SHQIPJA E DRUNJTE (I)

 

Ka kohë që mendoj të nis një bisedë ose dialog, këtu në blog, për shqipen e shkruar – ku të diskutoj me ju për mangësitë dhe shtrembërimet në përdorim, të cilat po ia zënë frymën më shumë sesa fjalët e huaja të panevojshme, ose gabimet drejtshkrimore dhe gramatikore.

Si ta shkruajmë shqipen mirë? Përtej nevojës për të zbatuar rregullat që i gjen në gramatika dhe në fjalorë e manuale të drejtshkrimit, kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh lehtë, aq më pak të imponosh receta atje ku zgjedhjet përcaktohen më shumë nga shija, ndjenja e masës dhe e drejtpeshimit dhe nevoja për t’u shprehur qartë dhe saktë.

Për fat të keq, puna me gjuhën e shkruar në nivelin e komunikimit publik nyjëtohet vetëm në dy nivele: në një nivel të parë i cili praktikisht organizohet rreth rregullave gjuhësore elementare; dhe në një nivel të dytë, patriotiko-etik, ku predikohet lufta kundër fjalëve të huaja dhe nxitet përdorimi i fjalëve të rralla, popullore ose etnografike.

Biseda që kam unë ndërmend të nis këtu, kërkon të nyjëtohet në një nivel të tretë, i cili të përqendrohet në rrugët për ta përmirësuar ligjërimin e shkruar shqip. Këtë bisedë dua ta mbështet në përpjekjet e mia praktike, për të përmirësuar shqipen e shkrimeve të mia e për t’ia luftuar simptomat drunjëzimit të gjuhës, të cilat nuk mjafton t’i njohësh për t’i mbajtur larg.

Megjithatë nuk do të doja, në asnjë mënyrë, që kjo rubrikë të vijë e t’u ngjajë kolonave me këshilla sa praktike aq edhe pedante, të cilat vjetërohen që pa u lexuar akoma; kam në mendje më tepër një përpjekje për t’i bërë të dukshme ato mangësi të ligjërimit shqip të shkruar që, përndryshe, mbeten të padukshme.

Shtypi i shkruar më jep shembuj të shumtë, sikurse edhe vetë shkrimet e mia. Shpesh përmirësimi i nivelit të shprehjes varet nga koha në dispozicion; sepse vetëm një lexim i tretë ose i katërt i tekstit që ke shkruar të lejon të dallosh ato pjesë ku tekstin ta ka shkruar gjuha e të tjerëve, ose masa anonime e klisheve, veseve, tikeve dhe manierizmave që parazitojnë në ligjërim.

+          +          +

Po e ilustroj konceptin tim me një shembull çfarëdo, duke u nisur nga një situatë e zakonshme. Luftari, një mik imi, u tregua i gatshëm të më ndihmonte për një hall që kisha, çka më bëri shumë përshtypje.

Këtë “histori” mund ta rrëfej me një fjali të vetme, duke u shprehur pak a shumë kështu:

Më bëri përshtypje të madhe që Luftari u tregua i gatshëm të më ndihmonte.

ose

Luftari u tregua i gatshëm të më ndihmonte, çka më bëri përshtypje të madhe.

Këto dy thënie dallojnë mes tyre nga këndvështrimi që kemi zgjedhur, ose nga çfarë duam të nxjerrim në plan të parë gjatë komunikimit. Gjithashtu, mund të zgjedhim midis ndërtimeve të tilla si i gatshëm të më ndihmonte dhe i gatshëm për të më ndihmuar – njëri me lidhore, tjetri me paskajore – por gjithsesi të barasvlershme; nga ana tjetër, dallimi midis më bëri shumë përshtypje dhe më bëri përshtypje të madhe lidhet më tepër me shkallën e formalitetit të shprehjes, meqë shumë përshtypje i përket ligjërimit të folur.

Diskutimi ynë nis në momentin që fjalia e mësipërme përfundon e shndërruar në:

Gatishmëria e Luftarit për të më ndihmuar më bëri përshtypje të madhe.

Këtu menjëherë e ndiejmë se diçka ka ndodhur – dhe se ligjërimi ka kapërcyer kufirin midis natyrshmërisë dhe formalitetit; meqë shqipja tani na paraqitet e veshur me këmishë dhe kravatë, sado të lira dhe të shëmtuara. Në bazë të këtij riorganizimi në stil qëndron shndërrimi i mbiemrit i gatshëm në një emër abstrakt cilësie: gatishmëria. Ky shndërrim quhet emërzim, dhe luan rol të madh në drunjëzimin e ligjërimit të shkruar, dhe jo vetëm në shqipen. Analiza e emërzimit si dukuri gramatikore i tejkalon caqet e këtij diskutimi, prandaj po mjaftohem të them se emërzimi e ndihmon ligjëruesin për t’i trajtuar dukuritë abstrakte si të ishin objekte konkrete.

Një shndërrim tjetër e zhvendos fokusin e thënies nga reagimi shpirtëror i folësit, te virtyti që ka treguar Luftari:

Çka më bëri përshtypje të madhe te Luftari ishte gatishmëria e tij për të më ndihmuar.

Kjo thënie, tipike për nga struktura, trupëzon një version disi të pjerrët të fjalisë nistore:

Më bëri përshtypje të madhe që Luftari u tregua i gatshëm për të më ndihmuar.

Si përftesë, kjo me çka (ose me çfarë) përkon me të përgjigjurit një pyetjeje duke e përsëritur:

PYETJE: Çfarë të bëri përshtypje te Luftari?

PËRGJIGJE: Çfarë më bëri përshtypje te Luftari? Gatishmëria e tij për të më ndihmuar.

Mirëpo përftesa e të përgjigjurit duke e përsëritur pyetjen shpesh funksionon si taktikë për të fituar kohë në ligjërim dhe për ta organizuar më mirë mendimin. Që këtej mund të nxjerrim përfundimin – shumë tentativ – se disa përftesa të drunjëzimit të ligjërimit vetëm maskojnë pështjellimin mendor të ligjëruesit.

Këtë mund ta shohim edhe te një shembull i nxjerrë drejtpërdrejt nga shtypi:

Një pyetje tjetër është nëse do të vijë një kohë (dhe nëse po, kur?) që shoqëria njerëzore do të jetë tërësisht e globalizuar? Apo, a do të jemi ne, si shoqëri humane, gjithnjë duke u globalizuar? Me fjalë të tjera, a ka ky proces një limit, apo cila është e ardhmja e globalizimit? Vetë shtrimi i këtyre pyetjeve flet për atë se sa e vështirë është të përkufizojmë se ç’është në të vërtetë globalizmi.

Këtu nuk dua të merrem me pyetjet në pjesën e parë të thënies, të cilat duhen analizuar veçmas, por vetëm me fjalinë e fundit:

Vetë shtrimi i këtyre pyetjeve flet për atë se sa e vështirë është të përkufizojmë se ç’është në të vërtetë globalizmi.

Ka diçka që nuk shkon në këtë fjali, një pengim të shprehjes dhe të mendimit, të përzier me një tog frazash të gatshme dhe klishesh, të cilat bëjnë që krejt thënia të vijë e t’i ngjajë një grope me rërë thithëse.

Fjalia mund të thjeshtohet dhe të rishkruhet kështu:

Këto pyetje tregojnë sa e vështirë është të përkufizohet ç’është globalizmi.

Në fakt, kur thua pyetje e nënkupton që pyetja është shtruar, prandaj togu shtrimi i pyetjeve tingëllon i rëndë dhe krejt artificial; flet për atë se mund të krasitet pa frikë, meqë nuk i sjell asgjë fjalisë përveç një farë vonese të shkaktuar nga përtacia në mendim; të përkufizosh se ç’është globalizmi do të thotë të përkufizosh se ç’është në të vërtetë globalizmi – meqë askush nuk niset të japë një përkufizim të gënjeshtërt, ose të paktën askush nuk e deklaron, prandaj shprehja në të vërtetë, në të vërtetë fton për krasitje.

Kushdo që ulet të shkruajë për publikun, ka për qëllim të përcjellë një ide, ose një efekt të caktuar, në mënyrën sa më të frytshme të mundshme. Meqë drunjëzimi kurrsesi nuk numërohet dot mes përftesave që ia shtojnë rendimentin ligjërimit, atëherë kemi të drejtë të marrim në vështrim shkaqe dytësore: pasiguria në të shprehur, trysnia e klisheve, pështjellimi i mendimit, zbrazëtia e mendimit, dëshira për të mbajtur diçka të fshehur, dëshira për t’i lënë mbresa publikut, dëshira për ta detyruar publikun të përqendrohet tek ty, jo te çfarë po thua.

Gjithsesi, në këtë rubrikë drunjëzimin do ta trajtoj gjithnjë si një farë neuroze të ligjërimit, e cila ka nevojë të mjekohet duke ia përshkruar trajtat.

+          +          +

Për të mos krijuar keqkuptime, shembujt e nxjerrë nga shtypi dua t’i lë të pareferuar; nëse ndokush vërtet dëshiron t’ia identifikojë burimin një shembulli të caktuar, mund të ma kërkojë privatisht.

Këtë e bëj sepse dua ta shmang me çdo kusht rolin antipatik të dhaskalit me stilolaps të kuq në dorë, që u ndreq gabimet të tjerëve duke ua gjakosur tekstet pa mëshirë.

E thashë edhe më lart që unë vetë i pari bie viktimë e drunjëzimit kur shkruaj, në blog dhe gjetiu; dhe ndoshta vetëm vendosmëria për ta luftuar këtë sëmundje ndoshta më jep një farë përparësie ndaj shkruesit anonim në mediat e shkruara shqipe.

Prandaj them se është më mirë të merremi me fajin, jo me fajtorët.

(vijon)

14 Komente

  1. Mendoj se eshte pasoje e leximit ne gjuhe te huaj. Kete gje e ve re edhe tek vetja e biles me krituan para do kohesh, se kam harruar format e shkurtra te shqipes ne te folur.

    Evolucioni akademik i gjuhes, si na e tregon edhe greqishtja e vjeter apo latinishtja, jep pikerisht kete ndikim. Tentohet fjalia me pak fjale te gjata, ku pesha e foljes bie shume si dhe nyjet e cfaredo lloji , vleresohen te teperta.
    Populli as qe mund te mendoje ta perdore nje gjuhe te tille. Pra duket si nje perpjekje per te folur ndryshe nga populli.

    Une besoj se ne antikitet ka pasur 2 evolucione paralele, evolucioni i gjuhes se popullit analfabet dhe evolucioni i gjuhes akademike. Sot vihet re me pak per shkak te alfabetizimit masiv.
    Evolucioni i gjuhes akademike pervec drunjezimit qe permend, shprehet edhe ne huazime pamase.
    Keto 2 faktore(po edhe ndonje tjeter) ngadale e cnatyralizojne gjuhen, derisa kjo kthehet ne nje format te pakuptueshem per masat, nje ‘gjuhe elitare’ le te themi. Kjo ben te mundur qe menjehere te shquhet ‘injoranti’, pra seleksionimi behet shume i thjeshte.

    Ne formimin e fjalise shqipja eshte mjaft elastike ne krahasim me gjuhe te tjera, te pakten italishten e anglishten e ky elasticitet besoj se i detyrohet (pervec gramatikes mjaft te pasur, rasa , kohe e menyra foljesh) edhe nivelit te ulet te akademizit te saj.

    Drunjezimi eshte proces i pakthyeshem e me kujtohet Kadareja qe ‘akuzon’ vete shkrimin si vrases i heshtur dhe paradoksalisht, vrases i deshirueshem i nje gjuhe.
    Si mund te arrijne disa germa te shfaqin teresine e ndjesive qe percon e folura ?
    Besoj nga kjo vjen edhe perpjekja e Kadarese per formimin e fjaleve te reja duke u nisur nga njefare logjike popullore e jo thjesht perkthim i fjaleve te huaja si bente psh Naimi apo shpeshhere neologjistet e koheve te sotme.

  2. Unë e kam shumë problem këtë. Faleminderit për këto artikujt e gjuhës. Ka një problem ama. Duke e përpunuar fjalinë mund të humbasësh atë që donte të theksonte fillimisht autori. Një shkrimtar i mirë mund të kumtojë informacionin në tërësi në një gjuhë të pastër, por nëse dikush tenton të pastrojë gjuhën do ta bëjë duke hequr një pjesë të informacionit.

    P.sh:
    “Luftari u tregua i gatshëm të më ndihmonte, çka më bëri përshtypje të madhe.”
    Nënvizon Luftarin si më të rëndësishmin në fjali, ndërsa:
    “Gatishmëria e Luftarit për të më ndihmuar më bëri përshtypje të madhe.”
    nënvizon gatishmërinë. Në një rast mund të ketë rëndësi që gatishmëria erdhi nga Luftari dhe nga dikush tjetër s’do të bënte edhe aq përshtypje. Në një rast tjetër mund të ketë rëndësi që kishte gatishmëri dhe kjo të bëri përshtypje të madhe, jo fakti që erdhi nga Luftari.

    Ndoshta s’ka shumë rëndësi, por fjalitë s’janë identike në kuptim.

  3. Po “ngueshellohem” ne nje fare menyre, sepse vazhdimisht kam menduar se ne Shqiperi, pervec mbingarkimeve te shkrimeve me fjale te huaja, probleme te natyres logjike nuk mund te gjesh ne tekste.

    Vazhdimisht kam nje llahtari, nje emfaze dhe nje pakenaqesi ne raport me shkrimin tim. Gjithmone kam nje droje ne menyren e artikulimit dhe nganjehere me duket se nuk mund te arrije perfundimisht te kem sigurine e duhur per te thene: po kjo fjali ia vlen.

    Pervec ketyre te metave, gjithnje me ka shqetesuar edhe nje problem tjeter, te cilin e kam pranuar si sfide ne shkrimet e mia. Menjanimin e disa fjaleve qe iu vjen era ideologji, qe iu vjen era skematizim.

    Po permendi disa fjale: Sakrifice, vigjilente, deshmor, popull, komisar, koperative, traktor, ballelarte….

    Se kam idene pse me ngjallin kaq shume neveri, mbase mund te jene edhe te bukura.

    Une besoj se krijimi i nje fjalie, pavaresisht se per cfare shkruajme, kerkon nje tonalitet te brendshem qe rreptesisht duhet te bashkohet me mprehtesine logjike. ” “Gervishtjet” ne fjali lehtesisht mbeten te verejtshme, por korrigjimi i tyre besoj se kerkon teper durim dhe perqendrim. Fundja shkrimi pervec tjerash eshte perqendrim, perhumbje ne logjiken e gjuhes, ne ate “matematike” fonetike dhe sintaksore qe buron nga lenda qe trajtojme, apo nga zbardhja e te pathenave qe jane te pergjumura brenda nesh.

    Te vesh cdo fjale ne vendin e duhur, kjo me duket pune mbinjerezore, beteje me gjuhen, me qenien tone, me gjithe ato fushepamje brenda nesh qe kerkojne te afirmohen ne diskursin tone.

    Une vazhdimisht po e humb kete beteje!

    “Provoni dhe vendosni te gjitha fjalet ne vendin e duhur, do te keni varreza ligjerimi”.

  4. AC, shqipja si gjuhë i rendit fjalët pak a shumë lirisht në fjali, dhe fjali me rend fjalësh të ndryshëm kanë kuptime të ndryshme. Unë e kam pak të vështirë t’i mënjanoj disa koncepte teorike, p.sh. të temës dhe të remës, kur vjen fjala për atë segment të thënies ku bie theksi kuptimor. Megjithatë, dua ta mbaj rubrikën sa më larg teknicizmave.
    Tani të vij te shembulli yt (dhe imi). Ti thua se
    Gatishmëria e Luftarit për të më ndihmuar më bëri përshtypje të madhe
    nënvizon gatishmërinë.
    Nuk e vë në dyshim, por të njëjtin efekt mund ta arrinim me:
    Që Luftari u tregua i gatshëm për të më ndihmuar, më bëri përshtypje të madhe.
    Ose duke e shmangur emrin prejfoljor. Gjithsesi emërzimit do t’i kthehem herë pas here më pas, sepse është temë kyç.

  5. nje tjeter shembull nga shtypi:

    Mjafton vetëm të analizosh në një këndvështrim të ndryshëm nga sa po shohim tash e gjithë ditën tragjedinë e fundit që sapo ndodhi në Gjirokastër për të kuptuar se sa shumë të ngatërruara janë marrëdhëniet e pushteteve në Shqipëri dhe se sa me tepri i ka “gllabëruar” politika peshat e pushteteve të tjera në këtë realitet i cili, për shumëkënd, si çdo realitet normal demokratik, do të duhej të ishte një marrëdhënie demokratike dhe e harmonizuar e pushteteve që mbajnë dhe kompensojnë njëri-tjetrin.

  6. Xhaxha, une kisha dy pyetje: per “vete shtrimin e pyetjeve” dhe pyetjet ne pergjithesi, si dhe per emerzimin. Mund t’a kem gabim, por mua me duket se ka ndryshim mes pyetjes, dhe vete pyetjes. E para eshte ne doren e pyetesit, ndersa e dyta jo, sepse ka ca pyetje qe shtrohen vetvetiu. Keshtu pershembull, ne alternativen tende nuk kuptohet a eshte natyra e globalizmit qe eshte problematike, apo eshte artikullshkruesi qe kerkon te problematizoje. Ndersa ne rastin e “vete shtrimit te ketyre pyetjeve”, une perftoj nje sens se eshte natyra e globalizmit qe i detyron keto pyetje. Ne qofte se dallimi midis asaj qe eshte thelbesore per nje ceshtje dhe qe detyron pyetje, dhe veshjes se ceshtjes me pyetje qe nuk kane shume lidhje me te eshte dallim i sakte, atehere, edhe c’eshte “ne te vertete” ceshtja, eshte pjese e ketij dallimi. Pra, ne qofte se, metoda ontologjike, bie llafi, ka nevoje per te tilla mjete, per te tille drunj, per te arritur rezultate qe ndryshe nuk mund te arrihen, a nuk do te ishte calues cdrunjezimi ne kete drejtim? Dhe per sa i perket emerzimit sipas perkufizimit te dhene me lart prej teje, ne qofte se eshte e favorshme (per te mos thene e nevojshme) qe dukurite abstrakte te trajtohen si objekte konkrete, ku qendron problemi i ketij nominalizmi? (E di qe nuk e ke trajtuar deri ne fund emerzimin, por duke mos e trajtuar ma hape oreksin).

  7. Ky fenomen (dukuri), emerzimi, dhe renia ne sy e emerzimit eshte nje dukuri ngacmuese edhe per vete personin tim. Venia ne dukje ka lidhje me sensibilitetin ndaj gjuhes shqipe, cfare duket te jete i nje grade te ulet ne shume shqipfoles. Por nderkoh qe pranimi i ketij fenomeni (emerzimi) mund te jete i tolerushem(-ar) ne nje sistem gjuhesor si ai i juridikut, eshte i papranueshem ne letersi. Sepse ne Drejtesi absolutizohet dhe abstraktohet “Veprimi” dhe jo menyra (modus). Nejse, shih sa paragraf i shemtuar, nuk mund te lexosh me shume se nje rrjesht, te ben per te vjelle.

    Ky stil i pershtatet psh. dikujt qe nuk kerkon te japi detaje mbi nje veprim, porse te japi interpretimin e tij personal dhe subjektiv, por duke e absolutizuar ate, pa i lene hapesira lexuesit ti japi nuanca te tjera. Une ngase perkrah nje ndarje midis sistemeve si asaj politike, drejtesise dhe letersise, preferoj kete lloj stili per juridikun, por kurrsesi ne gazetari dhe ne letersi.

    Perdorimi i foljes ka shume informacion brenda, si psh. Kohen kur eshte kryer ky veprim (tashme, kaluar, pakryer etj.), Subjektin, kush e ka kryer kete veprim, dhe kundrinorin (kujt apo ke). Por besoj se shume nga ne nuk jane aq te familjarizuar me gjuhen shqipe dhe per me teper jo aq te ndjeshem ne perdorimin e saj. Prandaj shume nga ne perdorin kete stil te thate dhe te drunjte kur shkruajne, pervec faktit qe une psh. jam shume dembel dhe shkruaj shpejte. Kur them i familjarizuar nenkuptoj “perdorimin e ndergjegjshem” te nje forme ose stili ne gjuhe, qe shkon pertej percimit te nje informacioni. Pra qe synon qartesimin e nje pozicioni ose perspektive bashkebiseduesit ose publikut, zgjimin e nje emocioni ose te nje lloj empatie dhe deshire jo vetem per te marre vesh porse edhe per te kuptuar. Por sic shihet te shkrimi im eshte e veshtire te shkruash ne nje forme te shkrifet dhe te rrjedhshme, pasi shume nga ne shkruajne per vete, pa nje audience te caktuar ne koke, dhe mbi te gjitha u mungon edhe aftesia, ta themi troc.

  8. Shqipja e drunjtë?

    Françesk Petrarka

    Tingëllima 132:

    Në s’qenkësh dashuri, ç’ndjekam pra, vallë?
    E dashuri në qoftë, Zot, cila e çfarë?
    N’e mirë, për mua pse helm vdekatar?
    N’e ligë, pse aq i ëmbël çdo zavall?

    Në me dashje digjem, ç’ne ky-vaj-ky-hall?
    E nëse me pahir, ç’vleka një e qarë?
    O vdekje e gjallë, o sfilì gaztare,
    ç’kallke tek mua teksa po-në s’ta shpall?

    E në e shpallkam, vuaj pa të drejtë.
    Mes erërash skundra me anijë q’u humb
    gjendem në det të hapur pa një busull,

    me urtì – pëndë, me gabime – plumb
    që se çfarë kërkoj s’e di as vetë
    pa digjem dimrit, në verë rri kruspull.

    Tingëllimë 134:

    Paqe nuk gjej, të luftoj s’kam me se:
    kam frikë, shpresoj; bëhem shkrumb e akull prapë;
    qïellit fluturoj, dergjem përdhe;
    hiçin shtrëngoj, tërë botën në qafë kap.

    Njëra burgun s’ma çel e as kyç s’i ve,
    s’më mban pas vetes po as çarkun s’hap;
    s’vret Dashuria, e as të lirë s’më le,
    as gjallë s’më do, e as nuk e ndan shapin.

    Shoh i pasy, i pagjuhë thërras;
    dhe bëj të humb, edhe e lyp ndihmesën;
    veten urrej, pa dua tjetërkënd.

    Kohem me dhimbje, qaj buzën në gaz;
    s’dua as vdekjebardhën e as jetëzezën:
    në këtë gjendje, vashë, jam për hir tënd.

  9. Lulian, nuk e diskutoj që emërzimi është i domosdoshëm në filozofi, ose në tekstet juridike siç e vuri në dukje Kapedani, por atje përligjet nga natyra e vetë teksteve, ndërsa në publicistikë shumë shpesh vetëm sa tradhton një farë përtacie të shkruesve.
    Më tej, dua ta theksoj përsëri se nuk kam ndërmend aspak të jap receta si duhet shkruar, por vetëm të tregoj disa alternativa dhe, në përshkrim e sipër, të shpreh edhe opinione të miat, që ashtu mbeten opinione, sidomos kur flitet për shije. Nga ana gramatikore, emërzimi nuk ka të sharë; bëhet problematik vetëm kur nis të pengojë mendimin, ose rrjedhshmërinë e të shprehurit. Aq më tepër në shembullin tonë, ku shtrimi i pyetjeve përmban një emërzim në katror: pyes -> pyetje -> shtroj pyetje -> shtrimi i pyetjeve. Mua më tepër se i keq ose i gabuar, ky togfjalësh më tingëllon i shëmtuar sa s’bëhet. Më në fund, emrat abstraktë prejfoljorë në shqipe shprehin edhe veprim edhe rezultat, sipas qëllimit të folësit dhe kontekstit; pyetje është edhe akti i të pyeturit, edhe rezultati i tij, ose thënia që përmban pyetjen.

  10. Kapedan, kjo qe thua ti qendron e pak a shume me akademizim te gjuhes kete gje nenkuptoj edhe une, psh latinishtja ishte gjuha e juridikut, gjuha e jus-it e fas-it dhe terminologjia juridike ne mbare perendimin vjen nga latinishtja.

    Kjo pastaj behet ‘gjuhe’ e administrates, e marredhenieve diplomatike jo vetem te jashtme por edhe e marredhenieve te brendshme qe kane nevoje per formen. Filozofia e shfrytezon pamase, pastaj futet mes ekonomisteve e deri (ketu ne Itali) vihet re edhe mes opinionisteve te futbollit (degjon komente qe te bejne te mendosh se keta ndodhen ne ndonje zyre qeverie).

    ‘Fajtori’, Eva e rastit eshte greku i lashte , kurse ‘fajberesi’ me i madh eshte padyshim latini.

    Me fjale shume te varfera, forma kalon per nga rendesia thelbin.

    Skam kohe.
    Me mungon qartesisht faktori kohe.

    Kjo ska lidhje me emerzimin si proces i drejtperdrejte, por emri ne fjaline e dyte merr nje peshe qe ne formen ‘skam kohe’ nuk e ka.

    Neser , jam i ngeshem , prandaj ……… .
    Neser do (te) me karakterizoje ngeshmeria, prandaj ……….

    Ketu emerzimi eshte i drejtperdrejte dhe forma sigurisht qe duket qarte se e mbyt (i mbivendoset) thelbin.

    Fjalite e para ne keto raste i perkasin ‘popullit’, ndersa te dytat njerezve te kollarisur(besoj shumica e atyre qe shkruajne ketu).

    Nga ana tjeter pervec emerzimit , kemi edhe huazime.
    Tek rasti i pare, ” s’kam kohe ” kemi vetem fjale shqip, nderkaq tek forma ‘e kollarisur’, kemi fjalen mungese me origjine te vjeter latine (mancare) , po ashtu qartesisht vjen (mund te vije) nga latinishtja e fjala faktor vjen nga latinishtja.

    Tek rasti i dyte ”neser jam i ngeshem”, kemi prape 100% shqip, nderkaq tek forma e kollarisur kemi fjalen karakterizoj nga latinishtja. Nderkaq nje njeri teper i kollarisur mund te fuse edhe ne ‘menyre te paekuivokueshme’ e te dale nje fjali e tmerrshme, por me kuptim;
    Neser ne menyre te paekuivokueshme do te me karakterizoje ngeshmeria, prandaj ……. .

    Ky eshte per mendimin tim akademizimi i nje gjuhe, qe sjell ngadale cnatyrimin e plote te saj e ky proces ka hyre aq thelle ne krejt prozen shqipe, saqe me ka lindur nje deshire e cuditshme per poezine , meqe aty shqipja ruhet ende ne nivele te kenaqshme (lexoni poezine e mesiperme), pavaresisht disave, qe kane futur trendizmin edhe ne kete leme.

    Cduhet bere ? Nuk e di, une per vete i kam shpallur lufte prej kohesh, pavaresisht se e di qe nuk e fitoj dot, pasi shqipja nuk zoteron arme te shkaterrimit ne mase(jane aq te shumte keta elemente , sa me cifte sja del dot edhe po te gjuash gjithe jeten).

  11. Meqë po flasim për shqipe të përbindshme, ja një shembull i freskët, nga shtypi i kësaj jave:

    Një pjesë të grishjes për të avokuar fenomenin Obama e kisha nga kërkimi personal gjatë themelimit të XX

    Sinqerisht unë nuk e marr vesh se ç’do të thotë ky paragraf, sepse nuk e marr vesh se si mund të avokohet një fenomen, nuk e kuptoj foljen avokoj (e cila nuk ekziston në shqipe), nuk e gjej dot si mund të vijë një pjesë e grishjes nga kërkimi, kam përshtypjen se grishje është përdorur gabim për joshje ose ngashënjim ose tundim, dhe më në fund, emrat foljorë grishje, kërkim, themelim… pse të thuash gjatë themelimit, kur mund të thuash kur po themelohej?
    Qofsha i gabuar, por kjo nuk është më as shqipe e drunjtë; por vetëm shqipe e prishur, që tradhton mendim të turbullt.

  12. Disa krahasime titujsh.

    Nga bota:
    Premtime për të mbajtur
    Ky titull, në kopertinën e një reviste që ka për fotografi Obamën, është shkëputur prej vargut të një poezie të R. Frost, që shkon kështu:
    Por unë kam premtime për të mbajtur
    Dhe milje për të bërë para se të fle…
    Pa dyshim që “premtime për të mbajtur” është përdorur para poezisë sa herë që njerëzve ju është dashur, por vazhdimi i saj me miljet për të bërë e çon në pikëtakim me premtimin publik që Obama ju bëri vajzave të tij.
    Mesazhi prej titullit degëzohet. Shkon tek Obama duke i kujtuar se vërtet e di që ke premtime për të mbajtur, por ke dhe rrugë të gjatë për ti realizuar. Shkon tek lexuesit, jo në një formë të thjeshtë tekstuale, si psh “Obama, premtimet për të mbajtur”, apo “Premtimet për të mbajtur të Obamës”, por në një formë vizio-tekstuale, lexuesi ndërsa lexon titullin sheh fotografinë dhe e ka të qartë kush ka premtime për të mbajtur. Ata që e kanë ndjekur ngjarjen mendojnë se është kollaj të mbash premtime vogëlushesh por si i bëhet për të tjerët. Ndërsa te një rreth më i ngushtë mesazhi shfaq eksellencën e autorëve të kësaj gjetjeje që nuk mbaron me kaq. Titulli i poezisë, përmbajtja e saj, thonë ato që revista nuk mund ti thotë sheshit: Mr. President i zgjedhur, gjendesh para një pylli drurësh ngarkuar me borë, mbrëmjen më të errët të vitit.

    Nga vendi: (nga bota dhe nga vendi kthehet në klishe)

    Kronikë e një tragjedie të paralajmëruar
    Ky titull i një prej shkrimeve mbi shëmbjen e një pallati në Gjirokastër, drurit të kuq të nxjerrë me mundin e Markezit, i ka hequr fjalën “vdekjeje” sikur të ishte gdhë për ta mbushur me stukon “tragjedie”, që është dhe gabimi i parë. Gabimi i dytë, është se titulli (si dhe në artikujt e tjerë për ngjarjen) nuk përmban kryesoren, shëmbjen, fjalë e fuqishme, e përdorur vetëm një herë tek “Shëmbja e idhujve”, ndryshe nga “Kronikë e një…” stërpërdorimin deri në banalitet të së cilës e tregon Google. I papërshtatshëm orientimi nga një autor i huaj kur kemi një autorin tonë të lindur në Gjirokastër, bile me një libër të titulluar “Kronikë në gur.” Gabimi i autorit të artikullit mund të ishte më i lehtë po të kishte luajtur me titullin e librit shqip, por gjithsesi gabim; duhen shfletuar ca faqe e duhen gjetur aty ca mesazhe.

    Kosova, rrugë e mundimshme
    Ndryshe nga shembulli amerikan, gazetës që ka publikuar këtë artikull i është dashur të na e thotë tekstualisht kush e ka rrugën e mundimshme. Faqja e parë e versionit PDF të gazetës që është e një date të shkuar na e ndërprerë këtu gjykimin për kryefjalën. Titulli është sharruar nga “Rruga e mundimshme drejt njohjes” të Lion Fojtvanger, një novelë mbi Gojën. Gabimi i parë, barazimi i rrugës së njohjes së një artisti me atë të një shteti. Gabimi i dytë, po për Kosovën me titullin “Ruga e mundimshme drejt njohjes së pavarsisë së Kosovës” ka një trajtesë prej një profesori tjetër në gusht të këtij viti (e njëjta gazetë e ka publikuar në shtator), i cili nuk mbetet të jetë i fundit, një artikull i dhjetorit 2005 ka titullin “Futbolli i Kosovës, rruga e mundimshme drejt njohjes”. Shtoni dhe gabimet si tek “Kronika…”

    Të shkruash gjuhën shqipe është “rrugë e mundimshme” (Fojtvagner), por kjo është një rrugë që shqiptari “nuk e merr”(Frost).

  13. Nga “Libri i kengeve” (Tirane 1995) dy sonetet e mesiperme te Petrarkes ne perkthimin e Dhori Qiriazit:

    CXXXII

    Në s’është dashuri e ç’është pra e ç’ndiej?
    Në është dashuri, e ç’është dashuria?
    Në është e brishtë, ç’na vdes ne ashpërsia?
    Në djeg me zjarr, me ç’ëmbëlsi na deh?

    Në desha vetë, tani pse rri e qaj?
    Në rashë keq e kujt t’i lutem vallë?
    E keqe e këndëshme, o vdekje, vdekje e gjallë,
    Kur s’kam asgjë, përse gjithçka po mbaj?

    Dhe nëse mbart një dhimbje kaq të madhe,
    Përkundër erës varka ime shkon
    Në det me dallg’, pa prehje, pa timon.

    Gabime plot, i lehtë në mendim,
    As vetë s’e di tani se çfarë kërkoj,
    Kam ftoht’ në verë, në dimër përvëlim!

    CXXXIV

    As luftë s’bëj dhe asgjëkund s’gjej paqe,
    Dhe frikë dhe shpresë, kam zjarr dhe akullohem,
    Në qiell nxitoj, në tokë prap rrëzohem,
    Askënd s’takoj dhe botën kam përqafe.

    Ajo më futi në burg, hapsan’ e laqe,
    As nuk më mban, as nuk më le të iki
    Dhe më largon dhe hallkë më vë tek shpirti,
    As rroj, as vdes, as dhimbjet s’kanë caqe.

    Pa sy dhe shoh, pa gjuhë dhe nxjerr klithmë,
    Kërkoj të vdes, thërres që të shpëtoj,
    Përbuz vetveten, ju jap ju lumturinë.

    Mes lotësh qesh, ju jap ju dhimsurinë,
    Dhe jet’, dhe vdekje i vë në barazi,
    Po për këtë, o grua, faj ke ti.

  14. Ja një tjetër përfaqësues i shoqërisë civile që shqetësohet për gjuhën shqipe:

    1. Sekretaret (me arsim të mesëm apo të lartë), duhet t’i nënshtrohen provimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe (kaligrafisë), pasi minimalja, ato mbajnë procesverbalet e seancave gjyqësore.

    E paçmuar ideja për t’i testuar sekretaret e gjyqit në artin e humbur të kaligrafisë…

    E kam marrë këtu, se e di që nuk do të ma besoni:
    http://www.ndryshe.com/mat.php?idm=12039

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin