatorit. Pas mbledhjes, ende i tronditur kërkoi të këshillohej me një kushëri të tij, në aparat të Komitetit Qendror, i cili e priti ftohtë dhe i tha që Erion M. duhej ta ndërpriste të vizatuarit menjëherë. Ndërkohë, Komiteti i Partisë i Rrethit e quajti gabim të rëndë që mësuesja e vizatimit Vera H. u kishte thënë fëmijëve, te “Fitorja e Kongresit”, se nuk duhej ta vizatonin Diktatorin, meqë vizatimet e paautorizuara të Diktatorit ndaloheshin nga shteti.

Në mbrëmje, Gavrosh M., piu një gotë raki me të vëllanë, mjekun sportiv Harilla M.; pastaj u kthye në shtëpi, u ul të luante mos-u-nxeh me të birin dhe në lojë e sipër e pyeti nëse i dhimbte gjë krahu i djathtë, meqë sikur i ishte shtrembëruar pak. Pas disa provash para pasqyrës, Erioni u bind se në të vërtetë një shtrembërim kishte ndodhur. Bënë sikur thirrën të ungjin me telefon; ky solli me vete edhe mjetet e nevojshme për ta vënë krahun në allçi. Erion M. nuk kundërshtoi shumë, sidomos pasi i rrëfyen për një sëmundje që kishte rënë, e cila u shtrembëronte krahët fëmijëve të vegjël. I përmendën si shembull edhe një fqinjin e tyre, Fadil E., i cili kishte kaluar poliomielitin në fëmini, dhe i kishte mbetur njëra këmbë shumë më e hollë dhe e dobët se tjetra.

Erion M. e mbajti allçinë për katër javë; dhe gjatë gjithë kësaj kohe mësuesit në shkollë treguan mirëkuptim të madh, dhe e lejuan të merrte pjesë në mësim edhe pse nuk shkruante dot. Kur ia hoqën më në fund allçinë pas një muaji, Erion M. u ankua se nuk po e përkulte dot mirë bërrylin e djathtë, dhe kishte vështirësi për t’i lëvizur gishtat. Mjekët konstatuan dëmtim të pariparueshëm të nervit radial dhe sugjeruan që fëmija të fillonte të ushtrohej për të shkruar me dorën e majtë.

 

6 Komente

  1. I urt-Ky eshte zbulimi qe ben shkrimi ne leximin e lexuesisit. Jo shpesh here takohen lexues e shkrues per te shpenzuar kohe te vlefshme. Kjo kohe, e leximit-takimit, ka vlere.

  2. Perseri te arrirat e tua me futen ne kujtimet e asaj te kohe te nemur.Kur isha ne shkolle te mesme,nje ngjarje familjare nuk me eshte hequr nga kujtesa.Ishin dite zakonisht festive,kur televizoni dhe radioja kishin ngritur tytat duke pasqyruar punimet e nje nga kongreseve te P.P.SH.Them nje prej,sepse me eshte fshire nga kujtesa numri i tij.
    Une kisha vite qe studjoja me nje instrument muzikor dhe me ishte bere shprehi te kenduarit ne shtepi.Ne nje darke,kur e gjithe familja ishte perqendruar ne shikimin e punimeve te Kongresit,une dicka shkruaja dhe kendoja njekohesisht me ze te ulet.Ne nje cast,as vete nuk e kuptova psene,teksti i kenges po fillonte te ndryshonte permbajtjen duke futur fjale nga fjalim mbajtesit.Vazhdova ne menyre instiktive kendimin e vargut pak me ze me te lart se vargjet para ardhese(ndikonte sic duket volumi i zerit te te larte te TV)
    Lart flamujt e Kongresit
    Qe merret me rritjen e preshit.
    Sic duket,ca nga presioni i fjalimeve,ca nga presioni i barkut(ne ate kohe ne dyqane kisht vetem presh me shumice),leshova nje parulle armiqesore.
    Im ate,qe natyrisht ishte komunist,e degjoi dhe nuk me la te prodhoja nje varg tjeter(qe parashikueshem do te ishte per denim me burg te rende),duke me qelluar me nje pellembe(te vetme ne jeten time prej tij),te cilen edhe pse kam dashur perehere ta harroj,nuk mundem.

  3. Ja nje nga miliona tragjedi-komedite. Po te mos e dija qe ka shume mundesi te jete nje histori e vertete , do te qeshja me te madhe.

  4. E mrekullueshme, te falenderoj per kete gje. Kjo me kujtoi nje ngjarje te asaj kohe qe me ka ndodhur me sekretarin e partise te shkolles. Une sapo kisha fituar nje vend ne nje olimpiade kombetare dhe natyrisht me priten si “hero” dhe gjithe mesuesit me falenderuan qe kisha ngritur lart emrin e shkolles. Ne nje nga pushimet e oreve te dites pasardherse isha ulur tek bordura e kuqe e kendit te partise dhe udheheqesit, besoj se i mbani mend ato stendat e kuqe me nje flamur te madh prej kompesate dhe figuren e diktatorit duke buzeqeshur ne mes. Kuptohet isha ulur spontanisht ose tani besoj edhe nje cike i krekosur. Te gjithe qe kalonin me pershendesnin por kur kaloi sekretari i partise jo vetem qe nuk me uroi por me tha “kush je ti qe ul b…. ne mesimet e partise”. Kuptohet qe une do te jem bere si lule kungulli dhe ja beja mek mek. Per nja dy muaj nuk i dola para syve sekretarit te partise.
    Me e bukura tani eshte se ai eshte bere pedagog ne nje nga Universitetet shteterore te hapura ne rrethe.

  5. Tek zhvendosja ne dimensionin e ri te demokracise te mentalitetit te atij sistemi qendron problemi yn i madh.Nje shoqeri percaktohet si drejte ose e padrejte nga ajo sesi zyrtaret e struktures korporative te shoqerise shfrytezojne pozicionin e tyre per ti sigururar vetvetes te drejta te pamerituara.Kjo padrejtesi lind padrejtesira te tjera,nder te cilat eshte edhe varferia.Varferia,te cilen une e percaktoj si shenje e degradimit te drejtesise,te cilen ne gjuhesisht ndryshe e quajme korruspion,kur trashegohet si ne rastin tone,tregon qe ne kemi ate sistem ne thelb,pamvarsisht se froma e jashteme ka marre nje emer tjeter.Kjo varferi vjen nga dy drejtime,ku vendion e pare e ze varferia mentalitative qe sjell si pasoje varferine materiale.Drejtime tjeter eshte mosaftesia e rigjenerimit.Ngrija e allcise ka sjelle demtime te pakthyemshme me superiore se te rasti i dores se djathte te Erionit

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin