ÇANAKU AMERIKAN

Nuk di të ketë pasur shqiptarë që të kenë humbur paratë në piramidën financiare të ndërtuar prej mashtruesit Madoff; por jam i sigurt që të gjithëve, tek kemi dëgjuar për këtë katastrofë të re në Wall Street, na ka shkuar mendja te skemat tona piramidale të viteve 1990, të cilat dogjën rreth 2/3 e prodhimit kombëtar bruto të Shqipërisë.

Rrjedhojat financiare dhe sidomos sociale të këtij mashtrimi, sikurse edhe shkaqet dhe rrethanat që e mundësuan, janë diskutuar gjërë e gjatë në shtypin perëndimor; ndërsa paralelet me Shqipërinë janë cekur, ndër të tjera, në dy tema të hapura te Peshku pa Ujë, nga të cilat një shkrim origjinal i Xixës, dhe një shkrim tjetër i përshtatur nga gjermanishtja.

Paralelet midis Wall Street-it dhe Shqipërisë i heq edhe një koment i sotëm në Bloomberg.com, nga Celestine Bohlen, e cila përfshin në ekuacion edhe Rusinë. Shkruan autorja:

Me sa duket, që të biesh viktimë e një skeme piramidale ose Ponzi nuk është e thënë të jesh i varfër, i paditur ose i izoluar; mjafton t’i besosh kujt të premton se do të t’i dyfishojë paratë.

Përndryshe, vëren Bohlen, suksesi i mashtrimeve financiare në Shqipëri është shpjeguar, zakonisht me familiaritetin e paktë të investuesve me tregjet financiare dhe mangësitë e sistemit financiar formal të atij vendi – për ta thënë me Christopher Jarvis, që në atë kohë punonte si ekonomist i lartë pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ky shpjegim – gjithnjë didaktik dhe vetë-konfirmues për kultistët e parasë, mund të vlejë edhe për Rusinë, por jo për tregun amerikan të financës, që është më i sofistikuari në botë dhe ku veprojnë mendjet më të ndritura të planetit.

Po çfarë ka të përbashkët midis Wall Street-it, Rusisë dhe Shqipërisë? Vallë mund të mendohen pika më të skajme mes tyre, në gjeometrinë financiare globale?

Kur u bë e ditur që merimanga Madoff kishte arritur të tërhiqte në rrjetën e vet investues të fuqishëm e të mirinformuar, që përndryshe zor se ua hante dot qeni shkopin, u tha se një pjesë e mirë e këtyre investuesve e dinin që kishte diçka të paligjshme në funksionimin e Bernard L. Madoff Securities LLC, por kjo nuk ua mbante dorën. Mes këtyre investuesve kishte fondacione dhe shoqëri bamirësie, universitete nga më të mëdhatë dhe figura të njohura të jetës publike amerikane. Shumë prej tyre kujtonin se Madoff i siguronte fitimet falë informacionit “të brendshëm” që merrte në Wall Street – çka përbën përsëri krim për ligjin amerikan.

Këta investues nuk ishin as të paditur, as miopë, as naivë; grykësia për t’u pasuruar në mënyrë parazitare i bëri edhe të paditur, edhe miopë, edhe naivë. Meqë kapitalizmi vetvetiu ushqehet nga ky lloj egoizmi prej këpushe, atëherë disa komentatorë të mbetur gojëhapur nga suksesi i Madoff kanë arritur në përfundimin se brenda sistemit ekonomik kapitalist skemat piramidale nuk mund të shmangen.

Nobelisti i këtij viti për ekonomi, Paul Krugman, në një ese me titull “The Madoff Economy” botuar së fundi në The New York Times, përsiat idenë guximtare se ndoshta krejt industria e shërbimeve financiare nuk është veçse, në thelb, skemë piramidale.

Sipas Krugman-it, arsyeja e kësaj marrëzie ka të bëjë me një prirje, së cilës nuk i shpëtojnë as elitat, për t’i shndërruar në idhuj të gjithë ata njerëz që fitojnë shumë pará, e për të kujtuar se këta e dinë se çfarë po bëjnë.

Megjithatë, e pavarësisht nga shpjegimet e Krugman-it, mua më duket se ende mbetet për t’u shpjeguar pse Shqipëria, Rusia dhe Amerika kanë përfunduar në të njëjtin klub – të makutëve humbës. Çfarë kanë të përbashkët këto tre kultura, që përgjithësisht ndryshojnë thellësisht mes tyre?

Vitet 1990, ishin vite të tranzicionit kapitalist për vendet ish-socialiste të Lindjes; por askund nuk u zbatuan parimet e ekonomisë së tregut më egërsisht se në Rusi dhe në Shqipëri. Dukuria Putin në Rusinë e sotme ka të bëjë drejtpëdrejt me reaksionin ndaj plaçkitjes që iu bë Rusisë së epokës Jelcin nga batakçinjtë e të gjitha ngjyrave, në emër të privatizimit, tregut të lirë dhe globalizimit; dhe nën bekimin e misionarëve të kapitalizmit post-modern e të pehlivanizmit. 

Diçka e ngjashme ndodhi edhe në Shqipëri – ku elitat politike u treguan të gatshme për ta zëvendësuar bindjen prej skllevërish në doktrinën enveriste me një tjetër bindje të verbër, këtë herë në “ekonominë e tregut”. Në të vërtetë, asnjë vend tjetër i Lindjes europiane, me përjashtim të Rusisë, nuk e pati aq traumatik dhe shkatërrues sa Shqipëria tranzicionin ekonomik.

Si në Rusinë e Jelcin-it, ashtu edhe në Shqipërinë neoliberiste të Berishës president dhe në Amerikën e tanishme të Madoff-it, besimi se tregu mund të shërbejë si rregullator i gjithçkaje tjetër, ose që transaksioni ekonomik mund të përdoret si model etik universal, u la i pakompensuar nga ndonjë mekanizëm rregullator shtetëror me fuqi dhe kompetenca për të ndërhyrë në çmendinën e shkëmbimeve financiare të dala jashtë kontrolli.

Investuesit shqiptarë doemos patën faj, që ua besuan paratë e tyre personazheve groteske, dalë nga filmat e Kusturicës, në mos të Fellini-t; por edhe vetë modeli ekonomik që iu imponua Shqipërisë dhe Rusisë nga padronët e rinj perëndimorë kish qenë i kalbur së brendshmi. Këtë e provon edhe konstatimi i trishtuar se vetëm tetë vjet iu deshën presidencës Bush dhe priftërinjve të tij neoliberistë për ta lënë ekonominë amerikane dhe globale në mëshirë të plaçkitësve. 

 

6 Komente

  1. mendoj se ne Amerike kishte me teper vetedije se rreziku nga investimet ishte i madh: por ndoshta edhe deshira per te spekuluar pretendon te kete me teper mbrojtje e garanci kur arrin ne nje nivel shume te larte. Nje detaj i rrezikshem eshte vete pranimi i shpjegimit (te drejte) si dukuri piramidale,etj, pa nenvizuar sa duhet se ka mekanizma qe duhet te punojne per te parandaluar edhe shfaqjen me te vogel te paligjshmerise ne disa fusha ne disa nivele. ndoshta kush thithte investimet kishte kaq garanci nga vete sistemi aq sa arriti deri ne kete pike: pra, ose pranojme se sistemi eshte i kalbur, ose se ai vete i pranon keto dukuri; dhe ketu flasim gjithmone ne nje kuader te pergjithshem ku kontrolli ekziston; kurse ne Shqiperi e gjithe rremuja nga ana thelbesore shpjegohet me lehte (u katandis gjithçka ne skeme piramidale ne fund, ne fillim ishte pune tjeter); nga ana teknike s’do merret vesh kurre asgje e qarte me shifrat: s’pati dhe s’mund te kishte asnje te dhene te qarte (nga do te mesoheshin shifrat? nga çfare institucionesh?).
    pershendetje, Nipi

  2. Tashmë vetë Bushi po merr masa të tilla rregullatore që tregojnë se “dora e padukshme” e ekonomisë “së lirë” të tregut s’është tjetër veç një vegim.
    Shtetëzimet masive të industrisë bankare dhe financiare vërtetojnë se e ashtuquajtura nisma e lirë dhe individi me shpirtin e ndërmarrjes ngecin në batak po qe se nuk ndihen nga shteti.
    Ironia ështê se pikërisht gjatë vjeshtës 2008 kur Amerika po ndërmerrte fushatën e pashembullt të shtetêzimeve -e quajtur me eufemizëm si “injektim kapitali” – Ruli dhe Berisha po mburreshin se privatizuan ndërmarrjet e fundit strategjike që kishin kapital shtetëror, si Alb-Petrolin dhe INSIG-un…
    Sa për bankat e kompaninë AMC e AlbTelekom, ato i kishte privatizuar me kohë Nanua me Metën.
    Se ku të shpie privatizimi vandal i bankave vendase, mjafton të shikosh se ç’ndodhi e ç’po ndodh në Islandë…
    Tri bankat më të mëdha islandeze u privatizuan me pompë në fillim të viteve 2000. Kur Banka Qendrore Islandeze deklaroi në tetor 2008 se do të garantonte vetëm depozitat vendase dhe jo ato të degëve të tyre jashtë, Kryeministri britanik urdhëroi sekuestrimin e bankave islandeze në Britani duke vënë në përdorim ligjet e terrorizmit…
    Shikoni këtë foto për të parë reagimin islandez.
    http://online.wsj.com/article/SB122937618809908147.html
    Ka shumë pak tê ngjarë që nëse Karamanlisi vendos të garantojë vetëm depozitat në Greqi, Berisha të veprojë si Gordon Brauni ndaj bankave greke në vend…

  3. Kuptohet qe ne jemi pjese natyres e cila ka ciklin lindje-zhvillim-shkaterim-rilindje.Kur shikon fotot sesi dy galaktika perplasen dhunshem,ngelesh gojehapur.Nga se ndodh?Si eshte e mundur?
    Makuteria gravitative e materies dhe frenat e forces ndaluese nuk ballancohen asnjehere.Frenit shtet i vjen nje moment konsumimi,harrese,mungese vemendje dhe….Dhe atehere makuteria terheq ne mes vorbulles se saj gjithcka.Makuterit mund te jene me gjethe perpara,ose me versacen e fundit.Ata nuk jane vetem ne nje krah.Ata jane ne te gjitha anet,krahet,polet.Dallim ata nuk kane kur perdorin arat e kokosit apo flamurin e bosit.Dallim ata nuk kane kur marrin apo japin…Luajne te gjithe nje valle.
    Frika ime qendron ne ate qe ne nje dite ne nuk do kemi mundesine te veme as edhe gjethen perpara.Ç’ekulibrat finaciare,shoqerore,paqerore po marrin pozicionin regull ciklik dhe kam frike ne kontrollin e shtetit te forces se gravitetit mbi te cilen mbeshtetet vete sistemi.

  4. Natyra e njerëzimit është ciklike, orakull. Periudha lufte, rilindjeje e paqeje do të ketë gjithmonë në rrugën tonë drejt transhendencës. Mendo vetëm ata miliarda shpirtra afrikanë që u shuhet zëri në përjetësi. Cikli vazhdon, nuk mund të ndërpritet, ai mund vetëm të ndalet një herë e përgjithmonë.

    “Begatia Amerikane” nuk është veçse propagandë e komunikuar mirë, dhe e besuar gjerësisht. Demokracia, si thoshte edhe E. Kant, nuk ekziston në formën e saj të mirëfilltë dhe as në kuptimin që i japim kësaj fjale. Po u la e lirë, demokracia e vret popullin e saj.

  5. Ne kornizojme gjithmone dicka ose dike.Kur ‘shteti” qe eshte simboli i bashkimit te grupit nuk permban me qellimin per te cilin ai eshte krijuar,atij i humbet funksioni dhe kthehet ne antigrup.Ky moment delikat eshte i veshtire te percaktohet ne kohendodhje,por dihet me siguri qe ky moment vjen gjithmone.
    le te vemi te thelbi i temes.A eshte e mundur qe ky shtete te kontrolloje kete dore ‘magjike”.Qe ta kontrolloje ai se pari duhet ta njohi shume mire ate.A mund t’a njohe?
    Supozojme se po.Atehere ajo s’do te quhej me “dore magjike” ,por trajektore shumefaktoreshe e njohur,njesoj si rotullimi i tokes reth diellit.Ne so da kishim me probelem sepse thjesht do te parashikonim cdo pike te trajektores ne te ardhshem,ose realizimin e pritshem.Me ne sdo kishim problem dhe natyrisht nuk do te diskutohej as ketu dhe as ne shtypin e specializuar te kohes e me gjere.
    Ky supozim i imi eshte pa baze shkencore dhe llogjike.Kjo dore magjike,persa di une sot me nivelin e shkences ne pergjithesi dhe asaj ekonomike ne vecanti,nuk mund ta njohim.Ajo eshte magjike sepse nuk varet nga ne,eshte sic thuhet ndryshe nje faktor objektiv.
    Nderhyrja e shtetit mbi te (mos ngateroni me funksionet e njohura te shtetit) do te ishte i deshtuar qe ne fillim perderisa veprimi i ardhshem i saj nuk mund te percaktohet.Pervec deshtimit ai si perfundim do te kishte kthim ne ate qe iku,Socilaizem.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: