VON HAGENS NE SHQIPERI

 

Gunther von Hagens, anatomist gjerman, ka bërë bujë që nga vitet 1977 me ekspozimin e trupave te pajetë publikut të gjerë. Ai sot ka ardhur në Shqipëri të flasë jo vetëm mbi ekspozitën e tij të kufomave në Galerinë e Arteve, por edhe mbi zërat që janë dëgjuar së fundmi se në Burrel janë ndërmarrë operacione për transplantime organesh.

Ne e morëm në intervistë këtë personazh kaq interesant dhe ai ka vendosur të na rrëfejë mbi pretendimin e ish-prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare per Krime në Jugosllavi dhe Ruanda, Carla del Ponte-s për makabritete të kryera në tokën shqiptare. Intervista është kryer me porosinë tonë nga gazeta gjermane Das Loch, “Vëra/ose Vrima”, një nga “zërat më zhbirues” në fushën mediatike.

Das Loch: Fillimisht duam t’ju pyesim se cili është motivi juaj që krijoni një art të tillë, dhe pse tani së fundi edhe në Shqipëri?

Profesor Gunther von Hagens: Edhe 20-vjet më parë, kur kam qenë anatomist në Universitetin e Heidelbergut i kam argëtuar studentët e mi me shfaqje të tilla. Por kisha vënë re se gjatë fundjavave kur merrja zjarrfikës dhe infermiere për t’u treguar trupa, kufoma ose ngordhësira, shihja se kishin shumë mungesa në njohuri. Në këtë kohë mbase njerzit janë ca më të ditur, pasi ata bombardohen me lloj-lloj figurash nga mediat, siç janë filmime të zemrës, operacione plastike etj. Unë jam këtu për të revolucionuar këtë perspektivë. Ndërsa përsa i përket Shqipërisë, kisha vënë re nga një kufomë e dhuruar shqiptare se ishin qënie shumë kureshtare, në stomakun e kësaj kufome kishte psh. lloj-lloj sendesh, fletë librash, trakte, shkumësa, gozhda, gjilpëra, lesh trupi, e madje edhe komponente kimike radioaktive, nga të tjera kohëra.

Das Loch: Por përse ju duhet patjetër të shfaqni kufoma te copëtuara? Mos doni vallë të shokoni? Mendoni se ne Shqiptarët mund të shokohemi? Sidomos mbas asaj që kemi hequr e kemi parë?

Professor Gunther von Hagens: Kur sheh reagimet e njerzve, asnjë nuk duket i shokuar ose i tronditur. Sidomos shqiptarët, që siç u shprehët edhe ju “nuk mund të shokohen lehtë”, mbase e kushtëzuar kjo nga fakti se jetojnë sipas “Kanunit të Lekë Dukagjinit” – mbase duken paksa të habitur, por kjo i bën të mendojnë ndryshe për trupin e tyre. Shqiptarët p.sh. e shohin trupin e tyre si një instrument, një trap ose barkë që i çon deri në bregun tjetër, por jo si grackë, është një mendim që tregon se e kanë lirinë në gjak, kërkojnë gjithmonë të dalin nga trupi i tyre, nga historia e tyre. Mjaft të shihni si e vlerësojnë p.sh. mauzoleun e Skënderbeut në Lezhë, asnjë nuk shkon atje, duket i rrënuar, por bustin në qendër e duan te gjithë, askush nuk guxon ta prekë, edhe pse të tjera buste kanë ikur e ardhur. Pra jo trupi, jo njeriu, porse jotrupi, busti, guri, e pajeta është e dashur për shqiptarin. Unë dua ta ndryshoj këtë gjë, dhe ky është qëllimi im dhe iniciativa e Bashkisë së Tiranës. Ne duhet të kthejmë përsëri traditën shqiptare të adhurimit të trupit njerëzor, të mishit, se njerzit e mëparshëm nuk u kanë kënduar busteve, objekteve jo të gjalla, porse jetës, dashurisë, “bejkës së bardhë”, “trendafilit” etj.. Kënga duhet t’i kthehet pësëri natyrës.

Das Loch: Keni thënë në një nga intervistat tuaja, se puna juaj nuk është art. Por në Shqipëri puna juaj është reklamuar si art. Madje pak e dinin se në ekspozitë kishin të bënin me kufoma të vërteta njerzish, dhe jo me kukulla gipsi. A mund të cilësohet atëherë ekspozita juaj si Muze dhe aspak si Ekspozitë Arti?

Profesor Gunther von Hagens: Kjo nuk është galeri arti, por sidoqoftë balsamimi është zanat i hershëm, i cili daton që nga egjyptianët e lashtë. Kjo teknikë ka qënë përdorur për të krijuar art, kujtime e mite, dhe tani përdoret për tjeter gjë, si për të studjuar anatominë për shembull. Ekspozita mbahet në Galerinë e Arteve për çështje hapësire. Duhej ekspozuar në ndonjë muzeum, por organizatorët kështu e panë të udhës dhe Bashkia këmbënguli për këtë gjë, mbase në mënyrë që të mos ngatërrojë njerëzinë dhe rrafshet e historisë me atë të miteve që strehon në ato kasaforta të sendeve të vdekura. Sidoqoftë siç edhe jeni vënë në dijeni, ishte e pamundur t’i bindje njerzit se kishin të bënin me kufoma, me njerëz të dikurshëm e të pashpirt. Të gjithë mendonin se ishin figura porcelani ose dylli. Vlen të thuhet se na kanë humbur edhe organet femërore të shfaqura veças dhe së bashku me trupin, mbase do të ishte më saktë të themi se janë përvetësuar, ose nga vizitorët, ose nga punëtorët. Por ai që i kishte prerë duhet të ketë qenë mjeshtër i vertetë, i mbrujtur me dashurinë për artin dhe trupin njerëzor. Nuk e dimë motivin e këtij përvetësimi, por mund të spekulojmë se ka qenë thjesht për prudencë seksuale, çka do të ishte afërmendsh në këtë rajon. Por përfitoj nga rasti t’i bëj një ofertë për punë, kushdo qoftë ai person.

Das Loch: Mund të na thoni diçka mbi kufomat në Burrel dhe gjetkë, të cilave Carla del Ponte pretendon se u janë marrë organe për transplatim?

Profesor Gunther von Hagens: çfarë t’ju them? (qesh me ironi). Ju e morët vesh që më kanë vjedhur organe edhe mua, të njerëzve të vdekur, e jo më të gjallëve. Dmth. në parim mund ta besojmë, porse a është e vertetë? Nuk e di me siguri, ne nuk mund të dallojmë p.sh. nëse kjo kufomë vjen nga Burreli, ndërsa tjetra nga Nishi ose Beogradi. Megjithëse kam dëgjuar se një studiues shqiptar ka gjetur gjenin shqiptar. Ju pyes, a është e vertetë?

Das Loch: Po. Por pyetja jone ishte se a keni prova per një pretendim të tillë? Sidomos kur mendohet se shumë nga ato kufoma mund të jenë ekspozuar edhe këtu në eskpozitën tuaj.

Profesor Gunther von Hagens: Jo, nuk kam asnjë dijeni, por meqë ju kërkoni me kaq ngulm të provoni pafajësinë, duhet të keni diçka nën kësulë. Unë ju thashë se s’është e mundur të dalloj kufomat dhe organet e tyre se nga vinë, është e pamundur t’u përcaktohet prejardhja. Por ky problem është si puna e atij që vodhi një copë spango në një tregim të G. de Maupassant. Nëse ju kërkoni me këmbëngulje të provoni diçka të kundërt, ndodh e kundërta. Kjo është jeta. Shihni këto kufomat e mia! Dikur “askushër”, sot “dikushër”, i sheh e gjithë bota, gollomesh, më keq… të zhveshur nga çdo mish dhe ndjenja si turpi etj. Ne mundohemi gjatë gjithë jetës të lëmë gjurmë të mira, të provojmë pavdekshmërinë tonë, porse ajo që lëmë në këtë botë është vetëm përkujtimi se vdekja do t’u vijë të gjithëve.

Das Loch: Dhe pyetja jonë e fundit, ajo që na mundon më shumë: Kush do t’ju pasojë nëse do të dëshironit që nje ditë edhe ju të shfaqeni i balsamosur në një nga këto lloj ekspozitash?

Profesor Gunther von Hagens: Une e di që kolegë të mi shqiptarë, kasapë nga Burreli dhe zonat përreth do t’a merrnin me dëshirë stafetën time, dhe do të shpenzonin me kënaqësi nja 1500 orë të mira për të më shndërruar në një objekt të çmuar. Balsamimi më është një lloj ngushëllimi kur mendoj se do të rroj akoma, mbase ndryshe, në një tjetër formë, edhe ca vite të tjera mbi tokë pas vdekjes.

Das Loch: Professor Gunther, ju falenderojmë për intervistën tuaj dhe ju urojmë gëzuar Vitin e Ri!

Profesor Gunther von Hagens: Edhe unë ju falenderoj ju dhe lexuesit tuaj. Gëzuar Vitin e Ri!

[satirë]

2 Komente

  1. Ngritja e te rëse bëhet gjithmonë mbi kufomat.Kujtojmë vetëm ngritjen e kryqit i cili zëvëndësoj ‘shumëzotat”,ose të gjysëmhënës që zëvëndësoj po teperzotat.Në tesatamentin antik,Zoti detyron prishjen e altareve të “paganëve” dhe vrasjen e tyre deri në njeriun e fundit.
    Kjo rrugë përshkuese nga një fillim tolerant e shprehdhënës të lirisë,kur është pakice pranuese e “zoto-sistemit”,në një vazhdim kufomash kur bëhet shumicë vendosëshe-sistem,është kaluar pa u vënë re nga fe dhe nga sisteme ekonomiko-politike.Kemi,në këtë shkallë ngjitëse njerëzore,përherë disa “paganë” shumice dhe disa “sjellës të së resë” pakicë.Pakica kur bëhet shumicë,kthen në kufoma ish shumicën.Kjo është ekspozita e “kufomave” te historisë,ku nuk kemi dekompozim fizik nga mikrobet,por kufoizëm nga të “rinjtë” kufizues.E ‘reja’ e të rinjve akoma nuk dihet nëse është një organ i ri,apo një organ i transplatuar nga “kufoma” që iku.Nuk dihet gjithashtu akoma kufiri ndares ne hapesire e ne kohe midis kasapeve me ishkasapet.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: