KUR FLET TELLALLI

 

Shumë nga ne që jetojmë në SHBA, do t’i kenë ndjekur lajmet për gjyqin kundër një grupi terroristësh, mes të cilëve edhe disa shqiptarë nga Dibra e Madhe, të cilët pas gjase përgatitnin një atentat ndaj bazës ushtarake amerikane në Fort Dix (NJ).

Argumenti i akuzës në këtë gjyq është qortuar nga shumë anë, veçanërisht nga avokatët e të pandehurve; meqë është e vështirë që, në bëmat e të pandehurve, të ndahet fakti nga dëshira, dëshira nga planëzimi i mirëfilltë, dhe planëzimi i mirëfilltë nga sugjerimet e informuesve të FBI, mbi të dhënat e të cilëve u mbështet akuza.

Megjithatë, këtu nuk dua të merrem me gjyqin, sepse as hollësitë e debatit nuk i njoh mirë, as kam ndonjë gjë të veçantë për të shtuar, përveç shpresës që juria t’i ketë peshuar mirë argumentet dhe kundërargumentet e palëve, para se ta jepte vendimin.

Dua vetëm të përmend një titull të gazetës “Shekulli” të datës 23 dhjetor, që kishte lidhje me këtë lajm:

Shpallen fajtorë dibranët, sulmuan bazën ushtarake

Nga t’i afrohesh më parë këtij titulli? Natyrisht, nuk ndodhi asnjë sulm, ndaj asnjë baze ushtarake; terroristët, duke përfshirë edhe shqiptarët nga Dibra e Madhe, u dënuan për çka ligji amerikan e quan “conspiracy”, ose organizim për të arritur një qëllim kriminal – meqë në gjyq u provua se të pandehurit kishin shprehur disa herë dëshirën për të sulmuar një objektiv ushtarak të SHBA dhe ishin stërvitur me armë zjarri, ose me mënyra të tjera që u gjykuan si domethënëse për akuzën. Më në fund, nuk më duket serioze që të identifikohen këta njerëz si “dibranë”; nëse janë terroristë, le të quhen terroristë – meqë nuk ka absolutisht asgjë dibrane në qëllimet, sjelljen dhe veprimet e tyre të jashtëligjshme.

Ndoshta titulli duhej rishkruar kështu:

“Shpallen fajtorë shqiptarët, deshën të sulmonin bazën ushtarake amerikane”

Natyrisht, identifikimi etnik i të dënuarve përligjet, meqë vetëm ashtu shpjegohet përcjellja e lajmit nga një gazetë e Tiranës (e cila nuk do të ishte trazuar, sikur të pandehurit të kishin qenë kurdë ose nga Trinidad-Tobago). Po ashtu, “deshën të sulmonin” i tregon lexuesit se sulmi nuk ndodhi – për shkak të zotësisë së FBI amerikane, ose për shkak se ideja për të sulmuar një bazë ushtarake amerikane nuk kishte shumë gjasa për t’u bërë realitet. Më në fund, nuk do të ishte keq sikur të përmendej edhe për çfarë baze ushtarake bëhet fjalë.

Si edhe herë të tjera, mediat shqiptare thjeshtojnë; dhe thjeshtojnë duke ua përshtatur lajmet narrativave stereotipike, në mënyrë që vetë lajmet të konfirmojnë stereotipet. Përkundrazi, nuancat e ftojnë lexuesin të mendojë dhe të nxjerrë përfundime vetë, sepse realiteti gjithnjë i sfidon stereotipet.

 

3 Komente

  1. Përdorimi i gabuar i fjalëve në media natyrisht është i qëllimshëm, dhe në shumicën e rasteve i jep përgjigje stereotipeve mbizotërues tek publiku që lexon/shikon/dëgjon një media të caktuar.
    Me këtë titull me siguri shumë lexues do të jenë kurioz të lexojnë artikullin sepse thjesht fakti se këta tipat (që deri në provë të kundërt janë të pafajshëm) janë shqiptarë, i bën që të ndihen të rëndësishëm, dhe pse bëhet fjalë për diçka negative.
    Në imagjinarin e shqiptarit mesatar ka më shumë mundësi që një dibran të jetë terrorist sesa një fierak ose lushnjar të jetë i tillë, çështje paragjykimesh dhe stereotipesh që i trashgojmë brez pas brezi.
    Shqiptarët në Itali dhe në vende të tjera janë një shembull emblematik. Nëse ndodh një vepër penale e konsumuar nga shqiptar, titulli i gazetës do të jetë “Albanese, investe e uccide pedone sulle strisce”. Nëse të njëjtën gjë e bën bie fjala një italian, titulli mund të jetë “Incidente stradale, muore un pedone sulle strisce”. Ngarkesa emotive e dy titujve është si nata me ditën dhe reagimi që shkakton te shumica dërmuese e opinionit public është katastrofik, duke qenë se jo të gjithë kanë fatin të kenë instrumentet e duhura për një lexim kritik të shtypit. (mekanizma të shtruara shumë mirë në librin “Gli albanesi secondo i mass media” (Vehbiu – Devole)
    Mediat shqiptare, për fat të keq, nuk bëjnë fare përjashtim nga ky mekanizëm, dhe shëmbuj si ky ka aq shumë sa nuk do të mjaftonin shumë libra për ti përmbledhur.

  2. "Do te vrisnin presidentin e SHBA-ve" thote tellalli tjeter ose me sakte Korrieri tjeter… Te gjitha fletushkat ne Shqiperi, pasi i jane lepire te gjitha pushteteve sa ne te majte e ne te djathte, nuk u ka ngelur ndonje identitet a ndonje politike e vecante redaksionale qe te mund t’ua ngreje piket ne treg apo t’i dalloje dhe kane filluar dhe po konkurojne jo me me lajme qe i kane identike por me titujt kush e kush te terheqe me shume vemendjen. Ta gezoni shtypin pluralist tha… bile edhe mullarin.

  3. E drejte Adem&Ujk.Ne jemi gjithmone ne nje krah te pakuptueshem te sistemit,matane pikes ndarese te segmentit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin