FRIKE DHE VIGJILENCE

Një incident i përcjellë sot nga agjencitë e lajmeve të bën të pyesësh nëse të drejtat civile të individit mund të pajtohen me gjendjen e luftës.

Nëntë pasagjerë të fesë myslimane, mes të cilëve 3 fëmijë të vegjël, u detyruan të zbresin nga një avion i shoqërisë AirTran në Reagan National Airport (Washington DC), pasi dy pasagjerë të tjerë të avionit i denoncuan pranë autoriteteve si të dyshimtë. Për këtë denoncim u bë shkak një shkëmbim batutash midis njërit prej udhëtarëve, një jurist i quajtur Atif Irfan, dhe dy grave që e shoqëronin, të shoqes dhe kunatës, në lidhje me vendin më të sigurt për t’u ulur në aeroplan.

Njëra nga gratë kishte thënë se, për të, vendi më i sigurt në avion ishte pjesa e pasme e kabinës; ndërsa Atif Irfan kishte këmbëngulur se një vend afër krahëve ishte më i sigurt. Pastaj kunata ishte përgjigjur se “gjithsesi më mirë të mos jesh ulur afër motorëve, në qoftë se ndodh diçka.”

Pak minuta më pas, grupi i udhëtarëve myslimanë u shoqërua jashtë avionit nga federal air marshals, për t’u marrë në pyetje nga agjentët e FBI. Edhe pse FBI nuk gjeti ndonjë arsye për të dyshuar ndaj këtyre udhëtarëve, AirTran refuzoi t’i pranonte nëntë pasagjerët përsëri në bord.

Në vështrim të parë, incidenti dëshmon se, ndaj rrezikut terrorist, publiku amerikan reagon me paranojë, jo me urtësi. Rreziku i terrorizmit është doemos real – edhe pse mund të thuhet se është real kryesisht ngaqë fryhet dhe shfrytëzohet prej mediave (si mund të funksionojë terrorizmi pa mediat që e amplifikojnë?). Nga ana tjetër, duket qesharake që terroristët e ajrit të hyjnë në avion të shoqëruar me gra dhe fëmijë, të veshur me petka karakteristike të kulturës islame, burrat me mjekra të gjata dhe gratë me kokë të mbuluar me shami; dhe pasi të zënë vendet, të bisedojnë se cili është vendi më i sigurt për t’u ulur.

Nga ana tjetër, më duhet ta pranoj se edhe unë vetë, sa herë hypi në avion, bluaj me mendje çështje të sigurisë dhe të tjera të ngjashme; dhe për këto gjëra natyrshëm kam dëshirë të flas me kë udhëton me mua, qoftë edhe thjesht për të ulur tensionin para fluturimit. Më në fund, më duhet gjithashtu të pranoj se, pas 11 shtatorit 2001, grupet e myslimanëve dhe ndonjëherë të arabëve në aeroporte dhe në avionët ma tërheqin vëmendjen në mënyrë tjetër – çka lidhet drejtpërdrejt me gozhdët që më kanë ngulur mediat në tru, prandaj edhe nuk i jap rëndësi; sepse dyshime të tilla janë po aq irracionale sa edhe frika e disave nga urat ose nga merimangat.

Lufta “kundër terrorit”, siç e quan Bushi, ka lënë viktima të shumta anembanë – por mes viktimave në truallin amerikan, me rëndësi kritike është besimi në të drejtën e gjithkujt për t’u supozuar si i pafajshëm. Në këtë kontekst, publiku amerikan duket më i frikësuar dhe i shqetësuar se autoritetet vetë, përballë shenjave të dukshme të Islamit – faljeve, xhamive, turbanëve, grave me shami në kokë, burrave me mjekra dhe pantallona mbi kyçin e këmbës, Kuranit, deri edhe arabeskave.

Pse vallë ndodh kështu? Me sa di unë, atentatet terroriste të kohëve të fundit janë kryer nga fanatikë të cilët, së jashtmi, nuk dalloheshin prej të tjerëve, çka edhe i ndihmonte për t’u shkrirë me turmën. Nuk ka ndonjë bazë racionale supozimi se burrat me çallma dhe gratë me shami në kokë ose me vello, aq më tepër të shoqëruar prej fëmijëve, mund të komplotojnë për të rrëzuar avionët me të cilët janë duke udhëtuar. Aq më e vërtetë është kjo, po të kihet parasysh se më të masakruarit e të tmerruarit prej terrorizmit islamik, kudo në botë, janë myslimanët vetë – mjaft të sjellësh në mendje Irakun e tanishëm, ose Pakistanin.

Kanë thënë se turma priret, nga pikëpamja psikologjike, që ta identifikuar “të keqen” në trajtat e një minoriteti – etnik, racial ose fetar, të cilat mund të shquhen e pikasen si të thuash “me sy”; historia sjell shembujt të panumërt në mbështetje të kësaj hipoteze. Nga kjo pikëpamje, publiku amerikan vepron ashtu siç mund të pritej, nga një publik i ekspozuar ndaj propagandës së mediave dhe i papërgatitur, kur vjen puna për të marrë vendime racionale në situata të ndera.

Nga ana tjetër, dihet edhe se kjo intolerancë ndaj Tjetrit vjen e theksohet në ato rrethana kur publiku ndihet paraprakisht i kërcënuar ose së paku i frikësuar; sepse frika e nxit paranojën dhe paranoja nuk bindet më prej arsyes.

Incidenti me pasagjerët myslimanë të AirTran mund të shpjegohet vërtet me frikën difuze ndaj Islamit, që i ka kapluar amerikanët pas 11 shtatorit 2001; por mua më duket se vetëm kaq nuk mjafton. Tensioni i tanishëm lidhet disi edhe me frikën se bota islamike në përgjithësi, dhe arabët në veçanti, mund të duan të kërkojnë shpagim për padrejtësitë që po u bëhen – si nga SHBA dhe Perëndimi, ashtu edhe nga Izraeli.

Me fjalë të tjera, amerikanët ndihen fajtorë: për katrahurën në Irak dhe në Afganistan, për rrëmujën në Pakistan; por edhe për ndërhyrjen e ekzagjeruar të Izraelit në Gaza, me mbështetjen e plotë të administratës Bush. Të gjitha këto ndërhyrje të amerikanëve, ose të kryera me bekimin e tyre, kanë shkaktuar viktima të panumërta, vuajtje të parrëfyera, shkatërrime materiale dhe shpirtërore.

Nga nëntë udhëtarët myslimanë që u dëbuan prej avionit të AirTran, tetë ishin qytetarë amerikanë; dhe SHBA ende e ruan krenarinë si vendi ku respekti ndaj diferencave mbrohet me ligj dhe moral. Nga njëra anë, t’i trajtosh myslimanët si qytetarë të dorës së dytë, ose t’u imponosh rregulla të posaçme të sjelljes në publik, bie ndesh me thelbin e idealit amerikan; nga ana tjetër, SHBA është e përzier në gjithfarë luftrash në Lindjen e Mesme, drejtpërdrejt dhe në përkrahjen politike, ushtarake dhe financiare që i jep Izraelit; prandaj duket e arsyeshme, të paktën në kontekste të sigurisë publike, që irakenin etnik ta trajtosh ndryshe, bie fjala, nga polineziani ose lituani.

Incidente si ky i tanishmi tregojnë se Washington-it i duhet të vendosë, herët a vonë, nëse do t’i japë përparësi konfrontimit të ashpër në Lindjen e Mesme, duke hequr dorë nga çdo përpjekje për të garantuar të drejtat civile të qytetarëve myslimanë në SHBA dhe myslimanëve në përgjithësi; apo nëse do të zgjedhë një rrugë të armëpushimit, diplomacisë dhe paqes, e cila parakupton, ndër të tjera, edhe një qëndrim më të barazpeshuar ndaj konfliktit të Izraelit me Hamasin dhe me palestinezët në përgjithësi.

16 Komente

  1. Hamasi,eshte nje organizate terroriste dhe me te nuk mendoj se duhet bere marreveshje.Me ta mareveshja me e mire eshte lufta.Sa per zbatimin e te drejtave te njeriut,Amerika kurre nuk shkel ligjet e saj.Administrata e kompanise ajrore,nuk perfaqeson Ameriken dhe opinionin amerikan.
    Amerikanet nuk ndihen aspak fajtore per vendimet qe merr kongresi i zgjedhur prej tyre.Cdo vendim kalon neper proces te nderlikuar demokratik dhe ne thelb ka mbrojtjen e interesave te amerikaneve.
    Kush nuk kupton kete,nuk kupton demokracine reale.

  2. S’është vetëm frikë nga myslimanët, e mban mend periudhën kur u shtuan shumë vrasjet në shkolla? Po atë kohën e sniperave? Filmi Bowling for Columbine flet për frikën e amerikanëve në përgjithësi. Për një pjesë, fajin e ka media. Terrori islam është vetëm terrori i radhës (dhe për fat të keq po zgjat më shumë dhe ka shkatuar më shumë dëme tek liritë e individëve).

    1. AC, vërtet, ndonjëherë të duket sikur kjo shoqëri nuk mund të funksionojë dot, pa pasur frikë nga ndonjë gjë. Sot “The New York Times” lajmëronte për rrezikun e tymit të duhanit të shkallës së tretë, ose për toksinat që mbeten në flokët dhe në rrobet e prindve që tymosin, e që mund t’ua helmojnë fëmijët!

  3. Terrori myslyman eshte nje realitet.
    Hamasi ka leshuar raketa kunder shkollave,rrugeve,objekteve civile ne Izrael.
    Kjo dhune e kesaj organizate sjell terror dhe nuk ka te beje me mediat.Ajo mbeshtetet nga fuqi Islamike si Irani dhe Siria,te cilat kane si qellim shkaterrimin e Izraelit.
    Kjo organizate nuk ka qellim paqen.Mediat amerikane vetem pasqyrojne te verteten.
    Bushi ka thene dje:
    Bush dje ka thene. “Another one-way cease-fire that leads to rocket attacks on Israel is not acceptable. And promises from Hamas will not suffice — there must be monitoring mechanisms in place to help ensure that smuggling of weapons to terrorist groups in Gaza comes to an end.”

  4. Orakull, mendoj se e ke keqkuptuar pak Xhaxhain. Kur Xhaxhai thotë amerika, nuk ka parasysh pupullin e thjeshtë amerikan, por ka parasysh administratën udhëheqëse.

    Ky reagim i kompanisë erdhi si pasojë e marrjes në pyetje nga FBI-ja të pasagjerëve muslimanë si pasojë e frikës paranoiake të pasagjerëve të tjerë si pasoj e propagandës mediatike. Propaganda mediatike mbështet lobe dhe interesa që ecin krah për krah me politikat e shtetit amerkian.

    Ajo që dua të them është që peshku është qelbur nga koka. Nuk është faji i qyetarit të thjeshtë amerikan që aspiron idealet e lartërmendura nga Xhaxhai, por është faji i shtetit amerikan i cili i promovon këto ideale, madje bën dhe luftra për t’i eksportuar ato, por vet nuk i zbaton. Me një fjalë, bëni si them unë e mos bëni si bëj unë.


    Xhaxha, të përgëzoj edhe një herë për drejtësinë dhe paanësinë me të cilat i sheh dhe shkruan gjërat. Uroj që kjo cilësi e lartë intelektuale të shtrihet edhe me gjerë tek intelektualët shqiptarë dhe shiptarët në përgjithësi.

  5. Orakull, nëse izraelianët janë të bindur se Hamaz dhe Hezbollah janë të “kurdisur” nga Irani… përse nuk i bijen edhe Iranit ose atyre iranianëve që i mbështesin? (ashtu siç bëjnë me Libinë dhe palestinezët?
    Bëhet që bëhet luftë… të paktën të shikonim luftë pe vërteti.

  6. Neal xhan,

    nga ç’hije poshteshkallësh je duke pëshpëritur? Shpresoj që të kesh pasur gjithçka tjetër në mëndje, kur këshillon për të mos vazhduar një diskutim mbi rrezikun e predispozimit të opinionit publik gjithnjë e më shumë në mënyrë fashiste; e jo vërtetë dëshirën për të mbyllur një diskutim nga frika.

  7. Filmi “The Siege” i regjizorit Edward Zwick është një përshkrim tejet realist mbi mundësitë e sjelljes së Shtetit në rast kanosje rreziku ose pseudo kanosje. Ndoshta një film hollivudian nuk do të ishte metri më i mirë për të matur këtë argument, por interpretimi i shkëlqyer i Denzel Washington nga një anë dhe Bruce Willis nga ana tjetër, më duket i denjë për koment.

    Filmi është realizuar para vitit 2001 dhe përshkruan përshkallëzimin e frikës dhe sjelljet jo demokratike të SHBA pas sulmit të kullave binjake që atëhere bëri thjesht dëme të kufizuara. Ky filëm futet në llojin e atyre që zakonisht i quajmë fantapolitikë, edhe pse vitet më mbas do na tregojnë se sa actual ka qenë ky prodhim.

    Me pak fjalë morali, ose ajo qe regjizori është përpjekur të kalojë, është se nëse në një demokraci mbizotëron frika dhe terrori mbi çdo gjë “ndryshe”, atëhere ajo demokraci është drejt fundit të saj…

  8. Po,Adem.
    Ky regjizor me kujton,regjizoret gjermane ,te cilet erdhen Amerike gjate luftes dhe ne mbarim te dyte boterore.Vetem me duket se nuk ndan dot “E keqja me e madhe nga cili drejtim vjen”.

  9. GH,

    Nuk eshte frike (sa fjale e shemtuar). Shqetesim, dhe histori.

  10. Sot ishte nje artikull tek The Guardian qe fliste mbi friken qe paska pllakosur Francen per nje tjeter “gjenerate te terrorizmit te majte”, si dikur Action Directe, ose Brigadat e Kuqe. Madje sherbimet sekrete kane edhe informacione mbi organizime dhe takime sekrete te ketyre grupimeve te majta nga e gjithe europa (psh. ne Greqi dolen fjale se ato ishin te organizuara nga grupe te majta ne Itali dhe France).

    Eshte interesante se kur lozet me friken perdoren metoda qe duken ashiqari qe jane per te mashtruar njerzit, sic jane “terheqja e vemendjes”; loja me informacionin (sekrete qe i di vetem sherbimi sekret, sekret per sekret), dhe retorike mbi mungesen e sigurise, per ti dhene njerzve nje ndjenje gadishmerie (alert); cilesimi i armiqve (te majtet dhe terroristet) etj. Keshtu realizohet edhe ndenja e turmes, nga ideja se “frika” eshte ajo qe na bashkon, sikur nga te ftohtit ose nga frika njeriu tkurret, keshtu edhe turma tkurret rreth Cezarit, rreth Shpetimtarit. Keto jane sigurisht rrethana qe pjellin Diktatore, dhe prandaj e pergezoj XhaXhain per te tille artikuj, ne menyre qe edhe sikur e tere bota te jete kthyer ne “Zombi”, e te pakte do te jene ata qe do te luftojne, ne te tjeret te mposhtim ndenjen e frikes, duke pare filma me Zombi 🙂 psh.

  11. Mendimi njerezor sa vjen e komplikohet.Ai nuk gjen karar sa ne nje ane te demokracise e sa ne anen tjeter,te kundershtimit te nivelit te arritur prej saj.Ndoshta kjo perben shtytjen per ecjen perpara.Per te qene realist,gjithmone ka nje deformim te se vertetes se lajmit,ngjarjes.Sa ky deformim eshte i qellimshem dhe sa ai eshte spontan,ne baze te ndryshueshmerise se mendimit njerezor,eshte e veshtire te percaktohet.Por,nuk vihet ne dyshim qe njerezit mund te perpunohen psikologjikisht ne menyre te qellimshme nga grupe te caktuara elitare,te cilat nepermjet kesaj sigurojne nje avantazh ekonomik,politik,racor,kombetar e me gjere.Nese qellimi do te ishte ne thelb “i mire”,ndoshta nuk do te shqetesohesha.Ne kete pike nuk do te isha i sigurte dhe besoj se nuk ka siguri asnjehere.Duke pare vrazhden e rruges se vjeter qe ka lene njerezimi pas,kemi nje vertetim indirekt te ketij fenomeni.Mos te harrojme rastin e trajtimin te kombit Çifut ne Europe ne mijevjecarin e fundit.Ngritje te qellimshme te psikozave kolektive,vrasese e diskrimunuese ndaj ketij populli,te cilat praktizoheshin me turma qe u digjnin shtepite,i vrisnin,i ndiqnin.Per çfare qellimi u ndertuan?Nje pyetje e veshtire per tu pergjigjur.
    Dhe ne si komb,kemi nje ngjashmeri me historine e ketij populli.Si u ndoqen Çamet nga tokat e tyre ne fund te luftes se dyte boterore?Kemi nje tufe tezash te grekeve qe tregojne se si pergatitet dhe perpunohet opinioni.Bashkepunetore me gjermanin,turq,mbetje te popullsise osmane e te tjere.Mjafton qe te gjendet nje “terrorizem” per te justifikuar masakran e madhe te kryer.
    Por gjithmone aftesia jone analizuese llogjike vene ne peshore “elementet”.Sa e demshme eshte “terrorri” i xha xhait, per Ameriken ne raport me luften qe i bejne asaj ‘shoqerite’ e pademokratizuara.Dihet qe Armika ka armiq.Ata jane te shumte per arsye te shumta,ku arsye kryesore eshte diferenca e sistemeve.Dihet po,qe dhe grupe brenda Amerikes e shfrytezojne kete per arsyet e tyre ekonomike predominuese.Eshte nje kontradikte e perhershme,e tmershme,e cila me duket se nuk ka per te patur zgjidhje te plote.Mendoj se populli amerikan duhet ta kuptoje kete dhe duhet te perpiqet qe ta zbuse ate sa me shume ne te ardhemen.Jane amerikanet,ata qe kane te drejte morale qe ta bejne kete.Te drejten morale e kane vetem ata qe jane ne krye te rruges demokratike dhe qe kete kontradikte e kane faktor pengues ne ecjen e tyre drejt rruges se vetme te mudshme te zhvillimit,demokracise universale.
    Ajo qe permend xha xhai,ekziston dhe per mua eshte pjese e “korupsionit” psikologjik,po aq i demshem sa armiku me i madh i sistemit,“korrupsioni ekonomik”.

  12. Në gusht të vitit 2006, në New York, Raed Jarrar nuk u lejua të hipte në një avion të kompanisë ajrore amerikane JetBlue, për shkak të një fanelle që kishte veshur, të zbukuruar me një mbishkrim arabisht. I thanë që para se të lejohej të vazhdonte udhëtimin, duhej ta hiqte fanellën. I thanë gjithashtu që fanella i kishte shqetësuar pasagjerët e tjerë të avionit, meqë të mbash një fanellë t-shirt me shkronja arabe në aeroport, është njëlloj sikurse të shkosh në bankë me një t-shirt ku shkruhet “unë grabit bankat”. Jarrar pranoi ta mbulonte fanellën e vet me një tjetër që ia ofroi JetBlue. Pasi hipi në kabinë, ia ndërruan vendin dhe e detyruan të ulet në pjesën e pasme. Jarrar më pas e hodhi në gjyq kompaninë ajrore dhe dje u shpërblye me një kompensim prej 240,000 dollarësh. Logjikisht, sot e tutje të gjithë amerikanët që udhëtojnë me avion, duhet të provojnë fatin e të veshin fanella të shkruara arabisht (kushton më pak se një biletë lotarie), me shpresë se ndonjë hajvan do t’i zbresë nga avioni, sidomos në këtë periudhë shtrëngese ekonomike. Për dijeni, mbishkrimi në fanellën e Jarrar thoshte: “Nuk lëmë njeri të na e mbyllë gojën.” Lajmin mund ta lexoni këtu:

  13. Kur turmat islamike ne mbare boten islame gezonin per 11 shtatorin, vetvetiu per Ameriken u be e qarte se islami i ka shpallur lufte,pasi kjo eshte lufte mes besimtareve te nje feje dhe nje shteti te cilesuar armik.

    Amerika thjesht e coi luften ne truallin islam,per te ruajtur civilet e saj, nga qindra kamikaze gati per te shperthyer.
    Gjate periudhes Klinton pati disa atentate terroriste ne Amerike apo ne ambasadat amerikane te cilat hapen rrugen per 11 shtatorin.
    Gjate periudhes Bush pas 11 shtatorit, terroristet po vriten ne lufterat e zakonshme nderislamike,sidomos tashme legjendarja sunit-shit dhe se kane prekur me truallin amerikan.
    Izraeli gjate viteve te fundit ka pasur me pak viktima prej kamikazeve e tashme po i jep fund edhe sulmeve me raketa nga Hamasi, fale nje sulmi inteligjent dhe efikas.
    Ne 2 muajt e fundit depot hebraike kane kataloguar me daten e sakte rreth 600 raketa te leshuara nga Hamasi.
    Cdo shtet ka te drejte te mbrohet nga sulmi i nje organizate terroriste qe leshon raketa me qellim te vrase civile e ne rastin e talebaneve per Ameriken dhe Hamasit per Izraelin, kemi edhe te tilla organizata ne pushtet , njera ne Afganistan e tjetra ne Rripin e Gazes.

    Ndryshimi eshte i thjeshte, talebanet dhe hamasi kane per qellim te vrasin civilet amerikane e hebrej, Amerika e Izraeli kane per qellim te vrasin terroristet. Ka civile? Ne cdo lufte vriten me apo pa dashje civilet e pales se dobet, ky eshte fati i tyre. Ne rastin e palestinezeve, mos te kishin votuar Hamasin por Abu Mazenin. Zgjodhen Hamasin… zgjedhje e gabuar!

    Sa per popullin amerikan dhe islamiket e Amerikes, ne mos gaboj indianet qe mbronin tokat e femijet e tyre na jepen ende sot si perbindesha. E kane ne ADN mesa duket e paria amerikane thjesht e pahnxjerr.

  14. Hyllin, po keta nuk eshte se u thane dhe nuk moren vesh. Ka qe ne kohen kur gjoja u vendos paqja, dhe me nderhyrjen e amerikaneve, qe nuk u lodhen me kete argument: nama se s’ma ke. Nuk ka thene kot mbreti i Jordanise “Pazari e ka paren brenda”, po kush e degjoi se. I rane nje here, i rane heren e dyte, boll me, sepse edhe gjithe diten me syte nga qielli nuk rrihet, do njeriu i shkrete edhe qetesi, te flere me gruan, te rrise kalamajte. Malthus mavria, qe i kishte parashkikuar keto qekur, nuk i bente shpirti ta jepte zgjidhjen haptazi: o une, o ti. Cifuti kur shihet ne pasqyre e ka mendjen te zverku dhe ketu fillon gabimi.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin