NJOLLA TË MURRME

Një shoku ynë fotograf amator, i apasionuar pas gjallërisë në rrugët e lulëzuara të ish-Bllokut në Tiranën e viteve 199…, na tregoi foton që ia kish shkrepur një grupi pleqsh, teksa këta kundronin vilën që dikur i kishte përkitur partiakut të lartë Xheladin G. Njëri prej nesh njohu menjëherë në foto disa anëtarë të Këshillit të atëhershëm të Shtetit, mes të cilëve ish-drejtorin e Drejtorisë së Censurës dhe Retushimit, Babaçe Ç., ish-kryetaren e Komisionit të Përgjimeve Fatushe I., dhe ish-shefin e Komitetit të Pushkatimeve, Miti Y.

Shoku ynë fotograf, i cili vetëm më pas e kishte pikasur se portreti i grupit që kishte realizuar rimerrte, njëfarësoj, një traditë hiearkish përndryshe të kallura në dhé, na pyeti nëse po dallonim apo jo diçka tjetër në foton që na kishte vënë përpara – ose një si perde bryme të bardhëlleme, fjollë tymi prej një cigareje tashmë të shuar, të ftohtë si pezhishkë merimange, afër ish-komisarit të Burgjeve të Sigurisë Totale Shyqyri H.; të cilën e paskëshim kujtuar për papastërti të letrës fotografike ose e shumta artifakt të kameras numerike SLR që shoku ynë përdorte. Supersticiozi mes nesh, i prirur për të besuar shfaqje të pashpjegueshme të së mbinatyrshmes, ose dukuri të ashtuquajtura paranormale, ndoshta do ta kishte marrë atë njollë për fantazmë; praní përndryshe të vështirë për t’u pikasur me sy të lirë; dhe në të vërtetë, disa njerëz që e kishin studiuar foton, kishin njohur atje hijen e partiakut të lartë Xheladin G., banorit të dikurshëm të vilës në fjalë, tashmë të vdekur nga kanceri i rrylave të fytit; të veshur me pardesy të gjatë të hirtë deri në fund të këmbëve, që i varej si flamur i lodhur në kremastarin e shpatullave.

Shoku ynë përsëri kish dalë rrugëve të ish-Bllokut, me shpresën se do të ndeshte sërish me çetën irredentiste të pleqve të regjimit të vjetër; por kishte fotografuar këtë herë një grup të ri, të përbërë nga ish-shefja e Pastërtisë së Figurave Fazilet B., ish-ministri i Bunkerëve Strategjikë Hazret V. dhe ish-Mbikëqyrësi i Revolucionit Proletar për Amerikën Latine Pirro Zh., kryelartë duke kaluar mes për mes bahçes së vilës që dikur i ishte dhënë në përdorim drejtorit të Drejtorisë së Arrestimeve, Vlash A. Edhe këtë herë, në foto mund të pikasje dy hije gjatoshe e opake, si puplat e tymit prej një zjarri ende të pashuar në pyll; të identifikueshme si Vlash A., i ngecur pezull mbi grupin si ndonjë shpend i ngurosur nga rrufeja; dhe mentori i tij, nënkryetari i Këshillit të Shtetit Teme Gj., të dy shuar prej kohësh prej sëmundjesh të rënda degjenerative.

I bindur tashmë se në hapësirat e riformatuara të ish-Bllokut kishin ngritur folenë gjithfarë hijesh, pranish spektrale, lugetërish, ektoplazmash dhe fanitjesh të banorëve të kamotshëm të vilave, shoku ynë kishte aplikuar për një grant nga një institut hollandez i kërkimeve paranormale, i cili do t’i duhej për të realizuar katalogun fotografik të këtyre qenieve, të kapura teksa admironin, lakmonin ose vajtonin luksin dhe privilegjet e dikurshme, në shoqërinë e kolegëve të tyre të mbetur gjallë.

1 Comment

  1. “Një shoku ynë fotograf amator, i apasionuar pas gjallërisë në rrugët e lulëzuara të ish-Bllokut në Tiranën e viteve 199…, na tregoi foton që ia kish shkrepur një grupi pleqsh, teksa këta kundronin vilën që dikur i kishte përkitur partiakut të lartë Xheladin G. Njëri prej nesh njohu menjëherë në foto disa anëtarë të Këshillit të atëhershëm të Shtetit, mes të cilëve ish-drejtorin e Drejtorisë së Censurës dhe Retushimit, Babaçe Ç., ish-kryetaren e Komisionit të Përgjimeve Fatushe I., dhe ish-shefin e Komitetit të Pushkatimeve, Miti Y………”

    Madheshtore krijim.I vogel,por i mprehur dhe perqendruar mjeshterisht maja ne drejtimin e duhur te dhimbshem per ne te gjithe.Ne te gjithe jemi dekori.Shoqeria e shprishur Shqiptare.Ndoshta do te duhen tre breza te pastrohet gjaku i te gjitheve nga ai helm i ndyre vrastar.

    Duhet te besh dhe nje “Njolla te murme 2” reth bijve te tyre fizike dhe kamaleono-ideologjike ne fotografine e nje fotografi amatoroprofesional te dale nga shkolla praktike e ekonomise se tregut te ri te “lire” te llojit,si gjithmone, te vecante shqiptar.

Comments are closed.